KI NJË NDËRGJEGJE TË GJALLË E TË MPREHTË

Mësimi 35 | Karakteri i Krishterë

Gjithkush është tunduar të dhunojë ndërgjegjen e tij në në shumë raste. Pavarësisht se cili mund të jetë profesioni yt, ekzistojnë probleme të brendshme të etikës. Shitësi i makinave të përdorura është nën presion që të lavdërojë një makinë edhe pse e di që ajo është një grumbull rrangullinash. Doktorëve u kërkohet të nënshkruajnë kërkesa të sigurimeve shoqërore për dëmtime apo sëmundje që nuk ekzistojnë ose të mbushin receta për narkomanët e drogës. Avokatët mbrojnë pafajësinë e njerëzve për të cilët dinë se janë po aq të shtrembër sa briri i dashit dhe fajtorë si mëkati. Agjentët e pasurive të patundshme mund të bëhen ekspertë në fshehjen e së vërtetës dhe madje edhe në shtrembërimin e saj. Policët pranojnë favore nga njerëzit të cilët mendojnë se kjo do t’i ndihmojë nëse do t’u bie rasti të përballen me ligjin. Kontraktuesit mund të rritin fitimin e tyre duke mos marrë lejet e kërkuara ose duke përdorur materiale të dobëta. Shkrimtarët bëjnë plagjiaturë me veprat e të tjerëve. Mekanikët e avionëve hedhin firmën që puna është bërë kur ajo nuk është bërë; kjo ndihmon të dhënat e tij për t’i mbajtur avionët në fluturim. Njerëzit që ofrojnë mallra dhe shërbime kërkojnë që të paguhen me lekë në dorë që shitja të mos lërë gjurmë në letër; kështu atyre nuk u duhet të paguajnë taksa mbi të ardhurat. Punonjësit telefonojnë për të thënë se janë të sëmurë ose pasi u duhet të shkojnë në funeralin e gjyshes; ata do t’i gjesh duke luajtur futboll.

Të krishterët përballen vazhdimisht me tundimin për të gënjyer. Kur vjen koha për të paguar taksat mbi të ardhurat, ekziston ajo dëshira e mishit për t’i zvogëluar të ardhurat dhe për t’i hiperbolizuar shpenzimet. Misionarët mund ta vënë përpara punën e tyre më shpejt nëse ata do t’u jepnin ryshfet doganierëve ose nëse ia lyen duart policit. Amvisës i kthehet në supermarket më tepër kusur se ç’duhet, por ajo vendos t’i mbajë ato gjithsesi. Ungjilltarët e shohin të dobishme që t’i zmadhojnë shifrat e pjesëmarrësve në fushatat e tyre ose të atyre që vendosin për Krishtin. Studentët përballen me tundimin gjithnjë të pranishëm për të kopjuar në provime. Të krishterët e zellshëm dëshmojnë për Krishtin në orët e punës; ata nuk paguhen për këtë. Përse e ulim shpejtësinë në autostradë kur jemi duke ecur me shpejtësi dhe papritmas shohim një makinë që po vjen prapa nesh me një skarë për ski sipër? Ajo duket si një makinë policie, e për këtë nuk ndihemi rehat. Një lypës na kërkon ndonjë lek dhe ne themi: «Më vjen keq, por nuk kam asnjë lek». Ose bie zilja e telefonit të zyrës dhe sekretarja thotë: «Ai nuk është këtu». Por, në fakt, ai është. A përdor një pullë postare kur asaj i ka shpëtuar kontrolli i anulimit. Ne mund të shtojmë kopjimin e paligjshëm të kasetave dhe videokasetave të mbrojtura nga ligji për të drejtat e autorit dhe përdorimin e programeve kompjuterike pirate.

Fëmijët përballen me probleme gjatë gjithë kohës. Ata vjedhin nga çanta e mamasë, pastaj për t’i shpëtuar dënimit gënjejnë, duke ia hedhur fajin vëllait a motrës ose duke mohuar çdo përfshirje.

Disa prej këtyre gjërave mund të duken të papërfillshme, por ato janë si ata drurët e shtrembër që prishin gjithë stavën. Po ai argument që përdoret për të justifikuar dhunimin e etikës mund të përdoret për të justifikuar marrjen e damkës së bishës.

Një ndërgjegje që është e gjallë dhe e mprehtë flet për Perëndinë një një epokë korrupsioni. Një besimtar njihej për ndërtimin e krishterimit të tij në shtëpitë e tij. Një tregtar tha për një konkurrues të krishterë: «Ti s’ke nevojë për një kontratë nga ai. Fjala e tij mjafton». Një arbitër futbolli tha: «Kur jam duke arbitruar një lojë ku Tom Uokeri po luan, e di që kam vetëm njëzet e një lojtarë për të vëzhguar dhe jo njëzet e dy, pasi Tomi nuk do të bënte kurrë një gjë të pandershme». Krishterimi i Tomit ndikoi te loja e tij.

