Librat e urtësisë dhe poezisë

VËLLIMI 2 | Le t’ju prezantoj me Biblën

Libri i Jobit deri te Kantiku i Kantikëve janë klasifikuar si Urtësi dhe Poezi. Mendojini ata si një libër himnesh në mes të Dhiatës së Vjetër. Këto libra janë shkruar në kohë të ndryshme gjatë periudhës historike që sapo studiuam. Ngjarjet në Jobin, për shembull, shkojnë deri në Zanafillën, në vitet para Abrahamit. Meqë shumë nga Psalmet u shkruan nga Davidi, ne i përfshijmë ata me periudhën në 1 dhe 2 Samuelit. Salomoni shkroi Fjalët e Urta, Predikuesin dhe Kantikun e Kantikëve dhe, kështu këto libra i përkasin pjesës së parë të 1 Mbretërit.

JOBI. Ndoshta asnjë njeri tjetër në histori nuk ka vuajtur aq shumë humbje në familje dhe pasurive në një ditë sa Jobi. Tre miq që shkuan ta ngushëllonin arritën në konkluzionin e gabuar, se ai po vuante si rezultat i mëkatit në jetën e tij. Një i ri, i quajtur Elifaz, u mundua ta zgjidhte problemin e vuajtjes së Jobit. Por nuk ishte deri kur Jobi pa madhështinë, drejtësinë, fuqinë dhe urtësinë e Perëndisë, që ai mundi të rrëfente dështimin e vet dhe të lutej për miqtë e tij. Pastaj Jobi mori dyfishin e pasurisë që ai zotëronte më parë.

PSALMET. Gjysma e psalmeve ose më shumë në këtë libër himnesh të Izraelit të lashtë u shkruan nga Davidi, por disa psalme janë shkruar nga Asafi, djemtë e Korehut, Salomoni, Moisiu dhe Ethani. Autorësia e rreth 50 psalmeve nuk dihet.

Psalmet ndahen në pesë libra, si më poshtë: 1-41; 42-72; 73-89; 90-106; 107-150.

Disa nga psalmet janë historik, që tregojnë për ngjarje të rëndësishme në përvojën e kombit të Izraelit ose të vetë psalmistit. Shumë nga psalmet janë mesianik, që paratregojnë jetën, vdekjen, ringjalljen, ngjitjen, ardhjen e dytë dhe sundimin mijëvjeçar të Zotit Jezus. Psalmet e pendimit janë ata në të cilët autori pranon mëkatin e tij dhe kërkon falje. Psalmet e mallkimit i bëjnë thirrje zemërimit e Perëndisë mbi armiqtë e Tij. Shumica e psalmeve, sidoqoftë, janë adhurim i kulluar dhe lavdërim.

Shumica e psalmeve kanë tituj, duke përfshirë fjalë që mund të përcaktonin udhëzime muzikore. Studiuesit janë ndarë midis tyre në atë nëse këta tituj janë pjesë e tekstit fillestar.

Poezia hebraike nuk kërkon rimë ose gjatësi të caktuar vargu, sepse bazohet në konstrukte të tilla si paralelizmat dhe akrostiku. Në paralelizëm citohet një mendim dhe pastaj citohet sërish në gjuhë identike ose të ngjashme. Në akrostik vargjet mund të fillojnë me përsëritje të germave të alfabetit Hebraik ose në sekuenca të tjera.

FJALËT E URTA. Fjalët e Urta janë një koleksion i rëndësishëm i thënieve të urta të shkruara nga Salomoni dhe nga njerëz të tjerë të urtë në një stil të shkurtër dhe të lehtë për t’u mbajtur mend. Ato janë shkruar veçanërisht për të rinjtë. Shumica e Fjalëve të Urta janë thënie të shkurtra faktesh ose krahasimesh, ose kontrastesh, ose paralelizmash. Ata mbulojnë një sferë të gjerë temash, të gjitha të një vlere praktike intensive.

PREDIKUESI. Ky libër regjistron atë çfarë Salomoni kërkon «nën diell» për përmbushje në jetë. Ai provoi arsimimin, kënaqësinë, materializmin, pasurinë, muzikën, filozofinë dhe seksin, por arriti në konkluzionin se jeta është e pakuptimshme dhe e kotë. Fraza çelës «nën diell» zë vend 29 herë. Libri trajton urtësinë njerëzore në majat e saj, e ndarë nga zbulesa hyjnore, që mundohet të zgjidhë misterin e jetës. Ky libër është përfshirë në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë që të na mësojë të shohim mbi diellin me qëllim që të gjejmë jetë kuptimplote. Shekuj më vonë, Jezusi tha se ata që pinë nga uji i kësaj bote do të kenë etje përsëri, por ata që pinë nga uji që Ai siguron nuk do të kenë kurrë etje (Gjoni 4:13, 14). A po kërkojmë në vendin e duhur për kënaqësi?

KANTIKU I KANTIKËVE. Interpretimi i zakonshëm i këtij libri është se ai përshkruan dashurinë e Salomonit për një vajzë shulamite dhe se simbolizon dashurinë e Krishtit për Izraelin ose për kishën.

Një pikëpamje tjetër sheh tre personazhe kryesore – Salomonin, shumaliten dhe të dashurin e saj bari. Salomoni kërkon ta marrë shumaliten në haremin e tij, por ajo është besnike ndaj të dashurit të saj dhe në kapitullin e fundit ajo kthehet në fshatin e saj për t’u martuar me të. Sipas kësaj pikëpamje, libri është një protestë ndaj pabesisë martesore si ajo e treguar nga Izraeli ndaj Perëndisë.

Gjuha origjinale e Dhiatës së Vjetër tregon nëse folësi është mashkull apo femër dhe nëse është vetëm një folës apo një grup. Disa versione moderne të Biblës mundohen të tregojnë këta dallime.