Trinia

[no_toc]THEB Tetor 1989 / Rishikuar 2006

Shumë të krishterë nuk e kuptojnë, aq më pak ta mbrojnë, “Trininë”. Megjithëkëtë, pikërisht kështu e paraqet Bibla Perëndinë. Zanafilla 1:1 shpall: “Në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe tokën”. Fjala e përdorur për “Perëndi” në këtë formulim është fjala hebraike elohim, që fjalë për fjalë do të thotë “perëndi” [në shumës]. E hasim 2,500 herë në Dhiatën e Vjetër. Edhe pse është i disponueshëm një emër në njëjës, forma në shumës është përdorur pothuaj gjithmonë për Perëndinë. Dhe, në thyerje të rregullave gramatikore, me pak përjashtime foljet dhe përemrat në njëjës janë përdorur me këtë emër në shumës. Përse?

Shema deklaron: “Dëgjo, o Izrael, Zoti, Perëndia ynë një Zot” (Ligji i Perterire 6:4; Marku 12:29). Në gjuhën hebraike lexojmë: “Jehova elohim-i [perëndi, në shumës] ynë është echad [një] Jehova”. Echad do të thotë një unitet prej më shumë se një. Është përdorur në Zanafilla 2:24, kur njeriu dhe gruaja bëhen një mish; në Eksodi 36:13, kur pjesët e ndryshme të tabernakullit “përbën[in] një të tërë”; në 2 i Samuelit 2:25, kur shumë ushtarë “u bënë një grup” dhe gjetiu.

Gjatë gjithë Dhiatës së Vjetër, shohim të shprehur në mënyrë të qëndrueshme si shumësinë e Perëndisë, ashtu edhe unitetin e Tij: “Por kujto Krijuesin [fjalë për fjalë, ‘krijuesë’]” (Predikuesi 12:1); “Sepse Bërësi yt është bashkëshorti tënd [fjalë për fjalë, ‘bërësa, bashkëshortë’]” (Isaia 54:5, AV). Unitarianizmi, besimi që Perëndia është një qenie e vetme, nuk ka asnjë shpjegim për këtë paraqitje të sigurt për shumësinë e Perëndisë.

Nëse, si në panteizëm, gjithçka është Perëndi, atëherë të jesh Perëndi e humbet çdo kuptim dhe kështu asgjë nuk është Perëndi. Me politeizmin, perënditë e shumtë luftojnë dhe i vjedhin gratë njëri-tjetrit. Nuk ka fare bazë për vlerat morale, për të vërtetën ose paqen në qiell ose mbi tokë. Problemi bazë i politeizmit është larmi pa unitet.

Myslimanët dhe judenjtë pajtohen për një gjë: në besimin që Perëndia është një Qenie e vetme. Ata këmbëngulin që Allahu dhe Jehova janë secili Qenie të vetme, një besim që mbahet edhe nga kulte të tilla si Dëshmitarët e Jehovait dhe mormonët, midis të tjerëve. Disa pentakostalë thonë se Perëndia është një Qenie e vetme dhe që Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë tre “tituj” ose “ofiqe” të Perëndisë. Këtu kemi problemin e kundërt: unitet pa larmi.

Që Perëndia duhet të manifestojë njëkohësisht unitet dhe larmi është e qartë. Gjatë gjithë Dhiatës së Vjetër, si shumësia ashtu edhe uniteti i Perëndisë janë shprehur vazhdimisht. Perëndia i judaizmit, sikurse Allahu i islamit, do të ishin të paplotë në vetvete, të paaftë për të përjetuar dashuri, miqësi dhe bashkësi para se të krijonin qenie me të cilat të mund t’i kishte këto përjetime. Por Bibla thotë që “Perëndia është dashuri”. Si mund të jenë dashuri Perëndia i islamit dhe i judaizmit? Cilin mund ta donte kur ai ishte vetëm përpara krijimit?

