Lidhja e habitshme katolike e kalvinizmit


ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

ËSHTË E PADISKUTUESHME që Kalvini i ka diktuar Biblës disa interpretime të gabuara nga prejardhja e tij katolike. Shumë drejtues kalvinistë pranojnë se shkrimet e Agustinit ishin burimet aktuale të pjesës më të madhe të asaj që njihet sot si kalvinizëm. Kalvinistët David Stili (David Steele) dhe Kërtis Tomasi (Curtis Thomas) tregojnë se «doktrinat themelore të pozicionit kalvinist i mbrojti fuqishëm Agustini nga [idetë] e Pelagiusit gjatë shekullit të pestë» [1].

Në librin e tij zbulues, «Faqja tjetër e kalvinizmit», Laurens M. Vansi dokumenton tërësisht se «Xhon Kalvini nuk i krijoi doktrinat që mbajnë emrin e tij…» [2]. Vansi citon shumë kalvinistë të mirënjohur për këtë ndikim. Për shembull, Keneth G. Talboti (Kenneth G. Talbot) dhe W. Geri Kremptoni (W. Gary Crampton) shkruajnë: «Sistemi i doktrinave që mbajnë emrin e Xhon Kalvinit nuk janë krijuar në asnjë mënyrë nga ai…» [3]. B. B. Uorfildi pohon: «Sistemi i doktrinave të mësuar nga Kalvini është thjesht agustinianizmi, që është i përbashkët për tërë trupin e reformatorëve» [4]. Kështu, pranohet gjithashtu që besimet e dala nga Reformimi i takojnë Agustinit. Kjo nuk është për t’u habitur duke patur parasysh faktin se pjesa më e madhe e reformatorëve kishin qenë pjesë e kishës katolike, nga e cila Agustini ishte njëri prej «shenjtorëve» më të lartë. Xhon Pajpëri pranon se Agustini pati ndikimin më të madh si ndaj Xhon Kalvinit ashtu edhe Luterit, të cilët vazhduan ta nderonin atë dhe doktrinat e tij edhe pasi ishin shkëputur nga katolicizmi [5].

C. H. Spërxhëni pranonte se «mbase vetë Kalvini e nxori [kalvinizmin] kryesisht nga shkrimet e Agustinit» [6]. Alvin L. Bejkeri (Alvin L. Baker) shkruan: «Zor se gjen një doktrinë të Kalvinit që nuk mban shenjat e ndikimit të Agustinit» [7]. Për shembull, thënia e mëposhtme nga Agustini duket si një jehonë kumbuese në shkrimet e Kalvinit:

Edhe ndërsa i caktoi të rilindin […] të cilët i paracaktoi për jetë të përjetshme, si dhënësi më i mëshirshëm i hirit, ndërsa ata të cilët i ka paracaktuar për vdekje të përjetshme, ai është gjithashtu shpërblyesi më i drejtë i ndëshkimit [8].

C. G. Singeri (C. G. Singer) thotë: «Elementet kryesorë të teologjisë së Kalvinit gjenden në shkrimet e Shën Agustinit, deri në atë pikë sa shumë teologë e shohin kalvinizmin si një formë më të zhvilluar të agustinianizmit» [9]. Pohime të tilla janë shpallje tronditëse duke patur parasysh faktin e padiskutueshëm se, ashtu siç tregon Vansi, vetë kisha katolike ka një pohim më të mirë mbi Agustinin sesa kalvinistët [10]. Vetë Kalvini thotë:

Agustini është i një vije me mua aq shumë sa që po të doja të shkruaja rrëfimin e besimit tim, do ta bëja këtë me tërë plotësinë dhe kënaqësinë time duke përdorur shkrimet e tij [11].

Agustini dhe përdorimi i forcës

Donatistët e shekullit të katërt besonin se kisha duhet të jetë një bashkësi e pastër e besimtarëve të vërtetë të cilët e tregonin të vërtetën e ungjillit në jetët e tyre. Ata urryen apostazinë që kishte hyrë në kishë kur Konstandini bëri njësh krishterimin me paganizmin për të bashkuar perandorinë. Klerikët e komprometuar ishin «priftërinj të këqij që punonin së bashku me mbretërit e tokës, të cilët tregojnë se nuk kanë mbret tjetër veç Cezarit». Për donatistët kisha ishte një «trup i vogël [njerëzish] të shpëtuar të rrethuar nga masa njerëzish të pashpëtuar» [12]. Kjo është, sigurisht, pikëpamja biblike.

Agustini, nga ana tjetër, e pa kishën e kohës së tij si një përzierje të besimtarëve me jobesimtarët, në të cilën pastërtia dhe e keqja duhej të lejoheshin për të ekzistuar krah për krah për hir të bashkimit. Ai përdori fuqinë e shtetit për të detyruar pjesëmarrjen në kishë (ashtu siç do të bënte Kalvini 1.200 vjet më vonë): «Kushdo që nuk u gjet në kishën [katolike] nuk iu kërkua arsyeja, por duhej të ndreqej dhe kthehej…» [13]. Kalvini ndoqi këshilluesin e tij, Agustinin, duke përforcuar numrin e njerëzve në kishë dhe pjesëmarrjen në sakramentet nëpërmjet kërcënimeve (dhe më e keqja) kundër qytetarëve të Gjenevës. Agustini «i njëjtësonte donatistët si heretikë […] të cilët mund t’i nënshtroheshin legjislacionit perandorak [dhe të detyroheshin] në të njëjtën mënyrë si kriminelët dhe jobesimtarët e tjerë, bashkë me të burgosurit dhe paganët» [14]. Frendi thotë për Agustinin: «Rinia kërkuese dhe e ndjeshme ishte bërë babai i inkuizicionit» [15].

Edhe pse ai parapëlqente bindjen, nëse ishte e mundur, Agustini mbështeste forcën ushtarake kundër atyre që ishin pagëzuar përsëri si besimtarë pas kthimit në Krishtin dhe për të ashtuquajturit heretikë të tjerë. Në debatin e tij me donatistët, duke përdorur një interpretim të shtrembëruar dhe jo të krishterë të Luka 14:23, [16] Agustini pohon:

Atëherë, pse mos e përdorë kisha [katolike] forcën për të detyruar bijtë e saj të humbur të kthehen?…. Vetë Zoti tha: «Dil nëpër udhë dhe përgjatë gardheve dhe detyroi të hyjnë…». Prandaj fuqia të cilën ka marrë kisha [katolike] […] përmes karakterit fetar dhe besimit të mbretërve […] është mjeti me anë të të cilit, ata që gjenden në udhë e përgjatë gardheve, pra, në herezi dhe skizmë, detyrohen të hyjnë dhe le të mos fajësojmë ata që i detyrojnë [17].

