JETA E PËRJETSHME

Kapitulli 2 | Mesha: Zbulimi i misterit

U largova nga Kisha Katolike për dy arsye. E para kishte të bënte me mësimin e Kishës rreth shpëtimit. Motrat e Kishës na mësuan se për të shkuar në parajsë duhet të besonim në Perëndinë, të besonim te Kredoja e Apostujve, duhej të shkonin në Meshë, duhej të merrnim simbolet – sidomos Eukaristinë – t‘i donim të tjerët si veten, të zbatonim Dhjetë Urdhërimet, të bënim vepra të mira, të thoshim një seri lutjesh dhe të vdisnim pa asnjë mëkat serioz të parrëfyer, që rëndonte shpirtin tonë.

Mund të kishte edhe gjëra të tjera që ne duhej të zbatonim, por nuk ka rëndësi; unë nuk mund të zbatoja as kërkesat që kam listuar. Nuk mund ta doja fqinjin tim si veten. Nuk mund t‘i zbatoja 10 Urdhërimet, sipas standardit të Perëndisë. E vërteta është se nuk jetoja dot edhe sipas standardeve të mia. Sa më shumë rritesha – 19, 20, 21 vjeç – sa më tepër keqësohesha, aq më shumë largoheshProvaa nga Zoti.

Nisa të lexoja Biblën në moshën 23-vjeçare. Nga ajo mësova se Perëndia nuk ishte Ai që mendoja të ishte. E kisha përfytyruar të ashpër dhe tiran paragjykues. Ai ishte i largët dhe i ftohtë, si një i afërt që jeton në një vend të largët të cilin nuk e kisha takuar kurrë. Ishte e vështirë t’i pëlqeje atij, i nevrikosur shumicën e kohës, i ftohtë dhe i përpiktë, dikush nga i cili druhesh.

Ndryshe nga koncepti që kisha krijuar për të, zbulova në Bibël se Perëndia është i mirë dhe i durueshëm. Ai është i përulur, i sjellshëm dhe jo egoist. Ai ishte i ngrohtë dhe i afërt, ashtu si Ati qiellor për të cilin shpresojmë të kujdeset për ne nga parajsa. Ai është i gatshëm për të falur menjëherë ata që pendohen. Ai është i hirshëm dhe i mëshirshëm. Nëse bën një premtim, e mban atë. Ai është i hapur, e megjithatë i ndjeshëm dhe i lëndueshëm, kështu që kur ne zgjedhim të mëkatojmë në vend që të bindemi, e lëndojmë shumë. Ngaqë Ai na do, dëshiron që ne të marrim vendimet e duhura. Ai është i interesuar në të gjitha hollësitë e jetëve tona. Ai është i Plotfuqishmi, që foli dhe Universi u krijua, Krijuesi ynë. Është e drejtë që ne ta nderojmë dhe t’i bindemi. Megjithatë, Ai e respekton pavarësinë tonë. Nëse nuk dëshirojmë që të jetë pjesë e jetës tonë, Ai na lejon që të ndjekim rrugën tonë. Ai nuk na imponohet. Ai është i respektueshëm dhe fisnik në çdo gjë. Ai është gjithashtu i drejtë dhe do të gjykojë mëkatarët. Ai nuk është një person me të cilin mund të tallemi.

Mësova gjithashtu nga Shkrimi se shpëtimi nuk bazohet në atë që bëjmë për të shkuar në parajsë, por në atë që ka bërë Jezusi për ne në kryq. Pjetri shkruan: “Sepse Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma” (1 Pjetrit 3:18). Jezusi tha se ai erdhi “për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave” (Marku 10:45). Menjëherë pasi fillova të lexoja Biblën, arrita në kapitullin 53 të Isaias. Shkruar 700 vjet para se të jetonte Jezusi, ai përmbante 12 parashikime për ardhjen e Mesias. Këto më bindën se Bibla ishte një libër i frymëzuar, sepse askush nuk mund të kishte ditur atë që Isaia dinte për Mesinë pa ndihmën e Perëndisë.

