Krishti dhe Krishtlindja

DHEB Dhjetor 2010
[no_toc]

THEB Dhjetor 1989 / Dhjetor 2010

Krishti dhe Krishtlindja

THEB Dhjetor 1989 / Dhjetor 2010

Krishtlindja festohet në përgjithësi sot si një nga shumë pjesët e mbetura nga katolicizmi i Romës që i mbijetoi Reformimit. Historiani Uill Durant (Will Durant) na kujton se katolicizmi i Romës u zhvillua nga shkrirja midis paganizmit dhe krishterimit që ndodhi nën sundimin e Konstandinit herët në vitet 300. Duke komentuar mbi “kristianizimin” e Perandorisë Romake që rezultoi, që Rindërtimtarët (ang. Reconstructionists) si drejtori nga Koalicioni mbi Rizgjimin (COR) Jay Grimstead e kujtojnë me dashuri si një model të asaj që ata shpresojnë të arrijnë, Duranti shkroi:

Paganizmi mbijetoi […] në formën e riteve dhe zakone të lashta të harruara […] nga një Kishë shpesh tolerante…. Statujat e Isisit dhe të Horusit u riemërtuan Maria dhe Jezus […] Saturnalia [Festival i Saturnit për të festuar solsticin dimëror] u zëvendësua nga festimi i Krishtlindjes…. [T]emjani, dritat, lulet, procesionet, veshjet ceremoniale […] që u kishin pëlqyer njerëzve në kultet e vjetra [pagane] u adoptuan dhe u pastruan në Ritualin e Kishës….

Pavarësisht nga origjina e saj pagane/katolike si edhe komercializmi i trashë, ne mund të gëzohemi që Krishtlindja sjell çdo vit një kujtim për lindjen e Shpëtimtarit. Megjithatë, fatkeqësisht, festimet e Krishtlindjes përsëritin në përgjithësi atë pështjellim rreth asaj se kush është me të vërtetë Jezus Krishti, përse erdhi dhe se çfarë bëri. Kjo nuk është për t’u çuditur, duke patur parasysh edhe moskuptimet madje edhe midis dishepujve të vetë Atij në ardhjen e parë – si edhe pështjellimin akoma më të madh për të cilin paralajmërohemi në Bibël se do të paraprijë ardhjen e dytë të Tij. Vërtet, e tërë bota – duke përfshirë miliona “të krishterë” – do të ndjekin dhe do të adhurojnë Antikrishtin, të bindur që ai është Krishti i vërtetë.

Festimet e Krishtlindjes na kujtojnë se po ato keqkuptime që i penguan aq shumë veta për ta njohur Krishtin kur Ai erdhi në tokë, do të mbizotërojnë kur Ai të kthehet. Shkaqet e konfuzionit para 1900 vjetëve mbeten çështjet kyç sot: Cili është misioni i vërtetë i Mesias – dhe natyra e mbretërisë së Tij? Kur, si dhe përmes kujt do të vendoset Mbretëria – dhe cila është marrëdhënia e saj me Izraelin dhe kishën? Shumë “të krishterë” sot janë të verbër në po atë mënyrë si ata “dishepuj” të hershëm të cilët u larguan nga Krishti, sepse Ai nuk i plotësoi pritjet e tyre të gabuara mesianike.

Madje edhe Gjon Pagëzori u zhgënjye aq sa e pyeti Krishtin: “A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?’’ (Mt. 11:3). Dyshime të tilla duken të pamundura për atë që Perëndia kishte dërguar për “të përgatitur rrugën e Zotit”! Tashmë i mbushur me Frymën e Shenjtë si një embrion gjashtë muajsh, Gjoni kishte kërcyer në barkun e nënës së tij Elizabeta pasi dëgjoi zërin e virgjëreshës Maria, e cila sapo kishte mësuar që do të lindte Birin e Perëndisë. I thirrur dhe i frymëzuar nga Perëndia për të qenë “pararendësi i Mesias”, Gjoni dëshmoi: “Ai që më dërgoi të pagëzoj […] më tha: ‘Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai…’. Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë” (Gjoni 1:33-34). Duke qenë i bindur nga ai zbulim i mbinatyrshëm, Gjoni dëshmoi me guxim: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29). Por erdhi dita kur, duke qenë i dëshpëruar, ai dërgoi dy dishepuj që ta pyesnin Krishtin nëse Ai ishte me të vërtetë Mesia, apo jo!

