Shlyerja e kufizuar

ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

“L” – JA te TULIP-i përfaqëson një teori tjetër thelbësore në skemën e shpëtimit nga Kalvini: “doktrina që e kufizon shlyerjen vetëm […] për të zgjedhurit” [1]. Ky koncept rrjedh drejtpërdrejt nga kufizimi që kalvinistët i vënë dashurisë së Perëndisë pavarësisht nga fakti se, ashtu si çdo anë e Qenies së Tij, ajo është e pafundme. Një prej apologjetëve të tyre më të spikatur pohon: “Bibla mëson në mënyrë të përsëritur se Perëndia nuk i do të gjithë njerëzit me të njëjtën dashuri […] ‘të dashur nga Perëndia’ nuk vlen për botën, por vetëm për shenjtorët… (Romakëve 1:7)” [2].

Me të njëjtën dashuri? Por dashuria është dashuri – dhe “dashuria është […] plot mirësi” (1 Korintasve 13:4). Vetë Kalvini pohon: “Të gjithë nuk janë krijuar me të njëjtët terma, por disa janë paracaktuar për jetë të përjetshme, të tjerët për dënim të përjetshëm…” [3]. A është diçka e dashur apo e mirë të “paracaktosh […] për dënim të përjetshëm”? Përsëri bëjmë pyetjen: Çfarë dashurie është kjo?

A. Hoxhes rrëfen: “Nëse ata [kritikët] mund të vërtetojnë se dashuria që e nxiti Perëndinë të jepte Birin e Tij të vdiste si ofertë për mëkatin […] kishte si qëllim tërë njerëzit […] që Krishti sakrifikoi jetën e tij me qëllim që t’i shpëtonte të gjithë […] me kusht besimin, atëherë […] parimi qendror i arminianizmit është i vërtetë [dhe kalvinizmi është i rremë]…” [4]. Boetneri shpjegon më tej:

Besimi i reformuar ka mbështetur ekzistencën e një dekreti të përjetshëm dhe hyjnor, i cili, që më parë pavarësisht nga ndonjë ndryshim apo meritë nga ana e njerëzve, e ndan racën njerëzore në dy pjesë dhe e cakton njërën për jetë të përjetshme dhe tjetrën për vdekje të përjetshme…. Të paracaktuar dhe të caktuar që më parë në këtë mënyrë […] numri i tyre është aq i sigurt dhe i përcaktuar, saqë nuk mund as të rritet, as të zvogëlohet [5].

Ne protestojmë se kjo doktrinë është një shtrembërim mizor i Perëndisë. Ndërgjegjja që Perëndia i ka dhënë çdo njeriu, i shpëtuar apo jo, zmbrapset nga mendimi i qenieve të krijuara thjesht për t’i paracaktuar për mundim të përjetshëm! Tragjikisht, kalvinizmi i detyron përkrahësit e tij të refuzojnë dhembshurinë normale njerëzore, që është e përbashkët për tërë njerëzimin.

Karsoni (Carson) heq një vizë te shlyerja e kufizuar, duke argumentuar se kjo etiketë “është në mënyrë të pazakontë fatkeqe për dy arsye: Së pari, është një shprehje e përligjshme dhe kufizuese: këtu kemi shlyerjen dhe më pas dikush dëshiron ta kufizojë. Ideja e kufizimit të diçkaje të lavdishme si shlyerja është qenësisht fyese. Së dyti, edhe kur shqyrtohet më hijshëm, ‘shlyerja e kufizuar’ është objektivisht çorientuese. Çdo pikëpamje e shlyerjes është e ‘kufizuar’ në njëfarë mënyre, përveç përkrahësve të pakualifikuar të universalizmit” [6].

Fjalia e tij e fundit është një gabim kalvinist i zakontë – që akuzon edhe ata që thonë se Krishti vdiq për të gjithë – në kufizimin e efektshmërisë së shlyerjes, sepse vetëm ata që besojnë, shpëtohen. Përkundrazi, shlyerja nuk kufizohet nga disa duke refuzuar flijimin e Krishtit nga ana e tyre. Trashëgimisë së lënë nga dikush që vdes nuk i ulet vlera ngaqë disa trashëgimtarë e refuzojnë pjesën e tyre.

Nderimi i dashurisë së Perëndisë qenka herezi?

Për kalvinistin, siç ka pohuar Stenli Gouer (Stanley Gower), një anëtar i Asamblesë Uestminster, nuk ka herezi më të madhe sesa sugjerimi se “Perëndia i do të gjithë njësoj, si Kainin ashtu edhe Abelin, si Judën ashtu edhe pjesën tjetër të apostujve” [7]. Kështu, duhet që dikush të na shpjegojë vargun e mirënjohur për çdo fëmijë të Shkollës të së Dielës: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Që kalvinizmi të qëndrojë, ky varg (dhe shumë të tjerë që shprehin të njëjtën të vërtetë) nuk mund të nënkuptojnë atë që duket se e thonë fjalët, “botën” dhe “kushdo” nuk nënkuptojnë tërë njerëzimin, por vetëm të zgjedhurit. Kështu fëmijët kalvinistë nënkuptojnë diçka tjetër nëse këndojnë: “Jezusi i do fëmijët e vegjël, tërë fëmijët në këtë botë…”. Ai do vetëm disa nga fëmijët e botës!

Sprouli shkruan: “Bota për të cilën vdiq Krishti nuk mund të nënkuptojë tërë familjen njerëzore. Duhet t’i referohet universalizimit të të zgjedhurve (njerëz nga çdo fis dhe komb)” [8]. Xhon Oueni pohon me guxim: “Që fjala botën këtu nuk mund të nënkuptojë të gjithë ata që kanë qenë apo duhet të jenë, është aq e qartë, sikur të ishin të shkruara me rrezet e diellit…” [9]. Sa e çuditshme qenka atëherë, se ky diell i shndritshëm është i dukshëm vetëm për kalvinistët – dhe ata vetë nuk pajtohen me njëri-tjetrin për këtë doktrinë.

Xhon MekArturi mbron “Dashuria e Perëndisë ndaj njerëzimit” [10]. Ai citon Kalvinin që “Ati e do racën njerëzore” [11] dhe se te Gjoni 3:16, Perëndia “përdori shënimin [botën] e përgjithshëm si për të ftuar të gjithë njerëzit në përgjithësi për pjesëmarrjen e jetës, ashtu edhe për të hequr tërë shfajësimet jobesimtarëve” [12]. Por si mund të ftojë Perëndia “për pjesëmarrjen e jetës” ata të cilët Ai i ka paracaktuar për vdekje të përjetshme në liqenin e zjarrit – dhe si mundet Perëndia “të heqë tërë shfajësimet jobesimtarëve”, nëse Krishti nuk vdiq për ta dhe ata ishin të paracaktuar për mundim të përjetshëm nga përjetësia e largët? Kjo është e folur me dy kuptime!

