PËRKUSHTIM I PLOTË

Mësimi 20 | Jeta e Krishterë

Të gjithë të krishterët duhet të bien dakord se vepra shlyese e Zotit Jezus në kryqin e Kalvarit ka një domethënie dhe vlerë aq të pamasë, sa që ajo u kërkon ndjekësve të Tij që të jenë të përkushtuar ndaj Atij. Nuk ka asnjë dyshim për domosdoshmërinë e këtij përkushtimi; ky është një përfundim që dihet dhe që pranohet gjerësisht. Por kemi dy pyetje pa përgjigje: Deri në çfarë niveli duhet të jemi të përkushtuar ndaj Atij? Dhe si mund të realizohet kjo në jetën e përditshme?

Teorikisht ne duhet të jemi plotësisht të përkushtuar. Asgjë më pak se një sakrificë e plotë e vetvetes – frymë, shpirt e trup – nuk do të ishte një përgjigje e përshtatshme ndaj sakrificës së Tij për ne. Shumë nga himnet tona e shprehin këtë me gjallëri: «E denjë është kjo dashuri t’i marrë, gjithë jetën, shpirtin, zemrën krejt». «Si mund të jap më pak se t’i jap Atij më të mirën që kam dhe të jetoj për Të plotësisht kur Jezusi dha gjithçka që kishte». «Si mund të bëj një sakrificë më të vogël kur Jezusi dha gjithçka që kishte».

Megjithatë, mund të ngrihet një pyetje e vlefshme nëse a ka ndodhur ndonjëherë që një besimtar të jetë plotësisht i përkushtuar ndaj Shpëtimtarit. Madje edhe apostullit Pal i duhej të pranonte që ai nuk e kishte arritur akoma dhe që nuk ishte ende i përsosur (Fil. 3:12). Kur mendojmë për mëkatet dhe dështimet tona, për egoizmin tonë dhe motivet tona kontradiktore, ne ngurrojmë të pranojmë që dedikimi ynë ndaj Zotit është ashtu sikurse duhet të jetë.

Megjithatë kjo nuk duhet të na ndalojë që të përpiqemi drejt synimit për të arritur idealen. Edhe pse nuk e kemi arritur përsosurinë, ne mund të rendim drejt synimit. Edhe pse vargjet e këngës «Dorëzoj gjithçka» ne nuk mund t’i këndojmë si një përvojë të tanishme, ne mund t’i këndojmë këto fjalë si një aspiratë të zemrës.

Kështu që kjo na bind të shqyrtojmë tërë subjektin e përkushtimit me hollësi biblike. Çfarë është përkushtimi? Përkushtimi është t’ia japësh jetën tënde Zotit që Ai të bëjë më të çfarëdo që i pëlqen. Ai është një akt i qartë dhe i marrë mirë parasysh që një person zgjedh vullnetin e Krishtit në vend të vullnetit të vet. Është të humbasësh jetën tënde për hirin e Tij dhe të ungjillit. Ai është t’i japësh Atij besnikërinë e zemrës dhe dashurinë e shpirtit.

Qoftë sëmundje a shëndet

qoftë varfëri a pasuri.

Qoftë në shtëpi a jashtë.

Qoftë beqar a i martuar.

Qoftë i panjohur a i mirënjohur.

Qoftë një jetë e shkurtër a një e gjatë.

Merrmë kështu si jam, Zot,

Dhe qofsha i tëri yti.

Qoftë zemra ime pallati yt

Dhe froni yt mbretëror.

(Autor i panjohur)

Disa fjalë nuk gjenden në fjalorin e përkushtimit: «Jo kështu, Zot». «Më lejo më parë…». «Jo tani, por më vonë».

PARIMI ARSYETUES I PËRKUSHTIMIT

Ekzistojnë arsye bindëse për të patur një përkushtim të plotë ndaj Jezus Krishtit:

1. Këtë e kërkojnë mëshirat e Perëndisë. «Do t’i bëhej një fyerje e madhe asaj dashurie që dha GJITHÇKA për ne, po të themi se e duam dhe megjithatë të ndalojmë për të llogaritur në lidhje me faktin që Atij duhet t’i japim gjithçka kur ajo gjithçka që ne ofrojmë s’është gjë tjetër veçse dy kacidhe. Ndërsa ajo gjithçka që Ai dha është qiellin, tokën, përjetësinë, Veten. Më mirë të mos duam fare. Më mirë të jemi të ftohtë sesa të vakët» (Lady Powerscourt).

«Ekziston njëfarë mungese sinqeriteti që t’ia përkushtojmë Perëndisë shpirtrat e përjetshëm për shpëtim dhe më pas të ngurrojmë t’i japim Atij jetën e vdekshme. Ne kemi guximin t’i besojmë Atij për të na shpëtuar nga ferri dhe për të na marrë në qiell, por ngurrojmë për ta lejuar Atë të kontrollojë jetët tona në këtë jetë» (R. A. Laidlaw).

2. Është e vetmja përgjigje e arsyeshme ndaj faktit që Perëndia Bir vdiq për mua. Është e vetmja shërbesë e mençur, zgjedhja më e arsyeshme dhe më e matur që ne mund të bëjmë duke patur parasysh mëshirat e Perëndisë. Nëse Ai vdiq për mua, më e pakta që unë mund të bëj është që t’i jap Atij jetën time. «Nëse Jezus Krishti është Perëndi dhe vdiq për mua, atëherë asnjë sakrificë nuk mund të jetë tepër e madhe që unë të bëj për Të» (C. T. Studd).