Perëndia i Biblës

Bibla e paraqet Perëndinë si të plotë në Vetvete, duke qenë tre Persona: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë, të veçuar dhe të dallueshëm, megjithatë në të njëjtën kohë përjetësisht një Perëndi. Të tre Personat e Hyjnisë e deshën, patën bashkësi dhe miqësi njëri me tjetrin dhe u këshilluan bashkë përpara krijimit. Isaia “dëgjo[i] zërin e Zotit që thoshte: ‘Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?” (Isaia 6:8). Moisiu zbuloi të njëjtin këshillim bashkë të Hyjnisë: “Pastaj Perëndia tha: ‘Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne’” (Zanafilla 1:26); dhe përsëri: “Të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre” (Zanafilla 11:7). Kush është ky “ne”, nëse Perëndia është një qenie më vete? Përse thotë Perëndia, “njeriu u bë si një prej nesh” (Zanafilla 3:22)?

Dëshmia e krijimit

Edhe pse fjalën “trini” nuk e hasim në Bibël, koncepti gjendet qartësisht atje, duke siguruar njëkohësisht unitetin dhe larminë që e bën të mundshme dashurinë, miqësinë dhe bashkësinë brenda Hyjnisë. Po, Hyjnisë. Në Romakeve 1:20, Pali argumenton që “fuqia e përjetshme dhe Hyjnia” e Perëndisë janë të dukshme në krijimin që Ai ka bërë. Fuqia e përjetshme e Perëndisë, sigurisht – po Hyjnia e Tij?

Po, siç ka treguar vite më parë Dr. Nathan R. Wood në Sekreti i universit, natyra trini e Perëndisë është e stampuar në krijimin e Tij. Kozmosi është i ndarë në tre: hapësirë, lëndë dhe kohë. Secila prej këtyre është e ndarë në tre. Hapësira përbëhet nga gjatësia, gjerësia dhe lartësia, secila e veçuar dhe e dallueshme në vetvete – megjithatë të treja janë një. Gjatësia, gjerësia dhe lartësia nuk janë tre hapësira, por tre dimensione që përbëjnë një hapësirë. Hiq mjaft vija për së gjati dhe do të kesh të tërën. Por po kështu është me gjerësinë dhe lartësinë. Secila është e veçuar dhe e dallueshme, megjithatë secila është e tërë hapësira – sikurse Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë Persona të dallueshëm, megjithatë secili është plotësisht Perëndi.

Edhe koha është një trini: e kaluar, e tashme dhe e ardhme – dy të padukshme dhe njëra e dukshme. Vetë njeriu është një tri-unitet i frymës, shpirtit dhe trupit, dy prej të cilave janë të padukshme dhe njëra e dukshme. Shumë me tepër hollësi mund të jepen për tri-unitetin e Hyjnisë të pasqyruar në univers. Vështirë se mund të jetë rastësi.

Dëshmia e Shkrimit

Dhiata e Re paraqet tre Persona të dallueshëm, secili i njohur si Perëndi. Megjithëkëtë, e shohim të përsëritur deklaratën e qartë se ka vetëm një Perëndi të vërtetë. Krishti i lutet Atit. A është duke iu lutur Vetes? “Ati e dërgoi Birin për të qenë Shpëtimtar i botës” (1 Gjonit 4:14). A dërgoi Ai Veten? Akoma më keq, a ishte njëri “ofiq” duke iu lutur dhe dërguar një “titull”? Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë kanë role të dallueshme, megjithatë secili vepron vetëm në ndërthurje me të tjerët. Krishti tha: “Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat” (Gjoni 14:10). “Unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër […] [madje] Frymën e së Vërtetës…” (Gjoni 14:16-17). Kudo gjatë Shkrimit, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë nderuar individualisht dhe veprojnë si Perëndi, megjithatë në harmoni me njëri-tjetrin.

Dhiata e Vjetër paraqet qartë tre Persona në Hyjninë duke bashkëvepruar. Për shembull: “Dora ime ka themeluar tokën dhe dora ime e djathtë ka shpalosur qiejt…. Qysh në fillim […] unë isha atje. Dhe tani Zoti Perëndi, dhe Fryma e tij më kanë dërguar” (Isaia 48:13-16). Ai që po flet i referohet Vetes si Krijuesi i gjithçkaje, pra Ai duhet të jetë Perëndi. Por Ai flet për dy të tjerë të cilët duhet të jenë gjithashtu Perëndi: “Zoti Perëndi, dhe Fryma e tij më kanë dërguar”. Jezusi u paraqiti farisenjve një pjesë të ngjashme (Mateu 22:41-46) kur Ai i pyeti ata se kush ishte Mesia dhe ata i thanë: “Biri i Davidit”. Atëherë Ai citoi Psalmi 110:1: “Zoti i thotë Zotit tim: ‘Ulu në të djathtën time deri sa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua’”. Më pas Jezusi i pyeti: “Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?” (Mateu 22:45). Farisenjtë ishin pa fjalë. Unitarianizmi nuk mundet t’i shpjegojë këta dy “Zotë”.

