Këshillë për jetën nën diell (Predikuesi 7:1-12:8)

A. E mira dhe më e mira nën diell (kapitulli 7)

7:1 Shënimi i athët në fund të kapitullit 6 ishte se njeriu nuk mund ta përcaktojë se çfarë është e mirë për të nën diell. Por Salomoni ka ide për disa gjëra që janë të mira dhe të tjera që janë më të mira. Kjo është tema e tij në kapitullin 7. Në fakt, fjalët mirë dhe më e mirë së bashku shfaqen këtu më tepër sesa në ndonjë kapitull tjetër të DhV. Së pari, një emër i mirë pëlqehet më tepër se një vaj i parfumuar. Një emër i mirë, sigurisht, nënkupton një karaktermirë. Vaji i parfumuar përfaqëson shtrenjtësinë dhe aromën. Mendimi është se parfumi më i shtrenjtë nuk mund të zërë kurrë vendin e një jete të nderuar. Predikuesi thotë se dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes. Ky është një nga pohimet e tij që na bën të çuditemi. A e nënkupton këtë si një aksiomë të përgjithshme, apo po i referohet vetëm njeriut me një emër të mirë? Kur u zbatohet besimtarëve të vërtetë vëzhgimi është krejt i vërtetë. Por nuk është fare i vërtetë për ata që vdesin me mëkatet e parrëfyera dhe të pafalura. 7:2 Më pas Salomoni vendos se është më mirë të shkosh në një funeral sesa të dendesh në një gosti. Vdekja është fundi i çdo njeriu dhe, kur ballafaqohemi me të, shtyhemi të mendojmë rreth nisjes sonë. Çdo njeri duhet të mendojë për faktin e vdekjes dhe duhet të ketë një filozofi jete që e bën të aftë të përballet i sigurt me atë takim të pashmangshëm. Ungjilli flet për Shpëtimtarin, i cili përmes vdekjes shkatërroi atë që ka fuqinë e vdekjes, pra djallin, dhe që çliron të gjithë ata që përmes frikës së vdekjes janë subjekte të skllavërisë së përjetshme (Heb. 2:14,15). 7:3 Një përdorim tjetër “më i mirë”: trishtimi është më i mirë nga gazi. Predikuesi ishte i bindur se serioziteti vlen më tepër sesa mendjelehtësia. Ai mpreh mendjen për t’u përballur me çështjet e mëdha të jetës, ndërsa mendjelehtësia e harxhon kot kohën dhe i ndalon njerëzit të rrokin atë që është e rëndësishme. Eca një kilometër me Kënaqësinë; ajo llomotiti tërë ditën, por nuk la asgjë të mençur nga gjithçka që më tha. Eca një kilometër me Brengën, dhe ajo nuk më tha asnjë fjalë; Por, oh, sa gjëra mësova prej saj kur Brenga eci me mua! – Robert Browning Hamilton Sepse përpara një fytyre të trishtuar zemra bëhet më e mirë. Është një ndër paradokset e jetës fakti që gëzimi mund të bashkëjetojë me trishtimin. Edhe filozofët paganë kanë cilësuar një vlerë terapeutike të vuajtjes dhe trishtimit. Por ajo që është paksa e vërtetë për jobesimtarin është tejet e vërtetë për birin e Perëndisë. Brengat dhe vuajtjet janë mjetet e hireve rritëse në jetën e tij. Ato i japin atij një vlerësim të ri të vuajtjeve në Krishtin. Ato e bëjnë të aftë të ngushëllojë të tjerët të cilët po përjetojnë prova të tilla. Dhe ato janë një zotim i lavdisë së ardhshme (Rom. 8:17). 7:4 Mendja e një të urti ruan përmbajtjen dhe qetësinë në prani të vdekjes. Ai mund t’u bëjë ballë brengës dhe shtypjes, sepse rrënjët e tij janë të thella. Budallenjtë nuk mund t’u bëjnë ballë krizave serioze. Ata përpiqen të mbytin ngushticat e jetës ashtu si me qeshjen dhe gazin. Ata shmangin lidhjet me spitalet dhe morgjet, sepse burimet e tyre të cekëta nuk i bëjnë të aftë të qëndrojnë nën presionet e jetës. 7:5 Ka edhe diçka tjetër që është më e mirë. Është më mirë për dikë të dëgjojë qortimin e të urtit sesa të dëgjojë këngën e budallenjve. Kritika ndërtuese udhëzon, ndreq dhe paralajmëron. Gazi bosh i budallenjve nuk sjell asnjë vlerë të përjetshme. 7:6 E qeshura e budallait është si kërcitja e shkurreve nën një tenxhere: e shtirur dhe e zhurmshme, por jo e dobishme. Gjembat që digjen mund të kërcëllijnë dhe të kërcasin, por nuk janë një lëndë e mirë djegëse. Del një nxehtësi e pakët dhe zjarri shuhet shpejt. Është zhurmë pa dobi, fjalë boshe pa brumë. 7:7 Edhe një i urtë vepron me marrëzi kur bëhet një shtypës mashtrues. Ai bëhet i marrë dhe e humb ndjenjën e tij të baraspeshimit dhe frenimit. Dhe të gjithë ata që merren me ryshfete dhe mitëmarrje prishin mendjet e tyre. Ata që përkulen për të pranuar ryshfete humbasin fuqinë për të bërë gjykime të paanshme. 7:8 Salomonit i duket më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj. Mbase po mendonte për inercinë e tmerrshme që duhet të zotëronte shpesh për të nisur një projekt, punën e rëndë dhe disiplinën që duhet të kishte në etapat e tij të hershme. Pastaj, nga ana tjetër, është ndjenja e përmbushjes dhe e kënaqësisë që shoqëron plotësimin e saj. Por nuk duhet shumë për të kuptuar se ky rregull nuk ka vlerë gjithnjë. Fundi i veprave të drejta është më i mirë se fillimi, por fundi i mëkatit është më i keq. Ditët e fundit të Jobit ishin më mirë se fillimi (Jobi 42:12), por fundi i të pabesëve është mjaft i tmerrshëm (Heb. 10:31). Predikuesi ishte i patundur kur tha se ai që ka frymë të durueshme është më mirë se ai që ka frymë krenare. Durimi është një virtyt tërheqës, ndërsa krenaria është mëkati kryesor. Durimi i jep një njeriu miratimin e Perëndisë (Rom. 5:4), ndërsa krenaria shkatërrimin (Fjalet e Urta 16:18). 7:9 Më pas paralajmërohemi kundër prirjes për të marrë kot. Një mungesë e tillë vetëkontrolli zbulon një dobësi të rrënjosur karakteri. Dikush ka thënë se mund të gjykosh madhësinë e njeriut nga masa që duhet për ta bërë atë të humbë temperamentin e tij. Dhe nëse përkrahim smirën dhe ndjenjat e këqija, e shfaqim veten si budallenj. Njerëzit e zgjuar nuk i prishin jetët e tyre nga sjellje të tilla pa kuptim. 7:10 Një veprimtari tjetër e marrë është të jetuarit në të shkuarën. Kur ne kujtojmë vazhdimisht “ditët tona të shkuara kaluar mirë” dhe dëshirojmë që të kthehen përsëri, sepse ato ishin aq të mira, po jetojmë në një botë joreale. Më mirë të përballemi me kushtet ashtu siç janë dhe të jetojmë fitimtarë, pavarësisht nga ato. Më mirë të ndezim një qiri sesa të mallkojmë errësirën. 