Mashtrimi: Një kapsollë për përndjekje?

[no_toc]

THEB Korrik 2011

Mashtrimi: Një kapsollë për përndjekje?

Për tri dekadat e fundit, Dejv Hanti dhe unë kemi trajtuar shumë drejtime dhe mësime që kanë ndikuar kishën ungjillore, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Shqetësimi ynë kanë qenë i përqendruar kryesisht mbi besimet dhe praktikat jobiblike që kanë qenë duke i larguar të krishterët nga Fjala e Perëndisë. Njëzet e pesë vjet më parë ne shkruam “Mashtrimi i krishterimit” (ang. The Seduction of Christianity), një libër mjaft polemik që u motivua nga reagimet e atyre që kishin lexuar librat e mëparshëm të Dejvit dhe që kishin parë filmat dokumentarë ku unë kisha kontribuar në pjesën e hershme të viteve tetëdhjetë. Disa trajtonin në mënyrë specifike kultet fetare (Shpërthimi i Kulteve, Bërësit e Perëndisë etj.). Megjithatë, reagimet nga të krishterë që i lexuan ato libra dhe që panë dokumentarët na zgjuan para faktit që besimet e sekteve që identifikuam ishin edhe duke u mësuar nëpër kishat e tyre, të cilat ishin duke u ndikuar nga mësues kryesues karizmatikë dhe të lëvizjes “Fjala e Besimit”. Po ata mësues të rremë ishin duke përhapur doktrina të demonëve kudo në vend përmes rrjeteve televizive të krishtera.

Një nga mësimet e rreme kryesore në atë kohë ishte besimi që hyjnia mund të arrihej nga qeniet e krijuara. Edhe pse kjo [dogmë] është themelore për mormonizmin (“Siç njeriu është, Perëndia ishte dikur; siç Perëndia është, njeriu mund të bëhet”) dhe për hinduizmin (vetë-ndërgjegjësimi është ndërgjegjësimi që njeriu është Perëndi), ajo kishte gjetur rrugën në forma dhe metoda të ndryshme brenda lëvizjeve, mësimeve dhe praktikave të ndryshme “të krishtera”. Një pjesë e madhe e kësaj u promovua nga karizmatikë ekstremë, por ishte duke gjetur terren edhe brenda kishave ungjillore konservatore përmes së ashtuquajturës psikologji e krishterë (me theksin e saj mbi veten dhe vetëvlerësimin, që çonte në lartësimin dhe hyjnizimin e vetes). Sigurisht, gënjeshtra që njeriu mund të bëhet një perëndi ishte guri i themelit të mashtrimit të Satanit për racën njerëzore (Zanafilla 3:1-5).

Në luftën e tij kundër atyre që ia kanë përkushtuar jetët e tyre Perëndisë së gjallë dhe të vërtetë, Satani, duke qenë armiku kryesor i Perëndisë gjatë historisë, është i specializuar në mashtrime dhe përndjekje. Edhe pse përndjekja do të dukej më e efektshme në ndalimin e krishterimit sesa mashtrimi (dhe sigurisht që sjell më shumë frikë), është më pak e frytshme për Kundërshtarin për të arritur objektivin e tij. Thënia që “gjaku i martirëve është fara e kishës” është vërtetuar gjatë historisë së kishës. Martirizimi dhe forma të tjera të përndjekjes kanë qenë gjithnjë duke e rritur dhe/ose forcuar trupin e Krishtit. Por, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mashtrimin.

Besimtarët në Shtetet e Bashkuara nuk kanë përjetuar kurrë përndjekje fetare në kuptimin domethënës – me siguri aspak sikurse ka ndodhur në Kinë, Indi apo në ato vende të kontrolluara nga islami. Historikisht, të krishterët e vërtetë në Perëndim deri në Evropë kanë pësuar dhunë nga Çezarët e Romës, nga Kisha e Romës [katolicizmi] dhe nga komunizmi, midis të tjerave, por një nivel i krahasueshëm i përndjekjes nuk ka arritur ende në brigjet [amerikane]. Nga ana tjetër, këtu është shumuar mashtrimi frymëror dhe ka përmbytur besimin e shumë vetave brenda botës së krishterë.

