KI DHEMBSHURI PËR TË TJERËT

Mësimi 15 | Karakteri i Krishterë

Krishti dhe dhembshuria shkojnë së bashku; ato janë të pandashme. Ne mund të jemi të ngjashëm me Të duke iu qëndruar pranë njerëzve që ndodhen në një situatë tragjike dhe t’iu japim inkurajim dhe shpresë. Jezusi e bën këtë (Heb. 13:5-6). Ai është Miku që është më i lidhur se një vëlla (Fja. 18:24).

Gabimisht ne mendojmë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe ne priremi t’i shohim me përçmim ata që nuk përputhen me përshkrimin tonë të asaj se çfarë do të thotë barazim. E vërteta është se jo të gjithë janë krijuar të barabartë. Ka dallime për sa i përket tërheqjes fizike. Po ashtu edhe talente të ndryshme. Disa kanë lindur me dëmtime të rënda.

Nëse jam zemërdhembshur, do të tregohem mirëbërës ndaj njerëzve të tillë pavarësisht nga dallimet që ekzistojnë. Zemra ime do të shtrihet tek ata që përbuzen nga të tjerët. Unë nuk do t’i klasifikoj njerëzit ashtu sikurse bën bota, por do t’i shoh ata si individë të vyer e të pavdekshëm për të cilët Biri i Perëndisë vdiq. Do t’i vlerësoj ata ashtu sikurse i vlerëson edhe Perëndia.

Kur një ungjilltar po kthehej në Britani, dikush e pyeti atë se çfarë i kishte lënë më tepër përshtypje në Shtetet e Bashkuara. Ai u përgjigj: «Kur pashë Uilliam Borden, atë bir miliarderi, me krahët rreth një lypësi në misionin e qytetit».

Fred Elioti do të ndërpriste kohën e tij të përkushtimit çdo mëngjes për të shkuar te dritarja dhe për t’i drejtuar një përshëndetje të gëzueshme plehrambledhësit. Për atë asnjë aktivitet nuk ishte më i shenjtë se të tjerët.

Gjatë një konference biblike verore, Xhek Vyrcen (Jack Wyrtzen) hëngri me një burrë tepër të gjymtuar i cili ishte shmangur nga të tjerët pasi nuk ishte në gjendje të mbante ushqimin në gojën e tij; një pjesë e ushqimit do t’i binte patjetër mbi grykësen prej letre.

J. N. Darbi zgjodhi të qëndrojë në shtëpizën e thjeshtë të një çifti pleqsh dhe nuk pranoi rehatinë e një dinjitari.

Dishepulli i dhembshur i telefonon të moshuarit dhe invalidët. Ai viziton ata që janë të sëmurë apo të lënduar. Ose iu dërgon kartolina atyre që kurrë nuk marrin një të tillë. Mund të mbështetesh te një njeri i tillë, pasi ai nuk harron t’i sjellë ushqim të papunëve dhe shtëpive ku ka rënë vdekja. Mund ta shohësh atë ndërsa ndalon dhe i flet një djaloshi mbi një karrocë invalidësh. Ai do të jetë i shpejtë për ta ndihmuar atë djalë me një qen udhërrëfyes. Ai do t’i hedhë dorën vajzës së vogël me sindromën Daun. Tërë ata që janë të paaftë apo të braktisur, të vetmuar dhe të trishtuar e duan atë pasi e dinë që ai kujdeset.

Pal Sandbergu nuk e kishte ndjekur Mësuesin e tij kot. Një ditë ai hyri në një bufe dhe u ul ngjitur me një djalë që quhej Fredi. Pali i dëshmoi besnikërisht Fredit dhe shpejt Fredi hyri në mbretërinë e Perëndisë përmes lindjes së re.

Kur më vonë Fredi u godit nga kanceri, Pali i bëri atij vizita rregullisht. Më pas, në një azil të rëndomtë, Pali kryente detyrat që ndihmësinfermieret duhet të bënin. Natën që Fredi vdiq, Pali po e mbante atë në krahët e tij duke i cituar vargje nga Shkrimet. Unë e quaj këtë dhembshuri.

Në Miçiganin perëndimor, një djalë i ri, vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, filloi të marrë mjekim për kancerin. Terapia kimike ndihmoi për njëfarë kohe, por ishte e neveritshme. Dhe kishte edhe një efekt tjetër: ajo bëri që t’i binin flokët. Përveç pasigurisë së sëmundjes që kishte, atij i duhej të mbante turpërimin e të kthyerit në shkollë me kokën të mbuluar me fashë dhe me mjekër të parruar.

Por të parën ditë që u kthye në shkollë, ai mori vesh diçka të habitshme. Një numër i madh nga shokët e tij ishin krejtësisht tullacë. Ata kishin rruar kokat e tyre. Me një mirësi të mprehtë dhe nga zgjuarsia këta të rinj kishin menduar për një mënyrë se si të lehtësonin dhimbjen e shokut të tyre dhe kështu ta ndihmonin të përshtatej.

Sa na nevojitet ajo lloj dhembshurie! Sa duhet që të lutemi kështu:

Le ta vështroj turmën ashtu si Shpëtimtari

gjersa sytë nga lotët të më erren;

Le ta shikoj me keqardhje delen bredharakedhe t’i dua për hir të Tij.

[previous][next]