Shërbesa e Shërbëtorit në Jeruzalem (Marku 11-12)

A. Hyrja ngadhënjimtare (11:1-11)

11:1-3 Këtu fillon paraqitja e javës së fundit. Jezusi ishte ndalur në shpatin lindor të Malit të Ullinjve, pranë Betfages (shtëpi e fiqve të papjekur) dhe Betanisë (shtëpi e të varfërit, e të përulurit, e të shtypurit). Kishte ardhur koha për t’ia paraqitur Vetveten haptas popullit judeas si Mesia-Mbret i tyre. Ai do ta bënte këtë në përmbushje të profecisë së Zakarisë (9:9), hipur mbi një kërriç. Kështu Ai dërgoi dy nga dishepujt e Vet nga Betania në Betfage. Me një njohje të përsosur dhe me autoritet të plotë, Ai u tha atyre t’i sillnin një kërriç të padëmtuar të cilin ata do ta gjenin të lidhur. Në qoftë se ndokush do t’i ndalte, ata do të thonin: “I duhet Zotit.” Gjithëdija e Zotit, siç vërehet këtu, ka nxitur dikë të thotë: “Ky nuk është Krishti i modernizimit, por i historisë dhe i Qiellit.” 11:4-6 Çdo gjë ndodhi sikurse e kishte parathënë Jezusi. Ata e gjetën kërriçin të lidhur tek një kryqëzim kryesor në fshat. Kur i ndalën, dishepujt u përgjigjën sikurse u kishte thënë. Atëherë njerëzit i lanë të shkojnë. 11:7-8 Megjithëse nuk i kishte hipur askush më parë, kërriçi nuk ndenji pa e mbartur Krijuesin e tij për në Jerusalem. Zoti ngau nëpër qytet mbi një qilim rrobash dhe degësh palme, me brohoritjen e popullit duke kumbuar në veshët e Tij. Për një çast, të paktën, Ai u njoh si Mbret. 11:9-10 Populli thirri:
  1. “Hosana!” – që në fillim donte të thoshte “Shpëto, ne lutemi,” por që më vonë u bë një britmë lavdërimi. Ndoshta populli donte të thoshte: “Shpëto, ne lutemi, nga pushtuesit tanë romakë!”
  2. “I bekuar është Ai që vjen në emër të Zotit!” – një vlerësim i qartë se Jezusi ishte Mesia i premtuar (Psa. 118:26).
  3. “E bekuar është mbretëria e Davidit, atit tonë, që vjen në emër të Zotit!” – ata menduan se mbretëria ishte gati për t’u themeluar, me Krishtin duke u ulur në fronin e Davidit.
  4. “Hosana në vendet shumë të larta!” – një thirrje për ta lavdëruar Zotin në vendet shumë të larta ose për Të që të shpëtojë nga qiejt shumë të lartë.
11:11 Me të mbërritur në Jerusalem, Jezusi shkoi në tempull, jo brenda shenjtores, por në oborret e tempullit. Thuhej se ajo ishte shtëpia e Perëndisë, por Ai nuk ishte si në shtëpinë e Tij në këtë tempull, sepse priftërinjtë dhe populli refuzuan t’i japin Atij vendin që i takonte. Kështu, mbasi shikoi për pak kohë çdo gjë, Shpëtimtari u tërhoq në Betani me të dymbëdhjetë dishepujt. Ishte e dielë mbrëma.

