MËSIMET REVOLUCIONARE | Pjesa 1

Mësimi 3 | Dishepullimi i krishterë | LUKA 6:12-26

Shpejt Zoti Jezus do të shkonte në kryq për të vdekur si një zëvendësues për mëkatarët. Ai do të siguronte një rrugë shpëtimi që do të ishte në dispozicion të të gjithë njerëzve. Por kjo nënkupton që duhet të ketë një shpallje botërore të lajmit të mirë. Bota duhet të ungjillëzohet. Si mund të bëhej kjo?

Strategjia e Shpëtimtarit ishte të zgjidhte dymbëdhjetë burra, t’u nguliste në mendje parimet e mbretërisë së Tij dhe më pas t’i dërgonte si lajmëtarë të zjarrtë. Nëse Ai do të mund të gjente pikërisht dymbëdhjetë burra që e donin Atë me gjithë zemër, që s’i druheshin asgjëje përveçse mëkatit dhe që i bindeshin Atij pa dyshim, Ai mund ta bënte botën rrëmujë.

Hapi i parë që ndërmori ishte të kalonte një natë me lutje mbi një mal. Merreni me mend Birin e shenjtë të Perëndisë, përmbys mbi tokë, duke kërkuar vullnetin e Atit të Tij. Nuk ka dyshim që çështja kryesore e lutjeve të Tij ishte zgjedhja e dishepujve. Duke qenë gjithmonë i varur nga Perëndia për udhëheqje, Ai e bëri zgjedhjen [e dishepujve] një çështje lutjeje serioze dhe të zgjatur. Kjo na tregon për përparësinë që Ai i dha lutjes. Dhe kjo qorton rrallësinë e lutjeve tona, ne që vështirë se kalojmë një natë me lutje, në mos asnjëherë.

Ditën tjetër Ai u takua me ndjekësit e Tij dhe zgjodhi të dymbëdhjetët që ne i njohim si apostujt. Zgjedhja që bëri ishte e goditur nga disa anë: numri i zgjedhur, mosha e tyre, kualifikimet e tyre të përgjithshme dhe përfshirja e një tradhtari. Së pari, për sa i përket numrit të të zgjedhurve – jo 12000, 1200, apo edhe 120. Vetëm 12. Përse një skuadër kaq e vogël? Sepse dishepullimi mund të eci përpara me sukses vetëm me një grup të vogël. Veç kësaj, numri duhet të jetë kaq i vogël që çdo arritje t’i atribuohet vetëm Zotit.

Ka mundësi që dishepujt të ketë qenë midis 20 dhe 29 vjeç në këtë kohë. Vetë Zoti ishte rreth 30 vjeç dhe zakonisht mësuesi është më i rritur se studentët e tij. Gjithashtu, Zoti e dinte që rinia ishte mundësia e Tij më e mirë për të formuar, për të ndryshuar dhe për të ndezur shpirtin njerëzor.

Shohim që kualifikimet e dishepujve ishin të zakonshme. Ata ishin njerëz të zakonshëm, të thjeshtë dhe s’kishin mësuar në institucione të larta. Asnjëri prej tyre nuk kishte ndonjë diplomë teologjike. S’kishte ndonjë të pasur. Robert Kolemani i përshkruan ata si «një grumbull shpirtrash disi i rreckosur, nga çdo standard kulture […] që përfaqësonin një shtresë shoqërore të mesme të ditëve të tyre». Ne mund të themi për ata, ashtu si edhe për çdo njeri tjetër, se e vetmja gjë e mrekullueshme rreth tyre ishte lidhja e tyre me Jezusin.

Nuk jemi të qartë rreth zgjedhjes së Judë Iskariotit. Pa dyshim që Zoti i gjithëdijshëm e dinte që Juda do ta tradhtonte dhe pavarësisht nga kjo Ai e zgjodhi atë. Më e mira që mund të bëjmë është ta lemë kështu siç është – një mister.

Menjëherë dishepujve u jepen mësime praktike. Ata e shohin dhe e dëgjojnë Zotin ndërsa Ai mëson turmat, shëron të sëmurët dhe dëbon frymëra të ndyra. Ata s’kanë ç’bëjnë tjetër veçse të mrekullohen ndërsa shohin njerëzit duke u lëshuar me vrap për të prekur Mësuesin. Ata mësojnë se njerëzit mund ta dinë se kur rrjedh fuqia e Perëndisë përmes dikujt.

Mesazhi i Shpëtimtarit duket si një përsëritje e pjesshme e Predikimit në Mal te Mateu 5-7. Po ky nuk është njëlloj. Ky mesazh u dha në një vend të hapur ose të sheshtë (v. 17) dhe jo mbi një mal. Lumturitë janë të ndryshme. Te Mateu të bekuar janë të varfrit në frymë dhe ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi. Te Luka janë ata që janë të varfër dhe të uritur fizikisht. Ky predikim, që iu është drejtuar kryesisht dishepujve (Lu. 6:20), përmban katër mjerime: te Mateu nuk ka asnjë.

