ZËR VENDIN E ULËT

Mësimi 17 | Karakteri i Krishterë

Krenaria është mëma e mëkateve. Ajo filloi në qiell kur Luciferi i pashëm kërkoi të rrëzojë nga froni Krijuesin dhe Perëndinë e tij. Duke qenë i fryrë nga krenaria, ai ra në lak (1 Tim. 3:6). Kristofer Marlou e quajti këtë «krenari arriviste dhe pafytyrësi për të cilën Perëndia e largoi nga faqja e qiellit». Duke mos qenë i kënaqur për të mbartur këtë rezultat vetëm, ai donte që ta ndante këtë me të tjerët dhe kështu ai ia mbushi mendjen Adamit dhe Evës për të mëkatuar. Si rrjedhim krenaria hyri në gjenet njerëzore dhe rezultati i trishtueshëm është që secili prej nesh ka aq krenari që mjafton për të mbytur një flotë të tërë.

J. Osvald Sendërs e quajti krenarinë hyjnizim të vetes. «Ajo mendon shumë më tepër për veten, sesa duhet të mendojë. Ajo i atribuon vetes nderimin që i përket vetëm Perëndisë».

Çdo portretizim i vërtetë i Zotit Jezus duhet ta nxjerrë Atë si Ai që është zemërbutë dhe i përulur nga zemra. Fjala zemërbutë përmban idenë e të qenit i thyer. Është po ajo fjalë që përdoret për të përshkruar një kalë të ri që ka pranuar pajimet dhe që me durim e me vështirësi ecën, duke tundur kokën lart e poshtë, me sytë të drejtuara drejt.

Zoti ynë zemërbutë na bën thirrje të marrim zgjedhën e Tij dhe të mësojmë të jemi si Ai. Kjo do të thotë një pranim me durim të vullnetit të Tij. Kur situata armiqësore na dalin përpara, ne do të jemi në gjendje të themi: «Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu».

Jezusi ishte i përulur që në lindjen e Tij në një grazhd, një lindje që nuk pati asnjë nga lavditë e kësaj bote. Ai ishte i përulur në jetën e Tij, pa patur asnjë gjurmë krenarie apo arrogance, asnjë thërrmijë egoje. Shembulli suprem i përulësisë së Tij ishte kur «Ai e përuli Vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit» (Fil. 2:8).

I butë dhe i përulur ishe Ti, o Shpëtimtar,

por si mundet që një krimb si unë,

profan, i dobët dhe mëkatar,

të guxoj të ngrejë kokën lart? (H. F. Laijt)

Ai e përuli Vetveten deri në grazhd

madje deri në drurin e Kalvarit;

ndërsa unë jam kaq krenar dhe ngurrues

dishepull i përulur i tiji të jem. (Anon.)

Është mirë për ne të dimë madhësinë tonë të saktë. Kur Xhorxh Uashingtoni u pa duke u marrë me një punë që i takonte shërbëtorëve, një mik i tha: «Gjeneral, ti je njeri tepër i madh për t’u marrë me atë punë». «Jo, nuk jam», iu përgjigj ai, «jam tamam madhësia e duhur».

Oh, kaq i pangjashëm me Krishtin, ngjashmërinë e të cilit do të kem,

në praninë e Tij krahasimi s’ka vlerë, unë jam kaq i zbehtë.

Jetën e Tij të përulur, zemërbutë dhe të ëmbël mezi pres dhe unë të kem,

që me ndriçim të mund të tregoj lëvdatat e Tij dhe të jetoj vetëm për Të përjetë.

Përulësia e vërtetë nuk qëndron aq shumë në të menduarit keq për vetveten, sesa në të mos menduarit aspak për veten. Unë jam tepër i lig për të menduar për veten time; ajo që dua është të harroj veten dhe të hedh vështrimin te Perëndia, i cili është me të vërtetë i denjë për të gjitha mendimet e mia (Uilliam Kelli).

Isak Njutoni ishte një nga mendjet më gjeniale të kohës së tij dhe ishte një nga gjenitë më të shquar që lloji ynë ka nxjerrë, megjithatë Njutoni ka thënë për veten:

Nuk e di se si mund të dukem për botën, por për veten mua më duket sikur jam thjesht një djalë që po luan në bregdet, duke u argëtuar herë pas here me gjetjen e ndonjë guraleci të lëmuar apo të ndonjë guaske më të bukur se zakonisht, ndërsa oqeani i madh i së vërtetës shtrihej përpara meje i pazbuluar.

Krahasoje këtë me fjalët me thumb të Oskar Uajlldit në zyrën doganore të Nju Jorkut: «Nuk kam asgjë për të deklaruar veçse aftësitë e mia gjeniale».

