Libri 2 (Psalmet 42 – 72)

Psalmi 42: I etur për Perëndinë

Disa njerëz dëgjojnë zërin e Davidit në këtë psalm ndërsa endet në mërgim gjatë rebelimit të birit të tij Absalom.

Të tjerë njohin zërin e Mesias gjatë kohës së refuzimit dhe vuajtjes së Tij.

Të tjerë mendojnë se është ngashërimi vajtues i pjesës së mbetur të judenjve gjatë Periudhës së ardhshme të Mundimit të Madh.

Pastaj janë ata që pëlqejnë t’ua përshtasin besimtarit ndërsa shikon pas ditët e dashurisë së tij të parë dhe dëshiron me zjarr për ripërtëritjen e asaj përbashkësie me Zotin.

Fatmirësisht, nuk është e domosdoshme të veçosh një pikëpamje, meqë të tëra janë zbatime të lejueshme. Kjo është tipike për shumanshmërinë e psalmeve.

42:1 Dëshira jonë e brendshme për përbashkësi me Perëndinë mund të krahasohet me etjen e madhe të sutës ndërsa endet në vendet me pyll, duke i regëtirë pjesët e trupit dhe frymëmarrja e saj përshpejton ndërsa digjet për rrëketë e ujit. Gamaliel Bredfordi (Bradford) e paraqet në këtë mënyrë këtë përshkrim figurativ:

Ambicia ime e pandryshuar

në çdo vend ku kanë shkelur këmbët e mia

është një gjueti e mprehtë dhe e madhe,

një etje e pashuar për Perëndinë.

42:2 Etja jonë është vetëm për Perëndinë, për asnjë tjetër. Dhe është për Perëndinë e gjallë – jo për një idhull të vdekur. Është një dëshirë që do të plotësohet tërësisht nga të shfaqurit vetjak para Zotit dhe privilegji për t’u gëzuar në praninë e Tij.

Më trego fytyrën Tënde,

një rreze të përkohshme dashurie hyjnore,

dhe unë kurrë nuk do të mendoj

apo ëndërroj dashuri tjetër veç Tëndes!

Çdo dritë më e vogël do të errësohet plotësisht,

tërë lavditë më të ulta do të bëhen të zymta,

bukuria e tokës nuk do të duket më e bukur.

Anonim

42:3 Cili mund të përshkruajë hidhërimin e ndarjes nga Zoti? Është si një dietë e vazhdueshme lotësh, një jetë e një mjerimi të palehtësuar. Dhe sikur të mos mjaftonte, ka edhe një trishtim tjetër: përqeshja e armiqve: “Ku është Perëndia yt?”. Kjo është ajo që nënkuptonte Shimei kur i tha Davidit: “Tani je bërë rob i vetë ligësisë sate, sepse je njeri gjakatar” (2 Sam. 16:8). Dhe kjo është ajo që nënkuptonte kryeprifti kur i thanë Mesias së kryqëzuar: “Ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë. . . ” (Mt. 27:43).

42:4 Pastaj kemi kujtimin e ditëve më të mira. Është kujtimi se sa e mrekullueshme ishte të ecësh në përbashkësi të paprishur me Perëndinë, kujtim që e bën mungesën e kësaj përbashkësie kaq të patolerueshme. Knoksi (Knox) në mënyrë të mrekullueshme rrok gjendjen shpirtërore në përkthimin e tij të vargut 4:

Kujtimet më vijnë ndërmend tani, duke u shkrirë në zemër; sa do të doja të shikoja turmën, duke shkuar në shtëpinë e Perëndisë, përmes thirrjeve të gëzimit dhe falënderimit dhe tërë shpërthimet festive.

42:5 Mendimi i një të kaluare të lumtur çon në shqetësim mendor e frymëror dhe vë në veprim një betejë kaotike mes pesimizmit dhe besimit. Shpirti rrëzohet dhe ligështohet, por besimi sfidon tensionin e kësaj gjendjeje barre të mendjes.

Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.

Nëse ky do të ishte thjesht një optimizëm i perëndishëm se “çdo gjë do të rregullohet”, do të ishte një ndjenjë plotësisht e pavlerë. Ajo që e bën këtë shpresë 100% të vlefshme është se mbështetet në premtimin e Fjalës së Perëndisë që populli i Tij do të shohë fytyrën e Tij (Psa. 17:15; Zbulesa 22:4).

42:6 Depresioni përsëritet me cikle. Por besimi i kundërpërgjigjet me pohimin e vendosur se për të do të kujtohet Perëndia nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit dhe nga mali i Mitsarit. Mbase këto tre vende simbolizojnë tri përvoja frymërore; ne nuk e dimë. Ajo që duket e qartë është se ata përfaqësojnë tokën e mërgimit, e zhvendosur më parë nga shtëpia e Perëndisë në Jerusalem. Dhe mendimi duket se është që edhe kur nuk vizitojmë shtëpinë e Perëndisë, mund të kujtojmë akoma Perëndinë e shtëpisë!

42:7 Kur mbërrijmë te vargu i shtatë, instinktet tona frymërore na tregojnë se në një mënyrë shumë të veçantë ne jemi në Kalvar, duke dëgjuar thirrjet e Zotit Jezus për dallgët dhe valët e gjykimit të Perëndisë të rëna mbi Të. Kataraktet e zemërimit hyjnor ranë mbi të me bubullima të zhurmshme ndërsa mori mëkatet tona në trupin e Tij në kryq.

Duke parë atë skenë përfundimtare ankthi:

tërë valët dhe dallgët e zemërimit të Perëndisë ranë

mbi Të, u lanë të dergjen

në Kryq, për të shpëtuar shpirtin tim.

Ç’dashuri e pakrahasueshme! Sa e gjerë! Sa e lirë

Jezusi dha Veten e Tij për mua.

J. J. Hopkins

42:8 Ashtu si Xhorxh Milleri ka thënë: “Provat janë ushqimi i besimit”, kështu që dëgjojmë besimtarin e vendosur të pohojë:

Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë së jetës sime.

Kjo është përgjigjja e pjesës ditë-natë në vargun 3. Atje psalmisti ka thënë: “Lotët e mi janë bërë ushqimi im ditë e natë. . . “. Por tani dita është e mbushur me dashurinë e qëndrueshme dhe nata me këngë dhe lutje. Kështu ditën dhe natën provohet mirësia e Perëndisë.

42:9,10 Përsëri kthehet zemërlëshimi, këtë herë për shkak të shtypjes së pamëshirshme të armikut. Duket sikur Perëndia e ka harruar birin e Tij. Besimtari i dëshpëruar endet si një vajtues. Ai thotë: “Armiku po shpaguan me britma që më shpojnë në zemër” (Gelineau). Nga të gjitha dukjet e jashtme duket sikur Perëndia ka braktisur birin e Tij. Kështu armiqtë e tallin atë vazhdimisht me pyetjen: “Ku është Perëndia yt?”.

42:11 Por besimi thotë gjithmonë fjalën e fundit. Mos e lësho zemrën. Mos u ligështo. Shpreso te Perëndia; ti do të çlirohesh nga armiqtë e tu dhe nga depresioni gjithashtu. Dhe ti do ta kremtosh Atë përsëri si Shpëtimtarin dhe Perëndinë tënd. Ashtu siç ka thënë dikush:

Rrugëzgjidhja – sfido depresionin, ngri sytë lart, shpreso. Jeta e krishterë është syçelja, përpjekja e drejtuar për lart, veprimtari, vrapimi në garë. Nuk është kurrë të kesh sytë përtokë, duart e mbledhura dhe pranimi i mposhtjes.

Psalmi 43: Përhap dritën dhe të vërtetën tënde

Ky psalm është binjak me të mëparshmin. Lidhja është aq e madhe saqë versioni NEB i lidh së bashku sikur të ishin një përbërje e vetme.

43:1,2 Këtu kemi lutjen e vazhdueshme të një të mërguari që dëshiron të adhurojë në Sion, por kundërshtohet nga një komb femohues dhe njeriu i rremë. Kjo mund të paraqesë shtypjen e pjesës besnike të mbetur të judenjve gjatë Mundimit të Madh nga kombi mosbesues i Izraelit dhe Antikrishtit.

Më së pari vjen kërkesa për hakmarrje dhe ndihmë. Psalmisti i kërkon Perëndisë të mbrojë çështjen e popullit të Tij kundër vëllezërve mosbesues dhe njeriu të mëkatit. Është një ndër agonitë e besimit të strehohesh në Perëndinë dhe prapëseprapë Ai të jetë kthyer; është një ndër enigmat e besimit të jesh në anën fitimtare dhe prapëseprapë të vuash nën thembrën e armikut.

43:3 Pastaj vijon një lutje pozitive dhe e veçantë për kthimin në Sion. Bukuria e gjuhës është e pakrahasueshme:

Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde;

këto le të më udhëheqin

dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë

dhe në vendin e banesës sate.

Psalmisti dëshironte një truprojë të përbërë nga drita e pranisë së Perëndisë dhe nga e vërteta e premtimit të Perëndisë. Duke pasur mirësinë dhe mëshirën që e shoqëronin (Psa. 23:6), ai ishte i sigurt për kthimin e gëzuar në malin e shenjtë të Perëndisë.

43:4 Shikoni shkallën rritëse në vargjet 3 e 4:

Në malin tënd të shenjtë

në vendin e banesës sate.

Tek altari i Perëndisë,

te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime.

Adhuruesi i vërtetë nuk kënaqet as me vendndodhjen gjeografike, as me ndërtesën apo altarin. Ai kërkon të shkojë te Vetë Perëndia!

43:5 I ngazëllyer nga fakti që do të dalë para Perëndisë, shkrimtari përsëri ngre zërin me veten ngaqë ka qenë zemërlëshuar dhe i shqetësuar. Ki besim në Perëndinë, nxit ai, dhe Ai do të të çojë me siguri në vendin e dëshiruar.

Rri urtë, shpirti im: e mira jote, Miku yt qiellor

përmes udhëve plot gjemba të çon në një vend të gëzueshëm!

Katerina von Shlegel (Katherina von Schlegel)

Psalmi 44: Delet për në thertore

Dhimbja e të mundurit bëhet më e hidhur nga kujtimi i fitoreve të mëparshme dhe ne kurrë nuk e vlerësojmë aq shumë përbashkësinë tonë me Perëndinë sa kur fytyra e Tij duket se është e fshehur nga ne.

44:1-3 Historia e Izraelit ishte e mbushur plot me çaste magjepsëse të ndërhyrjes së Perëndisë në mbrojtje të tyre. Ai kishte nxjerrë jashtë paganët nga vendi i Kanaanit dhe ia kishte dhënë atë popullit të Tij. Duke mposhtur kanaanitët, Ai vendosi Izraelin në vendin e tyre. Nuk ishte shkak i superioritetit të tyre ushtarak sigurimi i zotërimit prej judenjve të tokës së këndshme, as forcat e tyre nuk i nxorën ata fitimtarë. Kjo ndodhi prej dorës së djathtë të fuqishme të Perëndisë, prej krahut të Tij të gjithëpushtetshëm, prej favorit të Tij të dashur treguar ndaj tyre.

44:4-8 Kujtesa e asaj që Zoti ka bërë frymëzon zemrat tona për ta lavdëruar Atë. Ai është Mbreti i madh dhe Perëndia i madhërishëm që u jep fitore bijve të padenjë të Jakobit të padenjë. Me anë të Tij Izraeli ka qenë i aftë të shtypë aradhen e armiqve të tij dhe të ecë triumfues mbi sulmet e tyre. Ai ka mësuar se harku i betejës nuk duhet besuar si burimi i suksesit, as shpata si një shpëtimtar i mjaftueshëm. Perëndia është Ai që ka çliruar popullin e Tij dhe ka pështjelluar armiqtë e tij! Nuk është për t’u çuditur që populli vazhdonte të mburrej në lidhje me Të, vazhdonte të thoshte se nuk do të reshte së falënderuari!

44:9-12 Por ndërkohë ka ndodhur diçka që e ka ndryshuar këngën e tyre në vajtim. Duket sikur Zoti ka braktisur popullin e Tij dhe ka bërë që të vuajnë çnderimin. Ushtritë përparonin pa praninë e ndihmën e Perëndisë dhe shpejt ata ranë në panik, me armiqtë që plaçkitnin tërë pasuritë e Izraelit. Zoti kishte braktisur delet e Tij në duart e kasapit dhe kishte shpërndarë të mbijetuarit midis kombeve pagane. Gjithçka ndodhi sikur një marrëveshje tregtare sipas të cilës Perëndia shiti popullin e Tij për hiçmosgjë. Dhe armiqtë në pamje të parë përfituan nga kjo, pa parë pasojat.

44:13-16 Izraeli i mjerë u bë objekti tallës i kombeve të tjera, një objekt përqeshjeje dhe gazi. Fjalët e urta dhe epitetet tradicionale të talljes u përdorën për të marrë nëpër gojë këta judenj. Populli i lashtë i Perëndisë u bë qendra e shakave pa kripë midis kombeve. Ata nuk mundën të shpëtonin nga turpi që i kishte zënë. Fytyrat e tyre skuqeshin shpesh nga qortimet dhe talljet e armiqve të tyre, nga vetë pamja e armikut hakmarrës.

44:17 Gjëja enigmatike rreth tërë këtyre humbjeve dhe turpi ishte se nuk rridhte nga ndonjë zemërpërdalje e vetëdijshme nga ana e Izraelit. Herët e tjera në histori ka pasur një lidhje të përcaktuar midis vuajtjes dhe mëkatit. Por në këtë rast të veçantë nuk ishte kështu. Dukej në fakt se halli i popullit vinte nga fakti se ata ishin populli i zgjedhur i Perëndisë. Ishte një rast vuajtjesh për Perëndinë dhe për besëlidhjen e Tij.

44:18,19 Fatkeqësitë i kishin rënë një populli që nuk i kishte kthyer kurrizin Perëndisë së tij apo që kishte dhunuar besëlidhjen e Tij. Ata nuk e kishin lënë dashurinë e tyre për Të apo shtegun që Ai kishte hapur për ta. Megjithatë Zoti i shpërndau ata në vende të braktisura çakejsh dhe duke i mbuluar me hijen e vdekjes.

44:20-22 Po të kishin harruar emrin e Perëndisë së tyre apo të adhuronin idhujt, a nuk do ta dinte Perëndia? Ai njeh mendimet dhe shtysat më të brendshme. Jo, nuk kemi të bëjmë me këtë. Populli po vuante për shkak të lidhjes së tyre me Jehovahun. Ishte për shkakun e Tij që ata po duronin një vdekje të gjallë, të keqpërdorur si kafshë të caktuar për therje.

Shekuj më vonë apostulli Pal e pa veten në të njëjtën situatë dhe citon Psalmin 42:22 për të përshkruar vuajtjet e popullit të Perëndisë në çdo kohë (Rom. 8:36).

44:23-26 Psalmi arrin kulmin e ngutshmërisë së madhe në vargun 23, kur Zotit i kërkohet të zgjohet nga gjumi i Tij i dukshëm dhe të ndërhyjë për popullin e Tij. Ka më tepër nga sa mund të kuptojë psalmisti – se si Perëndia mund të fshehë fytyrën e Tij në moskokëçarje dhe harresë, ndërsa populli i Tij shtrihet në pluhur. Dhe kështu ai i bie borisë përsëri:

Çohu të na ndihmosh

dhe na shpëto për hir të mirësisë sate.

Psalmi 45: Mbreti i mbretërve

45:1 Për psalmistin ishte e thjeshtë të shkruante këtë psalm. Në të vërtetë, zemra e tij po digjej për të shkruar poemën që i kishte kompozuar mbretit. Fjalët dilnin rrjedhshëm nga pena e tij; ai ndiente se ishte i frymëzuar. Gjuha e tij ishte si pena e një shkruesi të shpejtë dhe ne nuk e teprojmë nëse njëjtësojmë shkruesin e shpejtë me Vetë Frymën e Shenjtë.

45:2 Së pari na paraqitet Vetë Mbreti. Bukuria e Tij ia kalon çdo gjëje. Ai është kreu midis dhjetë mijëve, shumë i Dashuri. Buzët e Tij janë plot nur; e folura e Tij është më e ëmbla. Për shkak të shkëlqimit të Tij vetjak Perëndia e ka bekuar në përjetësi.

Më i bukur se tërë raca njerëzore,

i përsosur në hijshmëri je Ti;

të mbushura janë buzët e Tua me hir,

dhe plot me dashuri zemra jote e butë.

Perëndi shumë i bekuar, ne përkulim gjunjët,

dhe tërë plotësia jonë banon në Ty.

Anonim

45:3-5 Dhe më pas gati në mënyrë të menjëhershme drejtohemi nga Ardhja e Dytë e Krishtit, në kohën kur Ai do të kthehet në tokë me pushtet dhe lavdi të madhe. Këtë herë Ai do të vijë si një luftëtar pushtues, jo si zdrukthëtari i përulur i Nazaretit. Me shpatën në brezin e Tij, Trimi do të zbresë në shkëlqim dhe madhështi. Në një shkëlqim verbues ai përparon në triumf për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë. Dora e Tij e djathtë e shpuar nga gozhdët është e aftë për të mbajtur shpatën me fuqi rrënqethëse kundër armiqve të Tij. Shigjetat e Tij gjejnë shënjestrën e tyre në zemrën e armiqve të mbretit; popujt do të bien me radhë para Tij.

45:6,7a Tani tymi i betejës ka kaluar dhe Mbreti është ulur në fronin e lavdisë së Tij në Jerusalem. Zëri i Perëndisë dëgjohet nga qielli duke iu drejtuar Atij si Perëndi dhe duke vërtetuar mbretërimin e Tij si i përjetshmi. Ne e dimë që është zëri i Perëndisë, sepse Hebrenjve 1:8,9 na thotë një gjë të tillë:

Ndërsa për të Birin thotë: “Froni yt, o Perëndi është në shekuj të shekujve; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie. E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të vajosi me vaj gëzimi përmbi shokët e tu”.

Vini re se Perëndia i drejtohet Birit të Tij si Perëndi, një ndër provat më të qarta të hyjnisë së Krishtit në tërë Biblën. Është e vërtetë se disa përkthyes në vargun 6 e përkthejnë në këtë mënyrë këtë fjali: “Froni Yt hyjnor mbetet në jetë të jetëve” në vend të “Froni Yt, o Perëndi, mbetet në jetë të jetëve”. Por kur ata citojnë këtë varg te pjesa e Hebrenjve, bëhet: “Froni Yt, o Perëndi, mbetet në jetë të jetëve”. Kështu që nuk është vetëm e vërtetë që froni i Krishtit është hyjnor, por edhe se Ai Vetë është Perëndi.

Mbretëria e Krishtit zgjat në shekuj të shekujve. Pas këtij mbretërimi njëmijëvjeçar në tokë, mbretëria e Tij tokësore do të shkrihet në “në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (2 Pje. 1:11).

Skeptri mbretëror i Krishtit është një skeptër barazie. Një skeptër është një shkop që simbolizon pushtetin mbretëror. Këtu kuptimi është se Mesia do të sundojë me drejtësi absolute. Dhe mbretëria do të jetë tërësisht e shenjtë, sepse Mbreti do drejtësinë dhe urren mbrapshtësinë.

45:7b,8 Për shkak të drejtësisë dhe ndershmërisë së Tij , Perëndia e ka vajosur Zotin Jezus me vaj gëzimi përmbi tërë sunduesit e tjerë. Vaji i gëzimit i referohet vajit të shenjtë të vajosjes të cilin priftërinjtë e përdornin në detyrën e tyre (Eks. 30:22-25). Meqë Zoti ynë është si Mbret po ashtu edhe Prift, ky është vaji që duhet përdorur. Era e mirrës dhe kasies ishin dy përbërësit kryesorë të vajit dhe aloe ishte një ndër “erëzat kryesore” të përmendur te Kantiku i Kantikëve 4:14. Të tëra këto flasin për aromën e pakrahasueshme të Personit dhe veprës së Zotit tonë. Mirra dhe aloe mund t’i referohen në mënyrë të veçantë vuajtjeve dhe vdekjes të Tij, meqë ato u përdorën për të përgatitur trupin e Tij për varrosje (Gjon. 19:39).

Nga pallatet e fildishta ato e bëjnë Atë të gëzojë. Është simfonia mbretërore që luan festimin botëror se dita e rënkimit dhe e psherëtimës së njeriut ka përfunduar dhe që kohës së artë i ka ardhur agimi më në fund!

45:9 Mbreti nuk është vetëm në ditën e pushtetit të Tij. Bijat e mbretërve të tokës janë midis shërbëtorëve të Tij mbretërorë. Në të djathtën e Tij është mbretëresha, e veshur me gurë të çmuar ari Ofiri. Dhe cila është mbretëresha? Këtu nuk na durohet ta njëjtësojmë atë me kishën, meqë kisha nuk është temë e zbulesës së DhV (Efesianeve 3:5-9; Kol. 1:26). Ne besojmë se mbretëresha është pjesa e mbetur e shpenguar e kombit të Izraelit (Eze. 16:10-14) dhe se shërbëtorët mund të përfaqësojnë kombet pagane të fituara për Krishtin përmes dëshmisë së Izraelit.

45:10,11 Mbretëresha këshillohet nga një zë i panjohur, mbase ai i Frymës së Shenjtë, të harrojë popullin e saj dhe shtëpinë e atit të saj. Kuptimi, sigurisht, është që ajo të shtrëngojë lidhjet e saj me jetën para kthimit dhe t’i përkushtohet plotësisht Mbretit si Zotit të saj. Kjo këshillë pararend fjalët e Shpëtimtarit tonë te Luka 14:26:

Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.

Dashuria jonë për Krishtin duhet të jetë aq e madhe saqë tërë të dashurit e tjerë duhen urryer me anë të krahasimit. Bukuria e dashurisë me tërë zemër është e pëlqyeshme para Tij. Meqë Ai është Zoti, meriton gjithçka që jemi dhe kemi.

45:12 Bija e pasur e Tiros do të vijë te mbretëresha me dhurata. Po, njerëzit më të pasur në botë do të udhëtojnë drejt Jerusalemit me dhuratat më të zgjedhura.

45:13 Pastaj e bija e mbretit shfaqet në pallatin e saj, e veshur me tesha të shkëlqyeshme mbretërore në paraqitjen e saj para mbretit. Një herë e një kohë me punën rraskapitëse të mëkatit, tani shfaqet në dhomën e saj e veshur me stoli të qëndosura me ar.

45:14,15 Dhe tani atë e çojnë te mbreti, veshur me rroba shumëngjyrëshe dhe shoqëruar nga një shpurë shoqëruesesh të virgjëra. Ka një gëzim të madh ndërsa ato ecin, duke hyrë në pallatin e Vetë Mbretit.

Cili mund ta shprehë atë gëzim, gëzimin e Atit, të Birit, të Frymës së Shenjtë dhe të engjëjve të shenjtë, duke mos përmendur gëzimin e engjëjve ndërsa hyjnë në gëzimin e Zotit të tyre? Hijshmëri e hijshmërive, bukuri e bukurive, hirplotësi e tërë hireve, magjepsje e tërë magjepsjeve, tërheqëse e tërë tërheqjeve, sipas ngjashmërisë së Birit të Perëndisë (burim i panjohur).

