Mësimi 10 | Dishepullimi i krishterë | 1 TIMOTEUT 6:6-10, 17-19
Në 1 Timoteut 6:3-5 Pali e paralajmëron Timoteun për disa udhëheqës fetarë që e shohin shërbesën e krishterë si një mënyrë për t’u pasuruar. Këta njerëz mendojnë që perëndishmëria profesionale është një mënyrë e lehtë për të mbushur xhepat e tyre me ar. Pasardhësit e tyre janë ende me ne – famëmëdhenj radioje dhe televizori të cilët e kanë çuar ngritjen e fondeve në një formë arti dhe e kanë kthyer atë në një shkencë. Me anë të përdorimit të aftë të marifeteve psikologjike, ata luajnë me telat e zemrave të të krishterëve të ndjeshëm. Ata kanë gjithmonë një projekt të ri për t’ia shtuar perandorisë së tyre të madhe. Ata jetojnë në shtëpi luksoze, grumbullojnë aksione{{1}} me investime të majme, veshin stoli dhe veshje elegante dhe ekspozojnë modelet më të fundit dhe më tërheqëse të krehjeve të flokëve. Dhe e gjithë kjo bëhet në emër të Mikut tonë me xhepin bosh nga Nazareti.
Apostulli e paralajmëron Timoteun të largohet nga këta afaristë të shkathët fetarë si dhe, nënkuptohet, nga praktikat e tyre. Kombinimi ideal është të kesh perëndishmëri dhe të jesh i kënaqur. Ai njeri i perëndishëm që është i kënaqur, që është me karakter të pasur dhe që është i pasur pavarësisht nga pakica e nevojave të tij, ka diçka që paratë nuk mund ta blejnë.
Malkolm Magërixhi (Malcolm Muggeridge) dëshmoi se kohët më të lumtura të jetës së tij ishin kohët e thjeshtësisë dhe ashpërsisë – një kasolle e vogël, një tavolinë, një karrige, pak oriz mbi një gjethe jeshile. Këto gjëra, tha ai, sjellin ngazëllimin e tyre.
Ne nuk kemi sjellë asgjë me vete në këtë botë dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete. Duart e foshnjës së sapolindur janë të mbyllura mirë, por ato s’mbajnë asnjë gjë. Kur më vonë në jetë ai vdes, duart e tij janë të lira – dhe bosh. Aleksandri i Madh la udhëzime që kur të vdiste, duart t’i kishte të dukshme me pëllëmbë të zbrazëta. Ai kishte pushtuar botën, por vdiq duarbosh.
Doktor Xhejms Dobson e mësoi këtë mësim duke luajtur një lojë me familjen. Do ta lëmë atë të tregojë historinë.
Shirli dhe unë u martuan në vitin 1960 dhe nuk kishim vështirësi financiare aspak pasi nuk kishim financa{{2}}. Që nga ajo kohë Zoti na ka bekuar dhe ne kemi shijuar pak nga ajo që bota mendon se duhet të kesh që të jesh i lumtur, si për shembull një shtëpi, një makinë dhe gjëra të tjera. Por po mësoj shumë e më shumë që lumturia nuk gjendet në zotërimet materiale. Zoti ka qenë duke më mësuar kotësinë e materializmit, madje ka përdorur edhe një lojë për të përçuar këtë mesazh.
Kohët e fundit familja ime luajti me lojën Monopol{{3}}, lojë me të cilën unë s’kisha luajtur që prej pesëmbëdhjetë vjetësh. Shpejt ai gëzimi dhe entuziazmi i vjetër i lojës u kthye, sidomos kur fillova të fitoj. Gjithçka ishte në favorin tim dhe kështu u bëra mjeshtër i lojës. Zotërova Vendkalimin e Plazhit dhe Vendin e Parkut dhe kisha shtëpi dhe hotele kudo. Familja ime po përpëlitej dhe unë po futja 500 $ në kartëmonedha në xhepat e mi si dhe nën dërrasën e lojës e nën ndenjëse. Papritur loja mbaroi. Unë kisha fituar. Shirli dhe fëmijët shkuan të shtrihen dhe unë fillova të fut në kuti çdo gjë. Pastaj një ndjenjë e zbrazët goditi zemrën time. Gjithë gëzimi që kisha përjetuar pak më parë ishte i pathemeltë. Nuk kisha më shumë se ata që kisha mundur. Gjithçka duhej të shkonte përsëri në kuti!
