THEB Mars 2012
Një brez në mëshirë të fatit
Ky është një vëzhgim, një vlerësim si edhe disa rekomandime të konsideruara në lutje për brezin e ardhshëm të ungjillorëve. Përpara tyre gjenden dete të trazuar, shumë më të rrezikshëm se ata të përjetuar nga prindërit e tyre. Ata po shkojnë drejt një stuhie të plotë të apostazisë për të cilën pak prej tyre duket se janë të përgatitur. Shumica e asaj me të cilën do të përballen si dhe fakti që janë të pastërvitur për të përballuar me sukses atë që shtrihet përpara është të paktën pjesërisht faji i brezit paraardhës – brezit tim. Kjo nuk do të thotë që çdo brez nuk është përgjegjës për mëkatet e tyre (Ligji i Perterire 24:16; Ezekieli 18:20), apo që ata janë thjesht viktima të mjedisit të tyre, por, prapë, brezi im dështoi në mënyrë specifike (edhe pse e falënderoj Zotin për përjashtimet) për të bërë atë që Perëndia i urdhëroi izraelitët:
Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu […] Vetëm kini kujdes për veten tuaj dhe tregohuni të zellshëm për shpirtin tuaj, në mënyrë që të mos harroni gjërat që sytë tuaj kanë parë dhe këto të mos largohen nga zemra juaj për të gjitha ditët e jetës suaj. Por ua mësoni bijve tuaj dhe bijve të bijve tuaj, veçanërisht për ditën gjatë së cilës jeni paraqitur para Zotit, Perëndisë tuaj në Horeb, kur Zoti më tha: “Më mblidh popullin dhe ai të dëgjojë fjalët e mia, që të mësojnë të më kenë frikë gjatë të gjitha ditëve që do të jetojnë mbi tokë dhe t’ua mësojnë bijve të tyre […] do t’ua mësosh bijve tuaj, duke u folur për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur rri shtrirë dhe kur çohesh; do t’i shkruash në shtalkat e shtëpisë tënde dhe mbi portat e tua, me qëllim që ditët tuaja dhe ditët e bijve tuaj […] të jenë të shumta… (Ligji i Perterire 6:4-7; 4:9-10; 11:19-21).
“Ungjillor”, siç ky term përdoret në këtë artikull, u referohet të krishterëve që e konsiderojnë Biblën autoritetin e tyre për çdo çështje të besimit dhe praktikës. Me fjalë të tjera, ata rrëfejnë se drejtohen nga Shkrimi për të udhëhequr jetët e tyre. Fatkeqësisht, kjo nuk është me tepër se fjalë (hipokrizi) për shumicën e ungjillorëve deklarues, nëse studimet e ndryshme që identifikojnë besimet dhe praktikat e tyre kanë qoftë dhe një gram saktësi. Por a zbatohet e njëjta gjë për brezin pasues të të krishterëve “biblikë”? Ka pak dyshim për këtë, edhe pse faji për gjendjen e tyre patjetër mund të ndahet me brezin tim.
Cili midis prindërve besimtarë mund të thotë ndershmërisht që ua kanë vënë veshin udhëzimeve që Perëndia i dha izraelitëve për “t’ua ngulitur Fjalën e Perëndisë fëmijëve të tyre?” Ndërsa e kthej vështrimin mbrapa gjatë rritjes së pesë fëmijëve të mi, tani në të njëzetat dhe tridhjetat e tyre, unë dhe ime shoqe “mund të kishim bërë më mirë”. Edhe pse e dinim që udhëzimi i tyre në Zotin duhej të ishte përgjegjësia jonë e parë dhe kryesore në shtëpi, shumë shpesh ne i dorëzuam ata te një takim i fëmijëve, te një program i kishës dhe/ose te një pastor i të rinjve (i cili sipas meje ka një nga thirrjet më të vështira në shërbesë). Jo që këto përvoja ishin të gjitha të këqija; disa prej tyre ishin vërtet një bekim për fëmijët tanë. Problemi bazë ishte që nganjëherë ne humbëm shikimin për përgjegjësinë tonë personale për t’i “edukuar në disiplinë dhe në këshillë të Zotit”, duke e lejuar kishën të bëhej “bebisiteri frymëror” i familjes sonë.
I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia
dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe
për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të
jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.
