Mësimi 6 | Dishepullimi i krishterë | Mateu 6:19-34
Zoti Jezus ka një program sigurie për ata që janë dishepujt e Tij. Në pamje të parë ky program duket se dhunon gjithçka që kemi mësuar për sigurinë, për urtësinë dhe për arsyetimin e shëndoshë. Por fakti i pamohueshëm është që plani i Zotit është 100% i sigurt, kurse të gjitha planet e njerëzve janë të ngarkuara me rrezik dhe pasiguri.
Së pari, Zoti e ndalon grumbullimin e thesareve mbi tokë. Ai po flet kundër mençurisë së pranuar të të kursyerit për një kohë nevoje. Gjithmonë ne jemi mësuar që «bletët e mençura kursejnë mjaltë dhe njerëzit e mençur kursejnë para». Na kanë mësuar që duhet të marrim masa për të patur pavarësi financiare për vitet e thyera të jetës. Ne mendojmë se nëse kemi para të mjaftueshme, mund t’i bëjmë ballë të ardhmes pa frikë. Ne mendojmë se të mirat materiale na japin siguri.
Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se nëse do të jetonte me anë të besimit, do të kishte një shkatërrim të fortë. Nuk është kështu, thotë Jezusi. Janë thesaret mbi tokë që mund të provojnë jo një, por tre shkatërrime të forta: «Tenja […] ndryshku […] vjedhësit». Në kohët e Biblës, pasuria ishte në formën e rrobave dhe monedhave. Rrobat ishin pre e sulmeve të tenjës. Paraja ishte pre e brejtjes. Dhe të dyja ishin në rrezik të vazhdueshëm për t’u vjedhur.
Rruga për të patur siguri të vërtetë është të mbledhësh thesare në qiell. Në vend që të harxhojmë jetët tona duke grumbulluar pasuri që prishen për një të ardhme të pasigurt, ne duhet t’i përkushtojmë talentet tona më të mira duke investuar për përjetësinë. Dhe patjetër që këtë ne e bëjmë duke i vendosur paratë tonë në veprën e Zotit, duke i shërbyer Atij me besnikëri dhe pa lodhje dhe duke jetuar për njerëzit dhe jo për gjërat.
Para se të vazhdojmë më tej, duhet të theksojmë që kjo pjesë nuk merret me sigurimin e nevojave të tanishme. Ne duhet të punojmë shumë për nevojat tona të tanishme dhe ato të familjes sonë. Por kur këto nevoja të jenë plotësuar, ne duhet të investojmë çdo gjë tjetër për thesaret qiellore dhe t’i besojmë Perëndisë për të ardhmen. Nëse e bëjmë këtë, thesaret tona nuk do të pësojnë kurrë humbje nga tenja, ndryshku apo vjedhësit.
Është një fakt i pamohueshëm që pozicioni i thesareve tona përcakton pozicionin e zemrës sonë. Me fjalë të tjera, interesat tona, ndjenjat tona dhe ambiciet tona janë ose në një bankë ose në qiell. Zemra jonë e përdorur këtu paraqet atë për të cilën ne jetojmë. Ajo i referohet asaj që është kryesore ne jetën tonë. Nëse kemi si synim të grumbullojmë pasuri mbi tokë, atëherë kjo do të na shkatërrojë përbrenda.
Dhe mos gabo në këtë pikë! Ne s’mund të jetojmë për pasuri tokësore dhe thesare qiellore njëkohësisht. Jezusi na e bëri të njohur këtë nëpërmjet ilustrimit të syrit njerëzor. Syri është drita e trupit. Është nëpërmjet syrit që drita hyn në trup dhe që e drejton njeriun. Nëse syri është i pastër, domethënë, i shëndetshëm, njeriu shikon qartë se ku të shkojë. Nëse syri është i lig, domethënë, i sëmurë, rruga përpara është e errët dhe jo e qartë.