Zoti më tregoi që është një mësim për t’u mësuar përtej lojës së Monopolit. Kuptova që isha gjithashtu duke dëshmuar lojën e jetës. Ne luftojmë dhe grumbullojmë dhe blejmë dhe zotërojmë dhe kemi dhe rifinancojmë dhe papritmas arrijmë në fund të jetës dhe gjithë këtë ne duhet ta futim përsëri në kuti! S’mund të marrim as edhe një qindarkë me vete. Nuk ka rimorkio që na shoqërojnë përmes Luginës së Hijes.
Tani e kuptoj se përse Shkrimet thonë: «Jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron» (Lu. 12:15, KJV){{4}}.
Në disa vende, majmunët zihen në grackë duke vendosur oriz brenda një kungulli me një vrimë aq të madhe sa për të nxënë dorën bosh të majmunit. Kur e zgjat dorën dhe rrëmben një grusht oriz, ai nuk mund ta nxjerrë më atë jashtë. Por nuk e lëshon as orizin. Ai nuk e lëshon – dhe kështu është zënë në grackë. Zihet në grackë nga lakmia e vet!
Më parë Pali foli për të qenë i kënaqur. Tani në vargun 8 ai e shpjegon atë si të jesh i kënaqur me ushqim dhe veshje. Fjala që ai përdor për «veshje» mund të nënkuptojë jo vetëm rrobat që veshim, por një çati mbi kokat tona. Kështu ajo nënkupton gjërat themelore të jetës. Ne familjarizohemi kaq shumë me këtë varg, saqë nuk arrijmë të kuptojmë sa revolucionar është ai. Ndoshta do të na ndihmojë po të kujtojmë se sa pak besimtarë që ne njohim janë të kënaqur me ushqim, veshje dhe strehim. Për sa i përket shumicës së botës së krishterë, ky varg edhe mund të mos jetë fare në Bibël.
Në vargun 9 apostulli vazhdon të flasë për ata që dëshirojnë të pasurohen. Kjo përfshin cilindo, të pasur e të varfër, që është lakmitar. Lakmia është shtytja për të patur më shumë, vendosmëria për ta patur atë edhe pse Perëndia mund të mos dojë që personi ta ketë. Njeriu lakmitar nuk mund të gëzojë diçka po të mos e ketë atë, ose, të paktën, një pjesë të saj.
Ky mëkat mund të jetë seksual («Nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd») ose, si në 1 Timoteut 6, mund të jetë materialist. Sidoqoftë, kjo është idhujtari, sepse adhuron dhe i shërben asaj që është e krijuar dhe jo Krijuesit.
Problemi është se ne e kemi marrë këtë mëkat dhe e kemi pagëzuar me pagëzimin e krishterë. Ne i kemi dhënë asaj respekt të krishterë duke e quajtur maturi, gjykim të shëndoshë, përgjegjësi financiare, kursim dhe largpamësi. Kur pyesim: «Sa vlen ai njeri?» ne duam të themi: «Sa para ka vënë mënjanë?» «Të përparosh në botë» do të thotë të grumbullosh gjëra materiale. Ne i quajmë njerëzit lakmitarë «ajka e shoqërisë» dhe «shtresa më e lartë e shoqërisë». Dikush ka thënë që lakmia e shiti Jezusin për 30 sikla argjendi. Pas shitjes së Jezusit mbi kryq, kisha deklaruese filloi të shesë vetë kryqin. Dhe më pas pretendoi të shiste rrugën për në qiell përmes favoreve, duke premtuar çlirim nga purgatori.
