Shërbesa e Birit të Perëndisë ndaj të tijve (Gjoni 12-17)

A. Jezusi vajoset në Betani (12:1-8)

12:1 Shtëpia në Betani ishte një vend ku Jezusi kishte dëshirë të rrinte. Aty ai kënaqej në përbashkësinë me Llazarin, Marinë dhe Martën. Duke ardhur në Betani në këtë kohë, Ai ishte, duke folur nga pikëpamja njerëzore, duke vënë Veten në rrezik sepse afër Jerusalemit ndodheshin qendrat e forcave që ishin organizuar për kapjen e Tij.

12:2 Pavarësisht nga shumica që ishin kundër Jezusit, kishte ende disa zemra që rrihnin për Të. Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me Zotin, dhe Marta shërbente. Shkrimet nuk thonë asgjë për çfarë Llazari pa apo dëgjoi nga koha që kishte vdekur deri në ditën kur u ringjall. Ndoshta atij i ishte ndaluar nga Perëndia të bënte të njohur një informacion të tillë.

12:3 Disa herë është shënuar në Ungjijtë që Zoti Jezus ishte vajosur nga një grua. Dy incidente nuk mund të jenë saktësisht njëlloj, por ky incident në përgjithësi mendohet të jetë parallel me Markun 14:3-9. Përkushtimi që Maria kishte ndaj Jezusit e bëri atë të merrte këtë liber vaji erëkëndshëm prej nardi të pastër dhe të vajoste këmbët e Tij. Ajo ishte duke thënë në fakt që nuk kishte asgjë shumë me vlerë për t’ia dhënë Krishtit. Ai është i denjë për gjithçka që ne kemi dhe jemi.

Sa herë që ne takojmë Marinë, ajo është në këmbët e Jezusit. Këtu ajo është duke fshirë këmbët e Tij me flokët e saj. Përderisa flokët e një gruaje janë lavdia e saj, ajo ishte duke hedhur lavdinë e saj në këmbët e Tij. Nuk ka nevojë të thuhet që edhe Maria për një farë kohe pas kësaj duhet të ketë pasur me vete aromën e atij parfumi. Kështu kur Krishti adhurohet, adhuruesit vetë mbartin me vete diçka nga aroma e atij momenti. Asnjë shtëpi nuk mbushet me një aromë të këndshme sa ajo shtëpi ku Jezusit i është dhënë vendi që Ai meriton.

12:4, 5 Këtu shohim që mishi futet në një nga rastet më të shenjta. Ai njeri që ishte gati për të tradhtuar Zotin nuk mund të duronte që një vaj kaq i çmuar të përdorej në këtë mënyrë.

Juda nuk e konsideronte Jezusin të denjë për treqind denarë. Ai mendoi që parfumi duhet të ishte shitur dhe t’u ishte dhënë të varfërve. Por kjo ishte një hipokrizi e pastër. Ai nuk kujdesej për të varfërit më shumë sesa për Zotin. Ai ishte gati ta tradhëtonte Atë, jo për treqind denarë, por për një të tretën e kësaj sasie. Ryle ka thënë:

Që dikush ta ndjekë Krishtin si një dishepull për tre vjet, të shohë gjithë mrekullitë e Tij, të dëgjojë mësimet e Tij, të marrë mirësinë e Tij, të llogaritet një apostull, dhe përsëri në fund të japë provën e ligësisë së zemrës së Tij, gjithë kjo në pamje të parë duket e pamundur dhe e pabesueshme! E përsëri, sjellja e Judës tregon thjesht që një gjë e tillë është e mundshme. Nga të gjitha gjërat që janë të vështira të kuptohen, rënia e njeriut është e madhja. [39]

12:6 Gjoni u tregua i shpejtë për të shtuar që Juda nuk e tha një gjë të tillë ngaqë kishte dashuri për të varfërit, por ngaqë ishte një vjedhës dhe ishte lakmitar. Juda mbante qesen, mbante ç’shtinin atje brenda.

12:7 Zoti në fakt u përgjigj si të thoshte, “Mos e ndaloni atë duke bërë një gjë të tillë. Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim. [40] Tani ajo dëshiron ta derdhë atë mbi Mua si akt dashurie dhe adhurimi. Ajo duhet lejuar për një gjë të tillë.”

12:8 Nuk do të ketë kurrë një kohë kur nuk do të ketë njerëz të varfër mbi këtë tokë ndaj të cilëve të tjerët mund të derdhin mirësinë e tyre. Por shërbesa e Zotit në tokë ishte duke mbaruar. Maria nuk do ta kishte gjithmonë mundësinë për ta përdorur këtë vaj mbi Të. Kjo gjë duhet të na kujtojë ne që mundësitë frymërore janë duke kaluar. Ne nuk duhet të vonohemi kurrë për të bërë atë që mund të bëjmë për Shpëtimtarin.

B. Komploti kundër Llazarit (12:9-11)

12:9 Shpejt u përhap fjala që Jezusi ishte afër Jerusalemit. Nuk ishte më e mundur që prania e Tij të mbahej sekret. Shumë nga Judenjtë erdhën në Betani për ta parë Atë, dhe të tjerë erdhën të shihnin Llazarin të cilin Ai e kishte ringjallur prej së vdekurish.

12:10, 11 Në këtë varg është portretizuar edhe një herë urrejtja e zemrës njerëzore. Krerët e priftërinjve vendosën ta vrasin edhe Llazarin. Dikush mund të mendonte që ai kishte kryer një tradhëti të lartë duke qenë i ringjallur prej së vdekurish! Nuk kishte asgjë mbi të cilën ai kishte kontroll, dhe përsëri ata mendonin se ai ishte i denjë për të vdekur.

Për shkak të Llazarit shumë prej Judenjve besuan në Jezusin. Kështu pra Llazari ishte një armik i “qeverisjes” Judease dhe duhej hequr qafe. Ata që sjellin të tjerët tek Zoti janë bërë gjithmonë shënjestër për persekutime dhe madje edhe për martirizim.

Disa komentatorë sugjerojnë se ngaqë kryepriftërinjtë ishin Saducenj, që mohonin ringjalljen, ata donin ta hiqnin qafe këtë provë ringjalljeje, duke shkatërruar Llazarin.

C. Hyrja triumfuese (12:12-19)

12:12, 13 Tani ne vijmë tek hyrja triumfuese e JezusitJerusalem. Ishte e diela përpara kryqëzimit të Tij.

