Beteja mbi të vërtetën për të rinjtë tanë

[no_toc]
THEB Prill 2009

THEB Prill 2009

«Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde», Psalmi 119:9

Besimtarë gjatë çdo brezi kanë përjetuar probleme të shumanshme në përpjekjet e tyre për të jetuar për Krishtin. Ndonëse rrethanat dhe situatat mund të ndryshojnë shumë gjatë mijëvjeçarëve, prapëseprapë Perëndia na e ka dhënë zgjidhjen e Tij, që është e përjetshme dhe krejt e mjaftueshme: «Duke e ruajtur me fjalën tënde».

Ndërsa Perëndia e ka siguruar zgjidhjen, nuk kërkon mendjemprehtësi të veçantë për të kuptuar se Satani, kundërshtari i Perëndisë, do ta bëjë Fjalën e Perëndisë përqendrimin kryesor të strategjisë së tij të përmbysjes. Kjo filloi në kopshtin e Edenit, kur gjarpri, në dialog me Evën, e mashtroi me dhelpëri duke e bërë që të rishikojë atë që kishte urdhëruar Perëndia: «A ka thënë me të vërtetë Perëndia…?» Dialogët hapin një rrugë për të shkatërruar [pohimet] absolute të Perëndisë, ose duke shtuar përmbajtje të gabuar, ose duke hequr të vërteta kritike. Ky ka qenë plani i lojës së efektshme të Satanit për shekuj të tërë ndërsa ai i ka verbuar «mendjet e atyre që nuk besojnë» dhe ka përmbysur besimin e disave që besonin (2 e Korintasve 4:4 dhe 1 Timoteut 1:18-19).

Taktika «A ka thënë me të vërtetë Perëndia…?» pasohet pothuaj gjithmonë me një refuzim të drejtpërdrejtë të Shkrimit, sikurse ndodhi në fillim («Ju s’keni për të vdekur aspak» – Zanafilla 3:4) dhe i hap rrugën Fjalës së Perëndisë që të shpifet, të tallet, të shtrembërohet, të përqeshet, të thuhen gënjeshtra për të dhe kështu me radhë. Edhe pse Bibla është sulmuar për mijëra vjet, Shkrimi na tregon dhe vëzhgimi na konfirmon, se sulmi kundër Fjalës do të jetë pa precedent në ditët e fundit (2 Timoteut 3:1; 4:3-4 dhe 1 Timoteut 4:1-2).

Vëzhgimi im personal i strategjisë së kundërshtarit filloi si një i krishterë biblik para rreth tri dekadash, duke filluar me punën time me Dejv Hantin (Dave Hunt) duke ekspozuar kultet (filmat dokumentarë «Shpërthimi i kulteve» dhe «Bërësit e perëndive») dhe pas një kohe të shkurtër, duke e paralajmëruar kishën për besimet dhe praktike kultike që kishin hyrë midis përbashkësive të krishtera («Joshja e krishterimit»). Për ç’ka ia vlen, kam harxhuar më shumë se një çerek shekulli duke vëzhguar dhe shkruar mbi tendencat brenda krishterimit ungjillor. Më lejoni të identifikoj ato taktika që unë besoj se ilustrojnë më së miri mësymjen e Satanit mbi Fjalën në këto ditë të fundit përpara kthimit të Krishtit.

Unë isha një katolik përpara se të lindja përsëri. Jezusi i tha Nikodemit: «Nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë», as nuk mund «të hyjë në mbretërinë e Perëndisë» (Gjoni 3:3, 5). Isha njëherësh i verbuar dhe i ndarë nga mbretëria e Perëndisë deri në rilindjen time frymërore, që Jezusi deklaroi se ishte urdhëruese: «[Ju] duhet të lindni përsëri» (v. 7). Edhe pse Jezusi e bëri atë një «duhet» (detyrim), shumë ungjillorë sot, në mos shumica e tyre, i kushtojnë pak vëmendje urdhërimit të Tij dhe si pasojë ata i kanë pranuar më shumë se një miliard katolikët si «vëllezër dhe motra në Krishtin». Midis shtrembërimeve të tyre të shumta të mësimeve të Shkrimit, shumë katolikë rrëfejnë se kanë «rilindur» mbi bazën e pagëzimit të tyre si foshnja. Në mënyrë të ngjashme, Kisha e Romës i pranon të gjithë të krishterët jokatolikë që janë të pagëzuar si «vëllezër të ndarë».

