3:1 Titi duhej të kujtonte gjithashtu besimtarët në asambletë e Kretës për përgjegjësitë e tyre ndaj qeverisë. Qëndrimi i krishterë është se të gjitha qeveritë janë të caktuara nga Perëndia (Rom. 13:1). Një regjim mund të jetë shumë jo i krishterë apo anti i krishterë, por çdo qeveri është më mirë se pa qeveri fare. Mungesa e qeverisë është anarki dhe njerëzit nuk mund të mbijetojnë për një kohë të gjatë nën anarki. Edhe nëse është një kryesues që nuk e njeh Perëndinë personalisht, ai është akoma “i caktuari i Zotit” në pozicionin e tij zyrtar dhe duhet të respektohet si i tillë. Të krishterët duhet të jenë të bindur ndaj pushtetarëve dhe autoriteteve. Por nëse një qeverisje lë fushën e urdhëruar nga Perëndia dhe urdhëron një besimtar të mos i bindet Perëndisë, atëherë ai besimtar duhet të mos pranojë t’i nënshtrohet sipas parimit të Veprat e Apostujve 5:29: “Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve”. Nëse një qeveri ndëshkon, ai duhet të durojë ndëshkimin butësisht si për Zotin. Ai kurrë nuk duhet të ngrejë krye kundër qeverisë apo të përpiqet ta rrëzojë atë me dhunë.
I KRISHTERI DHE BOTA KU JETON
Besimtarët duhet t’u binden ligjeve dhe të paguajnë taksat e detyrimet e tjera. Në përgjithësi ata duhet t’u binden ligjeve, t’i respektojnë, të jenë të bindur. Megjithatë, ka tri fusha në të cilat të krishterët ndryshojnë shumë për sa u përket përgjegjësive përkatëse. Këto janë çështjet e votimit, kërkesa për t’u zgjedhur dhe shkuarja në luftë me forcat e armatosura. Për sa u përket dy të parave, treguesit ndihmës ndodhen në Bibël:
1. Të krishterët janë në botë, por nuk janë të saj (Gjo. 17:14,16).
2. I tërë sistemi botëror është në duart e të ligut dhe është dënuar nga Perëndia (1 Gjonit 5:19b; 2:17; Gjo. 12:31).
3. Misioni i krishterë nuk është që të përmirësojë botën, por të shohë njerëz të shpëtuar nga bota.
4. Ndërsa besimtari është një qytetar i pashmangshëm i ndonjë vendi tokësor, qytetaria e tij parësore është nga qielli – aq shumë saqë ai duhet ta vlerësojë veten si shtegtar dhe të huaj këtu poshtë (Filipianeve 3:20; 1 Pjetrit 2:11).
5. Asnjë ushtar në shërbim nuk duhet të ngatërrohet me çështjet e kësaj jete, që të mos dëshpërojë atë që e mori ushtar (2 Tim. 2:4).
6. Zoti Jezus tha: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote” (Gjo. 18:36). Ashtu si lajmëtarët e Tij ne duhet të përfaqësojmë këtë të vërtetë ndaj botës.
7. Politikat priren të prishen nga vetë natyra e tyre. Të krishterët duhet të ndahen nga paudhësia (2 Kor. 6:17,18).
8. Një i krishterë normalisht mund të votojë për dikë që mendon se është i drejtë dhe i ndershëm. Por ndonjëherë është vullneti i Perëndisë të përlëvdojë më të ulëtin e njerëzve (Dan. 4:17). Si mund ta dimë dhe t’i bindemi ne vullnetit të Perëndisë në raste të tilla?
Çështja tjetër është nëse një besimtar duhet të shkojë në luftë kur i urdhërohet kjo nga qeveria e tij. Ka argumente të fortë nga të dyja anët, por më duket se baraspeshimi i provës është kundër pjesëmarrjes. Parimet e renditura më poshtë shtjellojnë këtë problem, por ka edhe të tjera.