45:16,17 Në dy vargjet e fundit Perëndia Atë po i flet Krishtit, Mbretit. Ai i premton bij që do të jenë pasardhësit e denjë të patriarkëve, që do të “shijojnë një botë midis tyre për ta sunduar” (Knox).

Për sa i përket Vetë Mbretit, emri i Tij do të lavdërohet për të gjitha brezat. Kurrë nuk do të vijë koha kur popujt do të reshtin së adhuruari Atë.

Psalmi 46: Perëndia me ne

Gjatë Luftës së Parë Botërore në një bashkësi ishullore në rrafshnaltat e Skocisë, të rinjtë po thirreshin ushtarë në numër gjithnjë e më të madh. Gjithmonë sa herë që kontigjentet e tyre mblidheshin te skela për të lundruar në sterë, kushërinjtë dhe miqtë e tyre mblidheshin atje dhe këndonin:

Perëndia është streha dhe forca jonë,

në shtrëngime është një ndihmë gjithnjë e gatshme.

Prandaj, edhe sikur toka të luajë,

ne nuk do të kemi frikë,

edhe sikur malet të hidhen në mes të detit,

edhe ujërat të tërbohen

dhe të shkumojnë; po, dhe sikur malet të dridhen në fryerjen e tij.

Është një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim

qytetin e Perëndisë;

vendin e shenjtë

ku banon shumë i Larti.

Perëndia është në mes të tij,

ai nuk do të luajë nga vendi;

Perëndia do ta ndihmojë

në dritat e para të mëngjesit.

Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi;

do të ngrihem lart midis kombeve pagane,

do të ngrihem lart mbi tokë.

Perëndia ynë, i cili është Zoti i ushtrive

është në anën tonë:

Perëndia i Jakobit, streha jonë

do të jetë përgjithmonë.

Nga Psalmi në skocisht.

Kjo skenë është një ndër mijërat ku duket se shenjtorët e Perëndisë janë ngushëlluar nga ky psalm në kohë krizash të rënda. Askush nuk mund të njohë zemrat që janë ngritur ndërsa këto rreshta madhështore janë lexuar në dhomat e të sëmurëve, në shtëpinë ku ka pasur zi, burgun e përndjekjes dhe në dhomën e ngushtë të vuajtjes dhe të tragjedisë. Ishte ky psalm që shtyu murgun e mëparshëm të sprovuar dhe të shqetësuar Augustinian të quajtur Martin Luter për të shkruar himnin e tij të famshëm të Reformës: “Një kështjellë e madhe është Perëndia ynë”. Mesazhi i tij vlen për çdo kohë dhe nxitja e tij është e pareshtur.

Psalmi ka tri pjesë të dallueshme, që Kampbell Morgën (G. Campbell Morgan) i ka titulluar si vijon:

v1-3: Nuk ka asgjë për t’iu frikësuar. Perëndia është me ne. Sfida e besimit.

v4-7: Zoti i kurorëzuar në Jerusalem. E fshehta e besimit.

v8-11: Paqja në tokë dhe sundimi mbarëbotëror. Hakmarrja e besimit.

Është mësuar përgjithësisht se sfondi historik i psalmit është një çlirim i mrekullueshëm i Jerusalemit kur u rrethua nga ujku asir, Senasheribi (2 i Mbreterve 18:13-19:35; Is. 36:1-37:36). Në këtë kohë populli i Judës ishte tejet i vetëdijshëm për praninë e Perëndisë me ta në një mënyrë të përveçme. Dhe kështu psalmi kremton lavdërimet e Tij që është Emanueli – Perëndia me ne.

46:1-3 Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi. Ai është gjithashtu “plotësisht i gatshëm për të dhënë ndihmë në vende të vështira” (NASB). Jemi të bekuar kur kuptojmë se siguria dhe mbrojtja jonë qëndron jo në pasuritë apo në ushtritë, por vetëm në Jehovahun!

Përfytyroni gjënë më të keqe që mund të ndodhë! Hamendësoni sikur toka të shkrijë e përfshirë nga një vullkan gjigant. Hamendësoni sikur një tërmet të bëjë që malet të hidhen në mes të detit. Hamendësoni sikur një përmbytje uji të tërbohet dhe të përmbytë tokën, apo që malet të lëkunden me lëvizje të egra të natyrës.

Ose mendoni malet, si simbolet e perandorive apo qyteteve, dhe ujërat e kombeve. Vetë themelet e shoqërisë po tronditen; mbretëritë po përmbysen dhe po marrin tatëpjetën. Kombet e botës po zien nga pështjellimet politike, ekonomike e shoqërore dhe problemet e një shkalle të paparë ndonjëherë po pushtojnë botën.

Por Perëndia …! Më e keqja që mund të ndodhë nuk ia vlen të kihet fare frikë. Vetë Perëndia është akoma me ne.

46:4 Vetë Ai është një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë. Tani për tani qyteti i Jerusalemit nuk ka lumë. Por gjithçka që përfshin një lumë për një qytet të zakonshëm është Perëndia për banesën e Tij të shenjtë – dhe më tepër se kaq, sepse Ai është burimi i jetës dhe i freskisë, lumi i mëshirës dhe i mirësisë!

Por aty Zoti në madhështinë e tij do të jetë për ne një vend lumenjsh dhe rrjedhash të gjera uji, ku nuk arrin asnjë anije me lopata dhe nuk kalon asnjë anije e fuqishme (Is. 33:21).

46:5 Meqë Perëndia është kurorëzuar në Jerusalem ai nuk do të luajë nga vendi. Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit. Ka qenë një natë e gjatë e errët për popullin e Perëndisë, por shumë shpejt mëngjesi do të agojë dhe Krishti do të marrë vendin e Tij, vend që i takon me të drejtë, duke u shfaqur i fortë në përkrahje të të Tijve.

46:6 Kombet e tokës mund të zien nga tërbimi; mbretëritë mund të lëkunden. Kur Perëndia do të flasë në zemërimin e Tij, toka do të shkrihet në nënshtrim ndaj Tij.

46:7 Këto fjalë paraqesin në një mënyrë të veçantë Mundimin e Madh kur toka do të pushtohet nga çrregullime të dhunshme të natyrës, me ndryshime rrënjësore politike, me luftra e murtaja dhe me shqetësime të pakonceptueshme. Pastaj Zoti do të shfaqet nga qielli për të shtypur tërë të pabindurit e rebelët dhe do të mbretërojë me drejtësi dhe paqe. Në atë kohë pjesa e mbetur besimtare e kombit të Izraelit do të thotë: “Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë”.

Siguria e këtij vargu është tejet e ëmbël. Zoti i ushtrive është me ne, pra, Zoti i ushtrive engjëllore të qiellit. Por Ai është gjithashtu Perëndia i Jakobit. Jakob do të thotë “mashtrim” apo “zëvendësues”. Megjithatë Perëndia e quan Veten Perëndia i Jakobit. I bashkoni këto dy mendime dhe do të nxirrni se Perëndia i ushtrive qiellore është gjithashtu edhe Perëndia i mëkatarit të padenjë. Ai që është pafundësisht i lartë është gjithashtu shumë afër. Ai është me ne në çdo hap të rrugës sonë. Ai është streha jonë e pathyeshme në tërë stuhitë e jetës.

46:8 Në kohën kur mbërrijmë në vargun 8 turbullirat dhe kataklizmat kanë mbaruar. Dita e njeriut ka mbaruar. Tashmë Mbreti është ulur në fronin e Tij në Jerusalem. Ne jemi ftuar të dalim dhe të shqyrtojmë fushën e fitores së Tij. Ngado vështrojmë rrënojat e armiqve të Tij të shpartalluar. Gjithandej shfaqet prova e gjykimeve të tmerrshme që kanë rënë mbi botën gjatë Mundimit të Madh dhe të dukurit të Tij të lavdishëm.

46:9 Por tani që Princi i princërve është kurorëzuar, luftërat kanë pushuar në tërë botën. Atë që këshillet, organizatat dhe mbledhjet nuk kanë qenë të afta ta arrijnë, Zoti Jezus do ta sjellë me anë të shkopit të Tij të hekurt. Çarmatimi nuk është më një problem për t’u diskutuar. Armëmbajtja nuk është më temë dite dhe paratë e harxhuara në armatime i kanë kaluar agro-kulturës dhe mjeteve të tjera prodhuese.

46:10 Zëri i Perëndisë u drejtohet tërë banorëve të tokës me theks sigurie dhe epërsie. “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë”. Çdo frikë është ndalur, çdo ankth është qetësuar. Populli i Tij mund të çlodhet. Ai është Perëndia. Çështja e Tij është fitimtare. Ai është më i larti midis kombeve, më i larti në tërë tokën.

Nga vargu 10 Katerina von Shlegel (Katharina von Schlegel), autorja e himnit “Ndalu, shpirti im”, mori frymëzim.

Ndalu, shpirti im; Perëndia yt do të zotohet për të të drejtuar në të ardhmen, ashtu si në të shkuarën.

Shpresa jote, besimi yt le të mos tronditen. Gjithçka që është e mistershme tani në fund do të ndriçojë.

Ndalu, o shpirti im: erërat dhe valët akoma e njohin zërin e Tij që i drejtonte ato ndërsa Ai jetonte poshtë.

46:11 Pavarësisht nga ajo që mund të ndodhë apo se sa të errëta mund të jenë çastet, besimtari mund të thotë akoma me besim dhe pa frikë: “Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë”. Nëse Ai që drejton ushtritë e qiellit është në anën tonë, kush mund të dalë fitimtar mbi ne? Perëndia i Jakobit të padenjë është një kështjellë në të cilën ne mund të gjejmë strehë nga stuhitë e kësaj jete të pasigurt!

Ndalu, mëngjesi po vjen,

nata do të mbarojë.

Beso në Krishtin, Dritën tënde,

në Mikun tënd besnik.

Dhe dije se Ai është Perëndia,

vullneti i përsosur i të cilit

vepron për të mirën tënde.

Ngri sytë lart – Ndalu!

Florenc Uills (Florence Wills)

Psalmi 47: Viti i Ri i gëzuar

Jerusalemi: Viti i Ri i parë i Epokës së Artë të Mesias u përshëndet në perëndimin e diellit nga një koncert i shenjtë në Sallën e madhe Kombëtare. Pjesë qendrore në program ishin shenjtorët festues të Psalmit 47, që fitoi domethënie të reja duke pasur parasysh zhvillimet më të fundit ndërkombëtare.

47:1-4 Ndërsa psalmi hapet, dëgjuesit kuptojnë se kombet pagane që mbijetuan gjatë Mundimit të Madh të globit u thirrën të duartrokasin dhe të kremtojnë Perëndinë me këngë gëzimi. Në një shfaqje të papritur emocionesh, vetë kori duartrokiste në mënyrë ritmike sikur të çanin përpara. Kur këngëtarët arritën te fjalët: “Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm”, populli vetvetiu u ngrit në këmbë. Ata kujtuan kurorëzimin më të fundit të Zotit Jezu Krisht kur u shpall haptas “një mbret i madh mbi gjithë dheun”. Mirënjohja drejtohej për lart dhe njerëzit kujtonin se si i vuri Ai “kombet pagane” nën këmbët tona, ato kombe që kishin qenë armiqësore në mënyrë të pamëshirshme ndaj Izraelit gjatë kohës sonë të problemeve. Dallgëzimet e duartrokitjeve u shtrinë te të tërë dëgjuesit ndërsa kori këndonte:

Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë,

lavdinë e Jakobit që ai e do (Sela).

47:5 Mesia që kishte ardhur këtu si njeri lufte për të vënë poshtë këmbëve armiqtë e Tij tashmë përshëndet i ngritur në fronin e Tij në Jerusalem në mes të britmave të gëzueshme të popullit të Tij dhe borive që shpallin fitoren e Tij të mrekullueshme.

47:6,7 Ishte një çast prekës kur kori i bën thirrje Izraelit t’i këndojë lavde Perëndisë, t’i këndojë lavde mbretit tonë. Nuk kishte më ngurrim për të pranuar se Mbreti Jezus është Perëndi dhe se duart që u tejshpuan në Kalvar tani mbajnë mbretërimin e qeverisjes universale! Secili ndihej i aftë t’i këndonte Atij me një psalm me mjeshtëri – plot me kuptim dhe soditje.

47:8 Në mënyrë të menjëhershme kori thekson hyjninë e Mesias Mbret. Ai është Person që tashmë mbretëron mbi kombet, froni i të cilit është vendosur në shenjtëri.

47:9 Mbase një ngjyrim perceptimi është ndier nga disa ndërsa këndoheshin fjalët.

Princat e popujve. . . janë mbledhur bashkë. . .

Shumë shpesh në të shkuarën princat mblidheshin për ta hedhur Izraelin në det. Por ndërsa kori vazhdonte, bëhej e qartë se ata tashmë ishin mbledhur si populli i Perëndisë së Abrahamit. Ata po bashkoheshin me izraelitët duke nderuar Mbretin e mbretërve dhe Zotin e zotërve.

Jo çdokush mund të ketë kuptuar se mburojat e tokës nënkuptonin sunduesit, që ishin caktuar si mbrojtës të popullit. Tashmë ata i përkasin Perëndisë; Atë e lëvdojnë përmbi pushtetet e tokës.

Në mbyllje të koncertit kritikët bien dakort se nuk ka pasur kurrë një Rosh Hashanah (viti i ri sipas kalendarit hebre) të tillë domethënës në tërë historinë e kombit!

Psalmi 48: Çfarë panë ata?

Një pushtues i huaj i ishte afruar portave të Jerusalemit. Brenda njerëzit po prisnin agonitë e një rrethimi të gjatë. Nga këndvështrimi njerëzor e ardhmja ishte e zymtë. Pastaj Zoti kreu një mrekulli. Armiku pa diçka që i futi në panik të madh. Ata u kthyen të tmerruar. Jerusalemi nuk u shkatërrua dhe një valë e madhe lavdërimi iu drejtua Perëndisë. Psalmi 48 paraqet një pjesë të ekstazës së asaj dite.

48:1,2 Zoti është tejet i madh. Ai është i madh në fuqi, në njohje, lavdi dhe hir. Dashuria, mëshira dhe dhembshuria e Tij është e madhe. Ai është i madh në dituri dhe njohje. Gjykimet e Tij janë të pakapshme dhe udhët e Tij të panjohura.

Ngaqë Perëndia është kaq i madh, Ai meriton të lëvdohet në kulm. Ai është i denjë të lëvdohet si Krijuesi, Mbajtësi, Profeti, Kryeprifti i madh, Mbreti i tërë mbretërve, Shpenguesi dhe Çliruesi i madh i popullit të Tij. Këtu në Psalmin 48 në mënyrë të veçantë paraqitet madhështia e Tij si Shpëtimtar dhe Mbrojtës i qytetit dhe i popullit të Tij.

Populli flet për Perëndinë dhe qytetin e Perëndisë në të njëjtën masë. Ata e lidhin qytetin me Perëndinë që banon atje në altarin më të brendshëm të tempullit. Për ta Jerusalemi është qyteti më i bukur në botë, i vendndodhur në majën e malit të Tij të shenjtë. Si një margaritar në një kurorë të pashme, është i bukur për nga lartësia e tij – guri i çmuar i gjithë dheut.

Ndonjëherë i njohur si mali i Sionit (si një ndër pikat më të larta të qytetit) Jerusalemi përshkruhet të jetë “në veri” apo “nga ana e veriut”. Si Knoksi (Knox) dhe Gelineu (Gelineau) e përkthejnë këtë fjali si “shtyllën e vërtetë të tokës”. Jerusalemi është me të vërtetë i tillë në sytë e popullit të lashtë të Perëndisë; ai është qendra e tërheqjes magnetike, vendi drejt të cilit ata kthehen si kryeqyteti fetar, politik dhe kulturor i botës. Dhe është qyteti i Mbretit të madh, kryeqyteti i ardhshëm i Zotit Jezus Krisht kur Ai do të kthehet në tokë për të mbretëruar si Mbret i mbretërve.

48:3 Brenda mureve të tij Perëndia ka siguruar një Mbrojtës të besueshëm. Gjithsecili e di se si e ka shpëtuar Ai në mënyrë të mrekullueshme qytetin kur shkatërrimi i tij dukej i shpejtë. Ja se çfarë ndodhi:

48:4 Forcat armike kishin mbledhur trupat e tyre jashtë qytetit. Në hordhi të mëdha ata zunë pozicione sulmi. Ushtarakisht qyteti kishte pak shpresë për t’i qëndruar kundër një përqendrimi të tillë force të armatosur.

48:5 Pastaj sulmuesit panë diçka që i trembi. Çfarë panë ata?

A ishte qyteti i Jerusalemit, ashtu si tregohet në tekst? Duket e pamundur që thjesht pamja e një qyteti të tillë të vogël t’u ketë shkaktuar panik burrave profesionalistë ushtarakisht.

Mund të ketë qenë që perdja midis tyre dhe botës së padukshme të ketë rënë dhe ata të kenë parë një ushtri engjëjsh gati për të mbrojtur qytetin. Apo ishte mali i mbushur me kuaj dhe qerre zjarri (shikoni 2 i Mbreterve 6:17)? Apo panë engjëllin e Zotit – Zotin Jezu Krisht në një ndër shfaqjet e Tij para mishërimit (shikoni Isaia 37:36)?

48:6,7 Sinqerisht nuk e dimë. Por, çfarëdo të ketë qenë, ishte një shfaqje e një natyre të tmerrshme, saqë luftëtarët zemërhekur humbën guximin e tyre. Pamja i zhyti ata në panik. Një rrëmujë e madhe pushtoi fushimin. Ata u tërhoqën me nxitim, duke u dridhur ndërsa shkonin. Ankthi i tyre krahasohej me të prerat e lindjes së gruas. Kaosi dhe rrëmuja midis pushtuesve armiq ishte si lëkundja e një anijeje në det të tërbuar nga një uragan.

48:8 Njerëzit brenda qytetit kanë fluturuar nga gëzimi. Ajo që dukej një shkatërrim i pritshëm për ta ishte kthyer në një mrekulli fitoreje. Ata gjithmonë kishin dëgjuar në të shkuarën se Perëndia ishte Themeluesi dhe Mbrojtësi i Jerusalemit; tashmë ata e panë me sytë e tyre. “Ne kemi vërtetuar atë që na ishte thënë më parë – që Perëndia e mbron përgjithmonë qytetin” (Knox).

48:9-11 Kështu ata ngrejnë zemrat e tyre në lavdërim ndaj Perëndisë. Ata kanë pasur arsye të bollshme për të menduar thellë mbi mirësinë e Zotit ndërsa ngjiteshin në tempull me ofertat e tyre të falënderimit. Ata mendojnë se sa herë që bëhet i njohur emri i Perëndisë në tokë, Ai lëvdohet; ai Person, dora e djathtë e të cilit është e mbushur me fitore të drejta. Ata i drejtohen Jerusalemit për të kremtuar dhe në qytetet më të vogla të Judës të ngazëllojnë.

48:12-14 Tani ata po i bien vërdallë qytetit në një lloj udhëtimi pas fitores. Ata nxisin njëri-tjetrin të llogarisin numrin e kullave (çdonjëra prej tyre ndodhet në vendin e vet), të këqyrin fortesat (të gjitha janë të paprekura) dhe të ecin nëpër pallatet e boshatisura (të padëmtuara ashtu siç ishin para se të vinte armiku). Do të jetë një histori e mrekullueshme për t’ua treguar fëmijëve dhe nipërve – se si Perëndia i kishte ruajtur në mënyrë të mbinatyrshme nga dëmtimi më i vogël! Ata do t’i mësojnë brezit të ri se Perëndia që bëri këtë është “Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje”.

Dikush ka hedhur mjaft mirë idenë se vargu 14 duhet të përkthehet kështu:

Ky Perëndi është Perëndia ynë nga përjetësia në përjetësi. Ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje, në vdekje dhe përtej vdekjes.

Psalmi 49: Të pabesët dhe pasuria e tyre

Një ndër gangrenat e jetës është se si të pabesët shumë shpesh gëzojnë begati materiale ndërsa besimtarët janë të varfër dhe pa gjë. Por nuk është kjo e tërë historia. Pasuria në të cilën besojnë të pabesët aq me përkushtim nuk do t’u shërbejë në çastet e nevojës së tyre të madhe. Ajo nuk mund t’i shpëtojë nga vdekja. Ata nuk mund ta shijojnë përjetë, apo nuk mund ta parandalojnë prishjen në varr. Ata as nuk mund ta marrin atë me vete e as nuk mund të kthehen për ta shijuar. Për kohën e ardhme është marrëzi të besosh në paranë më tepër sesa në Zotin! Ky është thelbi i Psalmit 49.

49:1-4 Mesazhi është për gjithë popujt dhe individët, për të vegjël dhe të mëdhenj, të pasur dhe të varfër tok. Ky është një mesazh me një dituri të zgjedhur që del nga zemra që është plot me mençuri. Bijtë e Koreut kthejnë vëmendjen e tyre për të zhbiruar në këtë pabarazi të zakontë të jetës, pastaj, kur sjellin një përgjigje, ata këndojnë me shoqërimin e harpës.

49:5-9 Me të vërtetë, nuk ka arsye që njerëzit e Perëndisë të shqetësohen në ato ditë të errëta kur shtypësit u rrinë mbi kurriz, kur përndjekësit i rrethojnë me përbetimet e tyre të padrejta. Armiqtë e tyre besojnë në arin e tyre dhe në fuqinë që jep ai; ata mburren se sa të begatë janë. Por – dhe kjo është një POR e madhe – të gjitha paratë e tyre nuk mund të shpëtojnë vëllanë e tyre nga vdekja (KJV) apo edhe vetë ata. Shpengimi i jetës së njeriut është tmerrësisht i shtrenjtë; përpjekjet për të larguar ditën e vdekjes me anë të marrëveshjeve financiare duhet të lihen përjetë. Askush nuk ka mjetet për të blerë jetë të pafundme në tokë apo t’i shpëtojë varrit.

Vizat lidhëse para dhe pas vargut 8 tregojnë se është një parantezë. Duke i bashkuar vargjet 7 e 9 kemi:

Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t’i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij. . . për të bërë që ai të jetojë përjetë dhe të mos shohë gropën.

49:10 Herët apo vonë edhe njerëzit e urtë vdesin. Në të njëjtën mënyrë edhe njerëzit e pasur, të pamend, mendjeshkurtër e të begatë vdesin, duke ua lënë të tjerëve pasuritë e tyre. Vini re se nuk thotë se njerëzit e urtë ua lënë pasurinë e tyre njerëzve të tjerë. Ka më tepër gjasa që amaneti dhe testamenti i tij të shkruajë:

Duke qenë plotësisht i aftë mendërisht, i vura paratë e mia për veprën e Zotit ndërsa isha akoma gjallë.

