Mësimi 45 | Shërbesa e krishterë
Apostulli Pal nuk e shmangu kurrë faktin që Perëndia i kishte besuar atij, dikur një përndjekës i kishës, ungjillin e lavdisë së Krishtit. As ne nuk duhet ta shmangim këtë fakt. I jam borxhli J. H. Xhouetit (J. H. Jowett) për shkrimin e tij mbi dinjitetin dhe privilegjin e pamasë të predikimit të Fjalës së Perëndisë. Më lejoni të ndaj me ju disa paragrafë të zgjedhur:
Tani një njeri që hyn përmes derës së thirrjes hyjnore në shërbesën e Zotit me siguri do të kuptojë «lavdinë» e thirrjes së tij. Ai do të jetë vazhdimisht duke u habitur dhe këto habitje do të jenë një antiseptik moral, që ai është caktuar një shërbëtor i thesareve të hirit, që të bëjë të njohur «pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit». Ju nuk mund t’i largoheni kësaj habie në jetën e apostullit Pal. Përveç dashurisë së pafund të Shpëtimtarit të tij dhe lavdisë mahnitëse të vetë shpëtimit të tij, habia e tij tërhiqet dhe ushqehet nga lavdia e pakrahasueshme e vetë thirrjes së tij. «Thirrja» e tij nuk humbet kurrë në morinë e profesioneve. Drita e privilegjit shkëlqen gjithnjë në rrugën e detyrës. Puna e tij nuk e humbet kurrë shkëlqimin dhe rruga e tij nuk bëhet kurrë plotësisht e zakonshme. Ai duket se e mban frymën sa herë që mendon për misionin përpara tij dhe më mes të vështirësive të shumta, prapëseprapë lavdia tepron më shumë. Dhe, prandaj, ky është ai lloji i muzikës dhe këngës që është i pandërprerë, që nga ora e kthimit në besim dhe thirrjes së tij e deri në orën e vdekjes. «Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit». A nuk ndieni një habi të shenjtë e përvëluese në këto thirrje, një krenari të shenjtë e ngazëlluese në thirrjen e tij, e bashkuar kjo me një përulësi mahnitëse që dora mistike e caktimit kishte pushuar mbi të? Kjo habi e qëndrueshme ishte pjesë e pajisjes së tij apostolike dhe ndjesia e tij për lavdinë e thirrjes së tij e pasuroi shpalljen që ai i bëri lavdive të hirit shpengues. Nëse e humbim ndjesinë e habisë së mandatit tonë, ne do të bëhemi si shitës të zakonshëm në një treg të zakonshëm, duke llapur për artikuj të zakonshëm
Ndjesia e kësaj çudie të madhe në lavdinë e thirrjes sonë, edhe pse do të na mbajë të përulur, do të na bëjë edhe të mëdhenj. Ajo do të na ruajë nga të qenit nëpunës të vegjël në sipërmarrje të përkohshme. Ajo do të na bëjë vërtet të mëdhenj dhe, kështu, do të na ruajë nga harxhimi i ditëve tona për vogëlsira…. Predikuesit e ungjillit, puna e të cilëve kryhet nën kubenë fisnike të mendimit të lavdishëm e të mrekullueshëm të shërbesës së tyre, do të kërkojë njëfarë madhështie në sjellje ku çikërrimat dhe sjellja serbes nuk mund të marrin frymë.
Kam qenë në shërbesën e krishterë për më shumë se njëzet vjet. Unë e dua thirrjen time. Në shërbesat e saj unë gjej një kënaqësi të ndezur. Jam i vetëdijshëm për asnjë pengesë në formën e ndonjë konkurrent për forcën dhe besnikërinë time. Kam patur vetëm një pasion dhe kam jetuar për atë – puna tejet e lodhshme e në të njëjtën kohë e lavdishme e shpalljes së hirit dhe dashurisë së Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezus Krisht{{1}}.
Jan Mekfersëni (Ian MacPherson) ndau ndjenjat e Xhouetit. Ai tha: «Predikimi është diçka madhështore, sublime, mahnitëse – një akt i mbinatyrshëm, transmetimi i një Personi përmes një personi te një grup personash, ku Personi i përçuar kështu është Jezusi i përjetshëm»{{2}}.