MekArturi përdor fjalën “njerëzimit” në kuptimin e përgjithshëm, duke u përpjekur kështu të mohojë dashurinë e Perëndisë për çdo individ. Kalvinistët ngulin këmbë se Perëndia ka një lloj tjetër dashurie për të zgjedhurit në krahasim me jo të zgjedhurit [13]. Por dashuria është dashuri – dhe asnjë dashuri nuk e paracakton dikë për mundim të përjetshëm i cili mund të shpëtohej.

Kufizimi i kalvinizmit ndaj shlyerjes së Krishtit nuk i merr parasysh simbolet e Dhiatës së Vjetër të kryqit, e minon ungjillin dhe e kufizon dashurinë e pakufi të Perëndisë. Oueni, “pas më tepër se shtatë vjet kërkimi serioz […] në mendjen e Perëndisë rreth këtyre gjërave…”, pyeti me sinqeritet: “Për çfarë do të vlente atëherë shpengimi i përgjithshëm [pra, “herezia” e pretenduar se Krishti i do të gjithë dhe vdiq për të gjithë], veçse të pohojmë se Shumë i Larti Perëndi duhej të derdhte gjakun e çmuar të Birit të tij të dashur për shpirtrat e panumërt, të cilët nuk do të përfitonin asgjë nga kjo dhe kështu, në lidhje me ta, ta derdhte më kot, apo ndryshe të jepej, për ta vetëm që ata të mund të dënoheshin më tepër?” [14].

Por është paracaktimi i kalvinizmit për dënimin që e krijon këtë kontradiktë. Vini re shprehjen e Ouenit: “të cilët nuk do të përfitonin asgjë nga kjo…”. Sigurisht, do të ishte pa kuptim që Krishti të vdiste për ndokënd që Perëndia e kishte paracaktuar që të përjashtohej nga shpëtimi. Perëndia nuk përjashton askënd. Është njeriu që e ka refuzuar shpëtimin që Krishti ka siguruar për të gjithë.

A. Ajrënsajdi, jo më pak sinqerisht dhe seriozisht i shqetësuar për të vërtetën, shpreh kuptimin ungjillor të zakonshëm e të kundërt në dallim me shlyerjen e kufizuar të kalvinizmit vetëm për një numër të përzgjedhur:

Pavarësisht se sa larg kanë shkuar [mëkatarët] nga Perëndia, pavarësisht se çfarë mëkatesh kanë, ata nuk kanë pse të shfaqen në librin e dekreteve hyjnore për të gjetur nëse janë midis të zgjedhurve apo të përzgjedhurve. Nëse vijnë me tërë mëkatet dhe fajin e tyre, duke rrëfyer paudhësitë e tyre dhe duke besuar në Krishtin, atëherë ata mund të kenë sigurinë nga Fjala e Tij se janë të shpëtuar. Është thënë me të drejtë se “Kush dëshiron, është i zgjedhur dhe kush nuk dëshiron, nuk është i zgjedhur” [15].

Megjithatë, kalvinistët ndjekin me qëndrueshmëri Kalvinin, i cili tha për Perëndinë: “sepse, (ashtu siç urren Ai mëkatin) Ai mund të dojë vetëm ata që i shfajëson [pra, të zgjedhurit]” [16]. Gershtneri argumenton se nëse Gjoni 3:16 “hamendësohet se mëson që Perëndia e deshi aq shumë këdo në botë, saqë dha birin e Tij të vetëm për t’u siguruar atyre një mundësi për t’u shpëtuar me anë të besimit […] një dashuri e tillë nga ana e Perëndisë […] do të ishte një rafinim i mizorisë…. Oferta e një dhurate jete ndaj një kufome frymërore, e një perëndimi të shkëlqyer ndaj një njeriu të verbër dhe e një shpërblimi ndaj një uloku pa këmbë nëse ai vetëm sa do të vinte dhe ta merrte, është tallje e tmerrshme” [17].

Ne jemi në një mendje se do të ishte tallje e tmerrshme t’u ofroje shpëtimin atyre për të cilët Perëndia nuk ka patur qëllim t’i shpëtojë dhe nuk do t’i ndihmonte t’i përgjigjeshin ofertës. Por kush thotë se tërë njerëzimi nuk mund të përgjigjet, nëse duan? Jo Bibla, e cila i ofron shpëtimin “kujtdo”, por kalvinizmi, i cili e ndryshon faktikisht fjalën “kushdo” me “të zgjedhurit”! Kështu, kjo “mizori” detyrohet nga vetë kalvinizmi, duke filluar me pikën e parë të tij. Megjithatë, “të moderuarit”, duke e hedhur fajin mbi “hiperkalvinistët”, pohojnë që besojnë se Perëndia i do me sinqeritet dhe u ofron shpëtimin të gjithëve, ndërsa në të njëjtën fjali thonë se Krishti nuk vdiq për të gjithë [18].

Kalvinizmi, duke e përkufizuar “shthurjen e plotë” si “paaftësi të plotë”, thotë se askush nuk mund t’i përgjigjet ungjillit, as edhe të zgjedhurit, derisa të rilindin në mënyrë sovrane. Megjithatë Krishti urdhëroi që ungjilli t’i predikohej gjithkujt – dhe askush nuk i paralajmëron jo të zgjedhurit se nuk është për ta. Sigurisht, si mund të paralajmëroheshin meqë askush nuk e di se cilët janë? Kështu Krishti urdhëroi “mizori dhe tallje”? Dhe kalvinisti e trajton këtë sa herë që predikon ungjillin!

Pse t’u predikojmë shpëtimin atyre që tashmë janë paracaktuar për dënim të përjetshëm? “Ne duhet” – thotë kalvinisti – “sepse askush nuk e di se kush janë të zgjedhurit”. Kështu nuk mund t’i shpëtojmë faktit se, nëse kalvinizmi është i vërtetë, atëherë është një tallje mizore t’i predikosh ungjillin dikujt përveç të zgjedhurve – por nuk ka mënyrë se si t’i identifikojmë.

A do të zvogëlonte dhimbjen e atyre që nuk janë të zgjedhur që ungjilltari të shpjegonte: “Ky lajm i mirë është vetëm për të zgjedhurit, kështu që shpërfilleni nëse nuk jemi midis tyre”? Jo, kjo vetëm sa do të shtonte ngatërrimin. Mizoria është e qenësishme në shtrembërimin kalvinist të Perëndisë dhe të ungjillit të Tij.

