Abuzimi i Fjalës së Perëndisë

ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

MUND TЁ DALIM NË përfundim nga Shkrimi vetëm se shpëtimi është i mundshëm për këdo në tërë botën, jude apo johebre, i cili do të besojë në Krishtin, “Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29). Si mund të mohohet një e folur kaq e qartë? Pikërisht këtë bën Palmeri: duke e ndryshuar përkufizimin e fjalëve (“bota” bëhet “të zgjedhurit” etj.); dhe arsyetime të cilat në fillim të duken se kanë kuptim, por që bien poshtë pas një shqyrtimi më nga afër. Një kritik, për aq pak sa kisha shkruar rreth kalvinizmit në buletinin tonë të përmuajshëm, argumentoi: “Nëse Krishti vdiq për tërë njerëzit, përse nuk janë të shpëtuar të gjithë? A është besimi i domosdoshëm për ta bërë gjakun e Krishtit të frytshëm për shpengim? Përkundrazi [nuk është]”.

Ky është arsyetimi kalvinist: Krishti duhet të ketë vdekur vetëm për të zgjedhurit; përndryshe të gjithë do të shpëtoheshin. Dhe të zgjedhurit nuk kanë pse të besojnë në Krishtin që të lindin sërish, sepse ata janë rilindur në mënyrë sovrane nga Perëndia pa ndonjë dëshirë apo kuptim nga ana e tyre. Perëndia thjesht ka dashur të bëhet kështu. Nëse njeriut i lihet vend për zgjedhje, atëherë kalvinizmi hidhet poshtë. Siç ka thënë Palmeri në mënyrë sarkastike për pikëpamjen jokalviniste të kryqit: “Krishti jo vetëm që e derdhi gjakun e Tij, por edhe e shpërndau atë. Ai kishte si qëllim t’i shpëtonte të gjithë, por vetëm disa do të shpëtohen. Prandaj, një pjesë e gjakut të Tij shkoi kot: u shpërnda” [1].

Në skemën kalviniste besimi i ungjillit nuk është mjeti i shpëtimit të dikujt dhe i lindjes së re. Kjo supozohet që vërteton se dikush është midis të zgjedhurve dhe se është rilindur nga Perëndia dhe më pas i jepet besimi për të besuar. I njëjti kritik, i cituar më lart, nguli këmbë se besimi nuk është një kusht paraprak për shpëtim, por “është thjesht prova se gjaku i Krishtit ka shpëtuar një njeri”. Pajpëri dhe stafi i tij argumentojnë të njëjtën gjë: “Ne nuk mendojmë se besimi e paraprin dhe e shkakton shkakton lindjen e re. Besimi është prova se Perëndia na ka lindur sërish” [2]. Përkundrazi, Bibla e vendos gjithmonë besimin para shpëtimit – gjithmonë – kështu kalvinizmi e bën njeriun të rilindur para se ai të shpëtohet, një koncept jobiblik të cilin Spërxhëni e kundërshtonte fort.

Besimi është thelbësor

Bibla thotë në mënyrë të përsëritur se ne jemi “shpëtuar […] nëpërmjet besimit” (Efesianëve 2:8). Pali i tha rojtarit të burgut nga Filipi: “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh…” (Veprat e Apostujve 16:31). Në greqisht “beso” është gjithmonë një folje veprore – diçka që dikush bën, jo diçka që është bërë për të. Por kalvinisti ngul këmbë se, edhe pse njeriu natyror mund të besojë çfarëdo lloj gjëje tjetër, ai është plotësisht i paaftë t’i besojë Krishtit. Prandaj, Perëndia duhet ta rilindë në fillim dhe më pas e shkakton atë të besojë duke i dhënë atij besimin thelbësor – diçka që me sa duket Perëndia e bën vetëm për të zgjedhurit, të cilët janë të vetmit që dëshiron t’i shpëtojë.

Megjithatë, vargjet e shumta që kemi cituar, disa nga buzët e vetë Krishtit, e bëjnë në mënyrë të qartë besimin një kusht të lindjes së re dhe të shpëtimit, që mund të rezultojnë vetëm nga besimi. Arsyeja biblike përse tërë njerëzit nuk janë të shpëtuar, pavarësisht se Krishti ka vdekur për të gjithë, është se jo të gjithë e besojnë ungjillin, që është “është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16). “Kushdo”, e përdorur në mënyrë të përsëritur në Shkrimin e Shenjtë, nënkupton se ndërsa të gjithë munden, shumë nuk duan. Shiko pjesët në vijim:

  • Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët, që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij (Veprat e Apostujve 10:43).
  • Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet (Romakëve 10:11).
  • Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet (Romakëve 10:13).
  • Dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës (Zbulesa 22:17).

Pohimi se “kushdo” do të thotë vetëm të zgjedhurit merr arratinë përballë qindra pjesëve të Shkrimit. Asnjë varg nuk mund të paraqitet si pohim i qartë i doktrinës së shlyerjes së kufizuar. Me siguri, një koncept i tillë i rëndësishëm duhet të pohohej në mënyrë të qartë dhe të përsëritur. Megjithatë nuk gjendet as edhe një herë me fjalë të qarta.

Ç’mund të themi për “pagesën e dyfishtë”?

Kalvinistët arsyetojnë se që mëkatarët të vuajnë përjetësisht pasi Krishti ka vuajtur për ta do të thotë që Perëndia të kërkonte pagesë të dyfishtë për mëkatet e tyre. Boetneri ngul këmbë se “Krishti vdiq jo për një masë të pazakontë, por për popullin e Tij, Nusen e Tij, Kishën e Tij” [3]. Ai argumenton diku tjetër: “Që Perëndia të hidhte mëkatet e tërë njerëzve në Krishtin do të thotë se për sa u përket të humburve Ai do t’i ndëshkonte mëkatet e tyre dy herë, një herë në Krishtin dhe përsëri në ta” [4]. Një autor tjetër paraqet atë që për të janë argumentet e shëndosha kundër mundësisë që Gjoni 3:16 dhe shumë vargje të tjera të nënkuptojnë në të vërtetë atë që thonë:

[Nëse] Jezusi vdiq, që të paguante për mëkatet e të gjithëve, Perëndia nuk mund të padisë apo dënojë këdo ligjërisht apo me të drejtë […] pavarësisht nëse ata e dëgjojnë apo e pranojnë ungjillin, mëkati nuk mund të paguhet me të drejtë dy herë…. Që Perëndia të mos falë një mëkatar për të cilin Krishti vuajti do të ishte një parodi e drejtësisë…. [Atëherë] Jezusi kurrë nuk… “do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe […] të jetë i kënaqur” (Isaia 53). Pse? Sepse miliarda për të cilët vuajti, u mundua dhe vdiq, duke bartur “mëkatet [e tyre] në trupin e tij mbi drurin e kryqit”, do të vuajnë ferrin e përjetshëm. Jezusi pagoi. Ata paguajnë përsëri. Perëndia paguhet dy herë për të njëjtin borxh [5] . (Theksimi në origjinal).