«Kryqi i Krishtit nuk do të ketë kurrë ndonjë domethënie për ty derisa ai të ta marrë frymën dhe të bëhet gjëja më e rëndësishme në jetën tënde» (Harold St. John).

3. Është rruga e sigurt për të njohur udhëheqjen e Perëndisë (Rom. 12:2).

4. Mirënjohja e kërkon këtë.

5. Ne nuk i përkasim vetvetes. Zoti Jezus na bleu me një çmim tepër të lartë në kryqin e Kalvarit. Ne i përkasim Atij. Nëse ne e përdorim jetën tonë sipas mënyrës që ne dëshirojmë, ne jemi hajdutë.

E dija që Jezusi kishte vdekur për mua, por nuk kisha kuptuar kurrë më parë që nëse Ai vdiq për mua, atëherë unë nuk i përkisja vetvetes. Shpengim do të thotë të blesh përsëri, kështu që nëse unë i përkas Atij, ose më duhej të bëhesha një hajdut dhe të mbaja atë që nuk ishte e imja, ose më duhej t’i jepja gjithçka Perëndisë. Kur arrita të kuptoj që Jezusi kishte vdekur për mua, nuk m’u duk e vështirë të heqja dorë nga gjithçka për Të (C. T. Studd).

Një organist fshati nuk e lejoi dy herë një vizitor që t’i binte organos së kishës. Si përfundim, ai u dorëzua dhe i huaji filloi t’i bjerë. Ishte sikur e tërë kisha u mbush me muzikë qiellore. Organisti e pyeti: «Po kush je ti?»

Me modesti i huaji iu përgjigj: «Unë quhem Mendelssohn».

«Çfarë!» tha burri, duke qenë krejt i turpëruar. «Unë nuk të dhashë ty leje që t’i biesh organos sime?{{1}}» Ne duhet t’i japim Perëndisë lavdi që di se si t’i bie organos tonë më mirë se ç’mundemi ne.

6. Jezusi është Zot. Nëse Ai është Zot, Ai ka të drejtë për gjithçka. «Sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të mund të jetë Zot» (Rom. 14:9).

7. Ai e di se ç’është më e mirë për ne më mirë sesa ne. Ai është në dijeni të disa alternativave për të cilat ne jemi në padije.

8. Përkushtimi ndaj Krishtit na shpëton nga jetë të humbura kot, nga gjërat pa rëndësi. Na shpëton nga të qenit njerëz, puna e vetme e të cilëve është të shesin tullumbace në ditë paradash apo të shesin syze të errëta në ato ditë kur kemi një eklips të plotë të diellit. Ose nga të rregulluarit e karrigeve në kuvertën e Titanikut ose nga të drejtuarit e pikturave në muret e një shtëpie në flakë.

Një ditë Stiv Xhobsi (Steve Jobs), kreu i «Apple Computer», po fliste me Xhon Skalli (John Scully), presidentin e «Pepsi-Cola». Ai mendonte se Skalli mund t’i përdorte më mirë aftësitë e tij në përhapjen e industrisë së kompjuterave. Xhobsi i tha Skallit: «Kur do ndalosh së shituri ujë të ëmbël dhe të bësh diçka që do të ndryshojë botën?» Scully e pranoi sfidën.

Pas ringjalljes, Pjetri u tha dishepujve të tjerë: «Po shkoj të peshkoj» (Gjo. 21:3). E pabesueshme. Pjetri kishte mesazhin e shpengimit të botës dhe po shkonte të peshkonte.

9. Dashuria e Krishtit na shtrëngon (2 Kor. 5:14-15). David Livingstone tha që ajo «na detyron».

10. Krishti na jep një domethënie të re të vlerave, të asaj se ç’është e rëndësishme.

Sapo dikush të shohë sytë e Krishtit dhe të ndiejë magnetizmin e mënyrës se si Ai jeton, ai nuk do të kënaqet kurrë me idealet dhe standardet laike të cilat mund t’i jenë dukur mjaft të përshtatshme para se të vinte Krishti. Krishti ka bërë që atij t’i duket çdo gjë e kotë. Standardet e vjetra të vlerave janë bërë thëngjij, hi, pluhur. Falëndero Perëndinë për këtë.{{2}}

Në librin e tij Predikim Biblik, Haddon Robinson citon Ernest Campbell që thotë:

U habita ditën e djeshme nga pikëpamja e Leonard Ulfit që kishte për punën në jetë. «Shoh qartë», tha ai, «që nuk kam arritur praktikisht asnjë gjë. Bota sot dhe historia e folesë njerëzore gjatë 5-7 vitet e kaluara do të ishte saktësisht e njëjtë sikur të kisha luajtur ping-pong në vend që të merrja pjesë nëpër komitete dhe të shkruaja libra e përkujtesa. Prandaj më duhet të bëj një rrëfim disi të turpshëm që i bie të kem nëse jetoj gjatë aty midis 150.000 deri në 200.000 orë të padobishme pune»{{3}}.