Formulimi i qartë i kësaj doktrine

Ku thotë Shkrimi se gjaku i Krishtit nuk mund të derdhej për ata të cilët nuk mund të përfitonin prej tij? Në asnjë pjesë. Por ky trillim është thelbësor për doktrinën e shlyerjes së kufizuar: “që kryqi i Krishtit siguron një shpëtim të sigurt, të padyshimtë dhe të vërtetë për këdo që Perëndia ka patur si qëllim ta shpëtojë dhe vetëm për ta” [19]. Homer Hoeksema rrëfen pasojat e llahtarshme të këtij besimi: “Nëse Krishti vdiq vetëm për të zgjedhurit, atëherë nuk ka përfitime të mundshme në vdekjen e Krishtin për njeri tjetër…” [20]. Stili dhe Tomasi ngulin këmbë:

Vepra shpenguese e Krishtit kishte si qëllim të shpëtonte vetëm të zgjedhurit dhe aktualisht u siguroi shpëtimin […] disa mëkatarëve të veçantë…. Dhurata e besimit vlen në mënyrë të pagabueshme me anë të Frymës për të gjithë ata që Krishti vdiq, duke garantuar kështu shpëtimin e tyre [21].

Megjithatë, kjo doktrinë nuk pohohet në asnjë vend të Biblës me fjalë të qarta, por kërkohet nga pjesa tjetër e TULIP-it. Majkëll Hortoni argumenton: “Nëse Jezusi vdiq për çdo person, por jo çdo person është i shpëtuar, vdekja e Tij, në fakt, nuk shpëtoi asnjë njeri…. Nëse Krishti vdiq për njerëzit që do të jenë në ferr, përpjekjet e Tij nuk mund të quhen me përpikëri ‘vepër shpëtuese’ [dhe] nuk ka fuqi të vërtetë shpëtuese në atë gjak. Për më tepër, fuqia do të dukej se është në vullnetin e krijesës” [22].

Përkundrazi, vullneti i njeriut nuk ka fuqi, por vetëm mund ta pranojë ose refuzojë shpëtimin që ofron Perëndia në ungjillin. Ankimi kalvinist është si të thuash se 1 miliardë lekët, që një prind i depoziton në bankë në emrin e birit të tij të largët, nuk kanë asnjë vlerë nëse i biri nuk i pranon. Natyrisht, pranimi i Krishtit nga mëkatari nuk i jep gjakut të Tij fuqi shpëtuese ashtu sikurse pranimi i 1 miliardëve nga biri nuk i shton vlerë monetare kësaj [shume].

Pa ndonjë pohim të qartë nga Shkrimi për të mbështetur këtë dogmë, duhet të mbrohet nga arsyetimi: “Nëse Krishti vdiq për tërë njerëzit dhe nuk janë të shpëtuar tërë njerëzit, atëherë kryqi i Krishtit nuk ka asnjë efekt. Kalvari është një turp” [23]. Sigurisht, kjo nuk shkon. Përndryshe, dhënia e Dhjetë Urdhërimeve ishte një turp, sepse tërë njerëzit nuk i zbatojnë ato.

Madje dhe Sprouli pranon se “vlera e shlyerjes së Krishtit është e mjaftueshme për të mbuluar mëkatet e botës…” [24]. Duhet të jetë kështu, sepse flijimi i Tij i përsosur duhet të ketë vlerë të pafund. Edhe pse “kryqi është marrëzi për ata që humbin” (1 Korintasve 1:18), nuk është turp, por i shpëton të gjithë ata që besojnë! Një prej mësuesve të Biblës më të respektuar të kohëve të fundit ka thënë: “Bibla mëson plot fuqi doktrinën e shlyerjes së pakufizuar…. Doktrina e shlyerjes së kufizuar mohohet në mënyrë specifike nga Shkrimi…” [25].

Por kalvinizmi ngul këmbë: “Vetëm kalvinizmi me shlyerjen e tij efektive e kufizon fuqinë e njeriut dhe e ngre lart fuqinë dhe lavdinë e Perëndisë” [26]. Përkundrazi, Perëndia e ofron shpëtimin sipas kushteve të Tij. Fakti që turma njerëzish e refuzojnë ofertën e Tij, kjo vetëm i çon ata në ferr – vështirë se kanë diçka për të cilën mund të mburren! Ata që e refuzojnë Krishtin nuk janë më “në krye” në krahasim me turmat e njerëzve që i shkelin përditë urdhërimet e Perëndisë. A ishin “në krye” Adami e Eva kur u rebeluan? Po Satani? Sigurisht jo!

A u dha “fuqi” rebelimi i tyre Satanit, Adamit dhe Evës? Sigurisht që jo! Gjithashtu kjo nuk i hoqi gjë (më tepër se rebelimi i vazhdueshëm i njeriut sot), as edhe në shkallën më të ulët, qoftë nga fuqia e Perëndisë qoftë nga lavdia e Tij. Kalvinisti shtyhet drejt argumenteve të tilla të gabuara dhe jobiblike nga dëshpërimi i tij për të mbrojtur një dogmë të pambrojtshme.

Ndërsa disa që e quajnë veten kalvinistë e refuzojnë shlyerjen e kufizuar është e paarsyeshme ta bëjnë një gjë të tillë ndërsa i pranojnë katër pikat e tjera. Një autor kalvinist drejtues shkruan: “Në këtë të vërtetë të shlyerjes së kufizuar del në dritë doktrina e zgjedhjes sovrane (dhe, në fakt, paracaktimi sovran me dy aspektet e tij të zgjedhjes dhe mallkimit)” [27]. Me fjalë të tjera, tërë sistemi kalvinist bie nëse shlyerja e kufizuar nuk është biblike, që në të vërtetë nuk është.

Pikë kyç, por edhe e diskutueshme, madje midis kalvinistëve

Shlyerja e kufizuar është një pikë e cila edhe për kalvinistët është e vështirë për t’u pranuar. Me siguri Spërxhëni, ndonjëherë, e kundërshtonte atë që herë të tjera pohonte.

Libri i Hebrenjve e bën të qartë se sistemi levitik që Perëndia i dha Izraelit për të zgjidhur problemin e mëkatit, duke përfshirë tabernakullin, tempullin, priftërinjtë dhe ofertat, ishte “një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme” (Hebrenjve 9:9), i cili tregonte flijimin e Krishtit që do të ndodhte më vonë. Pa diskutim, parashikimi i Dhiatës së Vjetër për mëkatin ishte për tërë Izraelin, jo për disa të zgjedhur midis tyre. Mosbindja dhe mosbesimi ishin pengesat e vetme që e ndanin çdo izraelit nga hiri i Perëndisë. Për shembull: “Priftërinjtë i therën dhe ofruan gjakun e tyre mbi altar […] si shlyerje e fajit për tërë Izraelin […] olokaustin dhe flijimin për mëkatin, për tërë Izraelin” (2 Kronikave 29:24); “…olokauste […] për tërë Izraelin” (Ezdra 8:35); “…ligjin e Moisiut […] të cilit […] i urdhërova statutet dhe dekretet për mbarë Izraelin” (Malakia 4:4) etj.