Është e vështirë të dihet saktësisht se çfarë mendonte kjo turmë për Jezusin. A e kishin kuptuar ata me të vërtetë që Ai ishte Biri i Perëndisë dhe Mesia i Izraelit? Apo ata thjesht mendonin që Ai ishte Mbreti që do t’i çlironte ata nga shtypja Romake? A ishin ata të nxitur thjesht nga emocionet e momentit? Padyshim që disa në atë grup ishin besimtarë të vërtetë, por përshtypja që ky grup të lë, është se ata nuk kishin një zemër të interesuar me të vërtetë për Zotin.

Degët e palmës janë një emblemë pushimi dhe paqeje pas trishtimit (Zbulesa 7:9). Fjala “Hosana” do të thotë “Të lutemi, shpëto tani.” Duke i bashkuar këto mendime, mund të duket sikur populli ishte duke e shpallur Jezusin si Ai që ishte dërguar nga Perëndia për t’i shpëtuar ata nga tirania Romake dhe për t’u dhënë atyre pushim dhe paqe pas trishtimit që kishin kaluar në këto vite të gjata të pushtimit pagan.

12:14, 15 Jezusi po hynte në qytet mbi një kërriç, një mënyrë e zakonshme transportimi. Megjithatë, më shumë se kaq Zoti ishte duke përmbushur profecinë duke ardhur në këtë mënyrë.

Ky citim ishte marrë nga Zakaria 9:9. Aty profeti tha se kur Mbreti të vinte në Izrael, Ai do të kalëronte mbi një kërriç gomareje. Bija e Sionit është një shprehje figurative që i referohet popullit Jude, Sioni është një kodër në qytetin e Jerusalemit.

12:16 Dishepujt nuk kuptuan që ajo që po ndodhte ishte një përmbushje e profecisë së Zakarias, që Jezusi po hynte në Jerusalem si një Mbret i ligjshëm i Izraelit. Por pasi Zoti ishte kthyer në qiell për të qenë përlëvduar në të djathtë të Atit, dishepujt kuptuan që këto ngjarje kishin qenë një përmbushje e Shkrimeve.

12:17, 18 Në turmën që shihte Jezusin duke hyrë në Jerusalem kishte njerëz të cilët e kishin parë Atë duke ringjallur Llazarin. Këta u thanë të tjerëve që Ky që kishte hipur mbi gomar ishte Ai që kishte ringjallur Llazarin prej së vdekurish. Si rezultat i shpërndarjes së këtij lajmi, një turmë e madhe njerëzish doli përpara për ta takuar Jezusin. Fatkeqësisht, motivi i tyre ishte më tepër kuriozitet sesa besim i vërtetë.

12:19 Ndërkohë që turma rritej në numër dhe po kështu edhe interesi për Shpëtimtarin, Farisenjtë po çmendeshin. Asgjë që ata thoshin ose bënin nuk kishte efektin më të vogël mbi njerëzit. Me një ekzagjerim të shfrenuar ata thirrën duke thënë se gjithë bota kishte shkuar pas Jezusit. Ata nuk kuptuan që interesi i turmës nuk ishte gjë tjetër veçse diçka kalimtare, dhe që ata që dëshironin ta adhuronin Jezusin si Birin e Perëndisë ishin shumë pak.

D. Disa Grekë dëshirojnë ta shohin Jezusin (12:20-26)

12:20 Grekët që erdhën te Jezusi ishin Johebrenj të kthyer në Judaizëm. Fakti që ata erdhën për të adhuruar gjatë festës tregon që ata nuk ishin duke bërë më ritet e trashëguara nga gjyshërit e tyre. Ardhja e tyre te Zoti Jezus paraqet faktin që kur Judenjtë e hodhën poshtë Zotin Jezus, johebrenjtë do ta dëgjonin ungjillin dhe shumë prej tyre do të besonin.

12:21 Nuk është dhënë asnjë arsye përse ata erdhën tek Filipi. Ndoshta emri i tij grek dhe fakti që ai ishte nga Betsaida e Galilesë e bënë atë tërheqës në sy të këtyre paganëve prozelitë. Kërkesa e tyre ishte me të vërtetë fisnike. “Zotëri, duam të shohim Jezusin.” Asnjë që ka në zemër një dëshirë të tillë të sinqertë nuk kthehet mbrapsht pa u shpërblyer.

12:22 Ndoshta Filipi nuk ishte aq i sigurt nëse Zoti do të donte t’i takonte këta Grekë apo jo. Krishti më parë u kishte thënë dishepujve të mos shkonin tek Johebrenjtë me ungjillin, kështu që Filipi shkoi tek Andrea dhe së bashku shkuan tek Jezusi.

12:23 Përse dëshironin Grekët ta shihnin Jezusin? Nëse lexojmë vargjet ne mund ta marrim me mend që ishte dituria e Jezusit ajo që i tërhoqi ata dhe që ata dëshironin ta lartësonin Atë si filozofin e tyre. Ata e dinin që Ai ishte në përplasje me rrjedhën e krerëve Judenjë dhe dëshironin t’i shpëtonin jetën, ndoshta duke e marrë me vete në Greqi. Filozofia e tyre ishte “Shpëto vetveten,” por Jezusi u tha atyre se kjo filozofi ishte drejtpërsëdrejti në kundërshtim me ligjin e të korrave. Ai do të përlëvdohej në vdekjen e Tij sakrifikuese dhe jo me anë të një jete të rehatshme.

12:24 Fara kurrë nuk mund të prodhojë grurë nëse nuk bie në fillim në dhe e nëse nuk vdes. Këtu Zoti Jezus i referohet Vetvetes si një kokërr gruri. Nëse Ai nuk do të vdiste, do të qëndronte i vetëm. Ai do t’i gëzonte lavditë e qiellit vetëm; nuk do të kishte atje mëkatarë të shpëtuar për të ndarë lavdinë e Tij. Por nëse vdiste, Ai do të siguronte një rrugë shpëtimi me anë të së cilës shumë do të shpëtoheshin.

E njëjta gjë ka vlerë edhe për ne, siç ka thënë T. G. Ragland:

Nëse ne refuzojmë të jemi kokrra gruri – që bien në tokë dhe vdesin; nëse ne kurrë nuk do të sakrifikojmë perspektivën tonë, dhe as do të vëmë në rrezik karakterin, pronën, shëndetin; dhe nëse kur na bëhet thirrje nuk do të lëmë shtëpinë dhe nuk do të thyejmë lidhjet familjare për hir të Krishtit; atëherë ne do të qëndrojmë vetëm. Por nëse dëshirojmë të jemi të frytshëm, ne duhet të ndjekim vetë Zotin tonë të Bekuar, duke u bërë një kokërr gruri dhe duke vdekur, atëherë ne do të japim shumë fryt. [41]

12:25 Shumë njerëz mendojnë që gjërat e rëndësishme në jetë janë ushqimi, veshja dhe qejfi. Ata jetojnë për këto gjëra. Por duke dashur kështu jetët e tyre, ata dështojnë të kuptojnë se shpirti është më i rëndësishëm se trupi. Duke neglizhuar mirëqenien e shpirtit, ata humbin jetët e tyre. Nga ana tjetër, janë ata që i vlerësojnë të gjitha gjërat si humbje për shkak të Krishtit. Për t’i shërbyer Atij, ata u paraprijnë gjërave që vlerësohen shumë ndër njerëzit. Këta janë ata njerëz që do t’i ruajnë jetët e tyre për jetën e përjetshme. Të urresh jetën tënde do të thotë të duash Krishtin më shumë se interesat e tua.