Kuptimi frymëror është ky. Syri i pastër përfaqëson vendosmërinë për të jetuar vetëm për thesare qiellore. Atij njeriu që e grumbullon pasurinë e tij në qiell nuk do t’i mungojë kurrë udhëheqja e Perëndisë. Syri i lig paraqet dëshirën për të jetuar për të dy botët, për të patur thesare në të dy vendet. Ai njeri që ka motive të ndara do të përjetojë errësirë frymërore. Atij do t’i mungojë udhëheqja e qartë nga Zoti. Në fakt, errësira e tij do të jetë më e madhe, sesa ajo e dikujt që nuk ka patur kurrë njohuri mbi këtë temë. Do të ishte më mirë të mos e dinte mësimin e Shpëtimtarit për grumbullimin e thesareve, sesa pasi e ka njohur ta refuzojë atë. «Drita e refuzuar është dritë e mohuar». «Atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka» (Mt. 25:29b).
Është e pamundur t’u shërbesh dy zotërinjve pa preferuar njërin mbi tjetrin, pa veçuar besnikërinë ndaj njërit. Do të vinë me domosdo situata ku interesat e të dy zotërinjve do të bien ndesh. Nëse jetojmë për paranë, ne s’mund të jetojmë për Perëndinë. Ne duhet të zgjedhim midis thesareve mbi tokë dhe thesareve në qiell.
Zoti ynë jep gjashtë arsye përse ne s’duhet të shqetësohemi për nevojat e së ardhmes, kur ato kanë të bëjnë me nevojat e jetës.
Së pari, kjo vendos një theksim të gabuar mbi atë që është e rëndësishme. Ne s’duhet të jetojmë për ushqimin, pijen apo veshjen, sikur ato të jenë gjërat që kanë me të vërtetë vlerë në jetë. Perëndia na ka lënë këtu për një punë tepër më të madhe, sesa të hamë, të pimë dhe të pozojmë veshjet.
Së dyti, kujdesi shqetësues mbi kriza të mundshme në të ardhmen shpreh dyshim mbi kujdesin e Atit tonë për ne. Jezusi na sugjeroi të mësojmë nga zogjtë në këtë drejtim. Ai tha që ata as nuk mbjellin, as nuk korrin. Kjo s’do të thotë që ne s’duhet të bëjmë këtë. Ata s’mund të mbjellin apo të korrin; ne mund ta bëjmë këtë. Harabelave nuk iu krijohet ulcerë nga shqetësimi dhe ata as nuk sulen me vrap te psikiatërit për probleme tensioni. Ata e jetojnë secilën ditë në kohën e saj dhe të ardhmen e kanë në duart e Krijuesit të tyre. Për shekuj të tërë popullata e zogjve ka arritur të mbijetojë pa vënë mënjanë për të ardhmen e errët dhe të panjohur. Nëse Perëndia kujdeset për krijesat e Tij me pupla, sa më shumë kujdeset për ne!
Një arsye e tretë përse shqetësimi është i ndaluar është sepse ai është i kotë. Jezusi pyeti: «Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t’i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm?» Me fjalë të tjera, «Cili mund të shtojë 45 centimetra duke u shqetësuar?» Ose pyetja e Shpëtimtarit mund të lexohet: «Dhe cili nga ju duke qenë i merakosur mund t’i shtojë një kubit të vetëm jetëgjatësisë së tij?» (NASB). Këtu jeta është parë si një udhëtim tepër i gjatë dhe pyetja është: «Cili mund t’i shtojë asaj 45 centimetra duke u shqetësuar për të ardhmen?» Është e kotë të përpiqesh. Në fakt, shqetësimi e shkurton jetën në vend që ta zgjatë atë.
Nëse do të ndalonim për të menduar, do të kuptonim që është e pamundur praktikisht për të siguruar siguri për të ardhmen. Një arsye është që ne nuk e dimë se sa do të jetojmë. Ne nuk e dimë se sa do të vlejë dollari në të ardhmen. Ne nuk e dimë se me çfarë shpenzimesh do të përballemi. Ka tepër të panjohura që të planifikojmë për një kohë në nevojë.