Edhe përse iu dha zbulim i mbinatyrshëm për identitetin e Tij [Krishtit], Gjoni e keqkuptoi plotësisht misionin e Krishtit. A nuk kishin dhënë profetët që Mesia do të vendoste mbretërinë e Tij dhe do të mbretëronte në Jerusalem? Atëherë përse ai, lajmëtari i Mesias, ishte në burg? Gjoni nuk kuptoi që Krishti kishte ardhur të vdiste për mëkatet tona, që si judenjtë ashtu edhe kombet, të bashkuar në një kishë, të mund të shkonin në qiell? Ai nuk e kuptoi edhe që duhet të kishte një Ardhje të Dytë.

Po kështu ndodhi me dishepujt në Kopshtin e Gjetsemanisë. Me habi, ata panë Atë për të cilin kishin menduar se kishte çdo fuqi, si, në dukje të pafuqi. Ai u arrestua, u lidh dhe u mor. Me siguri Jezusi nga Nazareti nuk mund të ishte Mesia në fund të fundit! Me ëndrra të shpartalluara, ata ia mbathën për kokën e tyre. Po kështu me dy dishepujt gjatë rrugës për në Emaus: “Ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin […] [por ata] e kanë kryqëzuar!” (Lu. 24:19-24). Vdekja e Tij, që ne e kuptojmë sot se është vetë thelbi i ungjillit dhe pa të cilin ne nuk kemi jetë, i bindi bashkëkohësit e Krishtit që Ai nuk mund të ishte Mesia, Shpëtimtari i botës.

Në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të!” (Mt. 27:40-44) ishte tallja thumbuese e turmës gjakatare dhe e krerëve fetarë që vështronin ngultas në këmbët e kryqit të Tij. “Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe ne!” përsëriti një nga hajdutët i varur pranë tij. Cilët erdhi të shpëtojë, nga çfarë, për çfarë dhe si, është e qartë që nuk u kuptua në atë kohë nga askush – madje edhe nga dishepujt e Tij më të ngushtë.

Kur Krishti u përpoq të shpjegonte që Ai duhet të vdiste për mëkatet e botës, Pjetri e qortoi Atë që ishte kaq “negativ”. Por Pjetri, vetëm disa çaste më parë, kishte shpallur përmes një zbulimi nga Ati që Jezusi ishte Krishti (Mt. 16:16-17). Është e qartë, pra, që ai nuk e kuptoi misionin e Mesias, edhe pse ai e dinte se kush ishte Ai. “Shporru prej meje, o Satan!” (Mt. 16:22-23), ia ktheu Krishti me të shpejtë Pjetrit, duke treguar rëndësinë që Ai vuri mbi korrigjimin e një keqkuptimi aq të rëndë të misionit të Tij.

Po kështu ndodhi me ata në Jerusalem (Gjoni 2:23-25), të cilët “besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte”. Ata besuan që Ai ishte Mesia, por kishin një pikëpamje të gabuar se çfarë do të thoshte kjo. “Jezusi nuk u zinte besë atyre”, sepse Ai e dinte se çfarë kishte në zemrat e tyre dhe që ata nuk do ta besonin të vërtetën. Ne shohim të njëjtin gabim tek ata në Gjoni 6, të cilët, për shkak se Krishti i kishte shëruar dhe ushqyer, donin ta “kapnin [me forcë] për ta bërë mbret[in] [e tyre]” (Gjoni 6:15). Kishte shumë nga ata që e quanin veten “dishepuj” të Tij (sot ata do të quheshin “të krishterë”) që kishin një pikëpamje të gabuar për Mesian dhe që kur Ai u përpoq t’u shpjegonte atyre të vërtetën, nuk e dëgjuan atë, por “u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të” (Gjoni 6:66).