Kryqi ka një domethënie të tillë për atë besimtar që e kupton, që ai duhet të jetë gjithçka ose asgjë.

Dështimi për t’ia përkushtuar jetët tona Krishtit është i barasvlershëm me gogësimën para fytyrës së Tij. Është t’i thuash Atij: «Ti nuk ke bërë ndonjë gjë kushedi se çfarë që të meritojë që unë të të lejoj Ty të drejtosh jetën time».

SHEMBUJ PËRKUSHTIMI

Krishti (Isa. 6; Heb. 10:7). Zoti ynë ishte i pushtuar nga zelli për punët e Atit të Tij. Dëshira e Tij e vetme ishte t’i pëlqente Atij.

Abrahami (Zan. 22:1-19). Ky burrë kishte një vendosmëri të patundur për t’iu bindur Perëndisë, edhe nëse kjo do të thoshte të sakrifikonte thesarin më të çmuar ne jetë, birin e tij të vetëm, Isakun.

Flijimi bërë me zjarr (Lev. 1:13b). Veçoria e spikatur e flijimit bërë me zjarr është që ai digjej plotësisht për Perëndinë. Flijimi shprehte dëshirën e ofruesit për të jetuar plotësisht për Të.

Skllavi hebre (Eks. 21:2-6; LiP. 15:11-18). Kur një skllav jude bëhej i zgjidhshëm për të qenë i lirë, Ai mund të zgjidhte që të ishe skllavi i zotërisë së tij përgjithmonë.

Ruthi (Ruthi 1:16-17). Kjo vashë që nuk i përkiste popullit të Izraelit shprehu përkushtimin e saj me këto fjalë të pavdekshme:

Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis dhe mos të të ndjekë më, sepse kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia im do të jetë edhe Perëndia im; aty ku të vdesësh ti do të vdes edhe unë dhe atje do të më varrosin. Kështu të veprojë me mua Zoti, bile edhe më keq, në rast se veç vdekjes ndonjë gjë tjetër do të më ndajë prej teje!

Esteri (Est. 4:16). Në një kohë kur judenjtë, populli i saj, po rrezikoheshin të shuheshin, kjo mbretëreshë vuri në rrezik jetën e saj për të ndërmjetësuar për ta, duke thënë: «Do të hyj te mbreti; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes».

Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego (Dan. 3:17-18). Besnikëria që kishin ndaj Perëndisë bëri që ata të përballnin me guxim furrën e zjarrit, sesa të komprometonin besimin e tyre. Sundimtarit të botës së atëhershme ata i thanë:

Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret. Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur.

Thomas Cranmer dhe dora që firmosi dokumentin e mohimit. Në një çast dobësie, Peshkopi Cranmer kishte firmosur një dokument ku mohonte bindjet e tij, por më pas ai e rishikoi këtë vendim. Para se të digjej në furrën e druve, dorën që kishte firmosur dokumentin e lig ai e hodhi në zjarr, duke thënë: «Mallkuar qoftë kjo dorë e padenjë». Ai donte që ajo të digjej e para.

John Nelson Darby. Gjatë një jete të frytshme përkushtimi dhe shërbimi të palodhur, Darby pati një zakon që rrobat e tij ishin aq që një valixhe i mbante. Një ditë ai u ul në një bujtinë të lirë italiane dhe këndoi: «Jezus, unë e kam marrë kryqin tim, gjithçka lë dhe të ndjek Ty». Dhe kjo ishte e vërtetë.

C. H. Spërxhëni. «Princi i predikuesve» shkroi:

Atë ditë, kur ia dorëzova veten Shpëtimtarit, i dhashë Atij trupin tim, shpirtin tim, frymën time; i dhashë Atij gjithçka kisha dhe gjithçka që do të kem në jetë e në përjetësi. I dhashë Atij të gjitha talentet e mia, fuqitë e mia, aftësitë e mia, sytë e mi, veshët e mi, ndërgjegjen time, gjymtyrët e mia, emocionet e mia, gjykimin tim, tërë burrërinë time dhe gjithçka që mund të dalë prej saj.

A. T. Pierson ka thënë për të: «Nga tërë aftësia që kishte dhe çdo mundësi që Perëndia i dha, ai i shfrytëzoi në maksimum».

William Borden. Ky bir i pasurisë e shprehu kështu përkushtimin e tij: «Zoti Jezus, i largoj duart për sa i përket jetës sime. Të vendos Ty në fronin e zemrës sime. Më ndrysho, më pastro, më përdor ashtu siç do. Marr tërë fuqinë e Frymës Tënde të Shenjtë. Të faleminderit».

Betty Stam. Betty e kishte tepër seriozisht kur shkroi në Biblën e saj:

Zot, heq dorë nga qëllimet dhe planet e mia, nga të gjitha dëshirat, shpresat, ambiciet e mia dhe të pranoj vullnetin Tënd për jetën time. Të jap vetveten, gjithë jetën, gjithçka timen, krejtësisht t’i jap Ty, të jem e jotja përgjithmonë. Ja dorëzoj ruajtjes tënde gjithë miqësinë time, gjithë dashurinë time. Të gjithë njerëzit që i dua zënë vendin e dytë në zemrën time. Vepro në mua tërë vullnetin Tënd, cilido qoftë çmimi, tani dhe përjetë. Për mua të jetuarit është Krishti.