Spërxhëni u padit për “arminianizëm” për nxitjen që u bënte tërë të pashpëtuarve për të shkuar te Krishti, gjë të cilën e bënte shpesh me zell të madh, duke kundërshtuar kështu pohimin e kalvinizmit se numri i atyre për të cilët vdiq Krishti ishte i fiksuar dhe i kufizuar. Ai nuk iu shmang edhe kritikave ndaj atyre të cilët i klasifikonte si hiperkalvinistë për refuzimin që ata i bënin asaj që quhej atëherë “përgjegjësi e besimit”, që thoshte se ishte përgjegjësia e tërë njerëzve që të pendoheshin dhe ta besonin ungjillin.

Ishte për shkak të predikimit këmbëngulës që i bënte këtij mesazhi, pavarësisht nga kritikat e shumta, që “polemika e përgjegjësisë së besimit” bëri bujë midis “baptistëve specifikë” në Angli. Spërxhëni pohoi: “Nuk mund të imagjinoj një mjet më të gatshëm në duart e Satanit për rrënimin e shpirtrave se një shërbëtor që u thotë mëkatarëve se nuk është përgjegjësia e tyre të pendohen për mëkatet e tyre apo të besojnë në Krishtin dhe që ka arrogancën ta quajë veten një shërbëtor i ungjillit, ndërsa mëson se Perëndia i urren disa njerëz në mënyrë të pafundme dhe të pandryshueshme pa arsye, por thjesht ngaqë ai zgjedh të veprojë kështu” [28].

Spërxhëni po kritikon thelbin e kalvinizmit – pa dyshim që do të ketë patur tërbime! Shumë kalvinistë të kohës së tij i konsideronin pohime të tilla mohime të shlyerjes së kufizuar – të cilat janë vërtet ashtu. Unë jam paditur se e kam cituar gabimisht dhe shtrembëruar Spërxhënin ngaqë kam treguar këtë.

Disa e konsiderojnë doktrinën e shlyerjes së kufizuar si “thembra e Akilit për kalvinizmin” [29]. Nga ana tjetër, disa kalvinistë e konsiderojnë si pikën e tyre më të fortë, “më të fuqishmen nga Pesë pikat e kalvinizmit’  për t’u përballuar nga arminianët” [30]. Pjesa më e madhe pranojnë se rrjedh detyrimisht nga pikëpamja kalviniste e paracaktimit dhe e mallkimit: “Nëse Perëndia ka zgjedhur disa dhe jo të tjerët për jetë të përjetshme, atëherë kryesisht qëllimi kryesor i veprës së Krishtit ishte të shpengonte të zgjedhurit” [31].

Pranojmë se do të ishte e paarsyeshme që Krishti të vdiste për ata për të cilët Perëndia i kishte paracaktuar që nga përjetësia e largët për mundim të përjetshëm, nëse do të ishte kështu. Por ky problem krijohet nga pesë pikat e kalvinizmit. “Hiq këtë pikë [zgjedhjen kalviniste]” – thotë një kalvinist tjetër – “dhe kemi humbur betejën rreth sovranitetit të Perëndisë në shpëtim” [32].

Kalvinisti pranon se zgjedhja e pakushtëzuar dhe shlyerja e kufizuar “duhet të qëndrojnë ose bien së bashku. Ne nuk mund të pranojmë logjikisht njërën dhe të refuzojmë tjetrën” [33]. Por Bibla pohon në mënyrë të përsëritur se Krishti vdiq për tërë njerëzimin, se ungjilli u ofrohet dhe është barazisht i mundshëm për të gjithë dhe se Perëndia dëshiron që të gjithë të shpëtohen. Përkufizimet e fjalëve duhet të ndryshohen për të mohuar këtë mësim të qartë biblik.

Edhe Xhon MekArturi pranon se Perëndia dëshiron që tërë njerëzit të shpëtohen – por pastaj thotë se Perëndia, në mënyrë të pashpjegueshme, nuk i zgjedh dhe i paracakton për shpëtim turma njerëzish nga ata që Ai dëshiron të shpëtohen. E çuditshme, në të vërtetë, duke konsideruar theksin që i vendosin kalvinistët sovranitetit, se Perëndia nuk përmbush në mënyrë sovrane dëshirën e Tij! [34].

Hoxhes vë re se Perëndia i shlyerjes së kufizuar “vështirë se është Perëndia i dashurisë që ndeshim në Bibël. Hyjnia i determinizmit krijon qenie njerëzore për të cilët nuk ka dashuri të drejtpërdrejtë dhe që nuk kanë vullnet të lirë dhe kështu janë krijuar vetëm për […] mundim të përjetshëm. Vdekja e Krishtit nuk ka lidhje me ta në asnjë pikë dhe kështu ata qëndrojnë plotësisht jashtë çdo parashikimi shpengues”. Ai vazhdon të argumentojë:

Mizoria e nënkuptuar në një pikëpamje të tillë është e dukshme ndaj çdo vëzhguesi jashtë atyre që kanë paraqitur apo pranuar këtë lloj teologjie. Pavarësisht nga argumente të çuditshme të adresuara ndaj çdo teksti të pretenduar kundër një teologjie të tillë, deterministët e këtij lloji janë pa mbështetje të vërtetë biblike. Është absurde, për shembull, të pohosh (ashtu siç bëjnë ndonjëherë) se kur Bibla thotë: “Perëndia e deshi aq botën” do të thotë vetëm “botën e të zgjedhurve” [35].

Duke konsideruar tekstet e Shkrimit që mbartin këtë temë, bëhet e qartë se mënyra e vetme e mbrojtjes së shlyerjes së kufizuar është t’u caktosh, arbitrarisht, një domethënie kalviniste kufizuese fjalëve kyç. Palmeri pohon me guxim:

Ishte ngaqë Perëndia e deshi aq botën e mëkatarëve të zgjedhur saqë Ai e dërgoi Birin e Tij të vetëmlindurin që bota [pra, të zgjedhurit sipas përkufizimit kalvinist] të mund të shpëtoheshin përmes Tij (Gjoni 3:16-17). Në këtë pjesë, “bota” nuk do të thotë çdo person, të mallkuar dhe të zgjedhur, por tërë bota në kuptimin e njerëzve [të zgjedhur] nga çdo fis e komb… [36].

Çfarë prove kemi, qoftë brenda kësaj pjese dhe kontekstit të saj qoftë në pjesë të tjera të Shkrimit, që fjala “botë” ka këtë domethënie kalviniste kufizuese? Palmeri nuk ofron asnjë provë të tillë, as nuk ekziston një e tillë.

Përse nuk janë të gjithë njerëzit të shpëtuar?