Ne mësojmë nga Krishti se si të merremi me turmat që duan ta ndjekin Atë për arsyet e gabuara. Ne duhet të bëjmë sot atë që bëri Ai atëherë. Shumë dolën “përpara” për t’i thënë Jezusit që besonin në Të dhe që do ta ndiqnin besnikërisht. Në kundërshtim me metodat e sotme, Krishti nuk u kërkoi dishepujve të Tij që t’i regjistronin shpejt njerëz të tillë si “anëtarë të kishës” para se të ndryshonin mendjen dhe t’i përfshinin ata në korin apo në një komitet me qëllimin për t’i mbajtur ata aktivë në kishë. “Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën” (Mt. 8:20), u tha Jezusi atyre që donin me të madhe të besonin në Të. “A je i sigurt që dëshiron me të vërtetë të më ndjekësh?” Çfarë “negativizmi”!

Pra, do të më ndjekësh Mua?”, do t’u thoshte Krishti. “Atëherë më lejoni t’ju them se ku po shkojmë. Unë i jam drejtuar një kodre jashtë Jerusalemit, që quhet Kalvar, ku ata do të më gozhdojnë në një kryq. Kështu që nëse do të jesh besnik me Mua deri në fund, mblidhe mendjen, merre kryqin tënd tani dhe ndiqmë, pasi atje po shkojmë!”

Sot ne jemi tepër të stërholluar që ta paraqesim ungjillin me terma të tillë negativë. Ne kemi studiuar motivimin e suksesit, psikologjinë dhe kurset e Dejl Karnëgisë (Dale Carnegie) se “Si të fitosh miq dhe të ndikosh njerëz” dhe i konsiderojmë këto teknika të tilla të reja si ideale për “të fituar njerëz për Krishtin”. Dhe kështu ne i mbushim kishat me turma që imagjinojnë se misioni i Krishtit është që t’i bëjë ata të ndihen mirë për vetveten duke e shtuar vetëvlerësimin e tyre, duke iu përgjigjur lutjeve të tyre egoiste dhe duke plotësuar agjendat e tyre të përqendruara te vetja.

Rindërtuesit/Dominionistët (ang. The Reconstructionists/Kingdom/Dominionists) janë akoma më të pështjelluar se Gjon Pagëzori, edhe pse gabimi i tyre është i ngjashëm. Ata refuzojnë të ecin në refuzimin e Krishtit, duke mbartur përçmimin që sjell kryqi i Tij, pasi kjo do të konsiderohej “disfatizëm”. Ata imagjinojnë që ne tashmë jemi në mbretërinë e Mijëvjeçarit dhe supozohet që të veprojmë si “çunat e Mbretit”. Ata mendojnë se është përgjegjësia tonë ta ngremë këtë Mbretëri përmes marrjes së “sundimit” (ang. Dominion) të medias, të institucioneve arsimore dhe të udhëheqjes politike. Promovuesit e “shenjave dhe mrekullive” imagjinojnë se janë në procesin e marrjes së sundimit mbi çdo sëmundje dhe madje mbi vetë vdekjen, pa ringjalljen dhe kthimin e Krishtit.

Është gjithçka shumë pozitive dhe ekumenike. Lobistët e krishterë janë të gatshëm të punojnë me munistë dhe mormonë (ithtarë sektesh) dhe me gjithë të tjerët që janë pro kthimit të vlerave tradicionale në Amerikë. Dhe në kohën e Krishtlindjes, përsëri, përpjekjet për të qenë në gjendje të shfaqin publikisht një kryq ose një pamje të lindjes së Jezusit bëhen një pikë bashkimi – një emërtues i përbashkët shumë i ulët vërtet për një marrëveshje ekumenike. Në mbrojtje të një marrëzie të tillë, udhëheqës të krishterë e mbrojnë guximshëm korrektësinë e të punuarit me të gjitha ata “që e quajnë Jezusin ‘Zot’”. Siç duket të harruara janë fjalët e Krishtit: “Shumë do të më thonë […] ‘O Zot, o Zot, a nuk […] kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’ Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: ‘Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë…’” (Mt. 7:22-23). Ka turma të tëra, si mormonët dhe katolikët (për të mos thënë asgjë për shumë baptistë, luterianë, metodistë etj.), që e quajnë Jezusin “Zot”, por që nuk janë të shpëtuar.

