Një sovranitet i shtrembëruar

ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

DUKE PARË që shthurja totale është një doktrinë kyç e kalvinizmit, duhet të kuptojmë që përtej këtij besimi është diçka më themelore: një keqkuptim i rëndë rreth sovranitetit të Perëndisë. Singeri mburret: “Madhështia e fshehtë e teologjisë së Kalvinit qëndron në kuptimin e tij të mësimit biblik të sovranitetit të Perëndisë”{{1}}.

Në fakt, Kalvini nuk e kuptoi mësimin biblik, por e shtrembëroi atë. Kalvinizmi i vë një theks aq të tepruar sovranitetit, saqë i heq çdo zgjedhje të vërtetë njeriut: “Asnjë njeri që nga Adami nuk ka patur një vullnet të mirë…. Çdo person i pashpëtuar është […] i lirë të shkojë vetëm në një drejtim […] i lirë të shkojë poshtë”{{2}}. Megjithatë mund të argumentohet biblikisht: “Nëse njeriu nuk është i lirë të veprojë, atëherë nuk ka bazë për të besuar se të vërtetë [kemi] në çdo fushë – shkencë, teologji apo filozofi…. Nëse nuk ka vullnet të lirë, atëherë nuk ka kuptim të lavdërojmë apo fajësojmë [dhe] nuk ka mëkat”{{3}}.

Tensioni i dukshëm midis sovranitetit të Perëndisë dhe vullnetit të lirë të njeriut ka qenë një pikë studimi dhe diskutimi – dhe, fatkeqësisht, zënke – midis të krishterëve të sinqertë për shekuj me radhë. Disa kanë pranuar trajtimin që ka bërë C. I. Skofildi (C. I. Scofield), që këto janë dy të vërteta që duhen pranuar të dyja, por që nuk mund të pajtohen. “Të dyja janë plotësisht të vërteta, por e vërteta lidhëse dhe pajtuese nuk është zbuluar”{{4}}. Në pajtim të dukshëm, Xhejms M. Grei (James M. Gray), ish-president i Institutit Biblik Mudi, sugjeroi se “asnjë mendje e kufizuar nuk mund të rrokë […] sovranitetin […] e Perëndisë dhe veprimin e lirë të njeriut […] të dyja barazisht në të njëjtën kohë. Megjithatë, sa e domosdoshme është që të dyja të theksohen ashtu siç duhet!”{{5}}.

Në mënyrë të ngjashme, Uilliam L. Petingili shkruan: “Perëndia ngul këmbë për sovranitetin e Tij dhe gjithashtu për përgjegjësinë e njeriut. Beso dhe prediko, duke ia lënë Atij detyrën e ‘harmonizimit’”{{6}}. Në të njëjtën frymë, A. T. Piersoni (A. T. Pierson), edhe pse një udhëheqës presbiterian, pohon se si “vullneti sovran i Perëndisë ashtu edhe vullneti i lirë i njeriut” mësohen në Shkrime dhe se, “nëse nuk mund t’i pajtojmë këto të dyja, është sepse tema është shumë më e lartë se mendimet tona. Njeriu është i lirë…. Kështu ftesa e madhe e fundit në Librin e Perëndisë është një thirrje ndaj vullnetit”{{7}}. R. A. Tori (R. A. Torrey) pranonte se ne nuk duhet “të përpiqemi të shpjegojmë me hollësi mësimin e qartë të Fjalës së Perëndisë për sa i përket sovranitetit të Perëndisë [dhe] lirisë së vullnetit njerëzor…”{{8}}.

Fatkeqësisht, as Kalvini as shumë nga ndjekësit e tij sot nuk kanë dashur të pranojnë të dyja anët e këtij mësimi biblik. Rezultati ka qenë rrënues në pasojat e tij për ungjillin: që njeriu vetëm mund të refuzojë Krishtin; ai nuk mund të pranojë dhe besojë në Të nëse nuk është rilindur në mënyrë sovrane nga Perëndia. Kalvinizmi refuzon të pranojë atë që shumë ungjilltarë të mëdhenj kanë pranuar se është jetësore. Edgar Mullinsi (Edgar Mullins) shpreh shumë mirë baraspeshimin thelbësor që mungon:

Vullneti i lirë i njeriut është një e vërtetë po aq themelore sa çdo tjetër në ungjillin dhe nuk duhet të fshihet kurrë në pohimet tona doktrinore. Njeriu nuk do të ishte njeri pa atë dhe Perëndia nuk na e zhvat kurrë njerëzinë tonë të vërtetë morale kur na shpëton…. Dekreti i shpëtimit duhet të shihet si një i tërë për t’u kuptuar. Disa kanë parë vetëm zgjedhjen e Perëndisë dhe nuk kanë marrë parasysh mjetet dhe zgjedhjen e domosdoshme nga ana e njeriut{{9}}.