49:11,12 Është një fakt i çuditshëm i jetës që njerëzit që janë mjaft të zgjuar për të bërë pasuri në këtë botë nuk duket se kuptojnë se janë të vdekshëm. Mendimet e tyre të brendshme u thonë se shtëpitë e tyre do të qëndrojnë përgjithnjë, se do të jetojnë këtu përfundimisht. Ata u vënë emrin e tyre pasurive të patundshme, rrugëve dhe qyteteve. Por e vërteta e pashmangshme është se njeriu me tërë pasurinë e tij nuk e ka të gjatë. Në këtë kuptim ai është njëlloj si kafshët. Nga ana tjetër, sigurisht, njeriu është krejt ndryshe nga kafshët. Për shembull, edhe pse trupi i njeriut shkon në varr, fryma dhe shpirti i tij nuk humbasin. Dhe trupi i tij do të ngjallet prej varrit, qoftë për gjykim të përjetshëm, qoftë për bekim të përjetshëm. Njeriu ka në vetvete qenësi të përjetshme, ndërsa kafsha jo.

49:13,14 Kjo është e ardhmja e njerëzve që besojnë marrëzisht më tepër në pasurinë e tyre sesa në Perëndinë – ata jetojnë marrëzisht ashtu sikur nuk do të vdesin kurrë. Por ata do të vdesin patjetër dhe kur të ndodhë një gjë e tillë, kushërinjtë dhe miqtë e tyre do t’i përmendin për diturinë e tyre të thellë. Të caktuar në mënyrë të pashmangshme për të qenë pa trup, ata janë si dele që drejtohen pa mëshirë nga bariu i vdekjes në drejtim të Sheolit. “Në mëngjes njerëzit e drejtë do të sundojnë mbi ta”; që do të thotë, do të ndërrohet pllaka, ashtu si me të pasurin dhe Llazarin. Kujtoni që Abrahami i tha të pasurit:

O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan (Lluk. 16:25).

Tërë begatitë dhe luksi i të pasurit do të zhduken dhe ai nuk do të shkojë në vend tjetër veç Sheolit – e kundërta me shtëpinë që shijoi në tokë!

49:15 Këtu kemi një ndër vështrimet kalimthi rreth ringjalljes gjendur në DhV. Përgjithësisht, shkrimtarët e DhV zbulojnë pa ditur gjëra që i përkasin vdekjes dhe përtej saj. Por këtu psalmisti shpreh besimin se Perëndia do ta shpengojë shpirtin e tij nga pushteti i Sheolit, pra, Perëndia do të çlirojë shpirtin e tij nga çasti kur do të shkëputet nga trupi dhe do ta bashkojë atë me trupin e ringjallur. Kur ai thotë: “sepse ai do të më pranojë” përdor të njëjtën fjalë që përdoret në lidhje me rrëmbimin që i bëri Perëndia Enokut dhe Elias.

49:16-19 Kështu nuk është e nevojshme që një besimtar të shqetësohet kur i pabesi pasurohet dhe shtëpia e tij nderohet gjithnjë e më tepër dhe prish pa kursim. Kjo tokë është “qielli” i vetëm që do të shijojë! Kur do të vdesë, nuk do të marrë pasuri me vete. Duarbosh do të shkojë në varr, pa pasur asnjë shkëlqim nga pas. Për aq kohë sa jeton mendon se nuk do të shqetësohet lumturia e tij dhe njerëzit e duartrokasin për pasurimin e shtëpisë së tij. Por herët a vonë ai do të vdesë si etërit e tij dhe do t’i kalojë netët e errëta të tyre me ta.

49:20 Nuk ka asnjë mënyrë që njeriu të mbajë begatinë dhe pasurinë tokësore. Vdekja është aq e pashmangshme për të sa edhe kafshët që zhduken.

Sigurisht, dikush mund të kundërshtojë se i drejti vdes po ashtu si edhe i pabesi. Kjo është e vërtetë. Ne të gjithë do të vdesim nëse Zoti nuk vjen ndërkohë. Por çështja e psalmit është se i pabesi lë tërë pasuritë e tij tokësore pas, ndërsa të drejtin e pret shpërblimi i përjetshëm i pasurisë së pafund.

Një vëzhgim i fundit. Zakonisht në Shkrim një i pasur është sinonim i njeriut të pabesë. Kjo duhet të na kthjelltësojë. Ndërsa Bibla nuk thotë se është mëkat të jesh i pasur, ajo dënon besimin në pasurinë në vend që të besosh në Perëndinë (dhe është e vështirë të kesh pasuri pa besuar në to!). Bibla dënon dashurinë për para. Ajo dënon mbledhjen e pasurisë me anë të shtypjes dhe pandershmërisë. Dhe ajo dënon vënien e pasurisë në moskokëçarje të pashpirt për nevojat e një bote të humbur dhe që vuan.

Psalmi 50: Gjykimi i ardhshëm i Perëndisë

Skena e këtij psalmi është një gjykatë me Vetë Perëndinë Gjykatës, Izraelin mbrojtës dhe qiellin dhe tokën dëshmitarë.

Por nuk duhet ta mendojmë këtë skenë gjykate si një gjyq të zymtë që ka ndodhur kohë më parë në historinë e Izraelit; ky është vlerësimi i vazhdueshëm i Perëndisë ndaj shenjtorëve të Tij në tërë botën.

Seanca gjyqësore (50:1-6).

50:1 Më së pari Gjykatësi dëgjohet ndërsa thërret në mbledhje tërë popullin në tërë tokën [36] e Izraelit – nga lindja në perëndim – për të qëndruar para gjykatës së Tij. Ajo që i jep pushtet zërit të Gjykatësit është fakti se Ai është Perëndia i plotfuqishëm, Zoti.

50:2,3 Pastaj Gjykatësi shihet ndërsa largohet nga dhoma e Tij në tempull për në malin Sion, në formën e një reje vezulluese e shkëlqyese – Shenikahu. Ai nuk do të rrijë në heshtje për mëkatin e popullit të Tij. Ai zbret ashtu siç bëri në malin Sinai, me sasi të madhe zjarri para dhe një stuhi të madhe me bubullima e vetëtima rreth Tij. Por këtë herë Ai nuk vjen për të bërë të ditur ligjin, por për të interpretuar domethënien e tij të brendshme dhe frymërore.

50:4,5 Ndërsa ulet në fronin e gjykimit Ai thërret në gjyq qiejt dhe tokën për të qëndruar në vendin e dëshmitarit. Pastaj urdhëron shërbëtorët e Tij të sjellin mbrojtësit. Së pari Ai do të gjykojë shenjtorët e kombit të Izraelit, të cilët i përshkruan si ata që kanë lidhur një besëlidhje me me anë të flijimit (kjo i referohet besëlidhjes së ligjit, bërë në malin Horeb dhe pastruar nga gjaku i flijimeve – Eks. 24:3-8). Gjyqi i besnikëve të Tij gjendet në vargjet 7-15. Më vonë do të ketë një seancë të veçantë për të pabesët (v. 16-19).

50:6 Qiejt janë thirrur për të dëshmuar për drejtësinë e gjykimeve të Perëndisë. Fakti që vetë Perëndia është gjykatësi do të thotë se Ai ka njohje të përsosur të të gjitha fakteve, që Ai është plotësisht i paanshëm dhe që tërë vendimet e Tij janë të mençura dhe të barabarta.

Mëkati i ritualizmit (50:7-16).

50:7 Perëndia tani zë vendin e prokurorit, duke dëshmuar kundër popullit të Tij, Izraelit. Në çështjet njerëzore do të ishte e pamendueshme që një gjykatës të luajë edhe rolin e prokurorit, por në këtë rast është me vend, sepse Gjykatësi nuk është tjetër veç Perëndisë Shumë të Lartë.

50:8 Perëndia e bën të qartë që në fillim se Izraeli nuk fajësohet ngaqë i ka çuar flijime Atij. Ata kishin qenë besnikë në çuarjen e olokausteve të tyre. Por problemi ishte se ata mendonin se këto rite hiqnin plotësisht përgjegjësitë nga detyrimet e tyre ndaj Jehovahut. Ata ishin si vajzat që sillen me nënat e tyre në mënyrë të shkujdesur gjatë vitit, pastaj i mbysin me çokollata kur kanë ditëlindjen! Ose si djemtë që kurrë nuk i falënderojnë etërit e tyre për gjithçka që bëjnë për ta, pastaj i blejnë një kravatë për Vitin e Ri!

Kështu Jehovahu proteston se ndërsa ata mbushnin altarin e Tij me kafshë të flijimit, ata ishin sjellë me Të me moskokëçarje të ftohtë. Për sa u përket hollësive teknike të ofertave, populli i Tij kishte qenë i përpiktë. Por kur bëhej fjala për një marrëdhënie të ngrohtë e vetjake me Vetë Zotin, atyre u mungonte së tepërmi kjo gjë. Mejeri (F. B. Meyer) shkruan:

Psalmi është një qortim i ashpër i hipokritit që kënaq veten duke pasur një bindje të thjeshtë të jashtme ndaj riteve të shtëpisë së Perëndisë, por i mungon dashuria dhe nderi i zemrës së tij [37].

50:9 Kjo është arsyeja se pse Perëndia thotë se nuk do të marrë asnjë dem nga shtëpia e tyre dhe asnjë cjap nga vathët e tyre. Ai nuk është një ritualist, që kënaqet me ceremonitë fetare. Duke vendosur sistemin e flijimeve, Perëndia nuk kishte kurrë si qëllim që veprimi i drejtë i jashtëm të shërbente si një mbulesë për qëndrimet e gabuara të brendshme.

50:10-13 Nëse do të ndalej për të menduar, populli i Perëndisë do të kuptonte se Perëndisë i përkasin tërë krijesat në botë – tërë kafshët e pyllit. . . bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.. tërë zogjtë e qiellit dhe çdo gjë që gjëllin në fushat. Ata shumë shpejt do ta kuptojnë se Perëndia nuk ka nevojë as për gjënë më të vogël nga njerëzit. Ai nuk vuan nga uria; nëse po, nuk do t’i duhej të na kërkonte ne diçka, sepse Ai ka një qilar të mbushur plot! As nuk merr ushqimin apo kënaqësinë nga mishi i demit apo gjaku i cjapit. Në këtë kuptim, Perëndia është plotësisht i vetëmjaftueshëm.

50:14,15 Çfarë, pra, kërkon Perëndia nga populli i Tij? Tri gjëra:

Falënderim. Asnjë dhuratë nuk mund të zërë vendin e një mirënjohjeje të thjeshtë. Shumë shpesh jemi si familja që e trajtonte nënën e saj të denjë për mbretëreshë si kukull, pastaj pas vdekjes së saj përpiqeshin të shlyenin falënderimin e tyre duke e veshur me një Dior origjinal dyqind e pesëdhjetë mijë lekësh!

Zotime të plotësuara. “Plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit” – zotimet e dashurisë, adhurimit, shërbimit dhe përkushtimit.

Përbashkësi në lutje. “Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh”. Këtu kemi një pamje të mrekullueshme të zemrës së Perëndisë. Atij i pëlqen të dëgjojë popullin e Tij që lutet dhe i pëlqen t’u përgjigjet lutjeve të tyre. Ai kërkon një marrëdhënie intime e të ngrohtë midis popullit të Tij dhe Vetes.

Por të pabesit. . . (50:16-21).

50:16,17 Duket qartë se Gjykatësi u drejtohet një pjese tjetër të kombit, atyre që rrëfejnë se janë fetarë, por jetët e të cilëve bien në kundërshtim të hapur me të vërtetën. Ai mohon se ata kanë ndonjë të drejtë të citojnë në mënyrë të përshpirtshme Shkrimet apo të kërkojnë për veten e tyre bekimet e Besëlidhjes. Pastaj ngre një radhë padish kundër tyre.

Ata urryen disiplinën. Në pamje të parë ata e quanin veten përmbi ndreqjen. Në vend që të mirëprisnin apo të paktën të toleronin kritikat ndërtuese, këta hipokritë u zemëruan së tepërmi dhe sulmonin çdokënd që përpiqej t’ua jepte – edhe sikur të ishte Zoti.

Ata e trajtuan Fjalën e Zotit me përçmim. Në vend të nderimit të thellë për Shkrimet, ata hodhën pas kurrizit fjalën e Perëndisë si diçka pa vlerë.

50:18 Ata nuk pranuan të ecnin në shtegun e ndarjes. Duke u vëllazëruar me hajdutët dhe me ata që shkelin kurorën ata nuk iu bindën Zotit dhe përçmuan emrin e Tij.

50:19,20 E folura e tyre ishte e ligë. Gojët e tyre nxirrnin jashtë të keqen pa pengesë. Ata ishin bërë mjeshtër në gënjeshtra dhe mashtrime. Edhe kushërinjtë e tyre më të ngushtë nuk ishin të qetë nga përgojimet e tyre të liga.

50:21 Meqë Perëndia nuk i ndëshkoi ata menjëherë, menduan se Ai ishte i shkujdesur si ata. Ata nuk arritën të kuptojnë se durimi i Tij ishte caktuar që t’u jepte atyre kohën për pendim. Por tani Zoti theu heshtjen dhe i qortoi për paditë e përmendura më sipër.

Paralajmëri dhe premtimi (50:22,23).

50:22,23 Psalmi mbyllet me një paralajmërim dhe premtim. Paralajmërimi është për ata që harrojnë Perëndinë, duke jetuar sikur Ai të mos ekzistonte. Nëse ata nuk pendohen, Perëndia do t’u vërvitet si një luan dhe do t’i shkatërrojë plotësisht. Por ata që shkojnë tek Ai me flijime falënderimi e lavdërojnë Atë; të gjithë ata që ecin në këtë shteg bindjeje do të përjetojnë çlirimet e mrekullueshme të Perëndisë në kohët e rrezikut.

Psalmi 51: Aromat e ëmbla të pendimit

Aleksandër Meklaren (Alexander Maclaren) ka thënë dikur: “Alkimia e dashurisë hyjnore mund të nxjerrë aroma të ëmbla pendimi dhe lavdërim nga papastërtia e mëkatit”. Në këtë psalm kemi ilustrimin e këtij fakti. Ashtu siç shpjegon edhe titulli, ky psalm është shkruar nga Davidi pasi profeti Nathan i kishte treguar ashpër kryerjen e tradhtisë bashkëshortore me Bathshebën dhe për vrasjen e Uriahut. I bindur plotësisht për mëkatin e tij, Davidi nxjerr jashtë rrjedhën e pendimit të tij nga zemra e tij e thyer dhe e penduar.

Ne mund ta parafrazojmë këtë rrëfim si vijon:

51:1 Ki mëshirë. . . o Perëndi! Kërkoj mëshirën Tënde! Unë meritoj të ndëshkohem. Por Ti je një Perëndi i mirësisë dhe për këtë të kërkoj që të mos më trajtosh ashtu siç e meritoj. Dhembshuritë e Tua janë të tejbollshme dhe për këtë guxoj të kërkoj që të fshish shkeljet e mia të tmerrshme të ligjit Tënd të shenjtë.

51:2 Më pastro nga koka te këmbët për çdo çast që jam larguar nga rruga jote e drejtë dhe më pastro nga udhët e frikshme ku nuk kam bërë atë që duhet.

51:3 O Perëndia im, pranoj hapur se kam shkelur ligjin Tënd. Mëkati im qe i hapur dhe pendimi im po ashtu. Faji i mëkatit tim më ka ndjekur ditë e natë dhe nuk mundem më.

51:4 Tani shoh qartë se ishte kundër Teje dhe vetëm kundër Tejekam mëkatuar. Oh, kuptoj gjithashtu se kam mëkatuar kundër Bathshebës dhe kundër burrit të saj besnik, Uriahut – Perëndia më faltë për mashtrimin tim ndaj këtij gjenerali të guximshëm. Por kuptoj se tërë mëkati im është së pari dhe mbi të gjitha kundër teje. Ligji Yt është shkelur. Vullneti Yt është marrë nëpër këmbë. Emri Yt është çnderuar. Kështu vihem në anën Tënde kundër vetes sime. Ti ke plotësisht të drejtë për vendimin Tënd ndaj meje dhe askush nuk mund të gjejë gabime në shpalljet e Tua.

51:5 O Zot, nuk jam i mirë. Unë jam mbruajtur në paudhësi dhe më parë nëna ime më ka lindur në mëkat. Duke thënë këtë nuk dua të hedh ndonjë turp mbi nënën time, apo të përligj fajin tim. Ajo që nënkuptoj është se jo vetëm kam kryer mëkate, por jam mëkatar në vetë natyrën time.

51:6 Por Ti e urren mëkatin dhe do besnikërinë në thelb të qenies njerëzore, kështu unë tani po vij te Ti dhe të kërkoj të më mësosh diturinë thellë në zemrën time.

51:7 Ti ke caktuar që hisopi dhe uji i rrjedhshëm duhet të përdoren në ceremoninë e pastrimit nga lebra (Lev. 14:1-8). Mirë, o Zot, po zë vendin e një lebrozi moral. Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.

51:8 Kur mëkatova, humba gëzimin tim. Ka kaluar shumë kohë që kur kam njohur se çfarë është me të vërtetë gëzimi dhe ngazëllimi. Le të dëgjoj përsëri muzikën e ngazëllimit. Në gjendjen time të përdalë, duket sikur Ti më ke copëtuar kockat e mia. Nuk mund të kërcej më para Teje në festat e shenjta. Tani shëro ato thyerje që të mund të bashkohem me popullin Tënd për të lëvduar emrin Tënd në kërcim.

51:9 Oh, Perëndia im, të lutem të kthesh fytyrën Tënde nga të shikuarit e mëkateve të mia në gjykim dhe ndëshkim. Fshi mbeturinat e mëdha të paudhësisë sime të madhe. Sa herë më godasin kur mendoj për to!

51:10 Duke hedhur vështrimin pas, kuptoj se problemi filloi në mendjen time. Bota ime e të menduarit ishte e ndotur. Fusja mendime të liga derisa në fund kreva mëkatet. Kështu tani kërkoj që Ti të krijosh tek unë një mendje të pastër. E di se nëse burimi është i pastër, rrjedha që del prej tij do të jetë po ashtu e pastër. Po, o Zot, përtëri tërë qenien time të brendshme, që të jetë e patundur për të më ruajtur kundër rënieve të ardhshme në mëkat.

51:11 Mos hiq dorë nga unë, o Zot, ose mos më përzë nga prania Jote. Nuk mund të përballoj mendimin e të qenit larg prej Teje, apo të pasurit larg të Frymës tënde të Shenjtë. Në kohën në të cilën jetoj, Ti e heq Frymën Tënde të Shenjtë nga njerëzit kur ata ecin në mosbindje ndaj Teje. Këtë e bëre me Saulin (1 Sam. 16:14) – dridhem kur mendoj pasojat. Të lutem, o Zot, më kurse nga ky fat.

51:12 Ashtu siç e thashë më sipër, kam humbur gëzimin tim. Jo shpirtin tim, por gëzimin tim. Jo shpëtimin Tënd, por gëzimin e shpëtimit. Tani që kam ardhur te Ti në pendim, rrëfim dhe braktisje të mëkatit, lutem që “telat që janë këputur të lëshojnë përsëri tingull”. Dhe jo vetëm të lutem që të më përtërish gëzimin e shpëtimit, por gjithashtu përkrahmë me frymë dashamirëse. Me fjalë të tjera, dua që Fryma Jote të më bëjë të Të bindem dhe të Të pëlqej në çdo gjë. Atëherë do të ruhem në shtigjet e drejtësisë.

51:13 Një ndër frytet e faljes sime do të jetë se do t’u dëshmoj shkelësve të tjerë dhe do t’u tregoj rrugët e Tua të faljes dhe paqes. Kur ata të dëgjojnë atë që ke bërë për mua, do të duan të kthehen edhe ata drejt Teje.

51:14 Pastaj, nëse më çliron nga faji i gjakderdhjes, o Perëndi, e tërë bota do të dëgjojë dëshminë time të çlirimit Tënd. Faji i gjakut të Uriahut rëndon së tepërmi mbi mua, o Perëndi i shpëtimit tim. Fshiji defterët e mi dhe do të Të lëvdoj përgjithmonë.

51:15 Buzët e mia janë vulosur nga mëkati im. Hapi me anë të faljes Tënde dhe goja ime do të përkushtohet që të flasë dhe të këndojë lëvdimin tënd.

51:16,17 O Zot, nuk mbështetem te ritet apo ceremonitë e faljes. E di që Ti nuk je një ritualist. Nuk mendoja se Ti kërkon flijim kafshësh, përndryshe do ta ofroja. Por zemrës Tënde nuk i pëlqen as olokausti. Është e vërtetë se Ti ke caktuar flijimet dhe ofertat, por ato nuk përfaqësojnë kurrë idealin Tënd përfundimtar. Dhe kështu vij te Ti me zemrën e thyer – që është flijimi që kërkon Ti. Ti nuk e përçmon këtë zemër të thyer dhe të penduar që Të sjell përpara.

51:18 Dhe tani, o Zot, dua të Të lutem për popullin Tënd të dashur, po ashtu edhe për veten time. Kënaqu të vërshosh për ta gjëra të mira. Rindërto muret e Jerusalemit. Mëkatet e mia kanë penguar pa dyshim rritjen e veprës Tënde. Unë kam përçmuar emrin Tënd. Tani çështja jote shkoftë përpara pa pengesa!

51:19 Kur ne të gjithë ecim në përbashkësi me Ty, duke rrëfyer dhe braktisur mëkatet tona, atëherë do të gëzohesh në flijimet tona të drejtësisë. Ofertat që flasin për përkushtimin e plotë të Vetes Tënd do të gëzojnë zemrën Tënde. Ne do të ofrojmë dema të rinj mbi altarin tënd – në lavdërim ndaj Perëndisë që fal mëkatin dhe pastron paudhësinë.

Psalmi 52: Tradhtari i demaskuar

Sfondi historik i këtij psalmi gjendet te 1 Samuelit 21,22. Doeg edomiti ishte kryebariu i Mbretit Saul. Ai ishte i pranishëm kur i arratisuri David mori ushqim dhe shpatën e Goliathit nga prifti Abimelek. Menjëherë më pas ai shkoi dhe i llomotiti Saulit dhe u shpërblye me vrasjen e Abimelekut dhe të tetëdhjetë e katër priftërinjve të tjerë të Zotit. Më pas ai masakroi gratë dhe fëmijët në Nob dhe shkatërroi fshatin e madje edhe kafshët.

Karakteri i Doegut paraqitet në vargjet 1-4 dhe rrënimi i tij në vargjet 5-7. Karakteri i kundërt i psalmistit duket në vargjet 8 e 9.

52:1-4 Pyetja hyrëse e Davidit sulmon tradhtarin për të krenuarit me të keqen e madhe dhe për “hedhjen e gënjeshtrave të liga tërë ditën kundër shërbëtorit besnik të Perëndisë” (NEB). Ky prototip mashtrues i Antikrishtit kishte një gjuhë brisk të mprehtë që priste njerëzit me përgojimet e tij. Ai kishte një prirje të fortë për të keqen në vend të së mirës dhe më tepër do të pëlqente të gënjente sesa të thoshte të vërtetën. Si personifikim i mashtrimit, ai zbavitej kur e folura e tij prishte jetët e të tjerëve.

52:5 Drejtësia hyjnore dhe njerëzore përputhen në fatin që psalmisti parathotë për Doegun dhe për palët e tij të kundërta. Perëndia do ta rrëzojë përtokë si një ndërtesë të bërë me gurë. Shumë i Larti do ta nxjerrë jashtë çadrës së Tij dhe do ta shkulë plotësisht nga bota e të gjallëve.

