Brendabanimi, pagëzimi dhe mbushja


[no_toc]Kur studiojmë doktrinën e Frymës së Shenjtë, ne zbulojmë se duhet të kemi parasysh disa dallime të rëndësishme. Ne duhet të kemi parasysh dallimin midis brendabanimit, pagëzimit dhe mbushjes me Frymën e Shenjtë. Duhet të kuptojmë se pagëzimi me Frymën nuk është i njëjtë si pagëzimi me zjarr. Gjithashtu duhet të bëjmë dallimin midis mbushjes sovrane me Frymën dhe përgjegjësisë tonë.

Brendabanimi

Sapo që një person të lindë përsëri, Fryma e Shenjtë e Perëndisë brendabanon në trupin e tij (1 e Korintasve 6:19). «A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia dhe se nuk i përkitni vetvetes»? Një njeri që nuk e ka Frymën nuk është me të vërtetë i krishterë (Rom. 8:9b). Menjëherë sapo Personi i tretë i Trinisë brendabanon një njeri, Ai kurrë nuk e braktis atë (Gjoni 14:16). Si e dimë se Ai është në ne? Ne e dimë menjëherë, sepse kështu thotë Fjala e Perëndisë. Por ndërsa koha kalon, ne e dimë nëpërmjet ndryshimeve që Ai sjell në jetën tonë. Brendabanimi nuk është një çështje ndjenjash, megjithëse ndjenjat përfshihen në të. Ne asnjëherë nuk na kërkohet të lutemi për brendabanimin ose të presim për të. Ne e marrim atë sapo që të besojmë në Zotin Jezu Krishtin.

Pagëzimi me Frymën

Përsa i përket pagëzimit me Frymën, teksti kryesor gjendet në 1 e Korintasve 12:13:

Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetëm në të njëjtin trup, qofshin Hebrenjtë apo Grekët, qofshin skllevërit a të liruarit dhe të gjithë kemi pirë në të njëjtin Frymë.

Këtu ne mësojmë se pagëzimi është shërbimi i Frymës, i cili e bën besimtarin pjesë të trupit të Krishtit, domethënë pjesë të Kishës. Pagëzimi fillestar ndodhi në Ditën e Rrëshajave kur Kisha u formua. Që atëherë, sa herë që një njeri shpëtohet, ai bëhet pjesë e Kishës nëpërmjet pagëzimit në Frymën.

Me një fjalë, të gjithë besimtarët e kanë marrë këtë pagëzim pa marrë parasysh racën apo kombësinë e tyre. Ai është i njëhershëm me rilindjen dhe jo rrjedhojë e saj dhe nuk është e nevojshme të përsëritet prapë në jetën e krishterë.

Askush nuk është urdhëruar të pagëzohet me Frymën. Kjo ndodh menjëherë sapo mëkatari e pranon Shpëtimtarin. Ajo nuk është një përvojë emocionale. Ne e dimë se kjo ndodh sepse Bibla na tregon këtë.

Pagëzimi me zjarr

Pagëzimi me zjarr nuk është i njëjtë si pagëzimi me Frymën. Ky është një pagëzim gjykimi dhe jo një pagëzim bekimi apo privilegji.

Kur Gjon Pagëzori po fliste para një turme besimtarësh dhe jobesimtarësh, ai tha: «Ai (Krishti) do t’ju pagëzojë me zjarrin» (Mt. 3:11; Luka 3:16). Gjoni pastaj vazhdon të shpjegojë se pagëzimi me zjarr është gjykimi hyjnor:

Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm (Luka 3:17; shih gjithashtu Mt. 3:12).

Konteksti na shpjegon se zjarri është gjykim. Kjo nuk është një gjë e bukur ose entuziazëm i këndshëm!

Por kur nuk përmenden jobesimtarët, Gjoni thotë: «Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë» (Marku 1:8; Gjoni 1:33). Ai as që e përmend zjarrin.

Pagëzimi me Frymën është një përjetim në të kaluarën për besimtarët. Pagëzimi me zjarr është një ngjarje në të ardhmen për jobesimtarët.

Dy aspektet e mbushjes me Frymën

Mbushja me Frymën e Shenjtë përdoret në dy kuptime në Dhiatën e Re. Po qe se nuk e vëmë re këtë, ne do ta kemi të vështirë të bëjmë lidhjen midis pjesëve të ndryshme të Shkrimeve të Shenjta për sa i përket kësaj teme.

Së pari, është ajo që ne mund ta quajmë mbushje «sovrane». Për shembull, në Shkrimet e Shenjta lexojmë se Gjon Pagëzori ishte «i përplotë me Frymën që në barkun e së ëmës» (Luka 1:15b). Sigurisht që Gjonit nuk i duhej të plotësonte ndonjë kusht për t’u mbushur me Frymën! Perëndia në sovranitetin e Tij e bëri këtë për ta përgatitur Pagëzorin për shërbimin e tij të veçantë si pararendës i Mesias.

