Kapitulli 3 | Mesha: Zbulimi i misterit
Arsyeja tjetër se përse u largova nga Kisha Katolike ishte mesha. Për shumë vite mora pjesë rregullisht, por nuk e kuptoja Marrjen e Eukaristisë apo Sakrificën e Meshës. Mos më keqkuptoni; Motrat bënë një punë të mrekullueshme për na mësuar, por ato kishin një mision të pamundur, sepse mesha ishte një mister. Askush nuk e kuptonte dhe mendoj se e di arsyen: Bazohet në një keqkuptim. Më lejoni t’jua shpjegoj.
Në darkën e fundit Zoti mori bukën, e bekoi, e ndau dhe më pas ia dha dishepujve të tij, duke thënë: “Merrni, hani; ky është trupi im” (Mateu 26:26). Në të njëjtën mënyrë, mori verën, falënderoi dhe ia dha dishepujve të tij duke thënë: “Pini prej saj të gjithë, sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkateve” (Mateu 26:27-28). Me këto fjalë, thotë Kisha Katolike, Krishti e ktheu bukën në mishin e tij dhe verën në gjakun e tij. Këtu qëndron dhe problemi. Mendoj se Kisha Katolike e ka keqkuptuar Zotin Jezus. Ata menduan se ai po fliste në gjuhë të hapur, kur në fakt po fliste në gjuhë të figurshme.
Gjuha e hapur ka prirjen të kuptohet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për shembull, nëse them: “Po bie shumë shi”, po flas në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ajo që dua të them është se po bie shi, me reshje të mëdha.
Kisha thotë se ne duhet t’i kuptojmë fjalët e Jezusit në Darkën e Fundit me kuptim të drejtpërdrejtë. Kur Krishti thotë: “Ky është trupi im…. Ky është gjaku im” (Mateu 26:26-28), atëherë ai po e identifikon bukën si trupin e tij dhe verën si gjakun e tij. Sipas Kishës, gjatë Meshës kur prifti përsërit fjalët e Jezusit, ndodh një mrekulli. Buka kthehet në trupin e Krishtit dhe vera kthehet në gjakun e Krishtit. Përbërja e tyre e brendshme ndryshon, sikur të jenë trupi dhe gjaku i vërtetë i Krishtit. Ato ende ngjajnë si bukë dhe verë, por nuk janë. Ato janë Krishti. Kisha i referohet këtij fenomeni si transformim. Është një mister, thotë Kisha, pa asnjë formë tjetër të ngjashme në shkencë apo natyrë. Katolikët duhet ta pranojnë këtë me besim.
Kisha thotë se buka dhe vera transformohen në trupin dhe gjakun e Krishtit, kështu që ai mund të jetë i pranishëm në altar dhe të adhurohet me admirimin më të lartë. Të gjithë ata që marrin osten, marrin trupin dhe gjakun e Krishtit në brendësi të tyre. Kjo lidhje me Krishtin është thelbësore për jetën frymërore, pika qendrore e përvojës katolike dhe e rëndësishme për shpëtimin.
Kisha mëson se sakrifica e Meshës është më tepër se një përkujtim i kryqëzimit të Krishtit; është vetë kryqëzimi i Krishtit. Kjo është gjithashtu një mister. Në altar, Jezusi është i pranishëm si viktimë dhe i ofrohet Atit përmes duarve të priftit. Kjo paraqitet në altar në përkushtimin e veçantë të bukës dhe verës. Kjo është arsyeja se pse Kisha i referohet naforës së shenjtë si “oste”, nga latinishtja hostia, që do të thotë viktimë.
Sipas Kishës, Mesha është një sakrificë e vërtetë, por një sakrificë “pa gjak”. Në secilën Meshë Krishti flijohet apo ofrohet si viktimë. Kjo është arsyeja se pse Mesha zhvillohet në altar, në një vend sakrifice. Mesha bën të mundur faljen e mëkateve të të gjallëve dhe të të vdekurve. Këshilli i dytë i Vatikanit konfirmoi këtë gjë duke deklaruar se në çdo Meshë “kryhet vepra e shpengimit tonë”. Kjo është arsyeja se pse priftërinjtë bëjnë shpesh Meshë për dikë që ka vdekur. Besohet se Mesha përshpejton çlirimin e shpirtit të personit nga purgatori.