52:6,7 Njerëzit që kanë frikë nga Perëndia do të jetojnë dhe do ta shohin atë ditë, do të mahniten nga gjykimi i tmerrshëm i Perëndisë dhe do të kënaqen në këtë ndryshim, duke thënë:

Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij.

52:8,9 Karakteri i psalmistit është në kontrast të plotë. Ai e krahason veten me një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë – një figurë e begatisë dhe e frytshmërisë. Ulliri është, sipas Grentit (F. W. Grant):

. . . pema në të cilën qëndron ai vaj që paraqet Frymën e Perëndisë, i gjelbër në freskinë e tij të jetës së përjetshme. Ai ndodhet në shtëpinë e Perëndisë (në dallim me) atë “çadër” jashtë së cilës hidhet i pabesi [38].

Në dallim me Doegun që nuk e bëri Perëndinë strehën e tij, Davidi është i vendosur se do të ketë besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë.

Një gjë tjetër që do të bëjë përgjithmonë është se do ta falënderojë Zotin për atë që ka bërë – pra, ngaqë ka ndëshkuar të pabesët dhe ka marrë hak për të drejtin.

Së fundi, ai do të madhështojë emrin e Zotit në prani të shenjtorëve të Tij, sepse emri i Tij është i mirë.

Psalmi 53: Marrëzia e ateizmit

Ndryshimi kryesor midis Psalmit 14 dhe këtij është se emri i Perëndisë është ndryshuar nga Jehovah (apo Yahweh) në Elohim [39]. Në Psalmin 14 i marri mohon ekzistencën e Perëndisë (Jehovahut, Zotit) që ruan besëlidhjen dhe që interesohet dhe përfshihet së tepërmi në mirëqenien e popullit të Tij. Këtu i marri mohon ekzistencën e Perëndisë (Elohim) së madhërishëm dhe Sovran që mban dhe qeveris gjithësinë.

Perëndia mund të mohohet në dy kuptime: disa mohojnë se Krijuesi ka ndonjë interes të veçantë për ndonjë racë apo grup të veçantë njerëzish; të tjerë shpërnjohin ndonjë mundësi nëse ka Perëndi (shënime të përditshme të “Scripture Union”).

53:1 Njeriu i pamend nuk është patjetër një i metë apo budalla. Ai mund të jetë i zgjuar nga ana intelektuale për sa i përket edukimit bashkëkohor, por nuk i pëlqen të përballet me provën e personit, fuqisë dhe parashikimit të Perëndisë. Ai është i pamend me dashje. “Fjala hebraike përcjell në vetvete idenë e kundërshtimit të ligë të pranimit të së vërtetës”.

Ateizmi lidhet me shthurjen dhe rënien, ndonjëherë si shkak, ndonjëherë si pasojë. Prandaj nuk është për t’u habitur se ata që thonë: Elohim nuk ka” janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; s’ka njeri prej tyre që të bëjë të mirën.

53:2 Tani tema duket se rrëshqet nga ateistët në veçanti në njerëzimin në përgjithësi. Pali citon fluturimthi nga këto vargje te Romakëve 3 për të paraqitur shthurjen e plotë të tërë njerëzimit. Padia është e vërtetë, sigurisht. Ndërsa Perëndia shikon nga qielli bijtë e njerëzve, nuk mund të gjejë një që, vetë, të ketë diturinë e të ketë frikë nga Zoti. Pa shërbesën e mëparshme të Frymës së Shenjtë, askush nuk do të kërkonte Perëndinë.

53:3 Të gjitha ata janë shmangur nga Perëndia i gjallë. Ata të gjithë janë prishur. Askush nuk bën të mirën në kuptimin e asaj që mund të fitojë favorin apo meritën e Zotit.

53:4,5 Përsëri, duket sikur ka një ndërrim në një klasë të veçantë mëkatarësh, pra, ata femohues që përndjekin popullin e Perëndisë. Si mund të jenë kaq dritëshkurtër? Ata janë mizorë dhe nuk luten. Ata nuk mendojnë gjë tjetër veç shkatërrimit të pjesës së mbetur më fort sesa të hanë bukë. Dhe ata kurrë nuk ndiejnë nevojën për të folur me Perëndinë në lutje. Ata duken plotësisht të pandjeshëm ndaj faktit se një ditë do të kapen nga një tmerr i paparë ndonjëherë. Perëndia do të shpërndajë kockat e atyre që nxisin luftën kundër ndjekësve të Tij besnikë.

53:6 Në vargun e fundit Davidi lutet për ardhjen e Mesias. Ai është Çliruesi që do të vijë nga Sioni (Rom. 11:26) dhe do të shpëtojë tërë Izraelin që do të ketë besuar. Në atë ditë Izraeli do të përtërihet, Jakobi do të ngazëllojë dhe Izraeli do të gëzohet.

Psalmi 54: Perëndia është ndihmësi im

Kur Davidi po arratisej nga Sauli, zifejtë i zbuluan dy herë vendndodhjen e tij mbretit (1 Sam. 23:19; 26:1). Këto tradhti qenë shtysa për fjalët e këtij psalmi, një lutje e përshtatshme për popullin e Perëndisë në çdo kohë kur vuajnë në duart e njerëzve.

54:1 Thirrja hyrëse për ndihmë kërkon shpëtim nga emri i Perëndisë dhe hakmarrje me fuqinë e Tij. Emri i Tij përfaqëson natyrën apo karakterin e Tij dhe fuqia e Tij gjithëpushtetshmërinë e Tij. Shpëtimi këtu nënkupton çlirimin e përkohshëm nga armiqtë.

54:2,3 Ngutja e menjëhershme e psalmistit shihet në kërkesën e padurueshme që Perëndia ta dëgjojë, për t’i vënë veshin fjalëve të nxehta të gojës së tij.

Ajo që kishte ndodhur ishte se këta të huaj kishin planifikuar ta tradhtonin Davidin; njerëzit e etur për gjak kishin dalë për ta kapur – femohuesit që nuk u interesonte Perëndia.

54:4,5 Perëndia është përgjigjja. Zoti e përkrah jetën e besimtarit. Një ditë Ai do t’i ndëshkojë armiqtë e popullit të Tij me fatkeqësi dhe rrënim.

Njohja e asaj që do të bëjë Perëndia kthehet menjëherë në lutje: “Bëje, o Zot. Si provë e besnikërisë Tënde, jepu fund karrierave të tyre të liga”.

54:6 Emri shpëtues i vargut 1 do të bëhet emri i adhurimit. Davidi do të sjellë flijime të dala nga zemra për Zotin dhe do t’i ofrojë falënderime emritZotit – emri i çmuar në të cilin përfshihen tërë të mirat.

54:7 Në vargun e fundit Davidi flet sikur çdo ankth i tij të kishte kaluar dhe sikur të kishte dëshmuar vdekjen e armiqve të tij. “Tashmë” – shkruan Morgani – “edhe pse, mbase, në mes të rrezikut, ai këndon një këngë çlirimi, sikur të ishte realizuar tashmë” [40]. Besimi “i jep kuptim shpresave tona dhe na bën të sigurt për realitetet që nuk i shohim” (Hebr. 11:1, NEB).

Psalmi 55: Hidhe tutje barrën tënde

Ahithofeli ishte një ndër këshilltarët më besnikë të Davidit që më vonë drejtoi një dezertim me uzurpimin e Absalomit. Në këtë psalm kuptojmë ankthin e madh të zemrës së Davidit për këtë goditje të hidhur. Mund të lexojmë gjithashtu diçka nga çastet e thella emocionale që dolën nga shpirti i Shpëtimtarit në lidhje me tradhtinë e Tij nga Juda. Dhe psalmi parashikon lutjen e pjesës së mbetur, ndërsa vuajnë nën përbetimin e Antikrishtit që do të vijë.

55:1,2a Në shqetësim të thellë shpirti nuk humb larminë apo origjinalitetin në mënyrën se si tërheq vëmendjen e Perëndisë. Nga njëra anë kemi kërkesën për t’i vënë veshin. Dhe nga ana tjetër fjala është “ki parasysh”. Kemi thirrjen për dëgjesë: “Dëgjo kërkesën time” dhe thirrjen për veprim: “përgjigjmu”.

55:2b-5 Pastaj vijon një katalog i dalë nga zemra e trishtimit vetjak dhe nevojës së madhe.

Vazhdimisht në ankime dhe rënkime.

I shqetësuar nga zhurma e armikut.

I shtypur nga të pabesët.

I zhytur nga ata nën grumbullin e fatkeqësisë.

Përballë sulmeve të egra.

Zemërthyer nga ankthi.

I tmerruar nga shkatërrimi kanosës.

I pikëlluar nga drithma të pakontrollueshme.

I mposhtur nga tmerri.

55:6-8 Shtysa e tij e parë ishte të fluturonte nga tërë problemet e tij. Nëse do të kishte krahë do të niste udhëtimin në kërkim të ndonjë vendi të qetë në shkretëtirë. Ai nuk do të harxhonte kohën duke u larguar nga furtuna që vërshonte rreth tij.

55:9a Por tani terrori i tij i jep shkas zemërimit të tij të zjarrtë. Ai është aq i nxehur nga mashtrimi i komplotistëve saqë thërret Zotin t’i shkatërrojë – pa bërë të ditur nëse do të shkatërronte njerëzit apo planet e tyre. Gjithashtu ai i kërkon Perëndisë të ngatërrojë gjuhët e tyre – kërkesë e cila bën fjalë për lutjen e Davidit në atë kohë që Zotit të kthente këshillat e Ahithofelit në marrëzi (2 Sam. 15:31).

55:9b-11 Ndërsa biri i Isait shikon qytetin e Jerusalemit që pushtoi dhe zgjodhi, e shikon të mbushur me dhunë dhe kacafytje; ditën dhe natën këto të liga binjake vërtiten mbi muret e tij. Qyteti i paqes është tashmë një qytet djallëzie dhe problemi. Kanë mbetur vetëm rrënojat. Shtypja dhe mashtrimi janë të pranishme çdo ditë në pazar, ku duhet të ekzistonte drejtësia dhe barazia.

55:12-15 Në qendër të ankimit të Davidit, sigurisht, është tradhtia e tij mizore. Dhimbja do të kishte qenë më e durueshme nëse i akuzuari do të kishte qenë një armik i betuar. Nëse talljet dhe fyerjet do të kishin dalë nga një kundërshtar i fortë, atëherë psalmisti do t’i kishte dalë përpara. Por ishte një që e njihte, një shok, një mik i dashur dhe besnik që i kishte ngulur thikën nga pas. Ishte dikush me të cilin psalmisti kishte marrëdhënie të këndshme ndërsa shkonin bashkë në oborrin e tabernakullit. Pabesia e këtij njeriu dhe ndjekësve të tij meritonin vdekjen e menjëhershme, një flakje të menjëhershme në Sheol “sepse paudhësia banon në shtëpitë e tyre dhe thellë në zemrat e tyre” (Galineau).

55:16-21 Megjithatë në turbullimin e tij emocional, Davidi sigurohet për ndihmë në përgjigje të lutjes. Dënesat dhe rënkimet që ngjiten drejt Perëndisë në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të arrijnë në veshin e Shpëtimtarit. Pavarësisht nga epërsia numerike e atyre që ishin kundër tij, Davidi do të dalë nga lufta me paqe nga ana e tij. Po, Perëndia do ta dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar ata, edhe Ai që ulet në fron përgjithnjë. Ky është dënimi i atyre të cilët nuk ndryshojnë, pra, që nuk pendohen dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. Ky është dënimi i tradhtarit – shoku më i ngushtë që ngriti dorën e tij për të dëmtuar miqtë e tij dhe që prishi besëlidhjen e miqësisë dhe besnikërisë. Fjalët e tij duken më të ëmbla se gjalpi. . . edhe pse ishin shpata të zhveshura.

55:22 Kulmi i artë i Psalmit 55 arrin në vargun 22:

Hidh mbi Zotin barrën tënde,

dha ai do të të mbajë;

Ai nuk do të lejojë kurrë

që i drejti të lëkundet.

Psalmisti arriti të kuptonte se rruga më e mirë në kohë problemesh nuk është të largohesh prej tyre, por të hedhësh barrën e tyre mbi Zotin. Kujtofshim gjithnjë mësimin e dashur të paraqitur nga peshkopi Horne: “Ai që një herë e një kohë mbajti barrën e mëkateve dhe brengave tona kërkon që ne ta lejojmë tani dhe përgjithmonë të mbajë barrën e shqetësimeve tona”.

55:23 Vrasësit dhe mashtruesit do të vdesin dhunshëm dhe para kohe. Ahithofeli e pësoi një gjë të tillë (2 Sam. 17:14,23) dhe po kështu Juda (Mt. 27:5). Por populli i Perëndisë mund të besojë në Të për t’u shpëtuar.

Psalmi 56: Perëndia është me mua!

Ishte një kockë e hidhur për Davidin të kërkonte strehë nga bashkëkombasit e tij midis filistenjveGath (1 Sam. 21:10-15; 27:4; 29:2-11), por armiqësia e egër e Mbretit Saul e shtyu të bënte një gjë të tillë – ose kështu e ndjeu. Psalmi 56 përshkruan disa nga valët lëkundëse të frikës dhe besimit që e pushtuan në atë kohë.

56:1,2 Ai fillon me një lutje për ndihmën e hirshme të Perëndisë, duke pasur parasysh mërzitjen e vazhdueshme të përndjekësve të tij. Vini re tre llojet e terrorit që binin mbi të vazhdimisht nga njerëzit e ligj:

. . . më luftojnë. . . me sulmet e tyre. (v. 1)

Armiqtë e mi do të donin. . . të më përpijnë. (v. 2)

. . . Ata i shtrembërojnë vazhdimisht fjalët e mia (v. 5).

Armiqtë e tij sulmonin në mënyrë arrogante, duke komplotuar vazhdimisht të keqen kundër tij, duke përdorur fuqi më të mëdha, duke qëndruar në pritë për t’iu vërsulur, duke spiunuar vazhdimisht ndaj tij (v. 2,5,6). Dukej si një rast i pastër i një fuqie tepër të madhe shkatërruese.

56:3 Megjithëse errësira e rrethon Davidin, besimi i tij thotë: “Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti”. Ky “inkurajim i gëzuar i një të arratisuri”, ashtu siç e quan Deliç (Delitzsch), mbështetet në karakterin e Perëndisë dhe në besnikërinë e premtimeve të Tij. Ai është më e fuqishëm se tërë armiqtë tanë dhe Ai ka premtuar të na mbrojë nga dëmtimi. Asgjë nuk mund të tejshpojë mburojën mbrojtëse që Ai ka vënë rreth nesh veç në e lejoftë Ai. Kjo është arsyeja pse mund të besojmë në Perëndinë pa frikë.

56:4-6 Ndaj sfidës së guximshme: “Çfarë mund të më bëjë njeriu i thjeshtë?“, arsyeja mund t’i përgjigjet: “Shumë gjëra. Njeriu mund të përndjekë, dëmtojë, sakatojë, qëllojë dhe vrasë”. Por fakti është se fëmija i Perëndisë është i pavdekshëm derisa të jetë kryer vepra e Tij. Gjithashtu ne duhet të kuptojmë frikën e Davidit në dritën e fjalëve të Shpëtimtarit tonë:

Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena (Mt. 10:28).

56:7 Pas rrëfimit të përpjekjeve të studiuara të armiqve të tij për ta shfarosur, Davidi i drejtohet Perëndisë t’ua kthejë me të njëjtën monedhë për mashtrimin e tyre duke i hedhur përtokëzemërimin e Tij.

56:8 Këtu kemi një përshkrim të këndshëm të kujdesit të butë dhe vetjak të Zotit tonë. Ai kujdeset për hapat e bredhjes apo përpëlitjet e pareshtura gjatë natës, rrotullimet tona nga njëra anë në tjetrën. Ai kujdeset aq shumë për hollësitë e lotëve tanë të brengave saqë pret t’i kërkohet të ruajë lotët tanë në calikun e Tij. Ky mund të jetë një nënkuptim i një zakoni të lashtë të vajtuesve, që ruanin në një shishe të vogël lotët e tyre që u binin, e cila vihej në varrin e miqve të vdekur, si një kujtesë e dashurisë së të gjallëve. Në çdo ngjarje Perëndia i kujton lotët tanë në librin e Tij, ashtu siç na mëson Jezusi më vonë se Ai numëron fijet e flokëve të kokave tona.

56:9 Bashkë me Davidin mund të kemi besim se Perëndia do t’i kthejë armiqtë tanë në përgjigje të lutjeve tona. Ne e dimë këtë sepse Perëndia është me ne. Dhe nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh (Rom. 8:31)?

Në fund të fundit ka vetëm një pyetje që ka rëndësi në jetë, çdo gjë tjetër është dytësore – “A është Perëndia me ne?”. Davidi, në fund, ishte i sigurt për Perëndinë; dhe ai që është i sigurt për Perëndinë nuk ka frikë (11) (Shënime të përditshme të Scripture Union).

56:10,11 Refreni i vargut 4 përsëritet në vargjet 10 e 11, por këtë herë duke përdorur dy emra të ndryshëm të Perëndisë:

Me ndihmën e Perëndisë (Elohim) do të kremtoj fjalën e tij;

Me ndihmën e Zotit (YHWH, Jehovahu) do të kremtoj fjalën e tij.

Kam vënë besimin tim te Perëndia (Elohim),

nuk do të kem frikë.

Çfarë mund të më bëjë njeriu?

Psalmisti lëvdon premtimin e Shumë të Lartit dhe ruajtësit të besëlidhjes në siguri të plotë të kujdesit të Tij mbrojtës dhe në mospërfillje të ftohtë të aftësisë së brishtë të njeriut për ta dëmtuar.

56:12,13 Siguria e tashme e çlirimit të ardhshëm e detyron Davidin të përmbushë kushtet që kishte lidhur me Zotin dhe të paguante borxhin e tij të mirënjohjes ndaj Tij. Edhe pse në territorin e armikut, ai po shijon bekimin e shpëtimit të plotë. Jeta e tij është shpëtuar dhe këmbët e tij janë ruajtur nga lëkundja që të mund të vazhdojë të ecë në praninë e Perëndisë në dritën e jetës.

Psalmi 57: Në hijen e krahëve të Tij

Davidi po fshihej nga Sauli në një shpellë kur shkroi këtë psalm – ose në shpellën e Adullamit, ose në atë të Engedit. Para tij qëndronin dy realitete – Perëndia i hirshëm dhe armiku i jashtëzakonshëm. Psalmi luhatet midis këtyre të dyve, por besimi në të parin është më i madh se frika në të dytin dhe e anon luhatjen në atë drejtim.

Perëndia i gjithëpranishëm (57:1-3)

Psalmisti nuk kërkon çlirim, sikur të kishte të drejtë për ta pasur një gjë të tillë. Ai e kërkon si një mëshirë nga Perëndia, një bekim të pamerituar që rridhte nga mirësia e Tij. I shkujdesur për rrethanat e tij të lagështa e të errëta, ai e llogarit veten të strehuar në hijen e krahëve të Perëndisë, si një zog që struket nën krahët e klloçkës. Dhe atje ai do të qëndrojnë derisa stuhitë e jetës të kalojnë. Nga ky vend i privilegjuar i afërsisë së vetëdijshme ai i thërret Perëndisë, Shumë të Lartit, me besimin që asnjë dhe asgjë nuk mund ta pengojë Atë për të kryer qëllimet e Tij në jetët e njerëzve të Tij. Kur përgjigjja vjen nga qielli do të thotë çlirim për zemrën që ka besuar dhe çnderim për ata që e shkelin. Do të jetë një shfaqje e paharrueshme e dashurisë dhe besueshmërisë së Perëndisë.

Armiku i gjithëpranishëm (57:4)

Armiqtë janë të tmerrshëm – si luanë të egër e tinzarë që shqyejnë dhe përpijnë; këta njerëz kanë dhëmbë si shtiza dhe shigjeta e gjuhë si shpata të mprehta. Megjithatë Davidi rri i qetë pa e vrarë mendjen në mes të një rreziku të tillë – një bëmë me të vërtetë e paharrueshme besimi.

Perëndia i gjithëpranishëm (57:5)

Me një refren që përsëritet në vargun 11, Davidi dëshiron të shohë lavdinë e Perëndisë të shfaqur në shtypjen e armiqve të Tij dhe në hakmarrjen e çështjes së Tij. Ai dëshiron që lavdia e Tij të ngrihet deri në qiell dhe të jetë mbarëbotërore në përmasat e saj.

Armiku i gjithëpranishëm (57:6)

Kundërshtarët kishin ngritur plane të kujdesshme për të futur në kurth birin e Isait: shpirti i tij ishte i rënduar. Po, ata kishin hapur një gropë për ta zënë në kurth, por ata vetë ranë brenda.

Perëndia i gjithëpranishëm (57:7-11)

Nuk është për t’u çuditur që zemra e psalmistit është plotësisht e vendosur t’i këndojë me melodi Zotit. Nuk është për t’u çuditur që ai ngre shpirtin e tij dhe rrok psaltirin dhe qesten. Nuk është për t’u habitur që ai është i vendosur të përshëndesë agimin me këngë lavdërimi.

Kënga e tij nuk është një koncert vetjak apo krahinor. Ai do të falënderojë Zotin midis popujve dhe do të këndojë psalme midis kombeve, sepse mirësia e Perëndisë është e pafund, po aq sa edhe qiejt dhe e vërteta e Tij e pafund, po aq sa edhe retë.

Mejeri (F. B. Meyer) vë re se ashtu si Davidi “u ngrit përtej trishtimit të tij vetjak në një dëshirë për të lëvduar Perëndinë”, po kështu edhe ne duhet t’i kthejmë trishtimet tona të vogla në një pasion të madh për ta parë Atë të lartuar.

Psalmi 58: Gjykimi i gjykatësve

58:1,2 Që në fillim psalmi fillon me një protestë të fortë kundër gjykatësve apo sunduesve të padrejtë. Zotërinjt e mëdhenj të tokës vrasin pa gjyq. A kanë qenë të drejtë në vendimet e tyre? A kanë përdorur drejtësinë ndaj njerëzve të thjeshtë? Përgjigjja e qartë është: “Jo”. Në zemrat e tyre kanë bërë përbetime për çdo lloj pandershmërie. Pastaj duart e tyre kanë vënë në zbatim dhunën që zemrat e tyre kanë shestuar. Vendi është i mbushur me shthurje drejtësie.

58:3 Tema shtrihet nga gjykatësit e pandershëm deri në një klasë më të gjerë njerëzish të pabesë ku bëjnë pjesë. Prishja e tyre nuk është një zhvillim në jetën e mëvonshme; ajo i ka rrënjët që nga lindja e tyre. Pandershmëria dhe rebelimi i tyre janë të lindura; sapo fillojnë të flasin, fillojnë të gënjejnë.

58:4,5 E folura e tyre është përgojuese dhe e ligë si helmi i gjarprit. Veshët e tyre janë të shurdhët ndaj zërit të Perëndisë dhe gjarpri helmues i shurdhër nuk e dëgjon ndjellësin, pavarësisht se sa i aftë është kur ysht.

58:6,7 Ashtu si Davidi përdor botën e natyrës për të përshkruar ligësinë e tyre, po kështu tani futet në shkencën e natyrës për të gjetur metafora të përshtatshme për gjykimin. Dhëmbët e këtyre luanëve grabitqarë u thefshin, dhëmbët e tyre mizorë u dalshin nga vendi. Le të zhduken si uji që rrjedh e që zhduket menjëherë në dhe, apo si një rrëke që zhduket në mënyrë të mistershme poshtë tokës.

