Parathënie: Qëllimi dhe metoda e Lukës (Luka 1:1-4)

parathënien e tij Luka e shfaq veten si një historian. Ai përshkruan burimin e materialeve që zotëronte dhe metodën që kishte ndjekur. Më pas ai shpjegon qëllimin e të shkruarit. Nga pikëpamja njerëzore ai kishte dy lloj burimesh për sa i përket materialeve – raporte të shkruara për jetën e Krishtit dhe të dhëna gojore nga ata që ishin dëshmitarë okularë të ngjarjeve në jetën e Tij.

1:1 Raportet e shkruara janë përshkruar në vargun 1: Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditnin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë … Ne nuk e dimë kush ishin këta shkrimtarë. Mateu dhe Marku mund të kenë qenë dy prej tyre, por me sa duket të tjerët nuk kanë qenë të frymëzuar. (Gjoni ka shkruar më vonë. )

1:2 Luka gjithashtu është mbështetur në raportimet gojore të atyre që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës që u ishte përcjellë atyre. Vetë Luka nuk thotë se ka qenë një dëshmitar okular, por ai kishte folur me ata që kishin qenë. Ai i përshkruan këta shoqërues të Zotit tonë si dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës. Këtu ai përdor fjalën si një emër të Krishtit, ashtu siç bën dhe Gjoni në Ungjillin e tij. “Fillimi” këtu nënkupton fillimin e epokës së krishtere të paralajmëruar nga Gjon Pagëzori. Fakti që Luka ka përdorur raportime të shkruara dhe gojore nuk mohon frymëzimin e drejtpërdrejtë të asaj që ai shkroi. Thjesht do të thotë që Fryma e Shenjtë e ka drejtuar atë në zgjedhjen dhe organizimin e materialit të tij.

James S. Stewart komenton:

Luka e bën mjaft të qartë faktin që shkrimtarët e frymëzuar nuk ishin mrekullisht të çliruar nga domosdoshmëria e kërkimit të vështirë historik. … Frymëzim nuk ishte Perëndia që në mënyrë të magjishme tejkalonte kufijtë e mendjes njerëzore, por ishte Perëndia duke shprehur vullnetin e Tij me anë të përkushtimit të mendjes njerëzore. Ai nuk zëvendëson personalitetin e shkrimtarit të shenjtë në mënyrë që ta bëjë atë një makineri të Perëndisë; ai përforcon personalitetin e tij dhe e bën atë dëshmitarin e gjallë të Perëndisë. [1]

1:3 Luka jep një thënie të shkurtër përreth motivit të tij dhe metodës që ka përdorur: m’u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t’i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil. Për sa i përket motivit të tij ai thjesht thotë, m’u duk e mirë edhe mua. Në nivelin njerëzor, ekzistonte bindja e qetë që ai duhet të shkruante Ungjillin. Ne dimë sigurisht që detyrimi hyjnor ishte përzierë çuditërisht me këtë vendim njerëzor.

Për sa i përket metodës së tij, ai së pari gjurmoi drejtimin e të gjitha gjërave saktësisht që nga fillimi, dhe më pas i hodhi ato në letër në rendin e duhur. Puna e tij përfshinte një hetim të kujdesshëm shkencor të drejtimit të ngjarjeve në jetën e Shpëtimtarit tonë. Luka kontrolloi përpikërinë e burimeve të tij, eliminoi gjithçka që nuk ishte historikisht e vërtetë dhe që nuk kishte lidhje me çështjen nga ana frymërore, e më pas i lidhi materialet e tij në rendin që gjendet në duart tona sot. Kur Luka thotë që ai shkroi sipas radhës, nuk është e thënë që të ketë nënkuptimin e një rendi kronologjik. Ngjarjet në këtë Ungjill nuk janë gjithmonë të organizuara sipas rendit në të cilin ato ndodhën. Për më tepër ato janë në një renditje morale ose shpirtërore, që do të thotë, ato janë të lidhura nga çështja e subjektit dhe nga udhëzimet morale më tepër sesa nga koha. Megjithëse ky Ungjill dhe libri i Veprave i ishin drejtuar Teofilit, ne çuditërisht dimë shumë pak për të. Titulli që i është dhënë atij fort i nderuari sugjeron që ai ishte një zyrtar qeveritar. Emri i tij do të thotë një mik i Perëndisë. Ka të ngjarë që ai të ketë qenë një i krishterë që kishte një pozicion të nderuar dhe një përgjegjësi në shërbesën e huaj të Perandorisë Romake.

1:4 Qëllimi i Lukës ishte t’i jepte Teofilit një raportim të shkruar që do të konfirmonte besueshmërinë e gjithçkaje që ishte mësuar në lidhje me jetën dhe me shërbesën e Zotit Jezus. Mesazhi i shkruar siguron qëndrueshmëri duke e ruajtur atë nga pasaktësitë që mund të vijnë nga transmetimi gojor i tij.

Dhe kështu vargjet 1-4 na japin ne një sfond të shkurtër por të mirëndriçuar të rrethanave njerëzore nën të cilat është shkruar ky libër i Biblës. Ne e dimë që Luka shkroi duke qenë i frymëzuar. Ai nuk e përmend këtë gjë këtu, po të mos e ketë përfshirë në fjalët nga fillimi (v. 3) që mund të përkthehet gjithashtu nga lart. [2]

[1] James S. Stewart, The life and Teaching of Jezus Christ, fq. 9.ke/”>Parathënie për librat poetikë

Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. [2] E njëjta fjalë (anothen) shfaqet në Gjoni 3:7: “Ti duhet të lindësh përsëri” (ose “prej së larti”).[[2]]