PËRGATITJA PERSONALE PËR SHËRBESËN
Si përgatitje për shërbesën duhet të ketë rrëfim dhe braktisje të vazhdueshme për të gjitha mëkatet e njohura. «Pastrohuni, ju që mbani vazot e Zotit» (Isa. 52:11).
Ju mund të më thoni se keni njohur një burrë që jetonte në mëkat, por që kur predikonte, shpirtra njerëzish shpëtoheshin. Po, kjo është e mundur. Lajmi është gjithnjë më i madh se lajmëtari.
Perëndia e nderon Fjalën e Tij. Por nëse dëshironi fryt të qëndrueshëm (Gjo. 15:16), ju duhet të qëndroni në Krishtin.
NJË MESAZH KONSEKUENT DHE SHPJEGUES VARG PËR VARG
S’ka dyshim se metoda më e mirë është shpjegimi varg për varg i Shkrimit. Kjo është mënyra më e mirë për të paraqitur të gjithë të vërtetën dhe në balancën në të cilën Zoti e ka dhënë. Ajo na detyron të përballemi me disa nga thëniet më të vështira të Jezusit. Ne jemi thirrur që të mësojmë gjithë këshillën e Perëndisë (Vep. 20:27).
Kur një vëlla u pyet se si përgatitet një shërbëtor i Zotit për predikimin, ai iu përgjigj: «Po ja, shkoj te Bibla dhe e mendoj veten bosh dhe e lexoj veten plot dhe e shkruaj veten qartë dhe lutem vetë shumë».
Fillo me lutje.
Zhyte veten në pjesën e studimit. Predikimi më i mirë mbështetet shumë në vetë Shkrimin. Perëndia ka premtuar të bekojë vetë Fjalën.
Prediko Krishtin. Paraqite Atë si objektin e besimit dhe përgjigjen për problemet. Një mesazh i mbushur me Frymën është plot me Shpëtimtarin.
Bëju ballë problemeve dhe vështirësive. Nëse nuk e di përgjigjen, pranoje. Mos u përpjek të bësh blof me ata që të dëgjojnë.
Nëse ka dy a më shumë interpretime të vlefshme, thuaji. Pastaj thuaj se cilin prej tyre parapëlqen dhe përse.
Kërko ndihmë kudo që mundesh. Përdor versione të ndryshme të Biblës, fjalorë të Biblës, komentarë të respektuar dhe mësues të Biblës.
Nxirr zbatime nga pjesa (Efe. 2:14-18). Për shembull, Krishti e shembi murin midis judenjve besues dhe paganëve (johebrenjve). Ne nuk duhet të vëmë mure midis grupeve të ndryshme raciale dhe etnike.
PËRGATITJA E NJË MESAZHI TEMATIK
Lutu për nevojat e njerëzve. Kërkoj Frymës së Shenjtë të fuqizojë mesazhin.
Ne jemi thirrur të predikojmë Krishtin. Çdo mesazh duhet të drejtojë në mënyrë të pashmangshme e të papërballueshme tek Ai. «Perëndia mund të ketë fjalë të tjera për planetë të tjerë, por fjala e Tij për këtë planet është Jezusi».
Pikturo në një beze të madhe. Ty do të të duhet të jesh në katedër për një punë tepër të madhe. Prandaj përqendroji të gjitha forcat e tua në detyrën qendrore. Përqendrohu gjerësisht në gjënë kryesore. Prediko Krishtin{{3}}.
Ne jemi thirrur të predikojmë ungjillin, lajmin e mirë të shpëtimit nëpërmjet besimit në Të. Ne kemi më të mirin e të gjitha mesazheve. Ne s’kemi pse të jemi si njeriu i pafat në 2 Samuelit 18:22 i cili donte të vraponte, por që nuk kishte asnjë lajm për të shpallur.