– 2 Timoteut 3:16-17
Kjo e metë vështirë se është unike për familjen time apo brezin tim, por është e përhapur midis ungjillorëve sot. Pasojat e këtij rezultati nuk janë aspak të vogla, duke sjellë një brez të krishterësh të vërtetë dhe deklarues të cilët janë nga ana funksionale dhe biblike analfabetë. Ata dinë se si të lexojnë dhe kanë Bibla, por rrallë i bashkojnë këto të dyja. Kjo krijon një mëdyshje serioze. Jakobi na nxit në letrën e tij të jemi “bërës të Fjalës” dhe jo vetëm dëgjues. Është e qartë, pra, nëse ata nuk e njohin Fjalën e Perëndisë, nuk mund ta zbatojnë atë që thotë ajo. Veç kësaj, shumica tani mbështeten në atë që të tjerët u thonë se çfarë thotë Bibla. Ata janë kushtëzuar që t’u “ushqehen me lugë” Shkrimet dhe shumë e konsiderojnë në rregull këtë. Ushqimi me lugë është i arsyeshëm për shumë besimtarë foshnja deri sa të jenë gati për mishin e Shkrimeve, por Perëndia na thotë që t’i largojmë ata nga ky proces sa më shpejt që të jetë e mundur (Hebrenjve 5:12-13). Është tragjike që një gjendje e tillë mbizotëron midis të rinjve ungjillorë sot.
Tragjike? Po. Para së gjithash, vë në dyshim a u ishte mësuar dhe a e kanë kuptuar dhe besuar vërtet ungjillin, lajmin e mirë që Jezusi pagoi dënimin e plotë për mëkatet e tyre dhe që Ai ia ofron shpëtimin njerëzimit si një dhuratë falas që duhet të pranohet me anë të hirit nëpërmjet besimit vetëm (Romakeve 5:10 dhe 1 e Korintasve 15:3; Efesianeve 2:8-9; Hebrenjve 2:17). Edhe pse pranimi i jetës së përjetshme me Jezusin kërkon vetëm besim fëmijëror, jetimi i jetës në Krishtin është një proces rritjeje që fillon me një lindje të re (të jesh i lindur sërish frymërisht) dhe më pas zhvillohet në pjekuri frymërore. Të paktën ky është plani biblik. Për shumicën e brezit tjetër të besimtarëve, nga ana tjetër, situata e tyre duket se është një rast i zhvillimit të ndaluar. Arsyet dhe pasojat e tmerrshme për një gjendje të tillë janë të shumta.
Gjatë tri dekadave të fundit, shumë e kanë përjetuar krishterimin në ambiente kishtare që i vënë më tepër përparësi argëtimit se mësimit të Shkrimeve dhe dishepullimit të pjesëmarrësve. Si rrjedhim, ata janë produkt i viteve të skemave të marketingut për rritjen e kishës që janë përpjekur të mbushin stolat me “ata që s’vijnë në kishë” dhe për t’i bërë ata që të vijnë sërish duke përdorur taktika të orientuara drejt konsumatorit. Është një orvatje miqësore ndaj kërkuesit e llojit “mbaje klientin të lumtur”, që e ka holluar në mënyrë kritike përmbajtjen biblike ndërsa kishat konkurrojnë me botën me qëllimin për të ngjallur interes te të rinjtë. Sallat e lojërave të disa megakishave mund t’i bëjnë të turpërohen qendrat më popullore të lojërave në qytetin e tyre. Mentaliteti i marketingut “bëj gjithçka që duhet për t’i tërhequr dhe mbajtur fëmijët që të vijnë sërish në kishë” reflekton një skemë “karremi dhe ndryshimi” dhe në shumicën e situatave “karremi” (lojërat, muzika që imiton botën dhe argëtimi) e mbyt “ndryshimin” e synuar (mësimin e Biblës). Kjo përpjekje ia ka zvogëluar rëndësinë dhe i ka margjinalizuar udhëzimet në Fjalën e Perëndisë për ata të cilët e kanë përjetuar atë orvatje të kësaj bote. Përfundimi ka rezultuar në një krishterim të cekët për miliona të rinj të krishterësh deklarues.
Cektësia biblike, megjithatë, ka shumë kontribues. Edhe në situatat ku përmbajtja biblike ka lënë një ndikim te të rinjtë tanë, shumë shpesh ajo është pranuar thjesht ngaqë një mësues a predikues tërheqës ka bërë për vete imagjinatën e tyre. Edhe pse kjo gjendje nuk është ekskluzive për brezin pasues të besimtarëve, ajo ka efektin e përgjithshëm për të vonuar rritjen e dikujt. Nëse dikush e beson një doktrinë biblike vetëm ngaqë janë bindur nga një mësues detyrues, ata mund të bëhen të varur mbi mësuesin në vend që të jenë të rrënjosur në të kuptuarit e Shkrimeve. Të besosh diçka sepse “kështu dhe ashtu tha filani” është besim me prokurë, një besim që nuk është i vetë personit. Një besim i tillë i lidhur jo vetëm që zbatohet gabimisht, por ndikon pak për të forcuar besimin e dikujt. Veç kësaj, ai mund të jetë i lidhur me statusin frymëror të personit që ia mësoi atë doktrinë dhe nëse predikuesi/mësuesi gabon moralisht apo doktrinalisht, po kështu mund të shkojnë ndjekësit e tij.
