Epoka të ndryshme


[no_toc]Agustini ka thënë: «Bëni dallimin midis epokave dhe Shkrimet janë në harmoni». Perëndia e ka ndarë të gjithë historinë njerëzore në epoka: «…me anë të të cilit Ai krijoi epokat» (Heb. 1:2). Këto epoka mund të jenë të gjata ose të shkurtra. Por ajo që i dallon ato nuk është kohëzgjatja, por mënyra në të cilën Perëndia merret me njerëzimin.

Ndërsa vetë Perëndia kurrë nuk ndryshon, metodat e Tij ndryshojnë. Ne ndonjëherë flasim për mënyrën sesi Perëndia i administron punët e Tij me njeriun gjatë një ere të caktuar si përndarje [1]. Teknikisht, një përndarje nuk nënkupton një epokë, por për më tepër një administrim, një përkujdesje, një rregull ose një ekonomi. Por është e vështirë për ne ta mendojmë një përndarje pa marrë parasysh kohën. Për shembull, historia e qeverisë së Shteteve të Bashkuara është ndarë në administrime të ndryshme. Ne flasim për administrimin e Rusveltit, të Eizenhaurit, ose për administrimin e Kenedit. Sigurisht, nënkuptojmë mënyrën në të cilën qeveria ka operuar ndërsa këta presidentë kanë qenë në drejtim. Gjëja e rëndësishme është: politikat që janë ndjekur, por ne patjetër i lidhim këto politika me një periudhë të caktuar kohe.

Kështu, në këtë mësim ne do ta mendojmë një përndarje si mënyra në të cilën Perëndia merret me njerëzit gjatë një periudhe të caktuar të historisë. Përndarjet e Perëndisë mund të krahasohen me mënyrat në të cilat drejtohet një shtëpi. Kur gjendet vetëm një burrë dhe një grua në shtëpi, ndiqet një program i caktuar. Por kur ka shumë fëmijë të vegjël, përdoret një program drejtimi tërësisht i ri. Ndërsa fëmijët rriten në maturi, punët e shtëpisë trajtohen ndryshe përsëri. Ne e vëmë re të njëjtën strukturë në trajtimet e Perëndisë me racën njerëzore (Gal. 4:1-5).

Për shembull, kur Kaini vrau vëllain e tij Abel, Perëndia vendosi një shenjë në të, me qëllim që kushdo që ta gjente atë të mos e vriste (Zanafilla 4:15). Por pas Përmbytjes, Perëndia nxori dënimin me vdekje, duke dekretuar se «Kushdo që derdh gjakun e njeriut, nga njeriu do të derdhet gjaku i tij» (Zanafilla 9:6). Pse ky ndryshim? Sepse ka pasur një ndryshim në përndarjet.

Një shembull tjetër. Në Psalmi 137:8, 9 shkrimtari kërkon dënim të ashpër mbi Babiloninë:

O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë! Lum ai që merr foshnjat e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!

Por më vonë Zoti i mësoi njerëzit e Tij:

Duajini armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin (Mt. 5:44).

Është e qartë se gjuha e përshtatshme për psalmistin që jeton nën Ligjin, nuk është më e përshtatshme për një të krishterë që jeton nën hirin.

Jo të gjithë të krishterët bien dakord me numrin e përndarjeve ose me emrat që duhet t’u vihen atyre. Në fakt, jo të gjithë të krishterët i pranojnë përndarjet.

Por ne mund ta tregojmë ekzistencën e përndarjeve si më poshtë. Së pari, ka të paktën dy përndarje — ligji dhe hiri: «Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jesus Krishtit» (Gjoni 1:17). Fakti se Bibla ndahet në Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re tregon se ka ndodhur një ndryshim në administrim. Më tepër dëshmi jepet në faktin se besimtarëve në këtë epokë nuk u kërkohet të ofrojnë flijime me kafshë; kjo gjithashtu tregon se Perëndia ka prezantuar një rregull të ri.

Por nëse biem dakord se ka dy përndarje, ne sforcohemi të besojmë se ato janë tre, sepse Përndarja e Ligjit nuk u prezantua deri në kapitullin 19 të Eksodit, qindra vjet pas Krijimit. Kështu duhet të ketë pasur të paktën edhe një përndarje para Ligjit (shihni Rom. 5:14). Kjo bën të jenë tre.

