Shthurja totale

ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

NGA DHJETË FJALËT që përbëjnë akronimin TULIP, katër (totale, shthurje, i pakushtëzuar dhe i papërballueshëm) nuk gjenden fare në Bibël dhe dy prej tyre (i kufizuar dhe këmbëngulje) hasen vetëm një herë. Sa për shprehjet e shprehura në çdo shkronjë (shthurje totale, zgjedhje e pakushtëzuar, shlyerje e kufizuar, hir i papërballueshëm dhe këmbëngulje e shenjtorëve) asnjë prej këtyre nuk haset gjëkundi nga fillimi i Zanafillës deri në fund të Zbulesës.

Prandaj, kemi arsye të forta të jemi të paktën të matur në trajtimin e këtyre koncepteve kyç kalviniste. Barra vihet mbi përkrahësit e tyre për të treguar se këto ide, pavarësisht nga mungesa e tyre në Shkrime, mësohen me të vërtetë në të. Edhe “Trinia” nuk haset, por mësohet në mënyrë të qartë.

Kalvinizmi ofron një përkufizim të veçantë të shthurjes njerëzore: që shthurja është e barabartë me paaftësinë – dhe ky përkufizim i veçantë e bën të nevojshme si zgjedhjen e pakushtëzuar ashtu edhe hirin e papërballueshëm. Siç pohojnë kanunet e Dortit: “Prandaj të gjithë njerëzit […] pa hirin ripërtëritës të Frymës së Shenjtë […] nuk janë as të aftë dhe as nuk mund të kthehen te Perëndia […] as nuk mund të vendosin të përmirësohen” [1]. Kjo deklaratë shpreh mendësinë njerëzore – ajo nuk shprehet kurrë në Bibël.

Kalvinizmi ngul këmbë se të gjithë njerëzit, duke qenë plotësisht të shthurur nga natyra, janë të paaftë të pendohen dhe të besojnë te ungjilli, megjithatë na quan përgjegjës nëse nuk pendohemi dhe besojmë. Si mund të thuhet arsyeshëm se një person është i pavullnetshëm të bëjë atë që nuk është i aftë të bëjë? Nuk ka asnjë mënyrë që kjo deklaratë të vërtetohet a të përgënjeshtrohet.

A mund të themi një njeri është i pavullnetshëm që të fluturojë si zog? Nëse do të ishte i aftë, ai shumë mirë do të donte. Me siguri mosdashja e tij e supozuar për të fluturuar si zog nuk mund të fajësohet si arsyeja që ai nuk fluturon! As nuk mund të quhet përgjegjës që nuk fluturon dot për aq kohë që fluturimi është i pamundur për të. A nuk është kalvinizmi fajtor si për absurditet ashtu edhe për padrejtësi duke e shpallur njeriun të paaftë për pendim dhe besim, duke e dënuar më pas për mungesën e pendimit dhe të besimit?

Mungesa e pamohueshme e arsyes nga kalvinizmi

Kontradikta të tilla verbuese janë në natyrën e kalvinizmit dhe kanë shkaktuar ndarje të mëdha edhe midis kalvinistëve, të cilët nuk mund të pajtohen të gjithë me njëri-tjetrin. Konsidero polemikat më 1945 mbi përshtatshmërinë e emërimit të Gordon H. Klarkut (Gordon H. Clark). “Cornelius Van Tili udhëhoqi grupin e seminarit në një ankesë kundër perceptimit të Klarkut për rrëfimin të besimit” [2]. Klarku u padit për “racionalizëm” që nuk deshi të shpallte (ashtu siç bëjnë kalvinistët e ashtuquajtur “të moderuar”) se shpëtimi ofrohej në mënyrë të sinqertë nga Perëndia ndaj atyre për të cilët Krishti nuk kishte vdekur, sipas kalvinizmit, dhe të cilët Perëndia që nga përjetësia e kaluar i kishte paracaktuar në mundim të përjetshëm. Klarku e konsideroi se ishte një kontradiktë e drejtpërdrejtë që Perëndia të dëshironte shpëtimin e atyre që “Ai i ka caktuar që nga përjetësia të mos i shpëtojë”.

Klarku u padit si “hiperkalvinist” nga të ashtuquajturit ndërmjetës – por emërtime të tilla janë çorientuese. Si Klarku ashtu edhe kundërshtarët e tij “të moderuar” besonin saktësisht të njëjtën gjë – që Perëndia kishte paracaktuar disa për në qiell dhe të tjerët për në ferr. Klarku po tregohej i ndershëm duke pranuar se nuk mund të thuhej në mënyrë të arsyeshme se Perëndia i “do” ata që mund t’i kishte shpëtuar, por që nuk i shpëton. Prandaj kalvinizmi “i matur” është fajtor për një kontradiktë të pamohueshme, megjithatë Xhon MekArturi ka shkruar një libër të tërë duke u përpjekur të mbështetë këtë kontradiktë3. Ashtu siç do të shohim, “të moderuarit” fshehin paarsyeshmërinë e tyre prapa idesë se Perëndia është “i lirë” të dojë njerëz të ndryshëm me lloje të ndryshme dashurie – duke harruar se çdo lloj dashurie e vërtetë është e dashur dhe se nuk është dashuri të dënosh [në ferr] ata që mund të shpëtohen.

Një kontradiktë e ngjashme, që doli nga trupi pedagogjik në seminarin e Kalvinit, “kishte pllakosur kishën e reformuar të krishterë gjatë viteve 1920 […] [dhe më 1924] përfundoi me eksodin e kalvinistëve nga kisha e reformuar e krishterë nën udhëheqjen e Herman Hoeksemës (Herman Hoeksema) dhe formimin e një kishe të re, kishës së reformuar protestante” [4]. Van Tili, në mospërputhje me Rrëfimin Uestminster, argumenton se Klarku po bënte që “logjika të mbizotëronte mbi Shkrimin…”. Van Tili këmbëngulte se Shkrimet përmbanin paradokse të papajtueshme që “në mënyrë të pashmangshme dukeshin se ishin kontradiktore” [5].

Nëse është kështu, atëherë Shkrimi është i paarsyeshëm dhe nuk mund të mbrohet në mënyrë të arsyeshme; megjithatë Perëndia ofron të arsyetojë me njeriun (Isaia 1:18). Pjetri na thotë se ne gjithmonë duhet të jemi gati t’i japim përgjigje gjithkujt që kërkon një arsye për besimin tonë (1 Pjetrit 3:15) dhe Pali “arsyetonte” me judenjtë (Veprat 18:4, 19).

Duke u përpjekur t’i shpëtojnë fajësimit të paarsyeshëm ndaj të pazgjedhurve për moskryerjen e asaj që ata nuk mund të bëjnë, disa kalvinistë ngulin këmbë se njeriu është i aftë, por thjesht nuk dëshiron të kthehet te Krishti. Kjo është një pikëpamje e pakicës që e kundërshton shthurjen totale dhe është pjesërisht e drejtë. Problemi me mëkatarët është me të vërtetë mosdashja. Megjithatë, që një person të jetë i pavullnetshëm, ai duhet të ketë një vullnet dhe, kështu, me anë të një veprimi të atij vullneti ai mund të bëhet i vullnetshëm – një fakt që kalvinizmi e mohon. Për më tepër, Kalvini dhe ndjekësit e tij kanë pohuar në gjuhën më të qartë se njeriu është i paaftë t’i besojë ungjillit, të kthehet te Krishti, të kërkojë Perëndinë apo të mirën: “Ai është i lirë të kthehet te Krishti, por jo i aftë” [6]. Paaftësia është me siguri pikëpamja e shumicës.

Megjithatë, nuk ka asnjë varg në Bibël që paraqet idenë ekstremiste të kalvinizmit se mëkatari është i paaftë të besojë atë ungjill që i ofron atij falje dhe shpëtim dhe megjithatë ai është i dënuar nga Perëndia që nuk arrin të besojë. Në fakt, ashtu siç do të shohim, Bibla pohon të kundërtën. “Të gjithë njerëzit dhe kudo” (Veprat 17:30) thirren në mënyrë të përsëritur të pendohen dhe të besojnë në Krishtin. Kurrkush nuk mund të nxjerrë kurrë nga Shkrimet idenë se të parilindurit janë të paaftë të besojnë. Dejv Brisi (Dave Breese), një shpjegues dhe autor shumë i respektuar dhe i shkëlqyer i Shkrimeve të Shenjta, ka pohuar se “nuk mund të tregohet që “shthurja totale” të jetë vërtet një e vërtetë e Shkrimeve” [7].