Kalvinisti, duke mbështetur shlyerjen e kufizuar, arsyeton: “Nëse Krishti pagoi borxhin e mëkatit, ka shpëtuar, ka shpenguar dhe ka dhënë jetën e Tij për tërë njerëzit, atëherë tërë njerëzit do të shpëtohen” [37]. Palmeri, me të njëjtin arsyetim, shkruan: “Por nëse vdekja e Jezusit është ajo që Bibla thotë se është – një flijim zëvendësues për mëkatet […] përmes të cilit mëkatari pajtohet me të vërtetë me Perëndinë – atëherë, natyrisht, nuk mund të jetë për çdo njeri […] sepse në këtë rast ata do të shpëtoheshin dhe, natyrisht, ata nuk janë shpëtuar” [38].

Xhorxh Uajtfildi, në një letër drejtuar Xhon Ueslit, arsyeton: “Nuk mund të bësh një pohim të drejtë ‘se Krishti vdiq për ata që humbasin’ pa mbështetur… ‘se tërë shpirtrat e dënuar do të nxirreshin në të ardhmen nga ferri…’” [39]. Megjithatë, ky argument mbështetet mbi teorinë jobiblike se vdekja e Krishtit i shpëtoi menjëherë tërë të zgjedhurit, pa besim, kuptim apo pranim nga ana e tyre. Pinku, duke kundërshtuar shumë kalvinistë të tjerë, pranon: “Një Shpëtimtar i siguruar nuk është i mjaftueshëm: ai duhet të pranohet. Duhet të ketë ‘besim në gjakun e Tij’ (Romakëve 3:25) dhe besimi është diçka vetjake. Unë duhet të ushtroj besim” [40].

Pinku, edhe pse është kritikuar nga kalvinistët e tjerë si një ekstremist në këtë pikë,  e kishte drejt. Që Krishti “të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit” (Hebrenjve 2:9) nuk do të thotë që të gjithë njerëzit janë çliruar automatikisht nga vdekja e përjetshme, nga ndëshkimi për mëkatin. Bibla nuk e thotë këtë në asnjë pjesë. Mëkatarët ftohen dhe nxiten të shkojnë te Krishti dhe të besojnë në Të. Kjo është përgjegjësia e mëkatarit – diçka që ai “duhet […] të bënte që të shpëtohej” (Veprat e Apostujve 16:30).

Mesazhi i predikuar në ungjillin është se Krishti vdiq për mëkatet tona. Megjithatë, duhet të besohet për të qenë i dobishëm për një mëkatar. Vdekja e Krishtit, edhe pse është ofruar për “të gjithë njerëzit” është e frytshme vetëm për ata që besojnë: Ai “është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve” (1 Timoteut 4:10). Vansi tregon problemin e kuptueshëm nëse vdekja e Krishtit do t’iu jepte në mënyrë automatike shpëtimin atyre për të cilët Ai vdiq:

Por nëse natyra e shlyerjes ishte e tillë sa të siguronte vetë shpëtimin për ata për të cilët ishte caktuar, atëherë “të zgjedhurit” nuk do të mund të lindnin kurrë “të vdekur në faje dhe në mëkate” (Efesianëve 2:1). Dhe, për rrjedhojë, si mund të ishin njerëzit “prej natyre bij të zemërimit” ata të cilët ishin të shpëtuar, të shpenguar, të pajtuar dhe të shfajësuar” (Efesianëve 2:3)…? [41].

Pashka, të cilën Pinku e pranon si “një ndër paralajmërimet më të habitshme dhe të bekuara të veprës së Krishtit në kryq që gjendet në Dhiatën e Vjetër, është një shembull i qartë i parimit se shlyerja dhe zbatimi i saj duhet të dallohen. Gjaku i qengjit të therur të Pashkës (Eksodi 12:6, 21) u bë efikas vetëm pasi u vu në shtalkat e dyerve sipas udhëzimeve (Eksodi 12:7, 22)…. Vdekja e qengjit nuk shpëtoi askënd: gjaku duhej të vihej në derë” [42]. Dhe kështu është me vdekjen e Krishtit.

Kalvinizmi e fajëson hapur Perëndinë: “Ngaqë Perëndia ka dashur disa dhe jo të gjithë, ngaqë Ai ka vendosur në mënyrë sovrane dhe të pandryshueshme se këta persona të veçantë do të shpëtohen, Ai e dërgoi Birin e Tij që të vdiste për ta, t’i shpëtonte ata dhe jo të gjithë botën” [43]. Kështu, tërë njerëzit nuk janë të shpëtuar sepse Perëndia nuk do që ata të jenë të tillë dhe se ka paracaktuar turma njerëzish të vuajnë përjetësisht.

Megjithatë, sipas Biblës të gjithë nuk janë shpëtuar sepse ata (të humburit) refuzojnë të besojnë në Krishtin. Pali shkruan se shpëtimi vjen “mbi të gjithë ata që besojnë […] sepse të gjithë mëkatuan” (Romakëve 3:22, 23). Me siguri “të gjithë mëkatuan” do të thotë tërë njerëzimi. Kështu “të gjithë ata që besojnë” duhet të nënkuptojë se tërë njerëzimi mund të besojë në Krishtin, nëse do.

Shpëtimi është për të gjithë

Këtu kemi disa nga shumë vargje (ku fjalët dhe shprehjet kyç janë të pjerrëta) që pohojnë se Perëndia (saktësisht ashtu siç presim nga Ai që është dashuri dhe Ati i çdo mëshire) do gjithkënd me dashuri të pafund dhe dëshiron që të gjithë të shpëtohen. Ai nuk do që ndokush të humbasë dhe e ka bërë vdekjen e Krishtit pajtuese për mëkatet e tërë njerëzimit nëse njerëzit vetëm do të besojnë në Të:

  • Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve (Isaia 53:6) [Me siguri “të gjithë” ata që kishin humbur rrugën janë të njëjtë me “të gjithë” (pra, tërë Izraeli dhe tërë njerëzimi) paudhësitë e të cilëve u vunë mbi Krishtin].
  • Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës! (Gjoni 1:29) [Ashtu si flijimet e Dhiatës së Vjetër ofroheshin për tërë Izraelin dhe jo për një grup të përzgjedhur izraelitësh, po kështu përmbushja në flijimin e Krishtit si Qengji i Perëndisë u ofrua për tërë botën e njerëzimit dhe jo për një grup të kufizuar “të zgjedhurish”].
  • Dhe ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut, që kushdobeson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdobeson në të, të mos humbasë…. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij. Ai që beson në të nuk dënohet…. Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë… (Gjoni 3:14-18, 36) [Shërimi përmes gjarprit prej bronzi të ngritur lart, për të cilin Krishti tha se simbolizon ngritjen e Tij lart në Kryq, ishte për të gjithë që do të shikonin me besim].
  • Mbani mend ligjin e Moisiut […] të cilit […] i urdhërova statutet dhe dekretet për mbarë Izraelin (Malakia 4:4) [Ligji, me flijimet e tij shoqërues, ishte për mbarë Izraelin – dhe përmbushja në Krishtin është për mbarë njerëzimin].
  • Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë… (Gjoni 7:37).
  • Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë judeun e pastaj grekun (Romakëve 1:16).
  • Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët (Romakëve 5:6) [Të gjithë janë të paudhë, jo vetëm të zgjedhurit].
  • Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t’u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit te Jezu Krishtit (Galatasve 3:22).
  • Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tone (Romakëve 6:23).
  • Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët (1 Timoteut 1:15) [Me siguri të zgjedhurit nuk janë mëkatarët e vetëm].
  • I cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës (1 Timoteut 2:4).
  • I cili e dha veten si çmim për të gjithë (1 Timoteut 2:6).
  • Kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve (1 Timoteut 4:10).
  • Që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit (Hebrenjve 2:9).
  • Zoti […] nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim (2 Pjetrit 3:9).
  • Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi…. Dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin. Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës (1 Gjonit 1:9-2:2).
  • Dhe ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qenë Shpëtimtar i botës (1 Gjonit 4:14).

T’i marrësh këto deklarata të qarta (dhe shumë të tjera të ngjashme) se shpëtimi është për të gjithë, për botën, për këdo, për mbarë Izraelin, për ndokënd, për cilindo, për cilindo që beson etj., dhe të guxosh të thuash se bëhet fjalë vetëm për një grup të zgjedhur do të thotë të ndryshosh me qëllim Fjalën e Perëndisë!

A e humbasin rrugën si dele të humbura vetëm të zgjedhurit? A kanë etje vetëm të zgjedhurit? A janë vetëm të zgjedhurit të paudhë dhe mëkatarë? A janë vetëm të zgjedhurit “nën mëkat”? Natyrisht që jo. Ashtu siç është e sigurt se të gjithë njerëzit janë mëkatarë dhe, ashtu si tërë Izraeli, kanë humbur rrugën si dele të humbura, po kështu mëkatet e tërë njerëzve u vunë mbi Krishtin dhe shpëtimi është i mundshëm për të gjithë nëpërmjet besimit në Të.

Këto vargje, dhe shumë të tjera të ngjashme me këto, pohojnë në mënyrë të qartë me një gjuhë të qartë se Krishti u dërgua për të qenë “Shpëtimtari i botës”, se vdekja e Tij qe “një çmim për shumë vetë” dhe se Ai është “Shpëtimtari i tërë njerëzve” që do të besojnë. Xhon Oueni përpiqet të kundërshtojë pjesë të tilla të Shkrimit dhe të mbështetë shlyerjen e kufizuar me komentimin e mëposhtëm rreth 1 Timoteut 1:15: “Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët”:

Tani, nëse do të pyesni se kush janë këta mëkatarë ndaj të cilëve pati këtë qëllim dhe synim të hirshëm, vetë do t’ua thotë, Mateu 20:28, se ai erdhi “për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve”; në vende të tjera na quan ne besimtarët të ndarë nga bota: sepse ai “e dha veten e tij për mëkatet tona, për të na shpëtuar nga kjo kohë e mbrapshtë, sipas vullnetit të Perëndisë, Atit tonë” Galatasve 1:4…. Efesianëve 5:25-27: “Krishti e ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të…”; Titi 2:14: “I cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi…”, sepse përmes tij “patëm […] hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur” Romakëve 5:2 etj. [44]

Një supozim i cenueshëm

Oueni ishte i shkëlqyer, megjithatë argumenti i tij ishte i gabuar. Dëshira e tij për të mbrojtur kalvinizmin e verboi me sa duket para Shkrimit dhe arsyes. Natyrisht, moria e vargjeve që pohojnë në mënyrë të qartë se Perëndia i do të gjithë dhe është i mëshirshëm ndaj të gjithëve dhe se Krishti vdiq për të gjithë nuk eliminohen nga vargje të tjera që pohojnë se Krishti vdiq për kishën, se vdekja e Tij ishte një çmim për shumë vetë, apo siguria se Ai vdiq për ne etj. Këto pjesë nuk thonë se Krishti vdiq vetëm për shumë mëkatarë, vetëm për kishën, vetëm për ne etj. Me anë të këtij interpretimi, pohime të tilla si: “Nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm [Adamit] vdiqën shumë […] nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë” (Romakëve 5:15, 19) etj., do të tregojnë se vetëm një numër i kufizuar u bënë mëkatarë dhe vdiqën përmes mosbindjes së Adamit.

Sigurisht, apostujt, duke u shkruar besimtarëve, donin t’u kujtonin se Krishti kishte vdekur për ta – por ky pohim nuk mund t’i bëjë të kota pohimet e shumta të qarta se Ai vdiq për të gjithë. Megjithatë ky argument ofrohet në mënyrë të përsëritur nga kalvinistët e sotëm. Pajpëri citon të njëjtat vargje të pazbatueshme në të cilat thuhet se Krishti ishte “një çmim për shumë vetë”, se Ai “mbarti mëkatin e shumë vetëve” dhe se Ai “e ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të” etj., si “provë” se vdekja e Krishtit nuk ishte shlyese për të gjithë [45].

Pali, me një arsyetim të tillë, nuk do të kishte qenë në gjendje të përdorte “ju”, “ti” etj., kur u shkruan korintasve sepse kjo do të thotë se përfituesit e vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit ishin vetëm ata. Me anë të të njëjtit argument, që Davidi të thoshte: “Zoti është bariu im…” (Psalmi 23:1) do të thoshte se kjo ishte e vërtetë vetëm për Davidin. Ose kur profetët e Izraelit shkruan: “O Perëndi i Izraelit, o Shpëtimtar […] Shpëtimtari i tyre është i fortë; emri i tij është Zoti i ushtrive…” (Isaia 45:15; Jeremia 50:34), nënkuptonte se Perëndia ishte Perëndia dhe Shpëtimtari vetëm i Izraelit.

Është gjithashtu absurde që Pali të thoshte: “Birit të Perëndisë, që më deshi” (Galatasve 2:20) duke nënkuptuar se Krishti deshi vetëm Palin. Argumente të tjera që përdorin kalvinistët janë njësoj të paarsyeshëm. Shiko përpjekjen e mëposhtme nga Xhon Pajpëri dhe stafi i tij baritor duke shpjeguar 1 Timoteut 4:10:

Vdekja e Krishtit tregon në mënyrë të qartë neverinë e drejtë të Perëndisë ndaj mëkatit se ai është i lirë ta trajtojë botën me mëshirë pa komprometuar drejtësinë e tij. Në këtë kuptim Krishti është shpëtimtari i tërë njerëzve. Por ai është në mënyrë të veçantë Shpëtimtari i atyre që besojnë. Ai nuk vdiq për tërë njerëzit në të njëjtin kuptim…. Vdekja e Krishtit i shpëton aktualisht nga çdo e keqe ata për të cilët Krishti vdiq “në mënyrë të veçantë” [46] (theksimi në origjinal).