Megjithatë, ashtu siç do ta shikojmë në pjesën tjetër, ishte e pamundur që Krishti të vdiste për mëkatet e disave dhe jo të të tjerëve. Krishtit iu desh të vdiste për vetë mëkatin, për mëkatin që “me anë të një njeriu të vetëm […] hyri në botë” (Romakëve 5:12). Atij iu desh të paguante dënimin që u takonte të gjithëve. Pagesa e Krishtit për mëkatin nuk mund të ndahet për t’ia përdorur atë individëve. Gjithashtu shprehja “U krye!” e Krishtit nuk u akreditohet në mënyrë automatike të gjithëve që nuk e pranojnë fajin e tyre para Perëndisë, që nuk pendohen dhe nuk e pranojnë Krishtin si Shpëtimtarin e tyre.

Si rezultat i vdekjes së Krishtit si pagesë për dënimin e plotë askush nuk do ta kalojë përjetësinë në liqenin e zjarrit vetëm për shkak të mëkateve të tij. Rrënimi i atyre që do të shkojnë në ferr është vulosur nga secili prej tyre që e kanë refuzuar Krishtin dhe shpëtimin që Ai siguroi dhe u ofroi falas të gjithëve.

Për më tepër, është mëkatari dhe jo Perëndia që krijon një “pagesë të dyfishtë”. Drejtësia e Perëndisë është përmbushur plotësisht në vdekjen e Birit të Tij. Ati e ka vërtetuar dashurinë e Tij duke dhënë Birin e Tij dhe Krishti e ka vërtetuar dashurinë e Tij duke vdekur në vend të mëkatarit. Prandaj, edhe sikur të bëhet fjalë për pagesë të dyfishtë, Perëndia nuk mund të akuzohet për padrejtësi – ndodh vetëm për shkak të refuzimit të disave për të pohuar fajin e tyre dhe për të pranuar pagesën e plotë të Krishtit që u bë në llogari të tyre.

Disa shkojnë më tepër dhe argumentojnë se është një parodi e drejtësisë që Krishti, një palë e pafajshme, të ndëshkohej në vend të fajtorit dhe që fajtori më pas të shkojë i lirë. Në fakt, ky nuk është ungjilli sipas Palit, por sipas Barabës. Ky i fundit mund të thoshte: “Krishti vdiq për mua, në vendin tim”. Kjo ishte e vërtetë, por vdekja e Krishtit në vendin e tij nuk kishte asnjë pasojë të përjetshme dhe morale te Baraba. Kjo thjesht e liroi atë kriminel për të jetuar përsëri për veten – dhe ky nuk është ungjilli.

E vërteta e ungjillit është shprehur nga Pali: “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin […] [dhe tani] Krishti rron në mua” (Galatasve 2:20). Në fakt, të gjithë ata që besojnë në Krishtin, pasi e kanë lënë atë jetë siç do ta kishin jetuar dhe pasi e kanë pranuar nëpërmjet besimit vdekjen e Tij si të tyren, janë kryqëzuar me Të. Ky nuk ishte rasti i Barabës, edhe pse Krishti vdiq në vend të tij. Ata që nuk kanë besuar në Krishtin nuk e kanë pranuar vdekjen e Tij si vdekjen e tyre dhe kështu do të vuajnë “vdekjen e dytë” përjetësisht (Zbulesa 20:14, 15).

Askush nuk mund të ankohet se Perëndia i krijoi qeniet njerëzore për ferrin. Ai i krijoi ata të gjithë për praninë e Tij të lavdishme. Po, Ai e dinte se të gjithë njerëzit do të mëkatonin dhe do të privoheshin nga lavdia e Tij, por Ai kishte një mënyrë për të qenë i drejtë dhe megjithatë për të shfajësuar të gjithë mëkatarët (Romakëve 3:22-26) në mënyrë që ata të mund të faleshin dhe të kalonin përjetësinë në praninë e Tij.

Edhe para se Adami të krijohej dhe të mëkatonte, Perëndia e kishte planifikuar shpengimin për të dhe për tërë pasardhësit e tij. Cilido që do ta kalojë përjetësinë në liqenin e zjarrit (Zbulesa 20:4) e ka çuar veten atje duke refuzuar shpëtimin që Perëndia ka parashikuar për të si dhuratë falas të hirit të Tij. Perëndia është i lirë nga çdo dyshim për faj. Ai e ka bërë shpëtimin të mundshëm për të gjithë, por Ai nuk do ta thyejë drejtësinë e Tij për të pranuar ata që e refuzojnë Krishtin. Ai nuk mund ta mohojë vetveten.

A u derdh “një pjesë” e gjakut të Krishtit kot?

Pranimi i shlyerjes së kufizuar nga shumë duket se mbështetet në keqkuptimin e sinqertë se, nëse gjaku i Krishtit u derdh për turma njerëzish që nuk besojnë, një pjesë e tij është derdhur më kot. Disa kalvinistë duket se besojnë se vdekja e Krishtit ishte fuqimisht shpenguese për tërë botën, por se faktori kufizues u vu mbi të nga vetë Perëndia. Kështu Gunn argumenton: “Kryqi mund të shpëtojë këdo nëse Perëndia do të kishte patur si qëllim ta bënte një gjë të tillë” [6]. Spërxhëni tha të njëjtën gjë.

Është argumentuar se nëse Krishti vdiq për të gjithë dhe këta e kalojnë përjetësinë në liqenin e zjarrit, jo vetëm do të ishte pagesë e dyfishtë dhe një shkelje e drejtësisë, por edhe do të thoshte se gjaku i Krishtit u derdh në mënyrë të panevojshme. Fatkeqësisht, C. H. Spërxhëni e huazoi mbështetjen e tij në këtë pikë pavarësisht nga pohimi i tij se vlera e shlyerjes së Krishtit ishte e pakufizuar:

Disa thonë se tërë njerëzit janë të Krishtit se i ka blerë. Por, të dashur, ju dhe unë nuk besojmë në një shpengim të shtirur i cili nuk shpengon. Ne nuk besojmë në një shpengim të përbotshëm që shtrihet edhe tek ata që ishin në ferr para se të vdiste Shpëtimtari dhe që përfshin […] njerëzit e papenduar. Ne besojmë në një shpengim të frytshëm dhe nuk mund të pajtohemi kurrë me ata që na mësojnë se gjaku i Krishtit u derdh më kot [7].

Fakti se Krishti vdiq për të gjithë, se Ai provoi “vdekjen për të gjithë njerëzit”, është mësimi i qartë i Shkrimit. Të sugjerosh se gjaku i Krishtit do të jetë derdhur më kot nëse disa prej tyre për të cilët u derdh e refuzuan dhe e kalojnë përjetësinë në liqenin e zjarrit – apo tashmë ishin në ferr – përbën një keqkuptim bazë. A mos nuk e ka kuptuar thelbin këtu një predikues i madh si Spërxhëni?