Megjithatë Talboti dhe Kremptoni shkruajnë: “Bibla thekson paaftësinë totale të njeriut të rënë për t’iu përgjigjur gjërave të Perëndisë…. Kjo është ajo që kalvinistët i referohen si ‘shthurje totale’” [8]. Palmeri e quan këtë doktrinë “çështjen më qendrore [problemi qendror] midis arminianit dhe kalvinistit, atë që Martin Luteri e quajti menteshën në të cilën lëviz tërë Reformimi” [9].

Si rrjedhojë, kalvinisti ngul këmbë se rilindja duhet të pararendë besimin – dhe kështu duhet të pararendë shpëtimin, i cili vjen vetëm nëpërmjet besimit: “kur ai [mëkatari] ka rilindur, ai, për herë të parë, mund të kthehet te Jezusi […] duke i kërkuar Atij ta shpëtojë” (theksimi i shtuar) [10]. Çfarë doktrinë e çuditshme dhe jobiblike është kjo, që një mëkatar duhet të rilindë përpara se të besojë ungjillin! A nuk është nëpërmjet besimit të ungjillit që ne lindim përsëri (1 Pjetrit 1:23-25)? R. C. Sprouli pohon: “Një pikë themelore e teologjisë së reformuar është parimi: “Rilindja vjen përpara besimit”” [11].

Megjithatë, në asnjë vend të Shkrimit nuk kemi ndonjë sugjerim se njeriu duhet të rilindë përpara se të shpëtohet nëpërmjet besimit në Krishtin. Në të vërtetë, shumë pjesë të Shkrimit pohojnë të kundërtën, për shembull: “…të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus” (2 Timoteut 3:15) dhe “sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti” (Galatasve 3:26). Besimi gjithmonë vjen përpara shpëtimit/rilindjes. Nuk ka asnjë varg në Shkrimet e Shenjta që të pohojë qartë doktrinën se rilindja vjen përpara dhe pastaj besimi – as edhe një. Do të merremi me këtë doktrinë kyç më në hollësi më vonë.

Spërxhëni, edhe pse kalvinist, tha: “Një njeri që është i rilindur është i shpëtuar” [12]. Xhon MekArturi barazon gjithashtu të qenit i shpëtuar me të qenit i rilindur [13]. Kalvini shpalli në mënyrë të saktë: “Çdo njeri nga fillimi i besimit të tij bëhet i krishterë…” [14]. Por nëse të zgjedhurit duhet të rilindin përpara se të kenë besimin, rilindja e tyre i lë ata akoma jo të krishterë, duke qenë se një njeri shpëtohet nëpërmjet besimit dhe më pas bëhet i krishterë (Gjoni 6:47; 11:25; 20:31; Veprat 16:31; Romakëve 1:16; 10:9; 1 Korintasve 1:21; Hebrenjve 10:39 etj.). Çfarë “rilindje” është kjo që nuk të shpëton? Spërxhëni nuk e pranonte këtë pjesë të kalvinizmit dhe prandaj tha se ishte “qesharake” t’i predikoje Krishtin të rilindurit [15]. Sigurisht. Duke kundërshtuar mësimin se “rilindja vjen përpara besimit”, i cili është tepër popullor midis kalvinistë sot, Kalvini e titulloi një kapitull të tërë: “Rilindja nëpërmjet  besimit” [16].

Megjithëkëtë, shikimi i shthurjes si paaftësi, e cila bën të domosdoshme rilindjen përpara shpëtimit, është themeli i pjesës më të madhe të kalvinizmit të sotëm. Engelsma pranon: “Moho këtë doktrinë dhe tërë kalvinizmi do të shembet” [17]. Që të jemi të paanshëm, ne duhet, thotë Engelsma, “ta lëmë kalvinizmin të flasë vetë” [18]. Kjo është arsyeja përse ne citojmë së tepërmi shumë kalvinistë.

Duke qenë se shthurja totale kërkon rilindjen përpara besimit apo shpëtimit, shumë kalvinistë supozojnë se duhet të ndodhë – dhe mbase ndodh – në foshnjëri. Kështu Hoeksema arsyeton se “rilindja mund të ndodhë në foshnjat më të vogla […] në sferën e besëlidhjes së Perëndisë, Ai zakonisht i rilind fëmijët e Tij të zgjedhur që nga foshnjëria” [19]. A sillen atëherë fëmijët e kalvinistëve në mënyrë të shenjtëruar shumë më ndryshe nga fëmijët e tjerë? Vështirë se sillen.

Kemi edhe një deklaratë tjetër se rilindja e lë akoma një person të pashpëtuar, duke qenë se shpëtimi vjen nëpërmjet besimit dhe fëmijët as nuk mund të kuptojnë as të besojnë ungjillin, i cili është një kërkesë e qartë për shpëtim. I pyesim kalvinistët, me tërë sinqeritet, ku pohohet në Bibël kjo doktrinë e çuditshme? Asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje.

Shthurja e njëjtë me paaftësinë?

Pjesa më e madhe e të krishterëve, po t’u bëhet pyetja nëse njeriu është nga natyra plotësisht i shthurur, ka gjasa të përgjigjen në mënyrë pohuese. Megjithatë, pikëpamja kalviniste e gjendjes së qartë mëkatare të njerëzimit shkon përtej të kuptuarit të zakonshëm të një të krishteri të thjeshtë për sa i përket shthurjes. Një drejtues tjetër kalvinist pohon: “Diskutimi i Palit për njerëzit larg Krishtit mund të përmblidhet me të drejtë në kategoritë teologjike të ‘shthurjes totale’ dhe ‘paaftësisë totale’” [20].

“Paaftësi”? Një person mund të jetë i paaftë të ecë, të mendojë siç duhet, apo të futet në një zonë të ndaluar. Në çdo rast ai pengohet në njëfarë mënyre të bëjë atë që ai mund ta kishte bërë. Megjithatë, kalvinizmi nuk pranon një aftësi normale që disa janë të penguar ta përdorin. Ai pohon një paaftësi universale dhe unike: që askush nuk mund t’i besojë ungjillit pa u rilindur në mënyrë sovrane nga Perëndia. Megjithatë, në asnjë vend të Biblës nuk pohohet ky sugjerim në mënyrë të qartë. Megjithatë ky është themeli i kalvinizmit, nga i cili rrjedhin edhe katër pikat e tjera.

Bibla paraqet në mënyrë të përsëritur natyrën mëkatare të njeriut dhe paralajmëron se refuzimi i shpëtimit që Perëndia ka siguruar në Krishtin e lë mëkatarin të vuajë ndëshkimin e përjetshëm nën zemërimin e Perëndisë. Megjithatë, Bibla nuk sugjeron kurrë që, për shkak të mëkatit të parë të Adamit, të gjithë pasardhësve të tij u mungon aftësia për t’u kthyer te Perëndia nëpërmjet besimit në Krishtin. Aq më pak nuk mëson Shkrimi se Perëndia ua jep këtë “aftësi” për të besuar ungjillin njëfarë grupi të zgjedhur. Në vend të kësaj, Bibla është e mbushur me ftesa ndaj të gjithë njerëzve për t’u penduar dhe besuar në Krishtin për shpëtimin e shpirtrave të tyre – dhe me plot paralajmërime sipas të cilave nëse ata refuzojnë të bëjnë një gjë të tillë, do të pësojnë zemërimin e Perëndisë në përjetësi. Pali shkoi gjithandej, duke i predikuar gjithsecilit që takonte në tërë perandorinë romake “mbi pendimin te Perëndi dhe për besimin në Zotin tonë Jezu Krisht” (Veprat 20:21). Siç duket, ai besonte se gjithsecili mund të përgjigjej – jo vetëm disa të zgjedhur të cilët Perëndia i kishte rilindur në mënyrë sovrane dhe u kishte dhënë besim të besonin.

Në mënyrë të qartë të gjithë urdhërohen të pendohen dhe të kthehen te Krishti. Sikurse Pali shpalli mbi kodrën e Marsit në Athinë se Perëndia “i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen” (Veprat 17:30). Të thuash se Perëndia i urdhëron njerëzit të bëjnë atë që ata nuk mund të bëjnë pa hirin e Tij dhe që më pas e tërheq hirin që kanë nevojë dhe i ndëshkon përjetësisht për mosbindje, do të thotë të tallesh me Fjalën e Perëndisë, mëshirën dhe dashurinë e Tij dhe do të thotë të shpifësh kundër karakterit të Tij. Jo paaftësia, por mosdashja është problemi i njeriut: “I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin” (Psalmi 10:4). Krishti i qortoi rabinët: “Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën” (Gjoni 5:40) – një akuzë e padrejtë kjo e bërë ndaj atyre që nuk mund të shkojnë nëse Perëndia nuk i ka bërë ata të bëjnë një gjë të tillë.