I ngjashëm me besimin e lidhur dhe po aq me fuqi shkatërruese, është një besim i fituar përmes osmozës. Janë të dy të dorës së dytë. Besimi përmes osmozës rrallë shkon përtej asaj që personi ka “marrë” nga anëtarët besimtarë të familjes, nga miqtë, mësuesit dhe nga të krishterët e ndryshëm gjatë jetës së tij. Shkrimi thotë që “besimi vjen nga dëgjimi”, por që ai të sjellë fryt, vargu vazhdon të thotë që “dëgjimi” duhet të jetë “nga fjala e Perëndisë” (Romakeve 10:17). Jakobi i shton kësaj që ne duhet të jemi “bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues”, kjo e dyta e bën dikë që të jetë i cenueshëm ndaj mashtrimit (Jakobit 1:22).
Nëse mashtrimi është një problem potencial për dikë që e dëgjon Fjalën e Perëndisë, por nuk bën atë që thotë ajo, cila mund të jetë situata për ata të cilët vetëm rastësisht e dëgjojnë Fjalën dhe s’kanë gjë më tepër se një njohje sipërfaqësore të saj? Injoranca mund të jetë bekim për disa, por biblikisht ajo e bën dikë “ëndjen e djallit”. Duke qenë se shpata e Frymës, Fjala e Perëndisë, është e vetmja armë e frikshme kundër atij të cilin Bibla e quan “të shterur nga e vërteta, atin e rrenës, gënjeshtar dhe mashtrues, që sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë”, çfarë mund të themi, pra, për ata të cilët s’mund të përdorin shpatën e Frymës – krishterimi i të cilëve ka marrë trajtë nga shumica e gjendjeve të lartpërmendura? Kur bën një përmbledhje, ata janë vërtet nga ana funksionale dhe biblike analfabetë dhe si rrjedhim të pambrojtur ndaj kundërshtarit të Perëndisë.
Të rinj ungjillorë të cilët janë thirrur në shërbesë më thonë se gjendja në rritje e hyrjes së lehtë të informacionit përmes internetit, p.sh., Facebook, Tweeter si dhe në blogje dhe aplikacione të ndryshme e ka shtuar vështirësinë për t’i inkurajuar miqtë e tyre që ta studiojnë Biblën në thellësi; për më tepër, kjo përforcon oreksin e tyre për kënaqje të çastit. Kjo është e krahasueshme me disa të brezit tim, të cilët ishin të mentalitetit: “Përse ta lexojmë librin kur mund të lexosh versionin me shënime të Klifit? – në steroidë! Gjithashtu është vënë re që besimtarë të tillë e kuptojnë se janë seriozisht të mangët në të kuptuarit e Shkrimeve – gjë që ka çuar në probleme të tjera: a) ata frikësohen kollaj prej atyre që u thonë t’ua lënë përgjigjet biblike shkollarëve dhe ekspertëve dhe b) ata priren të kërkojnë librat më të fundit të krishterë për ndriçim më tepër se të mbledhin mprehtësi nga vetë Bibla. Përsëri, e gjithë kjo i bën ata të cenueshëm për mashtrimin.
Nëse ky skenar real për brezin e ardhshëm të besimtarëve ungjillorë tingëllon dekurajues, mbërtheje veten për pjesën e mbetur të tregimit me çfarë ata do të përballen. Kur Jezusi u pyet për ditët e fundit, fjalët e Tij të para ishin: “Ruhuni se mos ju mashtron ndokush” (Mateu 24:4). Mashtrimi ishte karakterizimi i parë që Ai dha për kohën para ardhjes së Tij të dytë. Në Luka 18:8, Ai nënvizon më shumë situatën kur lë të kuptohet se besimi, jetesa aktuale e të vërtetës së Fjalës së besimit, do të jetë e pakët midis njerëzve në kthimin e Tij. Na janë dhënë shumë profeci që na thonë të jemi duke pritur dhe se kur do të afrohet ajo kohë. Shkrimet shpallin bollshëm që apostazia e shkallëzuar do të paraprijë ardhjen e Tij të dytë. Askush tjetër veç Perëndisë nuk e di kohën e saktë të kthimit të Krishtit për kishën e Tij, për Nusen e Krishtit, për ta marrë atë në qiell, por ndërsa këto apostazi shkallëzohen, e bëjnë një ngjarje të rrëmbimit akoma më të afërt dhe të shpejtë. Apostazia është synuar kryesisht për avancimin e fesë së Antikrishtit. Kjo do të përfshijë besime dhe praktika mashtruese, shumica e të cilave kanë një dukje të perëndishmërisë, por që janë diametralisht të kundërta me atë që mëson Bibla. Ato janë besime që i duken të drejta njerëzve (Fjalet e Urta 14:12; 16:25) dhe mësohen prej atyre që janë vetë të krishterë deklarues të mashtruar nga apostazia – ose nga besimtarë të vërtetë, këta të dytët padashur (Veprat e Apostujve 20:28-31). Kjo fe e rremë universale nuk do të vijë kështu papritur; përgatitja e saj filloi me rënien e njerëzimit dhe do të arrijë kulmin mbas rrëmbimit të të gjithë besimtarëve përpara fillimit të mbretërimit shtatë vjeçar të Antikrishtit.