Dhe pastaj ne do të binim dakord në një përndarje të katërt, sepse Shkrimet flasin për «epokën e ardhshme» (Heb. 6:5). Kjo, natyrisht, është koha kur Zoti Jezus Krisht do të kthehet për të sunduar mbi tokë, ndryshe e njohur si Mijëvjeçari.

Apostulli Pal gjithashtu bën dallimin midis epokës së tashme dhe asaj që do të vijë. Së pari, ai flet për një përndarje që iu dha Atij në lidhje me të vërtetën e Ungjillit dhe të Kishës (1 e Korintasve 9:17; Efesianeve 3:2; Kolosianeve 1:25). Ajo është epoka e tanishme. Por pastaj ai gjithashtu i referohet epokës së ardhshme kur, në Efesianeve 1:10, ai i referohet si «përndarja e plotësisë së kohërave». Është e dukshme nga përshkrimi i tij për të se kjo përndarje nuk ka ardhur akoma.

Kështu ne e dimë se nuk po jetojmë në epokën e fundit të historisë së botës.

Dr. C. I. Skofildi, redaktori i Referencës Skofild të Biblës, tregon për shtatë përndarje, si më poshtë:

  1. Pafajshmëria (Zanafilla 1:28). Nga krijimi i Adamit deri në rënien e tij në mëkat.
  2. Ndërgjegjja ose përgjegjësia morale (Zanafilla 3:7). Nga rënia deri në fund të Përmbytjes.
  3. Qeveria njerëzore (Zanafilla 8:15). Nga fundi i Përmbytjes deri në thirrjen e Abrahamit.
  4. Premtimi (Zanafilla 12:1). Nga thirrja e Abrahamit deri në dhënien e Ligjit.
  5. Ligji (Eksodi 19:1). Nga dhënia e Ligjit deri në Ditën e Rrëshajave.
  6. Kisha (Veprat e Apostujve 2:1). Nga Dita e Rrëshajave deri në Rrëmbim.
  7. Mbretëria (Zbulesa 20:4). Sundimi njëmijëvjeçar i Krishtit.

Në listën e tij «Kursi i kohës nga përjetësia në përjetësi», A. E. Booth tregon për shtatë përndarje të historisë njerëzore të parashikuara në shtatë ditët e Zanafillës:

  • Dita e parë—Njeriu provohet me dritën e krijimit—dritë dhe premtim.
  • Dita e dytë—Qeverisje (nga Përmbytja deri në ndarjen e kombeve).
  • Dita e tretë—Izraeli (nga Abrahami deri në fund të Ungjijve).
  • Dita e katërt—Hiri.
  • Dita e pestë—Shtrëngesa.
  • Dita e gjashtë—Mijëvjeçari.
  • Dita e shtatë—Përjetësia.

Ndërsa nuk është e rëndësishme të biem dakord me të gjitha detajet ekzakte, është mjaft e rëndësishme të shohim se ka përndarje të ndryshme. Dallimi midis ligjit dhe hirit është veçanërisht i rëndësishëm. Përndryshe, ne do të marrim pjesë nga Shkrimet që kanë të bëjnë me epoka të tjera dhe t’ia referojmë vetes. Ndërsa të gjitha Shkrimet janë të dobishme për ne (2 Tim. 3:16), jo të gjitha na janë shkruar direkt ne. Pjesë që trajtojnë epoka të tjera gjejnë zbatime në ne, por interpretimi i tyre parësor është për epokën në të cilën ato u shkruan. Për shembull, çifutët që jetonin nën ligjin nuk lejoheshin të hanin mishin e ndonjë kafshe të papastër, domethënë, një që nuk ishte dythundrake dhe që nuk ripërtypej (Lev. 11:3). Ky moslejim nuk ka të bëjë me të krishterët sot (Mt. 7:18-19), por parimi bazë mbetet—që ne duhet të evitojmë papastërtinë morale dhe shpirtërore.

Perëndia i premtoi popullit të Izraelit se në qoftë se ata do t’i bindeshin Atij, Ai do t’i bënte të pasur materialisht (Ligji i Perterire 28:1-6). Atëherë theksi ishte vënë në bekimet materiale në vendet tokësore. Por kjo nuk është e vërtetë sot. Perëndia nuk premton se Ai do të na shpërblejë me begati financiare sepse i bindemi Atij. Në vend të saj, bekimet e kësaj përndarjeje janë bekime prej frymës në vende qiellore (Efesianeve 1:3).