As nuk pohohet në Shkrime, as nuk është sipas logjikës, që gjithsecili, si rezultat i shthurjes së tij, edhe sikur çdo mendim i tij të jetë i lig, është i paaftë t’i besojë lajmit të mirë të ungjillit dhe të pranojë Krishtin si Shpëtimtarin e tij. Këtu, përsëri, shohim ndikimin e Agustinit. Ashtu siç e kemi përmendur më parë, pohohet se Agustini ishte “mbase i pari pas Palit që e kuptoi shthurjen totale të njeriut” [21]; në të vërtetë Agustini e shpiku “doktrinën e tepruar të shthurjes totale të njeriut…” [22]. Mund të pyesim veten me habi nëse Kalvini u mbështet më tepër tek Agustini apo te Bibla.

Duke e kthyer shthurjen në paaftësi çon në mënyrë të pashmangshme në pikat 2 e 4: që Perëndia duhet të zgjedhë në mënyrë të pakushtëzuar ata që do të shpëtohen; dhe se Ai duhet të bëjë të frytshëm atë vepër nëpërmjet hirit të papërballueshëm. Megjithatë edhe pohimi i paaftësisë del çorientues.

Çfarë aftësie duhet për të pranuar një dhuratë?

Bibla e thotë qartë se shpëtimi është dhurata e Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit dhe kjo i ofrohet tërë njerëzimit: “…ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie [të Krishtit], hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës” (Romakëve 5:18). Askush nuk mund të blejë, të fitojë, apo të meritojë shpëtimin. Ai duhet të pranohet vetëm si dhuratë falas. Çfarë aftësish duhen për të pranuar një dhuratë? Vetëm aftësia për të zgjedhur – diçka që përvoja e përditshme provon se është normale për çdo qenie njerëzore, madje edhe për fëmijën më të vogël. Atëherë, si ka mundësi që çdo mëkatari t’i mungojë “aftësia” për t’u shpëtuar?

Sigurisht, mendja natyrore është në armiqësi me Perëndinë. Ne jemi mëkatarë rebelë të prirur të ndjekim rrugën tonë dhe të verbuar nga mashtrimi i epsheve tona. Por asnjë nga pjesët e Shkrimit që përshkruan shthurjen e njeriut nuk pohon se ai është indiferent ndaj fuqisë bindëse të Frymës së Shenjtë – përndryshe askush nuk mund të shpëtohet. Gjithashtu asnjë pjesë e Shkrimit nuk pohon se Perëndia bind vetëm një grup të zgjedhur. Për më tepër, Fryma e së vërtetës e bind “botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim” (Gjoni 16:8).

Pa dyshim, që një njeri të pranojë dhuratën e shpëtimit thjesht duhet të besojë ungjillin. Megjithatë, urdhri: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15) nënkupton aftësinë e çdo personi t’i besojë ungjillit. Vërtet, që gjithsecili e njeh të vërtetën e ekzistencës së Perëndisë, përgjegjësinë e tij morale ndaj Perëndisë dhe shkeljen e tij të ligjeve morale, pohohet në mënyrë të përsëritur në Shkrime:

  • Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij…. Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet (Psalmi 19:1-3).
  • Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë (Gjoni 7:37).
  • Dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës (Zbulesa 22:17).
  • Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm… (Romakëve 1:18-22).
  • Në fakt kur johebrenjtë, që s’kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s’kanë ligjin [e dhënë judenjve me anë të Moisiut] […] tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegjja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin (Romakëve 2:14, 15).
  • Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote (Veprat 16:31).

Te 1 Korintasve 2:7-16 Pali u referohet “gjërave që janë të Frymës së Shenjtë [të cilat] gjykohen frymërisht […] diturinë e Perëndisë të fshehur në mister [rreth atyre] që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë […] të thellat e Perëndisë […] të mësuara nga Fryma e Shenjtë [të cilat] gjykohen frymërisht”. Kalvinisti e përdor këtë pjesë për të mbështetur idenë e tij të “shthurjes totale” – pra, që vetëm të zgjedhurit që janë rilindur mund të kuptojnë dhe të besojnë ungjillin. Megjithatë, Pali po flet këtu përtej ungjillit të thjeshtë; ai po i referohet kuptimit të thellë të së vërtetës frymërore që vjen me pjekurinë në Krishtin. Ky fakt, nëse nuk kuptohet nga ajo që kemi cituar deri tani, është e qartë si kristal nga fjalët që vijojnë: “Dhe unë, o vëllezër, nuk munda t’ju flas si njerëz frymëror, por ju fola si njerëz të mishit, si foshnja në Krisht. Ju dhashë qumësht për të pirë dhe nuk ju dhashë ushqim të fortë, sepse nuk ishit në gjendje ta asimilonit (1 Korintasve 3:1, 2).

Megjithëkëtë, edhe sikur ai t’u fliste vetëm për ungjillin, kjo pjesë nuk mund të përdoret për të mbështetur mësimin e paaftësisë totale të njeriut natyror për të besuar. Sigurisht, askush nuk mund të kuptojë ungjillin përveçse me anë të ndriçimit të Frymës së Shenjtë. Por as këtu as në ndonjë vend tjetër Pali nuk lë të kuptohet (aq më pak të pohohet në mënyrë të qartë) se Fryma e Shenjtë ua zbulon ungjillin vetëm një grupi të zgjedhur. Ai pohon se “ungjilli […] është i mbuluar për ata që humbin”, sepse “perëndia i këtij shekulli [Satani] ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë…” (2 Korintasve 4:3, 4) – përpjekje që Satani nuk do t’i harxhonte nëse tërë njerëzit do të ishin plotësisht të shthurur dhe kështu plotësisht të paaftë të besonin ungjillin.

Për më tepër, Pali pohon në mënyrë të qartë se “hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve” (Titi 2:11). Në mënyrë të ngjashme, Krishti (ashtu siç e kemi thënë), pohoi se Fryma e Shenjtë, “Fryma e së vërtetës”, “do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim” (Gjoni 16:8). Versioni i ri [i Biblës] i mbretit Xhejms e përkthen “qortojë” në vend të “bindë”. Xhon MekArturi e shpjegon këtë si “bindje për nevojën e Shpëtimtarit” [23]. Është e qartë nga konteksti se Krishti nënkupton tërë botën e mëkatarëve, jo se bindja për nevojën e një Shpëtimtari është vetëm për një grup të zgjedhur të cilin Ai e ka paracaktuar për përjetësi në qiell.

Ashtu siç nuk duhet asnjë aftësi e veçantë nga ana e personit të rrezikuar për t’u shpëtuar nga mbytja, djegia e shtëpisë, apo nga ana e kriminelit të burgosur që falet të pranojë lirimin e tij, po kështu asnjë aftësi e pazakontë nuk i kërkohet atij të cilin Krishti e shpëton nga dënimi i përjetshëm. Si rrjedhim, themeli i kalvinizmit në përkufizimin e tij të veçantë të shthurjes njerëzore si paaftësi është sa i paarsyeshëm aq edhe jobiblik.

Të lindësh sërish përpara shpëtimit?

Duke shpjeguar me kujdes kalvinizmin, Palmeri përsërit që asnjë njeri nuk mund të kuptojë ungjillin dhe se kjo “mungesë e të kuptuarit është gjithashtu pjesë e shthurjes së njeriut […] të gjitha mendjet janë të errësuara deri në momentin që rilindin” [24]. Rrëfimi Baptist i Londrës i vitit 1689, [që është] tërësisht kalvinist,: “Si rrjedhojë e rënies së tij në një gjendje mëkati, njeriu […] nuk është i aftë, me forcat e veta, të kthehet te Perëndia, apo të përgatitet të kthehet te Perëndia” [25]. Përkundrazi, problemi i njeriut nuk është paaftësia, por mosdashja: “…ju nuk do ta besoni […] ju nuk do ta dëgjoni” (Habakuku 1:5; Veprat 3:23). Ka shumë pjesë të Shkrimit për t’u përmendur, por këtu janë vetëm disa prej tyre: Isaia 7:9; Zakaria 14:17; Malakia 2:2; Mateu 18:16; Lluka 9:5; 19:14; 22:67; Gjoni 4:48; Veprat 22:18; 2 Timoteut 4:3 dhe të tjera.