Më pas Jezusi e tërhoqi vëmendjen nga lulet për të treguar që shqetësimi për veshjen tregon një mungesë besimi në Perëndinë. Ai nuk ishte duke menduar aq shumë për zambakët e kultivuar në vazo në pranverë, por më tepër për luletaçet e egra që rriten me bollëk në kodrat e Izraelit. Zoti i krijoi këto lule me një kujdes të mprehtë. Ai derdhi mbi to një bukuri që të lë pa frymë. As Salomoni nuk u vesh me një hijeshi të tillë. E megjithatë ato lule që mbulojnë atë fushë me ngjyra sot do të kositen nesër dhe do të hidhen në një zjarr bubulak që të sigurojë nxehtësi për pjekjen e bukës pa maja të Lindjes së Mesme. Atëherë, nëse Perëndia shkon deri në këtë pikë për të veshur me bukuri luletaçet, sa më shumë do të sigurojë veshje të përshtatshme për njerëzit e Tij?
Xhon Stoti tha:
Të jesh i merakosur për gjëra materiale në një mënyrë të tillë që ato të pushtojnë vëmendjen tonë, të gëlltitin energjinë tonë dhe të na ngarkojnë me merak është e papajtueshme si me besimin e krishterë ashtu dhe me gjykimin e shëndoshë. Kjo është diçka që shpreh mosbesim ndaj Atit tonë qiellor dhe sinqerisht është diçka e trashë.
Një arsye e pestë përse ne nuk duhet të kemi mendime shqetësuese për ushqim, pije dhe veshje është pasi kjo është ajo për të cilën jetojnë paganët dhe Perëndia nuk do që ne të jemi si paganët. Paganët i japin vend të parë trupit. Ata jetojnë për t’u kujdesur për të. Ata janë në thelb materialistë, tokësorë dhe mishorë. Ne nuk mund të presim që ata, pa pasur jetë hyjnore, të ngrihen mbi mishin dhe gjakun. Por besimtarët duhet të jenë ndryshe. Ata duhet t’ia japin më të mirën e jetës së tyre asaj që është e përjetshme.
Arsyeja e fundit është që shqetësimi është i panevojshëm: «Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra». Fakti i thjeshtë që Ai është në dijeni është garanci se Ai është i gatshëm dhe i aftë të kujdeset për ne. E ardhmja jonë nuk mund të jetë në duar më të mira.
Tani Zoti Jezus është gati të hyjë në një besëlidhje me të gjithë ne që jemi dishepuj të Tij. Ai e di se nëse do të na duhet të sigurojmë për të ardhmen tonë, do të jemi kaq të zënë duke grumbulluar pasuri që nuk do të na mbetet aspak kohë për punën tonë parësore, domethënë, që t’i shërbejmë Atij. Ne do ta shfrytëzojmë më të mirën e jetëve tona duke vënë mënjanë para në vend që të jetojmë duke patur parasysh vlerat e përjetësisë. Kështu që, në fakt, na thotë: «Vendosni interesat e mia të parat. Punoni shumë për furnizimin e nevojave tuaja të tanishme dhe nevojave të familjes suaj. Vendosni gjithçka tjetër mbi këtë në veprën Time. Dhe Unë premtoj të kujdesem për të ardhmen tuaj. Nëse ju kërkoni para së gjithash mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, nuk do t’ju mungojnë kurrë nevojat e jetës».
Duke bërë një përmbledhje, Zoti ynë na ndalon që t’i kalojmë jetët tona duke u shqetësuar për të ardhmen dhe duke u përpjekur që të sigurojmë për ditën e nevojës. Përgjegjësia jonë është që të jetojmë për Të sot dhe që ta lëmë të ardhmen të shqetësohet për veten e vet. Duke u marrë me punën e sotme është e mjaftueshme për të qenë të zënë me punë.
Dikush ka thënë se nëse ndokush jeton për ditën e nevojës, Perëndia do të bëjë çmos që ai ta ketë atë. Dhe Kemëron Tomsoni ka thënë: «Perëndia derdh bekimet e Tij më të zgjedhura mbi ata të cilët merakosen që asgjë nuk do të vendoset mbi duart e tyre. Ata individë të cilët e vlerësojnë kohën në nevojë më tepër se agoninë e tanishme të botës nuk do të marrin ndonjë bekim nga Perëndia».
[previous][next]