Përse ky libër?


ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

– «A MUND T’U PËRGJIGJESH DISA PYETJEVE rreth kalvinizmit?»

Këtë pyetje ma bëri një djalosh që ishte ulur me mua dhe disa të tjerë në restorantin e një qyteti ku po flisja në një konferencë{{1}}.

– Pse më pyet mua?
– Dëgjuam se po shkruaje një libër rreth kalvinizmit.
– Po, është e vërtetë. Është një libër, në fakt, që nuk dua ta shkruaj. Ka të krishterë të mirë nga të dyja anët. Gjëja e fundit që dua të bëj është të krijoj kundërshtime, por është një temë që duhet të ballafaqohet dhe të trajtohet me themel.

Duke parë përreth tryezës, u çudita me interesin e menjëhershëm të pasqyruar në fytyrat e tyre. Secili po dëgjonte me vëmendje.

– Gjatë viteve të shkuara jam marrë shumë pak me kalvinizmin. Pastaj, papritur, ose kështu më është dukur mua, në vitet e fundit kalvinizmi ka dalë gjithandej si një problem. Mbase unë tani po marr vesh se çfarë po ndodh, por më duket se kjo doktrinë e çuditshme po reklamohet shumë më tepër gjerësisht dhe në mënyrë agresive tani nga sa isha në dijeni në të shkuarën.
– Kisha jonë kohët e fundit i ka shtuar stafit një pastor tjetër, një të diplomuar nga [shkolla teologjike] «Master’s College and Seminary» në Kaliforninë e Jugut – shpjegoi njëri prej të rinjve. – Ai ndërfut kalvinizmin gati në çdo pjesë gjatë studimit të Biblës.
– Më lejoni t’ju them se si vepron, – iu përgjigja. – Ai pyet grupin se çfarë mendojnë ata se kush vjen në fillim, besimi apo rilindja. Të gjithë thonë: «Besimi, sigurisht, – »Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh”». Pastaj u bën një sfidë: «Por njerëzimi është i vdekur në shkelje dhe mëkate. Si mund të besojë një njeri i vdekur?».

Tani vëmendja e të riut ishte shumë e përqendruar.

– Është pikërisht kështu. Nga e dije?
– Pastaj ai shpjegon – vazhdova unë – se Perëndia duhet t’u japë jetë në mënyrë sovrane atyre që janë të vdekur frymërisht para se ata të besojnë apo madje të kuptojnë ungjillin, me një fjalë, që rilindja duhet të paraprijë besimin.
– Ke të drejtë! Por duket e çuditshme […] të shpëtohesh para se të mund të shpëtohesh!
– Kalvinistët nuk do ta parashtronin me këto fjalë – iu përgjigja – por është pak më e çuditshme se kaq. Pa kuptuar apo pa besuar diçka rreth Perëndisë, Krishtit apo Biblës – sepse, sipas tyre, «të shthururit plotësisht» nuk mund të besojnë para se të rilindin – «të zgjedhurit» janë bërë të gjallë frymërisht me anë të një vepre sovrane të Perëndisë pa ndonjë dëshirë apo bashkëpunim nga ana e tyre dhe madje pa ditur se çfarë u ka ndodhur atyre në atë kohë.
– Pikërisht këtë ka qenë duke mësuar – shtoi një anëtar tjetër i të njëjtës kishë. – Nuk ka kuptim. Unë kurrë nuk kam lexuar një gjë të tillë në Bibël.
– A jeni ju të vetmit që keni shprehur shqetësim? – pyeta unë. – A e pranojnë ata që mendojnë se besimi vjen në fillim këtë koncept menjëherë?
– Pjesa më e madhe, po. Por ka shkaktuar pështjellim. Dhe disa njerëz janë larguar nga kisha.
– Po askush nuk e sfidon atë, – e pyeta – me faktin e qartë se vdekja frymërore nuk mund të barazohet me vdekjen fizike? Se njerëzit e vdekur fizikisht jo vetëm që nuk mund të besojnë, por nuk mund të mëkatojnë apo të bëjnë ndonjë gjë tjetër?
– Mendoj se askush prej nesh nuk ka menduar kështu.
– Çfarë thotë pastori më i moshuar?
– Ai nuk duket se e di se si ta trajtojë këtë pështjellim. Ne nuk kemi dëgjuar ndonjë gjë tillë më parë të thuhet nga podiumi, por tani shenjat e kalvinizmit kanë gjetur rrugën e tyre në mesazhet e tij.