Kuptim apo pakuptim?

A mund ta kuptojë dikush që “Krishti nuk vdiq për të gjithë njerëzit në të njëjtin kuptim”, megjithatë Ai është shpëtimtari i të gjithë njerëzve “në këtë kuptim”? Çfarë është ky kuptim? Ngaqë vdekja e Krishtit “tregon në mënyrë të qartë neverinë e drejtë të Perëndisë ndaj mëkatit…”, Ai është i aftë “ta trajtojë botën me mëshirë pa komprometuar drejtësinë e tij”. Por Ai nuk i trajton të gjithë me mëshirë, sepse Krishti “nuk vdiq për tërë njerëzit në të njëjtin kuptim…”. Gjithashtu as ky kuptim as i njëjti kuptim nuk përkufizohen, kështu ne nuk mund të nxjerrim ndonjë kuptim nga ky pakuptim. Por kjo tregon përsëri nivelin deri ku shkon dikush për të mbrojtur kalvinizmin.

Na kujtohet kundërshtimi i Spërxhënit (e kemi cituar disa herë, sepse e kundërshton në mënyrë të qartë kalvinizmin që pohonte herë të tjera) ndaj përpjekjeve të tilla për t’u ardhur rrotull fjalëve të qarta të Shkrimit. Duke komentuar 1 Timoteut 2:4 (duke kundërshtuar mbrojtjen e tij të shlyerjes së kufizuar në raste të tjera), ai tha:

Po lexoj tani interpretimin e [njërit] që e shpjegon tekstin duke e ndryshuar me shpjegime sikur të lexonte: “I cili nuk dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen…”.[Në fakt,] pjesa duhet të shkojë kështu – “dëshira e të cilit është që të gjithë njerëzit të shpëtohen…”. Ashtu siç është dëshira ime […] ashtu siç është dëshira juaj […] po kështu është edhe dëshira e Perëndisë që të gjithë njerëzit të shpëtohen; me siguri, ai nuk është më pak dashamirës nga ne [47].

Megjithatë Spërxhëni e kundërshtonte vetveten përsëri duke thënë se Perëndia është i aftë t’i shpëtojë të gjithë ata që dëshiron t’i shpëtojë. Meqë të gjithë nuk janë të shpëtuar, dëshira e Perëndisë që të gjithë njerëzit të shpëtohen nuk mund të jetë e sinqertë. Për rrjedhojë, Ai është më pak dashamirës se Spërxhëni, i cili dëshironte që të gjithë njerëzit të shpëtohen – dhe me siguri më pak dashamirës se Pali, që ishte gati të ishte “i ndarë nga Krishti” nëse kjo do t’i shpëtonte vëllezërit e tij judenj (Romakëve 9:1-5). Si mund të dëshirojë Perëndia që të gjithë njerëzit të shpëtohen, të jetë i aftë t’i shpëtojë të gjithë ata që dëshiron, megjithatë jo të gjithë janë të shpëtuar?

Ashtu siç e kemi parë, Xhon MekArturi, i Riu, (ashtu si Spërxhëni) përpiqet t’i shpëtojë kundërshtimit të dukshëm duke thënë se Perëndia ka një “vullnet dekreti” dhe një “vullnet dëshire” [48]. Në procesin e shpëtimit nga kundërshtimi, ai bie në një tjetër. Si ka mundësi që Perëndia, sipas pikëpamjes së skajshme të kalvinizmit rreth sovranitetit, të mos arrijë të dekretojë diçka që Ai e dëshiron me të vërtetë? Kalvinistët mburren se ata e interpretojnë Shkrimin. Por ku kemi tek 1 Timoteut 2:4 (apo në ndonjë vend tjetër) ndonjë aluzion të “dy vullneteve”, një të “dekretit” dhe një të “dëshirës” ashtu siç mësojnë Pajpëri dhe të tjerët?

Është futja me forcë e një teorie jobiblike mbi Shkrimin që e ngatërron kalvinistin në kontradikta të tilla. Natyrisht, kontradikta do të zhduket nëse pranohet vullneti i lirë – por kjo nuk mund të lejohet, sepse do ta shkatërronte TULIP-in.

Boetneri pohon se “kalvinistët besojnë se në qëllimin dhe planin sekret të Perëndisë, Krishti vdiq vetëm për të zgjedhurit…” [49]. Përndryshe, shton Boetneri: “Nëse vdekja e Krishtit kishte si qëllim t’i shpëtonte të gjithë njerëzit, atëherë ne duhet të themi se Perëndia ishte ose i paaftë apo mosdashës ta zbatonte planet e Tij” [50]. Ai harron se vdekja e Krishtit ka vlerë vetëm për ata që e pranojnë Krishtin (Gjoni 1:12) dhe se shpëtimi, duke qenë “dhurata e Perëndisë” (Romakëve 6:23), duhet të pranohet me dashje. Për sa u përket njerëzve që janë të aftë t’i kundërshtojnë planet e Perëndisë, a është e keqja në botë plani i Perëndisë? Pse, atëherë, duhet të lutemi: “U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell”?

Kujtoni që Isaia po i flet tërë Izraelit kur thotë: “Ne të gjithë endeshim si dele…” dhe kur pohon se “paudhësia e ne të gjithëve” do të hidhej mbi Mesian që do të vinte. Ashtu siç është e sigurt se të gjithë endeshim si dele, po kështu është e sigurt se Perëndia vuri mbi Krishtin paudhësitë e ne të gjithëve – megjithatë shumë izraelitë në mbarë historinë nuk janë shpëtuar. Këto dhe shumë pjesë të tjera të Shkrimit e bëjnë të qartë se dobia e vdekjes, varrosjes dhe ringjalljes së Krishtit si pagesë e plotë për mëkatet e botës është në dispozicion për t’u pranuar nga kushdo që e beson ungjillin, ndërsa zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të gjithë ata që e refuzojnë Krishtin dhe shpëtimin e ofruar në mënyrë të vërtetë nga Ai ndaj të gjithëve.

