PRIVILEGJET DHE PËRGJEGJËSITË E ASAMBLESË LOKALE

Mësimi 50 | Shërbesa e Krishterë

PRIVILEGJET

Një nga veçoritë më të spikatura të jetës së krishterë është privilegji i përbashkësisë në një asamble lokale. Nuk ka asgjë si ajo. Asnjë lozhë apo vëllazëri nuk mund ta konkurrojë. Përbashkësia e shenjtorëve është një nga lidhjet më të ngushta e më të vyera e njohur për njerëzimin. Duke qenë e blerë me një çmim të pamasë, ajo është një nga katër qëllimet kryesore që i mbledh bashkë besimtarët – mësimi i apostujve, përbashkësia, thyerja e bukës dhe lutja (Vep. 2:42).

Kur njerëzit e Perëndisë mblidhen për këto qëllime, ata sigurohen për praninë e premtuar të Zotit Jezus Krisht (Mt. 18:20). Ndonëse është e vërtetë se Ai është gjithnjë me të vetët, është gjithashtu e vërtetë se ekziston edhe një kuptim i veçantë ku Ai vjen shumë afër kur besimtarët mblidhen në Emrin e Tij. Ne e pranojmë këtë realitet me besim.

Në takimet e një kishe lokale ne përmbushim një nga arsyet kryesore të ekzistencës sonë – adhurimi i Perëndisë. Ne mund të përshkruajmë se sa «të ëmbla janë ato çaste që, duke bekuar, i kalojmë duke menduar mbi kryqin, ne kemi jetë dhe shëndet dhe paqe që vjen nga Miku i mëkatarëve që po vdes?»  Ose kush mund të njohë emocionet e këndimit të një kënge që do të kumbojë gjatë gjithë përjetësisë: «I denjë është Qengji që u ther?»

Është në asamblenë lokale që ne rrënjosemi në Fjalën, që quhet mësimi i apostujve në Veprat 2:42. Sa e falënderoj Zotin për burra të Perëndisë që ishin të qëndrueshëm për frymëzimin gojor të Biblës, të cilët na kanë shpjeguar Fjalën dhe që na mësuan të provojmë çdo gjë me anë të Shkrimit. Asambleja ishte shkolla ime dhe seminari im i Biblës. Disa thonë: «Kisha ishte për mua si një nënë». Unë e kuptoj se çfarë duan të thonë.

Ashtu sikurse besimtarët e parë ishin ngulmues në lutje, po kështu edhe ne fillojmë të vlerësojmë praktikën e lutjeve kolektive. Ne mësojmë si të lutemi në takimin e lutjes. Ne zgjerojmë sferën e lutjeve tona. Dhe së bashku ne gëzojmë kur vjen përgjigjja.

Kisha lokale na jep dobinë e veçantë të shërbimit, qoftë në një grup të takimit të fëmijëve, në shpërndarjen e trakteve, në fushatat ungjillore apo në kryerjen e vizitave. Miqësitë thellohen në punën bashkëvepruese. Zoti e përdor atë për të lustruar vendet e ashpra të karakterit tonë dhe për të na bërë sa më të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Tij.

Tepër shpesh dhënia është mësuar si një detyrë. Përse të mos e konsiderojmë atë si një privilegj? Kur japim ne i japim Zotit. Ajo që japim shumëfishohet në bekime për të tjerët dhe në shpërblime për vetë ne. Dhuntitë e një kishe lokale mund të ndikojnë deri në katër anët e dheut. Ato janë një investim për përjetësinë.

Asambleja lokale na bën një familje e cila na shërben mirë në kohë nevoje, në dhimbje, në sprova apo në tragjedi. Nuk njoh asgjë tjetër në botë që krahasohet me këtë.

PËRGJEGJËSITË

Kudo ku ka privilegje ne duhet të jemi në dijeni të përgjegjësive. Francezët kanë një shprehje, «Noblesse oblige». Ajo do të thotë se fisnikëria ka detyrime. Kjo është e vërtetë edhe për vendin tonë në kishën lokale. Duke qenë fisnikëria e Perëndisë në këtë tokë ne jemi të detyruar që të jetojmë si fëmijët e Tij dhe të veprojmë ashtu si Ai na ka urdhëruar.

Më lejoni t’ju jap një listë të përgjegjësive tona në asamblenë lokale. Lista është sugjeruese dhe jo shteruese.

Ne duhet t’i duam të gjithë shenjtorët dhe të lutemi për ata. Disa besimtarë marrin listën e anëtarëve të asamblesë dhe luten përditë për çdo person. Ky është një zakon i lavdërueshëm, që ia vlen të imitohet.

Ne duhet të jemi besnikë me pjesëmarrjen në të gjitha takimet. Zotin e merr malli për ne kur nuk jemi atje dhe ne humbasim privilegjin më të lart e të qenit me Atë. Pjesëmarrja e parregullt lë një shembull të keq për besimtarët më të dobët të cilët ku e ku të gjejnë një justifikim për mungesën e besueshmërisë së tyre.

Ne duhet t’u nënshtrohemi pleqve si ata që duhet të japin llogari. «Le ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psherëtima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi» (Heb. 13:17).

Ne jemi përgjegjës për ushtrimin e dhuntive tona frymërore. Ashtu sikurse shëndeti i trupit njerëzor varet nga punimi i rregullt i gjymtyrëve të veçanta, po kështu shëndeti i një përbashkësie lokale varet pjesërisht nga anëtarët që kryejnë funksionet e tyre.

Shenjtëria personale është një përgjegjësi e madhe. Ajo që ndikon njërën pjesë të trupi ndikon të gjithë trupin. Kur mëkati nuk rrëfehet dhe nuk braktiset, kjo frenon rrjedhën e bekimit në kishë.

Ne duhet të përpiqemi që të ruajmë unitetin e Frymës në lidhjen e paqes. Sa herë që tundohemi për të ushtruar dhuntinë tonë të kritikës, ne duhet ta varrosim atë dhunti. Për më tepër ne duhet të jemi pozitivë dhe entuziastë për një përbashkësi që kërkon të paraqesë para botës një model të trupit të Krishtit.

Pjesëmarrja në nevojat financiare të asamblesë dhe në përbashkësinë financiare për punëtorët me kohë të plotë është një privilegj dhe një përgjegjësi njëherësh. Vazhdon të jetë edhe sot e vërtetë se të japësh ka më shumë lumturi se të marrësh.

Ndihma, nxitja dhe ndërtimi reciprok janë mënyra se si ne mund t’i shërbejmë njëri-tjetrit. Ka mënyra se si ne mund t’ua lajmë këmbët bashkëbesimtarëve tanë, sikurse mësoi edhe Zoti ynë.

Pjesëmarrja në shërbesën e mikpritjes është shenjë e një asambleje të shëndetshme dhe rritëse. Shpesh ky demonstrim praktik i dashurisë së krishterë është më i efektshëm se një predikim.

Pjesëmarrja në punën praktike të mirëmbajtjes së godinës së kishës mund të duket e rëndomtë dhe jo veçanërisht një punë frymërore, por nëse bëhet për Zotin, ajo është po aq frymërore sa predikimi i ungjillit apo mësimi i Fjalës. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Ne jemi populli më i privilegjuar mbi këtë tokë. Të jesh një dishepulli i vërtetë i Zotit Jezus kërkon që ne të marrin përsipër përgjegjësitë që shoqërojnë përbashkësinë në një asamble lokale.

[previous][next]