Fjalët e Jezusit në Darkën e Fundit mund të shikohen edhe në këndvështrim figurativ. Gjuha figurative zakonisht përshkruan diçka duke e krahasuar me diçka tjetër. Për shembull, nëse themi: “Po bie shi me gjyma”, kjo do të thotë se po bie shumë shi. Gjuha figurative mund të marrë formën e një krahasimi, metafore, shprehje frazeologjikë apo figura të tjera letrare.
Shumë të krishterë i interpretojnë fjalët e Jezusit në Darkën e Fundit në kuptimin e tyre figurativ. Në thënien e Jezusit: “Ky është trupi im”, ata e konsiderojnë bukën si përfaqësim të trupit të tij. Kur thotë: “Ky është gjaku im”, ai po thoshte se vera përfaqësonte gjakun e tij. Kur Jezusi u tha dishepujve të tij: “Bëni këtë në përkujtimin tim” (Luka 22:19), ai po i udhëzonte të përdornin bukën dhe verën si emblema të trupit dhe gjakut të tij për ta kujtuar. Një emblemë është një përfaqësim simbolik i diçkaje, zakonisht diçkaje që i përngjan. Buka është e butë dhe elastike, pak a shumë si mishi. Vera është lëng i kuq që i ngjan gjakut.
Ne gjithmonë duhet të përpiqemi t’i japim kuptim një pjese duke e interpretuar atë fillimisht në gjuhën e thjeshtë. Vetëm nëse kuptimi i drejtpërdrejtë nuk ka kuptimin e duhur, atëherë duhet të përdorim gjuhën figurative. Një përjashtim i këtij parimi është teksti që prezantohet në gjuhë figurative. Për shembull, historia e Jezusit për grurin dhe egjrën nis me fjalët: “Ai u propozoi atyre një shëmbëllesë tjetër” (Mateu 13:24). Nga kjo kuptojmë se pjesa që vijon është një shëmbëlltyrë, një histori me kuptim simbolik.
Meqenëse Jezusi nuk i përdor këto fjalë në Darkën e Fundit për bukën dhe verën, ne fillimisht duhet të marrim në konsideratë kuptimin e drejtpërdrejtë të tyre.
Kisha Katolike, megjithëse zbaton këtë parim dhe i konsideron fjalët e Jezusit me kuptim të drejtpërdrejtë, pranon menjëherë se interpretimi që rrjedh nuk ka kuptim. Është një mister, një “realitet mistik”, kuptimi i të cilit nuk përkon as me logjikën dhe as me domethënien. Askush nuk mund ta shpjegojë, qoftë edhe Kisha. Duke qenë kështu, do të ishte më e arsyeshme të merrej në konsideratë kuptimi figurativ i fjalëve të Jezusit.
Në shqip folja “është” – si në rastin: “Ky është trupi im” – është një formë e foljes me qenë. Ajo ka tre kuptime. Së pari, përdoret për të shprehur ekzistencë: Unë mendoj, prandaj ekzistoj. Së dyti, përdoret për të folur rreth diçkaje që ndodh: Krishtlindja është të dielën këtë vit. Së treti, lidh një kryefjalë me një kundrinor: Perëndia është dashuri. Përdorimi i tretë i kësaj foljeje mund të komunikojë që dy gjëra duhet të identifikohen së bashku apo se e dyta përfaqëson të parën. Për shembull, në rastin kur një i ri i tregon familjes së tij makinën e re që mund të bëjë veprime treguese ndaj saj dhe të thotë me krenari: “Kjo është makina ime”. Në këtë rast ai përdor foljen “është” për të identifikuar automjetin para tyre si të tijin. Ai përdor gjuhë të drejtpërdrejtë.
I njëjti i ri, në të njëjtën ditë mund të përpiqet në mënyrë të dëshpëruar t’i shpjegojë të atit se si e ka përplasur makinën e tij të re. Duke vendosur pjatat dhe lugët në tavolinë për të paraqitur skenën e aksidentit, ai mund të marrë një lugë e të thotë: “Kjo është makina ime”. Këtu ai përdor foljen për të komunikuar se luga përfaqëson makinën e tij. Ai përdor gjuhë figurative.