Biseda vazhdoi në këtë mënyrë për pak kohë. Çdo aspekt të ri të kalvinizmit që shpjegova pranohej me thirrje të mëtejshme: “Po! Këto fjalë dëgjojmë”.

Të tjerë, nga zona krejt të ndryshme të vendit, filluan të tregonin përvojat e tyre. Një burrë ishte larguar nga kisha kohët e fundit që ishte ndarë për shkak të kalvinizmit. Këshilli i dhjakëve kishte votuar që çdo pjesëtar duhej të firmoste një deklaratë besimi kalviniste. Dikush tjetër vinte nga një kishë, pastori dhe pleqtë e së cilës kishin vënë një kufi të fortë kundër asaj që konsideronin çështje përçarëse dhe kishin nxjerrë jashtë përbashkësie një mësues të shkollës të së dielës, ngaqë kishte ndikuar klasën e fëmijëve të rritur me kalvinizmin, pavarësisht nga disa paralajmërime. Një çift tjetër kishte vizituar një kishë tepër të rekomanduar në një qytet të madh afër shtëpisë së tyre, e cila drejtohej nga një autor i mirënjohur kalvinist.

– Ne nuk dimë shumë rreth kalvinizmit – rrëfyen shoqëruesit e mi të tavolinës. – Por ishte një përvojë e çuditshme. Nga njëra anë patëm përshtypjen se këta njerëz ndiheshin të sigurt se ishin të zgjedhurit. Megjithatë dukej gjithashtu se kishte pasiguri, sikur sjellja të ishte një provë e madhe e shpëtimit të dikujt.

Ndërsa u bëmë gati të ndaheshim, një grua e re, e cila kishte qëndruar gjatë gjithë bisedës e heshtur, pyeti nëse mund të kalonte një kohë vetëm me mua. Ne u ulëm përsëri dhe ajo filloi të tregonte diçka të hidhur. Ajo ishte gruaja e një pastori. Jetët dhe shërbesa e tyre kishin qenë të lumtura dhe të frytshme derisa i shoqi dhe dy miq të ngushtë, gjithashtu pastorë, kishin filluar të interesoheshin për një «të vërtetë» të re. Që të tre ishin intelektualë. Si rezultat i leximit të autorëve kalvinistë, ata ishin zhytur në shkrimet e Xhon Kalvinit, Xhonathan Eduartsit (Jonathan Edwards), Xhon Noksit (John Knox) dhe të të tjerëve.

Studimet e tyre, duke marrë shtysë nga Agustini (Augustine), përfundimisht u bënë gati një mani. Pastaj secili prej tyre filloi të predikonte «dritën» e tyre të re nga podiumi. Pasi u paralajmëruan shumë për të hequr dorë, atyre iu hoq e drejta për të qenë pastorë. Përfundimisht, burri i saj filloi të merakoset nëse ai ishte apo jo një prej të zgjedhurve. Pyetjet gërnjare përfunduan në dyshime të mëdha rreth shpëtimit të tij. Kalvinizmi që dikur i ishte dukur aq i kënaqshëm, filloi ta sulmonte me pasiguri. A ishte ai një prej të zgjedhurve?

– Ty nuk të tërhoqi kjo? – e pyeta.

Ajo tundi kokën.