F. B. Mejër tha për Duajt L. Mudi: «Mudi është një njeri që me sa duket nuk ka dëgjuar kurrë për veten. Nuk është për t’u çuditur që Perëndia e përdori atë në mënyrë të mrekullueshme».

Një ish-predikues i Kesvikut ka thënë: «Nuk ka asgjë që Perëndia s’mund ta bëjë nëse ne i mbajmë duart larg lavdisë». Një predikues tjetër ka thënë: «Është gjithçka në rregull nëse njerëzit të lavdërojnë, me kusht që të mos marrësh frymë dhe të gëlltitesh».

Është krenaria ajo që i pengon turmat për të rrëfyer Krishtin dhe si rrjedhim i dërgon ata në një ferr të përjetshëm. Është krenaria ajo që ua vështirëson punën të krishterëve për të kërkuar falje kur kanë ofenduar dikë. Është krenaria ajo që e bën të pamundur për Perëndinë që të na përdorë. Ajo bllokon rrjedhën e dëshmisë dhe fuqisë frymërore. Nga ana tjetër, ne kurrë nuk jemi tepër të vegjël për Atë që Ai të na përdorë.

J. N. Darbi ka thënë: «Oh, çfarë gëzimi të mos kesh asgjë dhe të jesh një hiç, të mos shohësh gjë tjetër veçse Krishtin e gjallë në lavdi dhe të mos shqetësohesh për asgjë tjetër përveç interesave të Tij këtu poshtë».

Duke e kuptuar që krenaria ishte mëkati që e shqetësonte, Robert Çepmen i la pasuritë dhe pozitën për të jetuar në një lagje të varfër. Është për t’u çuditur, por ai tha: «Krenaria nuk ia doli dot mbanë».

Ne duhet ta luftojmë me vendosmëri krenarinë. Uilliam Lou shkroi: «Krenaria duhet të vdesë në ty, përndryshe asgjë e qiellit nuk mund të jetojë në ty…. Mos e shiko krenarinë thjesht si temperament të papërshtatshëm dhe as përulësinë thjesht si virtyt të përshtatshëm. Njëra është krejtësisht ferr dhe tjetra tërësisht qiell».

Shërbëtori i një perandori gjerman ka thënë: «Nuk mund ta mohoj që zotëria im ishte mendjemadh. Atij i duhej të ishte figura qendrore në gjithçka. Kur merrte pjesë në një pagëzim, ai donte të ishte foshnja. Kur shkonte në një dasmë, ai donte të ishte nusja. Kur shkonte në një funeral, ai donte të ishte kufoma».

Rabini Simon Ben Jokai ka thënë: «Nëse do të kishte vetëm dy njerëz të drejtë në botë, unë dhe djali im jemi ata të dy. Nëse do të kishte vetëm një, unë jam ai».

Krahasoje këtë me atë që ka thënë F. B. Mejër për veten:

Unë jam thjesht një njeri i zakonshëm. Nuk kam dhunti të veçanta. Nuk jam as orator, as studiues, as ndonjë mendimtar i madh. Nëse kam bërë ndonjë gjë për Krishtin dhe brezin tim, kjo ka ndodhur sepse ia kam dorëzuar veten time plotësisht Krishtit Jezus dhe më pas jam përpjekur të bëj gjithçka që Ai më ka kërkuar të bëj.

Dëshira e të krishterëve duhet të jetë:

Më mbaj të vogël e të panjohur,

të dashur dhe të vlerësuar vetëm nga Krishti.

Ne duhet të ecim në këtë jetë si njerëz anonimë. Në fakt ne s’kemi as edhe një gjë për të cilën kemi përse të krenohemi. «Fillimi i madhështisë do të thotë të jesh i vogël; shtimi i madhështisë do të thotë të jesh më i vogël; dhe përsosuria e madhështisë do të thotë të jesh një hiç». Darbi ishte i vendosur në këtë pikë. Ai ka thënë: «Madhështia e vërtetë është të shërbesh dhe të punosh pa rënë në sy».

Në dosjet e mia kam një fotografi të një zonjushe tërheqëse që rri ulur në kotësinë e saj. Një pasqyrë tepër e madhe pasqyron magjepsjen e saj. Kotësia është e mbuluar me kremra për lëkurën, shishe aromash dhe mjete të ndryshme kozmetike. Por ndërsa e vështron fotografinë me vëmendje, duket sikur venitet dhe del forma e një kafke.

Është mirë të kujtojmë disa vargje që i kundërvihen krenarisë:

Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli (Gjo. 3:27). Pa mua nuk mund të bëni asgjë (Gjo. 15:5c). Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit (1 Kor. 3:7). Çfarë ke që nuk e ke marrë? (1 Kor. 4:7).

Do të jesh i madh? Atëherë, shërbe me përulësi.

Do të ngjitesh lart, zbrit poshtë;

por sado poshtë që të shkosh,Më të Lartit nuk mund t’ia kalosh.