7:11 Mendimi i Salomonit rreth diturisë dhe një pasurie mund të kuptohet në disa mënyra. Së pari, dituria është e mirë bashkë me një pasuri (versioni NKJ; NASB); bën të aftë marrësin të administrojë pasurinë e tij me kujdes. Së dyti, dituria është e mirë si pasuria (JND); nëse dikush do të zgjidhte vetëm një cilësi, dituria do të ishte një zgjedhje e mirë. Së treti, dituria është po aq e mirë sa edhe pasuria; është një burim pasurie. Gjithashtu është një përparësi për ata që shohin diellin, pra, për ata që jetojnë në tokë. Si mund të bëhet kjo shpjegohet në vargun 12. 7:12 Dituria i ngjan parasë sepse që të dyja japin mbrojtje dhe siguri. Me paranë njeriu mund të sigurojë veten nga humbjet fizike dhe financiare, ndërsa dituria siguron mbrojtje shtesë nga dëmi moral dhe frymëror. Kjo është arsyeja pse dituria është më e lartë; ajo ruan jetët e zotëruesve të saj, jo vetëm pasuritë e tyre materiale. Kur kujtojmë se Krishti është dituria e Perëndisë dhe se ata që E gjejnë Atë gjejnë jetën, epërsia e pafund e diturisë bëhet e qartë. Në Të fshihen thesaret e diturisë dhe të njohjes (Kol. 2:3). 7:13 Një gjë e drejtë që duhet të bëjë një i ditur është të konsiderojë kontrollin sovran të Perëndisë mbi gjërat. Nëse Ai ka bërë diçka të shtrembër, kush mund ta drejtojë atë? Me fjalë të tjera, kush mund të prapësojë me sukses vullnetin e Tij? Dekretet e Tij janë të pandryshueshme dhe nuk mund të manipulohen nga njeriu. 7:14 Në rrjedhën e jetëve tona Perëndia ka përshtatur kohët e begatisë dhe të vështirësisë. Kur vjen bollëku, duhet të jemi të gëzuar dhe ta shijojmë. Në ditën e fatkeqësisë duhet të kuptojmë se Perëndia dërgon të mirën dhe të keqen, lumturinë dhe shqetësimet, në mënyrë që njeriu të mos dijë se çfarë do të ndodhë më pas. Kjo mund të jetë si hiri, ashtu edhe mundimi. Mund të krijohet gjithashtu ideja se Perëndia përzien të mirën dhe të keqen, në mënyrë që njerëzit të mos mund të gjejnë gabim në Të. Sido që të jetë, përfundimet janë krejt nën diellin. Ato nuk dalin mbi mishin dhe gjakun. 7:15 Kemi një shprehje: “Pashë gjithçka” kur përjetojmë surprizën e papritur, paradokse dhe të fundit. Ky duket se është nënkuptimi i Salomonit këtu. Në rrjedhën e jetës së tij të zbrazur kishte parë çdo lloj kontradikte. Ai kishte parë të drejtin të vdiste i ri dhe të pabesin të jetonte deri në moshë të thyer. 7:16 Meqë Predikuesi nuk mund të zbulonte një lidhje të caktuar midis drejtësisë e bekimit, nga njëra anë, dhe mëkatit e ndëshkimit, nga ana tjetër, ai vendosi se rruga më e mirë është të shmangen teprimet. Ky përfundim i cekët dhe jobiblik njihet si “ligji i mesit të artë”. Duke shmangur drejtësinë dhe diturinë e tepërt, njeriu mund t’i shmanget shkatërrimit të parakohshëm. Sigurisht, kjo nuk është e vërtetë. Standardi i Perëndisë për popullin e Tij është se ata nuk duhet të mëkatojnë (1 Gjon. 2:1). Dhe garancia e Tij për popullin e Tij është se ata janë të pavdekshëm, derisa të kryhet puna e tyre. 7:17 Rreziku tjetër, në mendimet e Salomonit, ishte ligësia e tepruar. Njeriu kokëkrisur mund të vdesë para kohës. Një rrugë e mesme është ideali drejt asaj që duhet të përpiqemi, thotë Predikuesi. Është e qartë se këto janë arsyetimet e njeriut, jo zbulime të Perëndisë. Perëndia nuk mund ta tolerojë mëkatin. Standardi i Tij është gjithmonë përsosmëria. 7:18 Sipas Predikuesit rruga më e mirë është të kapesh pas këtij fakti (fati i parakohshëm i njeriut tepër të drejtë) dhe të mos largohesh nga fakti i kundërt (vetëshkatërrimi i të zvetënuarit). Ai që ka frikë Perëndinë (duke ecur në mes) do t’u shmanget grackave. Kjo këshillë e vendos gabimisht Perëndinë si përkrahës të mëkatit dhe padrejtësisë. Por kjo këshillë doli nga vëzhgimet e Salomonit nën diell. Nëse nuk e kuptojmë këtë, ne do të ngatërrohemi nga një filozofi e tillë botërore. 7:19 Salomoni beson se dituria i jep tepër forcë dhe mbrojtje njeriut se dhjetë të fuqishëm të një qyteti, që do të thotë thjesht se dituria është më e madhe se forca e armatosur. Perëndia nuk është domosdoshmërisht nga ana e batalionit më të madh. 7:20 Fakti që ky varg fillon me në fakt tregon se lidhet gjallërisht me atë që thuhet më parë. Por çfarë lidhje kemi? Lidhja është se të gjithë kemi nevojë për përfitimet e diturisë që ka përshkruar Predikuesi, sepse të gjithë nuk jemi të përsosur. Nuk ka asnjë që të jetë plotësisht i drejtë në vetvete, që bën të mirën gjithmonë dhe që nuk mëkaton kurrë. Përgjithësisht vargu 20 është përdorur për të mësuar përbotshmërinë e mëkatit dhe se zbatimi është i ligjshëm. Por në kontekstin e tij, shkruan Leopoldi, vargu thotë arsyen pse kemi nevojë për një aleancë të afërt me atë dituri që është përshkruar [30]. 7:21 Një kuptim i shëndoshë i papërsosmërisë sonë do të na ndihmojë ta marrim kritikën në mënyrën e duhur. Nëse u vëmë veshin fjalëve të një shërbëtori na mallkon, edhe pse është shumë më poshtë në nivelin shoqëror, gjithmonë mund të gëzohemi se ai nuk na njeh më mirë, sepse atëherë do të ketë arsye më tepër për të na mallkuar! Kur Shimei mallkoi Davidin, Abishai donte t’i priste kokën, por përgjigjja e Davidit nënkuptonte se mbase mallkimi i Shimeit nuk ishte plotësisht pa shkak (2 Sam. 16:5-14). 7:22 Dhe ne duhet të kujtojmë gjithmonë se kemi qenë fajtorë për të njëjtën gjë. Shumë herë i kemi mallkuar të tjerëtzemrën tonë. Kot që presim të tjerët të jenë të përsosur kur ne jemi larg përsosmërisë. Ky është mundimi i një idealisti të përsosmërisë. Ai do që gjithçka dhe të gjithë të jenë të përsosur, por jeton në një botë papërsosmërie dhe ai vetë nuk mund ta arrijë synimin që ka vendosur për të tjerët. 