1. Zoti ynë tha: “po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin” (Gjo. 18:36).
2. Ai tha gjithashtu: “Të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin” (Mt. 26:52).
3. E tërë ideja e marrjes së jetës njerëzore kundërshtohet nga mësimi i Tij kur tha: “Duajini armiqtë tuaj” (Mt. 5:44).
Ata që kundërshtojnë pjesëmarrjen në ushtri duhet të jenë mirënjohës nëse jetojnë në një komb ku u lejohet të regjistrohen si një kundërshtar i vetëdijshëm [që nuk pranon krejtësisht pjesëmarrje në ushtri] apo si një joluftëtar [ai që është një ushtar por nuk mban armë, p.sh. një infermier].
Nga ana tjetër, shumë burra të krishterë kanë shërbyer me nder në luftime. Ata kanë vënë re se DhR paraqet centurionët (p.sh. Korneli dhe Julius) në një dritë të favorshme. Gjithashtu, figurat e të folurit nga jeta ushtarake janë përdorur për të ilustruar luftën e krishterë (p.sh. Efesianeve 6:10-17). Nëse të shkuarit ushtar ishte krejtësisht e gabuar atëherë është e vështirë të kuptosh se si Pali na bën thirrje të jemi “ushtarë të mirë të Jezu Krishtit”. Cilëndo pikëpamje të mbajë dikush, ai nuk duhet të gjykojë apo dënojë ata që nuk bien dakort. Ka vend për opinione të ndryshme.
Një detyrim shtesë i dishepullit të krishterë është se ai duhet të jetë gati për çdo vepër të mirë. Jo të gjitha punët janë për nderim – shumë reklamë moderne ndërtohet mbi gënjeshtrat, dhe shumë biznese shesin produkte që janë të dëmshme për shëndetin frymëror, mendor dhe fizik të njeriut. Në kuptimin e mirë të fjalës, këto punë duhet të shmangen.
3:2 Një i krishterë nuk duhet të flasë keq për asnjeri. Diku tjetër Bibla ndalon rreptësisht të folurit keq për një kryesues (Eksodi 22:28; Veprat e Apostujve 23:5) – një urdhër që tërë të krishterët duhet ta mbajnë mend në mes të një fushate politike apo në kohët e shtypjes dhe përndjekjes. Por këtu urdhri zgjerohet për të mbrojtur çdo njeri nga abuzimi përqeshës, përfolës, fyes apo gojor. Çfarë oqeanesh trishtimi dhe problemesh do të ishin shmangur sikur të krishterët t’i bindeshin parimit të thjeshtë mos fol keq për asnjeri!
Ne duhet të jemi paqësorë dhe të shmangim grindjen. Duhen dy vetë për të nisur një grindje. Kur dikush u përpoq të grindej me dr. Ironside për një çështje pak të rëndësishme, për të cilën kishte predikuar, ai u përgjigj: “Në rregull, i dashur vëlla, kur të shkojmë në qiell, dikush prej nesh do ta ketë gabim dhe mbase do të jem unë ai”. Kjo frymë i vë kapak çdo diskutimi.
Ne duhet të jemi të butë. Është e vështirë të mendosh për këtë cilësi pa menduar për Zotin Jezus. Ai ishte zemërbutë dhe i dashur, paqësor dhe pajtimtar. Dhe ne duhet të shfaqim mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve. Duket me vend që mirësjellja duhet të mësohet si një ndër virtytet e të krishterit. Në thelb do të thotë mendim i përulur ndaj të tjerëve, duke vënë të tjerët në fillim, duke thënë dhe bërë gjëra të hirshme. Mirësjellja u shërben të tjerëve para vetes, nuk lë t’i ikë mundësia për të ndihmuar dhe shpreh vlerësim të menjëhershëm për mirësinë e marrë. Nuk është kurrë e vrazhdë, vulgare apo e ashpër.