– Unë nuk jam një intelektuale, gjë e cila mund të jetë arsyeja se pse nuk më tërhoqi edhe mua. Por a nuk duhet të jetë Perëndia një Perëndi dashurie? Ishte e pakuptim për mendjen time të thjeshtë që Perëndia i Biblës të mos kishte dashuri për të gjithë sa t’i pranojë në qiell, që Krishti nuk kishte vdekur për të gjithë edhe pse në Bibël duket se po.

Nga faqet e saj rrodhën lot. Në fund ajo vazhdoi:

– Vazhdoj t’i tregoj tim shoqi se Perëndia në të cilin ai besonte, një Perëndi që i paracakton njerëzit para se ata të jenë lindur për të kaluar përjetësinë në liqenin e zjarrit, nuk ishte Perëndia që njihja dhe doja.

Shpeshtësia e takimeve të tilla shqetësuese si këto u rrit vazhdimisht dhe ky sistem, i përqafuar dukshëm nga një pjesë më e madhe e kishës nga sa mendoja, kërkonte me ngut një mprehtësi më të thellë nga ana ime. Ai dukej kaq larg nga gjithçka që besoja rreth një Perëndie sovraniteti i të cilit nuk zvogëlonte mëshirën dhe dashurinë e Tij. Për të patur paqe në mendjen time, u shtyva të bëja një shqyrtim të gjatë që dha si fryt këtë libër.

Çështje e një rëndësie të madhe

Kalvinizmi nuk më është dukur kurrë biblik për një sërë arsyesh që do t’i shqyrtojmë në radhën e duhur. Gjatë viteve, kundërshtimet e mia të konsiderueshme janë diskutuar privatisht, në hollësi, me disa miq të cilët janë kalvinistë të fortë. Falë Perëndisë, pavarësisht nga ndryshimet tona serioze dhe paaftësisë tonë për t’i zgjidhur, nuk na ka humbur kurrë vullneti i mirë. Mbetemi në shoqëri të ngushtë deri më sot dhe thjesht e shmangim këtë temë.

Është e vërtetë se «gjatë tërë historisë shumë prej ungjilltarëve, misionarëve dhe teologëve më të mëdhenj kanë përkrahur […] doktrinat e hirit të njohur si kalvinizëm»{{2}}. R. C. Sprouli (R. C. Sproul) pohon se «titanët e diturisë klasike të krishterë» janë kalvinistët{{3}}. Pohimi plotësues zakonisht bëhet se, edhe pse shumë nuk e kanë bërë publike, pjesa më e madhe e ungjilltarëve kryesorë në Amerikë e përkrahin deri në njëfarë forme këtë doktrinë. Menjëherë kam zbuluar se kishte shumë më tepër libra të botuar që nxisnin kalvinizmin nga sa imagjinoja. Numri dhe ndikimi i tyre po rritet shumë shpejt.

«Bibla e Re Studimore e Gjenevës» nxit në mënyrë agresive kalvinizmin në anëshkrimet e saj të pjesëve kyç. Ajo pretendon se paraqet «të vërtetën e Reformimit». Kjo shprehje e guximshme e barazon Reformimin me kalvinizmin, një sugjerim që pranohet gati gjithandej midis ungjilltarëve sot. Çështja nëse kjo është e vërtetë, gjë të cilën do ta shohim në kapitujt që vijojnë, ka me siguri një rëndësi të madhe.

Domethënia e shqetësimit tonë merr peshë të mëtejshme nga fakti se ithtarët e tij madje pohojnë se «kalvinizmi është krishterim i pastër biblik në shprehjen e tij më të qartë dhe më të pastër»{{4}}. D. Xhejms Kenedi (D. James Kennedy) ka thënë: «Jam presbiterian, sepse besoj që presbiterianizmi është forma më e pastër e kalvinizmit»{{5}}. «Xhon Pajpëri (John Piper) shkruan: «Doktrinat e hirit (shthurja totale, zgjedhja e pakushtëzuar, shlyerja e kufizuar, hiri i papërballueshëm, këmbëngulja e shenjtorëve) janë thelbi i ungjillit biblik që janë çmuar nga shumë shenjtorë për shekuj me radhë»{{6}}.