7:23 Predikuesi përdori diturinë e tij të jashtëzakonshme për t’u zhytur në tërë fushat e jetës. Ai donte të ishte shumë i urtë për të zgjidhur tërë misteret dhe të shkoklaviste tërë lëmshet e ngatërruara. Por ngaqë po e bënte këtë hetim pa Perëndinë, ai zbuloi se përgjigjet përfundimtare e zhgënjyen. Pa një zbulim të veçantë jeta mbetet një gjëegjëzë e pazgjidhshme. 7:24 Shpjegimi i gjërave ashtu siç ekzistojnë janë të largëta, të pakapshme dhe kaq të thella. Bota është e mbushur me enigma. Bota e panjohur mbetet e pazbuluar. Jemi të mbushur me mistere dhe pyetje pa përgjigje. 7:25 Pavarësisht nga dështimi i tij për të gjetur përgjigjet, Salomoni nguli këmbë me forcë në kërkimin e tij për një dituri më të madhe dhe një zgjidhje të barazisë njerëzore. Ai donte të kuptonte ligësinë e marrëzisë dhe budallallëkun e marrëzisë, pra, pse njerëzit e lëshojnë veten në çoroditje dhe turp. 7:26 Në këtë lidhje ai mendonte sidomos për një grua të përdalë apo një prostitutë; një grua, ndikimi i së cilës është më i hidhur se vdekja. Mendja e saj është e mbushur me rrugë dinake për të bërë që të zihen në kurth burrat dhe ata në kthetrat e saj janë të lidhur si me zinxhirë. Ai, dëshira e të cilit është t’i pëlqejë Perëndisë, do t‘i shpëtojë kurtheve të saj, por njeriu që loz me mëkatin me siguri do të kalojë nga shtegu i saj dhe do të zihet si me grep nga ajo. Është gjithashtu e mundur se gruaja këtu mund të jetë një simbol i botës apo i diturisë së botës (Kol. 2:8; Jak. 3:15). 7:27,28 Vargjet 27-29 duket se shprehin zhgënjimin e përgjithshëm të Salomonit për qeniet njerëzore. Kur takonte në fillim dikë, ai priste gjëra të mëdha, por kur e njihte atë njeri më mirë, shpresat e tij humbitnin. Askush nuk e plotësonte idealin e tij. Mbase mund të shihte dikë që ishte më tepër tërheqës. Ai do të mendonte: “Duhet ta njoh atë njeri më mirë. Do të pëlqeja të krijoja një miqësi të afërt me të”. Por sa më tepër njihte këtë miqësi të re, aq më tepër zhgënjehej. Ai zbuloi se nuk ka njeri të tillë si i huaji i përsosur dhe ai familjaritet ngjallte përbuzje. Salomoni vendos të mbledhë numrin e miqësive në të cilat gjeti një masë kënaqësie të vërtetë dhe shpresa të plota. Nga të gjithë njerëzit që kishte njohur, sa prej tyre i shihte si “vëllezër të vërtetë me shpirt”? Ai kishte kërkuar vazhdimisht një njeri të përsosur, por nuk kishte mundur të gjente asnjë. Çdo njeri që takonte kishte ndonjë të metë apo dobësi në karakter. Gjithçka që zbuloi ishte se burrat e mirë janë të rrallë dhe gratë e mira edhe më të rralla. Ai gjeti një burrë në një mijë që i afroheshin idealit të tij, pra, një burrë që ishte besnik, i besueshëm dhe një mik jo egoist. Por nuk mund të gjente një grua në një mijë, që i linte mbresë atij si një përafrim i arsyeshëm i përsosmërisë. Ai nuk gjeti një grua në mes gjithë atyre. Një shpërthim i tillë tronditës i shovinizmit mashkullor [maskilizmit] është i pakuptueshëm dhe fyerës për ne sot, por kjo ndodh ngaqë gjykimet tona mbështeten në parimet dhe vlerat e krishtera. Nuk do të ishte tronditëse për judenjtë ortodoksë, që e falënderonin Perëndinë çdo ditë ngaqë nuk kishin lindur gra. Gjithashtu nuk do të ishte tronditëse për burrat e disa kulturave, në të cilat gratë shihen si skllave apo pronë e thjeshtë. Komentuesit bëjnë përafrime interpretative për të zbutur forcën e fjalëve të ashpra të Salomonit këtu, por përpjekjet e tyre me qëllim të mirë janë të keqdrejtuara. Fakti është se Predikuesi mbase nënkuptonte saktësisht atë që tha. Dhe përfundimi i tij përkrahet ende nga burrat në mbarë botën, pikëpamjet e të cilëve janë tokësore dhe mishore. Pikëpamja e Salomonit për gratë ishte tmerrësisht e njëanshme. Kembëll Morgani (G. Campbell Morgan) jep një pikëpamje të baraspeshuar kur shkruan: Ndikimi i grave është më i fuqishmi për të mirën apo për të keqen. Kam dëgjuar një herë një ndër vëzhguesit më të hollë të thotë se asnjë lëvizje e madhe për ngritjen e njerëzimit nuk ka lindur në historinë e njerëzit pa ndikimin e një gruaje. Se sa e vërtetë është kjo shprehje, unë nuk e di; por besoj se ka një element të madh të vërtetë në këtë. Është po ashtu e vërtetë se pjesa që gratë kanë marrë në prishjen e racës është e tmerrshme. Kur gratë e një kombi janë fisnike, jeta e atij kombi mbahet e fortë. Kur prishet, kombi zhytet në zymtësi. Gruaja është kështjella e fundit e së mirës apo e së keqes. Dhembshuria dhe mizoria janë në shkallën më të lartë tek ajo [31]. Salomoni e tregon veten më vonë duke shkruar një ndër kushtimet më fisnike të letërsisë për gratë: Fjalet e Urta 31:1-31. Te Predikuesi ai shkruan nga plani tokësor i paragjykimit njerëzor, por te Fjalet e Urta 31:1-31 ai shkruan nga maja e butë e zbulimit hyjnor. Me ardhjen e besimit të krishterë gruaja ka arritur kulmin në ngritjen e saj të dinjitetit dhe respektit. Zoti Jezus është Miku dhe Emancipuesi i saj i vërtetë. 7:29 Ndërsa Predikuesi mendonte për zhgënjimin e tij të pafund te njerëzit që takonte, ai del me drejtë në përfundimin se njeriu ka rënë nga gjendja e tij e parë. Sa e vërtetë! Perëndia e ka bërë njeriun në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Tij. Por njerëzit kanë kërkuar shumë marifete mëkatare, që kanë prishur dhe shtrembëruar shëmbëlltyrën hyjnore në ta. Edhe në gjendjen e tij të rënë njeriu ka ende një uri intuitive për të gjetur përsosmërinë. Ai gjatë jetës së tij kërkon një partner të përsosur, një punë të përsosur, gjithçka të përsosur. Por nuk mund të gjejë përsosmëri te të tjerët apo te vetja. Problemi është se kërkimi i tij kufizohet në fushën nën diell. Vetëm një jetë e përsosur ka jetuar në tokë, e cila është jeta e Zotit Jezus Krisht. Por tashmë Ai është mbi diell, i ngritur në të djathtë të Perëndisë. Dhe Perëndia e kënaq urinë e njeriut për përsosuri me Krishtin: askush tjetër, asnjë gjë tjetër.

