Mësimi 27 | Jeta e Krishterë
Çdo besimtar duhet të jetë një student i Biblës. Shumë të krishterë mendojnë se studimi serioz i Shkrimeve të shenjta është vetëm për pastorin ose predikuesin e tyre. Ky është një gabim kolosal. Çdo fëmijë i Perëndisë duhet të bëjë çdo përpjekje që ta bëjë Fjalën të tijën.
Një gabim i dytë është ai se për të studiuar Biblën ke nevojë për trajnim në seminar. Gabim! Çarls Hadën Spërxhëni nuk pati kurrë ndonjë trajnim formal të Biblës. Nuk pati as G. Kembëll Morgani apo Heri A. Ajrënsajdi.
Ata ishin studentë të devotshëm të Fjalës, që i mësuan të vërtetat e saj të thella përmes studimit, përsiatjes dhe lutjes me orë të tëra. Hapi i parë drejt drejt plotësisë së jetës është zgjuarsia frymërore të rritesh në vullnetin e Perëndisë duke njohur Fjalën e Perëndisë{{1}}.
Cakto një kohë dhe një vend të caktuar ku mund të studiosh pa u shqetësuar. Shumë të krishterë e shohin kohën herët në mëngjes si më të mirën. Ky zakon forcohet çdo herë që kaloni këtë kohë dhe dobësohet çdo herë që ju mungoni.
Gjithashtu ju mund ta disiplinoni veten për të shfrytëzuar kohën e lirë që t’i riktheheni studimit atje ku e latë.
Motivimi është tejet i rëndësishëm. Stimuli më i madh për të studiuar Biblën qëndron në faktin se ajo është Fjala e Perëndisë. Atje ju dëgjoni Perëndinë t’ju flasë. Kur jeton me këtë ndërgjegjësim, studimi bëhet gëzim dhe jo detyrë.
Një motivacion tjetër është përgatitja e një mësimi për fëmijë apo e një studimi biblik. Kur e di se të duhet të shpjegosh një pjesë apo t’i përgjigjesh pyetjeve rreth saj, atëherë ke një stimul shumë praktik. Quaje veten të bekuar nëse ke privilegjin t’ia mësosh Fjalën një grupi.
Përsëri një përvojë tjetër që na nxit të studiojmë Fjalën është ungjillëzimi i të pashpëtuarve, sidomos i anëtarëve të kulteve. Shpesh ata paraqesin argumente që ne nuk jemi në gjendje t’iu përgjigjemi. Ne vihemi në siklet dhe kështu shkojmë në shtëpi dhe studiojmë Biblën derisa të jemi në gjendje t’iu përgjigjemi atyre bindshëm. Në këtë kuptim, ithtarët e kulteve janë miqtë tanë. Të krishterët që ungjillëzojnë rriten shpejt në njohjen e Fjalës.
Mos mendo se studimi i Biblës do të jetë i lehtë. Ji i gatshëm të gërmosh, të kërkosh, të krahasosh dhe të hulumtosh.
Fillo me lutje. Kërkoi Frymës së Shenjtë të të flasë ndërsa lexon. Kërkoi Atij të të tregojë gjëra të mrekullueshme nga Fjala e Perëndisë (Psa. 119:18). Nënshtroju Atij si Mësuesit tënd.
Pastaj do të vendosësh se kë libër të Biblës do të studiosh. Kjo do të varet pjesërisht se ku je në jetën e krishterë – nëse je një besimtar i ri ose nëse tashmë ke njëfarë përvoje në Shkrimet [e shenjta].
Mos u përpiq të bësh shumë në çdo studim. Është më mirë të marrësh disa vargje dhe të nxjerrësh diçka prej tyre, sesa të marrësh një kapitull dhe shumë shpejt të harrosh atë që ke lexuar. Në përgjithësi, një kapitull është tepër.
Lexoje pjesën disa herë derisa të bëhet pjesë e jotja. Familjarizimi i afërt me vetë fjalët e Biblës është i paçmueshëm.
Mbaj shënim pyetje që nuk i kupton. Kur njerëzit më pyesin se si e studioj Biblën, iu them: «Me një pikëpyetje për trurin. Kjo s’do të thotë se kam pyetje në lidhje me vërtetësinë e Fjalës. Thjesht i bëj vetes pyetjen: «Çfarë do të thotë kjo?» Në [librin] «Dishepujt bëhen – s’janë të lindur», Valter A. Henrishen shkruan:
Çfarë thotë që nuk e kuptoj? Mbaj shënim të gjitha problemet që ke me këtë pjesë. Në fillim, kur fillova studimin e Biblës, mendoja se sa më pak probleme të kisha, aq më shumë e kuptoja pjesën. Sa më shumë që i studioj Shkrimet, aq më shumë kuptoj se e kundërta është e vërtetë. Sa më shumë e hetoj pjesën, aq më shumë probleme kam – pra, kuptoj më shumë gjëra në kapitull që nuk i marr vesh{{2}}.
Shkruaj komentin tënd për secilin varg. Nuk e ke rrokur me të vërtetë kuptimin derisa të jesh në gjendje ta shpjegosh më fjalë të thjeshta e të kuptueshme. Përpiqu për këtë qëllim. Një mësues i quajtur Rasëll L. Akof shkroi:
Dikur kisha një student të shkëlqyer, tani një profesor i mirënjohur, që shkroi një tezë tepër teknike. I thashë të supozonte se unë isha një administrator i thjeshtë në një korporatë. A do të mund ai ta shpjegonte tezën e tij me pak fjalë?
Ai shkoi në dërrasën e zezë dhe filloi ta mbushte atë me simbole matematike. E ndalova për t’i kujtuar se unë isha një administrator i thjeshtë dhe jo një matematikan. Pas një pauze të gjatë ai tha: «Nuk e kuptoj atë që kam bërë aq mirë sa ta shpjegoj me një gjuhë joteknike»{{3}}.
Nëse njerëzit nuk mund të shprehin veten mirë me shqipen e thjeshtë, ata nuk dinë se për çfarë po flasin.
Kërko ndihmë nga komentarë, fjalorë biblikë dhe enciklopedi të besueshme, nga versione të besueshme të Biblës, nga perifraza, libra mbi studimin e fjalëve si dhe vepra të tjera referencash. Unë gjej ndihmë të dobishme kudo që mundem.
Vazhdo të kërkosh përgjigje për pyetjet e tua. «Disa prej pyetjeve që ke do të gjejnë përgjigje gjatë studimit tënd të Biblës, disa do të gjejnë përgjigje ndërsa flet me të tjerët për ato dhe disa mund të mos marrin kurrë një përgjigje të plotë»{{4}}.
Herë pas here ngjarjet e jetës së përditshme hedhin dritë mbi Shkrimet. Besimtarët në kampet e përqendrimit shohin në Bibël thesare që neve na mungojnë. Mirëpriti mundësitë për të ndarë rezultatet e studimit tënd. Kjo e shpërndan këtë bekim dhe të çliron nga të jetuarit në botën e vogëlsirave.
[previous][next][[1]]Wiersbe, Warren W., The Bible Exposition Commentary, Vëll. 2, Wheaton, IL: Victor Books, 1989, fq. 111. [[1]] [[2]]Henrichsen, Walter A., Disciples are Made – Not Born, 1974: Victor Books, fq. 100,[[2]] [[3]]Cituar nw Reader’s Digest, Korrik 1993, fq. 149.[[3]] [[4]]Po aty, fq. 100.[[4]]