A nuk do të thotë kjo, atëherë, se ata që nuk predikojnë kalvinizmin nuk po predikojnë ungjillin? Dhe si mund të shpëtohen ungjilltarët që i refuzojnë të pesë pikat e kalvinizmit që Pajpëri pohon se janë «thelbi i ungjillit biblik»? C. H. Spërxhëni (Charles Haddon Spurgeon), i cili ndonjëherë e kundërshtonte kalvinizmin, pohon:

«…ato të vërteta të mëdha, që janë quajtur kalvinizëm […] janë, besoj, doktrinat thelbësore të ungjillit që është në Jezu Krishtin. Tani nuk pyes nëse e besoni tërë këtë [kalvinizmin]. Ka gjasa që jo. Por besoj se do ta besoni para se të hyni në qiell. Jam i bindur se ashtu si Perëndia ju ka pastruar zemrat, do të pastrojë edhe trurin tuaj para se të hyni në qiell»{{7}}.

Një pohim i tillë është mbresëlënës, aq më tepër kur dëgjohet nga Çarls Hedën Spërxhëni. Xhon H. Gershtneri (John H. Gerstner) shkruan: «Ne besojmë ashtu si predikuesi i madh baptist, Çarls Hedën Spërxhëni, se kalvinizmi është vetëm një emër tjetër i krishterimit»{{8}}. Përsëri, nëse kalvinizmi është krishterimi i vërtetë, a mos do të thotë kjo se jokalvinistët nuk janë të krishterë? Me siguri, pjesa më e madhe e kalvinistëve nuk do të thonë kështu, por a nuk nënkuptohet kjo gjë me këto fjalë?

Sigurisht, ka patur shumë drejtues të krishterë me të njëjtën peshë në historinë e kishës, si D. L. Mudi (D. L. Moody), të cilët mendonin të kundërtën. Norman F. Doti (Norman F. Douty) rendit më tepër se shtatëdhjetë udhëheqës të krishterë, të cilët, në tërësi apo pjesërisht, kanë kundërshtuar kalvinizmin (sidomos doktrinën e tij të shlyerjes së kufizuar), midis të cilëve burra si Riçard Bakster (Richard Baxter), Xhon Njuton (John Newton), Xhon dhe Çarls Uesli (John & Charles Wesley), Xhon Bunjan (John Bunyan), H. C. G. Moule dhe të tjerë{{9}}. Një studim i historisë së kishës së hershme zbulon se doktrinat kalviniste ishin të panjohura gjatë tre shekujve të parë të kishës. Nga njohja e tij rreth historisë së kishës, peshkopi Davenant, pohon:

Mund të pohohet me të vërtetë se para se të fillonte debati midis Agustinit dhe Pelagiusit (Pelagius), nuk kishte diskutim rreth vdekjes së Krishtit, nëse duhej shtrirë për tërë njerëzimin apo të kufizohej vetëm për të zgjedhurit. Për etërit […] asnjë fjalë (me sa di unë) nuk është folur midis tyre për përjashtimin e ndonjë personi nga dekreti i Perëndisë. Ata janë të një mendjeje se është e vlefshme vetëm për ata që besojnë, megjithatë ata rrëfejnë hapur se Krishti vdiq për tërë njerëzimin….

Agustini vdiq më 429 m.K. dhe deri në atë kohë, të paktën, nuk ekziston as edhe prova më e vogël se çdo i krishterë mendonte për një shlyerje vetëm për të zgjedhurit. Madje edhe pas tij doktrina e një shlyerje të kufizuar u propagandua shumë ngadalë dhe për një kohë të gjatë u pranua vetëm nga disa{{10}}.

