JETA E BESIMIT

Mësimi 47 | Shërbesa e Krishterë

Të krishterët janë thirrur për të jetuar me anë të besimit. Lutja: «Bukën tonë të përditshme na e jep sot» (Mt. 6:11) supozon se ne jetojmë në varësi të vazhdueshme në Zotin, në atë që siguron Ai.

Ata që kanë një punë laike marrin të ardhura të rregullta. Për ata pyetja nuk është se nga do të vijnë paratë e tyre, por se çfarë do të bëjmë me ato para kur t’i marrin. Për ata jeta e besimit është që të punojnë shumë për të siguruar nevojat e tyre aktuale dhe nevojat e familjes së tyre dhe gjithçka mbi këtë ta vendosin në veprën e Zotit dhe t’i besojnë Perëndisë për të ardhmen.

Megjithatë, për një që është i angazhuar me kohë të plotë për veprën e Zotit, jeta e besimit është të mbështetet në Zotin për plotësimin e të gjitha nevojave të tij. Ai beson se Perëndia e ka thirrur dhe se Perëndia paguan për atë që porosit. Ai e di se veprës së Perëndisë që kryhet në mënyrën e Perëndisë nuk do t’i mungojë kujdesi i Perëndisë. Ai nuk ka pse të lypë para. Perëndia do të sigurojë.

Mjerisht, ky model i Dhiatës së Re refuzohet shumë në qarqet e krishtera sot. Kërkesa e lartë dhe e organizuar për para është rregulli dhe jo përjashtimi. Ajo ka arritur në proporcione aq të çuditshme që bota e sheh këtë dhe thotë: «Gjithçka që kërkon kisha është paratë e tua».

Argumenti i parë dhe kryesor kundër kësaj praktike është se ajo nuk ka ndonjë precedent biblik apo mbështetje biblike. Apostujt nuk ua bënë kurrë të njohura nevojat e tyre të tjerëve. Ata bënë të njohura nevojat e të tjerëve. Pali, për shembull, bëri të njohura nevojat e besimtarëve nevojtarë në Jerusalem (2 Kor. 8:10-15). Për veten e tyre ata panë vetëm nga Zoti për sigurimin e nevojave të tyre.

Gjithashtu e tërë tema është e lidhur me jetën e besimit. Perëndia do që ta hedhim vështrimin vetëm tek Ai. Sa më shumë që afrohemi tek Ai, aq më shumë lavdi merr Ai. Sa më shumë që i manipulojmë ngjarjet tona, aq më pak lavdi për Atë dhe më shumë për veten.

Duke qenë se besimi është cilësia morale e duhur dhe e domosdoshme te njeriu për t’i dhënë Perëndisë mundësinë që të japë miratimin e Tij, ato metoda që zhvillojnë besim aktual në ne dhe në të saposhpëtuarit, janë metodat e vetme të duhura dhe të bekuara. Prandaj pengimi i besimit bëhet një nga qëllimet më të kërkuara të djallit dhe midis kurtheve të tij të tjera, kjo është një nga më të efektshmet – që ai na nxit të adoptojmë metoda që premtojnë në mënyrë të rreme rezultate të mira, megjithëse nuk kërkojnë besim jetik, si të mbështetesh vetëm në Perëndinë për të gjitha gjërat në të gjitha kohërat.

Në organizata ka forcë reale: në revista ku punëtorët dhe nevojat e tyre u bëhen të njohura zemrave dashamirëse; në listat e punëtorëve që japin informata për ta; në fondet e mëdha që shpallin të ardhurat dhe shpërndarjen. Askush nuk vë në dyshim që metoda të tilla kanë forcë për të arritur disa qëllime. Domosdo, prirja e tyre është të largojnë zemrat nga Perëndia te vetvetja; në fillim që vëmendja të ndahet midis Atij dhe atyre dhe pastaj më në fund të ndërhyjnë midis shpirtit dhe Atij…. Ja arsyeja bazë se përse disa i kundërshtojnë të gjitha këto lloj metodash; ka mjaft arsye se përse Zoti nuk i adoptoi kurrë ato. Nga këto metoda, njerëz si Groves dhe Myller i kthyen shpinën qëllimisht, që t’i japin kësaj bote që nuk beson dhe kësaj kishe mosbesuese një provë të freskët të realitetit dhe besnikërisë së Perëndisë si dhe fuqinë dhe mjaftueshmërinë e besimit dhe lutjes{{1}}.

Nëse mbështetem vërtet vetëm nga Zoti, atëherë Ai do të sigurojë për aq kohë sa puna vjen prej Tij. Kur Ai dëshiron që një punë të ndalohet Ai do të ndërpresë të ardhurat. Kjo e mbron punëtorin e Zotit nga mjerimi për të vazhduar mbasi Fryma të jetë larguar. Por duke përdorur thirrje dhe kërkesa për para, ne mund të shtyjmë një punë për shumë kohë pasi Zoti ka shkruar «Ikabod» për të, për shumë kohë pasi lavdia është larguar.

Posa të kesh filluar kërkesat për para ju paraqitni një njësi matëse të re për suksesin në veprën e krishterë. Ai që është më i mençur në marrëdhëniet publike është ai që merr më shumë para. Dhe mund të ndodhë që punët e lavdërueshme vuajnë, sepse fushatat e mëdha të vjeljes së fondeve janë duke thithur paratë. Kjo i hap rrugë xhelozisë, konkurrencës dhe mungesës së unitetit.