B. Dituria nën diell (kapitulli 8)

8:1 Pavarësisht nga dështimi i diturisë njerëzore për të zgjidhur tërë problemet e tij, Salomoni admiron ende të urtin mbi të tjerët. Askush nuk është aq i kualifikuar për të zbuluar domethënien e fshehur të gjërave. Për sa i përket Mbretit Predikues, dituria pasqyrohet madje edhe në paraqitjen fizike. Fytyra e tij është shkëlqyese dhe një fytyrë tjetër e rreptë zbutet. 8:2 Dituria mëson se si të veprojmë në prani të mbretit, qoftë nëse ai mbret konceptohet si Perëndia apo si një monark tokësor. Së pari duhet të jetë bindja. Hebraishtja e pjesës së fundit të këtij vargu është e dykuptimtë, ashtu siç shihet nga përkthimet e mëposhtme: duke pasur parasysh betimin e Perëndisë (versioni KJ). për shkak të betimit para Perëndisë (versioni NASB). për shkak të betimit të bërë Perëndisë (versioni NKJ). Betimi këtu mund t’i referohet zotimit të dikujt për besnikëri ndaj qeverisë apo betimit të Perëndisë me anë të të cilit Ai autorizon mbretërit të sundojnë (për shembull shikoni Psa. 89:35). 8:3 Zymtësia vazhdon në vargun 3. Mund ta kuptojmë këtë varg si një këshillë për t’u larguar nga prania e mbretit pa vonesë kur krijohet një pakënaqësi. Ose mund të jetë një këshillë kundër largimit me ngut, qoftë në zemërim, mosbindje, paturpësi, qoftë në lënien e një pune (versionet KJ, NASB, NKJ). Sido që të jetë, qëllimi i pjesës është se nuk është mirë t’i pengojmë rrugën një mbreti, meqë ai ka pushtet të madh për të bërë të gjitha gjërat që i pëlqejnë. 8:4 Sa herë që flet mbreti, fjala e tij është e fuqishme. Ajo është më e lartë dhe nuk mund të sfidohet nga vartësit e tij. 8:5 Ata që i binden urdhrit të mbretit nuk kanë pse të kenë frikë nga pakënaqësia e tij. Dituria i mëson një njeriu atë që është e duhur, si për kohën ashtu edhe për procedurën për t’iu bindur shpalljeve mbretërore. 8:6 Ka një rrugë të drejtë e të gabuar për të bërë gjërat dhe po ashtu një kohë të drejtë e të gabuar. Problemi që rëndon mbi njeriun është se ai nuk mund të dallojë gjithmonë këto çaste të fatit. 8:7 Ka shumë gjëra që ai nuk i di apo bën. Ai nuk mund të dijë të ardhmen: çfarë ka për të ndodhur apo si do të venë gjërat. 8:8 Ai nuk mund ta ndalojë frymën e tij të largohet, apo të përcaktojë kohën e saktë të vdekjes së tij. Ai nuk mund të marrë lejë në betejë: beteja që vdekja po zhvillon pa pushim kundër tij. Ai nuk mund të fitojë një lehtësim nga dënimi me anë të çdo forme të padrejtësisë që mund ta shpëtojë. 8:9 Këto janë disa nga gjërat që Predikuesi vëzhgoi kur studioi jetën nën diell, në një botë kur njeriu shtyp një tjetër nën thembër, kur një njeri ushtron pushtet mbi një tjetër për ta dëmtuar. 8:10 Pjesa më e madhe e jetës është e cekët. Të pabesët vdesin dhe varrosen. Një herë e një kohë ka bërë udhëtime te vendi i adhurimit. Tashmë që nuk është më njerëzit e lavdërojnë për mëshirën e tij në qytetin ku ndërmerrte skemat e tij të prishura. Feja mund të jetë një fasadë për të mbuluar pandershmërinë. Është e tëra boshe dhe pa kuptim. 8:11 Vonesat e pafundme në gjyqet dhe dënimet e kriminelëve shërbejnë vetëm për të nxitur paligjshmërinë dhe të krijojnë mospërfillje për sistemin gjyqësor. Ndërsa është e rëndësishme të sigurohet që çdo i pandehur të ketë një gjyq të drejtë, është e mundur të mbrohet pa të drejtë një kriminel në kurriz të viktimës. Drejtësia e drejtë dhe e paanshme e shpallur menjëherë shërben si një parandalim për krimin. Nga ana tjetër, shtyrjet e pambarimta të afatit i bëjnë kriminelët më të ngulur në vendosmërinë e tyre për të shkelur ligjin. Ata mendojnë që mund të shpëtojnë, apo të marrin një dënim të lehtë. 8:12 Edhe pse Salomoni kishte parë disa raste që dukeshin si përjashtime, ai besonte se atyre që kanë frikë nga Perëndia do t’u shkonte mirë pas një kohe të gjatë. Edhe sikur një kriminel i zakonshëm të jetonte derisa të plakej, ky përjashtim nuk e hedh poshtë faktin se drejtësia shpërblehet dhe se rruga e shkelësve është e vështirë. 8:13 Predikuesi kishte besim se i pabesi është një humbës pa shpresë. Nga mosdashja e tij për të pasur frikë përpara Perëndisë ai i cakton vetes një jetë të shkurtër. Jeta e tij është e përkohshme si hija. 8:14 Salomoni duket se qëndron midis sunduesve të zakonshëm edhe përjashtimeve të dukshme. Ndonjëherë njerëzit e drejtë duken se ndëshkohen sikur të ishin të pabesë. Dhe ndonjëherë të pabesët shpërblehen sikur të ishin qytetarë të ndershëm dhe të drejtë. Këto dhunime e shtynë Mbretin Predikues të pështirosej me kotësinë e jetës. 8:15 Rruga e vetme logjike, me sa i dukej atij, ishte të shijonte jetën sa të mundte. Nuk ka gjë më të mirë për njeriun nën diell se të hajë, të pijë dhe të kalojë një kohë të mirë. Kjo vlen për njeriun që mundohet gjatë jetës që Perëndia i ka dhënë në këtë botë. Për Salomonin nuk vlente filozofia e qiqrave në hell. Ai donte ta kënaqte qejfin e tij këtu dhe menjëherë. 8:16 Kështu Predikuesi ia kushtoi veten gjetjes së përgjigjeve. Ai e përgatiti mendjen e tij në studimet e filozofisë, i vendosur t’i gjente fundin veprimtarive të jetës: një detyrë në të cilën dikush nuk i lë të pushojnë sytë e tij as ditën, as natën. 8:17 Atëherë ai zbuloi se Perëndia i ka rregulluar gjërat në mënyrë të tillë që njeriu të mos mund t’i gjejë tërë pjesët e mozaikut. Pavarësisht se sa shumë përpiqet, ai do të dështojë. Dhe, pavarësisht se sa i shkëlqyer është, nuk është në gjendje t’i zbulojë përgjigjet e tërë pyetjeve.

C. Gëzimi i jetës nën diell (kapitulli 9)

9:1 Në kapitullin 9 Predikuesi ka kërkuar gjithë këtë, duke bërë një kërkim të gjerë dhe të madh. Ai pa se njerëzit e mirë dhe të urtët, dhe gjithçka që bëjnë ata janë në duart e Perëndisë. Por se çfarë do t’u ndodhë atyre si shenjë e dashurisë apo urrejtjes së Perëndisë, askush nuk e di. E tërë e ardhmja është e panjohur dhe e panjohshme dhe çdo gjë mund të ndodhë. 9:2 Ajo që e bën enigmatike është se i drejti dhe i pabesi, i miri dhe i keqi, i pastri dhe i papastri, adhuruesi dhe ai që nuk adhuron, të gjithë përfundojnë në të njëjtin vend: në varr. Për sa i përket shmangies së vdekjes i drejti nuk ka përparësi nga i pabesi. Ata që betohen janë në të njëjtin hall si ata që i shmangin betimet. 9:3 Kjo është fatkeqësia e madhe e jetës, që vdekja kërkon të gjitha kategoritë e njerëzve. Njerëzit mund të bëjnë jetë të tepruara e jo të shëndosha dhe pas kësaj: vdekja. A nuk është kjo veçse një padrejtësi e madhe nëse vdekja është fundi i ekzistencës? 9:4 Për aq kohë sa njeriu është i gjallë ka shpresë; pra, ai ka diçka që mund të presë. Në këtë kuptim, një qen i gjallë vlen më tepër se një luan i ngordhur. Këtu qeni quhet jo si miku më i mirë i njeriut, por si më i keqi, forma më e ulët e jetës së kafshëve [32]. Luani është mbreti i bishave, i fuqishëm dhe madhështor. 9:5 Të gjallët, të paktën, e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë se çfarë do të ndodhë në botë. Ky varg përdoret vazhdimisht nga mësuesit e rremë për të vërtetuar se shpirti fle në vdekje, se vetëdija resht kur jepet fryma. Por është e pakuptimtë të ndërtohet një doktrinë nga ky varg apo në këtë libër për këtë çështje. Ashtu siç është theksuar në mënyrë të përsëritur, Libri i Predikuesit paraqet përfundimet më të mira të njeriut si kërkime për përgjigje “nën diell”. Ai paraqet përfundime mbështetur në vëzhgime dhe logjikën, por jo në zbulimet hyjnore. Është ajo që një njeri i urtë mund të mendojë nëse nuk e ka Biblën. Çfarë do të mendoje nëse do të shikoje një njeri të vdiste dhe të shikoje trupin e tij ndërsa vihej në varr, duke e ditur se do të kthehej në pluhur? Mund të mendoni: “Ky është fundi. Miku im nuk di asgjë tani; ai nuk mund të shijojë ndonjë veprimtari që do të vazhdojë në tokë; ai ka harruar dhe së shpejti do të harrohet“. 