12:26 Që një njeri t’i shërbejë Krishtit, ai duhet ta ndjekë Atë. Ai i do shërbëtorët e Tij t’i binden mësimeve të Tij dhe t’i ngjajnë Atij moralisht. Ata duhet ta ushtrojnë shembullin e vdekjes së Tij në jetët e tyre. Të gjithë shërbëtorëve u është premtuar prania e vazhdueshme e Zotërisë së tyre, dhe kjo nuk është vetëm për jetën e tanishme, por edhe për gjithë përjetësinë. Shërbesa e tanishme do të marrë miratimin e Perëndisë në një ditë në të ardhmen. Nëse dikush vuan turp edhe fyerje këtu, kjo nuk do të jetë asgjë krahasuar me lavdinë e të qenurit i lavdëruar publikisht nga Perëndia At në qiell!

E. Jezusi përballet me vdekjen e pashmangshme (12:27-36)

12:27 Mendimet e Zotit ishin gjithnjë e më shumë drejt ngjarjeve që shtriheshin përpara Tij. Ai po mendonte për kryqin dhe për kohën kur do të bëhej Mbartësi i Mëkateve dhe të duronte zemërimin e Perëndisë kundër mëkateve tona. Duke menduar për atë “orë të pikëllimit të thellë” (JBP), shpirti i Tij ishte tronditur. Si mund të lutej Ai në një moment të tillë? A duhet t’i kërkonte Ai Atit të Tij ta shpëtonte nga kjo orë? Ai nuk mund të lutej për këtë sepse qëllimi i ardhjes së Tij në botë ishte të shkonte në kryq. Ai kishte lindur për të vdekur.

12:28 Në vend që të lutej që të mund të shpëtonte nga kryqi, Zoti Jezus u lut që emri i Atit të Tij të mund të përlëvdohej. Ai ishte më shumë i interesuar për nderin që do t’i vinte Perëndisë sesa për rehatinë apo sigurinë e Tij. Tani Perëndia foli nga qielli, duke thënë që Ai e kishte përlëvduar emrin e Tij dhe do ta përlëvdonte akoma. Emri i Perëndisë ishte përlëvduar gjatë shërbesës së Zotit Jezus këtu në tokë. Tridhjetë vjetët e heshtur të Nazaretit, tre vitet e shërbesës publike, fjalët dhe veprat e mrekullueshme të Shpëtimtarit – të gjitha këto e kishin përlëvduar mjaft emrin e Atit. Por lavdi akoma më e madhe do t’i vinte Perëndisë nëpërmjet vdekjes, varrimit, ringjalljes dhe Ngjitjes së Krishtit.

12:29 Disa prej atyre që ishin afër ngatërruan zërin e Perëndisë me bubullimën. Njerëz të tillë janë gjithmonë duke u përpjekur për t’i dhënë një shpjegim natyror gjërave frymërore. Njerëzit që nuk dëshirojnë të pranojnë faktin e mrekullive, përpiqen t’i shpjegojnë ato nëpërmjet ligjeve të natyrës. Të tjerët e dinin që nuk ishte një bubullimë, dhe përsëri nuk e njohën atë si zërin e Perëndisë. Duke kuptuar që ishte diçka e mbinatyrshme ata mundën të thoshin se ishte vetëm një engjëll. Zëri i Perëndisë mund të dëgjohet dhe të kuptohet vetëm nga ata që ndihmohen nga Fryma e Shenjtë. Njerëzit mund ta dëgjojnë disa herë ungjillin, dhe përsëri për ta mund të jetë i pakuptimtë nëse Fryma e Shenjtë nuk u flet atyre me anë të tij.

12:30 Zoti u shpjegoi dëgjuesve që ky zë nuk kishte nevojë të ishte i dëgjueshëm për që Ai të mund ta dëgjonte. Për më tepër ishte i dëgjueshëm për hir të atyre që qëndronin aty përreth.

12:31 “Tani është gjykimi i kësaj bote,” tha Ai. Bota ishte gati për të kryqëzuar Zotin e jetës dhe lavdisë. Duke bërë kështu ajo po dënonte veten. Dënimi do të kalonte mbi të për shkak të mospranimit të Krishtit. Kjo është ajo që Shpëtimtari dëshironte të thoshte këtu. Dënimi ishte gati për të kaluar mbi njerëzimin mëkatar. Princi i kësaj bote është Satani. Në një kuptim të plotë, Satani u mund njëherë e përgjithmonë në Kalvar. Ai mendoi se kishte patur sukses ndaj Zotit Jezus. Por në vend të kësaj Shpëtimtari kishte siguruar një udhë shpëtimi për njeriun, dhe në të njëjtën kohë kishte mposhtur djallin dhe gjithë ushtritë e tij. Dënimi nuk është zbatuar akoma mbi djallin, por errësira e tij është vulosur tashmë. Ai ende është duke qarkulluar në botë, duke punuar djallëzisht, por është thjesht një çështje kohe përpara se ai të hidhet në liqenin e zjarrit.

12:32 Pjesa e parë e këtij vargu i referohet vdekjes së Krishtit mbi kryq. Ai u kryqëzua në një kryq të drunjtë dhe u ngrit lart nga toka. Zoti tha që nëse do të kryqëzohej kështu, Ai do t’i tërhiqte të gjithë tek Vetja e Tij. Për këtë janë dhënë disa shpjegime. Disa mendojnë që Krishti i tërheq të gjithë njerëzit ose për shpëtim ose për dënim. Të tjerë mendojnë që nëse Krishti ngrihet lart në predikimin e Ungjillit, atëherë do të ketë një fuqi të madhe në mesazh dhe shpirtra do të tërhiqen tek Ai. Por ndoshta shpjegimi i saktë i kësaj është se me anë të kryqëzimit të Zotit Jezus njerëz të gjitha llojeve u tërhoqën tek Ai. Nuk do të thotë të gjithë njerëzit pa përjashtim, por njerëz nga çdo komb, fis dhe gjuhë.