B. Fiku joprodhues (11:12-14)

Kjo ngjarje është interpretimi i Shpëtimtarit në lidhje me mirëpritjen e zhurmshme që sapo i ishte bërë Atij në Jerusalem. Ai e pa kombin e Izraelit si një fik joprodhues. Ai kishte gjethe deklaratash, por jo fryt. Thirrja “Hosana” do të kthehej shpejt në thirrjen rrëqethëse “Kryqëzoje!” Ka një vështirësi në dukje në faktin që Ai e dënoi fikun sepse nuk kishte fryt, megjithëse dokumenti thotë qartë se nuk ishte koha e fiqve. Kjo duket sikur e përshkruan Shpëtimtarin si të paarsyeshëm dhe idhnak. Ne e dimë se kjo nuk është e vërtetë; megjithatë si mund ta shpjegojmë këtë situatë kureshtare? Në vendet biblike, pema e fikut prodhonte një frut të hershëm të ngrënshëm para se të dilnin gjethet. Ishte një shenjë paralajmëruese e prodhimit të rregullt, në këtë rast përshkruar si koha e fiqve. Nëse nuk dukeshin fiqtë e hershëm, kjo ishte një shenjë se nuk do të kishte prodhim të rregullt më vonë. Kur Jezusi erdhi te kombi i Izraelit, atëherë kishte gjethe, që tregojnë deklarim, por nuk kishte fryt për Perëndinë. Kishte premtim pa përmbushje, pohim pa realitet. Jezusi ishte i uritur për fryt nga kombi. Sepse nuk kishte fryt të hershëm, Ai e dinte se nuk do të kishte fryt të mëvonshëm nga ai popull mosbesues dhe kështu e mallkoi fikun. Kjo parapërshkroi gjykimin që do të binte mbi Izraelin në vitin 70 mK. Megjithatë, ngjarja nuk mëson se Izraeli ishte mallkuar që të mos prodhonte kurrë. Judenjtë ishin vënë mënjanë përkohësisht, por kur Krishti të kthehet për të mbretëruar, kombi do të rilindet e do të rivendoset në një pozicion favori me Perëndinë. Kjo është e vetmja mrekulli ku Krishti mallkoi e nuk bekoi, shkatërroi jetën e nuk e ripërtëriu atë. Kjo ka dalë si një vështirësi. Megjithatë, vërejtja nuk është e vlefshme. Krijuesi ka të drejtën sovrane për ta shkatërruar një objekt të pashpirt në mënyrë që të japë një mësim të rëndësishëm frymëror e kështu t’i shpëtojë njerëzit nga dënimi i përjetshëm. Megjithëse interpretimi parësor i këtij pasazhi lidhet me kombin e Izraelit, ai gjen zbatim ndër njerëz të të gjitha epokave që ndërthurin “fjalë shumë me jetë kërkund.”

C. Shërbëtori pastron tempullin (11:15-19)

11:15-16 Në fillim të shërbesës së Tij publike, Jezusi i kishte dëbuar tregtarët nga rrethinat e tempullit (Gjoni 2:13-22). Tani, ndërsa shërbesa e Tij po i afrohej fundit, Ai hyri prapë në oborrin e tempullit dhe nxori jashtë ata që ishin duke përfituar nga veprimtaritë e shenjta. Ai ndaloi edhe mbartjen e sendeve të zakonshme nëpër tempull. 11:17 Duke ndërthurur citime nga Isaia dhe Jeremia, Ai dënoi përdhosjen, monopolizimin dhe tregëtimin. Perëndia kishte menduar që tempulli të ishte shtëpi e lutjes për të gjithë kombet (Isa. 56:7), jo vetëm për Izraelin. Ata e kishin bërë atë një pazar fetar, një strofull për batakçinjtë dhe dallaveraxhinjtë (Jer. 7:11). 11:18 Skribët dhe krerët e priftërinjve u prenë fort nga akuzimet e Tij. Ata deshën ta vrisnin, por s’mund ta bënin këtë me pafytyrësi, sepse njerëzit e zakonshëm e shihnin Atë ende me shumë druajtje dhe nderim. 11:19 darkë, Jezusi doli jashtë qytetit. Koha e foljes në origjinal të sugjeron se ishte zakon i Tij, ndoshta për siguri. Ai nuk kishte frikë për Veten e Tij. Ne duhet të kemi vazhdimisht ndër mend se pjesë e shërbesës së Tij ishte ruajtja e deleve, pra e vetë dishepujve të Tij (Gjoni 17:6-19). Për më tepër, do të ishte absurde për Të që t’u dorëzohej dëshirave të armiqve të Tij para kohës së duhur.

