Parimet e doktrinës së krishterë | Mësimi 9
«N.Q.S. NJË NJERI NUK LIND PËRSËRI, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë» (Gjoni 3:3). Një personi që besonte tek Perëndia, një fetari, që me devotshmëri shkonte në sinagogë, një personi me cilësi morale të mrekullueshme, që shkoi për ta nderuar, Jezusi i drejtoi këto fjalë solemne. Të gjitha ato që Nikodemi kishte ishin të pamjaftueshme që të përgatisnin takimin e përjetshme me Perëndinë. Je ti i përgatitur të takosh Perëndinë?
Çfarë do të thotë të lindësh përsëri?
Të kesh lindur sërish do të thotë të jesh rigjeneruar (të kesh marrë një jetë të re). Kur Jezusi i tha Nikodemit që ishte e nevojshme që ai të lindte përsëri, nuk po fliste për një lindje fizike por për një lindje shpirtërore (Gjoni 3:4-6). Jezusi u habit nga fakti që Nikodemi, i cili i mësonte popullit ligjin, nuk e kuptoi këtë (Gjoni 3:10). Në Dhiatën e Vjetër flitej për rilindjen ose rigjenerimin e kombit të Izraelit (Eze. 36:26; 37:1-10). Rilindja e ardhshme e krijimit nga gjendja e tij e mallkuar si shkak i mëkatit, ishte një mësim që dihej (Mt. 19:28). Nikodemi nuk e kishte kuptuar që lindja e re ishte një shprehje që përdorej për individin në momentin në të cilin ai hynte për të bërë pjesë në familjen e Perëndisë.
Lindja e re është një ngjarje personale. Është një jetë e re, një lloj i ri marrëdhëniesh familjare, një fuqi e re e brendshme. Bibla thotë që ne hyjmë në mbretërinë e qiejve në të njëjtën mënyrë të atij që kalon nga vdekja në jetë (Gjoni 5:24). N.q.s. më parë ecnim në errësirë, tani ecim në dritë (Gjoni 8:12). Kalojmë nga mbretëria e Satanit në mbretërinë e Birit të Perëndisë (Kolosianeve 1:13). Jemi një krijim i ri (2 e Korintasve 5:17). Ky krijim i ri bëhet në drejtësi, në shenjtëri dhe në vërtetësi (Efesianeve 4:24).
Përse njeriu natyror duhet të lindi përsëri?
Shprehja «njeri natyror» i referohet individit që lind dhe jeton në mish përpara se të marrë jetën e re nga Perëndia.
- ËSHTË I SHTHURUR (Zanafilla 8:21). Ka një zemër mashtruese (Jeremia 17:9). Në mishin e tij nuk gjendet asgjë e mirë (Rom. 7:18).
- ËSHTË I VDEKUR NË MËKATE (Efesianeve 2:1). Sipas metrit të Perëndisë, nuk ka te njeriu asnjë lloj jete shpirtërore.
- ËSHTË I KONTROLLUAR NGA SATANI (Efesianeve 2:2).
- ËSHTË ARMIK I PERËNDISË (Rom. 5:10). Njeriu natyror është pa shpresë dhe pa Perëndinë në botë (Efesianeve 2:12).
Çdo bir i Perëndisë ndodhej një herë në këto kushte.
Në çfarë mënyrë një njeri mund të lindë përsëri?