Në 17 tetor [1989], Paul dhe Jan Crouch mikpritën tre katolikë në programin e tyre “Lavdëroni Zotin”: dy priftërinj dhe një grua udhëheqëse. Paul [Crouch] shfaqi si zakonisht atë naivitetin dhe injorancën e tij të pabesueshme të teologjisë, duke e lëmuar çdo dallim midis protestantëve dhe katolikëve si “thjesht çështje të semantikës”. Në përqafimin e tij të paduruar të transubstancionit, një herezi aq e madhe që shumë vetë dhanë jetën deri në furrën e druve, në vend që ta pranonin, ai shpalli: “Mirë, pra, ne [protestantët] besojmë të njëjtën gjë. Pra, e shikoni se një nga këto gjëra që na ka ndarë të gjithëve ne gjatë këtyre viteve [transubstancioni], nuk duhet të na kishte ndarë deri këtu, pasi jemi duke nënkuptuar të njëjtën gjë, por thjesht jemi duke e shprehur pak ndryshe…. Unë po e zhduk fjalën ‘protestant’ madje edhe nga fjalori im…. Nuk po protestoj më për asnjë gjë […] ka ardhur […] koha që katolikët dhe jo-katolikët të bashkohen si një në Frymën dhe një në Zotin”. Por katolikët kanë një ungjill tjetër të shpëtimit me anë të veprave dhe ritualeve përmes ndërmjetësimit të nevojshëm të Kishës [katolike].

Krishtlindja, me theksin e saj mbi “foshnjën Jezus” ka prirjen të përsërit një herezi tjetër serioze të katolicizmit: mitin shkatërrues të përuljes [servilizmit] së Krishtit ndaj nënës së Tij, që katolicizmi i Romës e ka promovuar qëllimisht gjatë shekujve. Sigurisht që Maria duhet të quhet “e bekuar” si nëna e Zotit tonë – por ajo nuk është “Bashkë-Ndërmjetësuese” dhe “Bashkë-Shpenguese”, siç mësohet nga katolicizmi. Në katedralet katolike nëpër botë, për shembull, do të vini re menjëherë që pikturat, statujat dhe xhamat e lyer i japin Marias rolin zotërues. Madje në disa raste ajo shfaqet në kryq si Shpenguesi ynë. Jezusi është ose një bebe e paaftë në kraharorin e nënës së Tij, një fëmijë i vogël midis gjunjëve të saj, ose një viktimë e pajetë e Kryqit në krahët e saj. Asnjëherë nuk tregohet ajo e nënshtruar ndaj Atij dhe rrallë, në mos kurrë, tregohet Ai në triumfin e ringjalljes së Tij. Ajo është “Mbretëresha e Qiellit”, ndërsa Jezusi mbetet një fëmijë që i nënshtrohet drejtimit të saj.

Tipike për këtë është dritarja e bukur me xham të lyer e shekullit të trembëdhjetë që pamë kohët e fundit në një kishë në Francë. Në majë gjenden fjalët Le Pergatoire, që tregojnë se kemi të bëjmë me një përshkrim të “purgatorit”. Maria dhe Jezusi tregohen në një re (d.m.th., në qiell), me shpirtrat e munduar në flakët e purgatorit poshtë tyre, me krahë të shtrira lart në përgjërim. A janë duke i thirrur Krishtit për ndihmë? Jo, ata janë duke iu drejtuar Marias. Ajo mban kurorën mbretërore.