Lakmia mohon qëllimin e vërtetë të ekzistencës tonë. Ajo harron që ne jemi këtu për punë shumë më të mëdha, sesa të fitojmë para apo të shkojmë pas qejfeve. Ajo harron që përdorimi më i mirë i parave është për qëllime frymërore. Lakmia është mashtruese. J. H. Xhoueti ka thënë:
Pasuritë mund ta bëjnë dikë të mendojë se është duke u rritur kur gjatë gjithë kohës ai është duke u zvogëluar. Ai e vlerëson madhësinë e tij me hyrjet e të ardhurave dhe jo me daljet e bamirësisë. Ndërsa hyrjet zgjerohen, daljet zvogëlohen.
Është diçka e paarsyeshme. Ne përpiqemi të kemi ato gjëra që nuk na nevojiten për të lënë përshtypje tek ata që nuk i pëlqejmë.
Është diçka që pengon planin e Perëndisë për ungjillëzimin e botës duke grumbulluar para që mund të përdoren në propagandimin e ungjillit.
Lakmia e bën një burrë të papërshtatshëm për udhëheqje në kishë – një plak duhet «të mos jetë koprrac» (1 Tim. 3:3) – por, akoma më keq është se ajo i përjashton njerëzit nga mbretëria e Perëndisë (1 Kor. 6:10).
Këtu në pjesën tonë Pali e paralajmëron Timoteun që dëshira për t’u pasuruar të çon në tundim. Lakmitari do t’i drejtohet mënyrave të paligjshme për të patur atë që dëshiron. Dhe kjo të bën të biesh në lak. Është si të kapësh telat e korrentit; nuk mund të largohesh dot. Ose si të pish ujë të kripur; ai të krijon etjen për të shumë.
Një burrë i tha mikut të tij: «Kur kisha 50.000 $ isha i lumtur. Tani kam një milionë dhe jam i trishtuar».
«Nuk ka asnjë problem», ia ktheu miku, «fali 950.000 $».
Milioneri rënkoi: «Nuk mundem».
Dëshira për t’u pasuruar të çon «në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim». Këto janë fjalë të forta. Pali paralajmëron që lakmia të çon në shkatërrim të përjetshëm. Sa e çuditshme është, atëherë, që të krishterët të flasin me ton miratues për atë që Perëndia dënon pa kursim!
Lakmia për para është një rrënjë e gjithë të këqijave. Për shembull, është rrënja e gënjeshtrës. J. H. Xhoueti tregon kur i kërkoi ndihmë një burri të pasur në Nju Jork për një arsye jashtëzakonisht të denjë.
Përgjigjja e kërkesës sime u dha menjëherë nga fytyra e tij dhe ai foli si dikush që ishte në buzë të varfërisë: «Vërtet që nuk mund të të jap më shumë. Duke patur parasysh shumë gjëra, nuk e di për të ardhmen!» Disa javë më vonë ai vdiq dhe testamenti që la arrinte vlerën 60 milionë! Dhe unë pyes veten, pyes veten nëse ai dëgjoi në fund të ditës lajmëtarin e Zotit duke thënë: «O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato […] të kujt do të jenë?{{5}}»
Lakmia për para çon në mashtrime, vjedhje dhe madje vrasje. Ajo i jep fund martesave dhe shkatërron fëmijët. Ajo shkakton çrregullime nervore dhe emocionale. Njerëzit e pasur jetojnë nën frikën e vjedhjes, të rrëmbimit të fëmijëve dhe të zhvatjes. Ata shqetësohen për inflacionin{{6}} dhe për rënien e tregut. Ata vuajnë nga ankthi, mërzia, pakënaqësia dhe zilia. Ndonjëherë ata sjellin mbi vetveten burgim dhe turpërim.