Fatkeqësisht, Kalvini vuri në praktikë në Gjenevë parimet e ndëshkimit, të forcës dhe të vdekjes që Agustini përkrahte dhe që kisha katolike ndiqte vazhdimisht për shekuj me radhë. Henri H. Milmani (Henry H. Milman) shkruan: «Agustinianizmi u zhvillua në një sistem edhe më të ashpër dhe të papërkulur nga intelekti i rreptë i Kalvinit» [18]. Dhe ai e justifikonte veten nga interpretimi i gabuar i Agustinit të Luka 14:23. Si mund të pranojë dikush sot, që brohorit Kalvinin si interpretuesin e madh, një keqpërdorim të tillë të kësaj pjese?

Të detyrohen? A nuk është kjo puna e Perëndisë përmes zgjedhjes së pakushtëzuar dhe hirit të papërballueshëm? Të detyrohen ata për të cilët Krishti nuk ka vdekur dhe të cilët Perëndia i ka paracaktuar në mundim të përjetshëm? Ky varg hedh poshtë kalvinizmin pavarësisht se si interpretohet!

Ndikimi mbizotërues i Agustinit

Nuk ka dyshim për sa i përket rolit të rëndësishëm që ka luajtur Agustini në formimin e mendimit, teologjisë dhe veprimeve të Kalvinit. Kjo është sidomos e vërtetë rreth themeleve kyç të kalvinizmit. Uorfildi i referohet Kalvinit dhe Agustinit si «dy burra jashtëzakonisht të talentuar [të cilët] qëndrojnë si piramida në skenën e historisë» [19]. Vepra «Parimet e fesë së krishterë» të Kalvinit përmend në mënyrë të përsëritshme referime të favorshme të Agustinit, duke cituar zakonisht shkrimet e tij si autoritare dhe duke përdorur shprehjen: «vërtetuar nga autoriteti i Agustinit» [20]. Kalvini ia atribuonte shpesh Agustinit formulimin e koncepteve bazë, të cilat ai më pas i zgjeroi në veprën e tij «Parimet». Më poshtë kemi vetëm disa pjesë të zgjedhura si një mostër të referimeve të tilla:

  • «Ne kemi arritur në udhën e besimit», thotë Agustini. «Le të aderojmë vazhdimisht pas saj…» [21].
  • E vërteta e Perëndisë është shumë e fuqishme, si këtu ashtu edhe gjetiu, për të frikësuar përgojimet e të paperëndishmëve, ashtu siç pohon fuqishëm Agustini […] Agustini nuk e fsheh që […] ai akuzohej vazhdimisht se predikonte tepër lirshëm doktrinën e paracaktimit, por […] refuzon së tepërmi akuzën…. Sepse është vëzhguar në mënyrë të hollë nga Agustini (De Genesi ad litteram, Lib. V) që ne mund ta ndjekim të sigurt Shkrimin… [22].
  • Sepse Agustini, duke zgjeruar me të drejtë këtë pjesë, thotë… [23].
  • Bashkohem me Agustinin duke thënë se Zoti ka krijuar ata që, ashtu siç ai e dinte qysh më parë me siguri, do të shkonin në shkatërrim dhe këtë e bëri sepse kështu deshi [24].
  • Nëse e ke mendjen të turbulluar, mos harro të përkrahësh këshillën e Agustinit… [25].
  • Prandaj nuk do të ngurroj thjesht të rrëfej me Agustinin se […] ato gjëra do të ndodhin me të vërtetë, të cilat ai [Perëndia] ka paranjohur [dhe] se shkatërrimi [i jo të zgjedhurve] i mëpasshëm për paracaktimin është gjithashtu më i drejti [26].
  • Agustini, në dy pjesë në veçanti, jep një përshkrim [të favorshëm] të formës së monasticizmit të lashtë. [Më pas Kalvini vazhdon të citojë lavdërimin e Agustinit ndaj murgjve të hershëm] [27].
  • Këtu zbatohen pa dyshim fjalët e Agustinit… [28].
  • Kjo është një thënie besnike nga Agustini; por ngaqë fjalët e tij do të kenë më tepër autoritet se të miat, le të përmendim pjesën që vijon nga libri i tij… [29].
  • Prandaj, Agustini nuk urdhëron padrejtësisht që, njerëz të tillë si mësues të padenjë apo të ligj dhe profetë fatkeq, të tërhiqen nga kisha [30].

Ne mund t’u shtojmë pambarimisht shembujve të mësipërm të ndikimit të Agustinit ndaj Kalvinit nga rastet e shumta që Kalvini citon gjerësisht shkrimet e Agustinit. Drejtues kalvinistë pranojnë se besimet bazë të Kalvinit ishin formuar ndërsa ai ishte akoma një katolik, përmes shkrimeve të Agustinit, një ndikim që ngeli tek ai gjatë tërë jetës së tij.

Mësimet agustiniane që Kalvini i paraqiti në veprën e tij «Parimet» përfshinin sovranitetin që e bënte Perëndinë shkakun e çdo gjëje (edhe të mëkatit), paracaktimin e disave për shpëtim dhe të tjerëve për dënim, zgjedhjen dhe dënimin, besimin si një dhuratë të papërballueshme nga Perëndia; në fakt, këto janë konceptet kyç të thelbit të kalvinizmit.

Kërkojmë më kot prova që Kalvini të mos ketë miratuar ndonjë nga herezitë e Agustinit. Kalvinisti Riçard A. Myleri (Richard A. Muller) pohon: «Xhon Kalvini ishte pjesë e një linje të gjatë mendimtarësh që e mbështetën doktrinën e tyre të paracaktimit në interpretimin agustinian të Shën Palit» [31]. Në çdo botim të zgjeruar të veprës së tij «Parimet», Kalvini citoi dhe u mbështet në Agustinin më tepër se më parë.

A është me të vërtetë kalvinizmi një besim protestant?