Para tridhjetë vjetësh, disa ungjillorë të rinj më përballën me faktin që unë nuk isha «vëllai i tyre në Krishtin» dhe më shpjeguan se çfarë mësonte Shkrimi, i cili i vetëm mund ta bëjë këtë marrëdhënie me Jezusin një realitet. Sot, ndikimi i organizatave si «Ungjillorët dhe katolikët së bashku» (Evangelicals and Catholics Together), «Mbajtësit e premtimit» (Promise Keepers), «Shoqata ungjillore e Billi Grehëm» (the Billy Graham Evangelistic Association), shumica e organizatave parakishtare në universitete e kolegje, filmi katolik i mbështetur nga ungjillorët «Pasioni i Krishtit» dhe rritja e shpejtë e ekumenizmit kanë krijuar atmosferën e pranimit të katolikëve si besimtarë. Si pasojë, unë (dhe shumë të tjerë që i njoh) jemi qortuar nga ungjillorët që kemi nxjerrë në pah se kisha katolike e Romës ka një ungjill që është në kundërshtim me Shkrimin – dhe prandaj nuk mund të shpëtojë asnjë njeri. Veç kësaj, na është thënë se i kemi ofenduar «miqtë e krishterë katolikë» duke u dëshmuar atyre. Ky është një zhvillim pa precedent i kohëve të fundit midis ungjillorëve, sidomos për ata në universitete dhe kolegje të krishtera.

Grupmosha e sotme mbi «njëzet vjeç», shto ose hiq disa vjet, është kthyer në një brez shënjestër nga kundërshtari në mënyra që janë të pakrahasueshme në historinë e kishës moderne. Ky objektiv është në përputhje me minimin e Fjalës së Perëndisë duke e dobësuar, madje edhe duke e mohuar, autoritetin e saj. Ajo që e bën këtë strategji veçanërisht tinëzare është se kjo është një punë e brendshme, d.m.th., po depërtohet nga ata që pohojnë se janë ungjillorë ose që të paktën kanë rrënjë ungjillore. Duke iu referuar si «Lëvizja e kishës emergjente» (Emerging Church Movement), ajo është një zhvillim që ka si përpjekje për të arritur kulturën post-moderne për Krishtin, duke e «ribërë krishterimin», duke e bërë atë më të pëlqyeshme për qëndrimet e të rinjve. Për shembull, duke qenë se brezi post-modern karakterizohet nga përbuzja për autoritetin, siç është predikimi ose mësimi, kjo zbutet ose rimodelohet si «bashkëbisedim» (Shih THEB 1/08, 3/08, 8/08, 12/08).

Doktrina e shëndoshë, që 2 Timoteut 4:3 na thotë se nuk do të durohet në ditët e fundit, është në kundërshtim me këtë lëvizje. Autori i saj më produktiv, Brian McLaren, e tregon këtë kudo në shkrimet e tij: «Kisha u ngjit pas asaj doktrinës së vjetër të mëkatit origjinal si qeni pas shkopit dhe, para se ta kuptoje, i gjithë ungjilli u shtrembërua rreth kësaj. Në vend që të ishte mesazhi i madh i dashurisë shpëtuese të Perëndisë për të gjithë botën, ungjilli u bë paksa një informacion i fshehtë se si të zgjidhej ky problem i mërzitshëm ligjor i mëkatit origjinal». [1] Gjetiu ai thotë: «Unë mendoj se akoma nuk e kemi siç duhet ungjillin. Çfarë do të thotë të shpëtohesh? […] Asnjë prej nesh nuk ka arritur akoma në ortodoksi [doktrinën e drejtë]». [2] Përkundrazi, unë njoh disa fëmijë të moshës pesë dhe gjashtë vjeç që kanë «arritur në ortodoksi [doktrinën e drejtë], duke kuptuar dhe besuar ungjillin e thjeshtë.

