JETONI NË PAQE ME TË GJITHË NJERËZIT

Mësimi 36 | Karakteri i Krishterë

Titulli i këtij kapitulli është thjesht një mënyrë e zbukuruar për të thënë «Shko mirë me të tjerët». Ky del se është një nga problemet më të mëdha në jetën e krishterë. Ai përvijon shumë në shtëpi e në kishë, në atdhe e në vend të huaj. Ky është një problem i të gjitha racave, kombësive e kulturave. Është çfarë donte të thoshte Will Roger kur tha: «Problemi në botë janë njerëzit».

Kuptohet se ne nuk mund të përfshijmë të gjitha shkaqet në një kapitull si ky. Do të duhej një vëllim sa madhësia e numëratorit telefonik vetëm për t’iu afruar. Kështu që do ta kufizojmë veten në disa veprime pozitive që mund të ndërmarrim dhe më pas sjellje dhe qëndrime që duhet të shmangim.

Kur ke të bësh me të tjerët, përpiqu të mendosh për cilësitë e mira më tepër se të metat e tyre. Nëse janë besimtarë, përpiqu të shohësh Jezusin në ta. Peshkopi Uipëll nga Minesota, apostulli për indianët ka thënë: «Për tridhjetë vjet jam përpjekur të shoh pamjen e Krishtit në ata që ndryshonin nga unë».

Mos kërko të metat në këtë jetë;

por edhe kur t’i gjesh,

është zgjuarsi dhe mirësi të jesh disi i verbër

dhe kërko virtytin që fshihet mbrapa tyre,

sepse nata më e errët ka një rreze drite

që fshihet diku në hijet e saj,

është shumë herë më mirë të kërkosh një yll

sesa pikat që ndodhen te dielli (Ella Wheeler Wilcox)

Në vend që t’i futemi studimit të sjelljes së çuditshme te të tjerët, ne duhet të përqendrohemi në potencialin e tyre. Ajo që ata mund të bëhen është më e madhe se ajo që ata janë tani. Ne duhet të kujtojmë se ne të gjithë kemi të meta dhe dështime. Ne s’mund të presim përsosuri te të tjerët për aq kohë sa s’mund ta arrijmë atë vetë. Jezusi i pranoi dishepujt atje ku ata ishin, pastaj i ndërtoi që atje ku ishin. Ai nuk kërkoi që ata të ishin gjigantë frymërorë përpara se Ai të punonte me ta. Ne mund t’i pranojmë njerëzit si njerëz pa aprovuar medoemos veprimet e tyre. Dale E. Galloway ka thënë:

Shumë prej nesh nuk mësojnë kurrë të dallojnë midis aprovimit të sjelljes dhe pranimit të personit. Kur unë them që të pranosh një njeri pa kushte, unë nuk dua të them se ty të duhet t’i aprovosh qëndrimet dhe veprimet e tij. Ajo që duhet të bësh është ta duash tjetrin ashtu si është, pavarësisht nga të metat.

Është zgjuarsi të jesh i hapur për formimin kulturor të të tjerëve, për aftësitë dhe përvojat e tyre të larmishme, për nivelet e ndryshme të pjekurisë frymërore. Ne jemi të hapur me ta duke zbutur çdo kritikë që mund të kemi për ta ose edhe duke mos i kritikuar fare. Ndonjëherë kur njerëzit hahen me ne, kjo ndodh pasi ata po kalojnë përmes një kohe të vështirë. Prandaj ia vlen të jemi të durueshëm dhe të dhimbshëm.

Ne duhet t’i vlerësojmë ndryshimet që Perëndia ka bërë te njerëzit e Tij. Ka vetëm një trup – trupi i Krishtit, por ka shumë gjymtyrë dhe as dy gjymtyrë nuk janë të njëjta. Përpiqu të përfytyrosh se çfarë botë e mërzitshme do të ishte nëse çdo anëtar do të ishte si ty. Kjo do të shëronte nga përpjekjet e tua për t’i futur të gjithë në karakterin tënd.

Ne priremi t’i gjykojmë njerëzit nga pamja e jashtme. Nëse janë të pashëm, ne e pranojmë automatikisht se ata janë të mirë. Xhejms Dobsoni thotë se bukuria është monedha e artë e vlerës së njeriut. Ai vazhdon të shpjegojë se nuk duhet të jetë kështu, por shumë shpesh ndodh kështu.

Një zonjushë e cila planifikoi të martohej me Mozartin nuk ishte më e interesuar për të, sepse ai ishte i shkurtër dhe ajo gjeti një burrë më të pashëm, një që ishte i gjatë dhe tërheqës. Pasi Mozarti u bë i famshëm, ajo ndjeu keqardhje për vendimin e saj. Ajo tha: «Unë nuk dija asgjë për madhështinë e këtij gjeniu. Unë e pashë atë vetëm si një njeri të vogël» [1].

Ne duhet t’i njohim njerëzit përpara se të shprehim një gjykim. Nxitimi është i rrezikshëm. Nëse kemi për të bërë ndonjë gabim, le ta bëjmë atë në anën e hirit.

Dhe ne nuk duhet të shprehim një gjykim pa ditur të gjitha faktet. Xhon Uesli kishte një qëndrim të keq ndaj një burri, sepse mendoi se ishte koprrac. Një ditë kur Uesli vuri re se burri kishte hedhur një sasi të vogël në ofertë, ai e kritikoi hapur burrin e gjorë.

Më vonë burri i tha Ueslit se ai kishte qenë duke jetuar me rrepa dhe ujë. Me sa duket, përpara se të shpëtohej ai kishte grumbulluar disa fatura të stërmëdha. Tani ai po rronte duke kursyer për të shlyer kreditorët. «Krishti më ka bërë një njeri të ndershëm», tha ai, «dhe prandaj me gjithë këto borxhe që më duhet të paguaj, mund të jap vetëm disa monedha mbi të dhjetën time. Më duhet t’i vë punët në vijë me komshinjtë e mi jobesimtarë dhe t’u tregoj atyre se çfarë mund të bëj hiri i Perëndisë në zemrën e një njeriu që dikur ishte i pandershëm». Çfarë mund të bënte tjetër Uesli përveçse t’i kërkonte atij falje që e kishte kritikuar me aq padrejtësi» [2].

Është ide e mirë që t’i trajtosh të tjerët duke patur parasysh të mirën e tyre sesa avantazhin tonë. Ne nuk duhet t’i «përdorim» njerëzit, domethënë, t’i shfrytëzojmë, t’i manipulojmë, ose t’i përdorim ata për të çuar përpara qëllimet tona. «Perëndia na krijoi t’i duam njerëzit dhe t’i përdorim gjërat; problemi ynë vjen kur i duam gjërat dhe i përdorim njerëzit» (Anonim).

Kërkoji Zotit durim të veçantë kur ke të bësh me njerëz me karakter të vështirë. Gjithashtu prano realisht se ndoshta ka disa me të cilët s’mund të punosh qetë. Madje edhe Pali e Barnaba u ndanë nga njëri-tjetri në shërbimin e tyre për Zotin.

Pali thotë se ne duhet t’i vlerësojmë të tjerët më mirë se vetveten. Kjo s’do të thotë se të tjerët kanë një karakter më të mirë se ne. Por kjo do të thotë se ne duhet të jetojmë më shumë për të tjerët sesa për vetveten. Ne duhet t’i vëmë interesat e tyre mbi ato tonat dhe duhet t’i trajtojmë ata sikurse na ka trajtuar edhe neve Zoti Jezus.

Ne duhet të jemi të gatshëm të takojmë njerëzit e huaj. Nëse e shohim të vështirë, do të na duhet ta shtrëngojmë veten. Ne duhet të jemi të shpejtë për ta paraqitur veten, e më pas të bëjmë pyetje që tregojnë një interesim të vërtetë. Jezusi e paraqiti Veten te gruaja samaritane duke i kërkuar një nder (Gjo. 4:7).

Mënyra më e sigurt si mund të vërtetojmë interes te të tjerët është duke mbajtur mend emrin e tyre. Elizabeta Elioti shkroi:

Është thënë se tingulli më i ëmbël në çdo gjuhë është tingulli i emrit të dikujt. Ata njerëz që merrem me punë publike e njohin rëndësinë e përdorimit të emrit të personave. Nëse nuk i thërrasim fare njerëzit me emër dhe se çfarë emri përdorim, janë shumë domethënëse dhe shpesh janë një tregues i vdekur i qëndrimit tonë ndaj një personi.

Shumë shpesh ne e justifikojmë veten duke u ankuar: «Unë thjesht nuk i mbaj mend emrat». Kjo është një yçkël dhe nuk është e vërtetë. Ne mbajmë mend atë që e konsiderojmë të rëndësishme. Mënyra e thjeshtë e mbajtjes shënim është gjithçka që nevojitet shpesh për t’i mbajtur ato mend.

Ne duhet të kujtojmë këshillën e Oliver Kromuelllit: «Të bëj thirrje nëpërmjet dhembshurisë së Krishtit që ta mendoni të mundshme se mund ta keni gabim». Shumë shpesh është kjo mundësi e tmerrshme. Kur kjo të ndodhë ne s’duhet të jemi kurrë aq krenarë sa të mos themi: «Bëra gabim. Më vjen keq. Të lutem më fal». Njerëzit e shmangin të diturin e dynjasë ose atë që shet mend. Ata ndjehen më të rehatshëm me ata që pranojnë se kanë njohuri të kufizuar dhe që pranojnë se mund të gabojnë.

Nëse dikush na kërkon falje, ne duhet t’i themi se është falur. Ne s’duhet ta nënvleftësojmë atë sikur nuk nevojitet keqardhje fare. Ndoshta për të ka qenë një luftë e gjatë dhe e vështirë për të arritur në pikën e pendimit. Tani ai dëshiron të dëgjojë se është falur.

Ne duhet të ruajmë shikimin te tjetri pa parë ngultas. Nëse vështrimi ynë bredh kur jemi duke folur me dikë, duke sikur edhe mendja jonë po bën të njëjtën gjë. Dhe po ashtu vështrimi fiksues e huton personin me të cilin po flasim.