Gjuha hebraike e vargut 7b është e paqartë. Ajo mund të nënkuptojë: “U bëfshin si shigjeta pa majë – të topitura dhe të dëmtuara”.

58:8 Tani përdoret bota e kërmijve dhe jargavecëve. Ashtu si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon në gjurmët e tij jargore, po kështu këta kriminelë do të zhduken nga faqja e dheut. Nëse kërmijtë treten në jargë apo jo, nuk ka shumë rëndësi sepse Bibla shpesh herë përdor shprehje figurative. Askush nuk kundërshton kur themi se një shtëpie që digjet “i shkon tymi përpjetë”. Atëherë pse të luajmë me fjalë me një shprehje figurative në Bibël?

Mallkimi tjetër është se këta keqbërës do të vdesin para kohe, si dështimi i gruas që nuk e shikon kurrë diellin. “Sytë e të pabesëve nuk janë hapur kurrë” – thotë Skroxhi (Scroggie) – “dhe mundësitë e tyre nuk janë shpalosur kurrë; mëkatari është një dështim, një premtim i pambajtur” [41].

58:9 Së fundi psalmisti kërkon që ata të hiqen tutje, si zjarri i ferrishteve shpërndarë nga një vorbull para se tenxheret sipër tyre të ndiejnë nxehtësinë. Meklareni (Maclaren) thotë:

Figura që përshkruan psalmisti duket se paraqet atë të një shoqërie udhëtarësh rreth fushimit të tyre, duke përgatitur për të ngrënë. Ata vënë dru poshtë tenxhereve të tyre dhe presin të shuajnë urinë; por, para se tenxherja të ngrohet, për të mos thënë derisa të nxehet uji apo të zihet ushqimi, vjen një vorbull që shtyn tutje zjarrin, tenxheren dhe të gjithë [42].

58:10 Për sa i përket hebraishtes këtu nuk ka asgjë të pasigurt. Pohohet në mënyrë të pagabueshme se njerëzit e Perëndisë do të gëzohen kur të pabesët do të ndëshkohen, kur do të lajnë këmbët në gjakun e të pabesit. Nëse kjo fjali tingëllon hakmarrëse dhe pa shprehje dashurie për veshët tanë të krishterë, mund ta përligjim duke thënë me Belletin (J. G. Bellet) se ndërsa ne nuk mund të gëzohemi me gjykimin në këtë kohë hiri, besimtarët do të gëzohen kur Zoti do të hakmerret për lavdinë e Tij hyjnore me anë të hakmarrjes. Ose mund të marrim parasysh fjalët e Morganit se “është një sentimentalitet shëndetlig dhe një dobësi e ligë që shkon përshtat më tepër me shtypësit e prishur sesa me zemërimin e Perëndisë” [43].

58:11 Në gjykimin e ardhshëm të të pabesëve njerëzit do të kuptojnë se i drejti do të shpërblehet dhe se Perëndia i gjykon njerëzit këtu në tokë.

Psalmi 59: Perëndia që vjen për të na takuar

Këtu Davidi tund fronin e Perëndisë në një nxitim pa frymë, sepse Sauli dërgoi njerëz për të rrethuar shtëpinë dhe për ta vrarë.

59:1-4 Fjalët rrjedhin si një përrua i tërbuar – “Më çliro. . . më shpëto”. Pastaj ligjërata është e vrullshme, e menjëhershme dhe e ngutshme. Këta njerëz të paperëndishëm janë të etur për gjakun e tij. Në mënyrë të pamëshirshme mezi presin rastin për ta vrarë; ata bashkohen në një përpjekje të vetme për ta zhdukur. Edhe pse është shumë e padrejtë psalmisti nuk është fajtor për mashtrim dhe pabesi, gjëra për të cilat e padisin. Përgatitjet e tyre të ethshme nuk nxiteshin nga ndonjë gabim nga ana e tij. Vetëm Perëndia mund të ngrihej dhe të shkonte për ta shpëtuar Davidin!

59:5 Për një çast biri i Isait u duk sikur pa përtej armiqve të tij tërë armiqtë e Izraelit dhe i bën thirrje Perëndisë të kryejë një vepër të menjëhershme ndëshkimi. Këtu ai i drejtohet Perëndisë si Jehovah, Elohim Saboath, Elohe Izrael, një përsëritje e emrave të Perëndisë që ka si qëllim të shprehë gjithçka që Ai është në qenien e Tij thelbësore dhe në lidhjen e Tij praktike me Izraelin.

59:6,7 Si një tufë e organizuar qensh të egër kthehen të kapin psalmistin, duke angullirë dhe duke u sjellë rrotull për pre. Lehja e tyre e pareshtur, hungërimat e tyre që skërmiten mbushin qiellin. Ata në mënyrë arrogante mendojnë se janë të paprekshëm nga shkatërrimi.

59:8,9 Por ata njihen nga Zoti – dhe Ai qesh me marrëzinë e tyre të pashpirt, i njëjti Perëndi që shikon poshtë kombet që mburren duke i tallur. Ky Perëndi i madh është forca e Davidit, Ai drejt të cilit hedh sytë dhe është kështjella e tij.

59:10 Dikush na ka dhënë këtë parafrazë të paharrueshme të vargut 10a: “Perëndia im, me dashamirësinë e tij, do të më dalë përballë në çdo cep”. Çfarë ngushëllimi për shpirtrat e çdo epoke në provë! Lidhur me këtë siguri është njohja se Perëndia do të na ruajë që të shohim këtë shkatërrim të armiqve tanë.

59:11-13 Lutja e vargut 11 është e përveçme. Davidi i kërkon Zotit që të mos e vrasë armikun menjëherë, që populli i Izraelit të marrë mendime të ndritura për sa i përket seriozitet të mëkatit. Nëse ndëshkimi bëhet shkallë-shkallë, ashpërsia e Perëndisë do të jetë më e paharrueshme për ta. Por është e qartë nga ajo që vijon se shkatërrimi përfundimtar përfshihet në katalogun e gjykimeve kobzeza që psalmisti specifikon për përndjekësit e tij. Ai lutet që ata të shpërndahen nga fuqia e Perëndisë dhe të rrëzohen nga Zoti që ruan Izraelin. Ai kërkon që ata të kapen ndërsa po nxjerrin në pah kryelartësinë e tyre dhe do të japin llogari për fjalët e tyre mëkatare dhe të liga. Së fundi, ai lutet që ata të shkatërrohen përfundimisht për të folurën e tyre të mallkimeve dhe të gënjeshtrave. Pastaj në fund bota do ta dijë nga lindja në perëndim se Perëndia kujdeset me të vërtetë për pasardhjen e Jakobit.

59:14,15 Ndërkohë qentë njerëzorë kthehen qytet për të kërkuar psalmistin, duke hungëritur, duke u sjellë rrotull për pre dhe duke angullirë për jetën e tij dhe zemërohen kur nuk ia arrijnë qëllimit.

59:16,17 Qentë hungërijnë në mbrëmje, por biri i Isait këndon në mëngjes. Ai po ngre lart fuqinë dhe mirësinë e Zotit, sepse Ai i ka siguruar një kështjellë dhe një strehë ditën e nevojës së madhe. Mëngjesi po vjen për tërë popullin e Perëndisë kur armiqtë e tij nuk do të jenë më dhe kur fuqia dhe dashuria e Shpëtimtarit do të jetë tema e këngës së pafund.

Psalmi 60: Shpresa jonë është në Zotin

Sipas titullit, sfondi historik i këtij psalmi është kur Davidi luftoi kundër sirëve të Mesopotamisë dhe sirëve të Tsobahut dhe Joabi, duke u kthyer, mundi dymbëdhjetë mijë idumej në Luginën e Kripës. Duket se ka pasur një tërheqje të përkohshme në këtë luftë me Sirinë dhe Edomin (2 Sam. 8:3-14), duke e nxitur Davidin që të tundte portat e qiellit me lutjen e tij të padurueshme për ndihmë.

Skica e psalmit është si më poshtë:

1. Mundja e Izraelit e ardhur nga Zoti (v. 1-4).

2. Shpresa e Izraelit është në Zotin (v. 5).

3. Fitorja e rastit e premtuar nga Zoti (v. 6-8).

4. Nevoja e Izraelit vjen nga Zoti (v. 9-11).

5. Besimi i Izraelit është në Zotin (v. 12).

Mundja e Izraelit e ardhur nga Zoti (60:1-4).

60:1-3 Ndërsa studion të dhënat e ngjarjeve të shkaktuara nga lidhja edomito-sire, Davidi e interpreton fatkeqësinë si një tregues të braktisjes së popullit nga ana e Zotit. Kjo mund të nënkuptojë se Perëndia ka refuzuar Izraelin. Në zemërimin e Tij ai e ka bërë të kotë mbrojtjen e kombit, duke e lënë pa shpresë përballë sulmit të armikut. Tani a nuk është koha që Zoti të kthehet me mëshirë dhe të ripërtërijë forcat e Tij të dërrmuara?

Duket sikur vendi është çarë nga një tërmet i madh. Themelet ekonomike, politike dhe shoqërore të kombit janë çarë. Muret e shoqërisë, të dobësuara nga të çarat midis tyre, po lëkunden. Vetëm Zoti mund të ndreqë thyerjet dhe të kthejë popullin e Tij në një farë normaliteti!

Popullsia ka kaluar nëpër një provë zjarri. Vera e vuajtjes dhe e mundjes i ka bërë që të lëkunden si një pijanec.

60:4 Ky varg në origjinal është pak a shumë i mjegullt. Mund të nënkuptojë, siç është përkthyer në NKJV, se Zoti shpalos një flamur për ata që kanë frikë nga Ai, që ta ngrenë në favor të së vërtetës. Por versioni RV paraqet një kuptim krejt të kundërt:

Ti u ke dhënë një flamur atyre që të kanë frikë, që ata të largohen para harkut.

Davidi do të qahej me sarkazëm të demaskuar se flamuri i Perëndisë që ka ngritur për Izraelin nuk është flamur fitoreje, por mundjeje, një flamur që shënon tërheqjen para forcave të armikut.

Shpresa e Izraelit është në Zotin (60:5).

Lutja lind nga hiri i mundjes përulëse. Duke folur si për veten e tij e si për popullin e tij si “I Dashuri yt”, psalmisti i lutet Zotit për çlirim, fitore dhe përtëritje komunikimi. “Oh, eja dhe çliro miqtë e Tu, ndihmo me dorën Tënde të djathtë dhe përgjigju” (Galineau).

Fitorja e rastit e premtuar nga Zoti (60:6-8).

60:6,7 Vargjet 6-8 formojnë një orakull hyjnor në të cilin zëri i Perëndisë, dëgjuar në shenjtërore, shpreh vendosmërinë e Tij për të pushtuar përsëri vendin e Izraelit dhe për të mundur armiqtë paganë.

Sikemi, Sukothi, Galaadi, Manasi, Efraimi dhe Juda janë trojet judaike. Perëndia i shpall ato si të Tijat. Ai do të ndajë Sikemin, në perëndim të Jordanit dhe luginën e Sukothit në lindje. Ai do të zotërojë vendin transjordanian të Galaadit dhe dy trojet e Manasit, njërën në dy anët e Jordanit.

Efraimi, i vendndodhur në qendër të Izraelit, është forca e kokës së Tij, fisi që do të marrë drejtimin në mbrojtjen kombëtare. Dhe Juda është skeptri i Tij; sipas profecisë së Jakobit para se të vdiste (Zanafilla 49:10), ai do të jetë selia qeverisëse.

60:8 Pastaj duke u kthyer te tre kombet fqinje, Zoti pohon sundimin e Tij mbi to. Moabi, i vendndodhur në juglindje të bregdetit të Detit të Vdekur, do të jetë legeni i Tij. Ai do të hedhë sandalin e Tij mbi Edomin, një figurë që nënkupton zotërimin e skllavërinë e dhunshme dhe mbase përçmim. Në vendin e filistenjve do të ketë britma fitoreje për shkak të gjykimeve të Perëndisë.

Nevoja e Izraelit vjen nga Zoti (60:9-11).

60:9 Duket qartë se folësi ndryshon në këtë pikë [44]. Nuk mund të bëhet fjalë për zërin e Zotit, sepse Ai nuk ka nevojë për askënd që ta çojë në qytetin e fortë. Kështu mendojmë se këto janë fjalët e Davidit, duke dëshiruar flakë ditën kur kryeqyteti i Edomit (i quajtur Bozrah, më pas Sela dhe Petra) do të bjerë në duart e izraelitëve. Sigurisht, qyteti këtu përfaqëson tërë vendin e Edomit. Davidi dëshiron që të mund të jetë një mjet për të përmbushur qëllimin e Perëndisë, për të hedhur sandalin e Tij mbi të.

60:10 Por është një shpresë e kotë për çastin, sepse Perëndia ka fshehur fytyrën e Tij nga populli. Ai i ka prapsur. Ai nuk i shoqëron ushtritë e Izraelit si një garanci fitoreje.

60:11 Kështu Davidi lutet që Perëndia të luftojë edhe një herë në krah të popullit të Tij të shqetësuar. Ndihma hyjnore është e domosdoshme; ndihma e njeriut është e kotë.

Besimi i Izraelit është në Zotin (60:12).

Psalmi mbyllet me një notë besimi. Me ndihmën e Perëndisë ushtria e Izraelit sigurohet për një fitore të madhe. Armiqtë e tyre do të shtypen në këmbët e Tij.

Zbatimi.

Armiqtë e besimtarit janë bota, mishi dhe djalli. Në vetvete ai nuk ka fuqi të dalë fitimtar mbi ta. Dhe ndihma e njerëzve të tjerë është e pamjaftueshme, pavarësisht se sa të mirëqena janë. Por ka fitore me anë të Zotit Jezus Krisht. Ata që besojnë në Të për çlirim nuk do të zhgënjehen kurrë.

Psalmi 60 do të ketë një përmbushje përfundimtare në ditët e fundit kur pjesa e mbetur e judenjve, të rrënuar dhe zemërlëshuar, do të shohin nga Mesia për shpëtim dhe triumf. Atëherë vendi i Izraelit do të ndahet midis fiseve dhe armiqtë e kombit do ta kenë punën pisk.

Psalmi 61: Shkëmbi që është më i lartë se unë

Davidi kishte një marrëdhënie të mrekullueshme me Zotin. Për të Perëndia ishte:

. . . një Realitet i gjallë dhe i ndritur,

më i pranishëm për vegimin e mprehtë të besimit

sesa ndonjë objekt tokësor.

Më i dashur, më i afërt

se ndonjë lidhje e ngushtë tokësore.

Anonim

Sidomos në kohë rreziku, kur situata duket krejt pa shpresë, ai kishte mësuar të hidhte barrën e tij në Zotin dhe ta linte atje.

Këtu kemi edhe një prej atyre gjendjeve të vështira të ankthit. Shtypja e rrethanave ngre nga zemra e tij një lutje që rrallë është tejkaluar për mprehtësinë dhe qartësinë e pastër. Është bërë gjuha pa kohë e mijëra njerëzve të Perëndisë ndërsa kanë kaluar nëpër përndjekje, dhimbje dhe vuajtje, sepse thotë atë që ndiejnë, por që nuk mund të shprehet aq mirë.

61:1 Në dhomën e fronit të gjithësisë del zëri i njohur i Davidit:

O Perëndi, dëgjo britmën time; dëgjo me vëmendje lutjen time.

Zemra e Perëndisë është gëzuar. Besimi prej fëmije i shërbëtorit të Tij siguron dëgjesën e menjëhershme të Sovranit.

61:2 Nga skaji i tokës unë të bërtas ty, ndërsa zemra ime po shkrihet.

Psalmisti nuk është në skajin e tokës në kuptimin e plotë të fjalës, por ndodhet në vendin më të skajshëm ku siguria dhe çlirimi duken të largëta, ku mbaron jeta dhe fillon vdekja. Nga ana fizike dhe emocionale ai është i fikur, por di se froni i hirit është vetëm një hap larg, kështu që ai afrohet për të marrë mëshirë dhe gjen hir për ndihmë në kohë nevoje. “Largësia” – ka thënë dikush – “është e papërfillshme dhe asnjë vështirësi e madhe jete nuk bllokon lutjen”.

Më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë.

Një instinkt i vërtetë frymëror mëson Davidin se ka nevojë për një shkëmb për mbrojtje, që shkëmbi të jetë më i lartë se ai dhe se ka nevojë për drejtim hyjnor për të mbërritur tek ai. Zoti, sigurisht, është Shkëmbi (2 Sam. 22:32); metafora nuk është përdorur për ndonjë njeri të thjeshtë në Bibël [45]. Shkëmbi duhet të jetë dikush që është më i madh se njeriu; përndryshe njeriu nuk mund të gjejë strehë në të. Kjo çon në hyjninë e Krishtit (dhe rastësisht shkëmbi duhet të jetë i çarë për të siguruar një vend fshehjeje nga armiku). Së fundi, Davidi pranon se nuk ka diturinë apo forcën për të drejtuar hapat e veta, kështu që i kërkon Zotit ta drejtojë Ai – Shkëmbi i përjetësisë.

61:3 Sepse ti ke qenë një strehë për mua dhe një kështjellë e fortifikuar para armikut.

Këto fjalë pohojnë se Perëndia është Shkëmbi. Davidi vërtetoi se Ai është streha e besueshme dhe një kështjellë force në të cilën i drejti mund të gjejë siguri (Fja. 18:10). Ashtu siç ka qenë, ashtu do të jetë.

61:4 Unë do të banoj në çadrën tënde përgjithnjë, do të kërkoj strehë në hijen e krahëve të tu. (Sela)

Lutje si kjo nuk mund të rrinë pa prekur fronin e Perëndisë! Një dashuri e tillë e ëmbël dhe një besim i thjeshtë nuk mund të kundërshtohen kurrë. Nuk është për t’u çuditur që Perëndia e quan Davidin njeri sipas zemrës të Tij (1 Sam. 13:14). Shprehja “strehë në hijen e krahëve të Tu” mund të jetë një nënkuptim i krahëve të kerubinit që mbulon pajtuesin e spërkatur me gjak.

61:5 Sepse ti, o Perëndi, ke plotësuar kërkesat e mia, më ke dhënë trashëgiminë e atyre që kanë frikë nga emri yt.

Fjala trashëgiminë nënkuptonte në DhV vendin e Kanaanit (Eks. 6:8), popullin e Izraelit (Psa. 94:5), Fjalën e Perëndisë (Psa. 119:111), fëmijët në një familje (Psa. 127:3), imunitetin nga dëmtimi (Is. 54:17) dhe së fundi tabernakullin apo tempullin (Jer. 12:7). Ky i fundit ka gjasa të jetë domethënia e parë këtu, meqë vargu i mëparshëm përmend çadrën e Perëndisë dhe nënkupton kerubinin. Sot, ne do të mendojmë për trashëgiminë e atyre që kanë frikë nga emri i Perëndisë si për jetën e përjetshme (Kol. 1:12).

61:6,7 Ti do t’i shtosh ditë të tjera jetës së mbretit; vitet e tij vazhdofshin për shumë breza.

Ai do të qëndrojë përgjithnjë në prani të Perëndisë; jepi urdhër mirësisë dhe së vërtetës ta ruajnë.

Është interesante se në këto dy vargje Davidi shkon nga veta e parë në të tretën. Është interesante, sepse ndërsa po i referohej pa dyshim vetes dhe besëlidhjes që Perëndia bëri me të (2 Sam. 7), fjalët e tij i përshtaten më mirë një Mbreti tjetër. Nëse ia zbatojmë këto fjalë Davidit, ato mund të kuptohen si kërkesë për një jetë të gjatë për veten e tij dhe zgjatje të përjetshme të mbretërisë së tij. Por duke ia zbatuar Zotit Jezus, ato janë të përmbushura fjalë për fjalë:

1. Jeta e Tij u zgjat pafundësisht, pavarësisht nga përndjekja (Heb. 7:16).

2. Vitet e Tij do të zgjasin brez pas brezi (Heb. 1:12).

3. Ai do të kurorëzohet përgjithmonë para Perëndisë (Heb. 1:8).

4. Dashuria dhe besnikëria e qëndrueshme do të qëndrojë mbi Të, si truprojë (Psa. 91:1-16).

Edhe komenti i lashtë judaik në Targum thotë se këtu bëhet fjalë për Mbretin Mesi.

61:8 Kështu do t’i këndoj përjetë lavde emrit tend dhe do t’i plotësoj zotimet e mia ditë për ditë.

Dhe kështu psalmi që u hap në vështirësi të mëdha mbyllet në qetësi. Davidi arriti Shkëmbin që është më i lartë se vetvetja dhe kështu është aq mirënjohës sa vendos të këndojë lëvdimet e Zotit vazhdimisht, duke mbajtur zotimet e tij të adhurimit, dashurisë dhe të shërbimit. Ai nuk do të jetë si ata që bëjnë zotime të tepruara kur janë të shtypur, pastaj menjëherë i harrojnë kur kalon kriza. Ai nuk do të jetë si ata që “kërcejnë në lutje, por çalojnë në lavdërim”.

Psalmi 61 ka frymëzuar këtë himn të dashur:

Oh, ndonjëherë hijet janë të thella,

dhe i ashpër duket shtegu i qëllimit;

dhe brengat, ndonjëherë sa shumë qëndrojnë

si stuhi në shpirtin tim!

Refreni:

Oh, te Shkëmbi do të fluturoj,

te Shkëmbi që është më i lartë se unë;

oh, te Shkëmbi do të fluturoj,

te Shkëmbi që është më i lartë se unë.

Oh, ndonjëherë sa e gjatë duket dita,

dhe ndonjëherë sa rraskapitur janë këmbët e mia;

por duke u këputur në udhën me pluhur të jetës,

Shkëmbi është hija e bekuar, sa bukur!

Oh, afër Shkëmbit do të mbahem,

nëse më kapin bekimet apo brengat,

ose duke kapërcyer udhën e thepisur të malit,

ose duke ecur në luginën e errët.

Erastus Xhonsën (Erastus Johnson)

Psalmi 62: Vetëm Perëndia!

Mesazhi i Psalmi 62 është se Perëndia është streha e vetme e vërtetë. Përsëritja e fjalës vetëm thekson të drejtën e Tij të përveçme për besimin tonë të plotë dhe të pandashëm.

Midis shumë mënyrave të bukura në të cilat paraqitet Ai janë:

burimi i shpëtimit tonë (v. 1b, 2a, 6a, 7a),

kështjella jonë (v. 2a, 6a, 7b),

streha jonë (2c, 6c),

baza e shpresës sonë (v. 5c),

lavdia jonë (v. 7a),

streha jonë (v. 7b,8b),

burimi i fuqisë (v. 11b),

burimi i mirësisë (v. 12a).

Çdokush që e bën Perëndinë bazën e besimit dhe forcës së tij ka besimet e mëposhtme:

ai nuk do të luajë kurrë (v. 2b);

ai do të ketë guxim të qortojë armiqtë e tij (v. 3);

ai mund të shohë përtej planeve dhe strategjive të tyre (v. 4);

ai nuk do të luajë kurrë (v. 6b);

ai do të dojë që të tjerët të njohin gëzimin e besimit te Perëndia (v. 8).