Shpengimi me anë të gjakut të Tij

Sa gjak i Krishtit u desh për shlyerjen e atyre që do të jenë në qiell? Natyrisht, i tëri duhej të derdhej për të shpenguar qoftë edhe një person të vetëm. Nuk mund të ndahej gjaku i Krishtit në mënyrë që kjo pjesë të derdhej vetëm për të shpenguarit dhe ajo pjesë për ata që janë të humbur dhe kështu një pjesë e tij u derdh më kot.

Edhe sikur askush të mos i besonte Atij, Krishti e vërtetoi dashurinë, mëshirën dhe hirin e Perëndisë; Ai e vërtetoi ligësinë e mëkatit, drejtësinë e ndëshkimit dhe e lavdëroi Perëndinë duke e paguar plotësisht atë ndëshkim për të gjithë. Perëndia, për shkak të vdekjes së Krishtit në kryq, është përligjur plotësisht në krijimin e njeriut nga ana e Tij dhe do të jetë përjetësisht i lavdëruar me ata në ferr. Do ta trajtojmë këtë fakt më me hollësi më vonë.

Ne nuk themi se “tërë njerëzit janë të Krishtit se i ka blerë”. Shpengimi, sipas Biblës, bëhet i frytshëm vetëm nëse dhe kur një mëkatar e beson ungjillin. Askush nuk mund t’i shpëtojë ferrit nëse Krishti nuk do të kishte paguar ndëshkimin e plotë për mëkatin. Dhe refuzimi i Krishtit është një mëkat për të cilin, nga vetë natyra e tij, Krishti nuk mund ta paguajë ndëshkimin. Ky është “mëkati kundër Frymës së Shenjtë” – i pafalshëm në këtë jetë apo në jetën që do të vijë – sepse është refuzuar falja që ka blerë Krishti. Në të vërtetë, ai mëkat mbart një ndëshkim më të keq:

Ç’dënim më të keq meriton […] ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua dhe ka fyer Frymën e hirit? (Hebrenjve 10:29).

Këtu, përsëri, kemi një pohim të qartë se gjaku i Krishtit nuk u derdh vetëm për të zgjedhurit. U derdh edhe për ata që e fyejnë dhe e shkelin me këmbë Birin e Perëndisë. E njëjta e vërtetë është paraqitur nga Pjetri, se edhe ata që shkojnë në shkatërrim janë blerë nga Krishti, natyrisht, me të njëjtin çmim të gjakut të Tij të derdhur për mëkatin: “Por ka pasur edhe profetë të rremë midis popullit, ashtu si do të ketë midis jush mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata, do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë” (2 Pjetrit 2:1). Po, profetët e rremë të dënuar për në ferr u “blenë” nga Krishti.

Kalvinisti, nën dritën e këtyre pjesëve nga Shkrimi, duhet të pranojë se ose ai që ishte një herë i shpëtuar e humbi shpëtimin e tij duke u kthyer kundër Krishtit – ose që ai i cili “u shenjtërua” nga gjaku i Krishtit ose disa të cilët “Zoti […] i bleu” nuk janë midis të zgjedhurve. Në mënyrë të qartë disa për të cilët u derdh gjaku i Krishtit do të humbasin. Kështu kalvinisti nuk ka bazë të akuzojë se besimi që gjaku i Krishtit u derdh për të gjithë të çon pashmangshmërisht drejt universalizmit, mësimi se të gjithë janë të shpëtuar.

Shlyerje specifike?

Kalvinistët bëjnë debat se “Nuk ka kuptim që Krishti të ofrojë shlyerjen për ata që Ati nuk ia jep Atij për shpëtim” [8]. Ky është arsyetim njerëzor pa mbështetje biblike. Kalvinistët i referohen “shlyerjes specifike” – idesë se vdekja e Krishtit duhet të ishte për një grup të veçantë të zgjedhurish. Atëherë Krishti vdiq vetëm për mëkate specifike – një besim që keqkupton vetë natyrën e shlyerjes. Krishti nuk vdiq vetëm për mëkatet e individëve, por për vetë mëkatin – një ndëshkim që duhet të paguhej për këdo për t’u shpëtuar. Por pagesa e Tij për dënimin e vetë mëkatit kërkoi pagesën për tërë mëkatet dhe sigurimin e shpëtimit për tërë njerëzimin.

Kujto se të shkelësh një urdhër do të thotë të jesh fajtor për shkeljen e të gjitha urdhërimeve: “Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat” (Jakobi 2:10). Kjo është e njëjta gjë për shkak të vetë natyrës së mëkatit. Mëkati është rebelim kundër Perëndisë. Kështu, sido që të rebelohet dikush, pavarësisht se sa e parëndësishme mund të duket nga një pikëpamje njerëzore, ai person është një rebel. Mëkati është mëkat dhe ndëshkimi për atë që mund të mendojmë se është vetëm mëkati më i papërfillshëm është ndarja e përjetshme nga Perëndia në liqenin e zjarrit.

Nuk ka mundësi që vdekja e Krishtit të jetë e kufizuar për të paguar vetëm për mëkatin e të zgjedhurve. Për të çliruar edhe një person të vetëm nga ndëshkimi i përjetshëm, pavarësisht se sa shumë apo pak mëkate të ketë kryer, Krishti duhej të paguante ndëshkimin e kërkuar nga drejtësia e Tij e pafund për mëkatin. Prandaj, vdekja e Krishtit në kryq pagoi ndëshkimin për vetë mëkatin (që i përfshin të gjitha mëkatet) që varen mbi kokat e tërë racës njerëzore. Nuk mund të ndodhte ndryshe.

Krishti është “njeriu i dytë […] Adami i fundit” (1 Korintasve 15:45-47), përfaqësuesi jo thjesht i të zgjedhurve, por i tërë racës njerëzore. Nuk mund të jetë ndryshe. Ajo që bëri në Kalvar ishte e frytshme për tërë njerëzimin. Ai pagoi për mëkatin e Adamit, i cili solli vdekjen te të gjithë, kështu, duke paguar atë ndëshkim, Ai ka çliruar të gjithë që e pranojnë me vullnet shpëtimin që ofron Ai.

Po, ne “i rrëfejmë mëkatet tona” (1 Gjonit 1:9), ashtu siç u kërkohej izraelitëve të sillnin oferta individuale për mëkatet e tyre individuale. Por ishte “flijimi për mëkatin”, i cili bënte të mundur faljen e tërë mëkateve. “Flijimi për mëkatin” në njëjës përmendet në librin e Levitikut më tepër se flijimet për mëkatet.