D. Mësimi i fikut joprodhues (11:20-26)

11:20-23 Në mëngjesin e ditës pas mallkimit të fikut, dishepujt e kaluan atë gjatë rrugës për në Jerusalem. Ai ishte tharë që nga rrënjët. Kur Pjetri ia përmendi këtë Zotit, Ai tha thjesht: “Kini besimin e Perëndisë!” Po ç’kanë të bëjnë këto fjalë me fikun? Vargjet vijuese tregojnë se Jezusi ishte duke inkurajuar besimin si mjet për të larguar vështirësitë. Në qoftë se dishepujt kanë besimin e Perëndisë, ata mund të merren me problemin e pafrytshmërisë dhe mund t’i largojnë pengesat vigane. Megjithatë këto vargje nuk i japin një personi autoritetin për t’u lutur për fuqi mrekullibërëse për lehtësi të tij apo për brohoritje. Çdo akt besimi duhet të mbështetet në premtimin e Perëndisë. Në qoftë se ne e dime se është në vullnetin e Perëndisë që të largohet një lloj vështirësie, atëherë ne mund të lutemi me siguri të plotë besimi që ai të bëhet. Në të vërtetë, ne mund të lutemi me siguri besimi për çdo subjekt ndërsa jemi të sigurt se kjo është sipas vullnetit të Perëndisë, siç është zbuluar në Bibël ose nga dëshmia e brendshme e Frymës. 11:24 Kur jemi duke jetuar vërtet në kontakt me Zotin dhe duke u lutur në Frymë, ne mund të kemi sigurinë e lutjes së plotësuar përpara se përgjigjja të vijë aktualisht. 11:25-26 Por njëra nga kërkesat themelore për lutjen e plotësuar është një frymë falëse. Nëse ushqejmë një sjellje hakmarrëse dhe të sertë, ne s’mund të presim që Perëndia të na dëgjojë e të na përgjigjet. Ne duhet të falim nëse duam që të falemi. Kjo nuk i referohet faljes gjyqësore [juridike] të mëkateve në kohën e kthimit; ajo është krejtësisht një çështje hiri përmes besimit. Kjo i referohet marrëdhënies prindërore të Perëndisë me fëmijët e Tij. Fryma mosfalëse e një besimtari ndërpret bashkësinë me Atin që është në qiejt dhe pengon rrjedhjen e bekimit. E. Diskutimi i autoritetit të Shërbëtorit (11:27-33) 11:27-28 Sapo Ai mbërriti në zonën e tempullit, udhëheqësit fetarë iu afruan Jezusit dhe e sfiduan autoritetin e Tij duke bërë dy pyetje: (1) “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra?”; (2) “Kush ta dha këtë pushtet për t’i kryer këto gjëra?” Bëhej fjalë për pastrimin e tempullit, mallkimin e fikut dhe për hyrjen ngadhënjimtare në Jerusalem. Ata shpresonin ta zinin në grackë Atë, pavarësisht nga përgjigjja e Tij. Në qoftë se Ai do të deklaronte se kishte pushtet në Vetvete si Bir i Perëndisë, ata do ta akuzonin për blasfemi. Në qoftë se Ai do të deklaronte se kishte pushtet nga njerëzit, ata do ta zhvlerësonin. Në qoftë se Ai do të deklaronte se kishte marrë pushtet nga Perëndia, ata do ta sfidonin deklaratën. Ata e konsideronin vetveten udhëheqës fetarë të popullit të caktuar nga Perëndia. 11:29-32 Dhe Jezusi u përgjigj duke bërë një pyetje. A ishte i autorizuar hyjnisht Gjon Pagëzori apo jo? Pagëzimi i Gjonit i referohet gjithë shërbesës së Tij. Ata s’mund t’i përgjigjeshin pa u ndjerë ngusht. Në qoftë se shërbesa e Gjonit kishte qenë e urdhëruar hyjnisht, ata duhej t’i ishin bindur thirrjes së tij për pendim. Po ta nënçmonin shërbesën e Gjonit, ata do të provonin zemërimin e njerëzve të zakonshëm, që Gjonin e konsideronin ende një zëdhënës të Perëndisë. 11:33 Kur ata refuzuan t’i përgjigjeshin, duke pohuar padijen e tyre, Zoti refuzoi të diskutonte për pushtetin e Tij. Për deri sa nuk ishin të gatshëm të njihnin kredencialet e pararendësit, ata zor se do të njihnin kredencialet më të larta të Vetë Mbretit!

