Dy natyrat


[no_toc]Kur diskutojmë dallimet biblike, asnjë prej tyre nuk është më e rëndësishme sesa dallimi midis dy natyrave të besimtarit. Kur i krishteri është i pavetëdijshëm për këtë të vërtetë, atëherë është e mundur që ai të shkatërrohet nga faji, dyshimi dhe dekurajimi. Kështu, është e rëndësishme të kuptojmë se çdo i krishterë ka dy natyra, të vjetrën dhe të renë dhe duhet t’i kuptojë të gjitha karakteristikat e tyre.

Natyra e vjetër

Të gjithë, të shpëtuar dhe të pashpëtuar, kanë një natyrë të vjetër. Kjo është e vetmja natyrë që ka i pashpëtuari. Ajo është trashëguar nga Adami dhe mbetet e njëjtë gjatë gjithë jetës. Atë mund ta quajmë natyra Adamike, njeriu i vjetër ose mishi. Davidi e shprehu atë në këto fjalë: «Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi dhe nëna ime më ka lindur në mëkat» (Psalmi 51:5). Pali iu referua kësaj kur ai shkroi: «E di se në mua (domethënë në mishin tim) nuk banon asgjë e mirë» (Rom. 7:18a). Ne nuk duhet të kërkojmë ndonjë gjë të mirë në të dhe nuk duhet të dekurajohemi kur nuk shohim ndonjë të mirë. Është trishtuese kur kuptojmë se secili nga ne ka një natyrë që është e aftë të bëjë çfarëdo mëkati të përshkruar në Shkrimet e Shenjta.

Natyra Adamike është një nga tre armiqtë e besimtarit, bota dhe djalli janë dy të tjerat. Natyra e vjetër është armiku ynë nga përbrenda. Ajo ushqehet në atë që është e pavlefshme dhe e papastër. E bën besimtarin në mënyrë të natyrshme të largohet nga Perëndia. Shkakton armiqësi kundër Perëndisë, nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe nuk mund ta kënaqë Perëndinë. Si rezultat i kësaj, njerëzit anojnë më tepër të pranojnë të shtrembrën sesa të vërtetën.

Natyra Adamike është e ligë në mënyrë të pashërueshme. Edhe kur një burrë ose grua jetojnë një jetë të shenjtë për vite me radhë, natyra e vjetër nuk është aspak më e mirë. Zoti nuk mundohet ta përmirësojë apo ta reformojë atë. Ai e dënoi atë në kryqin e Kalvarit. «Perëndia (dërgoi) Birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish» (Rom. 8:3). «Njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me Të» (Rom. 6:6). Tani Perëndia e udhëzon besimtarin ta konsiderojë natyrën e vjetër të vdekur, domethënë, të reagojë ndaj saj si një i vdekur.

Kur një person është i ndaluar të bëjë diçka, natyra e vjetër menjëherë dëshiron ta bëjë atë. Pali e shpjegon këtë në Romakeve 7:7c-9):

…Mëkatin unë nuk do ta kisha njohur, veç se me anë të ligjit; sepse unë nuk do ta kisha njohur lakminë, po të mos thoshte ligji: «Mos lakmo». Por mëkati, duke marrë shkas nga ky urdhërim, ngjalli në mua çdo lakmi sepse, pa ligj, mëkati është i vdekur. Dikur unë jetoja pa ligj, por kur erdhi urdhërimi, mëkati u ngjall dhe unë vdiqa.

Pali e ngjasoi natyrën e vjetër me atë të një trupi të vdekur të ngjeshur në shpinën e tij. Natyrisht, kjo tablo është ajo e një trupi të ndyrë që po kalbëzohet. Ajo e ndoqi atë kudo, duke e bërë atë të thërriste: «Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes»? (Rom. 7:24).

Natyra e vjetër është ajo çfarë jemi në Adamin. Zoti Jezus vdiq për të, ashtu si edhe për mëkatet që kemi bërë. Kjo na ngushëllon, sepse ajo çfarë jemi është shumë më e keqe në krahasim me atë që kemi bërë.

E gjitha kjo për të cilën kemi folur nuk e mohon faktin se shpeshherë jobesimtarët janë të dashur, ngadhënjyes dhe bujarë. Kjo sjellje mund të dëshmohet në shumë mënyra. Ajo mund të jetë një instinkt natyror, për shembull, dashuria e nënës për foshnjën e saj. Kjo mund të jetë një diçka impulsive ose një sjellje e mësuar. Kjo ndodh në sajë të ndikimit të Krishterimit, i cili është kripa dhe drita e botës. Dhe mund të motivohet nga dëshira për të fituar ose merituar shpëtim. Pavarësisht nga burimi, një gjë është e sigurt. Gjëja e parë e mirë, që një njeri i pashpëtuar mund të bëjë, është të pranojë Krishtin (Gjoni 6:39).

Natyra e re

Kur një person lind përsëri, ai ose ajo merr një natyrë të re, një natyrë hyjnore (2 Pjetrit 1:4), jetën e Krishtit. Kjo natyrë nuk mund të mëkatojë, sepse ajo lind nga Perëndia (1 Gjonit 3:9).

Është e mirë dhe e aftë vetëm për të mirën. Atë e quajmë natyra e Krishtit ose njeriu i ri.