Që gjaku i Krishtit u derdh “për faljen e mëkateve” shpallet te Mateu 26:28; Luka 24:47; 1 Korintasve 15:3 dhe shumë pjesë të tjera. Megjithatë, na thuhet gjithashtu se Ai vdiq për mëkatin. Në fakt, fjala “mëkat” përmendet më tepër se dyfishi në krahasim me fjalën “mëkatet”. Këtu kemi disa nga këto pjesë:

  • Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin […] ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave… (Isaia 53:10, 12).
  • Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës! (Gjoni 1:29).
  • Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë… (Romakëve 5:12).
  • Sepse paga e mëkatit është vdekja… (Romakëve 6:23).
  • Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të (2 Korintasve 5:21).
  • …as olokauste as flijimet për mëkatin… (Hebrenjve 10:6, 8; 13:11).
Ungjilli është vetjak

Spërxhëni, për të qenë në përputhje me kalvinizmin e tij të pranuar, nuk mund t’i ofronte shpëtimin çdo personi të cilit i predikonte, duke mos ditur, ashtu siç tha Xhej Adamsi, se cilët në sallë, nëse kishte, ishin midis të zgjedhurve. Por si bindje ndaj Biblës dhe në mohim të kalvinizmit, Spërxhëni e predikonte ungjillin si një thirrje ndaj kujtdo që do të besonte. Një predikim i tillë nxiti kundërshtimin “përgjegjësia e besimit” në Angli, të cilit tashmë i jemi referuar. Ne mund dhe duhet t’i shpallim gjithkujt: “Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde […] dhe po të besosh në zemrën tënde […] do të shpëtohesh…. Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet” (Romakëve 10:9, 13).

Shpëtimi nuk mund t’i ofrohet gjithkujt për të cilin Krishti nuk ka vdekur, sidoqoftë duhet t’u shpallet të gjithëve: “I predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15). Nga ana tjetër, kalvinisti nuk mund të shikojë një person të pashpëtuar në sy dhe t’i thotë me besim: “Krishti vdiq për ty!”. Ai person mund të mos jetë midis të zgjedhurve dhe një pohim i tillë mund të jetë i pavërtetë. Kalvinisti nuk mund dhe nuk guxon të sigurojë një person që është duke vdekur se Krishti vdiq për të. Kështu kalvinizmi e mohon ungjillin e hirit të Perëndisë!

Pali nuk mund t’i thoshte rojtarit të burgut në Filipi: “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote” nëse Krishti nuk kishte vdekur për të dhe shtëpinë e tij. A mos pati Pali ndonjë zbulim të veçantë se tërë familja e tij ishte midis të zgjedhurve – apo ungjilli është për të gjithë? Si mund të shpallte Pali të njëjtën gjë ndaj dëgjuesve në mbarë vendet, si në Antioki të Pisidisë: “juve ju është dërguar fjala e këtij shpëtimi” (Veprat e Apostujve 13:26), nëse Krishti vdiq vetëm për një numër të kufizuar të njohur si të zgjedhurit? Me siguri jo të gjithë nga dëgjuesit e shumtë me të cilët u ndesh ishin midis të zgjedhurve të kalvinizmit! Si mund t’u thoshte Pjetri mijëra judenjve të mbledhur në ditën e Rrëshajave: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet…” (Veprat e Apostujve 2:38), nëse Krishti nuk kishte vdekur për secilin prej tyre?

Ashtu sikurse kalvinistët e kundërshtojnë shpesh Xhon Kalvinin dhe njëri-tjetrin, po kështu Kalvini e kundërshtonte ndonjëherë veten. Ai bëri pohime që herë e mbështetnin shlyerjen e pakufizuar dhe herë në favor të shlyerjes së kufizuar. Duke iu referuar Isaias 53:12, ai tha: “mbi Të u vu faji i tërë botës” [9]. Kalvini, rreth Markut 14:24: “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta”, tha: “Fjala shumë nuk do të thotë një pjesë e botës, por tërë raca njerëzore” [10]. Ku është “shlyerja e kufizuar”?

Kalvinisti, i kapur në kontradikta të tilla, fillon të flasë me dy kuptime. Ashtu siç e kemi parë, disa kalvinistë pranojnë se Perëndia i do të gjithë, por pohojnë se Ai i do vetëm të zgjedhurit me “dashuri shpenguese” dhe të tjerët me një dashuri më të vogël. MekArturi pohon se Perëndia madje “në njëfarë kuptimi […] i do armiqtë e tij” [11]. Në njëfarë kuptimi? Çfarë do të thotë kjo? Dashuria është dashuri! Nuk do të ishte dashuri, në asnjë lloj kuptimi, nëse nuk arrin të shpëtojë nga çdo shkatërrim ata që mund të shpëtoheshin – aq më pak t’i paracaktonte për rrënim të përjetshëm.

Disa kalvinistë, edhe pse pranojnë se Perëndia e do tërë botën e njerëzimit, argumentojnë se kjo nuk do të thotë çdo individ, por njerëzimin në përgjithësi. Ashtu siç e kemi parë, MekArturi e përdor këtë argument të çuditshëm në librin e tij, Dashuria e Perëndisë” [12]

Ashtu siç do ta shohim kur të mbërrijmë te këmbëngulja e shenjtorëve, një problem i madh për kalvinistët është se si të jenë të sigurt se dikush është midis të zgjedhurve, për të cilët vetëm, supozohet, se vdiq Krishti. Ne e shohim këtë pasiguri te vetë Kalvini. Në testamentin e tij, të shkruar pak para vdekjes së tij, Kalvini shkruan: “Përulësisht kërkoj nga Perëndia […] për t’u larë dhe pastruar nga gjaku i madh i Shpenguesit, i derdhur për mëkatet e racës njerëzore…” [13]. Si ka mundësi që ky mësues siç duket i madh të tingëllojë i pasigurt për shpëtimin e tij, pavarësisht nga premtimi i Shkrimit për siguri të plotë: “Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme…” (1 Gjonit 5:13)? Një siguri e tillë vjen jo me anë të një zbulimi të veçantë se dikush është midis të zgjedhurve, por thjesht me anë të besimit në Krishtin, “Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29).

Ndryshimi i domethënies së fjalës “botë”

Uajti, në vend që të pranojë mohimin e dukshëm të Kalvinit të shlyerjes së kufizuar, të cilin e kemi cituar më lart, e citon në mënyrë përzgjedhëse Kalvinin duke e kundërshtuar veten përsëri: “Në lidhje me Gjonin 1:29 dhe 1 Gjonit 2:2 fjala ‘botë’ shihet si nënkuptimi i kapërcimit të një veçantie kombëtare judaike” [14]. Megjithatë, nuk ka asgjë qoftë në ungjillin sipas Gjonit, qoftë në letrën e tij që të sugjerojë këtë domethënie të çuditshme. Megjithatë, kalvinizmi duhet ta interpretojë fjalën “botën” si “të zgjedhurit” për të mbrojtur veten. Çfarë besoi me të vërtetë Kalvini, sidomos në fund të jetës së tij? Është thënë se ai filloi të kishte dyshime dhe pohime të cituara nga testamenti i tij – “derdhur për mëkatet e racës njerëzore” – duket se e konfirmon këtë.