Një zell për t’u lavdëruar, por i gabuar

Talboti dhe Kremptoni na sigurojnë se “sovraniteti i Perëndisë është […] parimi më themelor i kalvinizmit […] themeli mbi të cilin është ndërtuar gjithçka [përfshirë edhe vetë krishterimin]”{{10}}. Boetneri pranon: “Parimi bazë i kalvinizmit është sovraniteti i Perëndisë”{{11}}. Një zjarr i tillë për sovranitetin e Perëndisë është për t’u lavdëruar. Megjithatë, kalvinistët e kanë bërë gabimisht Perëndinë shkakun efektiv të çdo gjëje që ndodh: “Çfarëdo gjëje që bëhet në kohë është sipas dekretit të Tij [Perëndisë] në përjetësi”{{12}}. Por a do të dekretonte një Perëndi i shenjtë të keqen që mbush zemrën njerëzore dhe botën sot? Sigurisht që jo!

Kalvinizmi i mohon njeriut çdo zgjedhje të lirë rreth çdo gjëje që mendon apo bën. Spërxhëni i referohet “një klase njerëzish me mendje të fortë e zemër të fortë që e zmadhojë sovranitetin në kurriz të përgjegjësisë [njerëzore]”{{13}}. Kalvinistët besojnë në mënyrë të gabuar se nëse një njeri mund të bëjë një zgjedhje të vërtetë, qoftë edhe në rebelimin e tij kundër Perëndisë, kjo do të ishte një mohim që Perëndia është sovran. Kështu Perëndia duhet të jetë shkaku i çdo mëkati, duke filluar me Adamin e Evën. Boetneri argumenton: “Edhe rënia e Adamit, dhe përmes tij rënia e tërë racës njerëzore, nuk ishte rastësisht apo aksidentalisht, por ishte caktuar në këtë mënyrë sipas këshillës së fshehur të Perëndisë”{{14}}. Ky përfundim jo i lumtur bëhet i nevojshëm nga një koncept i sovranitetit që nuk kërkohet as nga Bibla as nga logjika.

Kemi vënë re pohimin nga disa kalvinistë se njeriu është i lirë t’i përgjigjet Perëndisë. Megjithatë, në të njëjtën kohë, doktrina e shthurjes totale kërkon që ai mund t’i përgjigjet vetëm në mënyrë negative dhe në kundërshtim me Perëndinë. Sigurisht, kjo nuk është fare liri. Kongloni (Conglon) tregon:

Kalvinistët klasikë mund të flasin që njeriu ka një “vullnet të lirë”, por kjo është një liri shumë e kufizuar! Pra, një person mund të zgjedhë të refuzojë Krishtintë gjithë njerëzit e bëjnëpor vetëm ata që janë zgjedhur mund të zgjedhin ta pranojnë Atë. Ky nuk është “vullnet i lirë”! A janë ftesat e hapura në Bibël për t’i besuar Krishtit një shaka mizore? Nuk besoj se është kështu. A janë të gjithë njerëzit të lirë të vënë besimin e tyre në Zotin Jezu Krisht si Shpëtimtarin e tyre vetjak për mëkatet e tyre? Po. Kjo është arsyeja përse thirrja për të shkuar misionar është kaq urgjente{{15}}

Liri për t’u rebeluar, por jo për t’u penduar?

Si mund të ketë liri të vërtetë zgjedhjeje nëse mund të bëhet vetëm një lloj zgjedhjeje, vetëm një, dhe kjo zgjedhje është ajo që është dekretuar që nga përjetësia? Ta quash këtë “zgjedhje të lirë” është mashtrim. Megjithatë, kjo është “liria” e vetme që mund të lejojë kalvinizmi. Pinku citon favorshëm J. Denham Smithin (J. Denham Smith), të cilin e nderon si një “shërbëtor tejet të mësuar të Perëndisë”:

Unë besoj në vullnetin e lirë; por atëherë është vetëm një vullnet i lirë të veprojë sipas natyrës…. Mëkatari në natyrën e tij mëkatare nuk mund të ketë kurrë një vullnet sipas Perëndisë. Për këtë ai duhet të lindë sërish{{16}}.

Në asnjë vend Bibla nuk mbështet një pohim të tillë; dhe ky është një ndër gabimet më të rënda të kalvinizmit. A ishin të “lindur sërish”, pra, të rilindur, Abrahami dhe Moisiu? A nuk është ky një term i Dhiatës së Re? Çfarë nënkupton Smithi me “një vullnet sipas Perëndisë”? Edhe të krishterët nuk bëjnë gjithmonë vullnetin e Perëndisë. Një dëshirë për të njohur Perëndinë? Me siguri nga tërë njerëzit pritet të kërkojnë Zotin ndërsa mund të gjendet. Fakti që Perëndia premton të gjendet nga ata që e kërkojnë, nënkupton se të parilindurit mund të kërkojnë Atë.

Gjithashtu nuk është një ndihmë për kalvinistët që ata të thonë se njeriu vetëm mund të dëshirojë dhe të veprojë sipas natyrës së tij mëkatare dhe kundër Perëndisë. Si mund të jetë vullneti i Perëndisë që njeriu të sfidojë ligjin e Tij? Nëse pranohet se veprimet mëkatare vijnë si rezultat i zgjedhjeve të vërteta, atëherë kemi të njëjtën sfidë ndaj sovranitetit të Perëndisë që kalvinistët nuk mund të lejojnë. Ose njeriu ka një vullnet të lirë, ose mëkati i tij është tërësisht sipas vullnetit të Perëndisë. Ashtu siç kemi parë, kjo e fundit është saktësisht ajo që mësonte Kalvini dhe që shumë kalvinistë e besojnë akoma, duke e bërë Perëndinë autorin e të keqes.