«Lëvizja e kishës emergjente» vjen akoma më afër përmbushjes së paralajmërimit profetik të Palit drejtuar pleqve të Efesit (Veprat e Apostujve 20:28-31), sesa çdo tendencë tjetër të fundit që unë njoh. Vërtet, drejtuesit emergjentë po «flasin gjëra të çoroditura» dhe po «tërheqin pas vetes dishepuj». THEB [Thirrja e Bereasve] ka marrë letra të shumta nga prindër dhe pastorë ungjillorë që i shohin të rinjtë e tyre duke kërkuar kisha emergjente për përvoja «të reja», të cilat ato i ofrojnë me shumicë: arti fetar (kryesisht imazhe impresioniste të «Jezusit», filma «biblikë», rituale të bazuara në liturgjinë katolike/ortodokse, «komunitet», marrëdhënie personale, spiritualitet dhe misticizëm meditues (disa përfshijnë joga), «dialogë» mbi Biblën, bashkëveprim ekumenik me «njerëzit e besimit», një ungjill social, plane për të shpëtuar planetin, për të kthyer mbretërinë dhe kështu me radhë.

Strategjia «A ka thënë me të vërtetë Perëndia…?» ka qenë shumë e suksesshme në minimin e besimeve kritike mbi mjaftueshmërinë e Fjalës së Perëndisë. Ndonëse Bibla pohon se është e mjaftueshme për «të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë» (2 Pjetrit 1:3), shumë të krishterë që rrëfejnë se e besojnë Biblën nuk e konsiderojnë më atë si të mjaftueshme. Kjo është veçanërisht e dukshme në lidhje me këshillimin. Shumë kisha ungjillore janë bërë një burim kryesor referimi për psikiatrit laikë; barinjtë më shpesh se kurë janë duke ia përkushtuar delet e tyre për zgjidhjen e çështjeve të jetës mëditësve të tillë, që janë mohues të Perëndisë.

Kjo mund të jetë skema më dredharake e Satanit në mësymjen e tij kundër Fjalës dhe Trupit të Krishtit. Ky është një proces joshjeje (mashtrimi) dhe frikësimi. Këshillimi psikologjik është reklamuar si një përpjekje shkencore që do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve mendore, emocionale si edhe atyre të sjelljes me të cilat përballen të krishterët në jetën e përditshme. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta! Nuk është as shkencore, as e dobishme (shih «Psikologjia dhe kisha: Pyetje kritike, përgjigje vendimtare»). Veç kësaj, më shumë se 500 konceptet dhe metodat e saj të psikoterapisë janë në kundërshtim me të vërtetën biblike. Megjithëkëtë, besimtarët, sidomos pastorët, janë frikësuar nga miti se këshillimi është vetëm për profesionistët dhe se vetëm ata që kanë një trajnim akademik janë të kualifikuar për të trajtuar problemet mendore dhe emocionale të një personi. Kjo jo vetëm që është një refuzim i asaj që është praktikuar nga kisha për dy mijë vjet, por është edhe në konflikt me studimet aktuale që tregojnë se profesionistët nuk zotërojnë aftësi më të larta dhe të dukshme terapeutike në krahasim me joprofesionistët. Për më tepër studimet zbulojnë se edukimi, trajnimi dhe përvoja profesionale mbi shëndetin mendor nuk janë kushte të nevojshme për të qenë një ndihmues i efektshëm dhe i caktuar nga Perëndia.