Sot ka një ndarje gjithnjë e në rritje rreth kësaj çështje. Pjesa më e madhe e kalvinistëve ngulin këmbë se Krishti vdiq vetëm për të zgjedhurit. Nga ana tjetër, Internacionalja IFCA, një grup i përbërë prej rreth 700 kisha të pavarura ungjillore dhe 1.200 pastorë (disa prej tyre kalvinistë) shpallin pohimin e tyre doktrinar: «Ne besojmë se Zoti Jezu Krisht vdiq në kryq për tërë njerëzimin […] për të kryer shpengimin për të gjithë ata që besojnë në të…»{{11}}.

Vetë Spërxhëni, i cituar shpesh nga kalvinistët për të mbështetur pikëpamjen e tyre, ishte i ndarë më dysh midis zemrës së tij ungjilltare që dëshironte shpëtimin e të gjithëve dhe besimeve kalviniste. Nganjëherë dukej se ai refuzonte shlyerjen e kufizuar, edhe pse e predikonte me vendosmëri. Ndonjëherë dukej se kundërshtonte vetveten gati në të njëjtën fjali:

E di se ka disa që e mendojnë të domosdoshme për sistemin e tyre teologjik që ta kufizojnë meritën e gjakut të Jezusit: nëse sistemi im teologjik do të kishte nevojë për një kufizim të tillë, do ta hedhja në erë. Nuk mundem, nuk do të guxoja, të lejoj këtë mendim të zërë vend në mendjen time; duket shumë e ngjashme me blasfeminë. Në veprën e përfunduar të Krishtit shoh një oqean meritash; plumbçja ime nuk gjen fund, syri im nuk dallon asnjë breg. Duhet të ketë kapacitet të mjaftueshëm në gjakun e Krishtit, nëse Perëndia do të kishte dashur në këtë mënyrë të shpëtonte të gjithë jo vetëm në këtë botë, por edhe në dhjetë mijë botë…. Duke patur një Person hyjnor si ofertë, nuk është e pajtueshme të mendojmë për vlerën e kufizuar; kufiri dhe masa janë terma që nuk vlejnë për flijimin hyjnor. Plani i qëllimit hyjnor cakton zbatimin e ofertës së pafund, por nuk e ndryshon në një vepër të kufizuar {{12}}.

Merita dhe vlera duhet të zbatohen për pasojën e kryqit. Nëse kryqi është menduar për një numër të kufizuar (të zgjedhurit), merita dhe vlera e tij janë me patjetër të kufizuara. «Nëse Perëndia do të kishte dashur në këtë mënyrë» – është fjalia kyç, të cilën Spërxhëni e pohon qartë disa herë. Nga ana tjetër, fakti që Spërxhëni besonte se shpëtimi ishte i mundur për tërë njerëzimin është i dukshëm nga shumë prej predikimeve të tij. Kontradikta është e qartë, një fakt që kalvinistët ngurrojnë ta pranojnë. Prandaj jam akuzuar për shtrembërime dhe citime të gabuara të C. H. Spërxhënit. Pohime të tjera të mjaftueshme nga Spërxhëni (shiko treguesin) do të paraqiten këtu që t’u japin lexuesve mundësinë të arrijnë në përfundimet e tyre.

Përhapje agresive

Kalvinistët po ngulin këmbë gjithnjë e më tepër se dogmat e tyre të veçanta përfaqësojnë besimin e «reformatorëve që drejtuan Reformimin» dhe duhet pranuar nga tërë të krishterët ungjillorë si krishterimi i vërtetë dhe si shprehja biblike e ungjillit. Duke patur këtë parasysh…

  • Ka shumë gjëra që ata mbështetin për të cilat tërë të krishterët do të jenë të një mendjeje.
  • Ka shumë gjëra që ata i mbështetin për të cilat shumë ungjillorë mendojnë se janë të një mendjeje për shkak të keqkuptimeve, por që në të vërtetë nuk janë, të cilat do të qartësohen në faqet që vijojnë.
  • Ka shumë gjëra që ata i mbështetin në lidhje me kishën, Izraelin dhe kthimin e Krishtit për të cilat ata që besojnë në rrëmbimin e menjëhershëm të kishës do t’i kundërshtonin shumë. Pikëpamjet e fundit nuk kanë të bëjnë me ungjillin dhe kështu nuk do të trajtohen në këtë libër.