A është e mundur që natyra e Adamit të ishte mëkatare, edhe pse Perëndia e shpalli atë “të mirë” kur e krijoi? Si mund të shpjegohet ndryshe mëkati i tij veçse përmes vullnetit të lirë? Kalvinisti i shmanget vullnetit të lirë duke pohuar se edhe mëkati i Adamit dhe i Evës u paracaktua dhe u dekretua nga Perëndia. Pinku argumenton: “Perëndia paracakton çdo gjë që ndodh. Sundimi i Tij sovran shtrihet në tërë gjithësinë dhe është mbi çdo krijesë…. Perëndia është nismëtari i çdo gjëje, rregullon çdo gjë…”{{17}}. Atëherë pse na thotë Krishti të lutemi: “U bëftë vullneti yt […] edhe në tokë” nëse tashmë gjithçka është sipas vullnetit dhe dekretit të Perëndisë?

Është e gabuar të mendosh se, që Perëndia të jetë në kontroll të universit të Tij, Ai duhet të paracaktojë dhe të nisë të gjitha gjërat. Në fakt, do të ishte një mohim [i faktit] që Perëndia është i gjithëdijshëm dhe i gjithëpushtetshëm të sugjerosh se Ai nuk mund të parashikojë dhe të kontrollojë atë që nuk ka paracaktuar, dekretuar dhe shkaktuar. Përsëri, kalvinistët bien në kontradikta. Edhe pse ishte një teolog udhëheqës presbiterian, A. A. Hoxhes pranon pasojat e ashpra të pikëpamjes së skajshme të sovranitetit të Perëndisë: “Gjithçka merr fund, nëse merr fund vullneti i lirë; sistemi moral merr fund nëse merr fund vullneti i lirë…”{{18}}. Megjithatë, në të njëjtën kohë, pohon: “Paracaktimi është një vepër e […] vullnetit dashamirës të Perëndisë nga tërë përjetësia në përcaktimin […] e tërë ndodhive […] që do të ndodhnin”{{19}}.

Përballja me një dallim jetësor

Që një kalvinist të mbështetë pikëpamjen e tij të skajshme të kontrollit, Perëndia duhet të jetë shkaku i shthurjes totale të njeriut dhe i përgjigjes negative që del prej saj. Nuk ka rrugë tjetër për t’i shpëtuar këtij përfundimi. Nëse Perëndia nuk do të ishte shkaku i mëkatit të njeriut, njeriu do të vepronte në mënyrë të pavarur nga Perëndia dhe kjo nuk mund të lejohet në asnjë mënyrë në skemën kalviniste. Atëherë rrjedh se “Ai [Perëndia] mund […] ta kishte parandaluar [rënien dhe hyrjen e mëkatit në botë], por nuk e parandaloi: prandaj, Ai deshi të ishte kështu”{{20}}. Kështu dikush mund të dalë në përfundimin: “Është biblike të thuash se Perëndia ka paracaktuar mëkatin”{{21}}.

Megjithatë, mënyra e vetme për të mbrojtur ndershmërinë, dashurinë dhe dhembshurinë e Perëndisë në një botë të mbushur me mëkat dhe vuajtje është të pranosh se Ai i ka dhënë njeriut fuqinë të zgjedhë për veten e tij. Si rrjedhim, është faji njeriut dhe për shkak të zgjedhjes së tij të lirë që mëkati dhe vuajtjet janë përvoja e përbashkët e tërë njerëzimit. Perëndia ka siguruar falje të plotë për mëkatet mbi një bazë të drejtë dhe do të krijojë përfundimisht një univers të ri në të cilin nuk mund të hyjë mëkati – një univers që të banohet nga të gjithë ata që e kanë pranuar Zotin Jezu Krisht si Shpëtimtarin e tyre. Perëndia është pa faj dhe vetëm njeriu duhet të fajësohet për mëkatin dhe vuajtjet. Ky është mësimi i Biblës, ashtu siç do të shohim me hollësi.

Kalvinizmi qëndron mbi një pikëpamje të gabuar rreth domethënies së sovranitetit të Perëndisë. Palmeri na tregon se Perëndia paracakton turma të panumërta për mundim të përjetshëm “për lavdinë e fuqisë së Tij sovrane ndaj krijesave të Tij…”{{22}}. Sigurisht, Perëndia mund të tregojë fuqinë e Tij sovrane ndaj krijesave të Tij në shumë mënyra duke mos i dekretuar në dënim të përjetshëm, një fat me siguri jo i domosdoshëm nga sovraniteti.