Ndryshe nga përndjekja, nuk ka as edhe një vlerë të largët që lidhet me mashtrimin; ai është frymërisht dobësues dhe vdekjeprurës. Ka histori të bollshme të atyre besimtarëve të cilët kanë mbijetuar dhe të cilët janë forcuar në besimin e tyre gjatë përndjekjes që kanë pësuar në vendet komuniste, vetëm për t’u shkretuar në ecjen e tyre me Zotin pasi kanë arritur të arratisen në Perëndim. Ata mundën ta duronin përndjekjen, por nuk mundën t’i rezistonin mashtrimit.

Teza e këtij artikulli, që është se mashtrimi do të shkaktojë përfundimisht përndjekje, është e frikshme për mua personalisht. Përse? Pjesërisht ngaqë Dejvi dhe unë e kemi trajtuar rrallë mundësinë për përndjekje në SHBA dhe pjesërisht ngaqë tani veçse po fillon të nxjerrë kokën e saj të keqe këtu. Atëherë përse të shkruajmë për këtë tani? Nga vëzhgimet e mia, ka shenja në rritje që na çojnë drejt një përplasjeje të pritshme midis të krishterëve pohues – dhe madje të krishterëve të vërtetë – të cilët do të përshtaten me botën duke komprometuar mësimet biblike dhe të atyre që do të qëndrojnë të patundur në besim. Megjithëkëtë, unë u jap pak vlerë vëzhgimeve të mia nëse nuk jam i sigurt që ato pasqyrojnë atë që mëson Shkrimi i Shenjtë. Po kështu duhet të veprojë edhe cilido që e lexon këtë artikull.

Në vijim jepen shtatë vargje përkatëse (midis të tjerave që mund të jepen) që kanë ndikuar vëzhgimet e mia dhe këtë tezë:

Në Mateu 7:13-14, Jezusi i referohet “derës së ngushtë” dhe “rrugës së shtrënguar” që çon në jetë dhe shpall që “pak janë ata që e gjejnë atë”. Luka shkruar (18:8) fjalët e kthjellëta të Zotit tonë në lidhje me kohën e kthimit të Tij: “Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?” Duke qenë se Ardhja e Tij e Dytë është për qëllimin e gjykimit dhe për të shpëtuar Izraelin nga asgjësimi, fjalët e Tij duket se i përshtaten më mirë ardhjes së Tij për nusen e Tij në mes të një krishterimi deklarues që i është bashkuar apostazisë. Apostulli Pal jep këtë shpjegim të mprehtë se si mund të manifestohet apostazia midis atyre që e quajnë veten të krishterë: “Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i kthejnë drejt përrallave” (2 Timoteut 4:3-4).

Doktrina e shëndoshë nuk do të durohet në ditët e fundit, pasi shumë të cilët filluan me qumështin e së vërtetës biblike, tashmë janë larguar, d.m.th., mashtruar, nga ëndjet [lakmitë] e tyre dhe nga mësues të rremë. Përveç kësaj, doktrina e shëndoshë do të bëhet një çështje që do të ngjallë ndarje midis të krishterëve. Pali i udhëzoi besimtarët në Romë për t’i identifikuar ata që mësojnë gjëra “kundër doktrinës që keni mësuar; dhe të largoheni nga ata” (Romakëve 16:17). Është e qartë se ata besimtarë që dëshirojnë të qëndrojnë të patundur për mësimet e Fjalës së Perëndisë do të jenë në mosmarrëveshje me ata të krishterë, besimet dhe jetët e të cilëve nuk i përshtaten Shkrimeve.