Xhejms Uajti i kushton një kapitull të tërë [çështjes] “Paaftësitë e njeriut”. Ai radhit një listë të gjatë mëkatesh të njeriut, të anës së tij të ligë, të shthurjes së tij dhe shpjegon se ai është një “krijesë e rënë, një skllav ndaj mëkatit, i vdekur frymërisht, i paaftë të bëjë atë që i pëlqen Perëndisë”. Ai citon shumë pjesë të Shkrimit rreth ndarjes së njeriut ndaj Perëndisë dhe mashtrimit të zemrës së tij, se ai nuk mund të ndryshojë më zemrën e tij ashtu siç nuk mund të ndryshojë leopardi larat e tij, se mendja e tij është në armiqësi me Perëndinë, se asnjë njeri nuk mund të shkojë te Krishti në qoftë se Ati nuk i tërheq tek Ai dhe kështu me radhë. Uajti pohon: “Pohimi i reformuar është se njeriu nuk mund të kuptojë dhe të zgjedhë ungjillin, as t’i përgjigjet me besim dhe pendim Perëndisë, nëse Ai nuk e çliron më parë nga mëkati dhe t’i japë atij më parë jetë frymërore (rilindje)” [26]. Megjithatë, ai në asnjë vend nuk citon ndonjë pjesë të Shkrimit që të pohojë këtë paaftësinë e mëkatarit më të prishur për të besuar ungjillin apo për të pranuar dhuratën falas të jetës së përjetshme që Perëndia u ofron të gjithëve.

Sigurisht, ka shumë pjesë të Shkrimit që përshkruajnë zemrën dhe veprimet e liga të njeriut. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk pohon se njeriu nuk mund t’i besojë ungjillit nëse nuk është njëri prej të zgjedhurve dhe që i është dhënë ai besim me anë të një vepre sovrane të Perëndisë. Pinku pohon se “mëkatari, vetë, nuk mund të pendohet dhe besojë” [27].

Këtu kalvinisti po i afrohet në mënyrë të rrezikshme mësimit të shpëtimit me anë të veprave. Nëse nuk ka asnjë vepër që duhet të bëj për t’u shpëtuar, atëherë si më mungon aftësia për ta bërë? Dhe me siguri askujt nuk i mungon aftësia thjesht për të besuar!

Megjithatë, për tërë këmbënguljen e tyre rreth paaftësisë së njeriut për t’i besuar ungjillit dhe pranuar Krishtin, kalvinistët nuk mund të jenë të një mendje midis tyre. J. I. Pakeri i kundërshton shokët e tjerë kalvinistë (dhe atë që vetë thotë gjetiu) duke pohuar se birësimi (pra, rilindja) pason besimin dhe shfajësimin: “Perëndia zgjodhi njerëz nga përjetësia në mënyrë që në kohën e duhur ata të shfajësoheshin në bazë të besimit të tyre. Birësimi i tyre si bij të Perëndisë pason shfajësimin e tyre; në të vërtetë, nuk është gjë tjetër veçse puna pozitive e vendimit shfajësues të Perëndisë” [28].

Sigurisht, Pakeri, ashtu si kalvinistët e tjerë, do të mohojë se po kundërshton vetveten. Në ç’mënyrë? Ai do të argumentojë se “rilindja” (ashtu siç e përkufizon kalvinizmi) nuk është njësoj me shfajësimin, ose të birësohesh si bij dhe bija në familjen e Perëndisë. Por nëse “rilindja” nuk është “të lindurit sërish” ashtu siç ia përshkroi Krishti Nikodemit, por e lë mëkatarin, edhe pse i rilindur, akoma të pashfajësuar para Perëndisë, kërkojmë të dimë se në ç’vend të Shkrimit paraqitet kjo “rilindje” e kalvinistit. Në fakt, nuk është fare biblike.

Siç e kemi parë, ta përkufizosh shthurjen si paaftësi duhet që Perëndia ta rilindë në mënyrë sovrane njeriun, dhe pa ndonjë pajtim, kuptim, apo besim nga ana e njeriut, e ngrejë atë nga të qenit “i vdekur në faje dhe në mëkate” (Efesianëve 2:1) në jetë frymërore. Vetëm në këtë moment mund t’i japë Ai njeriut besimin për të besuar ungjillin. Dorti, cituar më sipër, thotë: “Pa hirin ripërtëritës të Frymës së Shenjtë, ata nuk janë as të aftë as dëshirues që të kthehen te Perëndia…” [29]. Hiri aftësues është i nevojshëm për besim, por jo “hiri rilindës”. Ku thotë Bibla se dikush duhet të rilindë përpara se të besojë ungjillin? Nuk mund të citohet asnjë varg në të cilin të pohohet qartë ky sugjerim.

Pjesa më e madhe e jokalvinistëve kanë menduar se “të lindësh sërish”, ashtu siç ia ka paraqitur Krishti Nikodemit te Gjoni 3, është e njëjta gjë me të qenit i shpëtuar. Prandaj, ata çuditen kur dëgjojnë se kalvinizmi mëson se një njeri duhet të përjetojë lindjen e re, që Krishti e përshkruan te Gjoni 3, përpara se të besojë ungjillin dhe të shpëtohet. Sprouli thekson edhe një herë tjetër: “Pikëpamja e reformuar e paracaktimit mëson se përpara se një njeri të zgjedhë Krishtin […] ai duhet të rilindë […] një njeri nuk beson në fillim dhe më pas të rilindë…” [30].

Përkundrazi, ne “lindim sërish” duke i besuar “fjalës që ju është shpallur…” (1 Pjetrit 1:23-25). Në fakt, Bibla e paraqet gjithmonë besimin si kushtin për shpëtim.

Pasojat shqetësuese

Fatkeqësisht, pranimi i kësaj teorie çon në një përfundim që është akoma më jobiblik si edhe kontradiktor ndaj ndjenjës së lindur të dhembshurisë që Perëndia ka vendosur edhe brenda njeriut të parilindur: që Perëndia mund të shpëtojë tërë njerëzimin, por nuk u jep me qëllim turmave shpëtimin që u jep të zgjedhurve. Natyrisht, atë që Perëndia e bën për të zgjedhurit (të cilët ishin edhe ata “plotësisht të shthurur” nga natyra) Ai mund ta bënte për të gjithë, nëse do të kishte dëshiruar kështu. Që Ai nuk e bën një gjë të tillë do të provonte se Atij, i cili është dashuri, i mungon dashuria për tërë njerëzimin – gjë e cila është në kundërshtim me tërë Shkrimin: “I cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës” (1 Timoteut 2:4).

Nëse mëkatarët e humbur vuajnë nga një paaftësi e tillë që ata mund të shpëtohen vetëm me anë të veprës ripërtëritëse në mënyrë sovrane nga Perëndia (dhe të gjithë njerëzit nuk janë të shpëtuar), rrjedh se Perëndia është i kufizuar në mëshirën dhe hirin e Tij ndaj një grupi të zgjedhur. Si një prej kalvinistëve më të zjarrtë, Artur W. Pink, shkruan për të zgjedhurit: “Atëherë a nuk e kuptoni se nuk është për mungesë të fuqisë së Perëndisë […] që rebelët e tjerë nuk janë të shpëtuar? Nëse Perëndia ishte i aftë të nënshtronte vullnetin tënd dhe të fitonte zemrën tënde, dhe kjo pa ndërhyrë në përgjegjësinë tënde morale, atëherë nuk qenka Ai i aftë të bëjë të njëjtën gjë për të tjerët [pra, për të pazgjedhurit]? Sigurisht që është” [31].

Këtu ndeshim një problem të madh me kalvinizmin: mohimin e dashurisë së pafund të Perëndisë për të gjithë. Që Perëndia, i cili shpall në mënyrë të përsëritur dashurinë e Tij për tërë njerëzimin, zgjedh të shpëtojë vetëm disa dhe i lë të tjerët të vuajnë dënimin e përjetshëm, është në kundërshtim me natyrën e Tij të dashurisë dhe mëshirës së pafund, ashtu siç e paraqet Bibla. Megjithatë, ky dënim i mbase miliarda njerëzve thuhet nga kalvinisti se është paracaktuar nga përjetësia e largët sepse kështu i pëlqen Perëndisë dhe [kështu Ai] lavdërohet! Rrëfimi i Besimit të Uestminsterit, duke parafrazuar vetë Kalvinin, pohon se Perëndia cakton për ndëshkim të përjetshëm turma njerëzish të cilat Ai mund t’i kishte caktuar për jetë të përjetshme dhe gëzim në qiell:

Me anë të dekretit të Perëndisë, për shfaqjen e lavdisë së tij, disa njerëz dhe engjëj janë paracaktuar për jetë të përjetshme; dhe të tjerët për vdekje të përjetshme…. Ata nga njerëzimi që janë paracaktuar për jetë, Perëndia […] i ka zgjedhur në Krishtin për në lavdi të përjetshme […] për lavdinë e hirit të tij të lavdishëm…. Pjesën tjetër të njerëzimit, Perëndisë i pëlqeu, sipas këshillës së pahulumtueshme të vullnetit të tij […] për lavdinë e fuqisë së tij sovrane mbi krijesat e tij […] t’i caktojë për çnderim dhe zemërim për mëkatet e tyre, për lavdi të drejtësisë së tij të lavdishme [32].

