Vizita e dytë e Nehemias: Reforma e Jeruzalemit (Nehemia 13)

A. Përjashtimi i Tobias nga tempulli (13:1-9)

13:1-3 Pasi shërbeu për dymbëdhjetë vjet në Jerusalem, më 433 para K. Nehemia u kthye në Babiloni për një kohë të pacaktuar. Më pas mori lejë të vizitonte përsëri Jerusalemin. Gjatë kësaj vizite ai u mor me rregullimin e abuzimeve. “Po atë ditë” (v. 1) mund t’i referohet fundit të kapitullit të mëparshëm, ose një dite tjetër gjatë mungesës së Nehemias (v. 6). Në të dyja rastet u lexua Fjala, duke përfshirë edhe pjesën që pengonte moabitët dhe amonitët të futeshin në asamble. Këta kanaanenj jo vetëm i kishin refuzuar bukë e ujë popullit të Perëndisë, por paguan Balaamin që t’i mallkonte. Por Perëndia e ktheu mallkimin në bekim. Çfarë Perëndie i mrekullueshëm është Ai! Populli u përgjigj duke ndarë nga Izraeli tërë njerëzit e huaj që ishin përzier me ta. 13:4,5 Duke dëbuar të huajt, po kryenin një punë që e kishin filluar te 9:2. Prifti Eliashib kishte bërë një shtëpi për Tobian e lig në oborrin e përparmë të shtëpisë së Perëndisë, duke përdorur një depozitë, e cila duhej të ishte plot me të dhjetat për levitët dhe priftërinjtë. 13:6-9 Pas kthimit të tij, Nehemias nuk iu desh shumë kohë për të zgjidhur situatën. Probleme të tjera ishin shfaqur gjatë mungesës së tij dhe atij, plot zemërim, iu desh t’i ndalonte ato të këqija.

B. Ripërtëritja e së dhjetës për levitët (13:10-14)

Nehemia i qortoi oficerët në detyrë për çështje të tilla e për papërgjegjshmërinë e tyre, duke lënë pas dore levitët. Levitët, që ishin detyruar të punonin në fusha për të jetuar, u rimblodhën dhe u caktuan njerëz besnikë të bënin ndarjen e të dhjetave midis tyre. Për këtë vepër të mirë Nehemia i kërkoi Perëndisë së tij që ta kujtonte (v. 14).

C. Heqja e veprimtarisë joligjore të shtunën (13:15-22)

Nehemias iu desh të qortonte udhëheqësit që e lejuan popullin të punonte ditën e shtunë. Të huajt që jetonin midis tyre ishin përpjekur ta bënin një ditë shit-blerjeje. Por dita e shtunë duhej të ishte e shenjtë, edhe me dhunë nëse ishte e domosdoshme. Për të siguruar portat, u dërguan njerëz dhe tregtarët lakmitarë që kishin fushuar jashtë qytetit ua mbathën nga kërcënimi i dhunës. Veprimtaritë e paligjshme pësuan një ndalim të menjëhershëm. Për këtë edhe Nehemia kërkoi që të mbahej mend (v. 22).

Ç. Zgjidhja e martesave me jobesimtare (13:23-31)

