Shikoni se sa arsye kanë shenjtorët që të jenë shpesh duke falënderuar. Në këtë pikë të krishterët janë të mangët; edhe pse kalojnë shumë kohë me përgjërime, kalojmë pak kohë me falënderime. Apostulli thotë: «Për çdo gjë falënderoni» (1 Thes. 5:18). Përse kështu? Sepse Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirën tonë. Ne e falënderojmë doktorin, edhe pse ai na jep një ilaç të hidhur që nuk na pëlqen, pasi është për shërimin tonë gjithashtu; ne e falënderojmë çdo njeri që na bën një favor; dhe nuk do t’i jemi mirënjohës Perëndisë, i cili bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirën tonë? Perëndia e do një të krishterë falënderues. Jobi e falënderoi Perëndinë kur ia mori të gjitha: «Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit» (Jobi 1:21). Shumë do ta falënderojnë Perëndinë kur Ai jep; Jobi e falënderon Atë kur Ai merr, pasi ai e dinte se Perëndia do të nxirrte të mirën nga kjo. Ne lexojmë për shenjtorë me harpa në duart e tyre (Zbulesa 14:2), një simbol i lavdërimit. Ne takojmë shumë të krishterë që kanë lot në sytë e tyre dhe ankesa në gojët e tyre; por janë të paktë ata me harpa në duart e tyre, të cilët e lavdërojnë Perëndinë në pikëllimet e tyre. Të jesh falënderues në pikëllime është një vepër karakteristike për një shenjtor. Çdo zog mund të këndojë në pranverë, por disa zogj do të këndojnë në mes të dimrit. Kushdo, pothuaj, mund të jetë falënderues në begati, por një shenjtor i vërtetë mund të jetë falënderues në fatkeqësi. Një i krishterë i mirë do ta bekojë Perëndinë, jo vetëm kur del dielli, por edhe kur perëndon. Atëherë, në më të keqen që mund të na ndodhë, le të kemi një psalm falënderimi, pasi të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirën. Oh, ji duke e bekuar shumë Perëndinë: ne do ta falënderojmë Atë që na ka quajtur miqtë e Tij.
–Thomas Watson