Raste të tilla të ngjashme të mbushjes sovrane gjenden në Veprat e Apostujve. Ja dy prej tyre: Pjetri ishte mbushur me Frymën për tu përgatitur për fjalimin para drejtuesve të Këshillit të Lartë të Izraelit (Veprat e Apostujve 4:8-12).

Dhe ngaqë Zoti e mbushi Palin me Frymën e Shenjtë, u bë e mundur që apostulli të denonconte Elimasin, magjistarin (Veprat e Apostujve 13:9-11).

Mbushuni me Frymën

Mbushja tjetër është ndryshe nga ajo më lart. Është një urdhëresë për secilin besimtar dhe ishte në dorën e tij. Teksti i artë rreth kësaj teme gjendet në Efesianeve 5:18: «Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymën».

Folja «mbushuni» nënkupton një detyrë të vazhdueshme, jo një përjetim të vetëm të Frymës së Shenjtë [1]. Kjo është vënë në kontrast me shthurje nga të qenurit i dehur me verë [2]. Kini parasysh ç‘ka vijon më poshtë:

I dehuri me verë

I mbushuri me Frymën

Flet duke bëlbëzuar, ndoshta pa kuptim.

Ecën duke u përkundur dhe anuar.

Kontrollohet nga alkooli.

Humbet vetë-kontrollin.

I mungon morali.

Nuk i reziston mëkatit.

I paturpshëm dhe poshtërues.

Vera nuk stimulon për mirë.

Flet i saktë dhe lartëson Krishtin.

Ecën në shenjtëri dhe me synim.

Kontrollohet nga Fryma e Shenjtë.

Është i përmbajtur.

Nuk e humbet moralin.

I reziston mëkatit.

Është shembull dhe fisnik.

Mbushja stimulon për mirë.

Si të mbushemi?

Me sa thamë më lart, duhet të plotësohen disa kushte me qëllim që të dimë se jemi mbushur me Frymën. Ashtu siç ka thënë dikush, ne duhet ta vëmë veten «në udhën e bekimeve». Si mund të realizohet kjo?

  • Rrëfeje dhe braktise mëkatin sa më shpejtë (1 Gjonit 1:9; Fjalet e Urta 28:13).
  • Paraqitjani Krishtit trupin tuaj vazhdimisht si fli të gjallë (Rom. 12:1,2).
  • Mbusheni veten me Fjalën e Perëndisë (Kolosianeve 3:16).
  • Kaloni kohë në adhurimin e Perëndisë dhe në lutje (2 e Korintasve 3:18; Mt. 7:7).
  • Qëndroni në bashkësim me vëllezërit e krishterë (Heb. 10:25).
  • Bëni gjithçka për lavdinë e Perëndisë (1 e Korintasve 10:31).

Ai që është i mbushur me Frymën nuk ua bën të njohur këtë fakt të tjerëve. Ai është i përulur dhe lëvdon Krishtin (Gjoni 3:30; 16:14). Sa më tepër që ai ecën në Frymën e Shenjtë, aq më tepër ai bëhet i vetëdijshëm për kotësinë dhe pavlefshmërinë e tij.

Është mirë të themi se mbushja me Frymën e Shenjtë nuk është një emocion, por është shenjtërim. Është e vërtetë se emocionet kanë të bëjnë, ashtu si në shumë sfera të tjera të jetës së krishterë, por ato nuk janë gjëja kryesore. Emocionet tona njerëzore janë produkt si rrjedhojë e mbushjes hyjnore.

Një fjalë të fundit

Një besimtar mund të ketë një përjetim të Frymës së Shenjtë, i cili është shumë i ndryshëm nga çfarë kemi përshkruar mësipër. Për shembull, kjo mund të ndodhë kur ai kthehet përsëri te Perëndia ose kur ai ia ripërkushton veten Krishtit në një mënyrë të re e më të plotë. Një përjetim i tillë duhet të admirohet shumë dhe mund të përfshijë edhe emocione të thella. Kjo nuk është e njëjtë me brendabanimin ose me pagëzimin me Frymën e Shenjtë. Kjo mund të jetë një krizë që të çon në atë proces që e njohim si mbushje, por mbushja nuk është vetëm e njëhershme. Ajo është një process. T’i ngatërrosh këto shërbime të Frymës me shprehje të tjera biblike të jetës frymërore, do të thotë vërtet të krijosh ngatërresë në doktrinë.

[wpfilebase tag=file id=8/]
Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. Në tekstin origjinal gjenden dy kohë të foljes të përdorura si urdhër ose në formën «urdhërore». Njëra thekson veprën ose ngjarjen (koha aorist). Tjetra e përdorur këtu (e tashmja) shpeshherë thekson një veprim të vazhduar ose të përsëritur. Një përkthim i mundshëm do të ishte: «Vazhdoni të mbusheni». ↵ Kthehu mbrapa
  2. Shthurja ka të bëjë me jetën pa kufij për sa i përket alkoolit. ↵ Kthehu mbrapa