Miti i al-Aksas [Fragment]
Kur profeti Muhamed themeloi islamin, ai paraqiti risi të pakta. Ai përdori personazhet e shenjtëruar, legjendat historike dhe vendet e shenjta të judaizmit dhe krishterimit, madje edhe paganizmin, duke i islamizuar ato. Kështu, sipas islamit, Abrahami ishte myslimani i parë dhe Jezusi dhe shën Gjoni (bijtë e Miriamit, motër e Moisiut dhe Aaronit) ishin profetë dhe roje të qiellit të dytë. Shumë legjenda biblike («asatir al-awwalin»), të cilat ishin të njohura nga arabët paganë përpara lindjes së islamit, iu nënshtruan një konvertimi islamik dhe Kurani si edhe hadithet (tradita gojore islamike) janë plot me të tilla gjëra.
Edhe Jerusalemi iu nënshtrua procesit të islamizimit: në fillim Muhamedi u përpoq të bindë judenjtë afër Medinës që t’i bashkoheshin komunitetit të tij të ri dhe, përmes bindjes, e caktoi drejtimin e lutjes (kiblah) që të jetë drejt veriut, në drejtim të Jerusalemit, duke e harmonizuar me praktikën e judenjve; por pasi dështoi me këtë përpjekje ai ngriti krye kundër judenjve, vrau shumë prej tyre dhe e drejtoi lutjen kiblah drejt jugut, në drejtim të Mekës.
Braktisja që Muhamedi i bëri Jerusalemit shpjegon faktin se ky qytet nuk është përmendur as edhe një herë në Kuran. Mbasi Palestina u pushtua nga myslimanët, kryeqyteti i saj ishte Ramallah, 48 km në perëndim të Jerusalemit, duke treguar se Jerusalemi nuk kishte asnjë domethënie për ata.
Islami e zbuloi sërish Jerusalemin 50 vjet mbas vdekjes së Muhamedit. Në vitin 682 m.K., Abd Allah ibn al-Zubayr ngriti krye kundër sundimtarëve islamikë në Damask, pushtoi Mekën dhe i ndaloi pelegrinët që të shkonin në Mekë për haxhillëk. Abd al-Malik, kalifi i Umayyad-it, kishte nevojë për një rrugë tjetër për pelegrinazhin dhe caktoi Jerusalemin që ishte në atë kohë nën kontrollin e tij. Për ta justifikuar këtë zgjedhje u zgjodh një varg nga Kurani (17:1 = sura 17, vargu 1), i cili thotë (përkthim nga Majid Fakhri):
«Lavdi i qoftë Atij që shërbëtorin e Tij e bëri të udhëtojë natën nga Xhamia e Shenjtë në Xhaminë e Largët, rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga provat Tona, Ai është vërtet dëgjuesi, pamësi».
Domethënia që iu dha këtij vargu është se «xhamia më e largët» (al-masgid al-aqsa) është në Jerusalem dhe se Muhamedi u çua atje një natë (edhe pse në atë kohë udhëtimi kërkoi tri ditë me deve), mbi shpinën e al-Buraq, një kali magjik me kokën e një gruaje, krahët e një shqiponje, bishtin e një pallua dhe shputa që shkon deri në horizont. Ai e lidhi kalin në murin perëndimor të Malit të Tempullit dhe prej andej u ngjit në qiellin e shtatë bashkë me engjëllin Gabriel. Rrugës ai u takua me profetët e feve të tjera të cilët janë rojet e qiellit.
Nuk është për t’u çuditur që ky shpjegim i mbinatyrshëm bie në kundërshtim me disa dogma të islamit: Si mund të ngjitet në qiell një njeri i gjallë prej mishi dhe gjaku? Si mundet një krijesë mitike të transportojë një vdekatar në një pikëmbërritje reale? Pyetje si këto i kanë bërë mendimtarët myslimanë konvencionalë që të arrijnë në përfundimin se udhëtimi natën ishte një ëndërr e Muhamedit. Udhëtimi dhe ngjitja i shërben islamit që t’ia «kalojë» Biblës: «vetëm» Moisiu shkoi në malin Sinai, në mes të asgjëje dhe iu afrua qiellit, ndërsa Muhamedi e përshkroi të gjithë rrugën dhe shkoi teri tek Allahu dhe nga vetë Jerusalemi.