Bibla mëson se Perëndia në mënyrë sovrane – pa zvogëluar sovranitetin e Tij – i dha njeriut fuqinë të rebelohej kundër Tij. Kështu, mëkati është vetëm përgjegjësi e njeriut, me anë të zgjedhjes së tij të lirë, jo nga dekreti i Perëndisë. Gabimi themelor i kalvinizmit është dështimi për të kuptuar se Perëndia mund t’i japë njeriut fuqinë e zgjedhjes së vërtetë dhe në të njëjtën kohë të mbetet në kontroll të gjithësisë. Të pranosh si sovranitetin ashtu edhe vullnetin e lirë do të thotë të shkatërrosh themelet e tërë sistemit kalvinist.

Kjo pikëpamje e rreme e sovranitetit të Perëndisë është justifikimi i vetëm i kalvinistëve që Perëndia shpëton vetëm një grup të zgjedhurish dhe dënon pjesën tjetër. Nëse dikush pyet se si një Perëndi i dashur mund të dënojë miliona apo mbase miliarda të cilët mund t’i kishte shpëtuar, përgjigjja është se “i pëlqeu Atij të bënte një gjë të tillë”. Nëse dikush ngul këmbë dhe pyet pse i pëlqeu Atij, përgjigjja është se arsyeja është fshehur “në misterin e vullnetit të Tij”.

Vullneti i lirë nuk e zvogëlon kontrollin e Perëndisë ndaj gjithësisë së Tij. Duke qenë i gjithëpushtetshëm dhe i gjithëdijshëm, Perëndia mund t’i rregullojë në mënyrë të tillë rrethanat që të mos e lejojë rebelimin e njeriut për të penguar qëllimet e Tij. Në fakt, Perëndia mund të përdorë vullnetin e lirë të njeriut që të ndihmojë plotësimin e planeve të Tij dhe kështu Ai është edhe më tepër i lavdëruar sesa të dekretonte gjithçka që bën njeriu.

Dëgjoje nga Kalvini dhe kalvinistët!

Në veprën e tij klasike “pesë pikave të kalvinizmit”, Edvin H. Palmeri shkruan: “Edhe pse mëkati dhe mosbesimi janë në kundërshtim me atë që urdhëron Perëndia (vullneti i Tij perceptues), Perëndia i ka përfshirë ata në dekretin e Tij sovran (i ka caktuar ata, i ka shkaktuar që të ndodhin me siguri)…. Si ka mundësi që një Perëndi i shenjtë, që e urren mëkatin, jo vetëm që e lejon mëkatin në mënyrë pasive, por në mënyrë të sigurt dhe të efektshme dekreton që të ndodhë ai mëkat? Perëndia ynë i pafund na bën të ditur disa të vërteta të habitshme…”{{23}}.

“Të habitshme” është mbiemri i gabuar. Atë që Palmeri pranon se e habit edhe vetë atë, një njeri që mbron në mënyrë dogmatike këtë doktrinë, është tmerruese për jokalvinistët, si edhe për jobesimtarët. Palmeri vazhdon duke e shpjeguar kështu këtë doktrinë mizore:

Të gjitha gjërat që ndodhin në të gjithë botën në çdo kohë dhe gjatë gjithë historisë – qoftë me lëndën inorganike, bimësinë, kafshët, njeriun apo engjëjt (si të mirët ashtu edhe të këqijtë) – ndodhin sepse Perëndia i caktuar. Madje mëkati – rënia e djallit nga qielli, rënia e Adamit dhe çdo mendim, fjalë dhe vepër e keqe gjatë tërë historisë, duke përfshirë mëkatin më të keq që mund të jetë bërë ndonjëherë, tradhtinë nga Juda të Krishtit – përfshihet në dekretin e përjetshëm të Perëndisë tonë të shenjtë.

[Nëse] mëkati është jashtë dekretit të Perëndisë, atëherë përqindja e madhe e veprimeve njerëzore […] hiqen nga plani i Perëndisë. Fuqia e Perëndisë zvogëlohet në forcat e natyrës…. Mëkati jo vetëm që është paranjohur nga Perëndia, por është paracaktuar nga Ai. Në fakt, duke qenë se Perëndia e ka paracaktuar atë, Ai edhe e ka paranjohur. Kalvini është shumë i qartë në këtë pikë: “Njeriu dëshiron me një vullnet të keq atë që Perëndia dëshiron me një vullnet të mirë..{{24}}.

Nuk ka as mbështetje biblike, as të arsyeshme për këtë dogmë. Me siguri Perëndia në fuqinë dhe paranjohjen e Tij të pafund mund të përshtat në planin e Tij edhe mendimet e veprat më rebele të njerëzimit. Ai është plotësisht i zoti të pengojë, të parandalojë apo të përdorë planet dhe veprat e njeriut për të përmbushur vullnetin e Tij dhe mund ta bëjë këtë pa shkatërruar aftësinë e ushtrimit të zgjedhjes së lirë të njeriut. Ta bësh Perëndinë autor të mëkatit do të thotë ta shtrembërosh Atë në mënyrë blasfemuese.