Në themel, psikoterapia dhe mësimet e Biblës janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën. Psikologjia mëson se njeriu ka brenda vetvetes, pra, vetes së tij, gjithçka që i duhet për mirëqenien mendore dhe emocionale. Prandaj problemet e tij rrjedhin nga çështje jashtë vetvetes. Bibla shpall se njeriu ka një natyrë mëkatare që ai vetë nuk mund ta ndryshojë. Problemi është zemra e tij, pasi nga ajo del çdo e keqe (Marku 7:21-23). Kur bëhen përpjekje nga të krishterë për të kombinuar psikologjinë me mësimet e Shkrimit, kemi, me dashje ose pa dashje, shtimin e «një rruge që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes» (Fjalet e Urta 14:12) dhe një variant i dialogut «A ka thënë me të vërtetë Perëndia…?», që rezulton në korruptim të Fjalës së Perëndisë.

Ndikimi i psikologjisë është përhapur kudo në kishë sot si një murtajë. Apostulli Pal profetizoi se gënjeshtra rrënjësore e psikoterapisë do të mbizotërojë në ditët përpara kthimit të Zotit tonë: «Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë [ang. lovers of their own selves]» (2 Timoteut 3:1-2). Ky themel humanist i dashurisë për vetveten [egoizmin] është bërë një doktrinë e re brenda krishterimit biblik, që mësohet nga shumë prej katedrave më të njohura. Më shumë se kurrë predikimet citojnë psikologët dhe mësojnë konceptet jobiblike të psikologjisë për besueshmëri. Konferencat ungjillore kombëtare që nuk përfshijnë një psikolog të mirënjohur si një «ekspert» për problemet e jetës janë të pakta dhe të rralla.

Psikologët e ashtuquajtur të krishterë njihen shpesh më mirë dhe janë më të respektuar nga ungjillorët, sesa janë predikuesit dhe mësuesit. Në fakt, ungjillori më i spikatur dhe me ndikim më të madh në Amerikë nuk është një ungjilltar, as një predikues, as një mësues i Biblës – por një psikolog: Dr. Xhejms Dobson (James Dobson). Ai kryeson një listë «këshilltarësh» që integrojnë psikologjinë me Biblën dhe janë bërë emra të njohur midis të krishterëve, ku përfshihen Gary Smalley, John Trent, Henry Cloud, David Stoop, Larry Crabb, John Townsend, Les dhe Leslie Parrot, H. Norman Wright dhe vazhdon e vazhdon. Një nga organizatat kryesore që minon Shkrimin duke e përzier atë me psikoterapinë është «Shoqata amerikane e këshilltarëve të krishterë» (AACC), e themeluar nga ungjillorët. Kohët e fundit ajo prodhoi «Bibla për shpresë», një «Bibël e re e ribërë për këshilltarët», që paraqet 116 artikuj tematikë – shumica e tyre e kontribuar nga ata me një sfond psikologjik, nga psikiatërit te psikologët klinik dhe deri te këshilltarët e martesave dhe familjeve.

Edhe pse AACC-ja lëvdohet për «50.000 anëtarë dhe rritje gjithnjë e më të fortë çdo ditë!», ajo zbehet në krahasim me një entitet tjetër me ndikim të madh që po prodhon qindra mijëra të rinj, të cilëve u mësohen të integrojnë psikologjinë me Shkrimin: kolegjet dhe universitetet e krishtera. Zgjedhja e dytë më e përhapur për karrierë midis institucioneve ungjillore të studimeve të larta është pseudoshkenca e psikologjisë. Përmbysja e Shkrimit «A ka thënë me të vërtetë Perëndia…?» përhapet me tërbim sot, me «të vërteta» të pranuara nga Frojdi, Jungu, Maslou, Roxhersi dhe një mori ateistësh, humanistësh dhe anti-të krishterësh të tjerë.