12:33 Kur Zoti Jezus foli për ngritjen lart të Tij, Ai nënkuptoi llojin e vdekjes me të cilën Ai do të vdiste, pra me anë të kryqëzimit. Këtu kemi përsëri një provë që tregon gjithëdijen e Zotit. Ai e dinte që më parë që nuk do të vdiste në shtrat apo me anë të një aksidenti, por që do të gozhdohej në një kryq.

12:34 Njerëzit u habitën nga shprehja e Zotit për faktin e të ngriturit lart. Ata e dinin që Ai kishte thënë se ishte Mesia, dhe përsëri ata e dinin nga DhV që Mesia do të jetonte përjetë (shikoni Isaia 9:7; Psa. 110:4; Dan. 7:14; Mik. 4:7). Vini re që njerëzit cituan Jezusin si të ishte duke thënë, “Biri i Njeriut duhet të ngrihet lart.” Në të vërtetë, Ai kishte thënë, “Dhe Unë kur të jem ngritur lart nga toka.” Sigurisht që Zoti Jezus i ishte referuar vetvetes si Biri i Njeriut dhe ndoshta Ai kishte folur edhe më parë që Biri i Njeriut do të ngrihej lart, kështu që nuk ishte e vështirë për njerëzit për t’i vendosur këto dy mendime së bashku.

12:35 Kur njerëzit e pyetën Jezusin se kush ishte Biri i Njeriut, Ai foli përsëri për Veten si drita e botës. Ai u kujtoi atyre që drita do të ishte me ta vetëm për një kohë të shkurtër. Ata duhet të vinin tek Drita dhe të ecnin në Dritë; ndryshe errësira do t’i zinte, dhe ata do të pengoheshin në padije. Duket sikur Zoti e përngjason veten me diellin dhe me dritën që ai ofron. Dielli lind në mëngjes, arrin majën e tij në mesditë dhe zbret në horizont në mbrëmje. Ai është me ne vetëm për një periudhë të kufizuar orësh. Ne duhet të përfitojmë gjatë kohës që ai është këtu, sepse kur vjen nata ne nuk mund të përfitojmë prej tij. Në anën frymërore, ai që beson në Zotin Jezus është ai që ecën në dritë. Ai që e kundërshton Atë ecën në errësirë dhe nuk e di se ku po shkon. Atij i mungon drejtimi hyjnor dhe pengohet gjatë jetës së tij.

12:36 Përsëri Zoti Jezus i paralajmëron dëgjuesit e Tij për të besuar në Të për aq kohë sa ka mundësi. Duke bërë këtë ata do të bëhen bij të dritës. Atyre do t’u sigurohet drejtimi nëpër jetë dhe përjetësi. Pasi tha këto fjalë, Zoti u largua prej njerëzve dhe qëndroi i fshehur për pak kohë.

F. Dështimi i shumicës së Judenjve për të besuar (12:37-43)

12:37 Gjoni pushon këtu për të shprehur çudinë e tij që megjithëse Zoti Jezus kishte bërë aq shumë shenja, përsëri njerëzit nuk besuan në Të. Siç kemi përmendur më parë, mosbesimi i tyre nuk vinte nga mungesa e provave. Zoti Jezus kishte dhënë provat më bindëse që flisnin për hyjninë e Tij, por njerëzit nuk donin të besonin. Ata dëshironin një mbret për të qeverisur mbi ta, por ata nuk dëshironin të pendoheshin.

12:38 Mosbesimi i Judenjve ishte në përmbushje të profecisë dhënë në Isaia 53:1. Pyetja, “Zot kush i ka besuar predikimit tonë?” kërkon një përgjigje, “Jo shumë!” Përderisa krahu në Shkrimet flet për fuqi dhe forcë, krahu i Zotit flet për fuqinë e Perëndisë. Fuqia e Perëndisë u zbulohet vetëm atyre që besojnë raportimin e dhënë në lidhje me Zotin Jezus Krisht. Prandaj, ngaqë jo shumë pranuan shpalljen në lidhje me Mesian, fuqia e Perëndisë nuk iu zbulua shumë njerëzve.

12:39 Kur Zoti Jezus prezantoi Vetveten ndaj kombit të Izraelit, ata e hodhën poshtë Atë. Herë pas here, Ai u kthye tek ata me ofertën e shpëtimit, por ata vazhduan të thoshin “jo.” Sa më shumë që e kundërshtojnë njerëzit ungjillin, aq më e vështirë është për ta që ta pranojnë atë. Kur njerëzit mbyllin sytë për të mos parë Dritën, Perëndia e bën më të vështirë të parit e saj. Perëndia bën që ata të pengohen nga ajo që njihet si verbëria juridike, pra një verbëri që është gjykimi i Perëndisë mbi ta si rezultat i refuzimit të Birit të Tij.

12:40 Ky citim ishte nga Isaia 6:9, 10. Perëndia i verboi sytë e Izraelit dhe ngurtësoi zemrat e tyre. Ai nuk e bëri këtë gjë që në fillim, por pasi ata mbyllën sytë e tyre dhe ngurtësuan zemrat e tyre. Si rezultat i kokëfortësisë së Izraelit dhe refuzimit me vullnet të Mesias, ata e privuan vetveten nga të parit, të kuptuarit, kthimit dhe shërimit.

12:41 Në Isaia 6 profeti përshkruhet si dikush që është duke parë lavdinë e Perëndisë. Gjoni tani shtoi shpjegimin që ishte pikërisht lavdia e Krishtit ajo që Isaia pati parë, dhe ishte pikërisht Krishti, Ai për të cilin profeti foli. Kështu pra ky varg është një lidhje tjetër e rëndësishme në zinxhirin e evidencave që provojnë se Jezus Krishti është Perëndi.

12:42 Shumë nga krerët e Judenjve u bindën që Jezusi ishte Mesia. Megjithatë, ata nuk guxuan të ndanin bindjen e tyre me të tjerët që të mos përjashtoheshin. Do të na pëlqente të mendonim që këta burra ishin besimtarë në Zotin Jezus, por nuk është e sigurt. Atje ku ka besim të vërtetë, ka edhe rrëfim të Krishtit, herët a vonë. Kur Krishti pranohet me të vërtetë si Shpëtimtar, nuk ka hezitim për ta bërë një gjë të tillë të njohur, pavarësisht nga pasojat.

12:43 Duket qartë që këta njerëz ishin më tepër të interesuar në lavdinë e njerëzve sesa në lavdinë e Perëndisë. Ata mendonin më shumë për aprovimin e njerëzve sesa të Perëndisë. A mund të jetë një person i tillë me të vërtetë një besimtar në Krishtin? Shikoni kapitullin 5, vargun 44 për një përgjigje.