Çdo mesazh duhet të ketë unitet, koherencë dhe forcë shprehëse. Unitet do të thotë që mesazhi duhet të ketë një temë qendrore e cila të jetë e qartë gjatë gjithë mesazhit. Edhe çdo paragraf duhet të ketë një unitet të dallueshëm. Koherencë do të thotë që paragrafët duhet të lidhen bashkë që rrjedha e mendimit të jetë e butë dhe jo e thatë. Forca shprehëse arrihet duke shkuar drejt një pike kulmore e cila s’lë asnjë dyshim për sa i përket asaj që ti dëshiron që dëgjuesit të dinë dhe të bëjnë.
HAPJA E MESAZHIT
Pal Ou’Nill (Paul O’Neil), një shkrues për gazetën «Jeta», tha: «Kape gjithmonë lexuesin për gryke që në paragrafin e parë, futi gishtat e mëdhenj në laring në të dytin dhe mbaje pas muri deri në pikën kulmore». Sot kjo njihet si ligji i Ou’Nillit.
DHËNIA E MESAZHIT
Ne duhet të predikojmë me entuziazëm. Është mëkat ta paraqesim mesazhin tonë të lavdishëm thjesht si një fakt. Mendoj se ishte Spërxhëni ai që tha: «Ji i ndezur për Perëndinë dhe bota do të dalë që të të shohë duke u djegur». Gjithashtu ai dha e këtë në «Leksione për studentët e tij»: «Kur flet për qiellin, lëre fytyrën të të ndizet, lëri sytë të të shkëlqejnë nga lavdia e pasqyruar; kur flet për ferrin, fytyra jote e zakonshme është në rregull».
Ne duhet ta mbajmë veten në sfond. Xhejms Denei (James Denney) tha: «Kur predikon nuk mund të lësh njëherësh përshtypjen se ti je i mençur dhe se Krishti është i mrekullueshëm»{{4}}.
Kur tregoj falas shpëtimin Tënd,
bëj që tërë mendimet të shkojnë për
zhyte zemrën dhe mendjen time;
dhe kur çdo zemër të përulet dhe të gjallërohet
nën ndikimin e Fjalës Tënde,
më fsheh prapa kryqit.
Nuk e ndihmon kurrë [shërbesën] reklamimi i vetvetes. Reklamimi i vetes është vdekjeprurës në shërbesën e Zotit Jezus. Paragrafët e fryrë dhe që bien në sy për sa i përket vetvetes dhe punës sonë: recitimet egoiste të fuqive dhe arritjeve tona – çdo formë për t’u dukur a për të qenë agresiv – të gjitha këto janë absolutisht shkatërrimtare për punë shumë më të thellë që na është besuar. Bashkëpunëtorët e dinë se kur prishet puna tonë nga vetëkënaqësia. Djalli kënaqet kur mund të na joshë drejt krekosjes. Fuqitë tona më të mëdha tkurren dhe veniten kur i ekspozojmë ato në kërkim të publicitetit. Ato nuk mund të japin një dritë të tillë dhe shumë shpejt ato e humbin forcën dhe bukurinë e tyre. Ju bëj thirrje ta shmangni këtë. Mos u thuaj kurrë njerëzve se sa djalë i zgjuar je…. Ne mund të jemi të sigurt për një gjë: kur shfaqim vetveten ne fshehim Zotin tonë: kur i biem trumbetës sonë njerëzit nuk do të dëgjojnë «zërin e hollë e të qetë të Perëndisë»{{5}}.
MBYLLJA E MESAZHIT
Mos vazhdo të flasësh pambarimisht kur nuk je duke thënë më ndonjë gjë të rëndësishme. Kam lexuar për një puritan i cili e filloi shpjegimin e Jobit me 800 dëgjues dhe e mbaroi me vetëm 8. «Durimi i dëgjuesve të tij nuk ishte i njëjtë me atë të patriarkut mbi përvojën e të cilit ai komentoi aq gjatë. Çdo gjë i sillte në mendje diçka tjetër» (Wm. R. Marshall). Për në predikues tjetër thuhet se kishte një mënyrë të lodhshme për të thënë asgjë në një numër të pafund fjalish.