Në profeci

Shumë judenj në mbarë botën presin ardhjen e parë të Mesias, të pavetëdijshëm që tashmë Ai erdhi, u refuzua dhe u kryqëzua. Jezusi paralajmëroi: “Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet [d.m.th., Antikrishti], ju do ta pranonit” (Gjoni 5:43). Fatkeqësisht, Izraelit do t’i duhet Armagedoni që të pendohet, të kthehet te Perëndia dhe të përqafojë Atë që erdhi 2,000 vjet më parë në emrin e Atit të Tij.

Kur ta shohin Mesian të vijë për t’i çliruar ata dhe kur të zbulojnë për turp të tyre kush është Ai: “…do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të […] në Jeruzalem do të ketë pikëllim të madh…” (Zakaria 12:10-14). Përse një hidhërim kaq i skajshëm? Perëndia i Izraelit deklaron: “ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë tejshpuar” (Zakaria 12:10)!

Në Armagedonin, Perëndia vjen të shpëtojë si Ai të cilin Izraeli e ka tejshpuar! Tejshpuar?! Kur dhe si mundet Izraeli të tejshpojë Atë që i tha Moisiut: “asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë” (Eksodi 22:20)? Perëndia, “një Frymë” (Gjoni 4:24), nuk mund të tejshpohet – por Mesia që vjen si një njeri po dhe kështu ndodhi. Jezusi, i cili përmbushi çdo profeci mesianike, u tejshpua mbi kryqin. Përse u kryqëzua Ai? Për shkak se pohoi se ishte Perëndi (Gjoni 10:30-33)!

Në Zakaria, Perëndia po flet në vetën e parë, e prapë duket se janë të përfshirë dy persona: “…ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë tejshpuar; do të pikëllohen për …” (Zakaria 12:10). “Meje” dhe “të” duket se janë dy persona, e prapë një – dhe të dy duhet të jenë Perëndi! A është Perëndia dy persona? Në fakt, Ai e deklaron Veten se është tre në një! Kujtoni, në Isaia 48:16 ndeshim Perëndinë, Zotin Perëndi dhe Frymën e Perëndisë, secili i dallueshëm, megjithatë secili është Perëndi.

A mund të jetë kjo çfarë Fryma e Shenjtë e frymëzoi Apostullin Gjon të shkruajë: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi”? Me siguri që Ai i quajtur “Fjala”, i cili ka ekzistuar nga fillimi dhe është Perëndi, duhet të jetë Perëndia që Isaia thotë se flet që prej fillimit: “Qysh në fillim nuk fola në fshehtësi…” (Isaia 48:16).

Por ngjashmëritë në këto dy vargje nuk mbarojnë këtu. Të dy vargjet ngrenë pothuaj pyetje identike. Në Isaia, a mundet Perëndia të dërgohet nga Perëndia; dhe në Gjoni, si mund të jetë Perëndia me Perëndinë? Ka vetëm një zgjidhje: Mesia duhet të jetë Perëndi? Kur Jezusi tha: “Unë dhe Ati jemi një” (Gjoni 10:30), judenjtë e akuzuan Atë për blasfemi, duke thënë: “sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi” (v. 31-33).

