DISA SQARIME
Është kollaj që një mësues të arrijë në përfundimin se nëse dishepulli i tij vetëm sa do të lexonte një libër si ky, ai do të trajnohej siç duhet. Gabim! Materiali në këtë manual është i rëndësishëm, por nuk është i mjaftueshëm. Ai trajton disa nga temat kryesore që përfshihen në dishepullimin e krishterë, por lë të paprekur njohurinë praktike se si ta bëjë punën.
Një dishepulli duhet t’i jepet mësim në veprim si edhe mësim me libër. Ai duhet të njihet me degë të ndryshme të shërbesës së krishterë. Kjo nuk do të thotë se ai do të vazhdojë t’i bëjë këto gjëra për pjesën e mbetur të jetës. Por kjo do ta ndihmojë të zbulojë se ku gjendet dhuntia e tij.
Kjo ishte modus operandi që përdori Zoti. Ai jetoi me të Dymbëdhjetët, i mësoi me fjalë dhe shembull, pastaj i dërgoi në misionin e lavdishëm. Metoda e tij duhet të jetë më e mira. Nëse do të kishte ndonjë metodë më të mirë, Ai do ta kishte përdorur.
Të jesh një këshilltar është kërcënuese për një person. Ti e bën veten të cenueshëm. Dishepulli yt do të të njohë ashtu sikurse je me të vërtetë – lytha, rrudha dhe të gjitha. Mos u shqetësoni. Të rinjtë nuk presin përsosuri. Ata duan thjesht sinqeritet dhe transparencë. Ata do t’ju pranojnë ashtu siç jeni.
Një oficer i marinës së SHBA-së i drejton njerëzit e tij në luftë. Ai nuk rri duarkryq kur ata mësyjnë. Ai shkon para tyre në përleshje. Ata tashmë i kanë marrë mësimet bazë dhe kanë patur trajnim praktik; tani ata e vendosin në praktikë duke ndjekur shembullin e tij.
Dështimi në ndjekjen e këtij modeli është arsyeja përse kaq shumë programe të dishepullimit ngurrojnë ose dështojnë. Udhëheqësit nuk e kishin problem të gjenin mësues të Biblës që e zotëronin mësimin me libër. Por ata nuk gjetën njerëz që do të ishin shembuj të gjallë. Disa mësues mund të kundërshtojnë [duke thënë] se nuk është e mundur për t’i bërë të gjitha gjërat e dëshirueshme për një dishepull të zjarrtë. Në një rast të tillë, ata duhet të importojnë njerëz që janë ekspertë në fusha të ndryshme. Kjo kërkon pak largpamësi dhe planifikim, por mund të bëhet.
Për një kohë tepër të gjatë këshilltarët kanë qenë të kënaqur me dhënien e tonelatave informacion për dishepujt e tyre, por i kanë lënë pa aftësinë për ta bërë punën me lehtësi dhe sukses. Kjo aftësi fitohet hap pas hapi përmes përvojës praktike.
Një i diplomuar në një prej programeve më të suksessme të dishepullimit ndër asambletë shkroi nga fusha e misionit: «Nëse nuk do të ishte për trajnimin praktik që mësova në program, unë do të kisha ardhur këtu dhe do të pyesja veten: “Tani çfarë duhet të bëj?”» Fatmirësisht kur arriti, ai e dinte saktësisht se çfarë duhet të bënte. Ai ishte në gjendje t’i futej punës dhe të shihte lulëzimin e saj sipas Perëndisë.
Një vend i mirë për të filluar është koha e qetë e përditshme. Këshilltari duhet të tregojë se si e lexon Fjalën, si merr një mesazh nga Zoti dhe si lutet në mënyrë të efektshme.
Më pas është e dëshirueshme që vazhdohet me shërbesa që nuk janë relativisht kërcënuese. Një dishepull duhet ta shohë mësuesin duke shpërndarë trakte në arkat e dyqaneve, në kabinat e tarifave/taksave dhe në çdo vend ku takohet me dikë tjetër. Më pas edhe ai duhet të mbajë disa trakte dhe të bëjë të njëjtën gjë.