F. Shëmbëlltyra e vreshtarëve të këqij (12:1-12)

12:1 Zoti Jezus nuk kishte mbaruar me autoritetet judease, megjithëse Ai kishte refuzuar t’i përgjigjej pyetjes së tyre. Tani, në trajtë shëmbëlltyrash, Ai lëshoi një akuzë therëse ndaj tyre për refuzimin që i bënin Birit të Perëndisë. Njeriu që mbolli një vresht ishte Vetë Perëndia. Vreshti ishte vendi i privilegjuar i zënë atëherë nga Izraeli. Gardhi ishte Ligji i Moisiut, që e ndante Izraelin nga Paganët dhe i ruante ata si një popull i veçuar për Zotin. Vreshtarët ishin udhëheqësit fetarë si farisenjtë, skribët dhe pleqtë. 12:2-5 Në mënyrë të përsëritur, Perëndia dërgoi shërbëtorët e Tij, profetët, te populli i Izraelit, duke kërkuar bashkësi, shenjtëri dhe dashuri, por njerëzit i përndoqën profetët dhe disa prej tyre i vranë. 12:6-8 Në fund, Perëndia dërgoi Birin e Tij të dashur. Sigurisht që ata do të kishin respekt për Të, por nuk ndodhi kështu. Ata komplotuan kundër Tij dhe në fund e vranë. Kështu Zoti paratha vdekjen e Tij dhe zbuloi sheshit vrasësit fajtorë të Tij. 12:9 Çfarë do të bëjë Perëndia me njerëz kaq të liq? Ai do t’i shfarosë ata dhe do t’ia japë vendin e privilegjuar të tjerëve. Të tjerët këtu mund të jenë paganët ose mbetja e Izraelit që do të pendohet në ditët e fundit. 12:10-11 E gjithë kjo ishte përmbushje e Shkrimeve të DhV. Në Psalmin 118:22-23, për shembull, ishte profetizuar se Mesia do të hidhej poshtë nga udhëheqësit judaik në planet e tyre të ndërtimit. Ata nuk do të kishin vend për këtë Gur. Por në vijim të vdekjes së Tij, Ai do të ngrihej nga të vdekurit dhe do t’i jepej vendi i përparësisë nga Perëndia. Ai do të bëhej guri i qoshes në ndërtesën e Perëndisë. 12:12 Udhëheqësit judaik e morën vesh se për çfarë bëhej fjalë. Ata besonin se Psalmi 118 fliste për Mesian. Tani ata po dëgjonin Zotin Jezus t’ia zbatonte atë Vetvetes. Ata kërkuan ta kapin, por koha e Tij nuk kishte ardhur ende. Turma do të kishte mbajtur anën e Jezusit. Kështu udhëheqësit fetarë e lanë kur t’i dilte rasti.