Xhorxh Myller. Kur Artur T. Pierson e pyeti Xhorxh Myllerin: «Cili është sekreti i veprave të tua të mëdha dhe i gjërave të mrekullueshme që Perëndia ka bërë përmes teje?» Mylleri ngriti sytë për një moment, pastaj e përkuli kokën e tij aq poshtë, saqë ajo për pak sa nuk arriti gjunjët e tij.

Mbeti i heshtur për një moment dhe pastaj tha: «Shumë vite më parë erdhi një ditë në jetën time kur Xhorxh Mylleri vdiq. Si një i ri, kisha shumë ambicie të mëdha, por erdhi një ditë kur unë vdiqa për të gjitha këto gjëra dhe thashë: “Që tani e tutje, Zoti Jezus, mos u bëftë vullneti im, por Yti” dhe që nga ajo ditë Perëndia filloi të punojë në mua dhe përmes meje».

Gjenerali Booth. Themeluesi i organizatës Ushtria e Shpëtimit ka thënë: «Kur isha një djalosh 17-vjeçar, unë vendosa që Perëndia duhet të ketë gjithçka që i përkiste Uilliam Buthit».

Peshkopi Taylor Smith. Ai e kishte zakon të gjunjëzohej çdo mëngjes para krevatit dhe të lutej: «Zoti Jezus, ky krevat, altari yt; unë, sakrifica jote e gjallë».

ÇFARË PENGON PËRKUSHTIMIN TONË?

1. Frikë nga vullneti i Perëndisë – se çfarë Ai mund të kërkojë. Gjëja e parë që vjen në mendjet e njerëzve është fusha e misionit. Gjarpërinjtë, akrepët, merimangat, moçalet, nxehtësia mbytëse dhe lagështia. Por Perëndia ka një llojshmëri vullnetesh për popullin e Tij. Dhe vullneti i Tij është gjithnjë i mirë, i pëlqyer dhe i përsosur. «Perëndia i dashurisë dhe urtësisë së pafund dëshiron vetëm më të mirën për popullin e Tij».

Një zonjë e re i tha Graham Scroggie: «Kam frikë ta bëj Krishtin Zot, kam frikë se çfarë do të kërkojë nga unë». Me mençuri Dr. Scroggie iu kthye historisë së Pjetrit në Jopë. Zoti i tha Pjetrit të ngrihej dhe të hante. Tri herë Pjetri iu përgjigj: «Jo, Zot». Me butësi Scroggie tha: «Ti mund të thuash “Jo” dhe mund të thuash edhe “Zot”, por nuk mund të thuash “Jo, Zot”. Po të lë Biblën dhe këtë laps. Shko në një dhomë tjetër dhe hiqi kryq fjalës Jo ose Zot». Gruaja u kthye duke qarë lehtë. Duke parë nga supi i saj ai pa që fjalës Jo i ishte hequr kryq. Ajo po thoshte: «Ai është Zot. Ai është Zot». Të tilla janë fjalët e bindjes së shenjtë{{4}}.

Ai nuk kërkon rekrutë ngurrues. Ai dëshiron vullnetarë. Ai vepron në ne vullnetin dhe veprimtarinë (Fil. 2:13).

2. Frikë nga fakti se çfarë do të marrë Perëndia. Kjo është plotësisht e pabazë. Perëndia ynë nuk vjen për të marrë, por për të dhënë. Jo vetëm kaq, por vullneti i Tij është i mirë, i pëlqyer dhe i përsosur. Të kesh frikë nga ky vullnet do të thotë të kesh frikë nga një bekim.

3. Frikë nga ndalimet e Perëndisë. Ne kemi frikë se mos Ai nuk do që ne të martohemi. (Kjo nuk ka shumë gjasa. Martesa është vullneti i Tij për pjesën më të madhe të racës njerëzore. Nëse Ai dëshiron që të ngelesh beqar, Ai do të të japë hirin për këtë dhe do të mësosh që është më mirë të qëndrosh beqar, sesa të martohesh me personin e gabuar). Ne kemi frikë se mos vullneti i Tij mund të rrezikojë mundësinë tonë për një karrierë fitimprurëse, për një shtëpi të bukur në periferi, për fëmijë dhe dy makina. A nuk do të ishte më mirë që t’i jepnim Atij vitet tona pas daljes në pension?

Ai nuk do bishtin e një jete të harxhuar. Ai dëshiron më të mirën.

Zot, me tërë forcën time

do të jem i fortë për Ty;

Duke kaluar mbi çdo gjë të shtrenjtë,

drejt Teje do ta ngre këngën time.

Zemrën time botës nuk do t’ia jap

dhe pastaj do të shpall dashurinë Tënde;

Forcën time nuk do ta lë të shkoj,

dhe pastaj do të tregoj shërbimin Tënd.

Nuk do të shkoj me zell të nxituar

sipas porosive të kësaj bote;

Do t’i ngjitem malit të shenjtë

me këmbë të këputura e ngadalë.

Mos qofshin për Ty dëshirat e mia të dobëta,

anët e mia më të shkreta, më të ulëta;

Mos qofshin për Ty pasionet e fishkura,

apo hiri i zemrës sime.