3:3 Përsëri, në mes të ndarjeve të forta etike apostulli ndërfut klasat doktrinore në shpëtimin tonë, me theksin në qëllimin e shpëtimit, duke bërë një jetë në vepra të mira. Rrjedha e mendimit është:
1. Gjendja jonë para shpëtimit, vargu 3;
2. natyra e shpëtimit tonë, vargjet 4-7;
3. pasoja praktike e shpëtimit, vargu 8.
Paraqitja e Perëndisë për gjendjen tonë para kthimit nuk është një gjendje njerëzore për t’u lavdëruar. Duke rrëfyer se dinim tërë përgjigjet, ne dikur ishim të pamendë, të paaftë për të kuptuar të vërtetat frymërore dhe të paditur në zgjedhjet dhe sjelljet tona. Ne ishim rebelë ndaj Perëndisë dhe mbase ndaj prindërve dhe gjithashtu ndaj autoriteteve. Ne ishim endacakë duke qenë të mashtruar nga djalli dhe gjykimi ynë i shthurur, gjithmonë nuk bënin atë që ishte e drejtë dhe përfundonim gjithmonë në rrugë qorre. Ne ishim robër të zakoneve të ndryshme të papastra, të skllavëruar nga një jetë e ligë dhe të mbushur nga mëkate të çdo lloji. Jeta ishte një rreth i vazhdueshëm i ligësisë dhe smirës së hidhur ndaj të tjerëve. Urrejtja dhe egoizmi ishin të mjerueshme dhe i bënin të tjerët të mjerueshëm. Të urryer dhe duke e urryer njeri-tjetrin: Çfarë komentari i hidhur në jetë midis komshinjve grindavecë, punonjësve grindavecë, konkurruesve vrasës të biznesit dhe familjeve armiqësore!
3:4 Kjo paraqitje e ngrysur e shthurjes njerëzore u ndërpre nga një por. Sa mirënjohës duhet të jemi për këto lidhje në kohën e duhur që shënojnë ndërhyrjen e mrekullueshme të Perëndisë për të shpëtuar njeriun nga shkatërrimi i vetvetes! Dikush i ka quajtur ato postoblloqe të Perëndisë në udhën e njeriut për në ferr.
Po kur u shfaq mirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe dashuria e tij për njerëzit . . . Kjo ndodhi kur Zoti Jezus iu shfaq botës rreth dymijë vjet më parë. Nga ana tjetër, mirësia dhe dashamirësia e Perëndisë na u shfaq kur qemë të shpëtuar. Ishte një shfaqje e këtyre cilësive që Ai dërgoi Birin e Tij të dashur për të vdekur për botën e mëkatarëve rebelë. Fjala e përdorur dashuria . . . për njerëzit është fjala greke nga e cila vjen filantropia; ajo kombinon mendimet e dashurisë, dashamirësisë dhe mëshirës. Titulli Perëndisë, Shpëtimtarit tonë i referohet Perëndisë Atë – Shpëtimtarit tonë në kuptimin që Ai dërgoi Birin e Tij në botë si Flijimi ynë për mëkatin. Zoti Jezus quhet gjithashtu Perëndia, Shpëtimtari ynë (2:13), sepse Ai pagoi ndëshkimin e duhur në mënyrë që ne të faleshim dhe pastroheshim.
