Më shumë se gjysma e këtij libri është një rrëfim vetjak, theksuar me ‘shënime anësore’ dhe komente të ndershme që e bëjnë (në pjesë të tilla) një ndër pjesët më të gjalla të shkrimit në Bibël. Pjesa më e madhe e historisë së Esdrës tregohet në vetën e parë (Esdra 8:15-9:15), por Esdra ishte një personalitet i qetë në krahasim me Nehemian e mrekullueshëm dhe praktik….Derek Kidner
I. Vendi unik në Kanun
Nëse po bën ndonjë lloj programi ndërtimi dhe ke probleme për të gjetur njerëzit e duhur, Nehemia është libri që duhet lexuar, studiuar, mësuar apo predikuar. Cilësitë e udhëheqësisë, që ishin të domosdoshme për të përfunduar një punë gati të pamundur, paraqiten në mënyrë të mrekullueshme te ky udhëheqës hebre i shekullit të pestë para K.
Uajtkombi shkruan:
Asnjë pjesë e Dhiatës së Vjetër nuk paraqet një nxitje më të madhe ndaj zellit të përkushtuar, dallues për punën e Perëndisë, sesa libri i Nehemias. Shembulli i pasionit të Nehemias për të vërtetën e Fjalës së Perëndisë – pavarësisht nga shpenzimet apo pasojat – është një shembull i domosdoshëm në kohën e tashme{{1}}.
II. Autorësia
Nehemia, emri i të cilit me të drejtë do të thotë Jehovahu ngushëllon, i shkruan kujtimet e tij në vetën e parë, por përfshin gjithashtu dokumente shtetërore, të cilat ai mund t’i shikonte. Papirusi elefantin dëshmon për të vërtetën historike të librit, duke përmendur kryepriftin Johanan (shikoni Neh. 12:22,23) dhe bijtë e kryearmikut të Nehemias, Sanballatit.
Të gjitha këto mbështesin autorësinë tradicionale të Nehemias, birit të Hakaliahut dhe vëllait të Hananit (1:1,2). Dimë shumë pak rreth biografisë së Nehemias, por mbase ka lindur në Persi.
Cilësitë e taktit, drejtimit dhe udhëheqësisë treguar në këtë libër janë cilësi që kërkoheshin nga pozita e Nehemias si kupëmbajtësi i mbretit, që ishte një pozitë shumë e rëndësishme.
III. Data
Nehemia ka gjasa ta ketë shkruar librin menjëherë pas ndodhjes së ngjarjeve, apo rreth vitit 430 para K. Kjo do të thotë gjatë mbretërimit të Artasersit I (464-424 para K.).
Josefusi thotë se Jadua ishte kryeprift kur Aleksandri i Madh erdhi përmes Palestinës. Meqë Nehemia 12:22 përmend një Jadua, disa e përdorin këtë për ta quajtur librin e Nehemias më të vonët. Mund të ketë qenë që Jadua ishte një djalosh kur Nehemia e ka përmendur atë (sepse ai është në gjenealogjinë priftërore) dhe ishte rreth të nëntëdhjetave në kohën e Aleksandrit. Ose, mund të kenë qenë dy kryepriftërinj në të njëjtën kohë. Një mundësi e tretë është që Josefusi, që zakonisht gabohej në kronologjinë e tij të kësaj epoke, të ketë gabuar edhe këtu!
IV. Sfondi dhe tema
Nehemia ishte i treti udhëheqës i madh në përtëritjen judaike. Zorobabeli udhëhoqi grupin e parë të të mërguarve për në Jerusalem më 538-537 para K. (Esdra 2) dhe mbikëqyri ndërtimin e tempullit. Gati tetëdhjetë vjet më vonë, skribi Esdra shkoi në qytetin e shenjtë me një grup të dytë judenjsh, duke sjellë reforma të mëdha përmes shërbesës së tij të Fjalës së Perëndisë. Por me kalimin e kohës gjërat u prishën në Jerusalem.
Trembëdhjetë vjet pas ekspeditës së Esdrës, Nehemia u ngarkua nga Perëndia për rregullimin e gjendjes në Jerusalem. Pasi mori lejë për të qartësuar situatën, ai siguroi atë lloj cilësie udhëheqësie, për të cilën kishin nevojë izraelitët. Rrënjët e tij ishin të thella në Perëndinë (vini re referencat e shumta të jetës së tij të lutjes); kjo e bëri të aftë të përballonte stuhinë e kundërshtimit, që e goditi që në fillim të misionit të tij. Është thënë me të drejtë se “ka tre lloj njerëzish në botë – ata që nuk e dinë se çfarë ndodh, ata që shikojnë çfarë ndodh dhe ata që i bëjnë gjërat të ndodhin”. Nehemia ishte një njeri që i bëri gjërat të ndodhnin. Ndërsa libri i Esdrës merret me tempullin dhe adhurimin, ai i Nehemias flet për muret dhe punën e përditshme. Libri i Nehemias sjell Perëndinë në çështjet e përditshme të jetës.
PARAQITJE E PËRGJITHSHME
I. VIZITA E PARË E NEHEMIAS: RIPËRTËRITJA E JERUSALEMIT (kapitujt 1-12)
A. Frika për gjendjen e Jerusalemit (kapitulli 1)
B. Autorizimi për ripërtëritjen e Jerusalemit (2:1-8)
C. Rindërtimi i murit të Jerusalemit (2:9-6:19)
1. Shqyrtimi privat dhe kundërshtimi publik (2:9-20)
2. Punëtorët dhe puna e tyre (kapitulli 3)
3. Pengesat e jashtme dhe masat e veçanta (kapitulli 4)
4. Problemet e brendshme dhe reforma shoqërore (kapitujt 5,6)
Ç. Organizimi i rojeve të Jerusalemit (7:1-4)
D. Regjistrimi i popullsisë së Jerusalemit (7:5-73)
E. Rigjallërimi i fesë së Jerusalemit (kapitujt 8-10)
Ë. Ripopullimi i rrethinave të Jerusalemit (kapitulli 11)
F. Pasqyrimi i priftërinjve dhe i levitëve të Jerusalemit (12:1-26)
G. Përkushtimi i murit të Jerusalemit (12:27-47)
II. VIZITA E DYTË E NEHEMIAS: REFORMA E JERUSALEMIT (kapitulli 13)
A. Përjashtimi i Tobias nga tempulli (13:1-9)
B. Ripërtëritja e së dhjetës për levitët (13:10-14)
C. Heqja e veprimtarisë joligjore të shtunën (13:15-22)
Ç. Zgjidhja e martesave me jobesimtare (13:23-31)