Oh, më zgjidh në moshën e artë,

qofsh pjesë e gëzimeve të mia të shtrenjta;

Të qoftë Ty lavdia e rinisë sime,

plotësia e zemrës sime.   (Thomas H. Gill)

4. Frikë nga humbja e pavarësisë. Vullneti i Tij mund të pengojë dëshirën tonë për të bërë ato gjëra që ne dëshirojmë dhe që duam t’i bëjmë sipas mënyrës sonë. Kjo do të thotë që vitet më të bukura të jetës t’ia japim botës, duart e së cilës janë të njollosura me gjakun e Krishtit.

5. Frikë nga e panjohura. Kur Abrahami u largua nga shtëpia duke iu bindur Zotit, ai mësoi se është më mirë të ecësh në errësirë me Perëndinë, sesa të ecësh vetëm në dritë. Ishte më mirë t’i besonte shikimit të Perëndisë sesa të tijit.

6. Frikë nga humbja e sigurisë. Ne kemi frikë se mos ndoshta nuk do të kemi një mjet të dukshëm mbështetjeje, që ne mund të kalojmë në ndihmë sociale. Kur do të mësojmë që Perëndia është siguria jonë e vetme dhe se nëse ne e vendosim Atë të parin, neve nuk do të na mungojnë kurrë nevojat e jetës.

7. Frikë nga mundimet. Humbja e rehatisë. Ne mendojmë se dorëzim i plotë do të thotë humbje e rehatisë. Gjendja jonë do të shkatërrohet deri atje, saqë edhe banjën do ta kemi jashtë. Ne nuk do të jemi në gjendje që të bëjmë një dush çdo ditë. Neve do të na duhet të veshim rroba të përdorura dhe të përdorim mobilie nga Ushtria e Shpëtimit dhe gjithçka do të jetë e dorës së dytë. Një frikë e tillë është për të qeshur.

8. Frikë nga pamjaftueshmëria. Njerëzit thonë: «Nuk jam mjaft i talentuar që Perëndia të më përdorë. Jam një askush dhe nuk kam ndonjë talent kushedi se çfarë». Këta njerëz harrojnë që Perëndia dëshiron të përdorë besimtarët e marrë, të dobët, të pavlerë dhe të përçmuar (1 Kor. 1:26-28). Nëse ata kualifikohen për njërin nga këta tituj, atëherë Perëndia mund t’i përdori. Pastaj kur diçka ndodh për Perëndinë, Ai e merr lavdinë.

9. Frikë nga humbja e pozitës. Ne e konsiderojmë veten tepër të lartë për t’ju futur shërbesës së krishterë. Shërbesa e Zotit është një shkallë më poshtë në shkallën shoqërore. Kjo s’është gjë tjetër veçse krenari e sëmurë dhe e qelbur. Mendo për këtë: Ne mund t’i ngjitemi shkallës së suksesit dhe pastaj, pasi të kemi arritur majën, mund të kuptojmë që shkalla ishte mbështetur mbi murin e gabuar.

Ne mund ta shkëmbejmë më të mirën e Perëndisë me më të mirën e dytë të Tij.

Cilat janë alternativat që ngelen kur nuk kemi një jetë plotësisht të dorëzuar?

  • Një jetë e përkushtuar pas gjërave pa rëndësi.
  • Një shpirt i shpëtuar dhe një jetë e humbur.
  • Një hyrje në qiell duarbosh.

Cornelius Plantinga Jr. e përshkruan këtë kështu: «Në këtë moment ju jeni duke patur një karrierë për hiçgjë – duke u endur nëpër qendra tregtare, duke vrarë kohën, duke patur biseda të parëndësishme, duke parë programe televizive derisa karakteret e filmave bëhen më të njohur sesa ata të familjes sate».

PËRKUSHTIM I GABUAR

Gjenden të paktën tre shembuj të qartë në Dhiatën e Re ku kemi një përkushtim të gabuar.

1. Anania dhe Safira (Veprat 5:1-11). Ata pretenduan se i dhanë të gjitha, por mbajtën një pjesë për veten e tyre.

2. Tre mohimet e Pjetrit (Mt. 16:22; Gjo. 13:6, 8; Vep. 10:13-14). Apostulli tha: «Kurrsesi, o Zot». Ti mund të thuash «Kurrsesi» dhe mund të thuash edhe «o Zot», por nuk mund të thuash «Kurrsesi, o Zot».

3. Ai burrë që tha: «Më lejo më parë» (Lu. 9:57-62). Tre burra thanë se dëshironin të ndiqnin Krishtin, por ata vunë interesat e tyre para atyre të Krishtit.

DORËZIM I PLOTË

Kjo është një krizë. Duhet të vijë një kohë për herë të parë kur ne i vendosim jetët tona në altarin e përkushtimit të plotë. Mund të ndodhë një luftë e madhe. «Duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë».

«Jepi Atij gjithçka tënden. Jo gjysmën, jo pjesë të thyera, mos mbaj asnjë rezervë, mos mbaj asnjë pjesë të dhuratës dhe mos ki asnjë pretendim që e pjesshmja është e tëra. Ekziston një harmoni dhe thjeshtësi e dukshme për atë jetë që në mënyrë të vendosur e do Perëndinë dhe i shërben Atij me të gjithë zemrën. Një jetë e tillë nuk do të largohet kollaj nga dashuria e saj e parë» (Anon).

