[no_toc]Në intervale të ndryshme të historisë njerëzore, Perëndia bëri marrëveshje ose besëlidhje me njerëzimin. Disa prej tyre, si Ligji, ishin besëlidhje të kushtëzuara. Perëndia do ta mbante pjesën e Tij të besëlidhjes, po qe se ata do të mbanin të tyren. Besëlidhjet e kushtëzuara ishin «të vështira për t’u mbajtur» dhe njerëzit patjetër dështuan në plotësimin e kushteve.
Për fat të mirë, shumica e besëlidhjeve hyjnore ishin të pakushtëzuara. Në to, gjithçka varej në Zotin dhe kjo garanton përmbushjen e tyre.
Shumica e besëlidhjeve u bënë me Abrahamin dhe pasardhësit e tij. Asnjë prej tyre nuk është bërë në mënyrë direkte me Kishën, megjithëse Kisha përfshihet në disa prej tyre, siç do ta shohim më poshtë.
Edeni (Zanafilla 1:28-30; 2:16-17)
Besëlidhja Edenike e bëri njeriun, në pavetëdijen e tij, të ishte i përgjegjshëm për shumëzim, për të populluar tokën dhe për ta nënshtruar atë. Atij iu dha pushtet të sundonte mbi gjithë kafshët. Ai duhej të kujdesej për kopshtin dhe të hante nga gjithë prodhimtaria prej tij, përveç frutit të njohurisë të së mirës dhe të ligës. Mosbindja për të zbatuar këtë urdhëresë do të rezultonte në vdekje. Kështu, kjo ishte një besëlidhje me kushte.
Adami (Zanafilla 3:14-19)
Pas rënies së njeriut në mëkat, Perëndia e mallkoi gjarprin dhe tregoi për armiqësinë midis gjarprit dhe gruas, midis Satanit dhe Krishtit. Satani do t’i linte plagë Krishtit, por Krishti do ta shkatërronte Satanin. Gruaja do të përjetonte dhimbjet e lindjes dhe do të ishte nën autoritetin e burrit. Toka u mallkua: njeriu do të mundohej së tepërmi me gjembat dhe ferrat në kultivimin e saj. Kjo botë do të përfshinte djersë dhe lodhje dhe përfundimisht njeriu do të kthehet në pluhur, nga i cili erdhi.
Noeu (Zanafilla 8:20 – Zanafilla 9:27)
Perëndia i premtoi Noeut se Ai nuk do ta mallkonte përsëri tokën me ndonjë përmbytje, kështu krijoi ylberin si një garanci. Dënimi me vdekje i kësaj besëlidhjeje për rastet e krimeve, tregon se do të ketë qeverisje, e cila do t’i gjykonte këto raste dhe do të jepte gjykimin e duhur. Kështu, në të vërtetë, besëlidhja me Noeun përbën fillimin e qeverisjes njerëzore. Perëndia siguroi rregullin e periudhave të kohës dhe të stinëve, drejtoi njeriun të popullonte tokën dhe riafirmoi zotërimin e tij mbi krijesat më të ulëta. Tani njeriu mund t’i shtonte edhe mish dietës së tij të mëparshme vetëm prej perimesh. Për sa u përket pasardhësve të Noeut, Perëndia e mallkoi djalin e Kamit, Kanaanin, duke e bërë shërbëtor të Semit dhe të Jafetit. Ai e favorizoi Semin, të cilin siç e dimë, është në gjenealogjinë e Mesias. Jafeti do të shtohej së tepërmi dhe to të jetonte në tendat e Semit. Besëlidhja me Noeun ishte pa kushte dhe kurrë nuk është thyer. Ajo ishte për «të gjithë brezat e ardhshëm» (Zanafilla 9:12).