Beteja për këtë brez të rinjsh po intensifikohet. Dejv Hanti trajton një sulm tjetër të vrullshëm, ateizmin e ri militant, në librin e tij që do të botohet së shpejti, «Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerëzor» dhe thekson një mësymje të veçantë që është pa precedent: «Sfida e blasfemisë»:

«Skuadra e përgjigjes racionale» po jep 1001 DVD të «Perëndia që nuk ishte atje», dokumentari i njohur që [gazeta] «Los Angeles Times» e quan «provokues – për ta quajtur butë». Ka vetëm një kleçkë: Ne duam shpirtin tënd. Është e thjeshtë. Ju regjistroni një mesazh të shkurtër duke e mallkuar veten për në ferr, e ngarkoni në «YouTube» dhe më pas «Skuadra e përgjigjes racionale» do t’iu dërgojë një DVD falas «Perëndia që nuk ishte atje». Është shumë e lehtë. (http://www.blasphemychallenge.com/)

Çfarë mund të bëjmë për të penguar të rinjtë tanë nga mashtrimi për shkak të përparimit të apostazisë? T’u mësojmë atyre Fjalën. T’i dishepullojmë. T’u mësojmë që të jenë të shëndoshë në doktrinë.

Kohët e fundit kalova një kohë me drejtues të të rinjve këtu në Angli. Shumë ndihen të tronditur për çfarë po ndodh, por nuk janë pa shpresë. Ata e shohin apostazinë si një vërshim që nuk mund të kthehet dot (me përjashtim të një akti sovran të Perëndisë), megjithatë janë optimistë që shumë veta mund të çlirohen. Ata kuptojnë se shumica e moshatarëve të tyre që pohojnë se janë të krishterë nuk janë të themeluar në besim, shumë janë të shushatur dhe të tërhequr nga bota dhe madje disa mendojnë se janë të krishterë për shkak të lidhjeve familjare. Megjithëkëtë, këta drejtues të përkushtuar janë shpresëdhënës se brezi më i vjetër – ata njerëz të pjekur në Zotin dhe që e duan Fjalën e Tij – do ta arrijnë brezin e ri, qoftë me studime të Biblës ose në situata individuale, si dishepullues, mentorë, mësues dhe inkurajues në Krishtin. Ata besojnë se Zoti do t’i ndihmojë që të arrijnë ata që Ai e di se do të jenë të gatshëm për të marrë kryqet e tyre dhe për ta ndjekur Atë. Lutja e tyre e vazhdueshme është për më shumë punëtorë të kalitur nga brezi më i vjetër që të ecin përkrah moshatarëve të tyre.

Bibla është libri më emocionues që ekziston, mirëpo për vite të tëra këtu në SHBA fëmijët tanë janë ushqyer me një dietë «më lejoni t’ju argëtoj», me vetëm një grimë ushqimi biblik. Kjo është pjesë e strategjisë «A ka thënë me të vërtetë Perëndia…?» Pasoja është një brez i ardhshëm që, për pjesën më të madhe të tij, është frymërisht anemik dhe gati për skemat e ndryshme të apostazisë. Duke qenë të privuar nga të vërtetat objektive të Shkrimit, ata janë një pre e lehtë për ata që i joshin përmes asaj që është subjektive dhe që bazohet mbi eksperiencën, pra, «ndjenjave» të tyre. Megjithëkëtë, urdhrat e marshimit tonë përfshijnë një operacion shpëtimi që e gjejmë në 2 Timoteut 2:24-25: «Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë [njerëzit], i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia u jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën».

Lutuni për të rinjtë tanë që ata të kenë një zemër për të vërtetën, por më pas kërko ata nga brezi i tyre ndaj të cilëve Zoti dëshiron që t’u shërbesh dashurinë dhe të vërtetën e Tij. THEB




Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. http://www.christianitytoday.com/ct/2004/november/12/36.html?start=4 ↵ Kthehu mbrapa
  2. Brian MacLaren, The Last Word After That (San Francisco: Jossey-Bass, 2005), 134. ↵ Kthehu mbrapa