Fakti që shumë ungjillorë të mirënjohur sot janë nën fjalët magjike të Agustinit është i dukshëm – dhe në mënyrë të habitshme, duke marrë në konsideratë herezitë e tij të shumta. Norman Gajsleri ka thënë: «Shën Agustini ishte një prej mendimtarëve më të mëdhenj të krishterë të të gjitha kohëve» [32]. Megjithatë Agustini tha: «Nuk do ta kisha besuar ungjillin nëse nuk do të isha shtyrë nga autoriteti i kishës [katolike]» [33]. Ky pohim është cituar me kënaqësi të madhe nga papa Gjon Pali II në kremtimin e tij më 1986 të përvjetorit të 1.600-të të kthimit të Agustinit. Papa vazhdoi duke thënë:

Trashëgimia e Agustinit […] janë metodat teologjike ndaj të cilave ai mbeti tërësisht besnik […] aderim të plotë ndaj autoritetit të besimit […] të zbuluar përmes Shkrimeve, traditës dhe kishës…. Gjithashtu, ndjenja e thellë e misterit – «sepse është më mirë», pohoi ai, «të kesh një padituri besnike sesa një njohje mendjemadhe…», shpreh përsëri dëshirën time të zjarrtë […] se mësimi autoritar i këtij doktori dhe bariu të madh të lulëzojë edhe më me lumturi në kishë… [34].

Në debatin tim me Xhejms Uajtin, ai pohoi se «Kalvini refuzon këtë pjesë në «Parimet» dhe çdo lexues i ndershëm i shkrimeve të vetë Agustinit hedh poshtë këtë shtrembërim nga Hanti» [35]. Në fakt, Kalvini pranonte vërtetësinë e pohimit dhe përpiqej ta mbronte si arsyetim të ligjshëm të atyre që nuk kishin sigurinë e besimit nga Fryma e Shenjtë [36].

Vansi paraqet citime të shumta të çuditshme nga kalvinistët që lavdërojnë Agustinin: «Një prej mendjeve teologjike dhe filozofike që Perëndia ka e parë të përshtatshme për t’ia dhënë kishës së Tij» [37]. «I krishteri më i madh që nga koha e Dhiatës së Re […] njeriu më i madh që ka shkruar latinisht» [38]. «Veprat dhe shkrimet [e tij], më të shumta nga ato të çdo njeriu që ka jetuar në kohën e tij, kanë qenë një ndihmë në përhapjen e doktrinës së mirë dhe në rizgjimin e fesë së re» [39].

Uorfildi shton: «Agustini përcaktoi për tërë kohët doktrinën e hirit» [40]. Megjithatë ai [Agustini] besonte se hiri vinte përmes sakramenteve të kishës katolike. Fakti që kalvinistët i japin lëvdata të tilla Agustinit e bën më të lehtë për të kuptuar se pse grumbullojnë të njëjtin lavdërim ndaj Kalvinit.

Për sa i përket formimit të doktrinave dhe praktikave të katolicizmit, ndikimi i Agustinit ishte më i madhi në histori. Vansi na kujton se Agustini ishte «një prej katër »doktorëve [origjinalë katolikë] të kishës” [me] një ditë feste [kushtuar atij] në kishën katolike, më 28 gusht, dita e vdekjes së tij» [41]. Papa Gjon Pali II e ka quajtur Agustinin «atin e përbashkët të qytetërimit tonë të krishterë» [42]. Uilliam P. Gredi (William P. Grady), nga ana tjetër, shkruan: «Gabimisht Agustini (354 – 430) e teproi aq shumë, saqë shpalli (përmes librit të tij, «Qyteti i Perëndisë») se Roma ishte e privilegjuar të shpallte mbretërinë mijëvjeçare (e njohur ndryshe si »Errësira Mesjetare” [Dark Ages])» [43].

Të marrësh nga një burim i ndotur

Sër Robert Andersoni (Robert Anderson) na kujton se «kisha [katolike] u formua nga Agustini në formën të cilën e ka mbajtur që atëherë. Nga tërë gabimet që u zhvilluan shekuj më vonë në mësimet e kishës, vështirë se mund të mungojë ndonjë [gabim] në fazën embrionale të shkrimeve të tij» [44]. Ato gabime përfshijnë pagëzimin e foshnjave për rilindje (foshnjat që vdesin pa u pagëzuar janë të mallkuar), domosdoshmëria e pagëzimit për shlyerjen e mëkateve (theroria, sikurse në islam, bën të njëjtën gjë), purgatori, shpëtimi vetëm përmes kishës me anë të sakramenteve dhe përndjekja e atyre që refuzojnë dogmat katolike. Agustini gjithashtu themeloi pranimin e Apokrifës (për të cilën edhe ai e pranoi se judenjtë e refuzonin), interpretimin alegorik të Biblës (si rrjedhim, rrëfimi i krijimit, gjashtë ditët dhe hollësitë e tjera të Zanafillës nuk janë me patjetër të fjalëpërfjalshme) dhe refuzimi i mbretërimit vetjak të fjalëpërfjalshëm të Krishtit në tokë për një mijë vjet (sipas tij, ne tani jemi në mbretërimin mijëvjeçar të Krishtit me kishën që mbretëron dhe djallin tashmë të lidhur).

Agustini ngul këmbë se Satani është «lidhur» tani mbi bazën se «madje tani njerëzit tani janë kthyer në besim, dhe pa dyshim deri në fund të botës do të jenë, nga mosbesimi në të cilin ai [Satani] i mbante». Është e qartë se ai e shikon alegorike premtimin për lidhjen e Satanit në «humnerë» (Zbulesa 20:1-3). Çuditërisht, Satani «lidhet sa herë që atij i hiqet [një pjesë] nga prona e tij [pra, kur dikush beson në Krishtin]». Akoma më e çuditshme, «humnera ku ai është mbyllur» është interpretuar disi nga Agustini si «në thellësitë» e «zemrave të errësuara» të refuzuesve të Krishtit. Pikërisht në këtë mënyrë është vazhdimisht i mbyllur Satani si në një humnerë [45].