«U shkon të rinjve që gjithë talentin dhe potencialin e tyre ta vendosin te këmbët e Shpëtimtarit» (Autor i panjohur).

Mund të mos nevojiten eksperienca të domosdoshme emocionale. Mund të mos ketë drita, zile apo të ngjethura në sistemin tuaj nervor. Por do të ekzistojë ajo ndjenja vetëm për të braktisur ato gjëra të cilat ke pushuar së dëshiruari.

David Livingstone ka thënë: «Është për të ardhur keq që nuk kam më shumë për të dhënë».

E varfër është sakrifica jonë

me sy të ndriçuar nga lart.

Ofrojmë atë që dot se mbajmë,

atë ç’ka kemi pushuar së dashuri.

Isac Watts shkroi:

Në asgjë tjetër s’mburrem dot,

veç në atë kryq të Zotit tim.

Pra, çdo dëshirë, çdo qejf të kotë

i jap Atij unë pa pendim.

Homer Grimes pyeti dhe pastaj u përgjigj:

Çfarë të të jap Ty, Zot?

Ty, që vdiqe për mua.

A të të jap më pak se ç’zotëroj

apo të të jap gjithçka Ty?

Jezus, Zoti dhe Shpëtimtari im,

Ti ke dhënë gjithçka për mua.

Jo vetëm një pjesë, apo gjysmën e zemrës sime,

unë do të të jap Ty gjithçka.

Charlotte Elliot tha kështu:

Kështu si jam po vij, o Zot

dashuria më çliroi sot.

Të jem me Ty përjet’ e mot,

o Zoti im, po vij, po vij.

E. H. Swinstead iu përgjigj po:

Jezus, Zot e Mjeshtër, hyjnorja dashuri më rrethon,

tani tërë vullnetit tënd i përgjigjem po

I lirë nga skllavëria e Djallit, jam i yti përjetë;

tani tërë qëllimet e tua në mua plotëso.

Kjo është mënyra se si Cecil J. Allen shprehu dorëzimin e tij të plotë:

Zemra, duart dhe këmbët e tij, që të tria

u shpuan për mua në Kalvar,

dhe në këtë moment, Atij i jap

zemrën, duart dhe këmbët e mia si një ofertë.

J. Sidlow Baxter kuptoi arsyetimin e përkushtimit të plotë:

O Krisht, duart e këmbët e tua të gjakosura,

sakrifica jote për mua

Çdo plagë, çdo lot jetën time kërkon

si sakrificë për ty.

Gjithashtu Baxter shkroi:

I dashur kryq, dëgjoj zërin tënd përgjërues.

Të të kundërshtoj nuk lëviz dot.

Zemra ime mposhtet, pranoje britmën time

sepse më pak fyej tënden dashuri.

Frances Havergal ofroi veten e saj për të qenë përgjithmonë e Krishtit:

Dashurinë, o Zot, e derdh

si thesar, në këmbë ta hedh.

Merrmë dhe do t’jem, o Zot,

krejt për Ty përjet’ e mot.

Në një poemë tjetër, Frances e shprehu këtë kështu:

Plot me gëzim e kënaqësi, ta dorëzoj jetën time Ty

që e jotja tërësisht e plotësisht të jetë.

O Bir i Perëndisë që më do, do të jem vetëm i yti,

dhe gjithçka jam e kam do të jetë paskëtaj e jotja.

Edhe Thomas O. Chisholm ja dorëzoi jetën e tij vetëm Jezusit:

O Jezus, Zot e Padron

ta  jap jetën time Ty

sepse Ti me shlyerjen tënde

dhe i pari jetën për mua.

S’i përkas padroni tjetër,

zemra ime do të jetë froni yt.

Tani e tutje e jap jetën për të jetuar

O Krisht, vetëm për Ty.

Logjika bëri që Betty Daasvand të shkruajë:

Pas gjithçkaje që Ai ka bërë për mua,

pas gjithçkaje që Ai ka bërë për mua,

si të mos i jap unë Atij më të mirën

dhe të jetoj për të plotësisht

pas gjithçkaje që Ai ka bërë për mua.

Isaac Watts e pa përkushtimin total si të vetmen përgjigje të duhur për dashurinë e Kalvarit:

Pra, mund ta fsheh fytyrën e skuqur

teksa shfaqet kryqi i Tij i dashur;

zemra ime shpërthen me falënderim,

dhe unë përlotem për të dashurin tim.

Por lotët e trishtimit s’mund të shlyejnë kurrë,

borxhin e dashurisë që unë kam;

i dashur Zot, ta fal jetën time Ty

kjo është më e pakta që mund të bëj për Ty.

Një strofë e fundit nga Avis B. Christiansen:

Vetëm një jetë për të jetuar – merre, i dashur Zot, unë lutem;

nuk të mbaj Ty asnjë gjë, vullnetit Tënd tani i bindem.

Ti që falas më ke dhënë gjithçka në tërësi,

deklaroje tënden këtë jetë për Ty të përdoret,

o Shpëtimtar, çdo çast vetëm për Ty.