Që Mesia të deklaronte hyjninë e Tij ishte herezia më e madhe, që meritonte vdekjen? Jo! Sipas profetëve hebrenj, Mesias duhej të ishte Perëndi dhe, në të njëjtën kohë, Biri i Perëndisë. Nëse Perëndia ka një Bir, i cili Vetë është Perëndi dhe një me Atin e Tij, kjo do të zgjidhte kundërshtimet e rabinëve. Ne e hasim Birin e Perëndisë disa herë në Shkrimet Hebraike. Duke folur në mënyrë profetike, psalmisti e paraqet Perëndinë duke deklaruar për Atë që do të vijë: “Ti je Biri im, sot më linde” (Psalmi 2:7). Dëshmitarët e Jehovait, të cilët e mohojnë hyjninë e Krishtit, e marrin këtë sikur t’i referohej lindjes së Krishtit në tokë si fillimit të ekzistencës së Tij. S’ka se si të jetë kështu, pasi Perëndia flet për të Birin që tashmë ekzistonte dhe e paralajmëron botën që i ngre grushtin Perëndisë: “Putheni [nënshtrojuni] Birin, që të mos zemërohet…. Lum ata që gjejnë strehe tek ai” (v. 12).

Është e qartë nga një sërë deklaratash të tjera nga profetët hebrenj që Biri i Perëndisë tashmë ekzistonte si Perëndi përpara mishërimit të Tij. Salomoni citon profetin Agur: “Kush u ngjit në qiell dhe zbriti prej tij? Kush e ka mbledhur erën në duart e tij?” Përgjigjja e kuptueshme është “Perëndia”. Më pas pyet: “Cili është […] emri i të birit…?” (Fjalet e Urta 30:4), duke vërtetuar që Biri i Perëndisë tashmë ekzistonte në atë kohë.

Ndërsa u premtonte shpëtim përmes Mesias që do të vinte, Perëndia shpallte në mënyrë të vazhdueshme që vetë Ai ishte i vetmi Shpëtimtar: “Unë, unë jam Zoti dhe përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër” (Isaia 43:11); “kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër” (Isaia 45:22). Dhe, prapë, ky shpëtim shkon deri në “skaje të tokës” përmes një tjetri i cili duhet të jetë Vetë Perëndi dhe Mesia: “Unë të kam vendosur ty si dritën e kombeve, me qëllim që ti të jesh Shpëtimi im deri në skajet e tokës” (Isaia 49:6). “Unë” që flet dhe “ty” i cili është “shpëtimi” duhet me patjetër të jenë secili Perëndi.

Në mënyrë të padiskutueshme, profetët hebrenj pajtohen të gjithë që Perëndia ekziston si një tri-unitet: tre persona (Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë) por një Perëndi – dhe që në Mesian, Ai bëhet njeri pa reshtur së qeni Perëndi. Pohimet e Krishtit që Ai ishte Perëndi dhe njeri dhe një me Atin e Tij janë në përputhje me profetët. Isaia deklaroi: “Sepse na ka lindur një fëmijë…” (Isaia 9:6). Kjo i referohet njerëzimit të Tij, të përftuar, siç ishte parathënë, nga nëna e tij virgjëreshë, Maria: “fara” e gruas (Zanafilla 3:15). Por Isaia shton: “një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria…. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit…” (Isaia 9:6,7). Me siguri që Biri i dhënë duhet të jetë Biri i Perëndisë tashmë-ekzistues – dhe Ai duhet të jetë Mesia, pasi Ai do të mbretërojë mbi fronin e Davidit.

Por Isaia shpall që Mesia është Perëndi! Emri i Tij është “i Mrekullueshëm, Këshilltar, Perëndia i fuqishëm”. Dhe Ai është gjithashtu “Ati i përjetshëm”. Këtu kemi të njëjtin mister: Perëndia është njëherësh Atë dhe Bir – Perëndia që u bë njeri në Mesian!

Fakti që Perëndia do të vinte si një njeri, do të therej për vdekje, ringjallej dhe kthehej për të shpëtuar Izraelin në Armagedonin është saktësisht çfarë parathanë profetët hebrenj. Shumica e judenjve vazhdojnë të refuzojnë pranimin e këtij identiteti të “Perëndisë së Abrahamit, Isakut dhe Jakobit”. Kur Izraeli ta shohë Perëndinë e tij në këtë formë duke ardhur për ta shpëtuar, do të jetë dhimbshëm e qartë që Ai ka qenë në tokë më parë, ku Ai u refuzua nga judenjtë dhe johebrenjtë dhe u tejshpua për vdekje.