Disa vite më parë gratë e huaja ishin larguar me urdhrin e Esdrës (Esdra 10). Populli kishte bërë atëherë një besëlidhje për t’u ndarë nga paganët (kapitulli 10) dhe e kishin kryer këtë deri në një farë pike. Por me kalimin e kohës praktika e judenjve që martoheshin me gra të Ashdodit, Amonit dhe Moabit lulëzoi përsëri, madje edhe në priftëri. Disa nga keqbërësit u ndëshkuan fizikisht; të tjerë u përjashtuan nga asambleja. Një nip i kryepriftit u dëbua [9]. Paganët u përzunë dhe u kërkua që Zoti të merrej me ata që kishin ndotur detyrat e tyre të shenjta. Edhe një herë tjetër Nehemia i kërkoi Zotit që të kujtohej (v. 31). Në kishë nuk ka ndalim për martesën midis grupeve të ndryshme etnike, sepse krishterimi është një besim që përkrah çdo njeri e fis. Por edhe në kohët e DhV arsyeja kryesore për këtë ndalim ishin pa dyshim fetë e prishura e të rreme të kombeve pagane. Kembëlli komenton mbi llojin e martesave të përziera që janë shkatërrimtare për krishterimin: Dhiata e Re shton dëshminë e saj të qëndrueshme kundër martesave midis besimtarëve dhe jobesimtarëve. Pali u drejtohet besimtarëve të martohen “veçse… në Zotin” (1 e Korintasve 7:39). Megjithatë sot, ashtu si në kohët e mëparshme, disa besimtarë arsyetojnë se do ta çojnë bashkëshortin e pashpëtuar te Zoti – por shumë rrallë funksionon dhe fëmijët ndjekin rrugët e prindit të parilindur {{1}}. Gjatë tërë kryesimit të tij Nehemia ishte një njeri veprues. Në asnjë vend tjetër nuk është më e qartë sesa këtu, ndërsa zelli për gjërat e Perëndisë e digjte përbrenda (Psa. 69:9). Ngaqë ai nuk mbante anësi, zemërimi i tij shprehej njësoj ndaj të gjithëve atyre që shkelnin ligjin e Zotit. Ai paralajmëronte, ndëshkonte, qortonte, mallkonte, i rrihte dhe u shkulte flokët dhe përgjithësisht ua bënte të vështira gjërat të pabesëve! Ai ishte një i guximshëm dhe një gjeneral trim në frontin e luftës kundër së keqes. Ai ishte një punëtor i palodhur dhe një ndërtues i madh për Perëndinë. Ky kapitull mbyll historinë e DhV. Librat që vijojnë Nehemian përshtaten kronologjikisht para kësaj kohe (përveç Malakias, që është bashkëkohës me Nehemian) {{2}}. Çarls Suindëlli (Charles Swindoll) e mbyll komentimin e tij rreth Nehemias, Hand Me Another Brick, me një sfidë për të gjithë ne: Mendoj se është domethënës fakti se skena përfundimtare në librin e Nehemias e portretizon atë në gjunjë, duke i kërkuar Perëndisë hir. Ai ishte përpjekur fort për të drejtën, por e kishte ruajtur zemrën e tij të butë para Zotit. Çfarë shembulli i mrekullueshëm i udhëheqësisë! Ai ishte një njeri i ndershëm, i bindur dhe i përkushtuar. A mund të shtosh edhe ti një tullë tjetër në këtë mur? {{3}}.
BIBLIOGRAFI
Campbell, Donald K. Nehemia: Man in Charge. Wheaton, IL: Victor Books, 1979. Henry, Matthew, “Nehemia”, te Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible. Vëll. 2, Jozueu deri tek Esteri. McLean, VA: MacDonald Publishing Company, nuk dihet viti i botimit. Ironside, H. A. Notes on Ezra, Nehemia, Esther. Neptune, NJ: Loizeaux Brothers, 1972. Jensen, Irving L. Ezra/Nehemia/Esther. Chicago: Moody Press, 1970. Keil, C. F. “Nehemia”, te Biblical Commentary on the Old Testament. Vëll. 10, Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, 1971. Swindoll, Charles R. Hand Me Another Brick. Nashville: Thomas Nelson Publishers, 1978. [[1]] (13:23-31) Campbell, Nehemia, f. 116,117.[[1]] [[2]] (13:23-31) Periudha që vijon pas Nehemias ndonjëherë njihet si “katërqind vitet e heshtura”, edhe pse ky term nuk është tepër i përpiktë. Danieli 11, për shembull, paraqet një histori të hollësishme të epokës greke, e cila është një histori e parashkruar, pra, një profeci. Në fakt, kjo pjesë është aq e përpiktë në hollësitë e saj (për ata që njohin historinë e Ptolemaidës dhe Seleukisë), saqë pjesa më e madhe e liberalëve dhe e admiruesve të tyre nuk e pranojnë Danielin si një profeci të përpiktë. Librat apokrifë të DhV, edhe pse jo të frymëzuar, përmbajnë informacion të vlefshëm historik rreth kësaj periudhe.[[2]] [[3]] (13:23-31) Charles R. Swindoll, Hand Me Another Brick, f. 205.[[3]]
[previous][next]