Masa e fitoreve do të varet nga masa e besimit

«U bëftë sipas besimit tuaj» (Mt. 9:29)

Kur Jezusi i pyeti dy të verbrit nëse besonin se Ai ishte në gjendje t’u kthente shikimin, ata iu përgjigjën se besonin. Kur i preku sytë e tyre, Ai tha: «U bëftë sipas besimit tuaj» dhe atyre iu hapën sytë.

Do të ishte kollaj që të nxirrnim prej kësaj përfundimin se nëse kemi mjaft besim, ne mund të marrim çdo gjë që duam, qoftë pasuri, shërim apo çfarëdo qoftë. Por nuk është kështu. Besimi duhet të bazohet mbi ndonjë fjalë të Zotit, ndonjë premtim të Perëndisë, ndonjë urdhërim të Shkrimit. Në të kundërt, nuk është asgjë më tepër se naivitet ambicioz.

Ajo që mësojmë nga teksti i sotëm është që niveli i përvetësimit të premtimeve të Perëndisë varet nga masa e besimit tonë. Mbasi mbretit Joas iu premtua se do të korrte fitore mbi sirianët, Eliseu i tha që të godiste tokën me shigjetat e tij. Joasi e goditi atë tri herë, pastaj ndaloi. Eliseu shpalli me zemërim se mbreti do të kishte vetëm tri fitore mbi Sirinë, kur mund të kishte patur pese ose gjashtë (2 i Mbreterve 13:14-19). Masa e fitores së tij varej nga besimi i tij.

Dhe kështu është me jetën e dishepullimit. Ne jemi thirrur që të ecim me anë të besimit, që të heqim dorë nga çdo gjë. Ne jemi ndaluar që të mbledhim thesare mbi tokë. Deri ku guxojmë të përparojmë në bindje të këtyre urdhërimeve? A duhet të bëjmë pa sigurimet shoqërore, pa sigurimet shëndetësore, pa llogari kursimi, pa aksione dhe obligacione? Përgjigja është: «U bëftë sipas besimit tuaj». Nëse keni besim sa të thoni: «Unë do të punoj shumë për nevojat e mia aktuale dhe nevojat e familjes sime dhe gjithçka mbi këtë do ta përdor për punën e Zotit dhe do t’i besoj Perëndisë për të ardhmen», atëherë ju mund të jeni absolutisht të sigurt se Zoti do të kujdeset për të ardhmen tuaj. Ai ka thënë se do ta bëjë dhe fjala e Tij nuk mund të bjerë poshtë. Nëse, nga ana tjetër, ne ndiejmë se duhet të ushtrojmë «maturi njerëzore» duke siguruar për një ditë të vështirë, Perëndia prapë do të na dojë dhe do të vazhdojë të na përdorë sipas masës së besimit.

Jeta e besimit është si ujërat që rrjedhin nga Tempulli në Ezekieli 47. Ju mund të futeni deri në nyje, deri në gjunjë, deri në kryqe – ose, akoma më mirë, ju edhe mund të notoni atje.

Sigurisht, bekimet më të zgjedhura të Perëndisë janë për ata që i besojnë Atij më plotësisht. Pasi të kemi provuar besnikërinë dhe mjaftueshmërinë e Tij, ne dëshirojmë t’i largojmë patericat, mbështetëset dhe jastëkët e «gjykimit të shëndoshë». Ose, siç ka thënë dikush: «Pasi ke ecur mbi ujë, nuk dëshiron kurrë që të jesh përsëri në një barkë».

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *