JI I PAGËZUAR

Mësimi 23 | Jeta e Krishterë

Për dishepullimin e dikujt tjetër, ju doni të jeni të sigurt që ai e kupton domethënien e pagëzimit dhe që ai vetë të jetë i pagëzuar. Ju duhet ta drejtoni atë përmes pyetjeve dhe përgjigjeve të mëposhtme hap pas hapi.

ÇFARË ËSHTË PAGËZIMI?

Pagëzimi i krishterë është një ceremoni nëpërmjet të cilës një besimtar i ri e shpall veten publikisht ndjekës të Zotit Jezus Krisht. Ai është duke i thënë lamtumirë mënyrës së mëparshme të të jetuarit. Simbolikisht, ai dëshmon se ka vdekur me Krishtin, është varrosur me Krishtin dhe është ringjallur për të ecur në risinë e jetës.

Pagëzimi është një shenjë besnikërie ndaj Jezusit si Zot. Është një varrosje simbolike e vetes së vjetër. Është gjithashtu një angazhim për të jetuar me bindje ndaj Krishtit.

KUSH DUHET TË PAGËZOHET?

Kushdo që rrëfen se është lindur përsëri nëpërmjet besimit në Krishtin duhet të pagëzohet. Kjo ceremoni nuk është një garanci se personi është me të vërtet i shpëtuar. Kjo do t’ju tregohet të tjerëve nga dëshmia e një jete të transformuar me kalimin e kohës. Pagëzimi bëhet mbi bazën e rrëfimit të dikujt që ai ka vendosur besimin e tij në Krishtin për shpëtim.

KUR DUHET BËRË?

Në Dhiatën e Re kisha praktikoi pagëzimin e menjëhershëm. Sapo dikush pendohej dhe i besonte Shpëtimtarit, ai apo ajo pagëzohej. Nuk kishte ndonjë kohë pritjeje.

NGA KUSH DUHET BËRË?

Në Mandatin e Madh (Mt. 28:19) Jezusi i mësoi dishepujt e Tij që të pagëzonin ata të cilët përqafonin besimin e krishterë. Kurrkund nuk na thuhet se vetëm ata që janë «caktuar nga njerëzit» mund të administrojnë urdhëresat e kishës.

SI DUHET BËRË?

Kisha e hershme praktikoi pagëzimin me zhytje, domethënë, duke e ulur për një çast personin plotësisht nën ujë, pastaj duke e ngritur atë lart. Më vonë disa kisha adoptuan praktikën e lagies, të spërkatjes ose të derdhjes së ujit mbi kokë.

Gjoni pagëzoi në Enon pasi atje kishte shumë ujë (Gjo. 3:23). Kur Filipi e pagëzoi eunukun etiopas, ata zbritën që të dy në ujë, si Filipi edhe zyrtari dhe pastaj dolën që të dy nga uji (Vep. 8:38-39). Vetëm zhytja paraqet domethënien e vërtetë të pagëzimit; është varrosja e njeriut të vjetër dhe ngritja e personit të ri në Krishtin (Rom. 6:4). Vetëm zhytja simbolizon të vërtetën e bashkimit me Krishtin në një vdekje të ngjashme me [atë të Krishtit] (Rom. 6:5).

A DUHET TË PAGËZOHEN FOSHNJAT?

Do t’i shqyrtoni Shkrimet më kot për të gjetur ndonjë referim për pagëzimin e foshnjave. Bibla është e heshtur mbi këtë temë. Në fakt, disa rituale kishtare thonë se pagëzimi e bën një foshnjë gjymtyrë të Krishtit dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë. Ky mësim jobiblik është jo vetëm një mohim i ungjillit të vërtetë, por edhe hidhet poshtë nga jetët pasuese të shumë prej atyre që janë pagëzuar si foshnja.

A ËSHTË PAGËZIMI I DOMOSDOSHËM?

Ai nuk është i domosdoshëm për shpëtimin. Mbi 150 herë në Dhiatën e Re, shpëtimi thuhet se është një dhuratë falas për ata që e vendosin besimin e tyre në Personin dhe veprën e Zotit Jezus.

Nëse pagëzimi do të ishte i domosdoshëm për shpëtimin, përse Jezusi nuk pagëzoi kurrë dikë (Gjo. 4:1-2)? Ose përse Pali u gëzua që kishte pagëzuar vetëm disa veta? (1 Kor. 1:14-16). Si shkoi në qiell pa qenë pagëzuar hajduti që u kryqëzua bashkë me Zotin (Lu. 23:43)? Nëse Krishti e kreu veprën e domosdoshme për shpëtimin tonë (Gjo. 19:30), përse është e nevojshme që veprës së Tij të përfunduar t’i shtohet pagëzimi? Kur ata të shtëpisë së Kornelit besuan, ata morën Frymën e Shenjtë dhe si rrjedhim u shpëtuan. Vetëm pas kësaj ata u pagëzuan (Vep. 10:44).

Por pagëzimi është i domosdoshëm për bindje. Ai u urdhërua në ungjillin sipas Mateut, u praktikua në librin e Veprave dhe u shpjegua në Romakëve 6. Pagëzimi është një nga dy urdhëresat e kishës së krishterë (tjetra është Darka e Zotit) dhe prandaj është e rëndësishme. Dikush mund të shkojë në qiell jo i pagëzuar, por do të jetë jo i pagëzuar për tërë përjetësinë. Pagëzimi është diçka që ne mund ta bëjmë këtu në tokë për ta gëzuar zemrën e Krishtit të cilin ne nuk do të mund ta bëjmë në qiell.

PO PËR ATO VARGJE TË CILAT PËRDOREN SHPESH PËR TË MËSUAR SE PAGËZIMI ËSHTË I DOMOSDOSHËM PËR SHPËTIMIN?