Edhe vetë Sprouli pranon: “Nëse disa njerëz nuk janë zgjedhur për shpëtim, atëherë mund të duket se Perëndia nuk është plotësisht i dashur ndaj tyre. Për më tepër, duket se do të ishte më e përzemërt nga Perëndia që të mos i kishte ata të lindnin. Vërtet, kështu mund të jetë” [33]. Megjithatë, dashuria e Perëndisë është e pafund dhe e përsosur. Prandaj është një oksimoron të hedhësh idenë se Perëndia nuk ka qenë ndaj kujtdo “plotësisht i dashur” dhe se duhet “të ishte më tepër i dashur”. Asnjë kalvinist nuk ka shpjeguar në mënyrë të kënaqshme mungesën e dashurisë me të cilën padisin Perëndinë. Kush mund të rrijë pa u shqetësuar së tepërmi për këtë shtrembërim të madh të Krijuesit tonë të dashur?!

I madhi apostulli Pal mund të shpallte në mënyrë të qartë: “Unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit”. Duket gati sikur Sprouli ka disa rezerva rreth ungjillit sipas kalvinizmit. Nëse ungjilli nuk është lajm i mirë për të gjithë, por vetëm për të zgjedhurit, a nuk është ky shkak turpi për ne për një Perëndi që nuk është njësoj i dashur me të gjithë? Pali nuk e kishte problem të besonte se Perëndia ishte “plotësisht i dashur”.

Tashmë duhet të jetë e qartë se kalvinizmi mbështetet mbi premisën se Perëndia nuk e do gjithsecilin, se nuk është i mëshirshëm ndaj gjithsecilit, se nuk do që të gjithë të shpëtohen, por në fakt pëlqen të dënojë miliarda njerëz, të cilët, me anë të rilindjes sovrane, Ai mund t’i shpëtonte nëse do të kishte dëshiruar. Nëse ky është Perëndia i Biblës, kalvinizmi është i vërtetë. Nëse ky nuk është Perëndia i Biblës, i cili “është dashuri” (1 Gjonit 4:8), kalvinizmi është i rremë. Çështja qendrore është dashuria dhe karakteri i Perëndisë në lidhje me njerëzimin, siç paraqitet në Shkrime. Vetë titulli i këtij libri, Çfarë dashurie është kjo?, i bën pyetjen kalvinizmit, i cili nuk mund t’i kthejë përgjigje.

Ashtu siç tashmë kemi treguar, Spërxhëni (të cilin kalvinistët pëlqejnë ta citojnë kur ai mbështet kalvinizmin) u gjend në konflikt të thellë. Ai nxiste këdo të shkonte te Krishti – megjithatë, duke bërë këtë kundërshtonte kështu pohimin e tij të shlyerjes së kufizuar. Në fakt, Spërxhëni po i nxiste njerëzit të shkonin te Krishti, edhe pse nuk besonte se Krishti kishte vdekur për ta. Megjithatë, ndërgjegjja dhe njohja e Perëndisë nuk do ta lejonte atë t’i shpëtonte faktit se, ashtu si Perëndia urdhëron tërë njerëzimin “duaje të afërmin si vetveten”, po kështu Perëndia duhet të dojë me të vërtetë tërë njerëzimin.

Ashtu siç kemi vënë re më parë, duke iu referuar 1 Timoteut 2:4, Spërxhëni pohon: “Ashtu siç është dëshira ime [dhe] dëshira juaj […] po kështu është edhe dëshira e Perëndisë që të gjithë njerëzit të shpëtohen […] ai nuk është më pak dashamirës se ne” [34]. Spërxhëni u zu në rrjetën e kontradiktave të endur nga kalvinizmi. Si mundet Perëndia, sovraniteti i të cilit e mundëson të bëjë gjithçka që dëshiron (pika kyç e kalvinizmit), të mos shpëtojë ata që Ai “dëshiron” të shpëtohen?

Cili vjen në fillim, shpëtimi apo besimi?

Në asnjë vend, nga Zanafilla te Zbulesa, Bibla nuk mëson se njeriu mëkatar, pa u rilindur më parë, është i paaftë të pendohet nga mëkatet e tij, të kthehet te Perëndia dhe t’i besojë ungjillit për shpëtimin e shpirtit të tij. Përkundrazi, është shumë e qartë se besimi vjen përpara shpëtimit dhe është në fakt një kusht për shpëtim. Ka një seri vargjesh që pohojnë se ne shpëtohemi nëpërmjet besimit, duke besuar në Zotin Jezu Krisht ashtu siç paraqitet në ungjillin. Ky rend kronologjik nuk mund të mohohet:

  • Ai që beson […] do të jetë i shpëtuar… (Marku 16:16).
  • Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë (Lluka 8:12).
  • Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh … (Veprat 16:31).
  • Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson… (Romakëve 1:16).
  • Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin […] dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar […] veç nëse besuat kot (1 Korintasve 15:1, 2).
  • Jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit… (Efesianëve 2:8).
  • …për ata që do të besojnë në të për jetë të përjetshme (1 Timoteut 1:16).

Këto vargje nga Shkrimet janë të qarta. Prandaj, për të mbështetur “rilindjen përpara besimit” duhet të provohet se rilindja e lë një person akoma të pashpëtuar dhe kështu nën gjykimin e Perëndisë. Por kjo pikëpamje është jobiblike dhe e paarsyeshme.

Në vende të shumta Bibla pohon se të besosh në Krishtin sipas ungjillit (dhe vetëm duke besuar), ne marrim jetë të përjetshme nga Perëndia si dhuratë falas: “Që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16); “Ai që e dëgjon […] dhe beson […] ka jetë të përjetshme” (Gjoni 5:24); “Që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij” (Gjoni 20:31). Besimi është pa dyshim një kusht për të marrë dhuratën e jetës së përjetshme. A mund të “rilindë” dikush dhe të mbetet i pashpëtuar dhe pa “jetën në emër të tij”, që merret vetëm nëpërmjet besimit? Jo sipas Biblës! Atëherë, si mund të pararendë rilindja besimin?

Bibla mëson në mënyrë të qartë se në momentin (dhe jo një moment më parë) që dikush beson në Zotin Jezu Krisht dhe e pranon [Atë] si Shpëtimtarin që vdiq për mëkatet tona, ai person është lindur (rilindur nga Fryma e Perëndisë) në familjen e Perëndisë dhe është bërë një bir i Perëndisë. Sigurisht që nuk ka dy lloj jete që Perëndia i jep falas mëkatarëve: një nëpërmjet “rilindjes” së veçantë kalviniste dhe tjetrën në shpëtim nëpërmjet besimit. Jeta e përjetshme që merret si dhuratë nëpërmjet besimit në Krishtin s’mund të jetë tjetër veçse e njëjta jetë që merret kur lind sërish.

Me siguri, Krishti nuk i lë Nikodemit asnjë arsye të besojë se jeta e Perëndisë që merret nga Fryma e Shenjtë nëpërmjet lindjes së re të ndryshojë në ndonjë mënyrë nga jeta e përjetshme që merret nëpërmjet besimit në Të. Si mund të jetë “rilindja” diçka tjetër? Fakti që jeta e përjetshme vjen nëpërmjet besimit dhe se është vetëm me anë të lindjes së re tregon shumë qartë se besimi është kërkesa për të dhe kështu pararend rilindjen. Të besosh në Krishtin për shpëtim nuk është rezultati i rilindjes, por kushti thelbësor që ajo të ndodhë.

Varg pas vargu, në gjuhën më të qartë të mundshme, Bibla e vë besimin te ungjilli përpara rilindjes. Pali u thotë bijve të tij në besim: “Unë ju kam dhënë jetë në Krishtin Jezus, me anë të ungjillit” (1 Korintasve 5:14), ndërsa Pjetri pohon se ne jemi “ringjizur […] me anë të fjalës së Perëndisë […] fjala që ju është shpallur…” (1 Pjetrit 1:23-25).

Të lindësh sërish me anë të Fjalës së Perëndisë i referohet vetëm rilindjes apo ringjizjes, por Fjala e Perëndisë është e frytshme vetëm për ata që besojnë. Pali pohon i shtyrë nga frymëzimi i Perëndisë: “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë” (Romakëve 10:17) dhe madje ai e quan “fjala e besimit, që ne predikojmë” (vargu 8). Për ata që humbasin na thuhet se “fjala e predikimit nuk u dha dobi fare, sepse nuk qe e bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan” (Hebrenjve 4:2).

Në bazë të dëshmisë së bollshme nga Shkrimi, dalim në përfundimin e vetëm se besimi në Krishtin nëpërmjet ungjillit pararend rilindjen. Prandaj, lindja e re nuk ndodh me anë të një dekreti të Perëndisë pavarësisht nga të kuptuarit dhe besimit të ungjillit nga dikush, por si rezultat i kësaj. Doktrina që dikush duhet të lindë sërish (rilindë) përpara se të besojë është thjesht jobiblike.