Ka pesë objekte të tjera në të cilat zakonisht njerëzit besojnë, por një besim i tillë të çon drejt zhgënjimit: 1. Njerëzit e shtresës së ulët, pra, njerëzit e thjeshtë, janë sa konkretë aq edhe kalimtarë si avulli; 2. Njerëzit e shtresës së lartë, qofshin sunduesit apo njerëzit e pasur, janë një zhgënjim në atë që duken se ofrojnë ndihmë dhe siguri, por tek ata nuk mund të varesh. I vini fundërrinat apo elitën në peshore dhe ata janë të papeshë për sa i përket besueshmërisë; 3. Zhvatja është një metodë e marrë për t’u mbështetur tek ajo: “kjo sjell mallkimin e Perëndisë”; 4. Grabitja mund të duket si një rrugë e shpejtë për fuqi dhe pasuri, por fitimi i padrejtë është i caktuar për gjykimin e Perëndisë; 5. Edhe pasuritë e fituara me mjete të padrejta nuk duhet të zënë vendin e Zotit në dashuritë dhe shërbimin tonë. Mejeri (F. B. Meyer) ka shkruar: “Sa herë kemi kërkuar ndihmë nga njerëzit dhe paratë më kot – por Perëndia nuk na ka lënë duarbosh”.

Duket sikur ky psalm është frymëzuar nga kryengritja e Absalomit. Kryengritësit kishin dalë për të copëtuar Davidin sikur të ishte një mur që bën bark dhe një gardh që lëkundet. Qëllimi i tyre ishte ta rrëzonin nga lartësia e tij, pra, nga froni i tij. Ndërsa mëtonin besnikëri ata po kurdisnin mashtrime. Mbreti i arratisur nxit të besuarit e tij të ruanin besimin e tyre të palëkundshëm në Zotin. Armiqtë e tij po besonin te njerëzit, por nuk kishte shpëtim në asnjë prej tyre. Besimi i tij ishte në Zotin. Në mënyrë të përsëritur Zoti e kishte siguruar se Ai është kryeburimi i fuqisë dhe i dashurisë; që fuqia e Tij përdoret për të çliruar besnikun dhe për të ndëshkuar armiqtë; se dashuria e Tij përdoret për të ngushëlluar e bekuar popullin e Tij. Ai do të shohë se drejtësia ushtrohet për të gjithë ata që nuk e pranojnë hirin e Tij.

Komenti i Xhon Donit (John Donne) për këtë psalm është i paharrueshëm:

Ai është shkëmbi, shpëtimi, mbrojtja, streha dhe lavdia ime.

Nëse është streha ime, cili armik mund të më ndjekë?

Nëse është mbrojtja ime, çfarë tundimi mund të më plagosë?

Nëse është shkëmbi im, çfarë stuhie mund të më trondisë?

Nëse është shpëtimi im, çfarë trishtimi mund të më ligështojë?

Nëse është lavdia ime, çfarë thashethemi mund të më përgojojë?

Psalmi 63: Më mirë se jeta

I shfronësuar përkohësisht, Davidi po udhëton përgjatë shkretëtirës së Judës në mërgimin e tij të detyruar drejt lindjes në Jordan (2 Sam. 15:23-28; 16:2; 17:16). Edhe pse gjendja politike e mbretit është në një zbaticë të fortë, gjallëria e tij frymërore është e lartë.

63:1 Është mahnitëse ta dëgjojmë atë tek i thërret Perëndisë si të vetin: “O Perëndi, ti je Perëndia im”. Fjalët në vetvete janë të thjeshta dhe fëminore, por përmbajnë një botë me kuptime. Perëndia im – një marrëdhënie intime dhe vetjake, Perëndia im – një thesar i qëndrueshëm kur gjithçka tjetër nuk ekziston, Perëndia im – një burim i mjaftueshëm në çdo krizë.

Dhe është e thjeshtë të vëmë re pasionin e psalmistit për Perëndinë, sidomos kur kujtojmë se sa të ftohtë dhe mosbesues jemi. Ai e ndiqte Zotin në mëngjesnë mëngjes në jetë dhe në mëngjes çdo ditë. Dhe ai e ndiqte atë me një zjarr që nuk mund të mohohet. Shpirti i tij kishte etje për Perëndinë, mishi i tij tretej për Të – që do të thotë se tërë qenia e tij kërkonte përbashkësi me Zotin. Dëshira e tij e zjarrtë ishte po aq e fortë sa edhe etja e një udhëtari në tokë të thatë, djerrë dhe pa ujë. Kjo, rastësisht, është një përshkrim i mirë i botës – një shkretërirë djerrë.

63:2 Duke kujtuar ai kthehet në ato kohë kur adhuronte në shenjtërore në Jerusalem, në ato çaste të paharrueshme kur, mbërthyer në ekstazën e soditjes së shenjtë, shikonte Perëndinë në tërë forcën dhe lavdinë e Tij. Tashmë shpirti i tij nuk mund të kënaqet me ndonjë gjë tjetër veç rishfaqjes së Zotit në shkëlqim dhe fuqi. Disa e quajnë vegim i bekuar – këtë pamje të Perëndisë në lavdinë e Tij hyjnore. Sido që të quhet, është një përvojë që bën të duken tërë lavditë e tjera të kapitura dhe të mërzitshme.

Qofsh Ti vegimi im, o Zot i zemrës sime –

asgjë tjetër mos pastë rëndësi për mua, shpëtimi im je Ti;

Ti qofsh mendimi im më i mirë, ditën dhe natën –

duke ecur apo duke fjetur, prania Jote qoftë drita ime.

Himn irlandez i shekullit të t-8, përkthyer nga Meri B.. (Mary E. Byrne), hedhur në vargje nga Eleanor H. Hill.

63:3,4 Pastaj që nga shkretëtira e papëlqyeshme e Judës del një ndër rapsoditë më të mëdha të adhurimit.

Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta,

buzët e mia do të të lëvdojnë.

Kështu do të të bekoj derisa të jetoj

dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.

Mirësia e Zotit vlen më tepër se çdo gjë tjetër që jeta mund të sjellë. Buzët njerëzore quhen të përdorura më mirë kur lavdërojnë Atë. Jeta nuk do të mjaftonte për t’u harxhuar duke bekuar Atë. Duart tona regëtijnë me kënaqësi kur ngrihen drejt Tij në lavdërim dhe lutje.

63:5-8 Asnjë gosti nuk është si kjo përbashkësi e shenjtë. Shpirtrat tanë ushqehen me ëmbëlsirat më të zgjedhura dhe buzët e gëzuara përgjigjen me falënderime mahnitëse ndërsa kalojmë orët pa gjumë të natës duke përsiatur mbi Zotin tonë të lavdishëm. Çfarë ndihmë ka qenë Ai për ne – cili mund të masë gjithçka që ka bërë Ai për ne? Të mbuluar nga krahët e Tij, ne ngrejmë këngën tonë të gëzueshme. Ndërsa kapemi pas Tij në varësi të dashur dhe në nevojë të vetëdijshme, Ai na ruan nga rreziqet e dukshme dhe të padukshme dhe na bën të aftë të rendim me guxim drejt marrjes së çmimit.

63:9,10 “Armiqtë?” – thoni ju. “Oh, po, unë kam armiq, njerëz që janë të vendosur të më fshijnë nga faqja e dheut. Por ata janë caktuar për shkatërrim. Ata do të vdesin me një vdekje të dhimbshme dhe do të vuajnë fatkeqësinë e të mospasurit një varrosje të hijshme”.

63:11 “Po unë do të vazhdoj të gëzohem në Perëndinë. Në fakt, kushdo që betohet për besnikëri ndaj Tij do të marrë pjesë në festim, ndërsa atyre që pëlqejnë gënjeshtrën do t’u mbyllet goja”.

Psalmi 64: Harqet dhe shigjetat

Dy ballafaqime me harqe shfaqen në Psalmin 64. Ngjarja parapërgatitore është midis të ligut dhe të drejtëve (v. 1-6). Ngjarja kryesore është midis Perëndisë dhe të ligut (v. 7-10).

64:1-6 Beteja e parë duket se është plotësisht e njëanshme. Davidit të drejtë i janë kundërvënë një mori të pabindurish. Ai nuk ka shigjeta; kukurat e tyre janë plot. Por ai ka armën e fshehtë të lutjes dhe e përdor për të rekrutuar ndihmën e Partnerit të Tij të padukshëm. Më së pari, ai ngre zërin e tij drejt Perëndisë për ruajtje nga tmerri dhe për mbrojtje nga dredhitë e njerëzve të këqinj. Pastaj i jep Perëndisë një njoftim të zgjuar rreth armikut. Gjuhët e tyre janë të mprehta si një shpatë e hollë. Ata në vend të shigjetave lëshojnë padi – fjalë të hidhura qortimi. Sulmet e tyre vijnë papritur, fshehurazi nga qorrsokakët dhe pa frikë kundërsulmi. Ata janë të palëkundshëm në vendosmërinë e tyre për të shkatërruar të pafajshmin. Ndërsa thurin kurthe ndaj psalmistit në fshehtësi, mendojnë se janë të pazbulueshëm. “Ata i kanë menduar mirë planet e tyre, secili me një zemër dinake, secili në dinakërinë e tij më të thellë” (v. 6, Moffatt).

64:7 Gjithçka duket se është në anën e të pabindurve. Por i drejti kapet pas premtimit: “Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë” (Eks. 14:14). “Sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë” (2 Kor. 20:15).

64:8 Kështu në ballafaqimin e dytë shohim Perëndinë që gjuan shigjetën (njëjës) e Tij drejt tyre. Ata janë bërë shënjestër qitjeje. Ata do të bien përtokë. Perëndia bën që fjalët e tyre të liga të bien mbi ta dhe tërë shikuesit do të largohen të tmerruar.

64:9,10 Rrjedhoja do të jetë që një ndjenjë frikë do të kapë popullsinë. Fjala do të përhapet shpejt dhe njerëzit do të kuptojnë se i drejti ka triumfuar. Kjo bën që njerëzit e drejtë të gëzohen dhe, sigurisht, të kërkojnë strehë në Jehovahun. Të gjithë ata që duan atë që është e drejtë do të festojnë.

Psalmi 65: Kënga mijëvjeçare e të korrave

Ndërsa Psalmi 65 është përdorur përgjithësisht si një këngë klasike e “shtëpisë së të korrave”, mund të ketë pak dyshime se interpretimi i tij parësor ka të bëjë me kushtet e Ardhjes së Dytë të Zotit.

65:1 Gjatë shekujve të gjatë të largimit të Izraelit nga Perëndia, Sioni ka qenë shterpë për sa i përket lëvdimitPerëndisë. Po kur populli i lashtë i Perëndisë do të ripërtërihet, lëvdimi do ta presë atje në heshtje plot frikë dhe nderim. Para Tij do të kryhen zotimet në fund. Kjo mund të nënkuptojë zotimet e Tij që çdo gju do të përkulet (Is. 45:23). Mund t’i referohen zotimit të Mesias te Psalmi 22:22: “Do të të lëvdoj në mes të kuvendit”. Ose mund të nënkuptojnë zotimin e dashurisë, adhurimit dhe shërbimit që pjesa e mbetur e përndjekur do të përjetojë gjatë vuajtjeve të tmerrshme të Mundimit të Madh.

65:2 Ndërsa në vargun e parë tema ishte Izraeli, këtu kjo temë zgjerohet duke përfshirë tërë njerëzimin. Perëndia njihet nga titulli i madh dhe fisnik: “Te ti, që plotëson lutjen”. Kombet e kthyera do të mbështeten tek Ai në lutje besuese.

65:3 Është e rëndësishme të vëmë re ndryshimin e folësit këtu. Në fjalinë e parë Mesia po rrëfen veprën e Tij shlyese në Kalvar kur u copëtua përbrenda nga barra e tmerrshme e mëkatit. Por pjesa e mbetur e judenjve pranon menjëherë se nuk ishin mëkatet e Tij, por “shkeljet tona”. Ata thonë: “Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar” (Is. 53:5). Dhe sapo Izraeli bën këtë rrëfim të fajit, ata do të kenë sigurinë se shkeljet e tyre janë falur të gjitha.

65:4 Përsëri na bëhet e ditur se pjesa e parë e vargut flet për Jezus Mesian, ndërsa pjesa e dytë është gjuha e Izraelit të shpenguar. Biri i bekuar i Perëndisë është Ai që Perëndia ka zgjedhur, ashtu siç lexojmë tek Isaia 42:1: “. . . i zgjedhuri im që më kënaq shpirtin”. Gjithashtu është Ai që Perëndia afroi pranë Vetes – një prift përgjithmonë sipas rendit të Melkisedekut. Ai do të banojë në oborret e Zotit, në vendin e afrisë së veçantë ndaj Tij.

Atëherë pjesa e mbetur shpreh besimin e saj të kënaqësisë së plotë me të mirat e shtëpisë së Perëndisë, pra, me gjërat e shenjta të tempullit të Tij. Kjo referencë e tempullit bën që disa të vënë në diskutim autorësinë e Davidit të Psalmit, meqë tempulli nuk qe ndërtuar me gjallje të Davidit. Megjithatë vështirësia zhduket kur kuptojmë se fjala tempull përdorej ndonjëherë për të përshkruar tabernakullin para se të ndërtohej tempulli i Salomonit (1 Sam. 1:9; 3:3; 2 Sam. 22:7).

65:5-7 Pjesa e mbetur po flet akoma. Në përgjigje të lutjeve të tyre, Zoti me të drejtë ndëshkon armiqtë e tyre me gjykime të tmerrshme. Prandaj Ai shfaq Veten si Perëndia i shpëtimit dhe i shpresës së njerëzve në tërë tokën dhe detet e largëta. Çfarë Perëndie i madh është! Me gjithë fuqinë e brezit të Tij, Ai i ka bërë malet të qëndrueshme në vendin e tyre me një vepër mbifuqie. Ai nuk e ka për gjë të qetësojë detet e zhurmshme, tërbimin e valëve të tyre (në Detin e Galilesë, për shembull). Ose të shtypë tërbimin e popujve johebrenj, për atë çështje.

65:8 Nuk është për t’u çuditur që jobesimtarët në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë dhe çuditë që Perëndia kryen për ta. Ose besimtarët në vendet e lindjes dhe të perëndimit që shpërthejnë britma gëzimi.

65:9 Kurse vargjet 9-13 përshkruajnë vitin e korrjes nga mbjellja deri te korrja. I përkasin në mënyrë të veçantë gjendjes së Mijëvjeçarit kur mallkimi do të largohet dhe të korrat e bollshme do të sundojnë ngado.

Koha e pranverës është si një vizitë nga Perëndia. Ai dërgon ujin nga lumi i Tij i tejmbushur – retë që rrjedhin nga qielli. Atëherë kur toka të përgatitet, Ai parashikon farën për t’u mbjellë.

65:10 Gjatë stinës së rritjes, brazdat e pluguara ujiten, shiu përzien plisat dhe e zbut tokën. Shumë shpejt të korrat do të vërshojnë me bollëk.

65:11-13 Perëndia kurorëzon ciklin rritës me bujarinë e Tij. Atje ku kanë shkelur këmbët e Tij, atje rrjedh uji i bollëkut (Knox). Kullotat prodhojnë së tepërmi tagji për bagëtitë. Kodrinat janë të mbushura me bar të njomë, si të hareshme nga gëzimi. Kullotat veshin një mbulesë si lëkurë delesh, mbuluar sikur të ishin kope të panumërta. Gruri i pjekur përkulet në lëvizje ritmike përgjatë shtratit të luginave. Duket se tërë natyra kremton mbërritjen e kohës së Mesias.

Psalmi 66: Eja, shiko dhe dëgjo!

66:1-4 Në katër vargjet e parë psalmisti i bën thirrje tërë tokës të bashkohet në këngën e lavdërimeve ndaj Perëndisë. Ajo duhet të jetë një këngë gëzimi dhe që kremton shkëlqimet e emrit të Tij. Lëvdimi duhet të jetë i lavdishëm, sepse Ai që merr lëvdimin është i tillë. Janë dhënë vetë fjalët e këngës së adhurimit universal. Ne mund t’i parafrazojmë ato si më poshtë:

O Zot, veprat e Tua janë të mahnitshme. Fuqia jote është aq dërrmuese saqë armiqtë e Tu struken para Teje. Në fund e tërë toka do të përkulet para Teje në adhurim. Kudo njerëzit do të lëvdojnë emrin Tënd me këngë.

Kjo këngë pa dyshim do të jetë më e përdorshmja kur do të mbërrijë koha e mbretërisë.

66:5-7 Përsëritja e përemrit ne në vargjet 5-12 na shtyn të besojmë se këto janë ndjenjat ungjillore të pjesës së mbetur të judenjve në ditët e fundit ndërsa ftojnë kombet të mendojnë rreth gjërave të çuditshme që Perëndia ka bërë për Izraelin. Dy shfaqje të mahnitshme të fuqisë së Tij duhet të na vijnë ndërmend. Ai bëri një rrugë të gjerë toke të thatë përmes Detit të Kuq. Dhe kur izraelitët kaluan lumin Jordan dyzet vjet më pas, ata ishin të aftë të kalonin pa u lagur. Çfarë ngazëllimi ka shpërthyer atëherë në Izrael! Populli ngazëllohej në Perëndinë, sundimi i fuqishëm i të cilit nuk mbaron kurrë dhe sytë e të cilit shikojnë nga afër kombet. Është marrëzi që dikush të ngrejë krye kundër një Perëndie të tillë.

66:8-12 Johebrenjtë duhet të bekojnë gjithashtu Perëndinë për mënyrën e mrekullueshme me të cilën ka ruajtur popullin e Izraelit. Në një radhë të shpejtë të përshkrimit Izraeli paraqitet si:

i vënë në provë si argjendi kur i nënshtrohet nxehtësisë së lartë të shkrirësit (v. 10);

i burgosur si në një rrjetë (11a);

i shkelur nga njerëzit e ligj (12a);

i përballur me rreziqet e frikshme, sikur të kishin kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë (12b).

Megjithatë Perëndia nuk i lejoi të shtypeshin përfundimisht. Për më tepër i nxori jashtë në një vend të freskët – një referim për begatinë e tejbollshme të Izraelit gjatë Mijëvjeçarit. Ashtu siç ka thënë Uilliamsi (Williams):

Pavarësisht nga përpjekjet e pareshtura të Satanit dhe njeriut për të shkatërruar plotësisht Izraelin, dymbëdhjetë fiset e tij do të shfaqen në malin Sinai në mëngjesin e Mijëvjeçarit dhe do të tregojë të vërtetën e vargut nëntë. Ata do të dëshmojnë se ndëshkimi që ra mbi ta me të drejtë (v. 10-12) u planifikua me dashuri dhe u krye me dituri [46].

66:13-15 Në vargjet 13-20 përemrat unë dhe im tregojnë se kori është bërë solo. Disa komentues të mençur besojnë se folësi është Zoti Jezus, Mbreti dhe Kryeprifti i Madh i Izraelit. Ai vjen para Perëndisë me olokauste të një jete plotësisht të përkushtuar ndaj vullnetit të Atit të Tij. Ai mban zotimet e lëvdimit që kishte premtuar në kohë problemesh. Kjo mund t’i referohet vuajtjeve të Tij në kryq, ose vuajtjeve që ndjeu në vuajtjet e popullit të Tij, sepse “Në çdo hidhërim të tyre ai u hidhërua” (Is. 63:9).

Kur lexojmë këtu për olokauste, për flijime deshësh dhe oferta qesh dhe cjepësh, nuk duhet t’i marrim fjalë për fjalë, vetëm në rast se psalmisti fliste për përvojën e vet. Në lidhje me popullin e Tij Mesia i përdor këto si figura të adhurimit frymëror, që Ai dhe pjesa e mbetur do të sjellin. Megjithatë, kjo nuk mohon faktin se një sistem flijimesh i ndryshuar do të mund të zëvendësohet gjatë Mbretërisë.

66:16-19 Në vargun 5 ftesa ishte: “Ejani dhe admironi”. Këtu në vargun 16 ftesa është: “Ejani dhe dëgjoni”. Veprat e Perëndisë në histori mund të shihen, por marrëveshjet e Tij me shpirtin vetëm mund të dëgjohen. Mesia fton tërë njerëzit që kanë frikë nga Perëndia të dëgjojnë dëshminë e Tij të lutjes së përgjigjur. Ai i thirri Atij në përgjërim dhe përlëvdim. Referimi ka të bëjë me ditët e mishit të Tij kur “me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja” (Heb. 5:7). Nëse do të kishte ruajtur të keqen në zemrën e Tij, Zoti nuk do ta kishte dëgjuar. Por Ai ishte pa mëkat dhe kështu Ai mori përgjigje, “për shkak të mëshirës së tij” (Heb. 5:7, JND).

66:20 Dhe kjo frymëzoi shpërthimin e fundit në lëvdim:

Qoftë i bekuar Perëndia,

që nuk e hodhi poshtë lutjen time

dhe nuk më mohoi mirësinë e tij!

Psalmi 67: Thirrja misionare e Izraelit.

Kur Perëndia thirri kombin e Izraelit pati si qëllim që kombi të kishte një karakter misionar. Ai duhet të ishte dëshmi, për kombet përreth, e dy të vërtetave të rëndësishme.

1. E vërteta e monoteizmit – që ka vetëm një Perëndi (Eks. 20:2,3; LiP. 6:4; Is. 43:10-12).

2. E vërteta që një popull i gjallë në bindje ndaj drejtimit të Jehovahut do të ishte i lumtur dhe i begatë (Lev. 26:3-12; LiP. 33:26-29; 1 i Kronikave 17:20; Jer. 33:9).

Nuk ishte vullneti i Perëndisë që Izraeli të ishte stacioni i fundit i bekimeve të Tij, por një kanal. Ka tregues të shumtë në tërë DhV që shpëtimi i Perëndisë ishte si për johebrenjtë ashtu dhe për judenjtë dhe që Izraeli si një mbretëri priftërore duhej të shërbente si ndërmjetës midis Perëndisë dhe kombeve.

Fatkeqësisht Izraeli dështoi në këtë aspekt të misionit të tij. Duke rënë në idhujtari, ai mohoi të vërtetat për të cilat ishte thirrur t’i shpallte.

Por qëllimet e Perëndisë nuk mund të munden aq shpejt. Gjatë Mundimit të Madh pjesa e mbetur e judenjve besimtarë do ta çojnë ungjillin e mbretërisë në tërë botën (Mt. 24:14). Dhe në mbretërinë që pason do të jenë kanal bekimi për kombet (Is. 61:6; Zak. 8:23).

67:1,2 Ky psalm pararend atë kohë. Në të dëgjojmë judenjtë besimtarë të cilët luten që Perëndia t’i bekojë në mënyrë që të mund të jenë mjetet e ungjillizimit të johebrenjve. Kur lexojmë fjalët: “Me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote” duhet të kujtojmë se Krishti është udha (Gjon. 14:6). Vetëm përmes Tij fuqia shpëtuese e Perëndisë mund të përjetohet nga kombet apo individët.