Çdo moment për ty

Të gjithë këta poetë do të bien dakord me Henry Bosch kur ai shkroi: «Në vend që të hartosh 

të ardhmen tënde, kërko udhëheqjen e Perëndisë. Duke qenë se vullneti i Tij mbështetet mbi dashurinë dhe urtësinë e Tij të pafund, ti mund të jesh i sigurt që gëzimi yt më i lartë dhe plotësimi yt më i madh do të gjenden duke bërë atë që Ai dëshiron që të bësh».

Përkushtimi total nuk është vetëm një krizë, një përvojë që ndodh për herë të parë. Ai është një proces. Ne duhet ta përtërijmë përkushtimin ditë për ditë. Pastaj ne merremi me diçka, duke bërë ato gjëra që duart tona gjejnë për të bërë. Ne e rraskapitim veten me shumë punë dhe pastaj e ringjallim atë përsëri me lutje. Perëndia na drejton kur jemi në lëvizje. Ai nuk i zbulon njëherësh të gjithë planin. Ai është si një rrotull që shpaloset.

Ne duhet të rrimë afër Fjalës. Përkushtimi ndaj Krishtit përfshin që t’i japim Biblës një vend kryesor. Unë nuk mund të jem i devotshëm ndaj Fjalës së Gjallë pa qenë i devotshëm ndaj Fjalës së shkruar dhe të kalosh kohë me Fjalën përditë e tregon këtë devotshmëri. Devotshmëria tregohet edhe me studimin, mësimin përmendsh, përsiatjen dhe bindjen ndaj asaj që lexojmë. Fjala e Perëndisë do të jetë në zemrat tona: ne do t’ia mësojmë atë fëmijëve tanë; do të flasim për të kur rrimë ulur në shtëpitë tona, kur ecim rrugës, kur kemi rënë në shtrat dhe kur çohemi; do t’i lidhim si një shenjë në dorë (veprimet tona) dhe do të jenë si shirita midis syve (dëshirat tona); ne do t’i shkruajmë mbi pllakat e shtëpive tona dhe mbi portat tona (shih LiP. 6:6-9). Me fjalë të tjera, Bibla do të futet në çdo fushë të jetës sonë.

Në botën tonë heretike do të duhen me qindra tonë disiplinë për të shuar pretendimet e jetës sociale dhe për të lënë mënjanë programet televizive dhe telekomandën në mënyrë të t’ju kushtuar studimit sistematik e të vazhdueshëm të Fjalës, por kjo është pjesë e çmimit për t’u paguar nëse ne duam të japim maksimalen për Shumë të Lartin.

Ne duhet të kalojmë shumë kohë në lutje. Dishepulli i devotshëm është njeri i lutjes. Përkushtimi përfshin përbashkësi dhe përbashkësi do të thotë të kalosh kohë me Personin që ne duam. Shpëtimtari nuk ka vendin e parë në jetën time nëse takimet e mia me Të janë të rastit, të vrullshme, të shkurtra dhe të nxituara. Nga ana tjetër, sa më shumë që e dua Atë, aq më e madhe do të jetë dëshira ime për të patur përbashkësi me Të para fronit të hirit. Nuk ekziston ndonjë përgjigje e prerë ndaj pyetjes: «Sa kohë duhet të kaloj në lutje?» Kjo varet nga plani ynë i punës, nga përgjegjësitë shtëpiake, nga gjatësia e listës sonë të lutjeve dhe nga barrët e lutjes që Zoti vendos në zemrën tonë. Përveç kohës së rregullt të lutjes, ne mund të praktikojmë edhe lutjet e papërgatitura. Madje edhe pagjumësia mund të shfrytëzohet për t’u lutur.

Sa dua që ta pastroj veten nga egoizmi

që Zoti im i dashur të mund të vijë

ku orenditë e tij të vendosë

dhe ta bëjë zemrën time banesën e Tij.

Dhe meqë e di se çfarë kjo kërkon,

çdo mëngjes teksa është qetë,

futem  në atë dhomë sekrete,

dhe ia lë Atij – vullnetin tim.

Ai gjithmonë e merr atë me mirësjellje,

duke më bërë të njohur të Tijin;

pastaj jam gati të ndeshem me ditën

dhe çdo punë që ajo ka.

Pra, ja se si i kontrollon Zoti

interesat e mia, problemet e mia;

sepse ne takohemi në të gdhirë

për një shkëmbim vullnetesh. (Anne Grannis)

Harold Wildish kishte këtë këshillë të ngjitur përpara Biblës:

Ashtu sikurse lë gjithë barrën e mëkatit dhe mbështetesh mbi veprën e përfunduar të Krishtit, po kështu lëre gjithë barrën e jetës dhe shërbesës tënde dhe mbështetu mbi veprën e tanishme brenda teje të Frymës së Shenjtë. Dorëzoja jetën tënde mëngjes pas mëngjesi udhëheqjes së Frymës së Shenjtë dhe vazhdo përpara duke lavdëruar dhe me qetësi, duke e lejuar Atë të të kontrollojë ty dhe ditën tënde. Kultivo gjatë ditës zakonin për të qenë i varur nga Ai dhe për t’iu bindur Atij, duke pritur që Ai të të udhëheqë, të të ndriçojë, të të qortojë, të të mësojë, të të përdorë dhe të bëjë në ty dhe me ty gjithçka që Ai dëshiron. Konsideroje veprën e Tij si një fakt, krejtësisht të pavarur nga shikimi ose ndjenjat. Le të jemi duke i besuar dhe duke iu bindur vetëm Frymës së Shenjtë si Sundimtarin e jetëve tona dhe le të çlirohemi nga barra e të përpjekurit për të drejtuar vetveten. Atëherë do të duket në ne fryti i Frymës, sipas vullnetit të Tij, për lavdi të Perëndisë.