ÇFARË NDODH KUR MBËSHTETESH VETËM TE LUTJA?

Perëndia është i plotfuqishëm në çdo fushë. Ai mund të bëja gjëra në mënyra të larmishme, por një mënyrë ku Ai vepron është «të lëvizë» në fushën e mendjes së njerëzve. Ai mund të futë një ide në mendjen e dikujt. Ai mund të shkaktojë te dikush që ky i fundit të ndiejë një «nxitje» apo «bindje» të fortë për të bërë diçka. Prandaj kur lutemi për një sasi të caktuar parash, Perëndia mund të shkaktojë te një person që të marrë librin e tij të çeqeve dhe që ta dërgojë atë shumë, ose Ai mund të bëjë që disa njerëz të dërgojnë pjesë të veçanta të asaj shume, duke bërë që totali të jetë ai i kërkuari. Ju mund të mos e besoni se Ai e bën këtë, por thjesht po them se kur unë flas mbi lutjen për para, kjo është ajo që dua të them{{2}}.

Vetëm ata që i kanë përjetuar emocionet e thella kur Perëndia ka siguruar shumat e kërkuara në përgjigje ndaj lutjes pikërisht në kohën e duhur pa u bërë e njohur nevoja, mund të vlerësojnë kënaqësinë e kësaj përvoje.

Kur vepra e Perëndisë varet nga thirrjet njerëzore, ndodh shpesh që thirrjet e humbasin efektin e tyre. Njerëzit u shtojnë atyre imunitet dhe kështu thirrjet duhet të bëhen më të forta dhe më të bujshme që të japin rezultatet e kërkuara. Kjo është ajo ku ne jemi sot. Versioni modern i Filipianëve 4:6-7 është: «Në çdo gjë me reklama dhe letra lutëse, me zmadhime, ia parashtroni kërkesat tuaja njerëzve. Dhe pasiguria e financave, që ia tejkalon çdo durimi, do t’i mbajë zemrat dhe mendjet tuaja të varura».

Unë bëj një dallim midis informacionit dhe kërkesave për para. Unë besoj se është e pranueshme që t’i informojmë njerëzit për atë që është duke bërë Perëndia, por qëllimet tona duhet të jenë të pastra. Ne nuk duhet të hedhin vështrimin fshehurazi apo tërthorazi te njerëzit, por te Perëndia.

Gjuha e besimit është: «Shpirti im, gjej prehje [prit] vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai». Që unë t’ia bëj të njohura nevojat e mia, drejtpërdrejt apo tërthorazi, një qenieje njerëzore, do të thotë largim nga jeta e besimit dhe një çnderim i prerë për Perëndinë. Në fakt, kjo është ta tradhtoj Atë. Kjo është njësoj si të thuash që Perëndia më ka lënë në baltë dhe se unë duhet t’i drejtohem ndjenjave të mia për ndihmë. Kjo do të thotë të braktisësh burimin e gjallë dhe t’i drejtohesh një sterne të prishur. Kjo do të thotë të vendosësh krijesën midis shpirtit tim dhe Perëndisë, duke i zhvatur kështu shpirtit tim bekimet e larmishme dhe duke i hequr Perëndisë lavdinë që i takon{{3}}.

Nuk ka dyshim se Perëndia po përdor shumë grupe që mbledhin fonde. Por unë mendoj se ata po humbasin një ujdi të madhe. Perëndia kënaqet me këtë dhe Ai lavdërohet prej saj. Nuk ka asgjë në tërë këtë botë që e kënaq dhe e lavdëron aq shumë Atë sa jeta e besimit{{4}}.

Ia vlen të kujtojmë fjalët e Hadsën Tejlërit:

Paratë e dhëna keq dhe paratë e dhëna për motive të gabuara janë që të dyja për t’u patur frikë. Ne mund të lejojmë vetes që të kemi aq pak sa Zoti zgjedh për të na dhënë, por ne nuk mund t’i lejojmë vetes që të kemi para jo të shenjtëruara…. Le të kujdesemi që ta mbajmë Perëndinë para syve tanë; që të ecim në rrugët e Tij dhe të kërkojmë t’i pëlqejmë Atij dhe ta lavdërojmë Atë në çdo gjë, të madhe e të vogël. Mbështetu mbi këtë, veprës së Perëndisë që kryhet në mënyrën e Perëndisë nuk do t’i mungojë kujdesi i Perëndisë.

Korri Ten Bum (Corrie Ten Boom) tha: «Do të parapëlqej me tepër të isha fëmija besimplotë i një Ati të pasur se një lypës në dorën e njerëzve të kësaj bote». Dikush tjetër e ka shprehur kështu: «Bijtë e Mbretit nuk sillen si lypësit e djallit».

[previous][next]
[[1]]Lang, G. H., Anthony Norris Groves, London: The Paternoster Press, 1949, fq. 275.[[1]] [[2]]Schaefer, Edith, L’Abri, Westchester, IL: Crossway Books, 1992, fq. 126.[[2]] [[3]]Mackintosh, C. H., Living by Faith, fq. 260.[[3]] [[4]]Mackintosh, C. H., Miscellaneous Writings, të dhëna më tepër janë të padisponueshme.[[4]]