Mendoj se Jezusi ka dashur t’u japë fjalëve të tij një ngjyrim figurativ në Darkën e Fundit. Ai po thoshte se buka dhe vera përfaqësonin trupin dhe gjakun e tij. Ai po u kërkonte dishepujve të tij të përdornin bukën dhe verën si shenjë përkujtimi të tij, pra, që të sillnin ndërmend atë që kishte bërë për ta dhe për të qenë mirënjohës ndaj emrit të tij të shenjtë. Si rezultat kemi një formë të thjeshtë adhurimi, që ka kuptim.
Interpretimi figurativ i fjalëve të Jezusit në Darkën e Fundit mbështetet nga fakti se Jezusi përdori gjithmonë shprehje figurative kur jepte mësim. Ungjilli sipas Gjonit, për shembull, përmban shtatë pohime figurative që Jezusi bëri për veten e tij. Në secilën prej tyre përdoret folja “jam” në tekstin origjinal në greqisht të fjalëve të Jezusit: “Ky është trupi im”. Zoti tha:
- “Unë jam buka e jetës” (Gjoni 6:48)
- “Unë jam drita e botës” (Gjoni 8:12)
- “Unë jam dera” (Gjoni 10:9)
- “Unë jam bariu i mirë” (Gjoni 10:11)
- “Unë jam ringjallja dhe jeta” (Gjoni 11:25)
- “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6)
- “Unë jam hardhia e vërtetë” (Gjoni 15:1)
Secili prej këtyre është pohim figurativ. Jezusi i shqiptoi dy pohimet e fundit natën e Darkës së Fundit në dhomën sipërme. Në herët e tjera Zoti i referohet trupit të tij si një tempull (Gjoni 2:19). Ai foli për jetën e re si uji i gjallë (Gjoni 4:10), për dishepujt e tij si kripë (Mateu 5:13) dhe për mësimet e farisenjve si majaja (Mateu 16:6). Dëshmia e Gjonit rreth mësimit të Jezusit në Darkën e Fundit, që gjendet në Ungjillin sipas Gjonit, kapitujt 13 deri 17, zbulon se Jezusi përdori shprehje figurative gjatë gjithë darkës. Jezusi iu referua kupës duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim” (1 e Korintasve 11:25). Kupa nuk ishte besëlidhja, por përfaqësonte atë. Pjesa vazhdon: “Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë” (1 e Korintasve 11:26). Ne nuk mund të pimë “kupën”, apo jo? Sigurisht që jo. Jezusi i referohet në mënyrë figurative verës që ndodhet në kupë. Vini re gjithashtu se Jezusi i referohet substancës së ngrënshme si “kjo bukë” dhe jo ostes apo trupit të tij. Në Ungjillin sipas Markut, pasi Jezusi tha: “Ky është gjaku im”, ai i referohet substancës si “frytit të hardhisë” (Marku 14:25), pra, verës. Ai nuk do ta kishte bërë këtë, në rast se donte që ne të besonim se buka dhe vera kishin ndryshuar dhe ishin kthyer në mishin dhe në gjakun e tij.
Interpretimi figurativ i fjalëve të Jezusit ka kuptim; interpretimi i drejtpërdrejtë jo. Interpretimi i drejtpërdrejtë rezulton në një formë adhurimi në të cilën të krishterët adhurojnë osten sikur të ishte vetë Perëndia. A nuk është idhujtari? Disa mund të përgjigjen: Nuk është idhujtari, sepse objekti që adhurohet është Perëndia. E kuptoj këtë këndvështrim, por i njëjti argument mund të përdoret për të justifikuar të gjitha format e adhurimeve të idhujve, sepse vija ndarëse midis idhullit dhe hyjnisë përfaqësuar nga idhulli nuk është kurrë i qartë.
Zoti nuk do të banojë brenda një objekti ose të bëhet një objekt dhe të na kërkojë ta adhurojmë, sepse ai nuk mund të kundërshtojë vetveten.
- Dhjetë Urdhërimet thonë: “Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz” (Eksodi 20:4-5). Këtu Zoti ndalon adhurimin e objekteve, edhe ato për të cilat thuhet se e përfaqësojnë atë. Urdhërimi e përjashton adhurimin e ndonjë “shëmbëlltyre të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt”. Eukaristia është një shëmbëlltyrë e Krishtit në qiell. Siç përcaktohet nga Kisha Katolike, është Biri i Perëndisë në formën e bukës dhe verës.