Nuk e kisha ditur kurrë që Ati kishte hedhur fajin e paudhësive tona mbi Birin e tij dhe e kishte ndëshkuar në vendin tonë. Murgeshat më kishin mësuar se Jezusi vdiq në kryq si flijim për mëkatet, por kurrë nuk kisha dëgjuar atë pjesë të vdekjes së tij si zëvendësuesi ynë dhe marrjes së ndëshkimit, që më të drejtë na takonte ne. Mbase na e kishin mësuar, por nuk më kujtohej.

Ishte faji im që nuk e kisha kuptuar se Jezusi kishte vdekur për mua. Kisha marrë dymbëdhjetë vjet leksione fetare, tetë vjet me Motrat dhe katër vjet me Etërit Jezuit. Kisha pasur shumë mundësi për të diskutuar rreth shpëtimit me mësuesit e mi, por nuk e bëra kurrë.

Gjithashtu kisha edhe një kopje të Dhiatës së Re. Një mik i familjes ma dha në shërbesën time të parë. E kam ende. Është e mbështjellë me lëkurë të kuqe. Anët i ka me shkëlqim me shirita të kuq dhe të gjelbër, që shërbejnë si shenjues të librit. Në faqet hyrëse ka një fragment të shkëputur nga një letër e shkruar nga Papa Benedikti XV, që vdiq në vitin 1922. Në të Papa premton se “nuk do të ndalë kurrë së këshilluari besimtarët për të lexuar çdo ditë Ungjillin, Veprat e Apostujve dhe Letrat e tyre, kështu që ata mund të ushqejnë shpirtrat e tyre”. Ai citon Shën Jeromin, i cili ka thënë: “Të mos njohësh Biblën do të thotë të mos njohësh Krishtin”. Papa Benedikti e përfundon shkrimin e tij me thënien: “Dëshira jonë e vetme për të gjithë bijtë e Kishës është që, duke qenë të ngopur me Biblën, t’ia arrijnë njohjes të pakufishme të Jezu Krishtit”. Fatkeqësisht nuk e dëgjova kurrë këshillën e Papës. Dhiata e Re ishte bërë e padobishme në raftin tim të librave për gjashtëmbëdhjetë vjet. Prandaj nuk e dija se Perëndia kishte premtuar jetë të përjetshme për të gjithë ata që pendoheshin dhe vinin besimin e tyre te Jezusi për t’i shpëtuar.

Bibla mëson: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh” (Veprat e Apostujve 16:31). “Sepse po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim” (Romakeve 10:9-10). “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet” (Romakeve 10:13).

Për ironi, disa nga vargjet më të qarta rreth shpëtimit ndodhen në katër kapitujt e parë të Letrës së Palit drejtuar Romakëve. Ju do të mendoni se si katolik romak unë duhet të paktën të kisha lexuar një pjesë të Dhiatës së Re, por në fakt jo. Jeta e përjetshme, me aq sa dija, ishte një çmim i fituar. Nuk e dija se Bibla mësonte të kundërtën. “Ju në fakt jeni shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efesianeve 2:8-9). “Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakeve 6:23).

Unë nuk e dija se jeta e përjetshme ishte dhuratë nga Perëndia. Për ta marrë atë duhej të pendohesha për mëkatet e mia (që do të thotë të lija prapa të keqen dhe t’i thosha Perëndisë se isha i gatshëm ta jetoja jetën siç donte Ai) dhe ta vendosja besimin tim te Jezusi që të më shpëtonte. Jezusi na mëson: “Pendohuni dhe besoni ungjillin!” (Marku 1:15).

Unë nuk e lexoja Biblën sepse nuk mendoja që një njeri i zakonshëm si unë mund ta kuptonte. Nuk e dija se ajo përmbante premtime të Perëndisë që çdokush mund t’i lexonte, kuptonte dhe përvetësonte. Për shembull, Jezusi tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë” (Gjoni 5:24). Në këto vargje Zoti premton jetë të përjetshme për këdo që dëgjon mesazhin e tij dhe i beson atij. Ai person, thotë Krishti, nuk do të ketë nevojë as të paraqitet në gjyqin e fundit. Ai ose ajo kalon nga vdekja në jetë.