Gjoni 3:5: «Jezusi u përgjigj: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”». Këtu nuk kemi asnjë referim për pagëzimin. Uji përdoret herë pas here si një tip ose simbol i Fjalës dhe i Frymës së Shenjtë, por nuk përdoret asnjëherë për pagëzimin. Judenjtë kishin atë që njihej si pagëzimi prozelit për johebrenjtë që ktheheshin në fenë judaike, por Jezusi nuk mund të ishte duke i folur Nikodemit për këtë pasi Nikodemi nuk ishte një i konvertuar; ai jo vetëm që kishte lindur jude, por ishte edhe një udhëheqës i judenjve. Jezusi nuk mund të ishte duke i folur për pagëzimin e krishterë pasi kisha e krishterë erdhi në ekzistencë vetëm pas Rrëshajave.

Efesianëve 5:26: «Që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës». Nuk kemi asnjë referim për pagëzimin këtu. Larja e ujit është me anë të Fjalës dhe jo me anë të pagëzimit.

Titi 3:5: «Ai na shpëtoi […] sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë». Nuk kemi asnjë referim për pagëzimin këtu. «Larja e rilindjes» ka parasysh pastrimin që ndodh nga lindja e re.

Marku 16:16: «Ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar». Këtu pagëzimi nuk është mjeti i shpëtimit, por rrëfimi i pritur publik që pason. Gjysma e dytë e vargut tregon se besimi vetëm është mjeti i shpëtimit.

Veprat 2:38: «Atëherë Pjetri u tha atyre: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezus Krishtit për faljen e mëkateve dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë”». Këto fjalë iu thanë burrave të Izraelit (Vep. 2:22), kombit që ishte fajtor në një mënyrë të veçantë për vdekjen e Birit të Perëndisë (Vep. 2:23). Duke u pagëzuar, judenjtë besues e veçonin veten nga ai komb fajtor. Ata e shpëtuan veten nga ai brez i çoroditur (Vep. 2:40). Vetëm pas kësaj Zoti do të dërgonte Frymën e Shenjtë mbi ta.

Kjo zbatohet edhe për Veprat 22:16. Duke u pagëzuar si i krishterë, Sauli nga Tarsi lau mëkatet e tij që kishin të bënin me vdekjen e Krishtit dhe përndjekjen e popullit të Tij. Vetëm judenjve u është thënë të pagëzohen për faljen e mëkateve.

Veprat 2:38 mund të nënkuptojë edhe «pagëzohuni sepse mëkatet tuaja janë falur si rezultat i pendimit tuaj». Kur ne shohim një afishe që thotë «Në kërkim për vrasje» ajo nuk do të thotë «Në kërkim për të kryer vrasje», por «Në kërkim pasi është kryer një vrasje». Fjala «për» në vargun 38 mund të nënkuptojë «për shkak të».

1 Pjetrit 3:21: «I cili është shëmbëllesa e pagëzimit (jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë te Perëndia), që tani na shpëton edhe ne me anë të ringjalljes së Jezus Krishtit». Çlirimi i Noes dhe i familjes së tij është një pikturë e shpëtimit tonë. Vini re këtë: Arka është pikturë e Krishtit. Përmbytja simbol i gjykimit të Perëndisë. Arka ishte e vetmja mënyrë shpëtimi nga gjykimi i Perëndisë. Arka u pagëzua në ujë. Ata që ishin në arkë u shpëtuan nëpërmjet pagëzimit të arkës. Ata që ishin në ujë humbën.

Tani vini re prototipin: Krishti është e vetmja rrugë për të shmangur gjykimin e Perëndisë. Ai u pagëzua në ujërat e zemërimit hyjnor. Ai e krahasoi vdekjen e Tij me një pagëzim. «Unë kam një pagëzim me të cilën duhet të pagëzohem dhe jam në ankth deri sa të kryhet» (Lu. 12:50). Shiko edhe Psa. 42:7 dhe Mt. 20:22).

Ata që janë në Krishtin, domethënë, ata që besojnë në Të shpëtohen. Ata që në kuptimin e fjalëpërfjalshëm u pagëzuan në ujërat e përmbytjes humbën. Prandaj kjo pjesë nuk mund të përdoret për të mësuar shpëtimin me anë të pagëzimit.

Ne shpëtohemi, jo nga pagëzimi ynë, por nga pagëzimi i Krishtit në vdekjen e Kalvarit.

Në lidhje me këto vargje që përdoren për të mësuar shpëtimin me anë të pagëzimit, duhet të kujtojmë se disa vargje asnjëherë nuk mund të hedhin poshtë sasinë e vargjeve që mësojnë shpëtimin vetëm me anë të besimit.

Spërxhëni kishte të drejtë kur shkroi: Ju mund ta mbani dikë në një dush të përhershëm, por ju nuk mund ta bëni atë një «gjymtyrë të Krishtit» duke vepruar kështu. Ose ju mund ta tërhiqni atë përmes Oqeanit Atlantik dhe, nëse do t’i mbijetonte zhytjes, përsëri ai nuk do të ishte asnjë jotë më mirë. Dera nuk është pagëzimi, por Krishti. Nëse ju besoni në Krishtin, ju jeni një gjymtyrë e kishës së Tij. Nëse besimi juaj është vendosur mbi Krishtin, i cili është rruga e madhe e shpëtimit që Perëndia ofron, ju keni prova që jeni zgjedhur nga Ai që përpara themelimit të botës – dhe ky besim i yti të jep të gjitha privilegjet që Krishti u ka premtuar besimtarëve në Fjalën e Tij.

[previous][next]