A mund të rezultojë në përndjekje ndarja rreth doktrinës? Historia dhe Fjala e Perëndisë që të dyja tregojnë se po. Në Librin e Veprave na tregohet që “u bë një përndjekje e madhe kundër kishës në Jerusalem” (Veprat 8:1). Ajo përfshiu sulme të dhunshme, burgosje e vdekje dhe shkaqet ishin doktrinore – duke vënë përballë ata që mbronin me egërsi traditat fetare të njerëzve përballë atyre që ndiqnin mësimet e Jezusit, Mesias. Përndjekja vazhdoi ndërsa të krishterë të cilët qëndruan të fortë në doktrinën e Krishtit refuzuan të përkuleshin para Çezarëve të hyjnizuar apo që t’u përshtateshin ritualeve pagane të Romës. Ata u shndërruan në një zbavitje të mbrapshtë për ata që mbushnin amfiteatrot për t’i parë ata të djegur dhe të shqyer nga kafshët. Më vonë, një Romë “e kristianizuar” i përndoqi ata të cilët u përpoqën të reformonin katolicizmin e Romës. Prej andej, gjyqet dhe inkuizicionet doktrinore dhe gjyqet me tortura u shumuan kundër “protestantëve” dhe ndaj jo-katolikëve të tjerë biblikë. Sot, përndjekja vazhdon kundër besimtarëve në vendet islamike dhe në ato vende në Perëndim ku katolicizmi i Romës vazhdon të kontrollojë shoqërinë, siç janë qytetet, fshatrat dhe madje disa shtete në Meksikë dhe në Amerikën e Jugut.

Edhe pse asnjë prej atyre të përmendura më lart nuk është manifestuar në thelb në Shtetet e Bashkuara, a mund të ndodhë një përndjekje e tillë fetare këtu? Katolicizmi i Romës nuk ka qenë kurrë në një pozitë për të diktuar dogmat e tij mbi popullatën amerikane; islami tani sapo ka filluar të kontrollojë disa lagje këtu me legalizmin e tij të sheriatit (“Arma sekrete e terrorit” Sheriati”, Townhall, 20-04-2011). Po mundësia e një skenari e të krishterëve biblikë të cilët përndiqen nga të krishterë të tjerë që nuk “do ta durojnë doktrinën e shëndoshë”? A është kjo e mundshme? Disa që e shqyrtuan paraprakisht këtë artikull ishin dyshues që “të krishterët të vrasin të krishterët rreth doktrinës” të mund të ndodhë ndonjëherë këtu, një vend që zbaton ligjin, ku, për pjesën më të madhe, “plogështia doktrinore” sundon midis ungjillorëve. Unë prirem të pajtohem me këtë, megjithatë nëse dikush do të më kishe thënë 25 vjet më parë që ungjillorët do të zhvendoseshin nga E Djathta e Krishterë (që në atë kohë kishte ndikimin më të madh mbi vlerat morale) drejt Të Majtës së Krishterë e drejtuar nga socializmi – unë do të kisha qeshur. Tani asnjë nuk është duke qeshur me këtë realitet (P&P 1/11). Vetëm Zoti e di se sa ekstreme do të bëhet shtypja para kthimit të Tij për nusen e Tij, por ka shumë forma të përndjekjes, përveç martirizimit.

Në artikujt e mëparshëm të THEB-it, ne kemi trajtuar tendenca domethënëse midis ungjillorëve që i kanë “larguar ata nga Fjala”, duke i joshur ata për të ndjekur rrugët, mënyrat dhe programet e njeriut në kundërshtim me Shkrimet (Shih THEB 3/04; 2/05; 3/05; 2/07; 3/07; 9/07 etj.). Në mes të këtij procesi të kompromisit, një numër gjithnjë e në rritje të krishterësh deklarues dhe të vërtetë kanë pranuar idealet e botës, duke përfshirë tolerancën morale, sociale dhe fetare. “Intoleranca” në mendime, fjalë apo vepra mbi atë që bota beson se është e mirë për njerëzimin, e konsideron një person si antishoqëror në rastin më të vogël dhe si fanatik, paragjykues apo një praktikues të krimeve për urrejtje në rastin më të keq. Përveç kësaj, po sikur një ungjill social që bazohet mbi “vepra të mira” të bëhet gjerësisht i pranuar si një formë me e mirë për “shpëtimin” — një formë që ka potencialin t’i mbledhë të gjithë së bashku, duke përfshirë qeveritë, fetë e botës dhe matje ateistët? Të gjithë, domethënë, përveç të krishterëve biblikë. Cilat mund të jenë pasojat për ata që do ta kundërshtojnë një zhvillim të tillë “të krishterë” të mbështetur nga bota, duke qenë se nuk përshtatet me doktrinën e shëndoshë?