Përse duhej të shkatërronte krijimin e tij një Perëndi pafundësisht i shenjtë duke e krijuar qëllimisht mëkatin? Pse të sajonte historinë e hollësishme të “hedhjes së engjëjve të rënë nga qielli?”. Pse ta shkaktonte njerëzimin të mëkatonte në mënyrë që ta “falte”? Si mund të përlëvdojë kjo Perëndinë? Në vend të kësaj, në kalvinizëm Perëndia bëhet si ai personi që ndez një zjarr në pyll në mënyrë që “ta zbulojë”, ta shuajë dhe të bëhet hero. Gjithashtu e bën Perëndinë mashtrues i cili pretendon se Satani, edhe pse i krijuar qëllimisht nga Perëndia, ishte armiku i Tij. Sa absurde!

Kufizimi i Perëndisë

Për më tepër, pse i duhet Perëndisë të paracaktojë diçka për ta paranjohur? Sigurisht, nëse Perëndia mund të njohë vetëm atë që Ai vetë ka dekretuar, dhe të zihej në befasi nëse njeriu do të kishte një zgjedhje të lirë, atëherë njohja e Tij nuk do të ishte e pafund (pra, Perëndia nuk do të ishte i gjithëdijshëm).

Megjithatë kalvinistët ngulin këmbë në këtë doktrinë jobiblike dhe të paarsyeshme, për të cilën ata mendojnë se mbron sovranitetin e Perëndisë, por në fakt e zvogëlon: “Nëse Perëndia nuk i paracaktoi të gjithë gjërat, atëherë Ai nuk mund të njihte të ardhmen. Perëndia i paranjeh dhe i njeh të gjitha gjërat sepse i dekretoi të gjithë gjërat që të jenë”{{25}}. Përkundrazi, Perëndia nuk ka pse të dekretojë mendime dhe veprime njerëzore që t’i paranjohë. Ai njeh gjithçka përpara se të ndodhin sepse është i gjithëdijshëm.

Kalvinistët bashkëkohorë që po citojmë shprehin thelbin e kalvinizmit. Ata po i qëndrojnë besnik Xhon Kalvinit, i cili nga ana tjetër na kujton se e njëjta gjë u mësua nga Agustini. Ky i fundit është përshkruar si i pari i të ashtuquajturve Etërit e Kishës, i cili “mësoi sovranitetin absolut të Perëndisë”{{26}}.

Në veprën e tij “Parimet”, Kalvini pranon se i ishte borxhli Agustinit në lidhje me paracaktimin nga ana e Perëndisë të çdo mendimi, fjale dhe vepre, të mirë apo të keqe, të njerëzimit, duke përfshirë tërë të keqen e kryer:

[…]Ne mbështetim se Perëndia është rregulluesi dhe sunduesi i çdo gjëje – se nga përjetësia më e largët, sipas diturisë së tij, ai dekretoi […] që, me anë të providencës së tij, jo vetëm qiellin, tokën dhe krijimin e pafrymë, por edhe këshillat dhe vullnetet e njerëzve drejtohen për të vepruar saktësisht në rrjedhën që ai ka caktuar….

Me pak fjalë, Agustini mëson gjithandej […] se nuk mund të ketë absurditet më të madh, sesa të mbështesësh se gjithçka bëhet pa caktimin e Perëndisë; sepse do të ndodhte rastësisht. Dhe për këtë arsye, ai gjithashtu përjashton pasigurinë që varet nga vullneti njerëzor, duke mbështetur edhe më tepër, me fjalë më të qarta, që të mos kërkohet asnjë shkak përveç vullnetit të Perëndisë…. Them, atëherë, që […] rendi, metoda, fundi dhe domosdoshmëria e ngjarjeve, janë […] të prodhuara nga vullneti i Perëndisë…{{27}}.

Një pozicion i paarsyeshëm

Agustini tha se të gjitha vullnetet i nënshtrohen vullnetit të Perëndisë, por ai nuk shkoi aq larg nga sa e çoi Kalvini. Për më tepër, Kalvini hidhet më tej në një seri gabimesh të cilat janë përsëritur deri më sot. Sigurisht, në kundërshtim me Kalvinin, veprimet me anë të vullnetit të lirë të njerëzve nuk ndodhin rastësisht. Nëse do të kishin ndodhur rastësisht, tërë sistemi ynë gjyqësor do të kishte rënë poshtë, meqenëse dhunimi, vrasjet, plaçkitjet dhe të gjitha llojet e krimeve të tjera duhej të shiheshin si ndodhi të rastësishme përtej përgjegjësisë apo kontrollit moral të autorëve të tyre. Sigurisht, ky është absurditet.

Në mënyrë ironike Pinku përpiqet të shmangë pasojat e padurueshme të pohimeve të forta të Kalvinit duke përmendur gjithashtu Agustinin: “Le të thuhet me forcë që Perëndia nuk prodhon gatishmërinë mëkatare të secilës nga krijesat e Tij, edhe pse Ai i kufizon dhe i drejton për përmbushjen e qëllimeve të Tij. Kështu që Ai nuk është as autori i mëkatit as miratuesi i tij. Ky dallim është shprehur në këtë mënyrë nga Agustini: ‘që mëkati i njerëzve rrjedh nga vetvetja; [fakti] që në kryerjen e mëkatit ata kryejnë këtë apo atë veprim, vjen nga fuqia e Perëndisë, i cili ndan errësirën sipas kënaqësisë së tij’”{{28}}.