Duke qenë se Shkrimet e Shenjta e dënojnë tërë mënyrën e tyre të jetesës, ata largohen nga besimi në vend që të ndryshojnë. Për të justifikuar bollëkun e tyre ata e shtrembërojnë Biblën, i japin asaj formë tjetër dhe e rishkruajnë. Jo vetëm kaq, por e lëndojnë veten me shumë dhimbje. Kur vdiq, Hauard Hjugsi la një pronë me një vlerë prej mbi 2.3 milion dollarë. Megjithatë një revistë shkruante:
Pavarësisht nga gjithë fuqia që pati, ai jetoi një jetë të vrenjtur, të trishtuar, gjysmë të çmendur […] praktikisht një i burgosur i rrethuar nga dobësitë dhe frika e madhe e vetvetes. Më parë ishte një figurë e gjallë dhe kumbuese. E la pas dore pamjen dhe shëndetin gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit derisa u bë një fantazmë e mjerë. Ishte i dhënë i tëri pas drogës. Pamja e tij fizike ishte e tmerrshme. Megjithëse ishin katër mjekë me turne që kujdeseshin për Hjugsin, gjendja e tij mjekësore ishte e lemerishme. Dëfrimi kryesor i tij ishte të shikonte filma. Jetoi javë pas jave me një dietë që as edhe shitësi i dyqanit më të lirë nuk do ta kishte pranuar. Megjithatë ai ishte tepër nazeqar për përgatitjen e një ushqimi të tillë. Do të fuste në gojë një lugë supë dhe më pas do të interesohej për një film. E njëjta supë do të ngrohej e do të ngrohej dymbëdhjetë herë»{{7}}.
Në përfundim të kësaj pjese Pali i thotë Timoteut të porosit të pasurit e kësaj bote. Ata nuk duhet të fryhen nga krenaria dhe të jenë arrogantë dhe as t’i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt. Në vend të kësaj besimi i tyre duhet të jetë në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar. Shprehja e fundit, «i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar», është përdorur shpesh për të justifikuar grumbullimin e pasurisë. Por vargu pasues e shpjegon këtë. Ne nuk jemi duke i gëzuar paratë kur ato rrinë të ngrira në bankë, por kur ato ne i përdorim për të bërë të mira, kur i japim nevojtarit dhe kur i ndajmë me ata të afërm që janë më pak fatlum. Në këtë mënyrë ne grumbullojmë një shpërblim të madh në botën e ardhshme dhe gëzojmë atë jetë që është me të vërtetë jetë.
Konkluzioni? Këtë na e jep Ronald Snideri në librin me titull, «Të krishterë të pasur në një epokë urie»:
Budallai i pasur është mishërimi i një lakmitari. Ai ka një mani të babëzitur për të marrë gjithnjë e më shumë zotërime, megjithëse nuk i duhen. Dhe ky sukses i jashtëzakonshëm i grumbullimit gjithnjë e më shumë të zotërimeve të çon në konkluzionin blasfemues që zotërimet materiale mund të kënaqin nevojat e tij. Nga pikëpamja hyjnore ky qëndrim është marrëzi e dukshme. Ai është një budalla i tërbuar.
[previous][next][[1]]Letër me vlerë, që përfaqëson një nga pjesët, në të cilat është ndarë kapitali i një shoqërie ose i një sipërmarrjeje dhe që i jep të drejtë zotëruesit të saj të marrë pjesë në veprimtarinë dhe në fitimet e sipërmarrjes [ Shënim nga përkthyesi].[[1]] [[2]]Tërësia e parave që ka dikush [ Shënim nga përkthyesi].[[2]] [[3]]Një lojë që luhet mbi një fushë a një dërrasë ku lojtarët përpiqen të kenë monopol mbi pasuritë e patundshme ndërsa gurët përparojnë nëpër fushë a dërrasë sipas hedhjes së zarit [Shënim nga përkthyesi].[[3]] [[4]]Decision Magazine, Dhjetor 1981, fq. 12.[[4]] [[5]]Jowett, J. H., God Our Contemporary, New York: Fleming Revell Co., 1922, fq. 147.[[5]] [[6]]Vënia në qarkullim e një sasie më të madhe kartëmonedhash se sa janë nevojat e vërteta të qarkullimit të mallrave, që sjell si pasojë zhvlerësimin e kartëmonedhës, ngritjen e çmimeve e uljen e fuqisë blerëse të punonjësve dhe që i shërben pasurimit të mëtejshëm të një grushti monopolistësh [Shënim nga përkthyesi].[[6]] [[7]]TIME Magazine, 13 dhjetor, 1976, fq. 20-41.[[7]]