Edhe Spërxhëni, pavarësisht nga pohimi i tij si një kalvinist i patundur, nuk mund të pranonte mësimin se rilindja vjen përpara besimit në Krishtin nëpërmjet ungjillit. Kalvinistët e citojnë kur i mbështet ata, por ata shpërfillin pohime si më poshtë:

Nëse më duhet t’i predikoj besimin në Krishtin atij njeriu që është i rilindur, atëherë ai njeri, duke qenë i rilindur, tashmë është i shpëtuar dhe është diçka e padomosdoshme dhe qesharake për mua t’i predikoj Krishtin atij dhe ta urdhëroj të besojë për t’u shpëtuar kur ai tashmë është shpëtuar, duke qenë i rilindur. A duhet t’u predikoj besimin vetëm atyre që tashmë e kanë? Me të vërtetë absurde! A nuk është kjo si të presësh që dikush të shërohet dhe më pas t’ia japim ilaçin? Kjo do të thotë t’i predikosh Krishtin të drejtit dhe jo mëkatarëve [35].

Kush mund të mohojë se argumenti i Spërxhënit është si biblik ashtu edhe i arsyeshëm? Gjithashtu nuk mund të mohohet se ai në të njëjtën kohë, edhe pse padashur, po mohonte thelbin e kalvinizmit që herë të tjera e kishte pohuar me vendosje.

Mbështetje biblike për shthurjen totale?

Kalvinisti, për të treguar se Bibla e mëson me të vërtetë shthurjen totale të njeriut si paaftësi, citon pjesë të Shkrimit si: “Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë” (Zanafilla 6:5; 8:21). Vargje të tjera që paraqiten si provë e pretenduar për këtë doktrinë përfshijnë Jeremia 17:9: “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme” dhe Romakëve 3:10-18: “Nuk ka asnjeri të drejtë […] asnjeri që të kërkojë Perëndinë […] asnjë që të bëjë të mirën […] nuk ka druajtje të Perëndisë para syve të tyre” dhe kështu me radhë.

Megjithatë, fakti që mendimet e njeriut janë veçse e keqja në çdo kohë, se zemra e tij gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme, dhe se ai as nuk kërkon Perëndinë, nuk thonë se ai është i paaftë, nëse së pari nuk rilindet nga Perëndia, të besojë ungjillin edhe sikur të jetë i bindur për këtë nga Fryma e Shenjtë. Pali mëson të kundërtën: “Ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar” (Romakëve 6:17). Në mënyrë të qartë, shërbëtorët e mëkatit iu përgjigjën urdhrit për t’u penduar dhe besuar në Krishtin dhe, si rezultat, u rilindën – u lindën nga Fryma e Perëndisë në familjen e Perëndisë dhe kështu u shpëtuan.

As pohimi se [nuk ka] “asnjeri që të kërkojë Perëndinë” nuk mohon se çdo njeri, sado i shthurur, nuk mund t’i përgjigjet me anë të zgjedhjes së zgjuar pa u rilindur më parë nëse Perëndia nuk e kërkon dhe e tërheq te vetja. Bibla as nuk mëson se Perëndia kërkon dhe tërheq te vetja vetëm një grup “të zgjedhurish” dhe asnjë tjetër. Në të vërtetë, shumë pjesë pohojnë se nën tërheqjen e Frymës së Shenjtë njeriu mëkatar mund të bëjë një përgjigje morale: “Tërhiqmë te ti! Ne do të rendim pas teje!” (Kantiku i Kantikëve 1:4); “Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj” (Jeremia 29:13); “Se [Perëndia] është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6). Kush ka etje, pavarësisht se sa i lig është, urdhërohet të kthehet te Zoti, dhe nuk na jepet asnjë tregues se kjo është e pamundur derisa Perëndia ta rilindë (Isaia 55:1-7).

Për më tepër, oferta e shpëtimit shtrihet te “mbarë skajet e tokës” (Isaia 45:22). Fakti që kjo ofertë nuk është vetëm për një grup të zgjedhur është i qartë. “Kush ka etje” na kujton për thirrjen e Krishtit: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë” (Gjoni 7:37). Të gjithë atyre që kanë etje u ofrohet i njëjti “ujë i gjallë” që Krishti i ofroi gruas te pusi (Gjoni 4:10). Dhe me të njëjtin premtim kush do mbyllet Bibla: “Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17).

Universalizimi i ofertës së Krishtit për shpëtim paraqitet në mënyrë të përsëritur në tërë Biblën; për shembull: “I predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15); dhe “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16) etj. Me siguri, “çdo krijese”, “botën” dhe “dikush” duhet të përfshijë të gjithë, pavarësisht se sa të shthurur janë.

Do të ishte një manipulim i konsiderueshëm të mbështesësh se oferta e shpëtimit shtrihet vetëm për të zgjedhurit, apo madje se vetëm të zgjedhurit mund të përgjigjen, dhe, edhe në këtë rast, jo më parë se të jenë rilindur në mënyrë sovrane. Pali e pohon këtë dëshirë të Perëndisë për të gjitha kombet kur u flet filozofëve grekë mbi kodrën e Marsit:

Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të […] ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre, që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh. Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj… (Veprat 17:24-28).

A është me të vërtetë e mundur se shprehjet që përdor Pali “të gjitha racat e njerëzve”, “secili prej nesh” dhe “ne” u referohen një grupi të zgjedhur për të cilin grekët nuk kishin dëgjuar? Përkundrazi, Pali po përfshin në mënyrë të qartë dëgjuesit dhe kundërshtarët e tij mbi kodrën e Marsit si pjesë e atyre që iu është dhënë jetë fizike nga Perëndia dhe që janë krijuar [nga Ai] dhe që mund ta kërkonin e gjenin Atë. Këtë kishin thënë poetët grekë të cilëve u referohet (me siguri ata filozofë nuk u ishin referuar të zgjedhurve) dhe Pali po u pohon këtë kuptim të përgjithshëm dhe shpalljen e personit të Perëndisë së vërtetë atyre, një Perëndi që “nuk është larg nga secili prej nesh”, i cili i urdhëron të gjithë njerëzit që ta kërkojnë Atë dhe i cili mund të gjendet nga të gjithë. Nuk ka asnjë sugjerim se shthurja e gjithsecilit dhe skllavëria ndaj mëkatit e bën të pamundur besimin në Krishtin pa u rilindur më parë në mënyrë sovrane.

A ka ndonjë paragjykim në veprim?

Nëse Perëndia ka si qëllim që tërë njerëzimi (pavarësisht se sa i shthurur është) ta kërkojë Atë dhe, nëse Ai duhet të kërkohet përpara se të gjendet, atëherë mund të dalim në përfundimin e vetëm se ata që nuk e kanë gjetur Perëndinë dhe kështu nuk janë rilindur janë të aftë për një kërkim të vërtetë të Perëndisë ndërsa Ai i tërheq të tërë njerëzit te vetja (Gjoni 12:32). Përfundimi i Kalvinizmit (se njeriu, për shkak të shthurjes së tij, duhet të rilindë përpara se të besojë apo të kërkojë Perëndinë) është në kundërshtim me mësimin e qartë të Shkrimit – një fakt që do të trajtohet më në hollësi në kapitujt që vijojnë.

Kalvinistët citojnë zakonisht Gjonin 1:13 si provë se paaftësia e pretenduar e njeriut për shkak të shthurjes së tij totale kërkon që ai duhet së pari të rilindë përpara se të besojë ungjillin apo të pranojë Krishtin si Shpëtimtarin e tij. Vargu flet për ata “të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia”. Kalvini, duke komentuar këtë varg, shkruan: “Prandaj rrjedh, së pari, se besimi nuk rrjedh nga vetja jonë, por është fryti i rilindjes frymërore; sepse ungjilltari [Gjoni] pohon se asnjë njeri nuk mund të besojë derisa ai të lindë nga Perëndia; dhe për këtë arsye besimi është një dhuratë hyjnore” [36]. Në fakt, përfundimi i Kalvinit nuk rrjedh fare nga kjo pjesë. Ai po lexon në tekst diçka që nuk ndodhet aty për të mbështetur doktrinën e tij. Në të vërtetë, ai e përdor kontekstin së prapthi.

Konteksti e bën shumë të qartë atë që nënkupton Gjoni: “Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin [të drejtën apo privilegjin] të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (vargjet 11 e 12). Populli i tij, judenjtë, e refuzuan Krishtin. Megjithatë, në dallim me ata që nuk e pranuan, të gjithë ata që e pranuan Atë dhe besuan në emrin e Tij, si rezultat i pranimit të Tij dhe besimit, u jepet e drejta të bëhen bij të Perëndisë. Kjo lindje e re (vargu 13), me anë të një vepre të Perëndisë që i rilind në familjen e Tij nëpërmjet Frymës së Tij është për ata që kanë pranuar Krishtin dhe kanë besuar “në emrin e tij” (vargu 12). Do ta trajtojmë këtë më në hollësi në kapitullin 21.