G. Rreziku i mosbesimit (12:44-50)

12:44 Vargu 44 mund të parafrazohet si më poshtë: “Ai që beson në Mua beson në fakt jo vetëm në Mua, por edhe në Atin që më ka dërguar.” Edhe njëherë këtu Zoti mëson unitetin e Tij absolut me Perëndinë At. Ishte e pamundur të besoje në Njërin pa besuar në Tjetrin. Të besosh në Krishtin do të thotë të besosh në Perëndinë At. Një person nuk mund të besojë në Atin nëse nuk e nderon në të njëjtën mënyrë edhe Birin.

12:45 Në një farë kuptimi, askush nuk mund ta shohë Perëndinë At. Ai është Frymë dhe si rrjedhim është i padukshëm. Por Zoti Jezus kishte ardhur në botë për të bërë të mundur që ne të dinim se si është Perëndia. Me këtë ne nuk duam të themi që Ai na lejon të njohim se si është Perëndia fizikisht, por moralisht. Ai na ka zbuluar karakterin e Perëndisë. Prandaj kushdo që ka parë Krishtin, ka parë Perëndinë At.

12:46 Ilustrimi i dritës ishte me sa duket një nga më të preferuarit e Zotit. Përsëri Ai i referohet Vetvetes si një dritë që vjen në botë me qëllim që ata që besojnë në Të të mos mbeten në errësirë. Larg nga Krishti, njerëzit janë në errësirën më të thellë. Ata nuk kanë një të kuptuar të drejtë mbi jetën, vdekjen apo përjetësinë. Por ata që vijnë te Krishti me besim nuk kërkojnë më për të vërtetën sepse ata e kanë gjetur atë tek Ai.

12:47 Qëllimi i ardhjes së parë të Krishtit nuk ishte për të gjykuar botën, por për të shpëtuar. Ai nuk u ul për të gjykuar ata që refuzuan të dëgjonin fjalët e Tij apo të besonin në Të. Kjo nuk do të thotë që Ai nuk do t’i gjykojë këta mosbesues një ditë në të ardhmen, por që gjykimi nuk ishte qëllimi i ardhjes së Tij të parë.

12:48 Zoti tani pa atë ditë në të ardhmen, kur ata që kishin refuzuar fjalët e Tij do të qëndronin përpara shkopit gjykues të Perëndisë. Në atë kohë, fjalët e Zotit Jezus do të ishin të mjaftueshme për t’i dënuar ata.

12:49 Gjërat që Ai u mësonte nuk ishin gjëra që i kishte shpikur vetë ose gjëra të mësuara nëpër shkolla njerëzore. Për më tepër, si Bir dhe Shërbëtor i bindur, Ai kishte folur vetëm ato gjëra që Ati i kishte thënë të fliste. Ky është fakti që do t’i dënojë njerëzit ditën e fundit. Fjala që Jezusi foli ishte fjala e Perëndisë dhe njerëzit refuzuan ta dëgjonin. Ati i kishte thënë Atij jo vetëm ato që duhet të thoshte, por edhe çfarë duhet të shpallte. Ka një ndryshim midis të dyjave. Shprehja “çfarë duhet të them i referohet thelbit të mesazhit; “çfarë duhet të shpall” nënkupton çdo fjalë që Zoti Jezus duhet të përdorte kur të mësonte të vërtetën e Perëndisë.

12:50 Jezusi e dinte që Ati e kishte urdhëruar Atë që t’u jepte jetë të përjetshme atyre që do të besonin në Të. Prandaj, Krishti e dha mesazhin ashtu siç i ishte dhënë Atij nga Ati.

Tani ne vijmë në një pikë të veçantë të tregimit. Deri në këtë pikë Zoti ia kishte paraqitur Vetveten Izraelit. Shtatë shenja dhe mrekulli janë shënuar dhe secila ilustron një eksperiencë që do të ndodhë kur një mëkatar vendos besimin e tij në Krishtin. Shenjat janë:

  1. Kthimi i ujit në verë në dasmën e Kanës të Galilesë (2:1-12). Kjo paraqet mëkatarin i cili është një i huaj për gëzimin hyjnor, por që transformohet nga fuqia e Krishtit.
  2. Shërimi i djalit të nëpunësit (4:46-54). Kjo paraqet mëkatarin si të sëmurë dhe në nevojë për shërim frymëror.
  3. Shërimi i të paralizuarit në pellgun e Betesdës (kapitulli 5). Mëkatari i mjerë është pa fuqi, pa ndihmë dhe i pamundur për të bërë diçka për të rregulluar gjendjen e tij. Jezusi e shëron atë nga gjendja e palëvizshmërisë.
  4. Ushqimi i pesëmijë vetave (kap. 6). Mëkatari është pa ushqim, i uritur, dhe në nevojë të asaj që jep fuqinë. Zoti siguron ushqim për shpirtin e tij, që ai të mos ketë kurrë nevojë për uri.
  5. Qetësimi i detit të Galilesë (6:16-21). Mëkatari ndodhet në një vend rreziku. Zoti e shpëton atë nga stuhija.
  6. Shërimi i të verbërit nga lindja (kap. 9). Ky njeri paraqet verbërinë e zemrës njerëzore derisa preket nga fuqia e Krishtit. Njeriu nuk mund ta shohë mëkatshmërinë e tij, ose bukuritë e Shpëtimtarit, derisa ndriçohet nga Fryma e Shenjtë.
  7. Ringjallja e Llazarit prej së vdekurish (kap. 11). Kjo na kujton që mëkatari është i vdekur në faje dhe në mëkate dhe ka nevojë për jetën që vjen prej së larti.

Të gjitha këto shenja kanë si qëllim të provojnë që Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë.

H. Jezusi lan këmbët e dishepujve të Tij (13:1-11)

kapitullin 13, fillon biseda në Dhomën e Sipërme. Jezusi nuk ishte më duke ecur mes Judenjve armiqësorë. Ai ishte duke pushuar me dishepujt e Tij në një dhomë të një kati të sipërm në Jerusalem, për një kohë të fundit përbashkësie me ata përpara se të shkonte në gjyqin dhe në kryqëzimin e Tij. Gjoni 13 deri në 17 është një nga pjesët më të dashura të gjithë Dhjatës së Re.