Abrahami (Zanafilla 12:1-3; 13:14-17; 15:1-5; 17:1-8)
Kjo besëlidhje përfshin premtimet pa kushte të bëra me Abramin, (më vonë i quajtur Abraham) dhe me pasardhësit e tij: një komb i madh (Izraeli); bekime personale; një emër të madh; një burim bekimesh për të tjerët (Zanafilla 12:2). Bekime hyjnore për miqtë e tij dhe mallkime mbi armiqtë e tij; bekime për të gjitha kombet (e përmbushur nëpërmjet Krishtit) (Zanafilla 12:3). Zotërim të përjetshëm të tokës fillimisht të njohur si Kanaani dhe më vonë si Izraeli dhe Palestina (Zanafilla 15:18). Bekime të panumërta në pasuri natyrore dhe frymërore (Zanafilla 13:16; 15:5). Ati i shumë kombeve dhe i mbretërve (nëpërmjet Ismaelit dhe Isakut) (Zanafilla 17:4, 6). Një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë (Zanafilla 17:7b).
Ligji, gjithashtu i njohur si Besëlidhja me Moisiun (Eksodi 19:5; kapitujt 20-31)
Në kuptimin e gjerë të fjalës, Ligji i Moisiut përfshin 10 Urdhëresat, të cilat përshkruajnë detyrat e njeriut para Perëndisë dhe ndaj fqinjit të tij (Eksodi 20:1-26); një seri rregullash në lidhje me jetën e kombit të Izraelit (Eksodi 21:1 – Eksodi 24:11); dhe shugurime të detajuara në lidhje me jetën fetare (Eksodi 24:12 – Eksodi 31:18). Ligji iu dha kombit të Izraelit dhe jo kombeve të tjerë dhe u konfirmua me gjak (Eksodi 24:8; Heb. 9:19-20). Kjo ishte një besëlidhje me kushte, e cila kërkonte që njeriu të bindej dhe kështu kjo «ishte pa forcë për shkak të mishit» (Rom. 8:3a). Ligji nuk u dha për të siguruar shpëtim, por për të bindur njerëzit për mëkatet dhe dështimin e tyre (Rom. 3:20b). Nëntë nga Dhjetë Urdhëresat janë përsëritur në Dhiatën e Re (Shabati nuk është përfshirë) jo si ligj me një dënim të bashkëngjitur, por si një sjellje e përshtatshme për ata që janë shpëtuar me anë të hirit. I krishteri është nën hirin, jo nën ligjin, por ai është «nën ligjin» e Krishtit (1 e Korintasve 9:21), një përkufizim shumë më i lartë. Ligji nuk e anuloi Besëlidhjen me Abrahamin (Gal. 3:17-18).
Palestina (Ligji i Perterire 28:1; 29:1 – Ligji i Perterire 30:20)
Kjo besëlidhje gjendet në formën e bërthamës në Zanafilla 15:18, kur Perëndia i premtoi Abrahamit tokën «nga lumi i Egjiptit (Përroi i Egjiptit, jo lumi i Nilit) deri te lumi i madh, Lumi i Eufratit». Kjo parashikon shpërndarjen e Izraelit në kombet e tjerë përreth për arsye të mosbindjes dhe pabesnikërisë, kthimin te Zoti në Ardhjen e Dytë të Tij, pendimin dhe shpëtimin e tyre, dënimin e armiqve të tyre dhe banimin e sigurt në këtë tokë nën sundimin e Mesias.
Izraeli asnjëherë nuk e ka zotëruar plotësisht këtë tokë. Gjatë sundimit të Salomonit, kombe në lindje të Izraelit paguan taksa (1 i Mbreterve 4:21, 24), por kjo nuk mund të konsiderohet si zotërim apo pushtim i kësaj toke. Përmbushja e Besëlidhjes Palestinase akoma është në të ardhmen.