Kalvini citohet kur u vjen për mbarë kalvinistëve të sotëm dhe herë të tjera injorohet. Megjithatë kjo doktrinë pështjelluese, për të cilën përkrahësit e saj nuk pajtohen midis tyre apo madje me Kalvinin, quhet akoma “kalvinizëm” nga secili. Megjithatë, në të njëjtën kohë kalvinistët vazhdojnë të kundërshtojnë Kalvinin, veten dhe njëri-tjetrin.

Pinku argumenton: “Të thuash se Perëndia Atë ka patur si qëllim shpëtimin e tërë njerëzimit, se Perëndia Bir vdiq me qëllimin e qartë për të shpëtuar tërë racën njerëzore dhe se Perëndia Frymë e Shenjtë po përpiqet tani të fitojë botën për Krishtin; kur […] duket se pjesa më e madhe e njerëzve po vdes në mëkat dhe duke kaluar në një përjetësi të pashpresë: do të thotë të thuash se Perëndia Atë është i zhgënjyer, se Perëndia Bir është i pakënaqur dhe se Perëndia Frymë e Shenjtë është i mundur [15].

Një arsyetim i tillë njerëzor nuk është as biblik as i arsyeshëm, por, fatkeqësisht, kërkohet për të mbështetur kalvinizmin. Për të mbajtur këtë pozicion dikush duhet të thotë se Perëndia nuk ishte i sinqertë me qindra përgjërime dhe paralajmërime urgjente dhe të dhembshura që Izraeli të pendohej dhe t’i bindej Atij, të cilat shprehen përmes profetëve të Tij përmes Dhiatës së Vjetër. Fakti është se Izraeli në tërësi u rebelua kundër Tij vazhdimisht gjatë tërë ekzistencës së tij dhe vazhdon me mosbesim dhe me refuzim të Mesias së tij edhe sot e kësaj dite. Nëse një mosbindje e tillë nuk kërkon që Perëndia të jetë i zhgënjyer, i pakënaqur dhe i mundur (emocione që Ai nuk mund t’i ketë), atëherë ky nuk do të jetë gjithashtu reagimi i Perëndisë kur johebrenjtë, të cilët Ai i do dhe për të cilët Krishti vdiq, e refuzojnë shpëtimin që Ai e dhuron falas dhe me dashuri.

Sigurisht, fjala “botën” mund të ketë një larmi domethëniesh, por rastet që nuk nënkupton botën fizike apo sistemin e paudhë të botës apo tërë njerëzimin janë tej mase të rralla. Këto raste mund të numërohen mundësisht me një dorë nga pothuaj 240 herët që fjala “botë” haset në Dhiatën e Re. Për më tepër, ne i sfidojmë të gjithë kalvinistët që të tregojnë një varg ku fjala “botë” nënkupton në mënyrë të qartë të zgjedhurit. Ju lutem, vetëm një!

Nga 80 herët që fjala “botë” haset në 59 vargje tek ungjilli i Gjonit, as edhe një herë nuk nënkupton “të zgjedhurit”. Ajo domethënie duhet të shtohet bashkë me leximin në tekst – dhe nuk ka asgjë në përdorimin e tyre për të diferencuar midis atyre herëve kur kalvinisti thotë se nënkupton “të zgjedhurit” dhe ato herë kur nuk nënkupton ashtu. Vansi rendit shembuj të shumtë nga Ungjilli i Gjonit ku fjala “botë” nuk mund të nënkuptojë të zgjedhurit:

Bota nuk e njohu Krishtin (1:10). Bota e urren Krishtin (7:7). Veprat e botës janë të mbrapshta (7:7). Judenjtë e pashpëtuar ishin nga kjo botë (8:23). Satani është princi i kësaj bote (12:31; 14:30; 16:11). Ata që i përkasin Krishtit janë të ndarë nga bota (13:1; 14:19, 22). Bota nuk mund ta marrë Frymën e Shenjtë (15:18; 14:14) [dhe shumë të tjera]….

Sprouli, duke argumentuar për shlyerjen e kufizuar, vërteton në mënyrë të shkujdesur se bota nuk i referohet “të zgjedhurve”…: “Ai [Jezusi] i përjashton në mënyrë të qartë të pazgjedhurit nga lutja e tij e madhe kryepriftërore: ‘Nuk lutem për botën, po për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë’ (Gjoni 17:9)…” [16]. Kështu, bota jo vetëm që nuk tregon asnjëherë “të zgjedhurit”, por poshtërohet dhe dënohet në mënyrë të qartë nga Perëndia [17].

Në të vërtetë, në lutjen kryepriftërore të Krishtit, Ai dallon në mënyrë të veçantë midis botës së njerëzimit për të cilën vdiq dhe ata që kanë besuar në Të jashtë nga bota. Kjo nuk është një lutje për shpëtim të të mëparshmëve, por për unitetin midis këtyre të fundit.

Sigurisht, secili prej nesh duhet të ndjekë Biblën, pavarësisht se çfarë mëson Xhon Kalvini apo Çarls H. Spërxhëni apo ndonjë tjetër. Justifikimi i vetëm për refuzimin e domethënies së zakontë të fjalës “botë” dhe duke i dhënë një ngjyrim të çuditshëm kalvinist (e cila me siguri nuk gjendet e qartë në asnjë tekst) është se kalvinizmi e kërkon. Riçard Baksteri argumenton me bindje:

Perëndia na e thotë aq qartë sa mund të thuhet se Krishti vdiq dhe provoi vdekjen për çdo njeri […] të tjerë do t’i mohojnë këto të vërteta të qarta, sepse ata mendojnë se [Perëndia nuk mund t’i ndëshkojnë me të drejtë ata për të cilët Krishti ka paguar ndëshkimin]…. Por a i flet Shkrimi […] këto mendime të tyret aq qartë sa e thotë se Krishti vdiq për të gjithë dhe për çdo njeri?

A e thotë po aq qartë në ndonjë vend se Ai nuk vdiq për të gjithë…? A thotë në ndonjë vend se ai vdiq vetëm për Delet e Tij apo të Zgjedhurit e Tij dhe që i përjashton të Pazgjedhurit? Nuk ka një fjalë të tillë në Bibël… [18].

I zgjuar, por i paarsyeshëm

Një marifet i favorshëm i kalvinistit është të sugjerojë se fjala “botë” nuk do të thotë “të gjithë njerëzit ‘pa përjashtim’, por […] ‘pa dallim’… jo [vetëm] judenjtë, por edhe… johebrenjtë”19. Kjo është e njëjta taktikë e të ndryshuarit “tërë njerëzit” me “tërë llojet e njerëzve” – një ide e paarsyeshme e lindur nga dëshpërimi. Një ide e tillë bëhet edhe më e shtrembëruar se të ndryshosh “tërë njerëzit” apo “botën” me “të zgjedhurit”. Nën çfarë rrethanash do ta kuptojë dikush se “të gjithë” nënkupton tërë llojet?