Në vitin 2000 Aleanca e të Krishterëve të Reformuar u takua në Londër për të kundërshtuar ndikimin e Bekimit të Torontos në Angli dhe dërguan këtë mesazh në mbarë botën ungjillore: «U bëjmë thirrje të gjithë atyre që mbajnë titullin «ungjillorë» të pohojnë edhe një herë besimin e tyre në përputhje me dëshminë e Shkrimeve dhe në vazhdimësi me dëshminë historike të kishës»{{13}}. Me «dëshminë historike të kishës» ata nënkuptojnë doktrinat specifike që kanë ardhur nga Agustini, ashtu siç janë interpretuar dhe përhapur nga Xhon Kalvini dhe që në atë kohë u forcuan nga kisha e shtetit në mbarë Anglinë e Skocinë dhe në ato vende të Evropës ku kontrollin e kishin kalvinistët. Dokumentimi historik jepet në kapitujt 5 e 6.

Kalvinistët e sotëm flasin edhe më me zell e guxim për nevojën e një «reformimi të ri», me anë të të cilit ata nënkuptojnë në mënyrë të qartë një rizgjim të kalvinizmit si një pikëpamje mbizotëruese në botën e krishterë. Shiko disa nga vendimet që formulohen nga «Deklarata e Londrës 2000: Aleanca e të Krishterëve të Reformuar: Një vizion për unitet biblik në kishën moderne, “Problemi Ungjillor”»:

[note note_color=”#eeeeec” text_color=”#555″]Poshtë pikës «Çështja e së vërtetës»

Ne u bëjmë thirrje ungjillorëve të kthehen te pikëpamja biblike e mëparshme […] se të pranosh një doktrinë specifike [kalvinizmin] si të vërtetë nuk është arrogancë frymërore, por një detyrë biblike.

Poshtë pikës «Një vizion për reformim»

U bëjmë thirrje ungjillorëve të pohojnë një vizion për reformim që të jetë në përputhje me dëshminë e Shkrimeve dhe në vazhdimësi me dëshminë historike të kishës [kalviniste]. Një vizion i tillë i përket një kishe e cila është si katolike ashtu edhe e reformuar. Me «katolike» nuk nënkuptojmë «katolike romane» […] [shiko Kapitulli 4, «Lidhja e habitshme katolike e kalvinizmit»]. Me e reformuar nënkuptojmë se ne rrëfejmë ato doktrina rreth autoritetit të Shkrimeve dhe shpëtimit vetëm me anë të hirit të cilat etërit tanë të reformuar [kalvinistët] ripohuan në kohën e Reformimit [theksimi i tyre].

Poshtë pikës «Katër pohime»

Poshtë pikës 1: Ne pohojmë gjithashtu se jemi agustinianë në doktrinën tonë të njeriut dhe të shpëtimit. Kjo ngaqë besojmë se Agustini dhe pasuesit e tij, duke përfshirë edhe reformatorët [kalvinistët], pasqyrojnë besnikërisht mësimin biblik rreth paaftësisë totale frymërore të njeriut të rënë për t’iu përgjigjur Perëndisë, zgjedhjes së pakushtëzuar e të hirshme të Perëndisë Atë të një populli për t’u shpëtuar, planit të veprës shlyese të Birit të mishëruar të caktuar pa dyshim dhe vërtetësi për të siguruar shpëtimin e atij populli [vetëm për të zgjedhurit], hirit monoergjistik të Frymës së Shenjtë në rilindje [pa kuptim apo besim nga ana e njeriut] dhe këmbënguljes së shenjtorëve. Prandaj, ne refuzojmë gjithashtu çdo formë sinergjizmi apo gjysmëpelagianizmi sipas të cilave njeriut i është dhënë një rol bashkëveprues në rilindjen e tij [madje edhe për besuar], p.sh. arminianizmi. Ne refuzojmë njëkohësisht çdo zbutje të soteriologjisë agustiniane, p.sh. amiraldinianizmin (kalvinizëm “katër pikësh’) dhe çdo forcim të tij, p.sh. Hiperkalvinizmin…. Ideja e një kishe katolike dhe të reformuar [kalviniste] – një trung kryesor e madhështor i ortodoksisë historike të krishterë [agustiniane/kalviniste] – është element përbërës i të kuptuarit tonë. Këtë ide ne e pohojmë si të vërtetë dhe themelore për çdo botëkuptim ungjillor të denjë për këtë emër.