Davidi (2 i Samuelit 7:1-17)
Perëndia i premtoi Davidit se mbretëria e Tij, jo vetëm që do të ekzistonte përgjithmonë, por do të kishte edhe pasardhës që do të uleshin në fron (2 i Samuelit 7:12-16). Kjo ishte një besëlidhje pa kushte, e cila nuk varej aspak nga bindja apo drejtësia e Davidit. Krishti është trashëgimtari i ligjshëm i fronit të Davidit që me Salomonin, ashtu siç e shohim qartë në gjenealogjinë e Jozefit në Mateun1. Jozefi e adoptoi Jezusin si bir të tijin. Krishti është pasardhësi në linjën e pasardhësve të Davidit duke filluar me Nathanin, siç e shohim në gjenealogjinë e Marias në Llukën 3. Meqë Ai jeton përgjithmonë, atëherë nuk mund të ketë ndonjë pretendues tjetër për fronin. Mbretëria e Tij është e përjetshme. Sundimi i Tij 1000 vjeçar do të pasohet nga mbretëria e përjetshme.
Salomoni (2 i Samuelit 7:12-15 dhe 1 i Mbreterve 9:1-28 dhe 2 i Kronikave 7:1-22)
Besëlidhja me Salomonin ishte pa kushte për sa i përket mbretërisë së përjetshme, por me kushte për sa u përket pasardhësve që do të uleshin në fron (1 i Mbreterve 9:4-5 dhe 2 i Kronikave 7:17-18). Njëri nga pasardhësit e Salomonit, Koniahu (gjithashtu i quajtur Jekoniahu dhe Jehojakini), e la pa fëmijë që të mos kishte ndonjë pasardhës fizik për t’u ulur në fronin e Davidit (Jer. 22:30). Jezusi nuk është pasardhës i Salomonit, siç e pamë më lart. Përndryshe Ai do të ishte nën mallkimin e Koniahut.
Besëlidhja e Re (Jer. 31:31-34; Heb. 8:7-12; Lu. 22:20)
Besëlidhja e Re është bërë me shtëpinë e Izraelit dhe shtëpinë e Judas (Jer. 31:31) dhe ia kalon Besëlidhjes së Vjetër (Moisiu). Kjo ka një priftëri më të mirë, një kryeprift më të mirë, flijim më të mirë, altar më të mirë dhe qëndron në premtime më të mira (Heb. 7-9; Heb. 13:10). Ishte akoma në të ardhmen kur Jeremia shkroi për të (Jer. 31:31a). Kjo nuk ishte besëlidhje me kushte, si Ligji i Moisiut, të cilin Izraeli e shkeli (Jer. 31:32). Në të Perëndia premton pa kushte (vini re përsëritjen e shprehjes «Unë do të»: rilindjen e Izraelit në të ardhmen (Eze. 36:25-26); brendabanimin nga Fryma e Shenjtë (Eze. 36:27); një zemër që do të bëjë vullnetin e Perëndisë (Jer. 31:33a); njohuri të përgjithshme të ligjit në Izrael (Jer. 31:34a); falje dhe moskujtim të mëkateve (Jer. 31:34b); dhe vazhdimësi të kombit përgjithmonë (Jer. 31:35-37).
Izraeli, si komb nuk i ka shijuar akoma privilegjet e besëlidhjes së re, por kjo do të ndodhë me Ardhjen e Dytë. Ndërkohë, besimtarët e vërtetë gëzojnë disa nga bekimet e besëlidhjes. Ata shijojnë faljen edhe moskujtimin e mëkateve (Heb. 10:16-17) dhe iu është dhënë fuqi për të përmbushur kërkesat e drejta të ligjit (Rom. 8:4). Fakti se Kisha ka të bëjë me Besëlidhjen e Re shihet në Darkën e Zotit, ku kupa simbolizon besëlidhjen dhe gjakun, me anë të të cilit kjo besëlidhje u dekretua (Luka 22:20 dhe 1 e Korintasve 11:25){{1}}. Gjithashtu Pali iu referua vetvetes dhe apostujve të tjerë si «shërbyes të një besëlidhjeje të re» (2 e Korintasve 3:6), duke nënkuptuar Ungjillin e hirit të Perëndisë.
[[1]]J. N. Darbi ka theksuar se Kisha e njeh në mënyrë personale Ndërmjetësin e Besëlidhjes së Re, që është më e mirë se të ishte subjekti kryesor i besëlidhjes së Re.[[1]]