Megjithatë vetë Kalvini është pranuar gjerësisht dhe imitohet nga shumë ndjekës të tij sot, që Perëndia është shkaku dhe kështu autori i çdo mendimi, fjale dhe vepre. Pinku, ashtu si Palmeri, ka thënë shpesh të njëjtën gjë! Pa këtë përfundim, edhe pse është e pështirë për ndërgjegjen që Perëndia i ka dhënë njeriut, sovraniteti i kalvinizmit nuk mund të qëndrojë, as pesë pikat e tij.

A është ky Perëndia i Biblës?

Ndërgjegjja njerëzore dhe ndjenja e së mirës dhe e së keqes – të cilën njeriu e ka marrë nga vetë Perëndia – bërtasin me të madhe kundër një mësimi të tillë. A nuk e kanë shtrembëruar Kalvini dhe Agustini Perëndinë e dashur e të mëshirshëm të Biblës? A na krijoi Perëndia të jemi thjesht marioneta, duke u vënë në lëvizje prej tij? A është ndjenja jonë e lindur për bërjen e zgjedhjeve të vërteta nga vullneti ynë, të cilat ndonjëherë janë të arsyeshme dhe herë të tjera impulsive apo edhe nga epshi, një zhgënjim i plotë?

Perëndia i thërret ndërgjegjes njerëzore: “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti” (Isaia 1:18). Askush nuk mund t’i futet arsyetimit pa bërë zgjedhje midis mendimeve e teorive të ndryshme apo rrjedhave të mundshme të veprimit. Kështu, pa fuqinë e zgjedhjes, njeriu nuk është një qenie e arsyeshme. Dhe me siguri, pa fuqinë e bërjes së zgjedhjeve të vërteta, njeriu nuk mund të jetë një qenie e përgjegjshme morale, përgjegjës para Perëndisë.

Në të tërë Biblën njeriut i bëhet thirrje të zgjedhë midis kohës mbi tokë dhe përjetësisë, midis Satanit dhe Perëndisë, midis së keqes dhe së mirës, midis vetes dhe Krishtit. Jonathan Eduartsi pohon se “një veprim i vullnetit është njësoj si një veprim i të zgjedhurit apo zgjedhjes”{{29}}. Gjithashtu nuk ka asnjë arsye biblike, shkencore apo logjike se pse njeriu – i cili bën zgjedhje të çdo lloji përditë – të mos zgjedhë, pa qenë së pari i parilindur, midis së mirës dhe së keqes, Perëndisë dhe Satanit, dhe t’ia hapë me të vërtetë zemrën e tij Krishtit.

Palmeri e quan paradoks që “edhe pse njeriu është plotësisht i shthurur dhe i paaftë të besojë dhe edhe pse besimi është një dhuratë e Perëndisë e prodhuar nga vepra e papërballueshme e Frymës së Shenjtë, megjithëkëtë, i takon njeriut të besojë. Ai ka detyrën t’i bindet urdhrit të Perëndisë të besojë”{{30}}. Ky nuk është paradoks; ky është absurditet. Askush nuk mund të quhet përgjegjës se ka dështuar të bënte atë që e kishte të pamundur ta bënte.

A mund të jetë e vërtetë që ne me të vërtetë nuk kemi zgjedhje, por që Perëndia shkakton të bëjmë atë që bëjmë, duke paracaktuar çdo mendim, fjalë dhe vepër tonën? Kjo me siguri nuk është një perceptim i mbështetur në përvojën e përditshme, ashtu siç ka argumentuar edhe vetë Agustini. Megjithatë, edhe pse kaq kundërshtuese me mendimin praktik, kalvinisti detyrohet të pranojnë këtë pikëpamje për të mbështetur sistemin e tij.

Agustini, ashtu siç do të shohim në kapitullin që vijon, besonte në vullnetin e lirë të njeriut, ndërsa Luteri mësonte se vullneti i njeriut është nën skllavërinë e mëkatit. Kalvini thotë se mëkati ndaj të cilit ne jemi skllevër është dekretuar nga Perëndia dhe kështu nuk kemi shpëtim veçse nëpërmjet veprës sovrane të Perëndisë. Nëse është kështu, atëherë është Perëndia i cili e mban njeriun në skllavërinë e mëkatit!

Në asnjë pjesëz të saj Bibla nuk pohon se sovraniteti i Perëndisë thotë që njeriu nuk ka asnjë fuqi për të bërë një zgjedhje të vërtetë, morale apo e çfarëdollojshme qoftë. Sigurisht, nëse sovraniteti i Perëndisë e bën njeriun plotësisht të paaftë ndaj çdo zgjedhjeje morale, atëherë Perëndia duhet ta shkaktojë atë në mënyrë sovrane t’i besojë ungjillit. Kështu, pesë pikat e kalvinizmit rrjedhin nga kjo pikëpamje e gabuar e sovranitetit.