Ndërsa epokat ndryshojnë me njëra-tjetrën, një gjë kurrë nuk ndryshon dhe ai është Ungjilli. Shpëtimi gjithmonë ka qenë, është tani dhe do të jetë gjithmonë me anë të besimit në Zotin. Dhe baza e shpëtimit për çdo epokë është vepra e mbaruar e Krishtit në Kryqin e Kalvarit. Njerëzit në Dhiatën e Vjetër shpëtoheshin duke besuar çfarëdo zbulese që Zoti u dha atyre. Për shembull, Abrahami u shpëtua duke i besuar Perëndisë, kur Ai tha se fara e patriarkut do të ishte aq e panumërt sa yjet (Zanafilla 15:5, 6). Abrahami nuk kishte njohuri se ç’do të ndodhte në Kalvar shekuj më vonë. Por Perëndia e dinte. Dhe kur Abrahami i besoi Zotit, Ai vuri në llogarinë e Abrahamit të gjithë vlerën e veprës së ardhshme të Krishtit në Kalvar.

Dikush ka thënë se shenjtorët e Dhiatës së Vjetër u shpëtuan «me kredi». Kjo do të thotë, se ata u shpëtuan në bazat e çmimit që Zoti Jezus Krisht do të paguante shumë vjet më vonë (ky është kuptimi i Romakeve 3:25). Ne shpëtohemi në bazën e veprës që Krishti përmbushi mbi 1900 vjet më parë. Por në të dy rastet shpëtimi është me anë të besimit në Zotin.

Ne duhet të ruhemi nga ndonjë ide që nënkupton se njerëzit në Përndarjen e Ligjit u shpëtuan duke mbajtur Ligjin ose duke ofruar flijime të kafshëve. Ligji vetëm mund të dënojë; nuk mund të shpëtojë (Rom. 3:20). Dhe gjaku i qeve dhe dhive nuk mund të heqë as edhe një mëkat të vetëm (Heb. 10:4). Jo! Mënyra e Perëndisë për shpëtim është nëpërmjet besimit dhe vetëm besimit! (Shihni Rom. 5:1).

Një tjetër pikë e rëndësishme për t’u mbajtur mend është kjo: kur flasim për epokën e tanishme si Epoka e Hirit, ne nuk themi se Perëndia nuk ishte i mëshirshëm në përndarjet e mëparshme. Ne thjesht nënkuptojmë se Perëndia tani po e provon njeriun nën hirin dhe jo nën ligjin. Ky dallim do të shpjegohet më tej në mësimin e ardhshëm.

Është gjithashtu e rëndësishme të kuptojmë se epokat nuk mbyllen me ndarje preçize. Shpeshherë ka një periudhë përjashtuese ose tranzitore. Ne e shohim këtë në librin e Veprave, për shembull; iu desh ca kohë Kishës së re të hidhte tej disa gjëra të panevojshme të përndarjes së mëparshme. Dhe ka mundësi të ketë një periudhë kohe midis Rrëmbimit dhe Shtrëngesës gjatë së cilës Njeriu i Mëkatit do të manifestohet dhe Tempulli do të ngrihet në Jerusalem.

>Një fjalë e fundit

Ashtu si të gjitha gjërat e mira, studimi i përndarjeve mund të abuzohet. Ka disa të krishterë që i marrin përndarjet në një ekstrem të tillë, saqë ata marrin vetëm Letrat e Palit nga Burgu si të zbatueshme për Kishën sot! Si rezultat ata nuk e pranojnë pagëzimin ose darkën e Zotit, meqë ato nuk gjenden në Letrat e Burgut. Ata gjithashtu mësojnë se mesazhi i ungjillit të Pjetrit nuk ishte i njëjtë me atë të Palit. (Shihni Galatasve 1:8, 9 për hedhjen poshtë të kësaj). Këta njerëz ndonjëherë quhen ultra-përndarës ose Bullingeritas (sipas emrit të një mësuesi të quajtur E. Bullinger). Pikëpamja e tyre ekstreme e përndarjeve duhet të hidhet poshtë.

[wpfilebase tag=file id=8/]
Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. Folja «përndaj» do të thotë: I jap secilit pjesën që i takon nga një e tërë a nga një grumbull gjërash. Në këtë mësim ne do ta mendojmë një përndarje si mënyra në të cilën Perëndia merret me njerëzit gjatë një periudhe të caktuar të historisë. ↵ Kthehu mbrapa