Mbas luftës një vajzë e vogël ishte e pranishme bashkë me të ëmën në shërbesën e një kishe. Predikuesi fjalëtërkuzë kishte nja një orë e gjysmë që fliste. Vajza ndaloi së dëgjuari dhe po vështronte përreth ndërtesës së kishës. Ajo pa një varg flamujsh ku secili kishte poshtë tij një pllakë tunxhi. «Përse janë ata flamuj, mami?» Nëna ishte e ndjeshme ndaj padurimit të vajzës së saj të vogël. Ajo tha: «Ato përkujtojnë ata që kanë vdekur në shërbim». Vajza e vogël pyeti: «Cilët, ata të shërbesës së orës 9:00 apo ata të orës 11:00?»
SUGJERIME TË PËRGJITHSHME
Ne jemi të kufizuar për atë që predikojmë dhe mësojmë sipas masës që ne vetë i jemi bindur Shkrimit. Ne s’mund të drejtojmë të tjerët përtej asaj që ne vetë kemi arritur. Nëse përpiqemi ata mund të thonë: «Mjek, shëro veten tënde».
Ne duhet të jemi në zjarr për Zotin. Ekziston rreziku se zelli do të fiket me kalimin e kohës. «Ruani shkëlqimin frymëror» (Rom. 12:11c, Përkth. Moffatt). Është mirë t’i shohim zemrat tona si një altar, ku zjarri duhet të mbahet i ndezur. «Zjarri mbi altar do të mbahet i ndezur dhe nuk do të lihet të shuhet» (Lev. 6:12).
Një predikim i mirë është ai që tendos mendjen, që ngroh zemrat, që nxin lëkurën dhe që nxit vullnetin. Nuk është ai lloj mesazhi që e bën dëgjuesit të thotë: «Ky ishte një mesazh i madh». Në vend të kësaj ata dalin duke thënë: «Duhet të bëj diçka».
Prediko nga zemra dhe do të çuditesh se sa zemra do të godasësh.
Mos bëj lojëra fjalësh me Shkrimin.
Ruhu nga përdorimi i humorit. Njerëzit do të mbajnë mend shakatë e tua për më shumë kohë se vetë mesazhin. Vans Havneri (Vance Havner) tha: «Njerëzit e Perëndisë në Bibël nuk sugjerojnë larminë e sotme të përzemërt e të potershme të hajvanëve moralizues që këputin shaka, ndonjëherë të dyshimta dhe që bëjnë lojëra fjalësh me Shkrimin e shenjtë»{{6}}.
Lufto kundër «familjaritetit vdekjeprurës me atë që është sublime».
Më lejoni ta mbyll me një tjetër citim të vlefshëm nga J. H. Xhoueti:
Nuk e di se si mund të jetë e frytshme një shërbesë e krishterë nëse shërbëtori nuk është pagëzuar më parë në frymën e një dhembshurie vajtuese. Ne nuk mund të shërojmë kurrë nevojën që nuk e ndiejmë. Zemrat pa lot nuk mund të jenë kurrë lajmëtarët e pasionit. Ne duhet të na pikojë zemra gjak nëse duam të jemi shërbëtorët e gjakut shpëtues. Kjo është e vërtetë. Fituesit e shpirtrave duhet të jenë më parë vajtuesit e shpirtrave. Zot, na çliro nga mallkimi i një krishterimi me sy të thatë.
[previous][next][[1]]J. H. Jowett, The Preacher: His Life and Work, New York, NY: Hodder and Stoughton, 1912, fq. 21-22.[[1]] [[2]]Macpherson, Ian, The Burden of the Lord, Nashville, TN: Abingdon Press, 1955, fq. 14.[[2]] [[3]]Burim i panjohur.[[3]] [[4]]Stewart, James A., Evangelism, fq. 14.[[4]] [[5]]Jowett, J. H., The Preacher: His Life and Work, fq. 236-237.[[5]] [[6]]Hearts Afire, Westwood, NJ: Fleming H. Revell Co., 1952, fq. 59-60.[[6]]