9:6 Dhe kështu është, mendonte Salomoni. Sapo një njeri kishte vdekur, nuk kishte më dashuri, urrejtje, smirë apo ndonjë emocion tjetër njerëzor. Nuk do të kenë asnjë pjesë në të gjitha veprimtaritë dhe përvojat e kësaj bote. 9:7 Përsëri Predikuesi kthehet në përfundimin e tij bazë: jetoje jetën, kalo një kohë të mirë, shijo ushqimin, gëzo zemrën me verë. Perëndia i ka miratuar ato që po bën. Para Tij je në rregull. 9:8 Vish rroba të shndritshme, jo petk zie. Dhe hidh parfum mbi kokën tënde dhe jo hi. Disa mendojnë se bota është bërë për qejf dhe bredhëri, ashtu siç bëri Salomoni. 9:9 Gëzimet e marrëdhënies martesore mund të shfrytëzohen gjithashtu plotësisht sa më tepër të jetë e mundur. Megjithatë, është një jetë e kotë dhe e zbrazur, kështu gjëja më e mirë është të përfitosh sa më tepër. Shijo çdo ditë, sepse kjo është gjithçka që mund të nxjerrësh nga mundi dhe shqetësimi yt. Vargjet 7-9 janë tepër të ngjashme me pjesën që vijon nga Epi i Gilgameshit, një rrëfim i lashtë babilonas i imoralitetit dhe përmbytjes së madhe: N’fillim kur zotrat njerëzit i krijuan Meqë perënditë krijuan njeriunvdekjen për ta caktuan, veten jetën, Pra, Gilgamesh, ti mirë ha e pi dhe sa më shumë mbushe barkun tënd; bëj qejf pa ndalur, ditën dhe natën, secilën ditë kremto nga një të kremte -, natën e ditën në vallëzim kënaqu, në zërin e harpës, në tingujt e fyellit. Rrobat e pastra vishi, Gilgamesh, mirë pastroje e lyeje kokën tënd, dhe trupin laje vetëm në ujë të freskët. Soditi fëmijët n’gaz e dora-doras, në gjokse t’grave ti hareshëm prehu! [33]. Domethënia e kësaj nuk është se kjo ishte kopjuar nga shkrimet e Salomonit, por se dituria e njeriut nën diell çon në të njëjtin përfundim. Më bëri përshtypje ky fakt kur lexova përmbledhjen e Denis Aleksandrit për çfarë na ofron humanizmi sot: Modeli humanist duket një kafshatë e madhe për t’u gëlltitur. Si përfaqësues i një brezi të fundshekullit XX të moshave nën tridhjetë, më kërkohet të besoj se jam vetëm rezultat i një procesi të rastësishëm evolucionar. Të vetmet kushte paraprake për këtë proces janë prania e lëndës, kohës dhe rastit. Sepse, për shkak të disa trilleve të çuditshme të fatit unë dhe njerëz të tjerë jemi të vetmet struktura fizike që na janë dhënë një vetëdije për ekzistencë, shtyhem të mendoj, si për vete ashtu edhe për të tjerët, si më i vlefshmi sesa strukturat e tjera si lepujt, pemët apo gurët, edhe pse në një kohë prej qindra vjetësh atomet e trupit tim të kalbur mund të jenë në mënyrë të pandashme prej tyre. Për më tepër, masa e atomeve lëvizëse në kokën time hamendësohet të ketë më tepër domethënie sesa ato në kokën e një lepuri. Në të njëjtën kohë, më thuhet se vdekja është pikëmbërritja. Në shkallën kohore të evolucionit jeta ime është një avull që zhduket shumë shpejt. Pavarësisht nga ndjenjat e drejtësisë apo padrejtësisë që mund të kem në këtë jetë, tërë përpjekjet e mia, tërë vendimet e mia të mëdha, do të përpihen përfundimisht në rrjedhën e vazhdueshme të kohës. Në një kohë prej miliona vitesh, një pikë e thjeshtë krahasuar me tërë historinë e tokës, kujtesën e letërsisë më të madhe, të artit më të madh, jetët më të mëdha do të varrosen në prishjen e paepur të Ligjit të Dytë të Termodinamikës. Hitleri dhe Martin Luter Kingu, Xhejms Sëuelli (James Sewell) dhe Françesko i Asizit, Kryetari Mao dhe Robert Kenedi, të gjithë do të fshihen në hiçin e pamendueshëm. Kështu, më thuhet, duhet t’i shikoj anën e mirë punës së keqe. Edhe pse kam ndjenja të forta të përkohshmërisë, një ndjenjë të thellë se jam më tepër se një trill i verbër i evolucionit, megjithatë duhet të harroj pyetje të tilla shqetësuese dhe të interesohem për problemet e vërteta që të përpiqem të jetoj me përgjegjësi në shoqëri. Edhe pse puna ime përfshin studimin e trurit të njeriut si një makinë, ashtu si çdo makinë tjetër e natyrës, duhet të besoj ende se njeriu ka disa vlera të veçanta instinktive, që janë më të mëdha se ato të kafshës, dhe, ndërsa emocionet e mia më thonë se mund të jetë e vërtetë, nuk kam arsye objektive ta besoj një gjë të tillë [34]. 9:10 Fjala e urtë në vargu 10, një ndër më të njohurat e librit, përdoret zakonisht nga besimtarët për të nxitur zellin dhe kujdesin në shërbimin e krishterë dhe këshilla është e shëndoshë. Por në kontekstin e tij në të vërtetë do të thotë të rrokim çdo kënaqësi dhe gëzim të mundshëm për aq sa mundesh, sepse nuk do të jesh në gjendje të punosh, të shpikësh, të mendosh apo të njohësh ndonjë gjë në Sheol, atje ku je drejtuar në mënyrë të pakthyeshme. Këshilla e dhënë në këtë varg është e shkëlqyer, por arsyeja është shumë e keqe! Dhe madje arsyeja duhet të kufizohet te veprimtaritë që janë të lejueshme, të dobishme dhe ndërtuese në vetvete. 9:11 Një gjë tjetër që Predikuesi vuri re është se fati dhe rastësia luajnë një rol të madh në jetë. Vrapimi nuk fitohet gjithnjë nga vrapuesi më i shpejtë. Ushtarët më të mirë nuk dalin gjithnjë fitimtarë në betejë. Më të urtët nuk shijojnë gjithnjë ushqimet më të mira. Më të zgjuarit nuk janë gjithnjë më të pasurit. Dhe më të aftët nuk ngrihen gjithnjë në majat më të larta. Fati i keq ndjek hapat e gjithkujt. Koha dhe rastësia janë faktorë që luajnë një rol të rëndësishëm në sukses dhe dështim. Kur e pyetën miliarderin Pol Geti (J. Paul Getty) për të shpjeguar suksesin e tij, ai u përgjigj: “Disa njerëz gjejnë naftë. Të tjerët nuk e gjejnë”. 9:12 Dhe askush nuk e di kur vjen fati i keq. Ashtu si peshqit që kapen në një rrjetë mizore apo zogjtëkurth, njeriu zihet nga fati i keq apo nga vdekja. Ai nuk e di se kur i vjen dita e vdekjes. 9:13-15 Ende një dhimbje koke në jetë është se dituria nuk vlerësohet gjithnjë. Për ta ilustruar: Ishte një qytet i vogël me pak banorë dhe shumë pak i mbrojtur: Një mbret i fuqishëm e rrethoi me artileri dhe u përgatit të çante përmes mureve. Kur situata dukej e pashpresë, një njeri, që ishte i varfër, por shumë i urtë, doli përpara me një plan dhe e shpëtoi qytetin. Për atë çast ai ishte hero, por më pas u harrua shpejt. 9:16 Predikuesin e trishtonte fakti se edhe pse dituria vlen më shumë se fuqia, megjithatë këshilla e të varfrit përbuzet menjëherë. Sapo kriza mbaroi, askush nuk u interesua për atë që duhej të thoshte. Kjo shëmbëlltyrë ka një nënkuptim të përcaktuar ungjillor brenda. Qyteti është si shpirti i njeriut: i vogël dhe i pambrojtur. Mbreti i madh është Satani, i prirur për pushtim dhe shkatërrim (2 Kor. 4:4; Efesianeve 2:2). Çlirimtari është Shpëtimtari, i varfër (2 Kor. 8:9) dhe i urtë (1 Kor. 1:24; Kol. 2:3). Edhe pse siguroi çlirim, sa pak u nderua dhe u vlerësua! Pjesa më e madhe e njerëzve të botës jetojnë sikur Ai nuk ka vdekur kurrë. Dhe madje të krishterët janë zakonisht të shkujdesur për ta kujtuar në mënyrën e caktuar prej Tij, pra, në Darkën e Zotit. 9:17 Megjithatë, pavarësisht nga mosmirënjohja dhe moskokëçarja e njeriut, mbetet e vërtetë se fjalët e të urtëve që thuhen shtruar janë më të vlefshme se paditë e zhurmshme të atij që sundon mbi budallenjtë. 9:18 Dituria është më e lartë se armët dhe municionet. Tek 2 Samuelit 20:14-22 lexojmë se si një grua e urtë e çliroi qytetin e Abelit të Beth-Maakahut kur e rrethoi Joabi. Por një kokëtrashë mëkatar mund të prishë një mori të mirash që një i urtë ka kryer, ashtu siç prishin vreshtin dhelpërushat.