Agustini nuk përpiqet të shpjegojë se si arriti në këtë ide të çuditshme, aq më pak se si mund të ekzistojë një humnerë në miliona zemra apo se si Satani, duke qenë «i lidhur» atje, është akoma i lirë të errësojë ata, në «zemrat» e të cilëve ai, me sa duket, është i lidhur (2 e Korintasve 4:4). Gjithashtu ai nuk shpjegon se si dhe pse, pavarësisht nga lidhja e Satanit,

  • Krishti dërgoi Palin të kthente judenjtë e johebrenjtë «nga pushteti i Satanit te Perëndia» (Veprat e Apostujve 26:18).
  • Pali mund të dorëzonte kurvëruesin korintas në duart e Satanit (1 e Korintasve 5:5).
  • Satani mund të shndërrohet «në një engjëll drite» (2 e Korintasve 11:14).
  • Pali mund të paralajmëronte besimtarët efesianë që të mos i jepnin «vend djallit» (Efesianeve 4:27) dhe mund t’i nxiste ata dhe ne sot të qëndrojmë «kundër kurtheve të djallit» (Efesianeve 6:11).
  • Satani akoma mund të «sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë» (1 Pjetrit 5:8).
  • Satani mund të jetë akoma në gjendje të akuzojë vazhdimisht të krishterët para Perëndisë dhe, me engjëjt e tij, të zhvillojë luftë në qiell kundër «Mikaelit dhe engjëjve të tij» dhe në fund të hidhet nga qielli në tokë (Zbulesa 12:7-10).

Agustini ishte një prej të parëve që e vuri autoritetin e traditës në të njëjtin nivel me Biblën dhe që përfshiu shumë filozofi, sidomos platonizmin, në teologjinë e tij. Duke nxjerrë në dritë marrëzinë e atyre që lavdërojnë Agustinin, Vansi shkruan:

Ai e besonte vazhdimësinë apostolike nga Pjetri si një nga treguesit e kishës së vërtetë, mësonte se Maria ishte e pamëkate dhe nxiste adhurimin e saj. Ai ishte i pari që përkufizoi të ashtuquajturat sakramente si një shenjë e dukshme e hirit të padukshëm…. Përkujtimi i darkës së Zotit u kthye në një prani frymërore të trupit dhe gjakut të Krishtit. Për Agustinin kisha e vetme e vërtetë ishte kisha katolike. Duke shkruar kundër donatistëve, ai pohoi: «Vetëm kisha katolike është trupi i Krishtit…. Jashtë këtij trupi Fryma e Shenjtë nuk i jep jetë askujt […] [dhe] ai që është armik i unitetit nuk është një pjesëmarrës i dashurisë hyjnore. Prandaj ata që janë jashtë kishës [katolike] nuk e kanë Frymën e Shenjtë [46].

Dhe ky është njeriu të cilin Gajsleri e quan «një prej mendimtarëve më të mëdhenj të krishterë të të gjitha kohëve». Përkundrazi, Kalvini mori nga një burim shumë i ndotur kur përqafoi mësimet e Agustinit! Si mund të zhytet dikush në një herezi kaq të ndotur pa u pështjelluar dhe infektuar? Megjithatë ky ngatërrim i koklavitur spekulimesh dhe katolicizmi të reformuar pranohet si burimi i kalvinizmit, dhe lavdërohet nga drejtues ungjillorë. Mund të mbetemi gojëhapur me brohoritjet që i janë bërë si Kalvinit ashtu edhe Agustinit nga udhëheqës të shëndoshë të krishterë, të cilët mendojnë ndryshe.

Një kundërshtim i habitshëm

Pajtimi më i plotë i Kalvinit me Agustinin dhe lavdërimin e përsëritur të këtij [të fundit] nuk mund të mohohet. Kalvini e quante veten «një teolog agustinian» [47]. Për Agustinin ka thënë: «Prej të cilit citojmë vazhdimisht, si dëshmitari më i mirë dhe besnik i tërë lashtësisë» [48].

Vetë kalvinistët ngulin këmbë për lidhjen midis Kalvinit dhe Agustinit. MekGrethi (McGrath) shkruan: «Mbi të gjitha, Kalvini i shikonte mendimet e tij si një interpretim besnik të ideve kryesore të Agustinit nga Hipo» [49]. Uendeli (Wendel) pranon: «Nga pikat doktrinore që mori nga Shën Agustini me të dyja duart» [50]. Vansi shkruan:

Megjithëkëtë, për të vërtetuar përfundimisht se Kalvini ishte një dishepull i Agustinit, nuk kemi pse të shkojmë më larg se vetë Kalvini. Mjafton të lexosh jo më shumë se pesë faqe të veprës «Parimet» të Kalvinit për të parë emrin e Agustinit. Kalvini citoi Agustinin rreth katërqind herë vetëm te «Parimet». Ai e quante Agustinin me tituj të tillë si «njeri i shenjtë» dhe «atë i shenjtë» [51].

Vansi vazhdon të tregojë: «Kalvinistët pranojnë se Kalvini ishte ndikuar shumë nga Agustini në formimin e doktrinës së tij të paracaktimit» [52]. Si mund të përfaqësonte një prej udhëheqësve të Reformimit kaq plotësisht doktrinat e atij që është quajtur «krijuesi teologjik kryesor i sistemit katoliko-latin duke qenë i ndryshëm nga […] protestantizmi ungjillor» [53]?

Admirimi i Kalvinit për Agustinin dhe përqafimi i tij i një pjese të mirë të mësimeve të tij është vetëm një prej kundërshtimeve më të mëdha në jetën e tij, gjë e cila do të dokumentohet plotësisht në këtë libër. Situata është kontradiktore u edhe nga ana e kishës katolike. Dogmat e tyre refuzojmë disa nga doktrinat më të rëndësishme të pranuara nga shenjtorët e tyre më të famshëm – madje edhe vetë doktrinat e Agustinit që Kalvini përqafoi.

Këtu hasim një anomali të çuditshme. Uorfildi pohon se «ishte Agustini i cili na dha Reformimin» [54], megjithatë, në të njëjtën kohë, ai pranon gjithashtu se Agustini ishte «në një kuptim të vërtetë themeluesi i katolicizmit» [55] dhe «krijuesi i Perandorisë së Shenjtë Romake» [56].

Çuditërisht, Kalvini me sa duket dështoi të kuptonte se Agustini nuk e kuptoi kurrë shpëtimin vetëm me anë të hirit, vetëm nëpërmjet besimit, vetëm në Krishtin. Filip F. Kongdoni (Philip F. Congdon) shkruan: «Një paralelizëm tjetër i çuditshëm është i dukshëm midis teologjisë klasike kalviniste dhe asaj katolike po ashtu. Të dyja kanë të përbashkët përfshirjen e veprave në mesazhin e ungjillit dhe në pamundësinë e sigurisë së shpëtimit…. Të dyja pohojnë epërsinë e hirit të Perëndisë; të dyja përfshijnë domosdoshmërinë e veprave tona» [57]. Herezitë e Agustinit, sidomos pikëpamja e tij katolike e besimit në Krishtin që plotësohej nga veprat e mira dhe sakramentet, nuk kishin humbur te Luteri, i cili shkruan: «Në fillim, e përpiva Agustinin, por kur […] mësova me të vërtetë se çfarë ishte shfajësimi nëpërmjet besimit, atëherë i lava duart me të» [58].