Dhe Jezusi, Zoti i Lavdisë, që triumfoi mbi Satanin në Kryq dhe që tani rri ulur në të djathtën e Atit – si është përshkruar Ai? Si një fëmijë rreth shtatë vjeç, duke qëndruar midis gjunjëve të “Mbretëreshës së Qiellit”! Nuk është për t’u çuditur që shpirtrat në “purgator” nuk i drejtohen Atij për ndihmë. Në pjesën e poshtme të këtij vizatimi të bukur në xham të lyer të kësaj neverie janë fjalët: Mère Marie, sauvez nous! (“Nënë Maria, na shpëto!”)

Një herezi e tillë nuk e ka origjinën në imagjinatat e artistëve, por në traditën dhe dogmën jo vetëm të toleruar, por të promovuar nga kisha katolike e Romës. Frika e purgatorit është shumë reale për një katolik dhe “Maria” ka siguruar një shmangie për ata që i janë besnik asaj. Ajo gjoja iu shfaq Shën Simon Stokut në 16 korrik, 1251 dhe i dha atij atë që njihet si “Premtimi i Madh”: “Cilido që vdes duke mbajtur këtë Shpatullor [dy copa pëlhure kafe që kanë në njërën premtimin e Marias, figurën e saj me “Foshnjën Jezus” në tjetrën, ku njëra mbahet përpara, një mbrapa, të lidhura mbi shpatull nga dy fije], nuk do të vuajë zjarr të përjetshëm”. Ashtu si të brendshmet magjike të mormonëve, shpatullori i katolikëve supozohet të bëjë atë që vdekja, varrosja dhe ringjallja e Krishtit nuk mund ta bëjnë. Më 1322, Papa Gjoni XXII mori një premtim tjetër nga Maria që njihet si “Privilegji Sabatin”: “Unë, Nëna e Hirit, do të zbres të shtunën mbas vdekjes së tyre dhe këdo që do e gjej në Purgator [që ka vënë këtë shpatullor], unë do ta çliroj”. Lutja e famshme e Shën Simon Stokut mbaron kështu: “O Zemër e Ëmbël e Marias, ji shpëtimi ynë!”

Krishtlindja ofron një mundësi të rrallë për të ndarë ungjillin e vërtetë të Jezus Krishtit dhe për të vënë në dukje dhe korrigjuar imazhin ekumenik dhe të pështjelluar që paraqitet çdo vit në botë. Miliona njerëz janë mashtruar për të menduar se janë të krishterë ngaqë kanë ndjenja sentimentale për “foshnjën Jezus”. Le të kujtojmë atë që Krishti u tha atyre që besuan në Të: “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë” (Gjoni 8:31-32). Është për këtë të vërtetë që jemi thirrur ta shpallim me qartësi dhe fuqi.

[THEB: Ky mesazh prej [mbi] njëzet vjetësh (shkruar më 1989) nga Dave nuk e ka humbur aspak rëndësinë dhe lidhjen për kishën sot. Vazhdon të ketë shumë pështjellim për misionin e Jezusit dhe mbretërinë e Perëndisë. Shumë lëvizje të ndryshme, që pohojnë se janë të krishtera dhe biblike, po mblidhen bashkë në përpjekjet për të ndihmuar vendosjen e mbretërisë fizike të Krishtit në tokë, para kthimit të Tij. Që nga koha që Dave shkroi në fillim këtë artikull, ithtarët e “mbretëria këtu dhe tani” duket se po rriten shumë në ndikimin e tyre, siç e kemi treguar në serinë tonë “Mashtrimi i së Përkohshmes”.

Edhe pse Dave është larguar nga shërbesa [për shkak të moshës], për pjesën më të madhe [tani me Zotin], ne jemi mirënjohës që kemi mundësinë të gërmojmë thesarin që ai ka shkruar gjatë viteve dhe t’ia paraqesim materialin e tij lexuesve tanë në mënyrë të vazhdueshme. Zoti i ka dhënë atij në hirin e Tij një mprehtësi të madhe si një rojtar për sa i përket tendencave dhe çështjeve që vazhdojnë të ndikojnë keqas kishën sot dhe në ditët që po vijnë]. THEB