Shumë libra aktualë po theksojnë ngrohtësinë dhe miqësinë që përçohet nga një prekje, qoftë një shtrëngim i fortë duarsh, një përqafim apo një puthje. Sigurisht, kjo është e vërtetë. Pali u tha korintasve: «Përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë» (1 Kor. 16:2). Por kjo duhet të balancohet me faktin se nëse prekja nuk është e shenjtë, atëherë do të çonte në tundime të forta dhe mëkate seksuale. Gjithashtu kjo duhet të marrë parasysh faktin se disa prekje të pranueshme mund të kenë një dukje të ligë në shoqërinë tonë dhe prandaj duhet të shmangen (1 Thes. 5:22).

Kur takohemi me të tjerët ne nuk duhet të jemi tepër të ndjeshëm. Disa njerëz lëndohen dhe ofendohen me provokimin më të vockël. Ata nuk pranojnë asnjë shaka. Ata tërbohen nga vërejtje që nuk kanë si qëllim ta ulin poshtë. I krishteri duhet të mësojë të ketë lëkurë bualli.

I kam kërkuar Zotit të largojë nga unë

ndjeshmërinë e tepërt

që i heq shpirtit gëzimin dhe paqen

dhe bën që përbashkësia të mbarojë. (Autor i panjohur)

Mënyra se si e presim kritikën është tregues i karakterit dhe i pjekurisë sonë frymërore. Ne duhet të kuptojmë se kemi sjellje, veçanti dhe huqe që i mërzitin të tjerët. Ne kemi të meta dhe dështime të panumërta. Prandaj ne duhet ta presim kritikën përulësisht dhe të mësojmë prej tyre. Ne duhet të themi: «Mirë, vëlla, gëzohem që nuk më njeh më mirë, sepse nëse do të ishte kështu, do të kishe shumë më tepër [arsye] për të më kritikuar».

Ndonjëherë kritika është e papërshtatshme. Në raste të tilla në duhet të dëgjojmë me durim dhe ta lëmë Zotin të na japë të drejtë. Ne duhet t’i kërkojmë Atij të na ruajë nga qëndrimi i ftohtë, i hidhur dhe cinik pavarësisht nga kritikat që drejtohen kundër nesh; Ai do ta bëjë gjithmonë.

Njerëzit i pëlqejnë miqtë që janë të gëzueshëm, pozitivë dhe optimistë. Mos ji një «Gus» i zymtë. Kam njohur njerëz të cilët ishin aq rrezatues, që kur dikush hynte në dhomë dukej sikur fikeshin dritat. Një shembull i mirë për t’u ndjekur.

Një nga fyesit më të mëdhenj në marrëdhëniet me të tjerët është gjuha. Kjo trajtohet me gjerësisht në kapitullin mbi të folurit e të krishterëve, prandaj nuk është e nevojshme që ta përsëritim këtu.

Nevojitet vëmendje e veçantë në trajtimin e marrëdhënieve ndërvetjake kur shërben si një plak, dhjak, drejtor bordi, administrues ose anëtar i një komiteti. Për çështje të një rëndësie themelore duhet të ketë njëzëshmëri të plotë. Doktrinat e mëdha të besimit të krishterë janë të padiskutueshme. Të tilla janë edhe çështjet e së mirës dhe së keqes. Për çështje më të vogla duhet të ketë një sasi të caktuar shkëmbimi reciprok. Në çështje të tilla kompromisi nuk është një fjalë e keqe. Duhet të ketë një gatishmëri për të biseduar, diskutuar dhe përfundimisht të veprohet në përputhje me miratimin e grupit.

Cilido që mendon se duhet të bëhet gjithmonë e tija ose që mendon se gjykimi i tij është i pagabueshëm nuk duhet të pranojë kurrë të shërbejë me një grup vendimor. Ai mund të shkatërrojë një vepër të Perëndisë duke qenë tepër kokëngjeshur dhe i panënshtruar si mushka. Pali paralajmëron se Perëndia do të prishë këdo që prish një kishë lokale (1 Kor. 3:16-17).

Zoti Jezus ishte i shoqërueshëm, i pajtueshëm dhe i njerëzishëm. Ai është shembulli ynë. Sa më shumë që jemi si Ai, aq më shumë do të mësojmë artin figurativ të të shkuarit mirë me të tjerët.

Më lejoni ta mbyll me tri porosi që ndihmojnë në ruajtjen e paqes në luginë:

  • Ne duhet të japim dorëheqjen si administratorë të përgjithshëm të universit. Lëre atë të drejtohet nga Zoti.
  • Ne s’mund të jetojmë jetët e të tjerëve për ta. Mos u përpjek.

Asnjë këshillë nuk është aq e paftuar sa këshilla e pakërkuar. Prit derisa të të kërkohet.

[previous][next]



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Bosch, H. G., Our Daily Bread, Grand Rapids, MI: Radio Bible Class, 17 gusht. ↵ Kthehu mbrapa
  2. Bosch, H. G., Our Daily Bread, Grand Rapids, MI: Radio Bible Class, e diel, 17 gusht. ↵ Kthehu mbrapa