Çdo dishepull duhet të inkurajohet që të jetë një student serioz i Fjalës. Përndryshe ai do të dojë të vrapojë, por nuk ka një mesazh. Nëse duhet që të ketë doktrinë të shëndoshë dhe [të jetë në gjendje] t’iu përgjigjet kritikëve, ai duhet ta njohë Biblën. Të lutem, z. Mësues, tregoji se si ta studiojë Biblën ose gjej dikë tjetër që ta bëjë këtë.
Kur këshilltari flet në një takim, ai mund ta nxit dishepullin që të japë dëshminë e tij. Ne të gjithëve na duhet që të fillojmë diku.
Nëse dishepulli është i ndruajtur, atij mund t’i caktohet çdo të diel që të njihet me dikë në kishën lokale me të cilin nuk ka folur kurrë dhe të fillojë një bisedë. Kjo do t’ia bëjë më të lehtë për të ndarë ungjillin me të huaj jashtë kishës lokale.
Më pas atij duhet t’i mësohet se si të përgatitë dhe të paraqes një mesazh ungjilli. Shpresojmë që në fund këshilltari do ta inkurajojë dhe do t’i japë këshilla të dobishme se si të përmirësohet.
Ndërsa përparon, besimtari i ri duhet të dëshirojë privilegjin e mësimit në një shkollë të së dielës [takimi i fëmijëve] ose në një studim biblik në shtëpi.
Predikimi në terren është një trajnim shumë i çmuar. Në fillim ai është tejet frikësues, por të çon zakonisht drejt një dashurie reale për këtë përpjekje të ungjillit. Një përfitim i madh është se ai i mëson një të riu se si ta projektojë zërin. Nëse auditori nuk mund ta dëgjojë, ata do të largohen. Duhet, pra, që të ruani interesimin e tyre. Ata nuk janë një auditor i zënë rob.
Ne mësojmë shumë rreth lutjes duke u lutur me të tjerë. Kjo duhet të jetë një temë primare në programin mësimor të dishepullit. Dishepulluesi duhet të ndajë jetën e tij të lutjes.
Vizitat janë të rëndësishme. Këshilltari cakton kohën për të shkuar në azile, në spitale dhe institucione rehabilitimi. Dhe vizitat në shtëpi mund të jenë për kontakte ungjilli ose për ndërtimin dhe ngushëllimin e të krishterëve. Këshilltari drejton bisedën; praktikanti rri dhe dëgjon. Ai mëson se si të të bëjë një kalim nga një bisedë njohjeje në çështje që kanë të bëjnë me anën frymërore.
Është ideale nëse dishepulli mund të marrë pjesë në takime ku këshilltari i tij ose një nga pleqtë e kishës është duke këshilluar. Numri i problemeve dhe shumëllojshmëria e tyre për të cilat njerëzit kanë nevojë do ta çuditë. Dhe atij do t’i bëjë përshtypje kur ta shohë këshilltarin duke hapur Fjalën për përgjigje. Ata që kanë një njohje të thellë të Biblës kanë një avantazh të madh në këtë rast.
Sa herë që ka një dasmë ose një funeral, dishepulli duhet të mbajë shënime në rast se do t’i kërkohet të flasë në një rast të tillë.
Ndoshta një ditë dishepulli do të jetë një plak në një asamble. Duke patur parasysh këtë, do të jetë e mrekullueshme nëse atij i lejohet ndonjëherë të marrë pjesë në biseda të hapura gjatë një takimi të pleqve.
Shpresoj që këshilltari do ta mësojë dishepullin e tij se si të drejtojë këngët dhe se si të drejtojë një takim. Kjo do t’i ruajë dëgjuesit nga paraqitje të ngathëta që janë krejt pa cilësi.
Një dishepulli duhet t’i mësohet që të shohë gjëra që janë për t’u bërë në vendin e takimit dhe që t’i bëjë ato. Ka shpesh karrige për të rregulluar, libra himnesh për të vendosur, mesazhe për t’u regjistruar. Një dishepull mund të tregojë madhështinë e tij duke shërbyer.
Madje edhe të rinjtë mund të trajnohen që të jenë mikpritës. Ata mund të inkurajohen të përshëndesin vizitorët dhe të mendohet që ata t’i marrin për një vakt.
Më pëlqen kur shoh të rinj që shfaqin vepra mirësie të rastit në emrin e Jezusit. Ky është një zakon që mund të formohet.
[previous][next]