DISHEPULLIMI MES DY VETASH

Mësimi 53 | Shërbesa e Krishterë

Në kapitullin e mëparshëm folëm për rritjen e kishës përmes ungjillëzimit të udhëhequr nga Fryma. Tani pyetja është: «Çfarë do të bëjmë me të sapokthyerit në besim? Cila është mënyra më e mirë që do të sigurojë rritjen e tyre drejt pjekurisë frymërore?»

Një përpjekje e zakonshme është që ta inkurajosh besimtarin e ri për të frekuentuar besnikërisht të gjitha takimet e asamblesë dhe në këtë mënyrë të marrë udhëzimet e nevojshme. Por kjo metodë ka pengesa. Ajo është tepër e ngadaltë; zakonisht ajo zgjat shumë vjet. Ajo është e paplotë; nuk ka asnjë garanci që do të trajtohen të gjitha temat e rëndësishme. Ajo nuk i mëson të sapokthyerit se si të angazhohet praktikisht në veprën e krishterë; ajo është e gjitha akademike. Jezusi nuk mësoi vetëm doktrinë; Ai i mori dishepujt me vete dhe u tregoi se si ta bënin punën.

Kur shpëtohet dikush një besimtar i pjekur frymërisht duhet të marrë përsipër menjëherë përgjegjësinë për ta dishepulluar atë. Nëse i sapokthyeri në besim është një grua apo një vajzë, atëherë një motër e vjetër duhet të bëhet mësuesja (shih Titi 2:3-5).

Në vend që të ndjekë të njëjtin program klishe për çdo person, ai që bën dishepullimin duhet të kërkojë udhëheqje individuale nga Fryma e Shenjtë. Pastaj ai mund të pyesë veten: «Cilat janë temat që duhet të trajtojmë që ky i sapokthyer të jetë një besimtar i themeluar mirë dhe i gjithanshëm?» Sugjerimet në vijim mund të jenë një listë përfaqësuese: siguria e shpëtimit, siguria e përjetshme, pagëzimi, adhurimi dhe Darka e Zotit, koha e qetë përditë, shenjtëria vetjake, studimi i Biblës, lutja, udhëheqja, mësimi përmendsh i vargjeve biblike, administrimi i kohës, i talenteve dhe i parave, ungjillëzimi personal. Dhe e gjitha kjo duhet të plotësohet me studimin e njëpasnjëshëm e sistematik të vetë Shkrimit.

Është e rëndësishme që të ketë një takim të rregullt javor me të sapokthyerin, i cili të zgjatë jo më pak se një orë. Këtu mësuesi jo vetëm që trajton të vërtetën e pagëzimit të besimtarit, por edhe e nxit dishepullit që të marrë këtë hap bindjeje. Këtu mësuesi shpjegon shërbesën e thyerjes së bukës dhe e nxit dishepullin në përputhje me kërkesën e Shpëtimtarit: «Bëni këtë në përkujtimin tim». Ai e mëson të krishterin foshnjë se si të lutet duke u lutur me të. Ai i tregon atij se si ta studiojë Biblën, duke përdorur ndihma të disponueshme (concordance, fjalorë të Biblës, komentarë etj.). Ai e drejton atë në zgjedhjen e librave për bibliotekën e tij. Ai u përgjigjet pyetjeve që mund të dalin. Ai e ndihmon në problemet personale. Ai lavdëron çdo tregues përparimi dhe jep këshilla për fusha të karakterit të krishterë që kërkojnë përkujdesje.

Kur mësuesi del për të ungjillëzuar merr me vete edhe dishepullin. Kur viziton të sëmurët merr me vete edhe dishepullin. Ai hap shtëpinë e tij, duke dhënë këshilla praktike mbi martesën e krishterë, shtëpinë e krishterë dhe edukimin e duhur të fëmijëve. Për aq sa është e mundur ai ndan jetën e vet me atë të cilin kërkon ta mësojë. Asambletë e zjarrta sot e dinë se është e rëndësishme që t’i japësh çdo besimtari të ri vëmendje individuale përveç mësimit që ai merr në takimet e kishës. Kjo është e kushtueshme, por është edhe e efektshme. Kjo është metoda që u përdor nga Zoti Jezus dhe prandaj duhet të jetë më e mira.

[previous][next]