I krishteri i vërtetë duhet të veprojë në përputhje me doktrinën e shëndoshë, pra, me mësimet e Biblës, ndërsa e jeton jetën për Krishtin. Doktrina e shëndoshë është kriteri absolut që dikton se cilat besime, praktika dhe programe mund të pranohen prej tij dhe se çfarë duhet të refuzojë. Veç kësaj, Shkrimi e nxit atë që të jetë dallues dhe i patundur në mësimet e tij: “Prandaj merrni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e ligë dhe të qëndroni në këmbë pasi të keni kryer çdo gjë. Qëndroni, pra, të fortë, duke ngjeshur mesin tuaj me të vërtetën, të veshur me parzmoren e drejtësisë…. Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë” (Efesianëve 6:13-14, 17).

Por a do ta lejojë Perëndia përndjekjen që të ndodhë brenda kishës? Kjo është çfarë Pjetri duket se pranon: “Sepse erdhi koha që të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; dhe nëse fillon më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre, që nuk i binden ungjillit të Perëndisë?” (1 Pjetrit 4:17). Gjyqi, në kuptimin e ndreqjes dhe forcimit që rezulton nga lejimi i përndjekjes nga Perëndia, siç e pamë, ka qenë gjithnjë pjesë e krishterimit. Edhe Letra drejtuar Hebrenjve tregon që përndjekja është një nga gjërat që Perëndia e ka përdorur si një krasitje frymërore dhe një proces pastrues për të krishterët hebrenj.

Nëse ju nuk jeni të sigurt se si (ose përse) përndjekja mund të ndodhë brenda krishterimit, konsideroni këta shembuj: Kur lëvizja “Mbajtësit e Premtimit” (ang. Promise Keepers) gëzoi popullaritet midis meshkujve ungjillorë, u bë e njohur se një nga qëllimet e saj ishte të “shembte muret” midis katolikëve dhe ungjillorëve. Ai proces përfshiu kundërshtimin e shërbesave që ungjillëzonin katolikët. Kur “40 Ditët e Qëllimit” të Rik Uorenit filluan të ndikojnë qindra mijëra kisha kudo në SHBA, ata anëtarë afatgjatë të cilët protestuan mbi bazat doktrinore u hoqën nga përbashkësia, ose u kërcënuan me heqje nga përbashkësia, nëse nuk ia nënshtronin kishave të tyre programin e Uorenit (shih THEB 10/04 dhe 9/08). Të dyshosh mbështetjen e një pastori apo plaku kishe për futjen e jogës apo “jogës së kristianizuar” në një kishë ka qenë shkak për heqje nga përbashkësia.

Edhe pse shembujt e mësipërm mund të duken të paktë për disa, ato dhe përpjekje të tjera, duke përfshirë programet e marketingut për rritjen e kishës, praktikat mistike dhe metodat e kishës emergjente, fillimet e dialogut ekumenik me myslimanët dhe mormonët, një plan ekumenik global P.E.A.C.E. që përfshin të gjitha fetë e botës, lëvizje që synojnë të zgjidhin problemet ekologjike, varfërinë si dhe padrejtësinë shoqërore në botë etj., kanë bërë që turma besimtarësh të fillojnë kisha në shtëpi.