- Kur Moisiu ishte në Malin Sinai, judenjtë ndërtuan një viç të artë. Aaroni, kryeprifti, shpalli: “O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!” (Eksodi 32:4). Megjithëse shëmbëlltyra iu kushtua adhurimit ndaj Perëndisë, kjo gjë e inatosi atë, sepse shtrembëronte natyrën e vërtetë frymërore dhe atributet e tij të shenjta. Asnjë objekt nuk mund ta përfaqësojë atë denjësisht. Për këtë arsye ai nuk dëshiron që të adhurojmë objekte të tjera.
- Perëndia është betuar në mënyre solemne të mos e paraqesë kurrë veten në një objekt pa jetë që ne ta adhurojmë. “Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk mund t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura” (Isaia 42:8). Herën tjetër që do të marrësh pjesë në meshë, shiko osten. Është një shëmbëlltyre e gdhendur. Gdhendur në të është një kryq, një qengj, rreze drite, shkronjat IHS ose një kombinim i tyre. Perëndia na ka thënë se nuk do t’ia japë kurrë lavdinë e tij një shëmbëlltyre të tillë.
- Jezusi mësoi: “Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:24). Për të adhuruar Perëndinë “në frymë”, duhet të lidhemi me të në një nivel frymëror, duke ndërvepruar fryma e tij me tonën. Duke vënë në fokusin e adhurimit tonë objekte fizike, si buka dhe vera, kjo gjë bie. Nuk është një mjet për adhurimin e vërtetë; është një shpërqendrim.
Interpretimi i Kishës i fjalëve të Jezusit rezulton jo vetëm në adhurimin e një objekti si hyjnor, por gjithashtu në një formë adhurimi që mohon mjaftueshmërinë dhe përsosurinë e flijimit të Jezusit në kryq. Kur vdiq, Zoti tha: “U Krye” (Gjoni 19:30). Vepra e tij për shpëtimin ishte kryer, plotësuar, në mënyre të përsosur. “Ai uli kryet dhe dha frymën” (Gjoni 19:30). Bibla thotë: “Atje ku ka ndjesë të këtyre gjërave, nuk ka më ofertë për mëkatin” (Hebrenjtë 10:18). Pse atëherë nevojitet flijimi i vazhdueshëm i Meshës me rreth 120 milion oferta çdo vit? A nuk duhet të krishterët të kremtojnë veprën e përfunduar të Krishtit? A nuk duhet ta lartësojmë atë në lavdinë e tij të kurorëzuar në qiell, në vend që ta flijojmë atë si viktimë në altar?
Adhurimi ynë duhet të shprehë besimin tonë. Nëse besojmë se Krishti vdiq për ne, se u ringjall dhe se u ngjit lart për të mos vdekur kurrë, atëherë duhet të kremtojmë këtë në adhurimin tonë. Nëse, nga ana tjetër, besojmë se priftërinjtë duhet të kryejnë Sakrificën e Meshës për të na shpenguar, për të ndihmuar shpirtrat e gjorë në purgator për t’u larguar nga zjarret e pastrimit, atëherë Mesha është forma e përshtatshme e adhurimit.
Unë besoj se sakrifica ka mbaruar. Jezusi tha: “U krye” (Gjoni 19:30). Kjo mjafton për mua. Unë dëshmoj këtë besim çdo të diel në adhurimin tim. “Duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s’ka më pushtet mbi të” (Romakeve 6:9). Adhurimi im është shprehje e këtij besimi.
Konteksti është çelësi për interpretimin e saktë. Kjo do të thotë që për të interpretuar një pohim në mënyrë të saktë, duhet ta kuptojmë në sfondin në të cilin është bërë. Dëshmitë biblike rreth Darkës së Fundit janë shkruar te Mateu 26:17-30, Marku 14:12-25, Luka 22:7-38, Gjoni 13:1-17:26 dhe 1 e Korintasve 11:17-34. Këto paraqesin sfondin për interpretimin e duhur të fjalëve të Jezusit rreth bukës dhe verës.
[previous][next]