3:5Ai na shpëtoi nga faji dhe ndëshkimi i tërë mëkateve tona – të shkuarat, të tashmet dhe të ardhshmet. Ato ishin larg kur Shpëtimtari vdiq dhe vdekja e Tij i përfshinte të tëra. Por një ndër të vërtetat më të thjeshta dhe më të qarta të ungjillit është dhe më e vështira për t’u pranuar nga njeriu: se shpëtimi nuk mbështetet në veprat e mira. Dikush nuk bëhet i krishterë duke jetuar një jetë të krishterë. Nuk janë njerëzit e mirë që shkojnë në qiell. Dëshmia e qëndrueshme e Biblës është se njeriu nuk mund të fitojë apo meritojë shpëtimin (Efesianeve 2:9; Rom. 3:20; 4:4,5; 9:16; 11:6; Gal. 2:16; 3:11). Njeriu nuk mund ta shpëtojë vetveten me anë të veprave të mira; të tërë veprat e tij të drejta janë si rrecka të pista në sytë e Perëndisë (Is. 64:6). Ai nuk mund të bëhet një i krishterë duke jetuar një jetë të krishterë për arsyen e thjeshtë se ai nuk ka fuqinë në vetvete për ta jetuar jetën e krishterë. Nuk janë njerëzit e mirë që shkojnë në qiell; janë mëkatarët që janë shpëtuar nga hiri i Perëndisë!
Veprat e mira nuk e fitojnë shpëtimin; ato janë frytet e shpëtimit. Nëse ka shpëtim të vërtetë do të ketë edhe vepra të mira. Kështu ne lexojmë se Perëndia nuk na shpëton për shkak të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij. Shpëtimi është një vepër e mëshirës – jo drejtësisë. Drejtësia kërkon që ndëshkimi i merituar të kryhet; mëshira siguron një udhë të drejtë me anë të së cilës ndëshkimi parandalohet.
Perëndia na shpëtoi me anë të larjes së rilindjes. Kthimi është me të vërtetë një krijim i ri (2 Kor. 5:17) dhe këtu ai krijim i ri paraqitet me anë të figurës së larjes. Është e njëjta figurë që përdoret nga Zoti Jezus kur i mësoi dishepujt se ekziston vetëm një larje e rilindjes, por shumë pastrime të nevojshme nga ndotja (Gjo. 13:10). Ajo larje e rilindjes nuk ka asgjë të përbashkët me pagëzimin. Nuk është një pastrim trupor me anë të ujit, por një pastrim moral me anë të fjalës së Perëndisë (Gjo. 15:3). Pagëzimi nuk është as edhe një simbol i kësaj larjeje; ai më tepër përshkruan varrosjen me Krishtin në vdekjen e tij (Rom. 6:4).
Lindja jonë e re përshkruhet gjithashtu si një ripërtëritje e Frymës së Shenjtë. Fryma e Perëndisë sjell një shndërrim të mrekullueshëm – jo duke i veshur rroba të reja njeriut të vjetër, por duke vendosur një njeri të ri në rroba të reja! Fryma e Shenjtë është Nismëtari i rilindjes dhe fjala e Perëndisë është mjeti.
3:6 Perëndia derdhi Frymën e Shenjtë me mbushëlli mbi ne. Çdo besimtar ka në vete Frymën nga çasti që ka lindur sërish. Fryma është e mjaftueshme që të sjellë rilindjen e lavdishme për të cilën po flasim. Fryma jepet me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë. Ashtu si bollëku në oborrin e faraonit iu dha bijve të Jakobit me anë të Jozefit, po kështu edhe bekimet e Perëndisë, duke përfshirë bekimin e papërshkrueshëm të Frymës së Tij, na jepen me anë të Zotit Jezus. Jezusi është “Jozefi” ynë.
Të tre Personat e Trinisë së Bekuar përmenden në lidhje me shpëtimin tonë: Perëndia Atë (v. 4), Fryma e Shenjtë (v. 5), dhe Perëndia Bir (v. 6).
3:7 Pasoja e menjëhershme e rilindjes sonë është që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi. Përmes shpengimit që është në Krishtin Jezus, Perëndia na quan të drejtë me anë të një veprimi të hirit të mahnitshëm. Dhe ne bëhemi trashëgimtarë të gjithçkaje që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan Atë. Shpresa jonë për tërë përjetësinë është gjithçka që do të thotë të jesh me Krishtin dhe të jesh si Ai.