G. T’i japësh Cezarit dhe Perëndisë (12:13-17)

Kapitulli 12 përmban sulme nga ana e farisenjve, e herodianëve dhe e saducenjve kundër Zotit. Është një kapitull pyetjesh (shih 9, 10, 14, 15, 16, 23, 24, 26, 28, 35, 37). 12:13-14 Disa farisenj dhe herodianë, armiq të papajtueshëm, tani ishin mbledhur tok me një urrejtje të përbashkët ndaj Shpëtimtarit. Ata u përpoqën jashtë mase që ta joshnin, në mënyrë që Ai të thoshte diçka që ata të mund ta përdornin si padi kundër Tij. Kështu ata e pyetën nëse është e ligjshme t’i paguhet taksa qeverisë romake. Në mënyrë të veçantë judeasit nuk pëlqenin të jetonin nën sundimin pagan. Farisenjtë e urrenin me zjarr këtë, ndërsa herodianët kishin adoptuar një qëndrim më tolerant. Në qoftë se Jezusi do të kishte miratuar haptas pagimin e taksave Cezarit, Ai do të largonte shumë prej judenjve. Po të fliste kundër Cezarit, ata do ta çonin me ngut Atë tek autoritetet romake për ta arrestuar dhe për ta nxjerrë në gjyq si tradhtar. 12:15-16 Jezusi i kërkoi dikujt që t’i sillte një denar. Me sa duket, Ai Vetë nuk kishte një të tillë. Monedha mbante shëmbëllimin e Tiber Cezarit, një shenjë për judenjtë se ata ishin një popull nën sundim dhe i pushtuar. Pse ishin ata në këtë gjendje? Sepse nuk ishin besnik dhe për shkak të mëkatit. Ata duhej të kishin qenë të përulur në të pranuarit se monedhat që ata përdornin mbanin shëmbëllimin e një diktatori pagan. 12:17 Jezusi u tha: “I jepni Cezarit atë që është e Cezarit dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.” Dështimi i madh i tyre nuk kishte qenë në rastin e parë, por në të dytin. Ata ua kishin paguar taksat romakëve, megjithëse pa dëshirë, por i kishin shpërfillur kërkesat e Perëndisë për jetët e tyre. Monedha kishte shëmbëllimin e Cezarit, prandaj i përkiste Cezarit. Njeriu kishte shëmbëllimin e Perëndisë. Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëllimit të Tij (Zanafilla 1:26-27), prandaj dhe i takon Perëndisë. Besimtari duhet t’i bindet dhe ta përkrahë qeverinë nën të cilën ai jeton. Ai nuk duhet të flasë keq për qeveritarët e tij apo të punojë për ta përmbysur qeverinë. Ai duhet të paguajë taksat dhe duhet të lutet për ata që janë në pushtet. Në qoftë se i kërkohet të bëjë ndonjë gjë që do të dhunonte besnikërinë më të lartë të tij ndaj Krishtit, ai duhet të refuzojë e të marrë ndëshkimin. Kërkesat e Perëndisë duhet të vijnë të parat. Duke i mbajtur lart ato kërkesa, të krishterët duhet të mbajnë gjithmonë një dëshmi të mirë para botës.

H. Saducenjtë dhe enigma e tyre e ringjalljes (12:18-27)

12:18 Saducenjtë ishin liberalët ose racionalistët e asaj kohe. Ata talleshin me idenë e ringjalljes trupore. Kështu ata shkuan te Zoti me një histori qesharake, duke u përpjekur të përqeshin të gjithë idenë. 12:19 Ata i kujtuan Jezusit se Ligji i Moisiut merrte masa të posaçme për të vejat në Izrael. Me qëllim që të ruhet emri i familjes dhe që të mbahet prona në familje, Ligji nënshkruante që nëse një burrë vdiste pa fëmijë, vëllai i tij duhej të martohej me të vejën (Ligji i Perterire 25:5-10). 12:20-23 Ishte një rast imagjinar ku një grua u martua me shtatë vëllezër, njëri pas tjetrit. Atëherë, pas të gjithëve, vdiq edhe ajo. Tani dëgjo se ç’pyetje mjeshtërore! “Në ringjallje,…gruaja e kujt do të jetë ajo?” 12:24 Ata menduan se ishin finokë; Shpëtimtari u tha se ishin thellësisht të paditur si në lidhje me Shkrimet që mësonin për ringjalljen ashtu edhe me pushtetin e Perëndisë që ngjall të vdekurit. 12:25 Së pari ata duhet të dinë se marrëdhënia martesore nuk vazhdon në qiell. Besimtarët do ta njohin njëri-tjetrin në qiell dhe nuk do të humbasin dallimet e tyre si burra dhe gra, por ata as do të martohen as do të martojnë. Në këtë drejtim, ata do të ngjasojnë me engjëjt në qiell. 12:26-27 Pastaj Zoti ynë i çoi saducenjtë, të cilët i vlerësonin librat e Moisiut më tepër sesa pjesa mbetëse e DhV, te tregimi i Moisiut te ferrishtja (Eksodi 3:6). Atje Perëndia foli për Veten e Tij se ishte Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit. Shpëtimtari e përdori këtë për të demonstruar se Perëndia ishte Perëndia i të gjallëve, jo i të vdekurve. Po si kështu? A nuk kishin vdekur Abrahami, Isaku dhe Jakobi kur Perëndia iu shfaq Moisiut? Po, trupat e tyre ishin në Shpellën e Makpelahut në Hebron. Si atëherë Perëndia është Perëndia i të gjallëve? Argumentimi duket se është ky:
  1. Perëndia u kishte bërë premtime patriarkëve në lidhje me vendin dhe në lidhje me Mesian.
  2. Këto premtime nuk ishin përmbushur gjatë jetës së tyre.
  3. Kur Perëndia i foli Moisiut te ferrishtja që digjej, trupat e patriarkëve ishin në varr.
  4. Megjithatë Perëndia foli për Vetveten se është Perëndia i të gjallëve.
  5. Ai duhet t’u përmbushë premtimet e Tij Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.
  6. Prandaj, ringjallja është një nevojë absolute nga çfarë ne dimë nga karakteri i Perëndisë.
Kështu fjala ndarëse e Zotit drejtuar saducenjve ishte: “Ju, pra, po gaboni shumë.”