Një tregtar reklamon: “Çmim fantastik! Të gjithë artikujt me gjysmë çmimi”. Megjithatë, blerësit e paduruar zbulojnë se disa artikuj janë përjashtuar nga shitja. Kur ata ankohen se në reklamë shkruhej gjithë artikujt, tregtari thotë: “Nuk nënkuptova të gjithë ‘pa përjashtim’, por të gjithë ‘pa dallim’. Vërtet, të gjitha llojet e produkteve janë në shitje, por jo çdo artikull i çdo lloji”. Kjo do të ishte reklamë çorientuese dhe blerësit do të ankoheshin me të drejtë. Megjithatë kalvinisti ngul këmbë se Perëndia përdor po këtë lloj të mashtrimit duke ia ofruar shpëtimin “kujto”.

Nëse një bari thotë: “Do t’i shes të gjitha dhentë e mia”, a do të mendonte dikush disa nga të gjitha llojet, pra, disa desh, disa dele, disa shqerra etj.? Nëse te lajmërimi do të shkruhej: “Të gjithë meshkujt nga mosha 20 deri në 45 vjeç i detyrohen shërbimit ushtarak”, kush do të imagjinonte se, në fakt, nënkuptonte disa zezakë, disa të bardhë, disa nga Pogradeci, disa nga Shkodra etj.? Ose, nëse lajmërimi do t’i bëhej një grupi turistësh që kanë ndaluar në një oazë afër Detit të Vdekur në Izrael se “Kush ka etje le të pijë diçka tani”, a do të imagjinonte dikush se kjo nënkuptonte disa gra, disa burra, disa pleq midis atyre që kanë etje etj.?

Një domethënie e tillë e veçantë nuk gjendet kurrkund në tërë Shkrimin. Megjithatë kalvinizmi e kërkon këtë për çdo pohim ku fjalët “të gjithë”, “botë” dhe “kushdo” etj., që kanë të bëjnë me ungjillin në tërë Biblën! A nuk do të pohohej qartë domethënia kalviniste të paktën një herë? Mirëpo nuk pohohet kurrë!

Ç’mund të themi për 1 Gjonit 2:2?

Duke mos patur referime në Bibël që thonë në mënyrë të qartë se Krishti vdiq vetëm për të zgjedhurit, kalvinistët duhet të ndryshojnë në njëfarë mënyre ato që thonë se Ai vdiq për të gjithë. Letra e Parë e Gjonit 2:2 pohon qartë se Krishti “është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës”. Me siguri “tona” dhe “tonat” duhet t’i referohet të zgjedhurve. Prandaj “të gjithë botës”, duke qenë në kontrast me të zgjedhurit, mund t’i referohet vetëm të pashpëtuarve dhe vërteton se vdekja e Krishtit është shlyese për tërë njerëzimin.

Të pranohet ajo që pohon kjo pjesë do të ishte fundi i kalvinizmit. Por si mund të shmanget ky përfundim? Pajpëri shkruan: “’Të gjithë botës’ i referohet bijve të Perëndisë të shpërndarë në të gjithë botën” [20]. Por a nuk janë fjalët tona dhe tonat që u referohej të gjithë atyre që janë shpëtuar, pavarësisht se ku apo kur kanë jetuar – dhe a nuk vihet në kontrast “të gjithë botën” me fjalët “tona” dhe “tonat”? Uajti e shtjellon pak më tej këtë interpretim personal të pacipë, që kalvinistët e kanë sajuar për të shpëtuar teorinë e tyre të shlyerjes së kufizuar:

Kuptimi i reformuar është se Jezu Krishti është shlyesi për mëkatet e të gjithë të krishterëve ndaj të cilëve po u shkruan Gjoni dhe jo vetëm atyre, por për të gjithë të krishterët në botë, judenj dhe johebrenj, të çdo kohe dhe të çdo vendi [21].

Me siguri, “në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati” i referohet të gjithë të krishterëve kudo ku ndodhen dhe të çdo kohe. Në të njëjtën mënyrë, fjalët “tona” te “ai është shlyesi për mëkatet tona” duhet t’u referohet të gjithë të krishterëve, jo vetëm bashkëkohësve të Gjonit. Ky është me siguri një pohim i vërtetë për të gjithë besimtarët në Krishtin të çdo kohe, vendi dhe kulture. Për më tepër, e tërë letra e Gjonit, ashtu si e tërë Bibla ku ajo bën pjesë, i drejtohet tërë besimtarëve kudo ku janë dhe të çdo epoke. Nëse fjala “tona” u referohet kështu të shpenguarve, atëherë “të gjithë botës”, duke qenë në kontrast me të parën, mund të përfaqësojë vetëm ata që janë të humbur.

Uajti, për t’i shpëtuar asaj që është e qartë, pohon se Gjoni po u shkruante vetëm të krishterëve të asaj kohe dhe, për këtë arsye, fjala “tona” nënkupton ata që do ta lexonin në fillim letrën; dhe “të gjithë botës” nënkupton të gjithë të krishterët e tjerë që nuk ishin gjallë në atë kohë kur u shkrua letra [22]. Asgjë në tekst nuk na lë të kuptohet një përfundim i tillë. As nuk do të ishte sajuar ky interpretim i sipërfaqshëm nëse nuk do të ishte e domosdoshme për të shpëtuar shlyerjen e kufizuar. Gjoni, në mënyrë të pamohueshme, në gjithçka që thotë, po shkruan nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë ndaj të gjithë të krishterëve kudo ku janë dhe të çdo epoke.

Pajpëri arsyeton se “Mëkatet e shlyera nuk mund ta ndëshkohen…. Prandaj nuk ka gjasa që 1 Gjonit 2:2 të mësojë se Jezusi është shlyesi i çdo personi në botë…” [23] Nuk ka gjasa? Vetëm ngaqë kjo shpallje e qartë e kundërshton kalvinizmin. Tashmë e kemi treguar se ky argument nuk funksionon për të paktën dy arsye: 1) Krishti duhej të paguante ndëshkimin për çdo mëkat edhe qoftë për një njeri të vetëm për t’u shpëtuar; dhe 2) përfitimet e vdekjes së Krishtit nuk vijnë në mënyrë automatike, por vetëm për ata që e besojnë dhe e pranojnë Atë. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë të zgjedhurit, për të cilët kalvinistët thonë se Krishti vdiq, do të shpëtoheshin pa besuar dhe para se të kishin lindur.

Së fundi, Pajpëri, duke ndjekur shembullin e Xhon Ouenit, arsyeton se, nëse Krishti është me të vërtetë shlyesi për mëkatet e të gjithë botës, atëherë mosbesimi nuk do të përjashtonte askënd nga qielli, sepse mosbesimi, duke qenë një mëkat, do të ishte shlyer gjithashtu [24].