67:3,4 Në një shpërthim të jashtëzakonshëm entuziazmi misionar, Izraeli lutet që rrymat e mëdha të lëvdimit të ngjiten te Perëndia nga johebrenjtë, që kombet të gëzojnë një kohë festive kremtimi, ndërsa shijojnë sundimin mirëbërës dhe të barabartë të Krishtit dhe kujdesin e Tij të butë dhe baritor.

67:5 Ashtu si Izraeli dëshiron të dëgjojë Perëndinë të lëvduar nga tërë popujt e botës, Mejeri (F. B. Meyer) na kujton se po kështu duhet të “duam kurorët për kokën e Krishtit”.

67:6,7 Dy vargjet e fundit paraqesin Mijëvjeçarin si të mbërritur tashmë. Të korrat janë mbledhur dhe qilarët e hambarët po shpërthejnë. Kjo provë e bekimit të Perëndisë ndaj Izraelit do të jetë një dëshmi e fuqishme për kombet. Studiuesi hebre Franc Deliç (Franz Delitzsch) përmbledh: “Është në planin e Perëndisë që tërë e mira që ka treguar ndaj Izraelit do të jetë për mirëqenien e njerëzimit” [47].

Psalmi 68: Perëndia ynë po marshon!

Ky është himni kombëtar i Izraelit, në të cilin udhëtimi i arkës së besëlidhjes nga mali Sinai në malin Sion shihet si simbol i marshimit të Perëndisë në fitoren e fundit. Për judenjtë arka me të drejtë përfaqëson praninë e Perëndisë; kur lëvizte arka, edhe Perëndia lëvizte.

Është besuar përgjithësisht se kënga është kompozuar për të kremtuar një rast të veçantë në historinë e arkës – kthimin në malin Sion pas rrëmbimit të saj të palavdishëm nga filistenjtë dhe pas qëndrimit të saj në shtëpinë e Obed-Edomit (2 Sam. 6:2-18).

Ne mund të hyjmë më mirë në frymën e kësaj kënge marshuese nëse mund të shohim se ndahet në shtatë ndarjet vijuese:

1. Himni hyrës i lëvdimit ndaj Perëndisë (v. 1-6).

2. Lëvizja e arkës nga Sinai përmes shkretëtirës (v. 7,8).

3. Hyrja dhe pushtimi i vendit të Kanaanit (v. 9-14).

4. Pushtimi i Jerusalemit nga Davidi (v. 15-18).

5. Këngë lavdëruese ndaj Perëndisë për fitoret mbi jebusenjtë (v. 19-23).

6. Vargani që mban arkën drejt shenjtërores në Jerusalem (v. 24-27).

7. Turma festuese para fitores përfundimtare të Perëndisë (v. 28-35).

Në përbërjen e tij mesianike psalmi parafytyron Mishërimin e Krishtit, fitoren e Tij në Kalvar, Ngjitjen dhe Ardhjen e Tij të Dytë.

Himni hyrës i lëvdimit ndaj Perëndisë (v. 1-6)

68:1-3 Vargu i parë na shpjegon fillin se lëvizjet e arkës janë tema kryesore; këto janë pak a shumë të njëjtat fjalë që Moisiu përdori kur arka nisi të udhëtonte nga Sinai (Num. 10:35). Pamja e kutisë së shenjtë rrugës hidhte idenë e kohës kur Perëndia çohej dhe hynte në veprim. Për armiqtë e Tij do të thoshte shkatërrim dhe shpërndarje; për të drejtët gëzim tepër i madh. Ata ikshin në rrëmujë të madhe! Të papërfillshëm si tymi, të paqëndrueshëm si dylli i shkrirë, ata ecnin duke u lëkundur drejt rrënimit të tyre. Por për të drejtët është koha e hakmarrjes dhe shpërblimit, e gëzimit dhe festimit.

68:4-6 Është koha t’i këndojmë lavde Perëndisë dhe të hapim një udhë për Zotin në shkretëtirë (MT, shikoni versionin NKJV, kr. Is. 40:3; 62:10). Emri i tij është YAH, Jehovah – ruajtës i besëlidhjes; Ai është i denjë për lëvdimin e pafund. Edhe pse është tejet i lartë Ai është shumë afër atyre që janë pa miq dhe pa gjë. Si Perëndi i çdo hiri, Ai është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave. Ai siguron ngrohtësinë dhe përbashkësinë e një shtëpie të lumtur për të vetmuarit dhe ata që janë dënuar padrejtësisht me burg i çon në begati me britma gëzimi.

Me rebelët është një çështje tjetër; ata janë caktuar për një shkretëtirë të veçuar.

Megjithëse nuk duket në version shqip, shtatë emra të Perëndisë janë thurur në tekstin e këtij psalmi: Elohim (v. 1), Yah (v. 4), Jehovah (v. 10), El Shaddai (v. 14), Yah Elohim (v. 18), Adonai (v. 19) dhe Jehovah Adonai (v. 20).

Lëvizja e arkës nga Sinai përmes shkretëtirës (v. 7, 8)

Kur izraelitët ngritën fushimin nga Sinai dhe filluan udhëtimin drejt Tokës së Premtuar me arkën pararojë, ishte një çast plot emocione. Vetë natyra dukej se futej në madhështinë e asaj ngjarjeje. Toka u trondit, qiejt lëshuan ujë dhe mali Sinai u rrënqeth para kësaj pamjeje.

Hyrja dhe pushtimi i vendit të Kanaanit (v. 9-14)

68:9,10 Që nga vargu 9 Izraeli është në Kanaan dhe Perëndia ka sjellë ndryshime të motit, që toka të ujitet me shi me bollëk – një ndryshim i mirëpritur nga shkretëtira e thatë. Vendit iu zgjat jeta, ndërsa bimësia u gjallërua dhe lulëzoi. Njerëzit janë në shtëpi, të siguruar me të mira nga Zoti.

68:11-13 Rrëfimi ndryshon menjëherë te pushtimi i vendit. Zoti dha fjalën, pra, urdhrin për të marshuar kundër armikut. E nënkuptuar në fjalën e Tij është siguria e fitores. Gjëja tjetër që merrni vesh është që një grup i madh grash [48] përhapin lajmin nëpër shtëpi: “Mbretërit e ushtrive ikin me ngut”. Në një gjuhë që të kujton Këngën e Deborës (Gjyq. 5) shohim gratë që ndajnë plaçkën e betejës, edhe pse vetë ato nuk lanë kurrë vathat. Ndërsa provojnë veshjet e bukura dhe gurët e çmuar, ato shëmbëllejnë si krahët e pëllumbeshës të mbuluara me argjend, ose, kur drita bie në një kënd të caktuar, shkëlqejnë si pendët e saj të arta.

68:14 Për armikun ishte një rrugë shkatërruese. Perëndia i shpërndau mbretërit si Tsalmoni kur u mbulua me borë.

Pushtimi i Jerusalemit nga Davidi (v. 15-18)

68:15,16 Jerusalemi ruhet akoma i sigurt nga jebusenjtë paganë. Gjëja e parë që Davidi bëri pasi ishte vajosur mbret mbi tërë Izraelin ishte të përparonte kundër qytetit. Mbrojtësit e tij ishin të vetëkënaqur që ishte aq i papushtueshëm saqë do të mund të mbrohej edhe nga i verbri dhe i çali. Por Davidi dhe njerëzit e tij e pushtuan fortesën dhe e quajtën Qyteti i Davidit (2 Sam. 5:1-9).

Kjo është ajo së cilës këtu po i referohet psalmisti. Pushtimi i kështjellës e zbulon Jerusalemin si qytetin e zgjedhur, majën e lartë të borës së Hermonit, i vendndodhur në veri të Bashanit, shikon me zili nga mali i Sionit. Hermoni është një vargmal magjepës me shumë maja madhështore, megjithatë Perëndia e kaloi dhe zgjodhi Sionin për banimin e Tij të përjetshëm. Kjo është arsyeja se pse shikon me zili nga Sioni.

68:17 Davidi kujton pushtimin e Jerusalemit nga jebusenjtë. Por ai nuk mendohet gjatë për burimin e vërtetë të fitores. Nuk ishte strategjia e tij e zgjuar, apo trimëria e burrave të tij. Ishin qerret e panumërta të Perëndisë që sulmuan qytetin. Marshi i Perëndisë që kishte filluar në Sion kishte mbërritur tashmë në fundin e lavdishëm në Sion.

68:18 Ndërsa Davidi kujtonte se si ushtarët e tij kishin tronditur lartësinë e Jerusalemit, ai hidhte vështrimin pas me mish e me shpirt për të parë Perëndinë duke zbritur në malin e Tij të lartë, duke zënë rob në karvanin e Tij dhe duke fituar plaçkë fitoreje për ata që më parë kishin qenë rebelë, në mënyrë që ai të mund të qëndronte midis këtyre njerëzve si Zoti dhe Shpëtimtari i tyre.

Pali e përdor vargun 18 si figurë të Ngjitjes së Krishtit (Efesianeve 4:8-10). Kur Krishti u ngjit nga toka në qiell, Ai burgosi robërinë, pra, Ai triumfoi i lavdishëm mbi armiqtë e Tij dhe u dha dhurata njerëzve. Dhuratat që Ai mori nga njerëzit si shpërblim për veprën e Tij të kryer në kryq (Psa. 68:18), Ai u kthye dhe u dha të njëjtat dhuratat njerëzve për themelimin dhe zgjerimin e kishës së Tij (Efesianeve 4:8).

Këngë lavdëruese ndaj Perëndisë për fitoret mbi jebusenjtë (v. 19-23)

68:19,20 Kujtimet e pushtimit të Sionit në mënyrë të pashmangshme lavdërojnë Perëndinë. Kënga paraqet Perëndinë si Çlirimtar dhe Shkatërrues. Si Çlirimtar Ai “mbart barrat tona dhe siguron për ne fitoret” (Knox). Ai është Perëndia i shpëtimit tonë dhe ka fuqinë të na çlirojë nga vdekja.

68:21-23 Si Shkatërrues Ai do të shtypë armiqtë e Tij, ata rebelë, flokët e gjata të të cilëve simbolizojnë karrierat e tyre të paligjshme dhe të liga. Ai ka premtuar t’i shtypë në shkretëtirat e Bashanit dhe në brigjet e deteve të mëdha, që Izraeli të lajë këmbët e tij në gjakun e tyre dhe që qentë e Izraelit të ushqehen me kockat e tyre.

Vargu 22 nuk i referohet mbledhjes së Izraelit, por shtypjes së armiqve të tij.

Vargani që mban arkën drejt shenjtërores në Jerusalem (v. 24-27)

Jo shumë kohë pasi Davidi kishte pushtuar Jerusalemin bëri të mundur që arka të çohej në një çadër që kishte ngritur për ta futur brenda (2 Sam. 6:12-19). Vargani përshkruhet këtu. Ndërsa lëviz drejt e në shenjtërore “psalmisti thotë në fakt: ‘Shiko, ja ku po vjen!'” [49]. Kori po e drejton me këngë, turma qëndron nga pas dhe në mes janë të rejat që u binin dajreve. Dëgjoni fjalët e këngës:

Bekoni Perëndinë në kuvendet;

bekoni Zotin ju që jeni nga gurra e Izraelit.

Fiset janë të gjitha të përfaqësuara, nga ato që janë në jug – Beniamini, më i vogli dhe Juda – deri tek ata në veri – Zabuloni dhe Neftali.

Turma festuese para fitores përfundimtare të Perëndisë (v. 28-35)

Ndërsa arka futet brenda në tabernakull, populli jashtë bashkohet në një lutje përfundimtare (v. 28-31) dhe në një këngë, duke nxitur tërë tokën të lëvdojë Zotin (v. 32-35).

68:28,29 Lutja, para së gjithash, i drejtohet Perëndisë që të thërrasë fuqinë e Tij, të tregojë përsëri forcën e Tij për hir të popullit të Tij, për ta çuar deri në fund atë që kishte filluar të bënte për ta. Kjo lutje do të marrë përgjigje në fund, gjatë Mijëvjeçarit, kur tempulli do të jetë lavdia e Jerusalemit dhe kur mbretërit do t’i sjellin dhurata ari e temjani (Is. 60:6) Mbretit të Madh.

68:30 Në hebraisht vargu 30 është i zymtë, por mendimi i përgjithshëm duket se është ky: Populli i drejtohet Perëndisë të shajë kafshën e kallamishteve dhe tufën e demave. Kafshët që jetojnë midis kallamishteve, mbase krokodilët dhe hipopotamët, janë përfaqësues të udhëheqësve të Egjiptit. Demat paraqesin sunduesit e tjerë që “i japin rëndësi vetes mbi turmën e paqshme të kombeve” (Knox).

Fjalia e përkthyer “Derisa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi” mund të nënkuptojë “derisa ato kombe të bien para Teje me argjend si haraç” apo “duke mundur ato kombe që janë pasuruar me haraçe argjendi“. Kuptimi është i mirë në secilin prej rasteve. Dhe në të njëjtën mënyrë lutja ngrihet lart: “Shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë”. Këto kërkesa do të marrin përgjigje të plotë në Ardhjen e Dytë të Krishtit, kur sulmuesit dhe luftënxitësit do të shkatërrohen.

68:31 Në atë ditë nga Egjipti do të sjellin haraçe dhe Etiopia do të nxitojë t’i shtrijë duart e saj, duke iu përgjëruar dhe duke adhuruar Mbretin e tërë tokës.

68:32-35 Vargjet mbyllëse u bëjnë thirrje mbretërive të tokës të pranojnë Perëndinë e Izraelit si të denjë për ta nderuar dhe për ta lëvduar. Fjalët përcjellin një ndjenjë të mrekullueshme të madhështisë dhe lartësisë së Perëndisë. Ai është i Jashtëzakonshmi, që shkon me kalë mbi qiejt. Ai është Perëndia i zbulimit, që flet me zë të fuqishëm. Ai është i Gjithëfuqishmi, i fortë në përkrahje të Izraelit, por shumë i fuqishëm përtej qiejve.

I tmerrshëm ndërsa qëndron në shenjtëroren e Tij, megjithatë përkulet t’i japë forcë dhe fuqi popullit të Tij.

Ka mbetur vetëm një gjë për t’u thënë: “I bekuar qoftë Perëndia!”.

Psalmi 69: Shpëtomë, o Perëndi!

Vuajtjet dhe vdekja e Shpenguesit tonë të bekuar ishin për të një zhytje në oqeanin e zemërimit të Perëndisë. Vetë Ai e quajti zemërimin e Tij që po afrohej si një pagëzim:

Tani unë kam një pagëzim me të cilën duhet të pagëzohem dhe jam në ankth derisa të kryhet (Lluk. 12:50).

Dhe në Psalmin 42:7 e dëgjojmë duke bërtitur:

Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua;

të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.

Në vdekjen e Tij të llojit më të hidhur, Ai u zhyt në thellësitë e gjykimit të Perëndisë kundër mëkatit tonë.

69:1-3 Këtu në Psalmin 69 jemi të privilegjuar të dëgjojmë ushtrimin më të thellë të shpirtit të Tij të shenjtë ndërsa zhytet në vdekje. Ujërat i kanë arritur deri në grykë dhe janë gati ta përpijnë plotësisht. Nuk ka askënd që ta ndihmojë – nuk ka asgjë veç batakut të thellë poshtë këmbëve të Tij. Tani ujërat kanë rënë sipër kokës së Tij. Ujërat janë shumë të thella – më të thella nga sa mund të njohë ndonjë njeri. Me të vërtetë Perëndia ka mbledhur tërë ujërat në një vend – në Kalvar – dhe Biri i dashurisë së Tij po duron atë oqean të madh gjykimi që të paguaj dënimin për mëkatet tona.

Përmbi gjerësinë pa gjurmë të ujit kumbon thirrja e Tij e vazhdueshme plot ngut: “Shpëtomë, o Perëndi”. Duket sikur është lutur për tërë përjetësinë. Gryka e Tij është e ngjirur dhe e tharë – e plasur nga të bërtiturat. Sytë e Tij janë mbyllur nga enjtja, duke këqyrur pa ndërprerë horizontin për ndonjë fije ndihme nga Perëndia. Por asnjë ndihmë nuk i jepet.

69:4 Turma e zemëruar po mblidhet para kryqit, një përzierje vluese vreri, urrejtjeje, hidhësie dhe mizorie. Çfarë skene! Krijuesi dhe Mbajtësi i gjithësisë është varur në një kryq për kriminelë. Vrasësit e Tij fajtorë janë mbledhur para Tij. Cilët janë ata? Ata janë burrat dhe gratë që kanë ardhur në jetë me anë të duarve të Tij, megjithatë e urrejnë pa shkak. Ata kanë dalë që ta shkatërrojnë; ata e sulmojnë me gënjeshtra.

Pse? Çfarë kishte bërë Zoti im?

Pse shkakton kjo zemërim dhe inat?

Ai bëri të çalin të vraponte,

Ai i dha të verbrit shikimin.

Fyerje të drejtpërdrejta!

Edhe pse vetë nuk donin

kundër Tij u ngritën.

Samuel Krosman (Crossman)

Tashmë fjalia therëse del nga buzët e Shpëtimtarit: “Atë që nuk vodha, jam i detyruar ta kthej”. Nëpërmjet mëkatit të njeriut, Perëndisë i ishte vjedhur shërbimi, adhurimi, bindja e lavdia dhe vetë njeriu i ishte vjedhur jetës, paqes, gëzimit dhe përbashkësisë me Perëndinë. Në të vërtetë, Krishti erdhi për të kthyer atë që nuk kishte vjedhur.

Mënjanë hodhi ushtrinë e Tij më hyjnore,

dhe veshi trajtën e Tij prej Perëndie në një rrobë balte,

dhe në atë veshje kreu vepra të çuditshme dashurie,

duke kthyer atë që nuk kishte marrë.

Anonim

Në këtë pikë Ai na kujton ofertën e shkeljeve (Lev. 5). Cilësia e rëndësishme e kësaj oferte ishte që kthimi duhej bërë për çdo humbje që kishte shkaktuar ofruesi dhe një tjetër pjesë e pestë duhej shtuar. Për sa i përket ofertës së shkeljeve Zoti Jezus jo vetëm ktheu atë që ishte vjedhur me anë të mëkatit të njeriut, por shtoi edhe më. Sepse Perëndia ka marrë më tepër lavdi me anë të veprës së përfunduar të Krishtit sesa para se të hynte mëkati. Me anë të mëkatit Ai humbi krijesat; me anë të hirit Ai fitoi bij. Dhe ne jemi më mirë në Krishtin sesa do të kishim qenë në Adamin para se të mëkatonte.

Në Të bijtë e Adamit gëzojnë

më tepër bekime sesa humbën etërit e tyre.

69:5 Duhet ta kuptojmë vargun 5 si referim ndaj mëkateve tona që Jezusi me dashje i mori mbi veten e Tij. Ai nuk kishte marrëzi apo gabime, por “mori mëkatet dhe brengat tona dhe i bëri të Tijat”. Ishte hir i mahnitshëm që njëjtësoi Veten aq ngushtë me ne saqë mund t’i quante mëkatet tona mëkatet e Tij.

69:6 Pastaj një frikë hedh hije rreth mendjes së Tij të shenjtë. Ai ka frikë se disa besimtarë të zellshëm mund të pengohen nga fakti se lutjet e Tij ndaj Perëndisë nuk do të merrnin përgjigje. Ai lutet që të mos ndodhë një gjë e tillë – që askush që shpreson në Perëndinëngatërrohet për shkakun e asaj që po i ndodhte Atij dhe që askush që kërkon Perëndinë e Izraelit të çnderohet nëpërmjet përuljes dhe braktisjes së Tij.

69:7,8 Mbi të gjitha, për hir të bindjes së Tij ndaj vullnetit të Atit Ai po duronte poshtërimin. Ishte gëzimi i Tij t’i pëlqente Perëndisë që lejoi që njerëzit të mbulonin fytyrën e Tij me turp dhe pështyma të paimagjinueshme. Pjesë e çmimit të bindjes ishte brenga e largimit nga bijtë e nënës së Tij: vëllezërit e Tij nga e ëma e quanin si të marrë.

69:9 Zoti Jezus digjej nga zelli i shtëpisë së Atit. Sa herë që dëgjonte njerëzit të fyenin Perëndinë, Ai e merrte si fyerje vetjake. Në atë ditë në Jerusalem kur përzuri këmbyesit e parave nga oborri i tempullit, dishepujt e Tij kujtuan se ishte shkruar për Të këtu në Psalmin 69: “Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë” (Gjon. 2:17).

69:10-12 Asgjë që bëri si njeri i përsosur këtu në tokë nuk u duk se u pëlqeu kritikëve të Tij. Nëse përuli shpirtin e Tij me agjërim, ata ia quajtën gabim – mbase duke hedhur idenë, për shembull, se Ai po përpiqej vetëm të dukej si i perëndishëm. Kur u zhyt në zinë më të thellë, u bë për ta objekt talljeje në vend të një objekti simpatie. Në tërë shtresat e shoqërisë flisnin kundër Tij – që nga sunduesit që uleshin te porta e qytetit deri te pijanecët në tavernat vendore, duke u çirrur me këngët e tyre të rëndomta të talljes. Kjo me të vërtetë është diçka e çuditshme – Zoti i jetës dhe i lavdisë kishte ardhur në botë dhe ishte bërë kënga e pijanecëve!

69:13-18 Dhe përsëri Ai tërhiqet në Perëndinë, në burimin e Tij të vetëm. Çfarë zjarri, çfarë padurimi ka në lutjen e Tij! Ai tund shtyllat e qiellit me lutje të njëpasnjëshme për ndihmë. Por edhe në këtë rast Ai i lë Perëndisë të drejtën për t’u përgjigjur në kohë të pranueshme. Ndërsa fundoset në batak, Ai i përgjërohet Perëndisë për ta çliruar me ndihmën e Tij besnike, për ta çliruar nga armiqtë e Tij dhe për ta shpëtuar nga ujërat e thella… rryma e ujërave dhe gryka e pusit. Në kulmin e vuajtjeve të Tij Ai e mbështet lutjen e Tij në mirësinë e Perëndisë dhe dhembshurinë e Tij të bollshme. Kërkesat e Tij janë të shkurtra dhe të veçanta. Përgjigjmu… sillu nga unë… mos e fshih fytyrën tënde nga Unë… nxito të më përgjigjesh… afrohu te Unë… çliromë. “Çliromë nga armiqtë e mi” pa dyshim do të thotë: “le të mos gëzohen me hallin tim të palehtësueshëm”.[Në versionin Diodati i Ri, përkthimi i vargut 18 është “Afrohu te unë dhe më shpjego”. Duhet të jetë “Afrohu te shpirti im dhe shpengoje”].

69:19,20 Përmendja e armiqve të Tij kujton gjithçka që ka vuajtur në duart e njerëzve. Shtegu i Tij i jetës ishte mbushur me poshtërsi, turp dhe çnderim. Që nga koha e fëmijërisë së Tij u ndoq nga armiq: Perëndia e dinte se sa të panumërt ishin. Zemra e Tij ishte copëtuar nga fyerjet – ajo zemër që dëshiron vetëm të mirën për bijtë e njerëzve. Trishtimi dhe hidhërimi e zhytën në trishtim. Nuk ekzistoi askush që ta ngushëllonte në brengën dhe vuajtjen e Tij. Ai priti më kot dikë që ta përdëllente. Edhe dishepujt e Tij e braktisën dhe u larguan. Ai ishte krejt vetëm.