3:8 Kur Pali thotë: “Kjo fjalë është e sigurt” a mos duhet të kuptojmë pjesën e mëparshme, apo pjesën që vijon? Shtysa e këtij argumenti duket se është që, pasi jemi shpëtuar nga një shpëtim i tillë, ne duhet të jetojmë në një mënyrë të denjë sipas thirrjes sonë të lartë.
Titi duhej të këmbëngulte në këto gjëra (shpjeguar te v. 1-7) në shërbesën e tij në Kretë, në mënyrë që besimtarët të kujdesen për të kryer vepra të mira. Megjithëse shprehja vepra të mira mund të nënkuptojë punë të ndershme, domethënia e zgjeruar – vepra të mira në përgjithësi – është mbase e drejta. Mësimi i cili kërkon që sjellja e besimtarit të jetë në përputhje me rrëfimin e krishterë është i shkëlqyer dhe i dobishëm. Të gjitha mësimet duhet të kenë një zbatim vetjak dhe praktik.
3:9 Sigurisht, ka gjithmonë kurthe që duhen shmangur në shërbesën e krishterë. Në kohën e Palit kishte diskutime të marra mbi ushqimet e pastra dhe të papastra, rregullat e shabatit dhe zbatimet e ditëve të shenjta. Diskutimet u ngritën për gjenealogjitë, si engjëllore ashtu edhe njerëzore. Kishte grindje rreth rregullave të ndërlikuara që ishin caktuar nga ligji. Pali ishte i pakënaqur me to sepse ishin të padobishme dhe të kota.
Shërbëtorët e Zotit në ditët tona mund t’i marrin këshillat e Palit për zemër duke shmangur gjërat e mëposhtme:
1. Diskutimi për metodat në vend të realiteve frymërore. Për shembull, debatet e lashta mbi përdorimin e verës së fermentuar apo lëngut të rrushit, bukës me maja apo pa maja, një kupë individuale apo të përbashkët – sikur këto gjëra të jenë çështje të rëndësishme në Bibël!
2. Bërja bisht ndaj fjalëve.
3. Vënia e theksit në një të vërtetë, apo edhe në një aspekt të së vërtetës, dhe përjashtimi i çdo gjëje tjetër.
4. Alegorizimi i Shkrimit derisa ai bëhet absurd.
5. Kriticizmi teologjik që nuk ndërton asnjë.
6. Largimi nga fjala e Perëndisë në politika me rrugë dytësore dhe në vrazhdësi të krishterë kundër kësaj dhe asaj.
Çfarë tragjedie të harxhosh kohën në këto gjëra ndërsa bota po humbet!
3:10Njeriu që vë theksin në këto gjëra të vogla është një heretik [5] sektar. Ai zakonisht i bie fyellit vetëm në një vrimë. Shpejt ai do të mbledhë rreth vetes një kategori njerëzish me një pikëpamje negative dhe duke i larguar të tjerët. Ai më mirë ndan një asamble sesa të braktisë idetë e tij doktrinore. Asnjë kishë nuk duhet të vazhdojë me një anomali të tillë. Nëse pas një apo dy paralajmërimeve ai nuk pranon të ndreqet, ai duhet të përjashtohet nga përbashkësia e kishës lokale dhe të krishterët duhet të ndalohen të kenë lidhje shoqërore me të. Me shpresë, kjo disiplinë do ta çojë atë në pendim dhe në një kuptim më të baraspeshuar të fjalës së Perëndisë.
3:11 Le të mos mendojë ndokush se një i tillë nuk është një kërcënim serioz për kishën; apostulli e ndëshkon atë si të çoroditur dhe që mëkaton, duke dënuar vetveten. Sjellja e tij është më shumë një shthurje sesa një variant i krishterimit. Ai po mëkaton duke krijuar një sekt apo grup. Ai është i dënuar, sepse priret me kryeneçësi ndaj ligësive të tij pasi është paralajmëruar nga të krishterë përgjegjës.