I. Urdhërimi i madh (12:28-34)

12:28 Një nga skribët, i prekur nga trajtimi me zotësi që Zoti ynë i bëri pyetjeve të kritikëve të Tij, e pyeti Jezusin se cili është urdhërimi më i rëndësishëm. Ishte një pyetje e ndershme dhe në disa drejtime ishte pyetja më themelore e jetës. Ai po kërkonte me të vërtetë një shpallje të ngjeshur të qëllimit kryesor të ekzistencës së njeriut. 12:29 Jezusi filloi duke cituar nga Shema, një shpallje judease besimi e marrë nga Ligji i Përtërirë 6:4: “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot.” 12:30 Pastaj Ai përmblodhi përgjegjësinë e njeriut ndaj Perëndisë: Duaje Atë me tërësinë e zemrës, shpirtit, mendjes dhe të forcës tënde. Perëndia duhet të ketë vendin më të lartë në jetën e njeriut. Asnjë dashuri tjetër s’mund të lejohet të rivalizojë dashurinë për Perëndinë. 12:31 Gjysma tjetër e Dhjetë Urdhërimeve na mëson që ta duam të afërmin tonë porsi veten. Ne duhet ta duam Perëndinë më shumë se vetveten, të afërmin tonë si vetveten. Kështu, jeta që vërtet ka vlerë së pari ka të bëjë me Perëndinë, pastaj me të tjerët. Gjërat materiale nuk përmenden. Perëndia është i rëndësishëm dhe njerëzit janë të rëndësishëm. 12:32-33 Skribi ishte i një mendjeje me gjithë zemër, duke pohuar me qartësi të lavdërueshme se dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin tënd ishin shumë më të rëndësishme se sa ritet. Ai kuptoi se njerëzit mund të bëjnë ceremoni fetare dhe mund të marrin një pamje publike të përshpirtshme pa patur një shenjtëri të brendshme vetjake. Ai dalloi se Perëndia është i interesuar se kush është një njeri si nga ana e brendshme ashtu edhe nga ajo e jashtme. 12:34 Kur Jezusi dëgjoi këtë vërejtje të rëndësishme, Ai i tha skribit se nuk ishte larg nga mbretëria e Perëndisë. Shtetasit e vërtetë të mbretërisë nuk përpiqen ta mashtrojnë Perëndinë, njerëzit e tyre apo vetveten me një fe të jashtme. Duke kuptuar se Perëndia shikon zemrën, ata shkojnë tek Ai për t’u pastruar nga mëkati dhe për fuqi për të jetuar në një mënyrë që Atij i pëlqen. Pas kësaj, askush nuk guxoi t’i ngrinte kurth Zotit Jezus duke i bërë pyetje tendencioze.