Së pari, Zoti u thotë apostujve të jetojnë si njerëz të varfër. Ne e dimë se Ai nënkupton fjalë për fjalë të varfër dhe jo të varfër në frymë nga mjerimi kundërshtues në vargun 24: «Po mjerë ju, o të pasur». Ai nuk thotë të pasur në frymë; kjo do të ishte e pakuptimtë. Ai e ka fjalën për një mungesë bollëku apo pasurie. Por a është një bekim të jesh i varfër? Njerëz në mbarë botën janë të bllokuar nga varfëria shtypëse dhe e rëndë dhe për ata kjo është një mallkim dhe jo një bekim. Atëherë, në çfarë kuptimi do të ishin dishepujt të bekuar duke qenë të varfër? Çelësi për ta kuptuar gjendet në fund të vargut 22: «për shkak të Birit të njeriut». Në vend që të ishin duke grumbulluar pasuri personale për vetveten, të dymbëdhjetët duhet të varfëroheshin që të tjerët të mund të pasuroheshin frymërisht.

Kur ndalojmë dhe mendojmë për këtë, është e qartë se ishte me vend që ata të ishin të varfër. Ata ishin përfaqësues të Atij që lindi në një familje të varfër judease, për të cilin nuk është përmendur kurrë të mbante para, që s’kishte ku të mbështeste kokën. Ata ishin përfaqësues të Atij që ishte i pasur, por që u bë vullnetarisht i varfër që ne të mund të bëhemi të pasur. Ata ishin lajmëtarë të «së vetmes jetë të përsosur që ka jetuar në këtë botë […] jetës së Atij që s’kishte asgjë dhe që s’la gjë veç rrobave që kishte veshur» (Denney).

Do të kishte qenë një kundërshtim nëse ata do të kishin veshur rroba të shtrenjta, do të kishin shfaqur krehje flokësh të kushtueshme, do të kishin treguar në publik lista të gjata të faturave dhe do të kishin ekspozuar xhevahire të kushtueshme. Do të kishin lënë një përshtypje krejt të gabuar të Atij që nuk e vriste mendjen për gjëra të tilla. E. S. Xhounsi tregon kur ka shkuar në një katedrale me zbukurime dhe ka parë një statujë të Jezusit si foshnjë të cilën kisha e kishte mbuluar me xhevahire tepër të çmueshme. Më pas ai doli jashtë në rrugë dhe pa fytyrat e fëmijëve të rrudhur nga uria. Në mendjen e tij erdhi ky mendim: «Pyes veten nëse a është Bambinoja{{1}} duke i gëzuar xhevahiret e Tij». Pastaj ai tha: «Vendosa se nëse Ai po i gëzon, nuk mund ta gëzoj më mendimin e Bambinos». Dhe megjithatë, kisha deklaruese e ka mbuluar Jezusin me veshje të shtrenjta në shumë mënyra, duke e paraqitur Atë para botës si një Njeri të pasur, që jeton me luks dhe jo si një Njeri të Perëndisë, që jeton me thjeshtësi.

Nëse dishepujt do të ishin dërguar si njerëz të pasur, ata mund të kishin afruar ndjekës të panumërt motivi i vetëm i të cilëve do të kishte qenë të përmirësoheshin ekonomikisht. Njerëzit janë gati të deklarojnë besim në një fe vetëm për të marrë një tas me oriz, por nevoja e tyre e madhe është pendimi te Perëndia dhe besimi i vërtetë në Jezus Krishtin si Zoti dhe Shpëtimtari.

Nëse të dymbëdhjetët do të ishin dërguar të pasur, çdo arritje do t’i ishte ngarkuar fuqisë së parasë dhe jo fuqisë së Perëndisë. Veç kësaj, ata do të ishin tunduar të merreshin me projekte të shtrenjta që mund të mos ishte vullneti i Perëndisë. Varfëria në shërbesën e krishterë i mban njerëzit të varur nga Zoti dhe të sigurt që Ai do të paguajë gjithçka që kërkon.

Vështirë se dishepujt do të kishin kryer atë që kryen nëse nuk do të ishin dërguar të varfër. Pasuria do të kishte qenë një pengesë ndërsa varfëria u bëri punë. Këta burra mund të ishin të pasur, por ata vendosën të mos bëheshin të tillë në një botë ku mijëra vdiqën nga të pangrënët dhe ku emri i Jezusit ishte ende i panjohur për turmat.

Dishepujt jo vetëm që duhet të dërgoheshin pa pasuri, por duhej të njihnin bekimet e të qenit i uritur. A është uria një bekim? Po, por vetëm nëse zgjidhet për hir të Birit të Njeriut. Dishepujt nuk ishin thirrur për të qenë ekspertë verërash dhe ushqimesh, duke provuar ushqime të zgjedhura me kujdes dhe të harxhonin kohë duke provuar verëra të cilësisë së lartë. Përkundrazi, ata duhej të jetonin ekonomikisht (me kursim), duke i përdorur burimet e tyre në maksimum për përhapjen e ungjillit.