13:1 Ditën përpara kryqëzimit, Zoti Jezus e dinte që për Të tashmë kishte ardhur koha e vdekjes, e ringjalljes dhe e të kthyerit përsëri në qiell. Ai i kishte dashur të tijët, pra ata që ishin besimtarë të vërtetë. Ai i deshi ata deri në fund të shërbesës së Tij tokësore, dhe do të vazhdojë t’i dojë për gjithë përjetësinë. Por Ai i deshi ata në një shkallë të tillë që ne do ta shohim tani.

13:2 Gjoni nuk na thotë se cilës darkë i referohet këtu – Pashkës, Darkës së Zotit apo një vakti të thjeshtë ushqimor. Djalli mbolli në zemrën e Judës mendimin që koha kishte ardhur kur ai do ta tradhëtonte Jezusin. Juda kishte komplotuar kundër Zotit shumë kohë më përpara, por tani iu dha sinjali për të përmbushur planin e tij.

13:3 Vargu 3 thekson se kush ishte ai që po kryente detyrën e një shërbëtori – jo thjesht një rabbi apo mësues, por Jezusi, i cili është në dijeni të hyjnisë së Tij. Ai e dinte detyrën që i ishte ngarkuar; Ai e dinte që kishte ardhur nga Perëndia dhe që tani ishte gati për të filluar udhëtimin e Tij për t’u kthyer përsëri te Perëndia.

13:4 Ai ishte i ndërgjegjshëm për atë çfarë ishte dhe për misionin dhe destinacionin e Tij; kjo gjë e mundësoi Atë të përkuleshe dhe të lante këmbët e dishepujve. Pasi u çua nga darka, Zoti hoqi mënjanë rrobat e Tij të gjata. Më pas Ai mori një peshqir dhe e vendosi si një përparëse, duke marrë kështu vendin e një skllavi. Ne mund të kemi pritur që ky incident të gjendej në ungjillin e Markut, i cili është ungjilli i Shërbëtorit të Përsosur. Por fakti që është në Ungjillin e Birit të Perëndisë, e bën atë akoma më shumë të rëndësishëm.

Ky akt simbolik na kujton sesi Zoti la vendet e fildishta të qiellit dhe erdhi në këtë botë si një Shërbëtor dhe u shërbeu atyre që kishte krijuar.

13:5 Në vendet e lindjes, përdorimi i sandaleve të hapura e bënte të domosdoshme larjen e shpeshtë të këmbëve. Ishte një zakon i atyre vendeve që mikpritësi kishte një skllav i cili lante këmbët e miqve që vinin në shtëpinë e tij. Këtu mikpritësi hyjnor bëhet skllav dhe kryen këtë shërbesë të ulët. “Jezusi në këmbët e tradhëtarit – çfarë pamje! Çfarë mësimi për të gjithë ne!”

13:6 Pjetri u habit me faktin që Zoti do të lante këmbët e tij dhe shprehu mospranimin e tij që Një aq i madh si Zoti të përfillte një të padenjë si ai. “Pamja e Perëndisë në rolin e shërbëtorit është shqetësuese.”

13:7 Jezusi tani i mëson Pjetrit që në atë çfarë Ai po bënte kishte një domethënie frymërore. Larja e këmbëve ishte një pikturë e një lloji të veçantë të larjes frymërore. Pjetri e dinte që Zoti ishte duke kryer një veprim fizik, por ai nuk kuptonte domethënien frymërore të këtij veprimi. Ai do ta mësonte së shpejti, megjithatë, kjo ndodhi pasi Zoti ia shpjegoi. Dhe ai do ta mësonte më vonë nga eksperienca e tij, kur do të restaurohej në Zotin [të kthehej te Zoti] pasi ta kishte mohuar Atë.

13:8 Pjetri ilustron ekstremet e natyrës njerëzore. Ai u betua që Zoti nuk do t’i lante kurrë këmbët e tij – dhe këtu fjala “kurrë” do të thotë “jo, për gjithë përjetësinë.” Zoti iu përgjigj Pjetrit duke i thënë që nëse nuk do të pranonte larjen prej Tij, nuk mund të kishte përbashkësi me Të. Tani shpaloset kuptimi i larjes së këmbëve. Ndërkohë që të krishterët janë duke ecur në këtë botë, ata bien në kontakt me papastërti të ndryshme. Duke dëgjuar biseda të këqija, duke parë gjëra që nuk janë të shenjta dhe duke punuar me njerëz që nuk janë besimtarë, të krishterët preken në një mënyrë të pashmangshme. Ai ka nevojë të pastrohet vazhdimisht.

Ky pastrim bëhet me anë të ujit të Fjalës. Ndërkohë që ne lexojmë dhe studiojmë Biblën, kur dëgjojmë që ajo predikohet dhe kur e diskutojmë atë me dikë tjetër, shohim që ajo na pastron nga ndikimet e këqija që na prekin. Nga ana tjetër, sa më shumë që e lemë pas dore Biblën, aq më shumë ndikime të këqija mbeten në mendjet dhe jetët tona, duke mos na shkaktuar ndonjë interesim të madh në vetvete. Kur Jezusi tha “nuk do të kesh pjesë me Mua,” Ai nuk donte të thoshte që Pjetri nuk mund të shpëtohej nëse Ai nuk do t’ia lante këmbët, por për më tepër që përbashkësia me Zotin mund të mbahet vetëm me anë të pastrimit të vazhdueshëm nëpërmjet Shkrimeve.

13:9, 10 Tani Pjetri kalon në ekstremin tjetër. Një minutë më parë, ai ishte duke thënë, “Kurrë.” Tani ai tha, “më laj komplet.”

Pasi trupi është larë komplet, këmbët janë të parat që bien në kontakt me papastërtitë. Ai nuk kishte nevojë për një larje të plotë, por vetëm për larje këmbësh. “Ai që është i larë, s’ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër.” Ka një ndryshim midis vaskës dhe legenit. Vaska flet për pastrimin që merret në kohën e shpëtimit. Pastrimi nga dënimi i mëkatit me anë të gjakut të Jezus Krishtit ndodh vetëm njëherë [falja juridike]. Legeni flet për pastrimin nga ndotja e mëkatit dhe duhet të ndodhë vazhdimisht me anë të Fjalës së Perëndisë [falja prindërore]. Ka vetëm një larje të plotë, por shumë larje këmbësh. “Ju jeni të pastër, por jo të gjithë,” do të thotë që dishepujt e kishin marrë larjen e ripërtëritjes – pra, të gjithë dishepujt me përjashtim të Judës. Ai nuk kishte qenë kurrë i shpëtuar.

13:11 Duke qenë i vetëdijshëm për të gjitha gjërat, Zoti e dinte që Juda do ta tradhëtonte dhe kështu e veçoi atë si dikush që nuk kishte pësuar kurrë larjen e shpengimit.