D. I mençuri dhe i marri nën diell (kapitulli 10)

10:1 Kur mizat ngecin në vajin e parfumierit dhe ngordhin, ata e qelbin. Dhe në këtë ka një analogji me sjelljen njerëzore. Një njeri ngre një reputacion me dituri dhe nder, megjithatë ai mund ta prishë atë me anë të një gabimi të vetëm. Njerëzit do ta kujtojnë edhe atë pak mungesë maturie dhe do t’i harrojnë vitet e arritjeve të mëdha. Çdo njeri mund të prishë reputacionin e tij duke folur vetëm tri fjalë të gabuara në publik. 10:2 E djathta shihet tradicionalisht si më e shkathët, e majta më e ngathët. Një i urtë njeh rrugën e drejtë për të bërë diçka; një budalla është një përtac i ngathët. 10:3 Edhe kur budallai bën diçka të thjeshtë, për shembull, kur ecën rrugës, ai nuk tregon një sjellje të zakonshme. Ai u tregon të gjithëve se është budalla, që mund të nënkuptojë se i quan gjithë të tjerët të marrë, apo se e tregon paditurinë e vet në çdo gjë që bën. Ka mundësi që kjo e fundit të jetë mendimi i saktë. 10:4 Nëse një mbret shpërthen në zemërim kundër teje, është mirë të mos lëndohesh. Është më mirë të jesh i butë dhe i nënshtruar. Kjo do të jetë më e mirë për ta paqësuar dhe për të shlyer fyerje serioze. 10:5,6 Një mospërputhje tjetër që e mërziste Salomonin në këtë botë lëmsh dilte nga vendimet jo të urta dhe padrejtësitë që vijnë nga ai që qeveris. Zakonisht njerëzit pa cilësi të duhura vihen në pozita, ndërsa njerëz të aftë harxhojnë talentet e tyre në punë të ulta. 10:7 Kështu shërbëtorët hipin zakonisht mbi kuaj dhe princat duhet të udhëtojnë më këmbë. Padrejtësi të tilla ekzistojnë në politikë, industri, në shërbimin ushtarak dhe po ashtu në jetën fetare. 10:8 Kush çel një gropë për t’u bërë keq të tjerëve do të jetë viktima e së ligës së vet. Kush i hap gropën tjetrit, bie vetë brenda. Kush rrëzon një mur gurësh, qoftë për kalim të paligjshëm, gabim, apo për të ndryshuar vijën e pronës, mund të presë që të kafshohet nga një gjarpër, apo të paguajë për të në ndonjë mënyrë tjetër të papritur. 10:9,10 Edhe veprimtaritë e ligjshme mbartin rreziqe. Gërmuesi është në rrezik të plagoset nga gurët dhe druvari vihet në rrezik nga sëpata. Është një ide e mirë të punosh me mjete të mprehura. Përndryshe duhet më tepër mund për të mbaruar një punë. Koha e harxhuar për të mprehur sëpatën kompensohet më mirë me kohën dhe përpjekjen e kursyer. Dituria mëson rrugët e shkurtra dhe mjetet për të kursyer lodhjen. Ashtu siç e përkthen Leopoldi: “Dituria përgatit rrugën e suksesit” [35]. 10:11 Çfarë përfitimi ka magjistari nëse gjarpri e kafshon para se të fillojë magjia? Ose, siç mund ta shprehim, pse të mbyllësh qilarin kur të kanë vjedhur kalin? Gjërat zakonisht duhen bërë në kohën e duhur për të qenë të vlefshme dhe të frytshme. 10:12,13 Fjalët e gojës së të urtit i sjellin favor, sepse janë plot hir. Fjalët e budallait vërtetojnë se janë shkatërrimi i tij. Ai mund të fillojë me gjëra të kota e të dëmshme, por pasi ka kaluar pak kohë ai ndërfutet në marrëzi të dëmshme. 10:14 Budallai nuk e di se kur duhet ndaluar. Fjalë, fjalë, fjalë. Ai vazhdon të flasë pa ndërprerë sikur të dinte çdo gjë, por nuk është kështu. Llomotitja e tij e pafund përfshin në mënyrë të pashmangshme mburrjet e asaj që do të bëjë në të ardhmen. Ai është si i pasuri i marrë që tha: “Këtë do të bëj: do të shemb hambarët e mia dhe do t’i bëj më të mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat dhe pasuritë e tjera, dhe pastaj do t’i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo” (Luka 12:18,19). Por ai nuk e dinte se çfarë do të ndodhte më pas. Do të ishte më mirë për të të thoshte: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë” (Jakobi 4:15). 10:15 Ai e rraskapit veten nga puna e tij jo e frytshme dhe pa rendiment. Ai madje nuk mund të shohë qartë, apo nuk mund të gjejë rrugën në një vend të dukshëm si një qytet. Mbase mund të shtojmë se ai nuk di aq sa për të dalë nga telashet. Padituria e tij në çështje të tilla të thjeshta i bën planet e tij për të ardhmen gjithnjë e më tepër komike. 10:16,17 Mëshirë për vendin krerët e të cilit janë të papjekur dhe që preken lehtë si një fëmijë dhe ligjvënësit e të cilit bëjnë aheng që në mëngjes, në vend që të kryejnë detyrat e tyre. Vend me fat është ai në të cilin mbreti është një njeri me karakter dhe fisnik dhe në të cilin krerët e tjerë shfaqin përmbajtje dhe vetëkontroll, duke ngrënë për të marrë forcat e tyre dhe jo për t’u dehur. 10:18 Përtacia dhe moskokëçarja e zgjatur bëjnë që shtëpia të rrëzohet, qoftë nëse ajo shtëpi përfaqëson një qeveri apo një jetë individuale. Çdo çati do të pikojë nëse pronari nuk e mirëmban atë. 10:19 Koha e ngrënies është një çast i lumtur. Vera i shton vezullimin jetës. Paraja i përgjigjet çdo nevojtari. A e besonte me të vërtetë Salomoni se paraja është çelësi i çdo kënaqësie? Mbase ai thjesht nënkuptonte se paraja mund të blejë çfarëdolloj gjëje për të cilën ka nevojë një njeri, ushqim apo pije. Ose mbase vetëm po përmendte krerët e dehur të vargut 16 ku ata paralajmëroheshin se ku do t’i shpinte sjellja e tyre e tepruar (v. 18). Fakti është, ashtu siç ka thënë dikush, se paraja mund të blejë çdo gjë përveç lumturisë dhe është një biletë për kudo përveç qiellit. Jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron. 10:20 Ki kujdes të mos fjalësh keq kundër mbretit apo vartësve të tij të pasur. Mund të mendosh se askush nuk të dëgjon. Por edhe muret kanë veshë dhe ndonjë zog tek i cili nuk dyshon do ta çojë lajmin te pallati mbretëror. “Mungesat e taktit marrin lehtë krahë”.