Pas kësaj shërbesa e tyre duhej të ishte një shërbesë qarjeje. Por kjo nuk i referohet qarjes pandemike (që prek gjithë popullatën) në një botë që vuan si kjo e jona. Kjo është një dhimbje e veçantë, një lloj dhimbjeje që durohet për hir të Birit të Njeriut. Ata duhej të derdhnin lot të hidhur për shpirtrat vdekatarë të njerëzve. Ata duhej të vajtonin për gjendjen e ndarë të kishës. Ata duhej të hidhëroheshin për mëkatet dhe dobësitë e tyre. Nëse do të shkonin duke qarë, duke mbartur farën që do të mbillej, ata do të ktheheshin me këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij (shih Psa. 126:6). «Fituesit e shpirtrave duhet të jenë më parë vajtuesit e shpirtrave».

Ata jo vetëm që duhej të ishin të varfër, të uritur dhe të pikëlluar, por u duhej të ishin jo të pëlqyer për hirin e Birit të Njeriut. Shoqëria besnike që kishin me Jezusin do të sillte mbi ta urrejtje, përjashtim, turp dhe shpifje. Por nuk kishin pse të mërziteshin! Kjo do të ishte një arsye për t’u gëzuar shumë. Ata do të merrnin pjesë në përvojat e profetëve të perëndishëm të Dhiatës së Vjetër dhe do t’u sigurohej një shpërblim i madh në qiell.

Disa mund të tundohen të pyesin: «Çfarë do të mund të bënte Jezusi me një ushtri të tillë budallenjsh të gradës më të ulët – të varfër, të uritur, të pikëlluar dhe të përbuzur? Përgjigjja është: «Ai mund ta bënte botën rrëmujë me ta. Dhe Ai e bëri!

Sikur të ishte duke parashikuar se si brezat e ardhshëm të dishepujve do të hiqnin dorë nga jeta sakrifikuese e vetëmohimit dhe do të kapeshin pas «lukseve të ëmbla dhe fine që vrasin shpirtin», Zoti shqiptoi katër mjerime.

Mjerë ju, o të pasur! Këta janë dishepuj të deklaruar motoja e të cilëve është: «Asgjë nuk është tepër e mirë për popullin e Perëndisë». Ata citojnë 1 Timoteut 6:17b: «(Ai) na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar» dhe harrojnë që ky gëzim nuk është për të kënaqur veten, por ashtu siç e thotë edhe vargu tjetër, që të bëjnë të mira, të bëhen të pasur në vepra të mira dhe të gatshëm për t’u dhënë nevojtarëve. Ata nuk pranojnë të shohin sa e gabuar është të grumbullosh pasuri kur kjo pasuri mund të përdoret për ungjillëzimin e të humburve. Ata harrojnë që Biri i shenjtë i Perëndisë ka thënë: «Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë» (Lu. 18:24b-25).

Mjerë ju, që jeni të ngopur! Këta janë dishepuj të deklaruar që jetojnë për të kënaqur orekset e tyre. Vetvetja është qendra dhe kufiri i jetëve të tyre. Ata hanë nëpër restorante elegantë, janë të babëzitur për udhëtime për qejf që s’të çojnë kurrkund dhe kënaqen nëpër klube dhe hotele të famshëm. Jeta e tyre është veçse kuzhinë dhe dhomë ngrënieje. Fakti që Llazari ka uri aty jashtë te dera e tyre nuk iu intereson fare.

Mjerë ju, që tani qeshni! Mëkati i tyre nuk është se pëlqejnë një shaka të mirë, por që gjithçka në jetë është një shaka për ata. Ata nuk duken se janë seriozë për çështjet e mëdha të kohës dhe përjetësisë, për shpirtrat që po vdesin, për njerëzimin që vuan apo për ferrin e përjetshëm. Frymërisht ata janë bosh. Jeta është thjesht një tas me qershi. Mendjet e tyre janë bosh; e folura e tyre është bosh; jetët e tyre janë bosh.

Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju! Ata thonë se janë dishepuj të Jezusit, por, në fakt, ata janë skllevër të pozitës. Ata duan lavdinë e njerëzve më tepër se atë të Perëndisë. Ata i shmangen të folurit hapur dhe pa frikë të së vërtetës që ajo të mos ofendojë dikë. Këta njerëz janë të paqëndrueshëm, që e përshtatin mesazhin sipas audiencës. Ata mund të flasin njëherësh nga të dy cepat e gojës. Ata bëjnë pjesë në prejardhjen e fëlliqur të profetëve të rremë të Dhiatës së Vjetër.

Pra, dishepujt duhet të marrin një vendim të matur. Nga njëra anë kemi varfëri, uri, lot dhe përbuzje për hirin e Birit të Njeriut. Nga ana tjetër kemi pasuri, ushqim me tepri, hare dhe miratim nga njerëzit. Ata që zgjedhin të dytën e marrin shpërblimin tani dhe pendimin më vonë. Ata që zgjedhin të parën trashëgojnë mbretërinë bashkë me gjithë gëzimet që e shoqërojnë.


[[1]]Bambino – shëmbëlltyra e Jezus Krishtit si foshnjë në kishën katolike. Këtu është përdorur në kuptimin metaforik për Krishtin e vërtetë. (Shënim nga përkthyesi). [[1]] [previous][next]