A është Perëndia i sinqertë?

Nëse doktrina e shthurjes totale, ashtu siç përkufizohet nga TULIP-i, është e vërtetë, atëherë nga Zanafilla te Zbulesa do të kishim kontradiktën e Perëndisë që lutet vit pas viti, shekull pas shekulli, për pendimin nga një vargan në dukje i pafund i miliarda njerëzve, të cilët (duke qenë plotësisht të shthurur) janë të paaftë të pendohen dhe të cilët Ai tashmë i ka paracaktuar për mundim të përjetshëm nga përjetësia në të kaluarën. Ai do të paraqitej në Shkrimet si lutës ndaj njerëzve që të pendohen dhe të kthehen tek Ai ata të cilët i ka krijuar të shthurur në mënyrë të pashpresë, të cilët nuk mund të pendohen nëse së pari nuk i ka rilindur dhe ndaj të cilëve nuk u jep rilindjen dhe hirin që kanë nevojë për t’u kthyer tek Ai dhe për të cilët nuk ka patur qëllim t’i shpëtojë. Një skenar i tillë e kthen pjesën më të madhe të Biblës në një parodi dhe vë në lojë zgjuarsinë dhe ndërgjegjen e arsyeshme të cilën Perëndia i ka dhënë njerëzimit.

Megjithatë kalvinisti “i matur” pretendon se pohon, në dallim me “hiperkalvinistin”, se Perëndia u ofron sinqerisht shpëtimin të gjithëve. U ofron sinqerisht shpëtimin atyre për të cilët Krishti nuk vdiq dhe të cilët i ka paracaktuar për mundim të përjetshëm? Kjo është çmenduri. Megjithatë, kalvinistët, të cilët pranojnë me ndershmëri se Perëndia i kalvinizmit nuk do tërë njerëzimin dhe nuk u ofron me të vërtetë shpëtimin të gjithëve nëpërmjet ungjillit, quhen “hiperkalvinistë”. Ky titull është një marifet nga “të moderuarit” për t’i shpëtuar të vërtetës së tmerrshme!

Nëse, për shkak të “shthurjes totale”, njeriut i mungon aftësia të përgjigjet pa rilindjen si vepër sovrane të Perëndisë, atëherë të gjithë lutjet e Perëndisë janë në mënyrë të qartë të kota dhe të pakuptueshme. Nuk ka dyshim se, nëse kalvinizmi do të ishte i vërtetë, nuk do të kishte arsye që Perëndia të nxiste njerëzit të pendoheshin – megjithatë, Ai e bën një gjë të tillë. Rilindja si vepër sovrane e Perëndisë supozohet të mos kërkojë fare besim apo ndonjë pjesëmarrje çfarëdo nga ana e njeriut. Kështu, tërë historia e marrëveshjeve të Perëndisë me njeriun, ashtu siç paraqitet në Bibël, humbet besueshmërinë.

Kalvinizmi na çon në një qorrsokak të paarsyeshëm. Perëndia nuk ka pse t’u lutet të zgjedhurve, të cilët tashmë i ka paracaktuar për shpëtim, një shpëtim të cilin Ai e bën të frytshëm gjoja në mënyrë sovrane përpara se të ushtrohet njëfarë besimi nga ana e tyre. Është akoma më e paarsyeshme që Perëndia t’u paraqesë ungjillin dhe t’u lutet të pazgjedhurve, të cilët nuk mund ta besojnë nëse nuk janë rilindur në mënyrë sovrane, por të cilët Ai nuk do t’i rilindë, duke qenë tashmë të dënuar nga dekreti i Tij hyjnor. Megjithatë, Ai vazhdon të lutet dhe t’i fajësojë ata që nuk pendohen, edhe pse nuk u jep atyre hirin thelbësor që u jep vetëm të zgjedhurve! Dhe ky është vetëm një prej shtrembërimeve të mëdha të kalvinizmit ndaj Perëndisë.

Mospërputhja e Kalvinit

Kalvini, në diskutimet e tij rreth shthurjes totale, duket ndonjëherë i pështjelluar dhe i paaftë të lidhë mirë idetë e tij. Ai teorizonte se njeriut plotësisht i shthurur nga natyra e do të vërtetën, por jo sa duhet; përsëri, ai ka dhunti të mëdha nga Krijuesi i tij dhe çfarëdo të vërtete që ka, vjen nga Perëndia – megjithatë, ai nuk mund të njohë plotësisht të vërtetën dhe të shpëtohet. Mbetemi të habitur me domethënien e saktë të kësaj terminologjie dhe se ku pohohet në Shkrimet e Shenjta. Kalvini, herë të tjera, kundërshton vetveten rreth kësaj doktrine bazë dhe në disa vende madje tregon se “totale” nuk do të thotë me të vërtetë totale. Për shembull, Kalvini u mor me spekulimin e mëposhtëm pështjellues, i cili duket se lëkundet në anën e shthurjes totale, ndeshet në anë ndonjëherë, pastaj rimerr veten:

Mendja njerëzore […] ndikohet në mënyrë natyrore nga dashuria e së vërtetës [por] kjo dashuri e së vërtetës dështon përpara se të arrijë qëllimin [megjithatë] përpjekjet e njeriut nuk janë gjithmonë aq shumë të pafrytshme sa për të mos çuar në asnjë rezultat […] dhe zgjuarsia e ngulitur në mënyrë natyrore […] duhet të drejtojë çdo individ që vetë ta pranojë atë si një dhuratë të veçantë nga Perëndia….

Prandaj […] mendja njerëzore, edhe pse shumë e rënë dhe e shthurur nga integriteti [moral] origjinal, zbukurohet dhe vishet akoma me dhurata të admirueshme nga Krijuesi i saj.

Ai […] me anë të virtytit të Frymës […] ka patur kënaqësinë të na ndihmojë […] me talente të mëdha për hetimin e së vërtetës [por] duke mos u mbështetur në një themel të fortë të së vërtetës…. Zoti u ka dhënë [filozofëve] njëfarë perceptimi të largët të hyjnisë së tij, që ata të mos e përdorin paditurinë si një justifikim për paperëndishmërinë e tyre dhe, herë pas here, i ka shtyrë të shpallin disa të vërteta, rrëfimi i të cilave duhet të jetë dënimi i tyre…. Mprehtësia e tyre nuk është e tillë sa t’i drejtojë tek e vërteta, aq më pak t’i aftësojë ta arrijnë atë, por i përngjan asaj të një udhëtari të shushatur….

Një apostull shpall: “Kur johebrenjtë […] nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata […] tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre…” (Romakëve 2:14, 15) [po kështu] ne sigurisht nuk mund të themi se ata janë tërësisht të verbë [37].

Këtu mbretërojnë pështjellimi dhe kontradiktat. A është njeriu plotësisht i shthurur apo jo? Nëse është, çfarë do të thotë kjo me saktësi? Besimi se njeriu natyror nuk i kupton gjërat e Perëndisë nëse nuk i janë zbuluar atij nga Perëndia nuk mund të mohohet – Bibla e thotë një gjë të tillë. Kjo është e vërtetë për çdo gjë që kemi; gjithçka vjen nga Perëndia:

  • Ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë […] sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi… (Veprat 17:25, 28).
  • Çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi (Jakobi 1:17).

Por Kalvini, pa përligjje biblike, paraqet idenë e niveleve: të gjithë njerëzit nga natyra marrin shumë të vërtetë nga Perëndia, por në nivele të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre nuk marrin sa duhet – një sasi dhe cilësi e tillë e hirit është vetëm për të zgjedhurit. Njeriu i parilindur mund të shohë, megjithatë është i verbër – por jo plotësisht i verbër. Çfarë do të thotë saktësisht Kalvini me këtë? Ne mbetemi të çuditur.

Përballë një zgjedhjeje

Kalvinistët e kundërshtojnë pohimin se njeriu natyror “nuk është aq plotësisht i shthurur sa të mos e dëgjojë zërin e Perëndisë dhe të shkojë te Krishti”. Ata përgjigjen: “Plotësisht i shthurur është plotësisht i shthurur. Nuk ka kuptim të thuash se njeriu nuk është aq plotësisht i shthurur”. Shthurja totale jo vetëm që nuk është një koncept biblik, por siç e tregojnë citimet e mësipërme, vetë Kalvini tha se njeriu nuk është aq plotësisht i shthurur sa të mos pranojë një pjesë të së vërtetës nga Perëndia; ai nuk e merr të tërë të vërtetën, sepse Perëndia nuk ia lejon. Pse? Dhe ku e thotë Bibla këtë? Kalvini thotë se Perëndia e mban të vërtetën për “ta bërë njeriun të pajustifikueshëm…”. Kjo është njësoj sikur të sakatosh një njeri për ta bërë atë të pajustifikueshëm që të mos vrapojë shpejt apo të kërcejë shumë lart!