Nën pikën 2: Katolikët e reformuar pohojnë rëndësinë e kishës dhe historinë e saj në çdo vizion të vërtetë të veprës shpenguese të Perëndisë në hapësirë dhe kohë. Ungjillëzimi sot është ndotur me një amnezi vdekjeprurëse në lidhje me kishën historike [kalviniste]…. Ne refuzojmë në mënyrë të veçantë spektaklin subjektiv dhe zakonisht të çrregullt të adhurimit me stil karizmatik, me praktikat e tij shoqëruese, si pretendimi i të folurit në gjuhë të panjohura, profecitë, «goditjet e Frymës» etj.

Nën pikën 4: Ne vajtojmë për ndikimin midis ungjillorëve të një dispensacionalizmi të shtirë në të cilin bota konsiderohet në mënyrë të pandreqshme e ligë (dhe kështu zor se ia vlen përpjekja për ndonjë ndikim) dhe në të cilën e vetmja shpresë hamendësohet të jetë rrëmbimi i menjëhershëm i shenjtorëve.[/note]

Një sfidë për të mos hapur gojën

Me rritjen e shpejtë të kohëve të fundit të kalvinizmit, një numër i kalvinistëve drejtues kanë filluar të mbajnë një pozicion më agresiv në përhapjen publike të tij. Të dyja anët, në fakt, gjithnjë e më tepër po e bëjnë këtë problem një çështje përbashkësie në Zotin, duke çuar në ndarjen e një numri të konsiderueshëm kishash të shëndosha. Në disa kisha pjesëtarëve u ndalohet të përkrahin kalvinizmin madje edhe në mënyrë private. Në disa të tjera, kalvinistët pranohen si pjesëtarë. Sigurisht, kjo e fundit ka qenë e vërtetë për pastorët dhe kandidatët për misionarë për shekuj pothuaj në të gjitha kishat presbiteriane dhe madje në disa kisha baptiste, por tani ky pozicion duket se është në rritje.

Gati përditë shoh se kjo temë po kërkon një interes gjithnjë e më të gjerë dhe një rëndësi më të madhe nga sa imagjinoja. Ishte e qartë se kërkohej një nevojë e madhe studime dhe shkrime të mëtejshme për trajtimin e kësaj teme të rëndësishme.

Kur u mor vesh se kisha ndër mend të shkruaja një libër të tillë, një numër i konsiderueshëm pastorësh më këshilluan të mos shprehesha publikisht për këtë temë. Disa pohuan se, nga padituria ndaj mësimeve të vërteta, kisha shtrembëruar «doktrinën e reformuar». Një përgjigje tipike më erdhi nga miqtë kalvinistë, të cilëve u dërgova një dorëshkrim të hershëm për t’u komentuar, me fjalët: «Karikaturat që paraqet dhe njerëzit prej kashte që formon tregojnë se ti nuk ke absolutisht asnjë ide të pozicionit të reformuar dhe derisa të jesh në këtë gjendje, do të të këshilloja të mos nxirrje asgjë për botim»{{14}}.