Ajo pëlqen të ushqehet vetëm në atë që është e kulluar dhe e shenjtë. Ajo reagon së tepërmi ndaj Fjalës së Perëndisë. Ajo kënaqet në ligjin e Perëndisë. Urdhëresat e Tij nuk janë të bezdisshme; ato janë pikërisht gjërat që natyra e re pëlqen të bëjë. Ato janë si t’i tregoje një mamaje të kujdeset për foshnjën e saj; kjo është çfarë natyra e re pëlqen të bëjë.

Dy natyrat mund të krahasohen me korbin dhe pëllumbin që lëshoi Noeu nga arka. Korbi nuk u kthye më; ai u kënaq duke u ushqyer me gjithë mishin që po kalbëzohej mbi ujë. Pëllumbi, që përfaqëson natyrën e re, u kthye te arka ngaqë nuk mundi të gjente ndonjë vend të thatë ku të qëndronte e të ushqehej.

Sa të vërteta janë fjalët e Zotit Jezus: «Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë» (Gjoni 3:6).

Beteja ka filluar!

Një i saposhpëtuar e përshkroi natyrën e tij të dyanshme në mënyrë të larmishme. Ai tha: «Mëkati u hoq nga zemra ime, por në kocka kam akoma gjyshin tim».

Sapo që një njeri të shpëtohet, dy natyrat fillojnë të ndeshen me njëra-tjetrën. A nuk është aspak e çuditshme? Si të ishte e mundur që dy natyra, kaq diametralisht të ndryshme, të jetojnë në paqe? Beteja është ilustruar nga dy foshjat që po ziheshin në barkun e Rebekës (Zanafilla 25:22-23). Ajo pyeti: «Në qoftë se është kështu, pse gjendem në këto kushte»?

Pali e përshkruan këtë konflikt në mënyrë të larmishme në Romakeve 7:14-25:

Sepse ne e dimë se ligji është frymëror, por unë jam i mishtë, i shitur mëkatit si skllav. Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej. Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që ligji është i mirë. Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua. Në fakt unë e di se në mua domethënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirë, nuk ia gjej mënyrën. Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë e bëj. Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s’jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua. Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjendet në mua. Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia. Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes? I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin e ligjit të mëkatit.

Një përshkrim tjetër i konfliktit që ka ngjashmëri, por që nuk është identik, është beteja midis mishit dhe Frymës së Shenjtë (Gal. 5:17):

Sepse mishi ka dëshira kundër Frymës dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi.

Pa dyshim, që një besimtar shpeshherë është i ngatërruar (si Rebeka) nga ky konflikt i brendshëm. Ai mendoi (vërtet) se beteja do të merrte fund pasi ai të pranonte Zotin, por tani ai zbulon se një betejë më e ashpër ka filluar dhe ai është i çorientuar. Ai madje mund të dyshojë edhe shpëtimin e tij.

Ai duhet të dijë se çdo i krishterë, edhe ai më shenjti e përjeton këtë betejë (1 e Korintasve 10:13) dhe ajo do të vazhdojë deri në vdekje ose me Rrëmbimin. Në vend të provës që ai është i pashpëtuar, për më tepër ajo konfirmon se ai është shpëtuar me të vërtetë.

Cila natyrë fiton?

Fryma e Shenjtë na çliron nga fuqia e mëkatit brendabanues (Gal. 5:17). Edhe besimtari më i perëndishëm nuk e ka atë fuqi në vetvete. Sidoqoftë, bindja dhe bashkëpunimi nga besimtari janë të domosdoshme.

Besimtari është ai që përcakton fituesin. Është ajo që ai ushqen. Ai nuk mund ta ushqejë mishin me TV, filma, literaturë dhe zbavitje jo të krishterë dhe ndërkohë të presë që natyra e re të fitojë. Ai nuk duhet të ushqejë ujkun dhe të presë që qengji të fitojë.

Për këtë arsye Romakeve 13:14 thotë të «mos tregoni kujdes për mishin, që t’ia kënaqni lakmitë» dhe në 1 Pjetrit 2:11 të «hiqni dorë nga lakmitë e mishit, që luftojnë kundër shpirtit».

Por, në anën tjetër ai duhet të kalojë shumë kohë në Fjalën e Perëndisë, në lutje dhe në shërbimin për Zotin. Kërkohen të gjitha veprimet që ndikojnë në shenjtërimin e jetës.

S’ka pretekste, ju lutem!

Ne nuk duhet të shfajësohemi duke ia vënë fajin natyrës së vjetër. Ajo është një formë transferimi faji që nuk do të ketë sukses. Perëndia e bën përgjegjës njeriun dhe jo natyrën.

Duke ia lënë fajin mëkatit e bën më të lehtë mëkatimin. Ai e ul rezistencën e besimtarit.

Konkluzion

Edhe Bibla, edhe përvoja na tregojnë se ne kemi dy natyra. Ato mund të njihen me emra të ndryshëm, por ama ato ekzistojnë. Në qoftë se besimtari nuk e kupton këtë, ai mund të ndiejë një kontradiktë. Ose ai mund të vërë në pyetje shpëtimin e tij ose ai jeton një jetë të mposhtur.

Zgjidhja e kësaj çështjeje varet nga reagimi ndaj dëshirave të natyrës së vjetër, ashtu si të ishit të vdekur dhe t’i nënshtroheni kontrollit të Frymës së Shenjtë. Për sa kohë që besimtari bën këtë, ai nuk do t’i plotësojë dëshirat e mishit (Gal. 5:16).

[wpfilebase tag=file id=8/]