Por shlyerja nuk ndodh kur dikush beson në Krishtin. Tashmë duhet të jetë kryer në kryqin. Besimi është mjeti i përvetësimit të dobisë së flijimit të Krishtit – një flijim që edhe kalvinistët e pranojnë se kishte një vlerë të mjaftueshme për të paguar mëkatet e të gjithë njerëzimit. Ose të zgjedhurit kanë qenë gjithmonë të shpëtuar dhe nuk kanë pasur kurrë nevojë të besojnë në Krishtin (një mohimi qartë i ungjillit), ose ishte një kohë kur shlyerja e Krishtit në kryqin u bë e efektshme për ta nëpërmjet besimit. Gjoni thjesht është duke thënë bashkë me Palin se Krishti “është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve” (1 Timoteut 4:10).

Çdo i krishterë, nga vetë përkufizimi, është shpëtuar nëpërmjet besimit në Krishtin dhe gjaku i Tij është shlyerja për mëkatet e tyre. Ky fakt është kaq elementar dhe thelbësor saqë vështirë se dikush mund të jetë i krishterë pa e ditur këtë. Prandaj është absurde të sugjerosh se Gjoni po zbulon diçka të rëndësishme duke pohuar se gjaku i Krishtit ka vlerë jo vetëm për njerëzit e gjallë në kohën e tij, por edhe për të gjithë të krishterët në çdo epokë. Nëse kjo ishte ajo që kishte si qëllim Fryma e Shenjtë përmes Gjonit, pse nuk është pohuar në mënyrë të qartë? A do të përdorte Fryma e Shenjtë fjalën “botë” për të përcjellë domethënien e “të gjithë të krishterëve në çdo kohë kudo ku ndodhen”? Vështirë që të jetë kështu.

Kujt i shkroi Gjoni?

Kalvinistë të tjerë argumentojnë se “Gjoni do t’u ketë shkruar një audience judenjsh që kishin besuar më parë se Perëndia ishte vetëm Perëndia i Izraelit. Dhe kështu ata kishin nevojë të mësonin dhe të kujtonin se Krishti nuk vdiq vetëm për delet e humbura të Izraelit, por edhe për delet e tij të humbura në të gjithë botën…. Prandaj, ‘të gjithë botës’ përfaqëson delet e tij të humbura të Izraelit plus delet e tij të humbura nga kombet e tjera” [25]. Me siguri, askush nuk do të imagjinonte një ide të tillë të sforcuar nëse kalvinizmi nuk do të ishte shpikur si edhe një shpjegim i domosdoshëm për fjalën “botë” që do ta shpëtonte këtë teori.

Nuk ka asgjë në tërë letrën që të sugjerojë se Gjoni po u drejtohet vetëm besimtarëve judenj. Në fakt, kur ajo u shkrua kishte më tepër besimtarë johebrenj se hebrenj. Për më tepër, Gjoni na thotë se kujt po i flet: “Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë…” (1 Gjonit 5:13). Kjo përfshin të gjithë të krishterët gjatë gjithë historisë.

Veç kësaj, Gjoni jo vetëm po u shkruan të gjithë besimtarëve në Krishtin, por e bën këtë shumë vjet mbas këshillit të Jerusalemit te Veprat e Apostujve 15, ku ishte zgjidhur e tërë çështja e shpëtimit të johebrenjve pa zbatimin e ligjit të Moisiut. Letra e Palit ndaj besimtarëve në Galati, që e trajton këtë çështje me hollësi, kishte kohë që ishte në qarkullim. Gjoni nuk merret fare me këtë temë të zgjidhur me kohë.

Kush do të imagjinonte, pa nevojën për të mbështetur një teori të veçantë, se Gjoni po u shkruan vetëm të krishterëve të kohës së tij, apo vetëm një auditori judenjsh? Për më tepër, nëse Gjoni nuk po u shkruan të gjithë të krishterëve në të gjitha epokat, si mund t’ia zbatojmë këtë letër vetes tonë sot? Në fakt, ne e dimë se ai po u shkruan të gjithë besimtarëve në Krishtin dhe të krishterët e të gjithë epokave e kanë lexuar ungjillin dhe letrat e tij me këtë kuptim.

Kur Gjoni shkruan: “Ai që thotë: ‘Unë e kam njohur atë’ dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar…. Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, është ende në errësirë…. Por ju keni vajosjen nga i Shenjti…. Vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju… (1 Gjonit 2:4, 9, 20, 27) etj., në tërë letrën, a mund të merret kjo vetëm për “besimtarët judenj” apo për besimtarët “e kohës së tij”? Sigurisht që jo! Pa dyshim, gjithçka që thotë është për të gjithë besimtarët në Krishtin në çdo epokë.

Ç’mund të themi për domethënien e shprehjes “e tërë bota”?

Uajti citon këngën e të shpenguarve te Zbulesa 5:9, 10. Duke qenë se thotë që Krishti ka shpenguar me anë të gjakut të Tij njerëz “nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb”, Uajti arsyeton: “Ne sugjerojmë se kjo pjesë, pra, hedh dritë domethënëse ndaj 1 Gjonit 2:2…” Dritë domethënëse? Pjesa është shumë qartë. E vetmja “dritë” që po kërkon Uajti kaq larg është diçka që do të justifikojë një interpretim kalvinist që, natyrisht, nuk është në vetë pjesën.

Uajti vazhdon: “…sepse është e qartë se pjesa te Zbulesa nuk po thotë se Krishti bleu çdo njeri nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb. Megjithatë, natyrisht, ky është një koncept paralel i “botës” te 1 Gjonit 2:2”.

Koncept paralel? Çfarë do të thotë kjo dhe me çfarë autoriteti? Dy pohimet janë tërësisht të ndryshëm. Njëri pohon se Krishti vdiq për të gjithë; tjetri i referohet atyre që e pranuan flijimin e Tij me anë të besimit. Nëse Uajti do të kërkonte me të vërtetë një pjesë paralele të Shkrimit, ai nuk do të gjente një më të qartë se 1 Timoteut 4:10, të cilën tashmë e kemi cituar: “…Shpëtimtari i të gjithë njerëzve [të gjithë botës] dhe sidomos i besimtarëve [të shpenguarave ndaj të cilëve u shkruan Gjoni]”.

Më pas Uajti citon kryepriftin Kajafa (Gjoni 11:49-52) që është e volitshme: “të vdesë vetëm një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi” [26]. Me siguri Kajafa nënkuptonte në të vërtetë popullin e Izraelit, tërë kombin, një fakt që e kundërshton shlyerjen e kufizuar të kalvinizmit.

Fatkeqësisht, ky është një shembull tjetër i asaj se sa larg duhet të shkojnë kalvinistët: të sugjerosh se një këngë e ardhshme në qiell dhe një pohim nga Kajafa rreth kombit të Izraelit vërteton se “botë” te 1 Gjonit 2:2 nënkupton në të vërtetë “të gjithë të krishterët në tërë botën…”! Kënga në qiell këndohet nga të shpenguarit, ata që përbëjnë fjalën “tona” te 1 Gjonit 2:2. Ata janë shpenguar “prej” ose “nga” çdo fis, gjuhë, popull dhe komb. Në fakt, Uajti po na ndihmon të shikojmë një kontrast: Gjoni nuk thotë “prej” apo “nga” e tërë bota; ai thotë në mënyrë të qartë “të gjithë botës”.