J. Biri i Davidit është Zoti i Davidit (12:35-37)

Skribët gjithmonë u kishin mësuar të tjerëve se Mesia do të ishte një pasardhës i drejtpërdrejtë i Davidit. Kjo ishte e vërtetë, por nuk ishte tërë e vërteta. Kështu Zoti Jezus tani u shtron një problem atyre që ishin të mbledhur rreth Tij në oborrin e tempullit. Te Psalmi 110:1, Davidi foli për Mesian që do të vinte si Zoti i tij. Si është e mundur kjo? Si është e mundur që Mesia të jetë Bir i Davidit dhe Zot i tij njëkohësisht? Për ne përgjigjja është e qartë. Mesia do të ishte edhe Njeri edhe Perëndi. Si Bir i Davidit, Ai do të ishte njerëzor. Si Zot i Davidit, Ai do të ishte hyjnor. Pjesa më e madhe e dëgjonte me ëndje. Në dukje ata ishin të gatshëm që ta pranonin faktin, megjithëse mund të mos e kishin kuptuar atë plotësisht. Por asgjë nuk thuhet për farisenjtë dhe skribët. Heshtja e tyre është ogurzezë.

K. Paralajmërim kundër skribëve (12:38-40)

12:38-39 Nga ana e jashtme, skribët ishin fetarë. Atyre ua kishte ënda të parakalonin me rroba të gjata. Kjo i dallonte ata nga turma e zakonshme dhe u jepte një pamje shenjtorësh. Atyre ua kishte ënda që t’i përshëndetnin me tituj të lartë e të fryrë në vende publike. Kjo forconte krenarinë e tyre! Ata kërkonin vendet e nderit në sinagoga, sikur pozicionet fizike të kishin të bënin në ndonjë farë mënyre me perëndishmërinë. Ata jo vetëm që donin spikatjen fetare, por edhe nderimin shoqëror. Ata donin vendet e para në gosti. 12:40 Nga brenda, ata ishin të babëzitur dhe të pasinqertë. Ata u vidhnin të vejave pronat dhe mjetet e jetesës për të pasuruar vetveten, duke u shtirë se paraja ishte për Zotin! Ata recitonin lutje të gjata, fjalë të fryra e të mëdha kotësie, lutje veç prej fjalësh. Me pak fjalë, ata pëlqenin veçantinë (rrobat e gjata), popullaritetin (përshëndetjet), dominimin (postet më të mira), përparësinë (vendet më të mira), pasuritë (shtëpitë e të vejave) dhe perëndishmërinë e rremë (lutjet e gjata).

L. Dy qindarkat e të vejës (12:41-44)

Në kontrast të gjallë me kopracinë e skribëve ishte kjo devotshmëri e së vejës. Ata i përpinin shtëpitë e të vejave; ajo dha gjithë sa kishte për Zotin. Ngjarja tregon gjithëdijen e Zotit. Duke i parë të pasurit të hedhin dhurata mjaft të mëdha në arkë për thesarin e tempullit, Ai e dinte se dhënia e tyre nuk përbënte një flijim. Ata hodhën nga teprica e tyre. Duke ditur gjithashtu se dy qindarkat që ajo dha ishin aq sa kishte për të jetuar, Ai kumtoi se ajo dha më shumë se të gjithë së bashku. Si vlerë monetare, ajo dha shumë pak, por Zoti e vlerëson dhënien nga motivi që kemi, nga mënyra jonë dhe nga sa kemi lënë. Ky është një inkurajim i madh për ata që kanë pak pasuri materiale, por një dëshirë të madhe për t’i dhënë Atij. Është e mahnitshme se si ne mund të miratojmë veprimin e së vejës e të jemi të një mendjeje me gjykimin e Shpëtimtarit pa imituar shembullin e saj! Nëse vërtetë besuam atë që themi se besojmë, ne do të bënim pikërisht atë që bëri ajo. Dhurata e saj shprehu bindjen e saj se gjithçka i përkiste Zotit, se Ai ishte i denjë për gjithçka, se Ai duhet të ketë gjithçka. Sot, shumë të krishterë do ta kritikonin atë, sepse ajo nuk kishte parashikuar për të ardhmen e saj. A tregon kjo një mungesë largpamësie dhe urtësie? Kështu do të argumentonin njerëzit, por kjo është jeta e besimit: të hedhësh gjithçka në veprën e Perëndisë tani dhe të besosh tek Ai për të ardhmen. A nuk premtoi se do të parashikonte për ata që së pari kërkojnë mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij (Mt. 6:33)? Radikal? Revolucionar? Po të mos shohim se mësimet e Krishtit janë radikale dhe revolucionare, ne kemi humbur theksin e shërbesës së Tij.