Megjithatë shumë drejtues kalvinistë hedhin idenë se unë, duke refuzuar kalvinizmin, anoj nga katolicizmi, edhe pse ai vjen kryesisht nga katoliku përfundimtar, Agustini. Ja se si u shpreh m’u shpreh dikush:

Dhe duke ditur se pozicioni që përkrah është, në fakt, plotësisht i kundërt me thelbin e mesazhit të reformatorëve, dhe se është në pajtim me pikëpamjen katolike të vullnetit të njeriut dhe të natyrës së hirit, e shikoj jashtëzakonisht të papajtueshme nga ana jote. Ti flet zakonisht kundër traditave të njerëzve, megjithatë, në këtë rast, ti përkrah ato tradita që qëndrojnë në thelbin e «ungjillit» katolik [59].

Përkundrazi, reformatorët dhe besimet e tyre janë ndotur me ide që vijnë nga vetë katoliku përfundimtar, vetë Agustini. Veç kësaj, një refuzim i zgjedhjes, paracaktimit dhe këmbënguljes së shenjtorëve siç përkufizohet nga kalvinistët, zor se po përkrah «thelbin e “ungjillit’ katolik». Veprat e mira dhe sakramentet janë thelbi i vërtetë i ungjillit katolik. Me siguri moskundërshtimi i sakramenteve, i rilindjes përmes pagëzimit të foshnjave dhe nderimi i priftërisë katolike nga ana e Kalvinit, [duke i parë] si të vlefshme, është një përkrahje më serioze e ungjillit të rremë katolik. Refuzimi i kalvinizmit nuk kërkon aspak ndonjë pajtim me cilëndo pjesë të doktrinave katoliko-heretike të shpëtimit.

Duket e pakuptueshme që ndikimi mbizotërues mbi teologjinë dhe besimin e reformuar të mund të ketë lidhje kaq të ngushta me katolicizmin kundër të cilit u rebeluan reformatorët. E megjithatë, ata që dështojnë të përkulen para këtyre besimeve janë gjoja «në gabim». Fakti se si besimet protestante u bënë mbizotëruese nga doktrina kalviniste është një histori interesante.

Roli i Vulgatës Latine

Bashkë me shkrimet e Agustinit, Vulgata Latine formoi gjithashtu mendimet e Kalvinit ashtu siç shprehen në veprën e tij «Parimet e fesë së krishterë». Me një latinishte të rrjedhshme, Kalvini kishte përdorur për një kohë të gjatë përkthimin korruptues të Biblës, i cili, që nga shkrimi i saj nga Jeromi (Jerome) në fillimin e shekullit të pestë, ishte Bibla zyrtare e katolikëve. Po kështu u shpall edhe nga Këshilli i Trentit më 1546, kur Kalvini ishte 37 vjeç. Jo vetëm kaq, pasi ndikimi i saj përfshiu edhe lëvizjen protestante: «Për një mijë vjet Vulgata ishte praktikisht Bibla e vetme e njohur dhe e lexuar në Evropën Perëndimore. Tërë komentarët mbështeteshin nga teksti i Vulgatës…. Predikuesit i mbështetnin predikimet e tyre në të» [60].

Vulgata kishte lejuar pikëpamjet e Agustinit rreth paracaktimit dhe refuzimit të vullnetit të lirë. Sipas Filip Shafit (Philip Schaff), «Vulgata mund të akuzohet, në të vërtetë për gabime, pasaktësi, papajtueshmëri të panumërta dhe trajtim arbitrar në veçanti» [61]. Të tjerë kanë shprehur të njëjtin mendim. Samuel Fisku citon Samuel Bergerin (Samuel Berger), i cili, në [librin] «Historia e Biblës Angleze e Kembrixhit», Vëll. 3 (S. L. Greenslade, b., Kembrixh, Angli: Botime universitare, 1963, 414), e quan Vulgatën «tekstin më vulgarizues dhe korruptues që mund të imagjinohet» [62]. Gredi thotë: «Damasusi caktoi Jeromin të ripërtërinte Biblën e vjetër arkaike latine në 382 m.K. […] shëmtira e plotë u bë e njohur si “Vulgata’ latine […] dhe u përdor nga djalli për t’i hapur rrugë epokës së Errësirës Mesjetare» [63]. Fisku na kujton:

Shembujt e mirënjohur të gabimeve me ndikim të gjerë përfshijnë tërë sistemin e «pendesës» katolike, marrë nga [shprehja] «bëj pendesë» e Vulgatës […] kur përkthimi në latinisht duhej të përkthehej nga greqishtja: pendim. Në të njëjtën mënyrë fjala «sakrament» ishte një keqinterpretim i origjinalit mister nga ana e Vulgatës. Mbase më domethënës ishte përkthimi i fjalës presbiter (plak) si «prift» [64].

Agustini e përshkroi problemin që çoi në prodhimin e Vulgatës: «Në ditët e hershme të besimit, kur një dorëshkrim në greqisht binte në duart e dikujt dhe ai mësonte se zotëronte një aftësi të vogël në dy gjuhë të ndryshme, ai rrezikonte të bënte një përkthim [në latinisht]» [65]. Si rrjedhojë e një ndërmarrjeje të tillë, Brusi (Bruce) thotë: «Megjithatë erdhi koha kur shumëllojshmëria e teksteve [latine] [të Shkrimeve] u bë tepër e papërshtatshëm për t’u toleruar më gjatë dhe papa Damasusi […] caktoi sekretarin e tij, Jeromin, të ndërmerrte punën» e shqyrtimit për të prodhuar një version latin të autorizuar.

Brusi vazhdon: «Atij [Jeromit] iu tha të ishte i kujdesshëm për hir të »vëllezërve më të dobët” të cilët nuk pëlqenin të shihnin tekstet e tyre të parapëlqyer të cenuar, qoftë kjo edhe për hir të përpikërisë më të madhe. Megjithatë, ai u largua shumë për shijet e shumë vetave, ndonëse ai vetë e dinte se nuk po shkonte mjaft larg» [66]. «Fjalori biblik i Ungerit» komenton:

Për shumë shekuj [Vulgata] ishte e vetmja Bibël e përdorur përgjithësisht…. Në kohën e Reformimit, Vulgata [ndikoi] versionet popullore. Ajo e Luterit [Dh.R. më 1523] ishte më e rëndësishmja dhe për këtë Vulgata kishte një peshë të madhe. Nga Luteri ndikimi i latinishtes kaloi te versioni ynë i autorizuar [KJV]… [67].