Sovranitet i pamëshirshëm

Perëndia i Kalvinit tallet nga ateistët të cilët padisin me të drejtë që një “Perëndi” i gjithëpushtetshëm, që e shkakton njeriun të mëkatojë dhe më pas e dënon për një gjë të tillë është një përbindësh. Uill Duranti nuk ishte i krishterë, por duhet t’i marrim ankimet e tij ndaj kalvinizmit seriozisht: “…ne do pranojmë se edhe gabimi jeton sepse i duhet një nevoje jetësore. Por do ta kemi gjithmonë të vështirë të duam njeriun që errësoi shpirtin njerëzor me konceptin më absurd dhe blasfemues të Perëndisë në tërë historinë e gjatë dhe të nderuar të marrëzisë”{{31}}.

Duke ndjekur drejtimin e Kalvinit, dhe pa ndonjë perceptim të dukshëm të blasfemisë që shpreh kundër Perëndisë që është dashuri, Palmeri shkruan:

Bibla ka mbi njëqind shembuj në të cilët Perëndia shkaktoi që të ndodhte mëkat…. Kjo është asimetria e mahnitshme biblike: Perëndia paracakton mëkatin dhe njeriu është fajtori. Ne nuk mund ta kuptojmë këtë. Nëse të gjitha gjërat janë caktuar nga Perëndia – duke përfshirë mëkatin dhe mosbesimin – atëherë Perëndia ka caktuar cilët do të jenë jobesimtarët…. Është thelbësore të tregojmë të dhënat biblike rreth paracaktimit të mëkatit{{32}}.

Kjo nuk është “e mahnitshme”, por e pështirë për ndërgjegjen dhe një shpifje ndaj karakterit të Perëndisë – duke mos qenë as edhe biblike. Palmeri citon “shumë tekste që [gjoja] tregojnë se mëkati është i paracaktuar nga Perëndia”{{33}}. Në fakt, asnjë nga pjesët biblike që citon nuk e mbështet këtë tezë të tmerrshme.

Xhejms Auri (James Orr), botues i veprës origjinale “Enciklopedia e Biblës Standarde Ndërkombëtare” e quajti këtë doktrinë “një [doktrinë] të cilën asnjë justifikim i lidhjes logjike nuk do ta bëjë mendjen njerëzore ta pranojë dhe e cila do të nxitë revoltë kundër tërë sistemit me të cilin është lidhur”{{34}} Mbreti Xhejms, i cili dërgoi një delegacion në Dort, iu referua “atij dekreti të famshëm të Sinodit të fundit dhe vendimit të asaj formule të pështirë, me anë të së cilës pjesa më e madhe e racës njerëzore janë dënuar për në ferr për asnjë arsye tjetër, vetëm nga vullneti i Perëndisë, pa patur lidhje me mëkatin, domosdoshmërinë për të mëkatuar, po ashtu duke qenë të dënuar, duke qenë të fiksuar nga ajo gozhdë e madhe e dekretit të shpallur më parë”{{35}} [Theksimi sikurse në origjinal].

Duke u përpjekur për të justifikuar këtë doktrinë, shumë kalvinistë më janë përgjigjur me diskutime, letra dhe komente të shkruara në anët e dorëshkrimeve paraprake që unë u dërgova atyre për kontroll: “Perëndia nuk detyrohet t’u japë hirin e Tij atyre të cilët i paracaktoi për gjykim të përjetshëm”. Sigurisht, Perëndia nuk i detyrohet askujt për asnjë gjë. Megjithatë, ashtu siç tashmë e kemi vënë re, hiri dhe mëshira nuk vijnë nga detyrimi, por nga dashuria e Perëndisë. Gjithashtu as shenjtëria as drejtësia e Perëndisë nuk mund të komprometohen në këtë proces. Duke vlerësuar një autor të mirënjohur kalvinist, Zejn Hoxhes (Zane Hodges) shkruan:

Rezultati i teologjisë së [Mikael S.] Hortonit është se njerëzit që nuk janë zgjedhur janë të caktuar në mënyrë të pashpresë për në ferr, sepse Perëndia refuzon t’i rilindë…. Figura e Perëndisë që del nga kjo është një shtrembërim i neveritshëm i karakterit dhe natyrës së tij të dashur. Prandaj nuk është për t’u çuditur kur lexojmë nga shkrimet e Hortonit se “Ai [Perëndia] nuk mund të na dojë në mënyrë të drejtpërdrejtë për shkak të natyrës tonë mëkatare, por mund të na dojë në bashkimin tonë me Krishtin, sepse Krishti është ai të cilin Ati e do”{{36}}. Kjo mund të përmblidhet me këto fjalë: Perëndia nuk do “në mënyrë të drejtpërdrejtë” asnjë nëse nuk e ka rilindur dikë më parë, meqë “rilindja është fillimi i bashkimit”. Me fjalë të tjera, Perëndia nuk i do të zgjedhurit derisa të rilindin dhe Ai nuk i do kurrë ata që nuk janë zgjedhur”{{37}}.