Pse duhet të shkojë Uajti kaq larg? Brenda kësaj letre ka shumë krahasime që e përkufizojnë fjalën “botë”. Tek 1 Gjonit 3:1 kemi shprehjen: “…bota nuk na njeh”. Me siguri “na” i referohet të shpenguarve; “bota” është në kontrast me ta dhe nuk mund të nënkuptojë ndonjë grup tjetër të krishterësh. Te 3:13 lexojmë: “Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren”. Përsëri, kemi të njëjtin kontrast midis vëllezërve të shpenguar dhe të pashpëtuarit që i urrejnë ata, duke e bërë kuptimin e fjalës “botë” krejt të qartë. Te 4:5, 6 lexojmë: “Ata janë nga bota…. Ne jemi prej Perëndisë”. Dallimi midis botës së pashpëtuar dhe atyre që janë të shpëtuar – që ruhet vazhdimisht në tërë letrën – nuk mund të ishte më i qartë. Përsëri, 1 Gjonit 5:19 pohon: “Ne dimë se jemi nga Perëndia dhe se e gjithë bota dergjet në ligësi”.

Uajti, për të qenë konsekuent në trajtimin e 1 Gjonit 2:2, duhet të besojë se “të gjithë të krishterët në mbarë botën, judenj dhe johebrenj, në çdo kohë dhe të çdo vendi” janë në paudhësi dhe i urrejnë besimtarët të cilëve Gjoni po u shkruan. Në fakt, në asnjë vend të kësaj letre fjala “botë” nuk nënkupton atë që kalvinistët e kthejnë te 1 Gjonit 2:2!

Nuk mund të ketë dyshim se në tërë këtë letër fjala “botë” nënkupton në mënyrë konsekuente saktësisht atë që një lexues i arsyeshëm do të presë: bota e njerëzimit në kontrast të thellë me trupin e besimtarëve. Dikush nuk mund të pohojë se “bota” te 1 Gjonit 2:2 është një përjashtim dhe ka një domethënie tjetër nga rastet e tjera në letër. Ne mund të dalim në përfundimin e vetëm se Krishti është shlyesi për mëkatet e të gjithë botës dhe, për këtë arsye, vdekja e Tij nuk ishte shlyese vetëm për të zgjedhurit, por për mëkatet e të gjithë njerëzimit. Në të vërtetë, Gjoni thotë saktësisht këtë me fjalë të shumta: “Ati e dërgoi Birin për të qenë Shpëtimtari i botës” (1 Gjonit 4:14).

A do të thotë kjo se të gjithë janë automatikisht të shpëtuar me anë të vdekjes së Krishtit? Jo. Lajmi i mirë i ungjillit është “fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson…” (Romakëve 1:16).

Në mënyrë të qartë, pa përkufizime të veçanta të fjalëve dhe shtrembërime të shumta të Shkrimit, doktrina e shlyerjes së kufizuar shkërmoqet dhe bashkë me të pjesa tjetër e kalvinizmit.

 

[[19]] Thomas R. Schreiner, “Does Scripture Teach Prevenient Grace in the Wesleyan Sense?”, botim i Thomas R. Schreiner dhe Bruce A. Ware, Still Sovereign: Contemporary Perspectives on Election, Foreknowledge, and Grace (Grand Rapids, MI: Baker Books, 2000), 240.[[19]]



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Edwin H. Palmer, the five points of calvinism (Grand Rapids, MI: Baker Books, botim i zgjeruar, 20th prtg. 1999), 42. ↵ Kthehu mbrapa
  2. John Piper dhe stafi baritor, “TULIP: What We Believe about the Five Points of Calvinism: Position Paper of the Pastoral Staff” (Minneapolis, MN: Desiring God Ministries, 1997), 11. ↵ Kthehu mbrapa
  3. Loraine Boettner, Reformed Doctrine of Predestination (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Company, botimi i vitit 1998), 157. ↵ Kthehu mbrapa
  4. Loraine Boettner, The Reformed Faith (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1983), 14. ↵ Kthehu mbrapa
  5. Wm. Oosterman, “Take a Long Look at the Doctrine of Election” (Ottawa, Canada: The Lord’s Library Publications, n. d.), 17. I mundësuar nga Westboro Baptist Church, Ottawa. ↵ Kthehu mbrapa
  6. Grover E. Gunn, The Doctrine of Grace, (Memphis, TN: Footstool Publications, 1987), 17. ↵ Kthehu mbrapa
  7. Sermons of C. H. Spurgeon (mundësuar nga Pilgrim Publications, Pasadena TX, n. d.), 48:303. ↵ Kthehu mbrapa
  8. James R. White, The Potter’s Freedom (Amityville, NY: Calvary Press Publishing, 2000), 231. ↵ Kthehu mbrapa
  9. George Zeller, cituar te “For Whom Did Christ Die?” (The Middletown Bible Church, 349 East Street, Middletown CT 06457, 1999), 23-24. ↵ Kthehu mbrapa
  10. John Calvin, Calvin’s New Testament Commentaries (Grand Rapids, MI: Wm B. Eerdmans Publishing Co., 1994), III:139. ↵ Kthehu mbrapa
  11. John MacArthur, Jr., The Love of God (Dallas, TX: Word Publishing, 1996), 103. ↵ Kthehu mbrapa
  12. Po aty, xv, 16-20,99-124 etj. ↵ Kthehu mbrapa
  13. Zeller, “For Whom”, 23-24. ↵ Kthehu mbrapa
  14. Cituar te White, Potter’s, 257. ↵ Kthehu mbrapa
  15. Arthur W. Pink, The Sovereignty of God (Grand Rapids, MI: Baker Book Hoyse, 2nd prtg. 1986), 20. ↵ Kthehu mbrapa
  16. Sproul, Chosen, 206. ↵ Kthehu mbrapa
  17. Laurence M. Vance, The Other Side of Calvinism (Pensacola, FL: Vance Publications, botim i riparë 1999), 435. ↵ Kthehu mbrapa
  18. Richard Baxter, Universal Redemption of Mankind (London: n. p., 1694), 282-283. ↵ Kthehu mbrapa
  19. Piper dhe stafi, “TULIP”, 16. ↵ Kthehu mbrapa
  20. White, Potter’s, 273-274. ↵ Kthehu mbrapa
  21. Po aty, 274-75. ↵ Kthehu mbrapa
  22. Piper dhe stafi, “TULIP”, 16. ↵ Kthehu mbrapa
  23. Po aty, 18. ↵ Kthehu mbrapa
  24. Letër Dave Hunt-it, më 3 shtator 2000. Në dosje. ↵ Kthehu mbrapa
  25. White, Potter’s, 275. ↵ Kthehu mbrapa