A. Pyetja rreth agjërimit (7:1-3)
Kapitujt 7 dhe 8 formojnë një ndarje më vete, duke shtjelluar temën e agjërimit. Një delegacion nga Betheli (shënimet anësore të versionit NKJ) [8] erdhi për të pyetur nëse ata duhet të vazhdonin të agjëronin në përvjetorin e rënies së Jerusalemit. Ata e kishin bërë këtë për shtatëdhjetë vjet.
B. Mesazhi i parë (7:4-7)
Domethënia: Agjërimet ishin ideja e tyre, jo e Perëndisë. Zoti do realitet, jo thjesht rite.
Përgjigjja për pyetjen e mësipërme jepet në katër mesazhe të veçanta (7:4-7; 7:8-14; 8:1-17; 8:18-23). Në mesazhin e parë Perëndia i kujton se agjërimi, si në muajin e pestë ashtu dhe në të shtatin, ishte caktuar nga ata vetë, jo prej Tij. Qoftë agjërimi, qoftë festimi i tyre ishin për veten e tyre, jo për Perëndinë. Para shkatërrimit të Jerusalemit, profetët e së kaluarës e kishin paralajmëruar popullin se Perëndia kërkon drejtësi dhe vërtetësi më shumë sesa rite.
C. Mesazhi i dytë (7:8-14)
Domethënia: Gjykimi kishte rënë mbi popullin, ngaqë nuk kishin pranuar të praktikonin drejtësinë, të drejtën dhe mëshirën.
Në mesazhin e dytë Perëndia shpjegon pse kishte rënë gjykimi mbi kombin. Ai i kishte bërë thirrje popullit të praktikonte drejtësinë, mirësinë dhe mëshirën. Por ata nuk deshën të dëgjojnë. Vini re pasojat e mosbindjes së tyre: zemërimi hyjnor, lutjet pa përgjigje, shpërndarja e popullit midis… kombeve, shkretimi i vendit. Me fjalë të tjera, agjërimi për të cilin po pyesnin ishte pasojë e gjendjes së tyre mëkatare dhe e mosbindjeve të tyre. Uilliam Kelli paralajmëron:
Rregullat, çfarëdolloj gjëje të përfaqësojnë, nuk e zënë kurrë vendin e praktikimit të drejtësisë dhe aq më pak të besimit, në sytë e Perëndisë [9].
D. Mesazhi i tretë (8:1-17)
Domethënia: Zoti do të derdhë bekimet e Tij mbi Judën.
8:1-5 Mesazhi i tretë për delegacionin nga Betheli premton bekimin e ardhshëm për Judën. Zemërimi i madh do të shpërthejë kundër armiqve të Judës (v. 2). Jerusalemi do të përtërihet dhe do ta quajnë Qytet të besnikërisë, sheshet e të cilit do të kthehen në parqe për djem dhe vajza dhe një qendër shoqërore për të moshuarit.
8:6-8 Nëse kjo duket shumë e vështirë për atë pakicë në numër që kanë mbetur, a është aq e vështirë për Perëndinë që të bëhet? Ai do të bëjë të vijnë të mërguarit dhe do të banojë në mes tyre si Perëndia i tyre.
Ndërsa këto vargje kishin një zbatim të menjëhershëm për popullin në kohën e Zakarias, përmbushja e tyre e plotë pret Ardhjen e Dytë të Zotit tonë.
8:9-13 Njerëzit që kishin dëgjuar nxitjet e Hagait dhe të Zakarias u nxitën të vazhdonin ndërtimin. Para se të fillonin punën në tempull, kishte një papunësi në mbarë vendin dhe dhuna mbizotëronte nëpër rrugë. Por tashmë Perëndia u premton paqe e begati dhe ata do të jenë një bekim për paganët në vend të një mallkimi.
8:14-17 Ashtu siç kishte premtuar fatkeqësinë Perëndia ndaj popullit të Tij në kohën e mosbindjes së tyre, po kështu Ai vendos t’u bëjë mirë. Duke pasur këtë parasysh, ata nxiten të bëjnë një jetë me besnikëri, drejtësi dhe paqe, duke shmangur ato gjëra që Zoti urren (kurdisja e së keqes kundër të afërmit dhe dashja e betimit të rremë – pandershmërisë).
E. Mesazhi i katërt (8:18-23)
Domethënia: Agjërimet e Izraelit do të kthehen në festa dhe Jerusalemi do të jetë qendra botërore e adhurimit.
8:18,19 Si një nxitje për delegacionin nga Betheli, Zoti premton se agjërimet vajtuese do të kthehen në stinë gëzimi, hareje dhe festash të gëzuara. Agjërimi i muajit të dhjetë mbante zi për rrethimin e Jerusalemit (2 i Mbreterve 25:1); muaji i katërt shënonte pushtimin e tij (2 i Mbreterve 25:3); muaji i pestë shkatërrimin e tij (2 i Mbreterve 25:8-10); muaji i shtatë vrasjen e Gedaliahut (2 i Mbreterve 25:25).8:20-23 Vargjet e fundit të kapitullit paraqesin shumë popuj dhe kombe pagane të fuqishme duke u mbledhur në Jerusalem nga tërë bota për të kërkuar Zotin e ushtrive. Në atë kohë judenjtë do të jenë mjeti i kalimit të bekimeve për botën. Vini re përdorimin e shpeshtë të shprehjes: “Kështu thotë Zoti” apo “Kështu thotë Zoti i ushtrive” në këtë kapitull: vargjet 2, 3, 4, 6, 7, 9, 14, 19, 20, 23.