I. Jezusi i mëson dishepujt e Tij që të ndjekin shembullin e Tij të përulësisë (13:12-20)

13:12 Duket se Jezusi lau këmbët e të gjithë dishepujve. Më pas Ai veshi rrobat e Tij dhe u ul përsëri për t’u shpjeguar atyre domethënien frymërore të asaj që Ai sapo kishte bërë. Ai e hapi bisedën duke bërë një pyetje. Pyetjet e Shpëtimtarit janë tepër interesante për t’u studiuar. Ato formojnë një nga metodat e Tij më efektive për të dhënë mësim.

13:13, 14 Dishepujt e kishin pranuar Jezusin si Mësuesin dhe Zotin e tyre dhe kishin të drejtë në një gjë të tillë. Por shembulli i Tij tregoi që shkalla më e lartë në fuqinë e strukturës së një mbretërie është ajo e shërbëtorit.

Nëse Zoti dhe Mësuesi kishte larë këmbët e dishepujve, çfarë justifikimi do të kishin ata për të mos larë këmbët e njëri-tjetrit? A donte të thoshte Zoti që ata duhet të lanin me ujë këmbët e njërit tjetrit në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës? [42] A ishte Ai duke vendosur një rregull për kishën? Jo, kuptimi këtu ishte frymëror. Ai po u thoshte atyre që duhet ta mbanin njëri-tjetrin të pastër me anë të përbashkësisë të vazhdueshme mbi Biblën. Nëse dikush e sheh vëllanë që fillon të ftohet apo të lidhet me botën, ai duhet ta këshillojë atë me dashuri me anë të Biblës.

13:15, 16 Zoti u kishte dhënë atyre një shembull, një mësim objektiv i asaj që ata duhet të bënin me njëri-tjetrin shpirtërisht.

Nëse krenaria apo armiqësitë personale na pengojnë për t’u përulur dhe për t’u shërbyer vëllezërve tanë, ne duhet të kujtojmë që nuk jemi më të mëdhenj se padroni ynë. Ai e përuli vetveten për të larë ata që ishin të padenjë dhe mosfalenderues, dhe Ai e dinte që një nga ata do ta tradhëtonte. A do të shërbenit ju me përulësi ndaj një personi nëse do ta dinit që ai do t’ju tradhëtonte për para? Ata që ishin dërguar (dishepujt) nuk duhet ta konsideronin veten shumë të ngrehur për të mos bërë diçka që e pati bërë Ai (Zoti Jezus) që i kishte dërguar ata.

13:17 T’i dish këto të vërteta në lidhje me përulësinë dhe shërbesën është një gjë, por që dikush t’i dijë dhe të mos i vërë kurrë në praktikë, kjo është diçka tjetër. Vlera e vërtetë dhe bekimi gjendet në bërjen e tyre!

13:18 Ajo që Zoti kishte qenë duke u mësuar dishepujve nuk kishte vlerë për Judën. Ai nuk ishte një prej atyre që Zoti do të dërgonte në botë me ungjillin. Jezusi e dinte që duhet të përmbushej Shkrimi në lidhje me tradhtinë që do t’i bëhej Atij – Shkrime të tilla si Psalmi 41:9. Juda ishte një që kishte ngrënë me Zotin për tre vjet dhe përsëri ai ngriti thembrën kundër Tij – një shprehje që tregon se ai e tradhëtoi Zotin. Në Psalmin 41 tradhtari është përshkruar nga Zoti si “miku im i ngushtë.”

13:19 Zoti e zbuloi tradhtinë që do t’i bëhej Atij më parë sesa të ndodhte me qëllim që dishepujt ta dinin që Ai ishte hyjni e vërtetë. Fjala e shkruar me të pjerrëta në fund të vargut mund të lihet jashtë. “Të besoni që UNË JAM.” Jezusi i DhR është Jehovah i DhV. Kështu pra përmbushja e profecisë është një nga provat më të mëdha të hyjnisë së Krishtit dhe gjithashtu ne mund të shtojmë, edhe i frymëzimit të Shkrimeve.

13:20 Zoti ynë e dinte që tradhtia që do t’i bëhej Atij mund t’i pengonte ose t’i çonte në dyshim dishepujt e tjerë. Kështu që Ai shtoi këto fjalë inkurajimi. Ata duhet të mos harronin që ishin dërguar në një mision hyjnor. Ata duhet të identifikoheshin me Të dhe që t’i pranonin ata do të thoshte të pranonin Atë. Gjithashtu, ata që pranonin Krishtin pranonin Perëndinë Atë. Kështu pra ata duhet të inkurajoheshin nga lidhja e ngushtë që kishin me Perëndinë Bir dhe me Perëndinë At.

J. Jezusi parashikon tradhëtimin e Tij (13:21-30)

13:21, 22 Të diturit e faktit që një nga dishepujt e Tij do ta tradhëtonte, i shkaktoi Zotit tronditje të thellë në frymë. Duket sikur këtu Jezusi ishte duke i dhënë tradhëtarit të Tij një mundësi të fundit që ai ta braktiste planin e tij të djallëzuar. Pa e zbuluar atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, Zoti shfaqi faktin se e dinte që një prej të dymbëdhjetëve do ta tradhëtonte. Dhe as kjo nuk e ndryshoi mendjen e tradhëtarit.

Pjesa tjetër e dishepujve nuk dyshoi për Judën. Ata ishin të habitur se si mund të ndodhte që një prej tyre të bënte një gjë të tillë, dhe po mendonin të gjenin se kush mund të ishte.

13:23 Në atë kohë njerëzit nuk uleshin nëpër tavolina, por shtriheshin nëpër divanë të ulët. Dishepulli që Jezusi e donte ishte Gjoni, shkruesi i këtij ungjilli. Ai e lë mënjanë përmendjen e emrit të tij, por nuk heziton të përmendë faktin që ai zinte një vend të veçantë në zemrën e Shpëtimtarit. Zoti i donte të gjithë dishepujt, por Gjoni gëzonte një ndjenjë të veçantë afërsie me Të.

13:24, 25 Atëherë Pjetri i bëri shenjë duke mos dashur të fliste me zë të lartë. Ndoshta duke tundur kokën e tij, ai i kërkoi Gjonit të zbulonte emrin e tradhëtarit.

Duke u përkulur në kraharorin e Jezusit, Gjoni bëri pyetjen duke pëshpëritur dhe ndoshta mori përgjigje në të njëjtën mënyrë.