  Kur një punëtor i industrisë i tregoi këshilltarit të taksave për një shumë të madhe të ardhurash për të cilën asnjëri nuk do ta kishte marrë vesh, ky i fundit i tha: «Harroje fare. Qeveria nuk do ta marrë vesh kurrë». Punëtori iu përgjigj: «Unë s’mund ta harroj. Unë jam i krishterë».

Këta janë shembuj të drejtësisë praktike. Krahaso këto me të krishterin deklarues i cili, kur u përball me praktikën e tij dyshuese, tha: «Shiko! Kjo është për të dielën. Sot është e mërkurë».

Dështimi i vazhdueshëm në anën etike sjell një ndikim atrofizimi në ndërgjegje. Si një fashë e gomuar, sa më shumë që tendoset, aq më shumë i humbet vetitë elastike.

Rruga e lehtë është ta ledhatojmë ndërgjegjen me idenë e lëmuar se askush nuk do ta marrë vesh. Por Dikush do ta dijë. Çdo gjë është e hapur për sytë e Atij me të cilin kemi të bëjmë. Ai lexon jo vetëm veprimet tona, por mendimet dhe qëllimet e zemrës.

Pasojat e një ndërgjegje të shkelur janë njëlloj si pasojat e çdo mëkati:

  • Prishja e përbashkësisë me Perëndinë (1 Gjo. 1:6).
  • Humbja e gëzimit të shpëtimit (Psa. 51:12).
  • Ka humbje të dëshmisë së efektshme (Zan. 19:14) dhe humbje të fuqive frymërore. Ne s’mund të mëkatojmë dhe të dalim pa u lagur. Mëkati ka pasojat e tij. Ne mund të mendojmë se jemi të efektshëm si gjithmonë, por bekimi i Perëndisë nuk është në shërbesën tonë. Rrotat e karrocës ecin rëndë.
  • Sjell turp mbi emrin e Zotit (2 Sam. 12:14a).
  • I pengon të tjerët (Gjo. 17:21).
  • Personi humbet hyrjen për te Perëndia në lutje (Psa. 66:18).
  • Është midis mëkateve që e kryqëzuan Shpëtimtarin.
  • Thyen zemrën e Perëndisë.
  • I hap rrugë tundimit dhe vendimeve të këqija.
  • Sjell dorën disiplinuese të Perëndisë (Heb. 12:6).
  • Derisa të rrëfehet dhe të braktiset, ky [mëkat] çon në humbje të shpërblimeve në gjyqin e Krishtit (1 Kor. 3:11-15).

Atje ku ka dështim, ka gjithnjë një rrugëdalje. Kjo gjendet tek 1 Gjonit 1:9. Ne e tërheqim zvarrë të keqen e madhe në shesh dhe e rrëfejmë atë si mëkat. Kur e bëjmë këtë, Perëndia është besnik dhe i drejtë që të na i falë mëkatin tonë dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.

Ne të gjithë duhet të caktojmë përparësitë tona. Në çfarë rendi do t’i vendosni këto: Përfitim, Produkte, Popullatë, Parime?

Ndonjëherë është e kushtueshme për të krishterët që e kanë ndërgjegjen të stërvitur nga Fjala e Perëndisë dhe që janë të ndjeshëm për t’u bindur. Një besimtar i ri ishe urdhëruar t’u thoshte klientëve të tij pohime çorientuese rreth materialit dhe kostos. Ai u lut me gruan e tij dhe i kërkoi Zotit se ç’duhet të bënte. Ditën tjetër ai i tha përgjegjësit të tij se ai nuk do t’i gënjente klientët. Atë të premte ai u pezullua nga puna. Ai e dinte arsyen.

Duhet të jetë ambicia dhe gëzimi ynë që të jemi në gjendje të themi me apostullin Pal: «Deri më këtë ditë unë jam sjellë përpara Perëndisë me ndërgjegje krejt të mirë» (Vep. 23:1). Nëse ndërgjegjja jonë udhëhiqet nga Fjala e Perëndisë, ajo jo vetëm që do të na çlirojë nga mëkati, por gjithashtu do të na lirojë nga skrupulli i panevojshëm.

Çarls Uesli shkroi në një nga himnet e tij që meriton të njihet më mirë:

Dua të kem një parim xhelozie e frike të shenjtë,

një ndjenjë për mëkatin, një dhimbje kur më afrohet:

dua të ndiej afrimin e parë të krenarisë a lakmisë,

të kap bredhjen e vullnetit, të shuaj zjarrin e ndezur.

Të mos ndahem më nga Ty,

të mos fyej më mirësinë tënde,

të të jap ndjenjën birnore, zemrën e freskët, ndërgjegjen e butë.

Më të shpejtë se drita e syrit bëje ndërgjegjen time, o Zot!

Zgjoje shpirtin tim kur mëkati është afër dhe mbaje zgjuar.

Nëse shmangen në të majtë a në të djathtë, më qorto në atë çast,

dhe lëmë të qaj për jetën time që trishtoi dashurinë tënde.

Shkelja më e vogël le t’i shkaktojë dhimbje shpirtit tim të mirinformuar,dhe më ço përsëri deri në gjakun që e bën plagën të thellë.

[previous][next]