69:21 Pastaj në një profeci tjetër alarmuese të thënë nga Davidi, por të përmbushur vetëm në Jezusin, lexojmë:

Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull.

Përmbushja gjendet te Mateu 27:34,48:

I dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte… Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.

Vreri ishte një substancë e hidhur dhe mbase helmuese që në sasi të vogla mund të vepronte si një qetësues. Zoti nuk e mori sepse duhej të vuante si Zëvendësuesi ynë në vetëdije të plotë. Uthulla ishte një verë e thartë që mund të ketë theksuar etjen e Tij më tepër sesa lehtësimin e saj.

69:22 Toni i psalmit ndryshon menjëherë në vargun 22 dhe në shtatë vargjet që vijojnë dëgjojmë Shpëtimtarin që po jep shpirt duke thirrur Perëndinë të ndëshkojë kombin që e dënoi të vdesë. Në fillim kjo duket për t’u çuditur kur kujtojmë se Zoti Jezus është lutur gjithashtu: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Lluk. 23:34). Por nuk ka asnjë konflikt midis dy lutjeve. Falja do të ishte e mundur nëse ata do të pendoheshin. Por, në rastin e një mosndryshimi zemre, nuk mbetej gjë veç gjykimit të përshkruar këtu.

Është e rëndësishme të shohim se këto vargje i përkasin në mënyrë të veçantë Izraelit. Pali i përdor vargjet 22 e 23 për t’iu referuar Izraelit te Romakëve 11:9,10. Gjithashtu përmendja e “çadrat e tyre” që nënkuptonte fushimin (v. 25) është një nënkuptim i veçantë judaik.

Vargjet parathonë gjykimet që do të binin mbi gjininë e njerëzve që kishin mohuar Mesian e tyre dhe kishin shkaktuar ekzekutimin e Tij.

Tryeza e tyre u bëftë një lak. Tryeza flet për shumën e plotë të privilegjeve që iu paraqitën Izraelit si populli i zgjedhur dhe tokësor i Perëndisë. Në vend që të ishin një bekim, këto privilegje do të përcaktonin masën e dënimit të tyre.

Kur të përjetojnë begatinë (paqen, hebr. shalom), ajo do të bëhet një kurth. Mundimi do të bjerë atëherë kur njerëzit do të mendojnë se çdo gjë shkon në rregull.

69:23 Sytë e tyre u errshin kështu që ata të mos shohin më. Kjo i referohet verbërisë juridike (në kuptimin që Zoti i verboi) që tashmë ka rënë në kombin izraelit (2 Kor. 3:14). Ngaqë ata nuk e pranuan Dritën, e kanë mohuar Atë.

Ijët e tyre do të lëkunden vazhdimisht. Shpërndarë midis kombeve, ata nuk do të gjejnë prehje për vendin e këmbëve të tyre, por Zoti do t’u japë atyre “një zemër të drithëruar, sy përgjërues dhe ankth në shpirt” (LiP. 28:65).

69:24 Zemërimi i Perëndisë do të bjerë mbi ta dhe zjarri i indinjatës së Tij do t’i zërë. Ne kujtojmë me brengë shumë të thellë se si është përmbushur kjo në kasaphanat e tmerrshme antisemitike, në kampet e përqendrimit, në dhomat dhe sobat me gas. Edhe pse këto barbarizma u kryen nga njerëzit e ligj, nuk ka dyshim se ato nuk u parandaluan nga Perëndia mbi pasardhësit e popullit që tha: “Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!” (Mt. 27:25).

69:25 Banesa e tyre do të shkretohet dhe askush nuk do të banojë në çadrat e tyre. Këtu na kujtohen fjalët e Mesias te Mateu 23:38: “Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë”. Fjalët u përmbushën plotësisht në vitin 70 pas K. kur Titi dhe ushtria romake plaçkiti Jerusalemin dhe shkatërroi tempullin.

69:26 Nëse ndëshkimi duket i ashpër, mendoni për krimin që shkaktoi ai.

Sepse përndjekin atë që ti ke goditur

dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur.

Në shëmbëlltyrën me vreshtin, vreshtarët thanë rreth birit të pronarit: “Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe të marrim si pronë trashëgiminë e tij” (Mt. 21:38). Ata e dinin që Ai ishte Biri, por megjithatë ata e vranë. Pjesa e fundit e vargut 26 përshkruan ata ndjekës të Mesias që do të vriteshin.

69:27,28 Duke pasur këtë parasysh, nuk është nevoja të kërkojmë falje për ashpërsinë e fjalëve të Shpëtimtarit:

Shto këtë faj fajit të tyre

dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde.

U shofshin nga libri i jetës

dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve.

Dhe megjithatë nuk duhet të harrojmë se edhe pas kryqëzimit të Birit të Perëndisë, Fryma e Perëndisë akoma i bënte thirrje kombit të Izraelit të pendohej dhe të kthehej te Jezusi si Mesia. Gjatë tërë periudhës së Veprave të Apostujve dëgjojmë rrahjen e zemrës së Perëndisë ndërsa e merr malli për kombin dhe dëshiron e fton me dashuri të pranojë mëshirën dhe hirin e Tij. Edhe sot ungjilli i drejtohet populli hebre po ashtu edhe johebrenjve. Dhe ata që do të vuajnë gjykimet e përshkruara në vargjet 22-28 janë ata që me dashje zgjedhin atë fat, duke mos pranuar Krishtin e Perëndisë.

69:29 Tani kemi një fjalë të fundit nga Miku i mëkatarëve që po jep shpirt. I pikëlluar dhe në një dhimbje të papërshkrueshme, Ai kërkon që shpëtimi i Perëndisë ta lartojë siguri.

Dhe pikërisht kjo gjë ndodhi. Perëndia e ringjalli Atë nga të vdekurit në ditën e tretë dhe e vuri në të djathtën e Tij, një Princ dhe Shpëtimtar. Vuajtjet e Tij për mëkatin kanë marrë fund përgjithmonë. Dhe ne jemi të gëzuar!

Kurrë më Perëndia Jehovah

nuk do të vrasë Bariun me shpatë;

Kurrë më mëkatarët mizorë

nuk do ta çojnë dëm Zotin e lavdishëm.

Robert Çapmën (C. Chapman)

Dhe tani ne këndojmë:

Stuhia që goditi Kokën Tënde të bekuar

ka heshtur tani përgjithmonë,

dhe ndërsa prehja hyjnore është e jona,

lavdia kurorëzon ballin Tënd.

Rosie (H. Rossier)

69:30-33 Folësi në shtatë vargjet e fundit është Shpenguesi i ringjallur. Në fillim Ai betohet të ngrejë lart Perëndinë ngaqë e ka çliruar nga vdekja dhe varri. Ai do ta kremtojë emrin e Perëndisë me një këngë dhe do ta madhështojë me lavde. Kjo përlëvdon më tepër Zotin sesa flijimet më të kushtueshme. Dhe njerëzit e shtypur kudo do të marrin zemër kur të kuptojnë se ashtu si Zoti dëgjoi lutjet e Shpëtimtarit dhe e çliroi, po kështu Ai do të dëgjojë nevojtarët dhe do të çlirojë robërit që e thërrasin.

69:34-36 Por çfarë mund të themi për kombin e Izraelit? Tre vargjet e fundit parathonë një të nesërme të ndritur. Edhe pse i lënë mënjanë përkohësisht, Izraeli do të ripërtërihet në vendin e bekimit. Kur ata e shohin Atë (të cilin e tejshpuan), vajtojnë për Të ashtu siç vajtohet për birin e vetëm, dhe thonë: “I bekuar qoftë Ai që vjen në emër të Zotit”, atëherë Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës. Nuk do të ketë më të shpërndarë midis kombeve, shërbëtorët e Tij do të banojnë vendin dhe bijtë e tyre do të kenë trashëgiminë. Kjo ka ndërmend, sigurisht, Mijëvjeçarin kur Zoti Jezus do të mbretërojë si Mesia Mbret dhe Izraeli do të banojë vendin në siguri.

Psalmi 70: Ndihmo shpejt!

Në pjesën më të madhe Psalmi 70 është një përsëritje e Psalmit 40:13-17. Titulli pohon se është një psalm i Davidit, për kujtesë. Shfaqen katër lëvizje të dallueshme.

Ndihmo shpejt (70:1)

Morgani e quan atë “një dënesë e nxituar e shqetësimit të ankthshëm”. Kjo është me siguri përshtypja që marrim në vargun , ku Davidi po shtyn Zotin që të nxitojë ta çlirojë.

Ndëshkimi tërësor (70:2,3)

Shkatërrimi dhe shpartallimi i armiqve të tij është në plan të parë tani për tani. Ai i akuzon ata, ngaqë janë përpjekur ta vrasin, duke u kënaqur për t’i bërë keq dhe duke u tallur me fatkeqësinë e tij. Ai, kur i vjen radha, kërkon që ata të hutohen plotësisht, që të kthejnë kurrizin dhe mbulohen me turp dhe që të tronditen apo të frikësohen nga thellësia e turpit të tyre.

Qoftë lëvduar vazhdimisht (70:4)

Rrjedha e mendimit këtu është se nëse Perëndia vjen për të shpëtuar psalmistin, kjo do të shkaktojë një valë të madhe lëvdimi ndaj Tij. Të gjithë ata që kërkojnë Zotin do të kenë rast ta lavdërojnë për ndihmën e Tij dhe ta adhurojnë Atë si Perëndinë e madh të shpëtimit.

Ndihmo shpejt (70:5)

Përsëri britma për shpëtim të menjëhershëm ngrihet nga nevojtari. Edhe pse nuk mund të themi se besimi i Davidit ishte në kulmin e tij, ky besim ishte në Zotin si ndihma e çlirimtari i tij, dhe një besim i tillë nuk do të mbetet pa u shpërblyer.

Psalmi 71: Pleqëria

Ashtu si në shumë raste të tjera, ne mund të bëjmë një paralelizëm midis përvojave të psalmistit dhe atyre të kombit të Izraelit. Prandaj, ashtu siç hedh idenë Beleti (Bellett), ky psalm mund të studiohet si një lutje e pjesës së mbetur të pikëlluar të pleqërisë së Izraelit [50].

71:1-3 Tre vargjet e parë janë të ngjashëm me Psalmin 31:1-3. Zoti lëvdohet si strehë, kështjellë dhe shkëmb dhe i kërkohet përligjje për besimin, çlirimin, shpengimin, shpëtimin dhe për ndihmën e Tij shpëtuese për psalmistin si një shkëmb dhe kështjellë strehimi.

71:4 Ndërsa vazhdon, lutja përshkohet nga një ndjenjë e fortë mirënjohjeje për ndihmën e Perëndisë në të shkuarën dhe besimi në mëshirën e Tij të vazhdueshme në pleqëri.

Nëse ia përshtasin psalmin Izraelit, njeriu i pabesë, i padrejtë dhe që e përdor dhunën i vargut 4 është Antikrishti. Diktatura e tij e tmerrit do të vërë në provë durimin e shenjtorëve dhe do të nxjerrë nga ata kërkesat më të ngutshme.

71:5,6 I lumtur është njeriu që mund të thotë se Perëndia ka qenë shpresa dhe besimi i tij nga fëmijëria. Nëse është mbështetur në Jehovahun qysh në bark të nënës, atij nuk do t’i mungojë ndihma në vitet e pleqërisë. Nëse mund të kujtojë hirin e mrekullueshëm të Perëndisë që nga lindja, atij nuk do t’i mungojnë mjetet për lëvdim në vitet e mëvonshme.

71:7,8 Psalmisti ishte bërë për shumë njerëz si një mrekulli nga thellësia e vuajtjes së tij dhe mbase nga çlirimet e mrekullueshme. Por megjithë rrethanat e ndryshme të jetës Perëndia kishte qenë streha e tij e fortë. Dhe kështu donte çdo ditë të mbushej me lëvdimin dhe lavdinë e Tij.

71:9 Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë;

mos më braktis kur forca ime po pakësohet.

Për t’u plakur hirplotë duhet më tepër hir sesa mund ta sigurojë natyra këtë. Mosha e vjetër është një botë e re e konflikteve të çuditshme dhe frikërave të fshehta; frika e mbetjes vetëm, frika e të qenit një barrë për të dashurit, frika e të qenurit një invalid i pashpresë, frika e humbjes së aftësive, frika e shfrytëzimit. Këto frikëra nuk janë të reja. Psalmisti këtu po mendon për t’u dhënë zemër të gjithëve atyre që janë në perëndim të jetës (Shënime të përditshmeScripture Union).

71:10,11 Sigurisht, ai kishte frikën tjetër të armiqve që e përgojonin dhe që thurnin përbetime për ta vrarë. Duke menduar gabimisht se Perëndia e kishte braktisur, përgatitën sulmin e tyre të fundit pa frikë kundërvënieje.

71:12,13 Kjo krizë shkaktoi një thirrje të shqetësuar në të cilën ai nxit Perëndinë të vijë dhe ta ndihmojë. Pa ndonjë problem, Perëndia mund të mbulonte armiqtë me turp dhe t’i shpartallonte, t’i mbulonte me poshtërsi dhe me turp.

71:14-16 Por shpresa ngrihet menjëherë mbi frikën dhe lëvdimi fillon crescendo-n e tij të madhe. Teksti rrëfen veprat e drejta të Perëndisë dhe herët e panumërta në të cilat ka shpëtuar birin e Tij të rrethuar. Me vendosmëri të shenjtë psalmisti thotë: “Do të paraqitem me rrëfime të pashtershme të veprave të madhërishme të Jehovahut Elohim” [51].

71:17,18 Përsëri, ashtu si në vargjet 5-11 shtjellon gamën nga rinia te pleqëria (v. 17-21) dhe nuk gjen tjetër veç besnikërisë së Perëndisë. Perëndia e kishte mësuar që në ditët e fëmijërisë dhe ashtu siç e tregon Knoksi (Knox): “dhe akoma tregoj mrekullitë e Tua”. Tashmë ai është i plakur dhe i thinjur, por nuk mendon se puna e tij ka mbaruar. Ai kërkon kohë që t’u thotë brezave të rinj dhe atyre që do të vijnë mrekullitë e mëdha të Zotit. Kjo lutje mori përgjigje, sigurisht, se ky psalm është ruajtur në Shkrimet e Shenjta.

71:19-21 Perëndia është me të vërtetë i mrekullueshëm! Fuqia dhe drejtësia e Tij janë më të larta se qiejt. Askush nuk mund të matet me Të, sidomos kur mendoni për gjërat e mëdha që ka bërë Ai.

Ndonjëherë për Perëndinë thuhet se ka bërë atë që ka premtuar. Kështu, këtu Ai ka bërë që psalmisti (dhe Izraeli) të përjetojnë shumë probleme të hidhura. Për Izraelin, kjo hedh idenë e Periudhës së Mundimit të Madh. Por Ai është Perëndia i ripërtëritjes dhe do të gjallërojë popullin e Tij dhe do t’i shpëtojë nga kthetrat e varrit. Dhe nuk ka mbaruar! Ai do t’u japë nder në vend të qortimit dhe do t’i rrethojë me ngushëllim.

71:22 Harpa do të futet në shërbim që të këndojë besnikërinë e Perëndisë dhe qestja do të merret për të madhështuar të Shenjtin e Izraelit. Ky emër i Perëndisë – i Shenjti i Izraelit – është përdorur edhe dy herë të tjera në psalme – te Psalmi 78:41 dhe 89:18.

71:23,24 Por harpa dhe qestja do të bashkohen me korin të përbërë nga buzët, shpirti dhe gjuha. Buzët e tij do të jenë rrëzëllisht të gëzuara në këngë. Shpirti i tij, shpenguar nga gjaku i Qengjit, do të ngazëllojë në këngë. Gjuha e tij gjithashtu do të jetë e palodhur për të folur për varësinë e Perëndisë, sepse tërë armiqtë e tij janë hutuar plotësisht.

Psalmi 72: Mbretëria e lavdishme e Mesias

Ky psalm nis si një lutje për një mbret tokësor, mbase Salomonin, por para kësaj duhet të kuptojmë që shkrimtari po shikon përtej lavdisë së Salomonit, te lavditë e mbretërisë së Zotit Jezu Krisht. Do të jetë një kohë e mrekullueshme për këtë botë të lodhur dhe plot shqetësim. Rënkimi i krijimit do të heshtë dhe paqja e begatia do të lulëzojnë.

72:1 Në vargun e parë, dëgjojmë lutjen që ngrihet nga thirrja e shenjtë ndërsa Mbreti po vishet me pushtet. Knoksi (Knox) e përkthen në këtë mënyrë: “Jepi Mbretit aftësinë Tënde në gjykim; trashëgimtari i fronit të jetë i drejtë ashtu si Ti je i drejtë”.

Edhe një prej shprehjeve: “Ai do të…” në pjesën tjetër të Psalmit 72 do të bëhet një fakt kur Shpenguesi do të vendosë mbretërinë e Tij të shkëlqyer.

72:2 Dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi. Korrupsioni, ryshfetet dhe shtypja kanë reshtur. Gjyqet do të bëhen me paanësi të rreptë dhe të pikëlluarit nuk do të shihet me padrejtësi.

72:3 Malet do t’i sjellin paqen me bollëk dhe begatinë popullit dhe drejtësia do të mbulojë kodrat. Malet përdoren zakonisht në Shkrim për të nënkuptuar pushtetet qeverisëse. Kështu mendimi këtu mund të jetë se temat e mbretërisë së Krishtit mund të presin barazinë dhe drejtësinë nga gjykatat në vend – nga gjykata më e lartë deri në gjykatat vendore.

72:4 Me kalimin e shekujve i varfri dhe nevojtari janë shtypur, shfrytëzuar, përndjekur dhe madje vrarë. Në kohën e Mijëvjeçarit Vetë Mbreti do të jetë Avokati i tyre. Ai do t’i çlirojë një herë e përgjithmonë dhe do të ndëshkojë ata që kanë përfituar prej tyre.

72:5,6 Nënshtetasit e Tij do ta respektojnë dhe do ta kenë frikë Atë derisa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat. Prania e Tij do të jetë bamirëse dhe freskuese – ashtu si shiu mbi barin e kositur dhe si një rrebesh që vadit tokën.

72:7 Ai do të jetë Melkisedeku i vërtetë – Mbreti i drejtësisë dhe i paqes. Gjatë mbretërimit të Tij drejtësia do të lulëzojë dhe paqja do të mbushullojë tokën, derisa të mos ketë më hënë. Vini re se drejtësia vjen para paqes. “Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë” (Is. 32:17). Me anë të veprës së Tij të drejtë për ne në kryq Ai na lë paqen trashëgim. Dhe me anë të sundimit të Tij të drejtë një ditë Ai do t’i sjellë paqe botës së munduar.

72:8 Krenaria e Anglisë është: “Dielli nuk perëndon kurrë në Perandorinë Britanike”. Kolonitë britanike u shpërndanë midis kombeve të tjera të botës. Nuk do të jetë një çështje vetëm e kolonive të shpërndara. Tërë kombet do të përfshihen. Mbretërimi i Tij do të shtrihet nga një det te tjetri dhe nga lumi Eufrat deri në skajet e tokës.

72:9 Nomadët e paqeverisshëm të shkretëtirës do të përkulen para Tij në fund dhe armiqtë e Tij do të mposhten. Të lëpijnë pluhurin do të thotë se do të vuajnë nënshtrimin poshtërues dhe të turpshëm.

72:10,11 Mbretërit paganë do të vijnë në Jerusalem me haraçe dhe dhurata për Mbretin e mbretërve. Këndej vjen mbreti i Spanjës, andej kokat e shteteve nga vende të ndryshme ishullore dhe këtu shihni sunduesit sheikë të Arabisë Jugore. Aeroporti është i mbushur me vizitorë dinjitete, sepse të gjithë pranojnë qeverisjen e Tij dhe gjithë kombet pa përjashtim do t’i shërbejnë.

“Mbretërit e pasurisë, mendimit, muzikës, artit kanë pranuar dhe do të pranojnë Atë” – ka thënë Mejeri (Meyer).

72:12-14 Këtu shihet dhembshuria e madhe e Mbretit për nevojtarin. I mjeri, i shtypuri dhe i munduri do të kenë një Çlirimtar të Madh. Varfëria do të zhduket dhe padrejtësia shoqërore do të jetë diçka e shkuar. I dobëti dhe nevojtari do të kenë liri të menjëhershme hyrjeje tek Ai dhe do të jenë të sigurt për vëmendjen e konsiderueshme dhe veprimin e menjëhershëm. Ai do t’i shpëtojë ata nga trajtimi i padrejtë dhe mizor dhe Ai do t’i tregojë botës se sa e çmuar është jeta e tyre për Të.

72:15 Thirrja: “Jetë të gjatë Mbretit!” do të ngrihet nga shërbëtorët e Tij besnikë. Në mirënjohjen e tyre ata do t’i japin ar nga thesaret e Shebës. Lutje të pareshtura kurrë do të ngrihen nga tërë bota për Të dhe njerëzit do ta bekojnë Atë nga agimi në mbrëmje.

72:16 Pjelloria e vendit do të jetë e papërshkrueshme. Hambarët dhe qilarët do të derdhen nga gruri. Edhe vendet që më parë nuk kanë qenë të mbjella, si majat e maleve, do të valëviten nga fushat e grurit të pjekur, duke dallgëzuar në erë si pyjet e Libanit.

Qytetet do të popullohen së tepërmi, ashtu siç mbushen fushat me bar. Do të ketë një vërshim popullsie të përmasave epike, e megjithatë nuk do të ketë mungesë ushqimi.

72:17 Emri i tij do të vazhdojë i dashur dhe i nderuar përjetë. Derisa të ekzistojë dielli, fama e Tij do të përhapet. Në përputhje me premtimin e Perëndisë bërë Abrahamit, tërë kombet do të bekohen në Të dhe do ta shpallin të lumtur.

72:18,19 Psalmi mbyllet me një himn lavdërimi ndaj Perëndisë. Mbretërimi i lavdishëm i Zotit Jezus është arritja e Perëndisë. Është Ai që bën të mundur këto kushte të mrekullueshme, gjë të cilën nuk mund ta bëjë askush. Dhe kështu me të drejtë, që emri i Tij i lavdishëm të lëvdohet përgjithmonë dhe që tërë toka të mbushet me lavdinë e Tij.

72:20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait. Kjo nuk do të thotë se lutjet e Davidit përfundojnë për sa i përket Librit të Psalmeve, sepse ka të tjera më pas. Do të thotë se lutjet e tij mbarojnë për sa i përket Librit II të Psalmeve, duke qenë se Psalmi 72 është i fundit i këtij libri. Por një shpjegim më i mundshëm është se mbretëria e parathënë e Zotit Jezu Krisht përfaqëson përmbushjen e plotë të lutjeve të tij. Mbretëria e përshkruar në vargjet e mëparshme ishte tema e fjalëve të Tij të fundit (2 Sam. 23:1-4) dhe ishte ngjarja për të cilën u drejtuan lutjet e tij. Kur Mesia do të zërë vendin e Tij mbi fron dhe do të sundojë, dëshirat e Davidit do të plotësohen të gjitha.