E. Përhapja e së mirës nën diell (11:1-12:8)

11:1 Buka përdoret këtu në mënyrë simbolike për grurin nga i cili bëhet. Hedhja e bukës mbi ujërat mund t’i referohet praktikës së mbjelljes në zonat me ujë, ose mund të nënkuptojë kryerjen e tregtisë së grurit përmes detit. Sido që të jetë, ideja është se një shpërndarje e gjerë dhe e plotë e asaj që është e mirë do të sjellë një përfitim të bollshëm në kohën e korrjes. Ky varg është i vërtetë për ungjillin. Ne mund të mos shohim rezultate të menjëhershme ndërsa ndajmë bukën e jetës, por korrja e pritshme është e sigurt. 11:2 Dhënia shtatë, madje edhe tetë vetave hedh idenë për dy gjëra: bujarinë e gjerë apo larminë e ndërmarrjeve të tregtisë. Nëse nënkuptohet e para, ideja është se ne duhet të tregojmë sa të mundemi mirësi të pallogaritshme, sepse mund të vijë një kohë fatkeqësie kur kjo nuk do të jetë më e mundur. Shumë njerëz kursejnë për një ditë të vështirë. Ky varg këshillon të kemi një frymë lirie jo të frenuar për shkak të pasigurisë së jetës. Ose ideja mund të jetë: Mos i fut të gjitha vezët në një shportë. Investo në interesa të ndryshme në mënyrë që nëse njëra dështon, ti mund të vazhdosh me të tjerat. Kjo njihet si ndryshueshmëria. 11:3 Vargu 3 vazhdon me mendimin e vargut të mëparshëm, sidomos për sa i përket së keqes së papritur që mund të ndodhë në tokë. Hedh idenë se ka një pashmangshmëri dhe përfundim të sigurt të fatkeqësive të jetës. Ashtu siç është e sigurt që retë e mbushura me shi derdhen mbi tokë, po kështu problemet dhe provat vijnë te bijtë e njerëzve. Dhe kur një pemë bie përtokë, ajo mbetet si një mbret i rrëzuar. Fati i tij është vulosur. Një zbatim më i gjerë i vargut jepet në këtë poemë: Ashtu siç bie një pemë, ashtu mbetet, ashtu siç jeton një njeri, ashtu duhet të vdesë, ashtu siç vdes një njeri, ashtu duhet të jetë, tërë viteve të përjetësisë. – John Ray 11:4 Është e mundur të jesh shumë i kujdesshëm. Nëse pret derisa të jenë të përsosura kushtet, nuk do të kryesh asgjë. Gjithmonë ka erë dhe re. Nëse pret kushte ku të mos ketë asnjë erë, nuk do të arrish kurrë të mbjellësh farën. Nëse pret derisa të mos ketë rrezik të bjerë shi, dridhi do të kalbet para se të korret. Njeriu që pret për sigurinë do të presë përgjithmonë. 11:5 Meqë ne nuk dimë gjithçka, mund të ngatërrohemi bashkë me atë njohje që kemi. Ne nuk i kuptojmë lëvizjet e erës, apo se si formohen kockat në barkun e gruas me barrë. Gjithashtu nuk kuptojmë gjithçka që bën Perëndia, apo pse i bën. 11:6 Meqë nuk e dimë këtë, rruga më e mirë është të ngarkojmë ditën me çdo lloj pune frytdhënëse. Ne nuk mund të dimë se cila veprimtari do të dalë më mirë. Mbase që të gjitha. Duke përhapur Fjalën e Perëndisë, suksesi është i garantuar. Por është ende e vërtetë se disa metoda janë më të frytshme se të tjerat. Kështu, duhet të jemi të palodhur, të shumanshëm, të shkathët dhe besnikë në shërbesën e krishterë. Atëherë edhe ne do të mbjellim në mëngjesin e jetës dhe nuk do të jemi të plogësht në mbrëmje. Jemi thirrur për shërbesë të pandërprerë. 11:7,8 Drita mund t’u referohet ditëve të shndritshme dhe të shkëlqyera të rinisë. Është fantastike të jesh i ri: të jesh i shëndetshëm, i fortë dhe i gjallë. Por, pavarësisht nga vitet e shumta të forta dhe të begata që një njeri mund të shijojë, duhet të ketë parasysh se ditët e territ janë gati për të ardhur. Dhimbjet dhe vuajtjet e moshës së vjetër janë të pashmangshme. Kjo është një kohë e mërzitshme dhe zbrazur e jetës. 11:9 Është e vështirë të kuptojmë nëse vargu 9 është një këshillë e sinqertë apo cinizmi i një plaku të zhgënjyer. Bëj atë që të dëshiron zemra dhe shiko sa të mundësh. Por kujto se një ditë Perëndia do të të thërrasë në gjyq, pra, gjyqin e moshës së thyer, që dukej për Salomonin si shpagimi hyjnor për mëkatet e jetës së hershme. 11:10 Ndërsa je i ri, shto kënaqësinë e zvogëlo trishtimin dhe problemet (dhembja këtu mund të nënkuptojë më fort problemet sesa mëkatin). Rinia dhe mituria janë kotësi, sepse kalojnë shpejt. Në asnjë vend tjetër në letërsi nuk gjejmë një përshkrim të tillë klasik të moshës së thyer sesa në pjesën e parë të kapitullit 12. Domethënia nuk qëndron në sipërfaqe, sepse paraqitet si një alegori. Por shpejt figura shfaq një plak të matufepsur, një muze lëvizës të moçëm, duke tërhequr këmbët zvarrë në mënyrë të pakthyeshme për në varr. 12:1 Figura e pikëlluar e moshës së pleqërisë është një paralajmërim për të rinjtë që të kujtojnë Krijuesin e tyre në ditët e rinisë së tyre. Vini re se Salomoni nuk thotë Zotin, Shpëtimtarin apo Shpenguesin, por Krijuesin e tyre. Kjo ishte mënyra e vetme me anë të së cilës Salomoni mund të njihte Perëndinë nga pika e tij e vëzhgimit nën diell. Por megjithatë, këshilla është e mirë. Të rinjtë duhetkujtojnë Krijuesin e tyre para kohës së perënduar të jetës, kur ditët janë të këqija e mizore dhe vitet janë pa kënaqësi dhe gëzim. Dëshira e çdo të riu duhet të jetë ajo që është shprehur në rreshtat e mëposhtëm: O Zot, në plotësinë e forcës sime, do të jem i fortë për Ty; ndërsa kontrolloj çdo gëzim të dashur, ndaj Teje do të ngre këngën time. Nuk do t’i jap botës zemrën time, dhe pastaj do të rrëfej dashurinë Tënde; nuk do ta ndiej forcën time të më largohet, dhe pastaj shërbimin Tënd do të dëshmoj. Nuk do të kryej porositë e botës me zell të madh; dhe do të ngjitem në kodrën qiellore me këmbë të rënda dhe të ngadalta. Mos qofshin për Ty dëshirat e mia të dobëta, pjesa ime më e ulët! Mos qofshin për Ty zjarret e mia të shuara, hiret e zemrës sime. Më zgjidh në kohën time të artë, në gëzimet e mia më të dashura! Për Ty lavdia e parësisë sime plotësia e zemrës sime [36]. – Thomas H. Gill 12:2 Mosha e thyer është koha kur dritat zbehen, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht. Ditët janë të mërzitshme dhe netët të gjata. Mbizotërojnë errësira dhe depresioni. Edhe në vitet e hershme kishte një farë sasie shiu, pra, problemi dhe zemërlëshimi. Por më pas dielli dilte dhe fryma përtërihej menjëherë. Tashmë duket se ditët me diell kanë shkuar dhe pas çdo here të shiut, retë shfaqen me premtimin për më tepër shi. Rinia është koha për të kujtuar Krijuesin, sepse atëherë dielli, drita, hëna dhe yjet nuk janë të errësuara dhe retë nuk janë kthyer pas shiut. 