Akoma një mister

Jezusi tha: “Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë” (Gjoni 3:35). Dashuria e Perëndisë nuk është vetëm ndaj njerëzimit, por para së gjithash midis tre Personave të Hyjnisë. Dhe ata duhet të jenë tre Persona. Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë nuk mund të jenë thjesht tre ofiqe, tituj apo mënyra në të cilat Perëndia e manifeston Veten, pasi ato nuk mund të duan, të këshillohen apo të kenë bashkësi njëri me tjetrin. Jo vetëm është paraqitur Biri si një person, por po kështu janë Ati dhe Fryma e Shenjtë. Bibla e paraqet secilin anëtar të Hyjnisë duke patur personalitetin e vet: secili dëshiron, vepron, do, kujdeset, mund të trishtohet ose të zemërohet.

Hyjnisë? A është ky një term biblik? Po, vërtet. E hasim tri herë në Dhiatën e Re të [përkthimit] KJV: në Veprat e Apostujve 17:29, Romakeve 1:20 dhe Kolosianeve 2:9. Në dallim me fjalën theos, që është përdorur vazhdimisht përgjatë Dhiatës së Re për “Perëndi”, tri fjalë të ndryshme, por të afërta, i hasim në këto vargje (theios, theiotes, theotes), që përkthyesit e Mbretit Xhejms i përcaktuan me kujdes me fjalën e veçantë, Hyjni (ang. Godhead). Pikërisht ky term shënon një shumësi të qenies. Pali shkroi: “Sepse në të banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kolosianeve 2:9). A donte ai thjesht të nënkuptonte se në Krishtin banonte gjithë plotësia e Vetvetes? Kjo do të ishte si të thuash që në mua banon gjithë plotësia ime. Po, sigurisht që po – atëherë përse ta ketë thënë dhe çfarë do të thotë në të vërtetë? Asnjë gjë!

A do të thotë thjesht që në Krishtin banon gjithë plotësia e Hyjnisë (ang. Deity), siç e përkthejnë disa përkthime të tjera? Edhe kjo do të ishte e tepërt – ose do t’i hiqte hyjnisë (ang. deity) së Krishtit. Sepse nëse Krishti është rrënjësisht Perëndi, atëherë cili është kuptimi të thuash se “në Të banon gjithë plotësia e Hyjnisë (ang. Deity)?” Patjetër që banon. Por nëse Krishti është Biri dhe ka dy persona të tjerë në Hyjninë (ang. Godhead), atëherë do të thotë diçka. Kjo do të thotë se ashtu si Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë një Perëndi, po ashtu, kur Biri u bë njeri, Ai e mori atë plotësi të Hyjnisë (ang. Godhead) me Vete në mish.

Është një mister se si Perëndia mund të ekzistojë në tre Persona e njëkohësisht të jetë një Perëndi; por gjithashtu është një mister se si Perëndia nuk ka asnjë fillim dhe si Ai krijoi gjithçka nga hiçi. Ne s’mund ta kuptojmë se çfarë është shpirti apo fryma njerëzore. As nuk mundemi të shpjegojmë dashurinë ose bukurinë ose drejtësinë. Është përtej aftësive njerëzore që të kuptojë plotësisht natyrën e qenies së Perëndisë. Po ne as nuk mund të kuptojmë se çfarë do të thotë për ne a diçka tjetër se ekzistojmë – as nuk mund të kuptojmë se çfarë janë hapësira apo koha apo lënda.

Për çdo derë që hap shkenca, kemi dhjetë dyer të tjera të mbyllura përtej. Sa më shumë që mësojmë, aq më shpejt zgjerohet e panjohura para nesh si imazhe të zbehta në një sallë pasqyrash. Dëshmitarët e Jehovait dhe unitarianë të tjerë argumentojnë se për shkak se Trinia nuk mund të kuptohet, ajo s’mund të qëndrojë. Po fakti që është përtej të kuptuarit njerëzor (saktësisht çfarë do të prisnim për Hyjninë) nuk është aspak arsye për të refuzuar atë që Bibla na paraqet në mënyrë kaq të qëndrueshme. Perëndia po na tregon për Veten që ne të mund të besojmë tek Ai dhe ta njohim Atë. Ne nuk guxojmë të hedhim poshtë atë që Ai thotë ose ta zvogëlojmë Atë në nivelin e mendjeve tona të kufizuara. THEB