A i ka pushtuar apostazia zemrat dhe mendjet e brezit tonë të ri të ungjillorëve? Sigurisht ka shumë të cilët nuk i janë dorëzuar mashtrimit të papërmbajtur, edhe pse mund të jenë të pastërvitur për të ruajtur qëndrueshmëri në besimin. S’ka dyshim që është dashuria e tyre për Jezusin dhe hiri i Perëndisë që i ka ruajtur deri këtu. Veç kësaj, midis të rinjve, kemi shenja inkurajuese që ata kanë një dëshirë të shohin manifestimin e krishterimit biblik në jetët e tyre, ndërsa ndjekin një ecje më të afërt me Zotin dhe një kuptim më të thellë të Fjalës së Tij. Dhe, prapë, pak janë ata që janë vërtet të përgatitur për betejën frymërore dhe detet e trazuar përpara tyre, që vetëm do të intensifikohen. Edhe pse brezi tjetër mund të mos jetë brezi në të cilin kthehet Zoti, prapëseprapë ai do të përballet me gjendje pa precedent midis brezave që e paraprinë atë.
Në dashtë Zoti, në pjesën e dytë do të trajtojmë në mënyrë specifike disa nga çështjet më serioze që tashmë i kanë çuar turmat jashtë rrugës së Fjalës së Perëndisë dhe që kanë përmbytur besimin e shumë vetave. Këto ujëra të turbullta përmbajnë mësimet jobiblike të “vetes”; frikën se mos të konsiderojnë jotolerant; dëshirën për t’u pranuar dhe respektuar nga bota. Këto kohë shfaqin edhe një mungesë të madhe të dallimit nga kisha dhe individë që e lejojnë komunitetin dhe marrëdhëniet të errësojnë të vërtetën biblike; të cilët blejnë me naivitet pseudoshkencën e evolucionit dhe psikoterapisë; të cilët duket se kanë një paaftësi për të njohur herezitë e lëvizjes së kishës emergjente (ang. emerging church), të lëvizjes kontemplative (ang. the contemplative movement) si dhe të praktikave mistike dhe okultiste, të lëvizjeve të fjalës së besimit dhe të shërimit dhe prosperitetit dhe të lëvizjes së shërimit të brendshëm. Kemi një mungesë të kuptimit të Teologjisë së Zëvendësimit; të ngritjes së antisemitizmit brenda kishës; të jogës brenda kishës; të ungjillit të rremë dhe dogmave anti-biblike të katolicizmit; dhe asnjë shqetësim të dukshëm lidhur me gabimet e organizatave para-kishtare të orientuara te të rinjtë; tendencën e drejtuar keqas për të ndihmuar të tjerët nëpërmjet një ungjilli social, që synon të eliminojë padrejtësitë sociale si edhe programe të tjera që çojnë në një “shpëtim me anë të veprave”.
Apostulli Pal i shkroi Timoteut, birit të tij frymëror në besimin dhe njërit prej barinjve drejtues të brezit që do të pasonte brezin e tij, këto fjalë të kthjellëta paralajmërimi:
Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave. (2 Timoteut 4:3-4).
Përveç këtij paralajmërimi, ai i dha Timoteut edhe udhëzime për të ndihmuar në korrigjimin e atyre gjërave që do të ndodhnin dhe që do t’i largonin besimtarët nga e vërteta e Perëndisë:
Prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë [ji gjithnjë gati!], kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë [kapu fort pas mësimeve të Shkrimit]. (2 Timoteut 4:2).
Kjo është zgjidhja e thjeshtë për ankorimin e një brezi të lënë në mëshirë të fatit: e thjeshtë, si në “jo e ndërlikuar”. E, përsëri, nuk është e lehtë – ajo kërkon disiplinë dhe zell.
Lutja jonë është që kjo shërbesë dhe besimtarët që janë të brezit im, që me hirin dhe aftësimin e Perëndisë, do të ecin pranë atyre të brezit tjetër të besimtarëve, duke i ndihmuar në ecjen e tyre me Zotin, duke u siguruar informata atje janë të nevojshme dhe, më e rëndësishme, duke i inkurajuar ata drejt studimit të zellshëm të Fjalës së Perëndisë. THEB