12:3 Tani trupi i një njeriu të plakur paraqitet me simbolin e një shtëpie. Rojtarët e shtëpisë janë krahët dhe duart, një herë e një kohë të forta dhe vepruese, tashmë të rrudhura, me nyja dhe që dridhen nga sëmundja e Parkinsonit. Njerëzit e fortë janë këmbët dhe kofshët, të cilat nuk janë më të drejta dhe atletike, por të përkulura si harqe, sikur të ishin të shformuara nga pesha e trupit. Ato që bluajnë nuk punojnë më, se kanë mbetur pak, pra, dhëmbët nuk mund të bluajnë, sepse kanë mbetur shumë pak sipër për t’u bashkuar me të poshtmit. Dentisti thotë se ka një mbyllje të papërshtatshme të gojës. Ata që shikojnë nga dritaret errësohen. Sytë kanë rënë shumë. Në fillim kishin nevojë për syze numër dy, pastaj numër tre, pastaj operacion për perdet që zënë. Tashmë mund të lexojnë shkrime me shkronja shumë të mëdha duke përdorur syze zmadhuese. 12:4 Portat mbi rrugë mbyllen. Sigurisht kjo u referohet veshëve. Çdo gjë duhet të përsërisësh edhe një herë, edhe një herë…. Zhurmat e mëdha, si bluajtja e mokrës, janë shumë të ulta dhe të padallueshme. I moshuari vuan nga pagjumësia; ai çohet i kthjellët dhe herët kur zogu i parë fillon të cicërojë, apo të këndojë gjeli. Gjithë bijat e këngës dobësohen; tejzat e zërit janë tepër të dëmtuara. Zëri është çjerrës dhe i paqëndrueshëm dhe as që bëhet fjalë për të kënduar. 12:5 Ata bëhen akrofobë, pra, kanë frikë nga lartësitë, qoftë nga shkallët, pamjet nga ndërtesat e larta apo avionët. Dhe tmerret janë rrugës. Ata kanë humbur vetëbesimin, kanë frikë të dalin jashtë vetëm, apo të dalin natën. Bajamja që lulëzon merret zakonisht si simbol i flokëve të bardhë, në fillim të dendur, më pas bien në tokë. Karkaleci mund të interpretohet në dy mënyra. Së pari, është një peshë, pra, edhe objektet më të lehta janë shumë të rënda për t’u mbajtur nga një plak. Ose karkaleci duke u zvarritur (versioni NASB) karikaturon plakun, të përkulur dhe të shtrembër, duke bërë përpara me lëvizje të pamenduara e të gabuara. Dëshira pakësohet në kuptimin se orekset natyrore zvogëlohen apo reshtin të gjitha. Ushqimi nuk ka më shije apo ëndje dhe energjitë e tjera themelore humbin shpejt. Fuqia seksuale ka ikur. Ky proces gjithnjë e në rënie ndodh sepse njeriu po shkon në banesën e tij të përjetshme të vdekjes dhe varrit, dhe shpejt karvani i tij mortor do të lëvizë në rrugë. 12:6 Kështu këshilla e të mençurit është të kujtojmë Krijuesinpërpara se të këputet kordoni prej argjendi, të thyhet vazoja prej ari, të thyhet shtamba te burimi dhe të bëhet copë-copë çikriku në pus. Është e vështirë t’u japim domethënie të saktë tërë këtyre simboleve. Këputja e kordonit prej argjendi mund t’i referohet këputjes së fillit të butë të jetës kur fryma largohet nga trupi. Poeti i verbër e kishte kuptuar në pamje të parë në këtë mënyrë kur shkroi: Një ditë kordoni prej argjendi do të këputet dhe unë nuk do të këndoj më si tani, por, oh, çfarë gëzimi kur të zgjohem brenda pallatit të Mbretit [37]. – Fanny J. Crosby Vazoja prej ari është kuptuar si zgavra e kokës dhe thyerja e saj është një simbol poetik i reshtjes së mendjes në çastin e vdekjes. Shtamba e thyer dhe çikriku marrë së bashku mund të jenë një referencë e sistemit të qarkullimit me prishjen e presionit sistolik [fuqia e zemrës për të çuar gjak në arterie] dhe diastolik [fuqia për të qarkulluar gjakun brenda barkusheve] të gjakut. 12:7 Tani e ka radhën ngrirja e kufomës. Pastaj trupi fillon të kthehet në pluhur, ndërsa fryma i kthehet Perëndisë që e ka dhënë. Ose kështu i dukej Salomonit. Në rastin e një besimtari, përfundimi i tij është i vërtetë. Por në rastin e një jobesimtari fryma shkon në Hades për të pritur atje Gjykimin e Fronit të Madh e të Bardhë. Më pas fryma do të bashkohet me trupin dhe i tërë personi do të hidhet në liqenin e zjarrit (Zbulesa 20:12-14). 12:8 Dhe kështu Predikuesi e mbyll ciklin e plotë nga ku filloi me dogmën e tij themelore se jeta nën diell është kotësi, e pakuptimtë, e kotë dhe boshe. Refreni i tij patetik na kujton për atë vajzën e vogël që shkoi në panair dhe qëndroi për një kohë të gjatë. Doja që muzika të binte gjithmonë: A qëndrova shumë kohë në panair? Doja që loloja të ishte vazhdimisht i zgjuar: A qëndrova shumë kohë në panair? Bleva kordele blu për të lidhur flokët e mi, por nuk gjeta asnjë për t’u kujdesur për mua. Rrotullamja po fillon të ngadalësohet tani, A qëndrova shumë kohë në panair? Doja të jetoja në një qytet karnavalesh, me të qeshurën dhe dashurinë gjithandej. Doja që miqtë e mi të ishin rrëqethës dhe të zgjuar. Doja dikë që të kujdesej. I gjeta kordelet e mia të shndritshme dhe të reja. Por tani i zbuloj që ato nuk janë kështu. Rrotullamja po fillon të më përqeshë: A qëndrova shumë kohë në panair? Nuk ka asgjë për të fituar dhe askush që të më dojë: A qëndrova shumë kohë në panair? [38]. – Billy Barnes Ndërsa mbërrijmë në referencën e fundit të Salomonit ndaj zbrazëtisë së jetës nën diell, më kujtohet një histori që tregonte shpesh Stenlij Xhonsi (E. Stanley Jones). Në bordin e anijes ai pa një çift madhosh, me fytyrat e tyre të trasha, që jetonin vetëm duke ngrënë. Ata i kishin të gjithë të mirat dhe nuk bënin asgjë. Ata zemëroheshin me kamerierët ngaqë nuk u bënin shërbime të tepruara. Ata dukej se kishin frikë se mos gërryheshin nga uria midis kohës së vakteve. Orekset e tyre fizike ishin gjëja e vetme që i shqetësonte. Kurrë nuk i pashë të lexonin ndonjë libër apo gazetë. Ata uleshin midis vakteve dhe zgurdullonin sytë, duke pritur për vaktin tjetër. Një natë i pashë të ulur duke vështruar të habitur, kur një ide e shkëlqyer kaloi fluturimthi në trurin e topitur të burrit. Ai shkoi tek oxhaku dhe mori vazot, i pa dhe u kthye tek e shoqja, duke i dhënë lajmin: “Janë bosh!”. Shkova shumë afër duke qeshur. Ai kishte të drejtë: “Ato janë bosh!”. Por jo vetëm ato vazo të thjeshta. Shpirtrat dhe mendjet e tyre ishin bosh. Ata kishin shumë në portofolat e tyre, por asgjë në personat e tyre; dhe ky ishte ndëshkimi i tyre. Ata kishin siguri me mërzi, pa aventurë. Ata kishin perimetrat e tyre të trupit tepër të mëdha, por horizonte të shkurtra [39].