Bibla e Gjenevës, Bibla e mbretit Xhejms dhe kredoja protestante

Jo më pak i rëndësishëm për studimin tonë është fakti se ky përkthim korruptues pati një ndikim në kishat protestante në Evropë, në Angli dhe në Amerikë. Ky ndikim u transmetua në Biblën e Gjenevës (e cila ka probleme të tjera; shiko më poshtë) si edhe në versione të tjera të hershme të Biblës Angleze, madje edhe në version e sotëm të mbretit Xhejms.

Ndërsa Vulgata ishte e mbushur plot me agustinianizëm, Bibla e Gjenevës ishte e mbushur me kalvinizëm, jo vetëm teksti por edhe shënimet e vëllimshme. H. S. Mileri (H. S. Miller), në [librin] «Parathënie të përgjithshme biblike», thotë: «Ishte një ripunim i Biblës së Tindejlit (Tyndale), me një hyrje nga Kalvini […] vepër e reformatorëve anglezë, të ndihmuar nga Beza, Kalvini dhe ka mundësi të tjerë». J. R. Dore, në [librin] «Biblat e vjetra: Një kronikë e versioneve të hershme të Biblës angleze», botimi i dytë, shton se «gati çdo kapitull [Biblës së Gjenevës] përmban shënime të vëllimshme të mbushura me doktrinën kalviniste». Endrju Edgari (Andrew Edgar), në [librin] «Bibla e Anglisë», pohon: «Në kohën kur u botua për herë të parë Bibla e Gjenevës, Kalvini ishte fryma sunduese në Gjenevë. Tërë elementët e sistemit të tij teologjik, kishtar, politik dhe shoqëror janë pasqyruar në shënimet e saj…. Doktrina e paracaktimit shpallet si guri i qoshes së ungjillit» [68].

W. Hoeri (W. Hoare) thotë në [librin] «Evolucioni i Biblës angleze»: «E parë si e fjalëpërfjalshme në tërësi ajo [Bibla e Gjenevës] ka rreth saj karakterin e një manifesti kalvinist […] një libër me një qëllim të veçantë». F. F. Brusi shton:

Shënimet e Biblës së Gjenevës […] janë, pa dyshim, paturpësisht kalviniste në doktrinë…. Njerëzit e Anglisë dhe të Skocisë […] e mësuan pjesë më të madhe të shpjegimeve të tyre biblike nga këto shënime…. Bibla e Gjenevës fitoi menjëherë popullaritet kudo, dhe këtë e ruajti. Ajo u bë Bibla mëmë e protestantëve anglofonë…. Kjo u bë Bibla e autorizuar në Skoci dhe u çua në Amerikë ku pati një ndikim të madh» [69].

Batëruorthi (Butterworth) tregon: «Në prejardhjen e Biblës së mbretit Xhejms kjo [Bibla e Gjenevës] është pa dyshim vëllimi më i rëndësishëm…. Bibla e Gjenevës […] pati një ndikim shumë të madh në formimin e Biblës së mbretit Xhejms» [70]. Robinsoni (Robinson) e thekson akoma më shumë:

Një pjesë e madhe e risive të saj [Biblës së Gjenevës] janë përfshirë në Versionin e Autorizuar [KJV]…. Ndonjëherë teksti i [Biblës së] Gjenevës dhe anëshkrimet e saj janë marrë të pacenuara, ndonjëherë teksti bëhet anëshkrimi dhe anasjelltas. Ndonjëherë anëshkrimet bëhen teksti dhe nuk jepet asnjë alternativë. Shumë shpesh anëshkrimi i [Biblës së] Gjenevës bëhet teksti i Versionit të Autorizuar me apo pa ndryshim fjalësh» [71].

Mund të japim dokumentim të mëtejshëm, por kjo duhet të mjaftojë për të parë shkurtimisht ndikimin nga katoliku përfundimtar, Agustini, përmes Vulgatës Latine dhe shkrimeve të tij, ndaj Kalvinit, dhe përmes Kalvinit, në Biblën e Gjenevës dhe në Biblën e mbretit Xhejms. Dhe si rrjedhim në podiumet dhe shtëpitë e protestantëve në tërë Evropën, Anglinë dhe Amerikën. Nuk është aspak për t’u çuditur, atëherë, që ata, si Arminiusi, të cilët patën guximin të vinin në dyshim kalvinizmin, u kundërshtuan fort. Sigurisht, janë mbledhur këshilla dhe asamble të ndryshme për të formuluar kredo të pranueshme për të ndëshkuar kundërshtarët, por letrat ishin në favor të kalvinizmit dhe nuk u lejua asnjë ndikim për të zbutur këtë gabim. Kjo do të dokumentohet në kapitujt 5 e 6.

Bibla e Re Studimore e Gjenevës dhe e vërteta e Reformimit

Bibla e Re Studimore e Gjenevës e ditëve tona (e ribotuar kohët e fundit si «Bibla Studimore e Reformimit») po shpërndahej gjerësisht në një përpjekje për t’u shtënë në mendje lexuesve kalvinizmin. Përkthimi i saj, nga Bibla e re e mbretit Xhejms, është tërheqës. Megjithatë, ashtu si me origjinalin e Biblës së Gjenevës, shënimet janë shpjegime kalviniste. Në parathënien e tij, R. C. Sprouli shkruan:

Bibla e Re Studimore e Gjenevës quhet kështu për shkak se i mbahet traditës së origjinalit të Biblës së Gjenevës…. Drita e Reformimit ishte drita e Biblës…. Bibla e Gjenevës u botua më 1560 […] [dhe] mbizotëroi botën anglofone për njëqind vjet…. Kolonët anglezë dhe puritanët e çuan Biblën e Gjenevës në brigjet e Botës së Re [perëndimore]. Kolonët amerikanë u rritën me Biblën e Gjenevës…. Bibla e Re Studimore e Gjenevës përmban një ripohim modern të së vërtetës së Reformimit në komentet dhe shënimet teologjike të saj. Qëllimi i saj është të paraqesë përsëri dritën e Reformimit.