[[1]] C. Gregg Singer, John Calvin: His Roots and Fruits (Abingdon Press, 1989), 32.[[1]] [[2]] W. E. Best, Free Grace Versus Free Will (Houston, TX: W. E. Best Books Missionary Trust, 1977], 20.[[2]] [[3]] Peter A. Bertocci, Free Will, Responsibility, and Grace (Nashville, TN: Abingdon Press, 1957), 22, 96.[[3]] [[4]] C. I. Scofield, Scofield Bible Correspondence Course (Chicago, IL: Moody Bible Institute, 1907), III:445.[[4]] [[5]] James M. Gray, Bible Problems Explained (Grand Rapids, MI: Fleming H. Revell, botimi i tretë, 1913), 45.[[5]] [[6]] William L. Pettingill, Bible Questions Answered (Just A Word Inc., botimi i tretë, 1935), 209.[[6]] [[7]] Arthur T. Pierson, The Believer’s Life: Its Past, Present, and Future Tenses (London: Morgan and Scott, 1905), 24-30.[[7]] [[8]] Reuben A. Torrey, The Importance and Value of Proper Bible Study (Chicago, IL: Moody Press, 1921), 80-81.[[8]] [[9]] Edgar Y. Mullins, Baptist Beliefs (Valley Forge, PA: Judson Press, botimi i katërt, 1925), 27.[[9]] [[10]] Kenneth G. Talbot and W. Gary Crampton, Calvinism, Hyper-Calvinism and Arminianism (Edmonton, AB: Still Waters Revival Books, 1990), 14.[[10]] [[11]] Loraine Boettner, The Reformed Faith (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1983), 2.[[11]] [[12]] John Gill, A Body of Doctrinal and Practical Divinity (Paris, AR: Baptist Standard Bearer, 1987), 173.[[12]] [[13]] Charles Haddon Spurgeon, “God’s Will and Man’s Will,” No. 442 (Newington, Metropolitan Tabernacle; predikim i paraqitur të dielën në mëngjes, më 30 mars 1862).[[13]] [[14]] Loraine Boettner, The Reformed Doctrine of Predestination (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1932), 234.[[14]] [[15]] Philip F. Congdon, “Soteriological Implications of Five-point Calvinism,” Journal of the Grace Evangelical Society, Autumn 1995, 8:15, 55-68.[[15]] [[16]] Arthur W. Pink, The Sovereignty of God (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 2nd prtg.1986), 138-139.[[16]] [[17]] Po aty, 240.[[17]] [[18]] A. A. Hodge, cituar te D. A. Carson, Divine Sovereignty and Human Responsibility (Atlanta, GA: John Knox Press, 1981), 207.[[18]] [[19]] A. A. Hodge, Outlines of Theology (Grand Rapids, MI: Zondervan, 1972), 201-202.[[19]] [[20]] Jerom Zanchius, The Doctrine of Absolute Predestination, përkth. Augustus M. Toplady (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1977), 88.[[20]] [[21]] Edwin H. Palmer, the five points of calvinism (Grand Rapids, MI: Baker Books, botim i zgjeruar, 20th prtg. 1999), 82.[[21]] [[22]] Po aty, 95, 124-35.[[22]] [[23]] Po aty, 95, 97-100, 116.[[23]] [[24]] Po aty, 95, 97-100, 116.[[24]] [[25]] David S. West, The Baptist Examiner, 18 mars  1989, 5; cituar te Laurence M. Vance, The Other Side of Calvinism (Pensacola, FL: Vance Publications, botim i riparë, 1999), 255.[[25]] [[26]] C. Norman Sellers, Election and Perseverance (Haysville, NC: Schoettle Publishing Co., 1987), 3.[[26]] [[27]] John Calvin, Institutes of the Christian Religion, përkth. Henry Beveridge (Grand Rapids, MI: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, botim i 1998), I: xvi, 6, 8, 9.[[27]] [[28]] Pink, Sovereignty, 156.[[28]] [[29]] Jonathan Edwards, Freedom of the Will, botim i Paul Ramsey (New Haven, Ct: Yale University Press, 1957), 137.[[29]] [[30]] Palmer, Sovereignty, 87.[[30]] [[31]] Will Durant, “The Reformation”, Pjesa VI e The Story of Civilization (New York: Simon and Schuster, 1957), 90.[[31]] [[32]] Palmer, Sovereignty, 97-100, 116.[[32]] [[33]] Po aty, 16.[[33]] [[34]] Cituar te Alan P. F. Sell, The Great Debate (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1982), 7.[[34]] [[35]] Te Jacobus Arminius, The Works of James Arminius, përkth. James and William Nichols (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1986), 1:213.[[35]] [[36]] Cituar nga Michael S. Horton, botues, Christ the Lord: The Reformation and Lordship Salvation (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1992), 111.[[36]] [[37]] Zane C. Hodges, “The New Puritanism, Pt 3: Michael S. Horton: Holy War With Unholy Weapons”, ‘Journal of the Grace Evangelical Society”, Spring 1994, 7:12,17-29.[[37]] [previous][next]