A. Begatia materiale (2:18,19, 21-27)
Atëherë Zoti u bë xheloz për vendin e Tij dhe i erdhi keq për popullin e Tij. Ai do t’u dërgojë atyre grurë, musht dhe vaj për kënaqësinë e tyre, përveçse do të heqë prej tyre turpin midis kombeve. Vendi do të përtërihej në pjellori dhe prodhimtari. Shiu i bollshëm do të bjerë me gjyma dhe lëmenjtë do të jenë plot me grurë. Populli do të përtërihet dhe nuk do ta mbulojë më turpi. Do të kompensohen gjithashtu për të korrat që ka ngrënë karkaleci (2:25).
B. Shkatërrimi i armikut (2:20)
Me anë të Joelit Zoti tregon atë që do të bëjë për Judën. Ai do të shkatërrojë ushtrinë e veriut (asirianët) nga deti lindor (Deti i Vdekur) te deti perëndimor (Mesdhe).
C. Përhapja e Frymës së Perëndisë (2:28,29)
Perëndia do të përhapë Frymën e Tij mbi çdo mish atë ditë. Brezi më i ri do të profetizojë dhe do të kenë vegime dhe pleqtë do të shohin ëndrra. Kjo profeci e fundit u përmbush pjesërisht te Veprat e Apostujve 2:16-21, por Rrëshajët nuk ishin stacioni i fundit. Përmbushja e saj e plotë do të ndodhë në fillim të mbretërimit njëmijëvjeçar të Krishtit.
D. Shenjat që do të pararendin Ardhjen e Dytë të Krishtit (2:30-32)
Përhapja e Frymës do të pararendet nga mrekullitë në qiejt. Disa nga këto shenja të parashikuara janë: gjak, zjarr dhe shtëllunga tymi, dielli që kthehet në terr dhe hëna në gjak. Të gjithë ata që kthehen te Jezusi si Mesia, duke besuar në emrin e Tij, do të shpëtohen për të hyrë në Mijëvjeçar me Të.
E. Gjykimi i kombeve pagane (3:1-16a)
3:1-8 [3] Perëndia do t’i mbledhë kombet pagane në luginën e Jozafatit dhe do t’i gjykojë për trajtimin e tyre ndaj judenjve. Tiroja, Sidoni e Filistia do të shpërblehen për plaçkitjen dhe skllavërimin e popullit të Perëndisë. Njerëzit në ato qytete do të shiten tani si skllevër, një ndëshkim i merituar për krimet e tyre.
3:9-16a Johebrenjve u thuhet: “Përgatitni luftën“, sepse Zoti do të luftojë me ta në Luginën e vendimit. Në luginën e Jozafatit Zoti do të ulet për të gjykuar të gjitha kombet që janë përreth. Perëndia sovran po vë në provë tani tërë njerëzit dhe kombet, edhe pse mund t’u duket jashtë mode mendimtarëve të botës sot ky koncept. Stevensoni shënon:
Njerëzit hedhin poshtë mësimin biblik rreth gjykimit që do të vijë për individët dhe kombet, si një koncept tashmë jashtë mode. Por populli i Perëndisë është kapur fort përgjatë shekujve pas sigurisë se, në “ditën e Zotit”, Gjykatësi i tërë tokës do të bëjë drejtësi. Ky është besimi ynë, mbështetur në shkëmbin e Shkrimit të Shenjtë [4].
F. Përtëritja dhe bekimet e ardhshme të judenjve (3:16b-21)
Por Zoti do ta bekojë popullin e Tij me çlirim, siguri nga pushtuesit dhe furnizime të bollshme. Vendi i Izraelit do të bëhet i frytshëm dhe i ujitur mirë: malet do të pikojnë musht, qumështi do të rrjedhë nga kodrat dhe uji do të rrjedhë në të gjitha rrëketë e Judës. Egjipti dhe Edomi do të bëhen një shkretëtirë e mjeruar…, por Juda do të banohet përjetë. Perëndia do ta pastrojë nga gjaku i saj i derdhur.
Libri mbyllet me një shënim të sigurt me një arsye: Zoti do të banojë në Sion.
SHËNIME
[2] (1:1-4) Sipas versioni KJ “larva e molës, karkaleci, vemja dhe krimbi” japin idenë e katër specieve të ndryshme të insekteve. Kjo nuk është fare domethënia e saktë. [3] (3:1-8) Në Biblën hebraike 2:28-32 përbën kapitullin 3 dhe kapitulli ynë 3 bëhet kapitulli 4. [4] (3:9-16a) Herbert F. Stevenson, Three Prophetic Voices. Studies in Joel, Amos and Hosea, f. 40.BIBLIOGRAFI
Feinberg, Charles Lee. The Minor Prophets. Çikago: Moody Press, 1976.
Keil, C. F. “Joel”, te Commentary on the Old Testament, vëll. 25, 26. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1971.
Kelly, William. Lectures Introductory to the Study of the Minor Prophets. Londër. C. A. Hammond Trust Bible Depot, nuk dihet data.
Morgan, G. Campbell. The Minor Prophets. Old Tappan, Nju-Jork: Fleming H. Revell Company, 1960.
Stevenson, Herbert F. Three Prophetic Voices. Studies in Joel, Amos and Hosea. Old Tappan, Nju-Jork: Fleming H. Revell Company, 1971.
Tatford, Frederick A. The Minor Prophets, vëll. 1, ribotim (3 vëll.). Minneapolis: Klock & Klock Christian Publisher, 1982.