1. DY ILUSTRIME PER LINDJEN E RE. Në një studim të kujdesshëm të Gjonit 3 nuk do të gjendet asnjë mbështetje për idetë e pjesës më të madhe të njerëzve për sa i përket mënyrës për të hyrë në mbretërinë e qiejve. Jezusi nuk përmendi asnjëherë veprat e mira, përkrahjen e organizatave fetare ose marrjen pjesë në ceremoni fetare. Jep, në fakt, dy ilustrime për të shpjeguar lindjen e re:
a. Erën (Gjoni 3:8). Është e padukshme, e paparashikueshme në aktivitetin e saj dhe megjithatë e dukshme në efektet e saj. Burimi është Perëndia dhe jo njeriu. Lindja e re gjen burimin e saj tek Perëndia (Gjoni 1:13). Dërgohet nga Ai për të punuar në mënyrë të padukshme dhe të fuqishme, duke ndryshuar jetët.
b. Gjarpri i bakrit (Gjoni 3:14-15; Numrat 21:6-9). Kur populli mëkatoi, Perëndia i tha Moisiut të prodhonte një gjarpër prej bakri dhe ta vendoste mbi një shtyllë. Të gjithë ata që, duke besuar atë që Moisiu kishte thënë, shikonin objektin e providencës së Perëndisë shëroheshin. Jezusi, Biri i njeriut, tha që Ai vetë do të «ngrihej» si gjarpri mbi shtyllë, për të qenë objekt i besimit shpëtues. Ishte e qartë që kjo «ngritje» i referohej kryqit (Gjoni 12:32-33). Lindja e re fillon kur ne shikojmë Jezusin të kryqëzuar për mëkatet tona.
2. DY FAKTORE VENDIMTARE NË LINDJEN E RE.
a. Fjala e Perëndisë (1 Pjetrit 1:23; Jakobit 1:18). Ne dëgjojmë Fjalën e së Vërtetës dhe besojmë te ajo për t’u shpëtuar (Efesianeve 1:13; Rom. 10:17). Ajo është fara e shpëtimit (Mt. 13:3-9; 18-23). Lindja e re është kur besojmë me të vërtetë Fjalën e Perëndisë dhe i bindemi asaj.
b. Fryma e Shenjtë (Titit 3:5; Gjoni 3:5,6,8). Ai i bind njerëzit për mëkatin (Gjoni 16:8-11) dhe i udhëheq tek Krishti. Lindja e re është vepër e Frymës së Shenjtë. Një vepër e tillë fillon me bindjen për mëkatin dhe të çon në një jetë të pastruar, «larja e rilindjes».
Vërehet që gjithë ajo që thamë më lart s’ka të bëjë me pagëzimin në ujë. Në fakt, pagëzimi nuk përmendet. Uji në Bibël përdoret si simbol i Frymës (Gjoni 7:38-39) dhe i Fjalës (Efesianeve 5:26). Pagëzimi nuk ka asgjë të përbashkët me ilustrimet e përdorura nga Jezusi të erës dhe të gjarprit prej bakri. Është një portret i shpëtimit. Pagëzimi është shumë i rëndësishëm, por vjen pas lindjes së re, nuk e prodhon ai lindjen e re (Veprat e Apostujve 8:12-13; 37-38).
Cilat janë rezultatet e lindjes së re?
- Kemi një zemër dhe një shpirt të ri (Eze. 11:19).
- Jemi pjesëtarë të natyrës hyjnore (2 Pjetrit 1:4).
- Fryma e Perëndisë banon tek ne (Rom. 8:9).
- Jemi bij të familjes së Perëndisë (1 Gjonit 3:1).
- Kemi jetën e përjetshme (1 Gjonit 5:11-12).
- Duam Zotin Jezu Krisht (1 Gjonit 5:1).
- Duam të tjerët, në veçanti besimtarët (1 Gjonit 3:14; 4:7).
- Dëshirojmë t’i bindemi Zotit Jezus (1 Gjonit 2:3).
- Nuk bëjmë mëkat (1 Gjonit 3:9).
- Praktikojmë drejtësinë (1 Gjonit 2:29).
Je bindur për mëkatin dhe i je drejtuar Jezu Krishtit që të shpëtohesh? Ke besuar tek Ungjilli i shpëtimit dhe e ke vendosur besimin tënd tek Krishti?
Pyetje – Mësimi 9
Lindja e re
[wpfilebase tag=file id=19/]TABELA E PËRMBAJTJES