Në fakt, qëllimi i saj është të ngulit në mendjen e lexuesve kalvinizmin, i cili paraqitet në mënyrë të pasaktë si «e vërteta e Reformimit», sikur kalvinizmi dhe protestantizmi të ishin njësoj. Në fakt, ka patur më tepër nga Reformimi sesa kalvinizmi, pavarësisht nga deklaratat e kalvinistëve.

Domosdoshmëria për të qartësuar pështjellimin

Kalvinizmi po përjeton një ringjallje sot. Në të njëjtën kohë gjendet një padituri e madhe rreth asaj që mësuan dhe praktikuan me të vërtetë Agustini dhe Kalvini. Të jetë ndrydhur e vërteta për të përparuar një teologji të veçantë? Konsideroni deklaratën e Boetnerit: «Kalvini dhe Agustini renditen pa dyshim si dy shpjeguesit e famshëm sistematik të sistemit të krishterë që nga Shën Pali» [72]. Spërxhëni pohoi gjithashtu: «Agustini i mori pikëpamjet e tij, pa dyshim, përmes Frymës së Perëndisë, nga studimi i zellshëm i shkrimeve të Palit dhe Pali i mori ato nga Fryma e Shenjtë, nga Jezu Krishti» [73].

Nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse t’i shohim këto pohime me çudi të madhe. Sa e pabesueshme që Lorein Boetneri, një prej apologjetëve më të shquar në kundërshtimin e kishës katolike, lavdëronte Agustinin, i cili i dha kishës katolike aq shumë nga doktrinat e saj themelore, saqë ai është midis «shenjtorëve» më të nderuar deri më sot.

Për sa i përket Spërxhënit, a ka menduar ai se mësimi agustinian i shpëtimit me anë të kishës katolike, vetëm përmes sakramenteve të saj, duke filluar me rilindjen përmes pagëzimit të foshnjave, se përdorimit i forcës madje deri në vdekje kundër «heretikëve», se pranimi i librave apokrifë, se interpretimi alegorik i krijimit dhe profecive në lidhje me Izraelin, se refuzimi i mbretërimit të fjalëpërfjalshëm të Krishtit në fronin e Davidit, si dhe shumë doktrina të tjera të rreme, se të gjitha këto janë marrë nga Fryma e Shenjtë? Si mund të ishe kaq në gabim Agustini – edhe Kalvini, i cili përkrahu dhe pasoi shumë prej gabimeve të tij të mëdha – dhe në të njëjtën kohë të jenë biblikisht të shëndoshë për sa i përket paracaktimit, zgjedhjes, sovranitetit etj? A nuk është një çështje e rëndësishme të shqyrtojmë me kujdes këto mësime themelore të kalvinizmit?

Nuk ngelet gjë tjetër veçse të përgjigjemi pozitivisht. Për këtë arsye, doktrinat kyç kalviniste do të paraqiten në faqet që vijojnë dhe do të krahasohen me kujdes me Fjalën e Perëndisë.











































































Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. David N. Steele and Curtis C. Thomas, The Five Points of Calvinism (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1963), 19. ↵ Kthehu mbrapa
  2. Laurence M. Vance, The Other Side of Calvinism (Pensacola, FL: Vance Publications, botim i riparë, 1999),37. ↵ Kthehu mbrapa
  3. Kenneth G. Talbot and W. Gary Crampton, Calvinism, Hyper-Calvinism and Arminianism (Edmonton, AB: Still Water Revival Books, 1990), 78. ↵ Kthehu mbrapa
  4. Benjamin B. Warfield, Calvin and Augustine, botim i Samuel G. Craig (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1956), 22. ↵ Kthehu mbrapa
  5. John Piper, The Legacy of Sovereign Joy: God’s Triumphant Grace in the Lives of Augustine, Luther, and Calvin (Wheaton, IL: Crossway Books, 2000), 24-25. ↵ Kthehu mbrapa
  6. Charles Haddon Spurgeon, botim, Exposition of the Doctrine of Grace (Pasadena, CA: Pilgrim Publications, n. d.), 298. ↵ Kthehu mbrapa
  7. Alvin L. Baker, Berkower’s Doctrine of Election: Balance or Imbalance? (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1981), 25. ↵ Kthehu mbrapa
  8. St. Augustine, A Treatment On the Soul and its Origins, Libri IV, 16. ↵ Kthehu mbrapa
  9. C. Gregg Singer, John Calvin: His Roots and Fruits (Abingdon Press, 1989), vii. ↵ Kthehu mbrapa
  10. Vance, Other Side, 40. ↵ Kthehu mbrapa
  11. John Calvin, »A Treatise on the Eternal Predestination of God,” in John Calvin, Calvin’s Calvinism, përkthim Henry Cole (Grandville, MI: Reformed Free Publishing Association, 1987), 38; cituar në Vance, Other Side, 38. ↵ Kthehu mbrapa
  12. Leonard Verduin, The Reformers and Their Stepchildren (Sarasota, FL: Christian Hymnary Publishers, 1991), 33. ↵ Kthehu mbrapa
  13. Petilian 11.85.189; cituar në W. H. C. Frend, The Rise of Christianity (Philadelphia, PA: Fortress Press, 1984), 671. ↵ Kthehu mbrapa
  14. Frend, Rise, 671. ↵ Kthehu mbrapa
  15. Po aty, 672. ↵ Kthehu mbrapa
  16. F. F. Bruce, Light in the West, Vol. 3 in The Spreading Flame (Grand Rapids, MI: Wm. B. Eerdmans Publishing Co, 1956), 60-61. ↵ Kthehu mbrapa
  17. E. H. Broadbent, The Pilgrim Church (Port Colborne, ON: Gospel Folio Press, reprint 1999), 49. ↵ Kthehu mbrapa
  18. Henry H. Milman, History of Christianity (New York: A. C. Armstrong and Son, 1886), 3:176. ↵ Kthehu mbrapa
  19. Warfield, Calvin, v. ↵ Kthehu mbrapa
  20. John Calvin, faqja e përmbajtjes së Institutes of the Christian Religion, trans. Henry Beveridge (Grand Rapids, MI: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1998 ed.), III: xxiii, IV: xvii etj. ↵ Kthehu mbrapa
  21. Calvin, Institutes, III: XXI, 2. ↵ Kthehu mbrapa
  22. Po aty, xxi, 4. ↵ Kthehu mbrapa
  23. Po aty, xxiii, 1. ↵ Kthehu mbrapa
  24. Po aty, 5. ↵ Kthehu mbrapa
  25. Po aty. ↵ Kthehu mbrapa
  26. Po aty, 8. ↵ Kthehu mbrapa
  27. Po aty, IV: xiii, 9. ↵ Kthehu mbrapa
  28. Po aty, III: xxiii, 11. ↵ Kthehu mbrapa
  29. Po aty, 13. ↵ Kthehu mbrapa
  30. Po aty, 14. ↵ Kthehu mbrapa
  31. Richard A. Muller, Christ and the Decree (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1988), 22. ↵ Kthehu mbrapa
  32. Norman L. Geisler, What Augustine Says (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1982), 9. ↵ Kthehu mbrapa
  33. Aug. Cont. Epist. Fundament c.v. ↵ Kthehu mbrapa
  34. John Paul II, Sovereign Pontiff, Augustineum Hyponensem (Apostolic Letter, August 28, 1986. Mund të gjendet në këtë faqe interneti: www.cin.org/jp2.ency/augustin.htrnl). ↵ Kthehu mbrapa
  35. Dave Hunt and James White, Debating Calvinism, (Sisters, OR: Multnomah Publishers, 2004), 244. ↵ Kthehu mbrapa
  36. Calvin, Institutes, I: vii, 3. ↵ Kthehu mbrapa
  37. Talbot and Crampton, Calvinism, Hyper-Calvinism, 78; cituar te Vance, Other Side, 39. ↵ Kthehu mbrapa
  38. Alexander Souter, The Earliest Latin Commentaries on the Epistles of St. Paul (n. p., 1927), 139. ↵ Kthehu mbrapa
  39. N. L. Rice, God Sovereign and Man Free (Harrisonburg, VA: Sprinkle Publications, 1985), 13. ↵ Kthehu mbrapa
  40. Benjamin B. Warfield, »The Idea of Systematic Theology,” në The Princeton Theology, botim Mark A. Noll (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1983), 258. ↵ Kthehu mbrapa
  41. Vance, Other Side, 41. ↵ Kthehu mbrapa
  42. Richard N. Ostling, »The Second Founder of the Faith” (Time, September 29, 1986). ↵ Kthehu mbrapa
  43. William P. Grady, Final Authority: A Christian s Guide to the King James Bible (Knoxville, TN: Grady Publications, 1993), 54. ↵ Kthehu mbrapa
  44. Sir Robert Anderson, The Bible or the Church? (Londër: Pickering and Inglis, botimi i dytë n. d.), 53. ↵ Kthehu mbrapa
  45. Augustine, The City of God, përkthim Marcus Dods. Në Great Books of the Western World, botim Robert Maynard Hutchins and Mortimer J. Adler (Encyclopaedia Brittanica, Inc., 1952), XX:7, 8. ↵ Kthehu mbrapa
  46. Vance, Other Side, 55. ↵ Kthehu mbrapa
  47. Talbot and Crampton, Calvinism, Hyper-Calvinism, 79. ↵ Kthehu mbrapa
  48. Calvin, Institutes, IV: xiv, 26. ↵ Kthehu mbrapa
  49. Alister E. McGrath, The Life of John Calvin (Cambridge, MA: Blackwell Publishers, 1990), 151. ↵ Kthehu mbrapa
  50. Francois Wendel, Calvin: Origins and Development of His Religious Thought (Grand Rapids, MI: Baker Books, 1997), 124. ↵ Kthehu mbrapa
  51. Vance, Other Side; cituar Calvin, Institutes, 139, 146, 148-49. ↵ Kthehu mbrapa
  52. Vance, Other Side, 113; cituar Wendel, Origins, 264, and Timothy George, Theology of the Reformers (Nashville, m: Broadman Press, 1988), 232. ↵ Kthehu mbrapa
  53. Philip Schaff, History of the Christian Church (New York: Charles Scribner’s Sons, 1910; Grand Rapids, MI: Wm B. Eerdmans Publishing Co., ribotim 1959), 111: 1018. ↵ Kthehu mbrapa
  54. Warfield, Calvin, 322. ↵ Kthehu mbrapa
  55. Po aty, 313. ↵ Kthehu mbrapa
  56. Po aty, 318. ↵ Kthehu mbrapa
  57. Philip F. Congdon, »Soteriological Implications of Five-point Calvinism,” Journal of the Grace Evangelical Society, Autumn 1995, 8: 15, 55-68. ↵ Kthehu mbrapa
  58. George, Theology, 68. ↵ Kthehu mbrapa
  59. James R. White për Dave Hunt, 4 gusht 2000. Në dosje. ↵ Kthehu mbrapa
  60. David Schaff, Our Father’s Faith and Ours, 172; cituar në Samuel Fisk, Calvinistic Paths Retraced (Raleigh, NC: Biblical Evangelism Press, 1985), 68. ↵ Kthehu mbrapa
  61. Philip Schaff, History, 11:975-76. ↵ Kthehu mbrapa
  62. Samuel Fisk, Calvinistic Paths Retraced (Raleigh, NC: Biblical Evangelism Press, 1985), 68. ↵ Kthehu mbrapa
  63. Grady, Final Authority, 35. ↵ Kthehu mbrapa
  64. Fisk, Calvinistic, 67. ↵ Kthehu mbrapa
  65. F. F. Bruce, The Books and the Parchments (Londër: Pickering and Inglis, seri e pakët, 1950), 191. ↵ Kthehu mbrapa
  66. Bruce, Books, 194-95. ↵ Kthehu mbrapa
  67. Merrill F. Unger, Unger’s Bible Dictionary (Chicago, IL: Moody Press, 1969), 1151-54. ↵ Kthehu mbrapa
  68. Fisk, Calvinistic, 70-75. ↵ Kthehu mbrapa
  69. F. F. Bruce, The English Bible: A History of Translations (New York: Oxford University Press, 1961), 90-91. ↵ Kthehu mbrapa
  70. Charles C. Butterworth, The Literary Lineage of the King James Bible (Philadelphia: University of Pennsylvania Press, 1941), 163. ↵ Kthehu mbrapa
  71. H. Wheeler Robinson, The Bible In Its Ancient and English Versions (Oxford: Clarendon Press, 1940), 186, 206-207. ↵ Kthehu mbrapa
  72. Loraine Boettner, The Reformed Doctrine of Predestination (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1932), 405. ↵ Kthehu mbrapa
  73. Spurgeon, Exposition, 298; cituar te Vance, Other Side, 38. ↵ Kthehu mbrapa