Po sikur ju të predikonit kundër programeve të ndryshme të përmendura më lart, ngaqë ato përbëjnë refuzim të doktrinës së shëndoshë? E mbani mend këshillën e Apostullit Pal? “Unë po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht […] prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, bind dhe qorto, këshillo me çdo zemërgjerësi e mësim. Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë…” (2 Timoteut 4:1-4). Cili do të jetë reagimi midis atyre brenda dhe jashtë kishës që i mbështetin ato programe?

Ose po sikur edhe madje pa predikimin apo protestimin tuaj thjesht bëhet e njohur që ju jeni një nga ata të krishterë biblikë që nuk është tolerant ndaj feve të tjera, që e refuzon evolucionin, që nuk pajtohet me psikologjinë, që është kundër abortit, kundër manipulimeve gjenetike dhe kundër vdekjes së vullnetshme (ang. anti-euthanasia); që ju e konsideroni homoseksualizmin si një mëkat dhe jo si një mënyrë tjetër jetese dhe që ju jeni kundër të drejtave të homoseksualëve dhe kundër martesave të homoseksualëve? Veç kësaj, ju duket se jeni i prapambetur me moralin e pranueshëm të kohës (martesa duke qenë tani sipas statistikave një pakicë si një praktikë në SHBA) duke e shikuar si një “problem” bashkëjetesën dhe thuhet se ju besoni që seksi paramartesor është i ndaluar. Ju jeni dyshues mbi alarmin rreth “ngrohjes globale”. Është bërë e njohur që ju e mbështetni Izraelin kundër të drejtës së supozuar të palestinezëve për t’u kthyer në vendin që ata besojnë se u përket atyre. Si do të trajtohet një njeri i tillë në botën e krishterë – si edhe nga bota që mbështet çdo gjë që kundërshtohet nga një besimtar? Retë e errëta të përndjekjes duket se po mblidhen mbi kishën në SHBA; shenjat tregojnë që vendet e “amfiteatrit” po fillojnë të mbushen me një auditor të shumëllojshëm (shih THEB 1/11) që, të paktën në një kuptim të figurshëm, ka “një shije për gjakun” e atyre që i refuzojnë programet dhe mësimet e tyre mbi bazën e doktrinës së krishterë biblike.

Mashtrimi i krishterimit ka krijuar një gjendje ku qëndrueshmëria në besim dhe dallimi biblik janë përjashtimi dhe jo rregulli. Qëndrimi për të vërtetën dhe drejtësinë e Fjalës së Perëndisë ndërsa shtohet kundërshtimi brenda dhe jashtë kishës mund të rezultojë vetëm në ndonjë formë të përndjekjes. Pali e bën këtë mjaft të qartë: “Por edhe të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus, do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Edhe pse ky varg mund t’i shqetësojë disa besimtarë, nuk ka pse të ndodhë kështu? Përse? Pasi fillimi i vargut i jep besimtarit çelësin për marrjen e hirit për të lavdëruar Perëndinë dhe për t’u sjellë dobi të tjerëve përmes përndjekjes: të jetosh me perëndishmëri në Krishtin Jezus! Kjo është përgatitja e vetme e besimtarit dhe është më shumë se e mjaftueshme. Jezusi, i cili është Fjala që u bë mish, u dha dishepujve të Tij këtë fjalë mahnitëse inkurajimi mbi të qëndruarit në mësimet e Tij: “Lum ju, kur njerëzit do t’ju urrejnë dhe do t’ju veçojnë dhe do t’ju fyejnë dhe do ta shpallin emrin tuaj si të keq, për shkak të Birit të njeriut. Gëzohuni atë ditë dhe kërceni, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell…” (Luka 6:22-23). Lutja tonë është që Zoti Jezus të na ndihmojë për të jetuar me perëndishmëri dhe që me hirin e Tij të qëndrojmë të patundur në besimin, ndërsa presim ardhjen e Tij të shpejtë. THEB