Perëndia e dërgoi Jonën për të predikuar në Ninive, kryeqyteti i armikut kryesor të Izraelit, Asirisë. Ne mund ta kuptojmë frikën e profetit, nga një pikëpamje shumë natyrore, për të shkuar atje (shikoni sfondin dhe temën sipër).
B. Udhëtimi i Jonës për në Tarshish (1:3)
Në mosbindje Jona i hipi një anijeje për në Tarshish (mbase në bregun jugor të Spanjës). Udringu (H. C. Woodring) komenton rreth rebelimit të profetit kundër detyrës së tij:
Perëndia donte që ai të shkonte në Ninive, 800 km në verilindje të Palestinës. Në vend të kësaj Jona shkoi 3 200 km në perëndim. Perëndia donte që Jona të bënte një udhëtim tokësor në rrugën FertileCrescent (Gjysmëhëna e pjellorisë). Në vend të kësaj ai ndërmori një udhëtim të neveritshëm detar (judenjtë e urrenin detin). Perëndia e dërgoi në metropolin më të madh të asaj kohe. Në vend të kësaj Jona u drejtua për në një vend tregtie të largët në skaj të qytetërimit. Zoti donte që të shkonte me profetin e Tij. Në vend të kësaj Jona u përpoq të largohej nga prania dhe fuqia e Perëndisë [1].
C. Stuhia në det (1:4-10)
Zoti shpërtheu një erë të fortë në det dhe… një furtunë të madhe në det, saqë vuri në rrezik anijen dhe ekuipazhin e saj. Detarët paganë, mbase ishin fenikas, hodhën short për të parë se kush ishte përgjegjës për problemin. Jona, hebreu, u zbulua si fajtori; ai po ikte larg pranisë së Zotit.
D. Hedhja e Jonës në det dhe gëlltitja nga një peshk i madh (1:11-16 – 2:1)
1:11-17 Pyetja: “Çfarë duhet të bëjmë që deti të na qetësohet?” tregon një qëndrim tipik njerëzor për ruajtjen me çdo kusht të lëkurës së vet. Megjithatë, detarët e vjetër paganë shfaqën një ndjenjë të vërtetë barazimi. Jona i këshilloi ta hidhnin në det. Ata ngurruan që ta bënin një gjë të tillë dhe vozitnin me forcë për ta kthyer anijen në breg. Por në fund u detyruan të bënin siç iu tha ai, sepse deti bëhej gjithnjë e më i stuhishëm kundër tyre.
2:1Një peshk i madh i përgatitur nga Zoti gëlltiti Jonën dhe e mbajti rob për tri ditë dhe tri net (mrekullia nuk ishte gëlltitja e njeriut nga një peshk, por se njeriu nuk u tret).