Si do të duket jeta kur ia dorëzon kontrollin e jetës sate Zotit? Do të vësh re se marshat ingranohen. Jeta do të ndritë nga e mbinatyrshmja. Do të ketë përputhje të mrekullueshme të rrethanave. Do të ndiesh shijen e të qenit në qendër të vullnetit të Perëndisë dhe nuk do të kesh dëshirë të jesh në ndonjë vend tjetër, ose të bësh diçka tjetër. Do të jesh radioaktiv me Frymën e Shenjtë. Do ta dish që Perëndia është duke punuar në ty dhe përmes teje dhe se kur prek jetë të tjera diçka do të ndodhë për Perëndinë. Por kjo ndodh pa bërë që ti të krenohesh për këtë.

Me raste do të ketë eksperienca të larta, por shumica e jetës do të jetë rutinë dhe ndonjëherë monotone. Plani i Perëndisë do të shfaqet hap pas hapi.

SFIDA E PËRKUSHTIMIT

Duke përshkruar kurorëzimin e një monarku në Abacinë Uestminster, Xhon Stoti tha se një nga momentet më prekëse ishte pikërisht çasti para kurorëzimit, pikërisht para se kurora të vihej në kokën e tij apo të saj. Kryepeshkopi i Kanterberit thërret katër herë në të katër drejtimet e Abacisë: «Zotërinj, unë paraqes para jush mbretin e padyshimtë të mbretërisë. A jeni të gatshëm t’i bëni homazhe?» Dhe vetëm pasi të dëgjohej katër herë një thirrje e madhe pohuese në navatën e Abacisë Uestminster, pas kësaj sillej kurora dhe vendosej mbi kokën e tij.

Zonja dhe zotërinj, unë paraqes para jush Zotin Jezus Krisht si Zotin dhe Shpëtimtarin tuaj të padyshimtë. A jeni të gatshëm t’i bëni Atij homazhe duke ia dorëzuar jetën tuaj Atij?

Në njëfarë kuptimi thirrja e Krishtit vjen te çdo burrë e grua, çdo të riu e të reje. Nëse për çfarëdo arsye ne nuk pranojmë të ndjekim Atë, Ai do të gjejë të tjerë që e bëjnë këtë – të tjerë të cilët janë po aq të mirë sa ne, ose më të mirë. Por ne nuk do të gjejmë kurrë një Krisht më të mirë për t’i shërbyer.

Në një konferencë në Ben Lipen, në Karolinën e Jugut, një grua e re po jepte dëshmi të thirrjes së saj për shërbesë. Gjatë mesazhit të saj ajo mbante një copë letre bosh, duke thënë se ajo përmbante vullnetin e Perëndisë për jetën e saj. I vetmi shkrim në atë letër ishte nënshkrimi i saj në fund. Pastaj ajo tha: “E kam pranuar vullnetin e Perëndisë pa e ditur se cili është dhe po ja lë Atij të plotësojë hollësitë”. Ja pra një dishepull i vërtetë dhe ajo ishte në tokë të fortë. Me një vullnet kaq të dorëzuar, Fryma e Shenjtë do të jetë në gjendje të drejtojë proceset e saj mendore ndërsa ajo ecën gjatë shtegut të jetës{{5}}.

Teodor Monodi përshkruan rrugën drejt dorëzimit të plotë sikurse është shpalosur në jetën e tij:

O turp i hidhur dhe mjerim

kur unë lashë mëshirën e Shpëtimtarit tim,

duke u shfajësuar më kot dhe përgjigjur me krenari,

«Gjithçka për veten, asgjë për Ty».

Por Ai më gjeti; e pashë Atë,

të gjakosur në drurin e mallkuar;

e dëgjova të lutej, «O Atë, fali ata»;

dhe zemra ime e etur, e turbulluar tha,

«Ca nga vetja dhe ca nga Ty».

Ditë pas dite mëshira e Tij e ëmbël,

shëruese, ndihmuese, e plotë dhe falas,

e ëmbël, e fortë dhe o, kaq e duruar,

më përuli, teksa pëshpërita,

«Më pak nga vetja, më shumë nga Ty».

Më lart se qiejt më të lartë,

më thellë se deti më i thellë,

dashuria jote më në fund triumfoi, Zot,

«Asgjë nga vetja dhe gjithçka për Ty».

[previous][next]
[[1]]Sanders, J. O., Shoe Leather Commitment, Chicago, IL: Moody Press, 1990, fq. 56-57.[[1]] [[2]]Stewart, James S., King Forever, Nashville, TN: Abingdon, 1973, fq. 60-61.[[2]] [[3]]Haddon W. Robinson, Biblical Preaching, Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1980, fq. 144.[[3]] [[4]]Foster, Richard, Freedom of Simplicity, London: Triangle, SPCK, 1981, fq. 94-95.[[4]] [[5]]Sanders, J. O., Shoe Leather Commitment, Chicago, IL: Moody Press, 1990, fq. 31.[[5]]