Kalvini thotë se e vërteta vjen vetëm nga Fryma e së vërtetës, kështu që çfarëdo të vërtete që ka njeriu, e ka nga Perëndia. Atëherë, nëse Perëndia u jep të gjithë njerëzve një pjesë të së vërtetës, pse nuk ua jep mjaftueshëm për ta njohur dhe ndjekur Atë? Me siguri Perëndia mund t’i japë tërë njerëzimit aq shumë të vërtetë sa dëshiron t’u japë. Kalvini nuk mund të na tregojë se njeriu nga natyra e ka aftësinë për këtë pjesë të së vërtetës, por jo për aq shumë. Si u përkufizua përsëri shthurja si paaftësi, e cila nuk është totale, por mjafton për të dënuar shpirtin? Nuk ka asgjë në Shkrimet e Shenjta që të mbështetë një spekulim të tillë.

Kur Pjetri i rrëfeu Jezusit: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë”, Jezusi i tha atij: “Këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej” (Mateu 16:15-17). Pjetri duhet të ketë qenë një njeri natyror plotësisht i shthurur kur Ati i zbuloi Krishtin. Të jemi të sigurt që ai nuk kishte lindur akoma nga Fryma. Edhe pse ai e pranoi Jezusin si Krishti, atij akoma i mungonte perceptimi se Krishti do të vdiste për mëkatet e tij. Prandaj, a nuk mundet Ati t’ia zbulojë Krishtin kujtdo ashtu siç bëri me Pjetrin? Pse jo? Me siguri Pjetri kishte patur një zbulim nga Ati rreth Krishtit përpara se të rilindte.

Për gjithë rëndësinë që kalvinizmi i vë doktrinës së shthurjes totale, meqenëse ajo është kushti i supozuar i tërë njerëzimit dhe të zgjedhurit janë çliruar nga ajo, të jesh plotësisht i shthurur nuk është ajo që i mbaj njerëzit në errësirë, por refuzimi nga Perëndia i dritës së nevojshme. Të humburit mbahen larg qiellit jo vetëm për shkak të mëkateve të tyre (për të cilat ka një rrugëzgjidhje), por për shkak të refuzimit nga Perëndia të hirit që kanë nevojë për shpëtim, sepse Ai tashmë i ka paracaktuar ata për mundim të përjetshëm – një kusht i pamundur për t’i dhënë një zgjidhje!

Duke ditur atë që na thotë Bibla rreth marrëveshjeve të Perëndisë me njeriun dhe doktrina kalviniste e paaftësisë së njeriut për të besuar, mbeten vetëm dy zgjedhje: ose ta paditim Perëndinë e pafund me [akuzën] se vepron në mënyrë jo të sinqertë dhe me dashuri e hir të kufizuar, ose të pranojmë se kalvinizmi e ka gabim. Në fakt, kjo çon në një përfundim tjetër po aq shkatërrues për kalvinizmin, që do të shihet në kapitullin tjetër.

[[1]] Kanunet e Dortit (Dordrecht, Holandë, 1619), III, IV:3. C. Sproul, Chosen by God (Carol Stream, IL: Tyndale House Publishers, Inc., 1986), 10.[[11]]



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa
  2. Garrett P. Johnson, “The Myth of Common Grace”, The Trinity Review, March/April 1987, l. ↵ Kthehu mbrapa
  3. Johnson, “Myth”. ↵ Kthehu mbrapa
  4. Cornelius Van Til, Common Grace and the Gospel (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Company, 1973), 165-166; cituar te Johnson, “Myth”. ↵ Kthehu mbrapa
  5. Frank B. Beck, The Five Points of Calvinism (Lithgow, Australia: Covenanter Press, botimi i dytë australian, 1986), 9. ↵ Kthehu mbrapa
  6. Dave Breese, “The Five Points of Calvinism” (letër e vetë botuar, n. d.). ↵ Kthehu mbrapa
  7. Kenneth G. Talbot and W. Gary Crampton, Calvinism, Hyper-Calvinism and Arminianism (Edmonton, AB: Still Waters Revival Books, 1990), 20. ↵ Kthehu mbrapa
  8. Edwin H. Palmer, the five points of calvinism (Grand Rapids, MI: Baker Books, botimi i zgjeruar, 20th prtg. 1999), 19; cituar Martin Luther, The Bondage of the Will, përkth. 1. I. Packer and O. R. Johnston (Grand Rapids, MI: Fleming H. Revell, 1957), 319. ↵ Kthehu mbrapa
  9. Po aty, 19. ↵ Kthehu mbrapa
  10. [[3]] John MacArthur, Jr., The Love of God (Dallas, TX: Word Publishing, 1996).[[3]]

    ↵ Kthehu mbrapa

  11. H. Spurgeon, “The Warrant of Faith” (Pasadena, TX: Pilgrim Publications, 1978), 3. Libërth me një mesazh nga një grupazh prej 63 vëllimesh. ↵ Kthehu mbrapa
  12. John MacArthur, kasetë, “The Love of God, Part 5, Romans 9”(Grace To You, 90-81, 1995). ↵ Kthehu mbrapa
  13. John Calvin, Institutes of the Christian Religion, përkth. Henry Beveridge (Grand Rapids, MI: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, botimi i vitit 1998 ), II: XVII, I. ↵ Kthehu mbrapa
  14. Spurgeon, “The Warrant of Faith”, 3. ↵ Kthehu mbrapa
  15. Calvin, Institutes, III: iii. ↵ Kthehu mbrapa
  16. David J. Engelsma, “The Death of Confessional Calvinism in Scottish Presbyterianism”, The Standard Bearer, 1 dhjetor 1992, 103. ↵ Kthehu mbrapa
  17. David J. Engelsma, A Defense of Calvinism as the Gospel (The Evangelism Committee, Protestant Reformed Church, n. d.), 18. ↵ Kthehu mbrapa
  18. Homer Hoeksema, Reformed Dogmatics (Grandville, MI: Reformed Free Publishing Association, 1966), 464. ↵ Kthehu mbrapa
  19. Douglas Moo, The Epistle to the Romans (Grand Rapids, MI: Wm B. Eerdmans Publishing Co., 1996), 488. ↵ Kthehu mbrapa
  20. Arthur C. Custance, The Sovereignty of Grace (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1979), 18. ↵ Kthehu mbrapa
  21. Frederic W. Farrar, History of Interpretation (New York: E. P. Dutton and Co., 1886), 24. ↵ Kthehu mbrapa
  22. John MacArthur, The MacArthur Study Bible (Dallas, TX: Word Publishing, 1997), 1617. ↵ Kthehu mbrapa
  23. Palmer, five points, 16. ↵ Kthehu mbrapa
  24. Cituar te A Faith to Confess: The Baptist Confession of Faith of 1689, Rewritten in Modem English (Carey Publications, 1986); cituar te James R. White, The Potter’s Freedom (Amityville, NY: Calvary Press Publishing, 2000), 78. ↵ Kthehu mbrapa
  25. White, Potter’s, 101. ↵ Kthehu mbrapa
  26. Arthur W. Pink, The Sovereignty of God (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 2nd prtg. 1986), 149. ↵ Kthehu mbrapa
  27. 1. Packer, “Sola Fide: The Reformed Doctrine of Justification” (www.the-highway.com/Justification _Packer.html). ↵ Kthehu mbrapa
  28. Dort, Canons, III, IV:3. ↵ Kthehu mbrapa
  29. Sproul, Chosen, 72. ↵ Kthehu mbrapa
  30. Pink, Sovereignty, 50. ↵ Kthehu mbrapa
  31. Westminster Confession of Faith (Londër: n. p. 1643), III: iii, v, vii. ↵ Kthehu mbrapa
  32. Sproul, Chosen, 32. ↵ Kthehu mbrapa
  33. H. Spurgeon, Metropolitan Tabernacle Pulpit, vëll. 26, 49-52. ↵ Kthehu mbrapa
  34. H. Spurgeon, “The Warrant of Faith” (Pasadena, TX: Pilgrim Publications, 1978), 3. Libërth me një mesazh nga një grupazh prej 63 vëllimesh. ↵ Kthehu mbrapa
  35. John Calvin, Commentary on the Gospel According to John (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1984), 43; cituar te White, Potter’s, 182-183. ↵ Kthehu mbrapa
  36. Calvin, Institutes, II: ii, 12-22. ↵ Kthehu mbrapa