 



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. John Murray, Redemption Accomplished and Applied (Grand Rapids, MI: Wm B. Eerdmans Publishing Co., 1955), 64. ↵ Kthehu mbrapa
  2. Edwin H. Palmer, the five points of calvinism (Grand Rapids, MI: Baker Books, botim i zgjeruar, 20th prtg. 1999), 44. ↵ Kthehu mbrapa
  3. John Calvin, Institutes of the Christian Religion, përkth. Henry Beveridge (Grand Rapids, MI: Wm. Eerdmans Publishing Company, botimi i vitit 1998 ), III: xxi, 5. ↵ Kthehu mbrapa
  4. A. A. Hodge, The Atonement (Memphis, TN: Footstool Publishers, 1987), 348. ↵ Kthehu mbrapa
  5. Loraine Boettner, The Reformed Doctrine of Predestination (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1932), 83-84. ↵ Kthehu mbrapa
  6. D. A. Carson, The Difficult Doctrine of the Love of God (Wheaton, IL: Crossway Books, 2000), 73. ↵ Kthehu mbrapa
  7. Stanley Gower, në fillim të “Two Attestations” (Dy dëshmive) ndaj John Owen, libri i parë i The Death of Death in the Death of Christ (n. p., 1647); te The Works of John Owen, botim i William H. Goold (Carlisle, PA: The Banner of Troth Trost, 3rd prtg. 1978), X:147. ↵ Kthehu mbrapa
  8. R. C. Sproul, Chosen by God (Carol Stream, IL: Tyndale House Publishers, Inc., 1986), 207. ↵ Kthehu mbrapa
  9. Gower, te Owen, Works, IV:338. ↵ Kthehu mbrapa
  10. John MacArthur, Jr., The Love of God (Dallas, TX: Word Publishing, 1996),  xv 85-86, 99-124. ↵ Kthehu mbrapa
  11. John Calvin, Commentary on a Harmony of the Evangelists, Matthew, Mark, and Luke, William Pringle, përkth. (Grand Rapids, MI: Baker, 1930), 314, cituar te MacArthur, Love of God, 85. ↵ Kthehu mbrapa
  12. MacArthur, Love of God, 195. ↵ Kthehu mbrapa
  13. Po aty, 12-18. ↵ Kthehu mbrapa
  14. Owen, Works, 1:149. ↵ Kthehu mbrapa
  15. H. A. Ironside, Timothy, Titus and Philemon (Neptune, NJ: Loizeaux Brothers, Inc., 1990), 55. ↵ Kthehu mbrapa
  16. Calvin, Institutes, III: xi, 11. ↵ Kthehu mbrapa
  17. John H. Gerstner, Wrongly Dividing the Word of Truth: A Critique of Dispensationalism (Brentwood, TN: Wolgemuth and Hyatt, Publishers, Inc., 1991), 124. ↵ Kthehu mbrapa
  18. MacArthur, Love of God, 106-112. ↵ Kthehu mbrapa
  19. Grover E. Gunn, The Doctrine of Grace (Memphis, TN: Footstool Publications), 1987, 17. ↵ Kthehu mbrapa
  20. Cituar te Laurence M. Vance, The Other Side of Calvinism (Pensacola, FL: Vance Publications, botimi i riparë, 1999), 423. ↵ Kthehu mbrapa
  21. David N. Steele dhe Curtis C. Thomas, The Five Points of Calvinism (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1963), 17. ↵ Kthehu mbrapa
  22. Michael Scott Horton, Putting Amazing Back Into Grace (Nashville, TN: Thomas Nelson Publishers, 1991), 89. ↵ Kthehu mbrapa
  23. Herman Hanko, God’s Everlasting Covenant of Grace (Grandville, MI: Reformed Free Publishing Association, 1988), 15. ↵ Kthehu mbrapa
  24. R. C. Sproul, Grace Unknown (Grand Rapids, MI: Baker Books, 1997), 165. ↵ Kthehu mbrapa
  25. Dave Breese, “The Five Points of Calvinism” (dokument i vetëbotuar, n. d.). ↵ Kthehu mbrapa
  26. Leonard J. Coppes, Are Five Points Enough? The Ten Points of Calvinism (Denver CO: vetëbotim, 1980), 49. ↵ Kthehu mbrapa
  27. Homer Hoeksema, Limited Atonement, 151; vituar te Vance, Other Side, 406. ↵ Kthehu mbrapa
  28. C. H. Spurgeon, New Park Street Pulpit (London: Passmore and Alabaster), Vëllimi 6, 28-29; mesazhi i predikuar më 11 dhjetor  1859. ↵ Kthehu mbrapa
  29. Kenneth G. Talbot dhe W. Gary Crampton, Calvinism, Hyper-Calvinism and Arminianism (Edmonton, AB: Still Waters Revival Books, 1990), 11. ↵ Kthehu mbrapa
  30. Po aty, 37. ↵ Kthehu mbrapa
  31. Boettner, Reformed, 151. ↵ Kthehu mbrapa
  32. Joseph M. Wilson, “How is the Atonement Limited?” The Baptist Examiner, 9 dhjetor 1989. ↵ Kthehu mbrapa
  33. Boettner, Reformed, 151. ↵ Kthehu mbrapa
  34. John MacArthur, The MacArthur Study Bible (Nashville: Word Publishing, 1997) 1862. ↵ Kthehu mbrapa
  35. Zane C. Hodges, “The New Puritanism, Pt. 3: Michael S. Horton: Holy War With Unholy Weapons”, Journal of the Grace Evangelical Society, Pranëverë 1994, 7:12, 17-29. ↵ Kthehu mbrapa
  36. Palmer, five points, 44-45. ↵ Kthehu mbrapa
  37. W. J. Seaton, The Five Points of Calvinism (Carlisle, PA: The Banner of Truth Trust, 1970), 15. ↵ Kthehu mbrapa
  38. Palmer, five points, 44. ↵ Kthehu mbrapa
  39. Cituar te Vance, Other Side, 423. ↵ Kthehu mbrapa
  40. Arthur W. Pink, Gleanings in Exodus (Chicago: Moody Press, 1981), 84. ↵ Kthehu mbrapa
  41. Vance, Other Side, 427. ↵ Kthehu mbrapa
  42. ink, Gleanings, 88. ↵ Kthehu mbrapa
  43. Palmer, five points, 50. ↵ Kthehu mbrapa
  44. Owen, Works, 1:157 – 158. ↵ Kthehu mbrapa
  45. John Piper dhe stafi baritor, “TULIP: What We Believe about the Five Points of Calvinism: Position Paper of the Pastoral Staff” (Minneapolis, MN: Desiring God Ministries, 1997), 16-17. ↵ Kthehu mbrapa
  46. Po aty, 14-15. ↵ Kthehu mbrapa
  47. C. H. Spurgeon, Metropolitan Tabernacle Pulpit, vëllimi 26, “Salvation by Knowing the Truth”, mesazhi i predikuar rreth 1 Timoteut 2:3-4, 16 Janar 1880. ↵ Kthehu mbrapa
  48. John MacArthur, The MacArthur Study Bible (Nashville, TN: Word Publishing, 1997), 1862. ↵ Kthehu mbrapa
  49. Boettner, Reformed, 150. ↵ Kthehu mbrapa
  50. Po aty, 155. ↵ Kthehu mbrapa