Në shërbesën tonë, Thirrja e Bereasve, filluan të vinin letra nga mbarë bota, një pjesë e madhe nga pastorë që ngulnin këmbë se unë isha i pakualifikuar t’i drejtohesha kalvinizmit dhe më nxitnin të mbyllja gojën dhe të mos shkruaja gjë për këtë temë. Më sugjeruan se do të humbisja shumë miq dhe se do të armiqësohesha me ungjillorët drejtues, pjesa më e madhe të cilëve thuhej se ishin kalvinistë. Gjithashtu, kush do të botonte një libër të tillë, duke qenë se botuesit më të mëdhenj kishin botuar shumë libra që mbështetnin anën tjetër?

Çfarë që më preku më tepër ishte shqetësimi i shprehur me ndershmëri nga miq të ngushtë që një libër i shkruar nga unë për këtë çështje do të shkaktonte përçarje, gjëja më e fundit që desha. «Mund ta dëgjojmë që tani» – më thanë disa miq të mi: – «Ja ku u shfaq edhe një herë Dejv Hanti; këtë herë po sulmon kalvinistët!» Ky merak më mundoi shumë.

Një person duhet të jetë i gatshëm të pranojë këshilla të mençura. Por këshilla për të qëndruar i heshtur, edhe pse jepet prej shumë vetave nga një shqetësim i vërtetë, dukej, pas shumë lutje dhe përsiatje nga ana ime, një këshillë e keqe. Spërxhëni e quante debatin rreth sovranitetit të Perëndisë dhe vullnetit të lirë të njeriut «një polemikë e cila […] besoj se ka qenë më të vërtetë e shëndetshme dhe që na ka bërë shumë mirë…»{{15}}. Dëshira e zemrës sime është që ky libër të jetë vetëm për lavdinë e Perëndisë dhe për bekimin e njerëzve të Tij.

[[1]]Ritregimi përfaqëson një përzierje të disa përvojave më të hershme të autorit.[[1]] [[2]]Duane Edward Spencer, TULIP: The Five Points of Calvinism in the Light of Scripture (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1979), 6.[[2]] [[3]]R C. Sproul, Chosen by God (Carol Stream, IL: Tyndale House, 1986), 15.[[3]] [[4]]Leonard J. Coppes, Are Five Points Enough? The Ten Points of Calvinism (Denver, CO: vetë botim, 1980), xi.[[4]] [[5]]D. James Kennedy, Why I Am a Presbyterian (Ft. Lauderdale, FL: Coral Ridge Ministries, n. d.), I.[[5]] [[6]]John Piper, TULIP: The Pursuit of God’s Glory in Salvation (Minneapolis, MN: Bethlehem Baptist Church, 2000), kapaku i pasmë.[[6]] [[7]]Mesazhet e Spërxhënit, Vëll. I e II, »The Peculiar Sleep of the Beloved” (Grand Rapids, MI: Baker Books, 1999), 48[[7]] [[8]]John H. Gerstner, Wrongly Dividing the Word of Truth: A Critique of Dispensationalism (Brentwood, TN: Wolgemuth and Hyatt, Publishers, Inc., 1991), 107.[[8]] [[9]]Norman F. Douty, The Death of Christ (Irving, TX: Williams and Watrous Publishing Company, n. d.), 136-63.[[9]] [[10]]James Morrison, The Extent of the Atonement (Londër: Hamilton, Adams and Co., 1882), 114-17.[[10]] [[11]]IFCA International, What We Believe. I: (3) b (www.ifca.org).[[11]] [[12]]«Numëro një mijë; ose “Bukë e mjaftueshme dhe për të kursyer’» http://www.blueletterbible.orgiComm/charles_spurgeon/sermons/lOOO.html.[[12]] [[13]]«Deklarata Londër 2000: Aleanca e të Krishterëve të Reformuar – një vizion për unitet biblik në kishën moderne: »Problemi Ungjillor”»[[13]] [[14]]Letër personale për Dejv Hantin, më 19 tetor 2000. Në dosje.[[14]] [[15]]Charles Haddon Spurgeon, »God’s Will and Man’s Will,” Nr. 442 (Newington: Metropolitan Tabernacle, mesazh i shpallur të dielën më 30 mars 1862).[[15]]
[previous][next]