13:26 Jezusi u përgjigj duke i thënë se do t’i jepte një kafshatë buke të ngjyer në verë ose në lëng mishi, atij që do ta tradhëtonte. Disa thonë që një mikpritës në Lindje i jepte të ftuarit të nderit bukën gjatë një ushqimi. Duke e bërë Judën të ftuarin e nderit, Zoti u përpoq ta fitonte atë për të ardhur në pendim nëpërmjet hirit dhe dashurisë. Të tjerët sugjerojnë duke thënë se buka kalohej dorë më dorë në lidhje me darkën e Pashkës. Nëse është kështu, Juda u largua gjatë darkës së Pashkës, përpara se të vendosej Darka e Zotit.

13:27 Djalli tashmë kishte vendosur në zemrën e Judës tradhëtimin e Zotit. Tani Satani hyri në të. Në fillim ishte thjesht një sugjerim. Por Juda e pëlqeu dhe e miratoi. Tani djalli mori kontrollin mbi të. Duke e ditur që tradhtari tashmë ishte i bindur, Zoti i tha që të vepronte shpejt. Padyshim që Ai nuk ishte duke e inkurajuar atë për të bërë diçka të keqe, por thjesht duke shprehur dorëheqjen trishtueshëm.

13:28, 29 Ky varg konfirmon që biseda e mëparshme midis Jezusit dhe Gjonit përreth bukës nuk ishte dëgjuar nga dishepujt e tjerë. Ata ende nuk e dinin që Juda do të tradhëtonte Zotin e tyre.

Disa menduan që Jezusi thjesht i kishte thënë Judës të shkonte me shpejtësi për të blerë diçka për festën, ose ndoshta ngaqë Juda ishte ai që mbante të ardhurat, Shpëtimtari i kishte thënë atij t’u dhuronte diçka të varfërve.

13:30 Juda mori kafshatën si një simbol të një favori të veçantë, dhe më pas u largua nga shoqëria e Zotit dhe dishepujve. Shkrimet shtojnë fjalët domethënëse: ishte natë. Nuk ishte natë vetëm në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, por ishte natë shpirtërisht për Judën – një natë errësire dhe keqardhjeje që nuk do të mbaronte kurrë. Është gjithmonë errësirë kur njerëzit i kthejnë kurrizin Shpëtimtarit.

K. Një urdhërim i ri i dhënë (13:31-35)

13:31 Sapo Juda u largua, Jezusi filloi të fliste me dishepujt më lirshëm dhe në mënyrë më intime. Tensioni ishte larguar. “Tani Biri i Njeriut është përlëvduar” tha Ai. Zoti ishte duke parandjerë veprën e shpengimit që do të kryente. Vdekja e Tij mund të jetë dukur si një dështim, por ishte mënyra me të cilën mund të shpëtoheshin mëkatarët e humbur. Kjo vdekje u pasua nga ringjallja dhe ngjitja në qiell, dhe Ai u përlëvdua në gjithë këtë gjë. Dhe Perëndia është përlëvduar veprën e Shpëtimtarit. Kjo vepër tregoi se Ai është një Perëndi i shenjtë që nuk mund ta lërë pa gjykuar mëkatin, por edhe një Perëndi i dashur që nuk dëshiron vdekjen e mëkatarit; ajo tregoi se si Ai mund të jetë një Perëndi i drejtë dhe përsëri të jetë në gjendje të shfajësojë mëkatarët. Çdo atribut i hyjnisë u përlëvdua në një mënyrë superiore në Kalvar.

13:32 “Nëse Perëndia është përlëvduar në të,” dhe Ai është, [43]Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete.” Perëndia do të shohë që edhe Birit të Tij t’i jepet nderimi i duhur. “Dhe do ta përlëvdojë menjëherë” – pa vonesë. Perëndia At e përmbushi këtë parashikim të Zotit Jezus duke e ngritur Atë prej së vdekurish dhe duke e ulur në të djathtën e Tij në qiell. Perëndia nuk mund të priste derisa të shpallej mbretëria. Ai do ta përlëvdonte Birin e Tij menjëherë.

13:33 Për herë të parë Jezusi u drejtohet dishepujve me fjalën djema – një term dashurie. Dhe Ai e përdori këtë vetëm pas ikjes së Judës. Ai do të ishte me ta edhe për pak. Më pas Ai do të vdiste në kryq. Më pas ata do ta kërkonin, por nuk do të ishin në gjendje ta ndiqnin, sepse Ai do të kthehej në qiell. Zoti u kishte thënë të njëjtën gjë Judenjve, por e kishte thënë me një kuptim tjetër. Për dishepujt, ikja e Tij do të ishte e përkohshme. Ai do të vinte përsëri për ta (kap. 14). Por për Judenjtë, Ai do t’i linte ata përgjithmonë. Ai po kthehej në qiell dhe ata nuk mund ta ndiqnin për shkak të mosbesimit të tyre.

13:34 Gjatë mungesës së Tij, ata duhet të drejtoheshin nga urdhëresa e dashurisë. Ky urdhërim nuk ishte i ri, pasi Dhjetë Urdhëresat mësonin dashuri për Perëndinë dhe për të afërmin. Por kjo urdhëresë ishte e re në mënyra të tjera. Ishte e re sepse Fryma e Shenjtë do t’i fuqizonte besimtarët për t’iu bindur asaj. Ishte e re në atë se ishte superiore ndaj të parës. E vjetra thoshte, “Duaje të afërmin tënd,” por e reja thoshte, “Duaje armikun tënd.”

Është thënë mjaft mirë që ligji i dashurisë për të tjerët është shpjeguar tani me një qartësi të re, është forcuar nga motive të reja dhe obligime, ilustruar nga një shembull të ri dhe me bindje në një mënyrë të re.

Gjithashtu ishte e re, siç është shpjeguar në varg, sepse ajo bënte thirrje për një shkallë më të lartë dashurie: “Sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.”

13:35 Shenja e dishepullimit të krishterë nuk është një kryq i varur në qafë apo në jakën e xhaketës, ose ndonjë lloj i veçantë veshjeje. Çdo njeri mund të rrëfejë dishepullim me anë të këtyre gjërave. Shenja e vërtetë e një të krishteri është dashuria për të krishterët e tjerë. Kjo kërkon forcë hyjnore, dhe kjo forcë u jepet vetëm atyre që banohen nga Fryma.

L. Jezusi parashikon mohimin e Pjetrit (13:36-38)

13:36 Simon Pjetri nuk e kuptoi që Jezusi kishte folur për vdekjen e Tij. Ai mendoi se Jezusi do të bënte disa udhëtime tokësore dhe nuk e kuptoi përse ai nuk mund të shkonte me Të. Zoti shpjegoi që Pjetri do ta ndiqte Atë më vonë, pra, kur të vdiste, por tani jo.

13:37 Me një përkushtim tipik dhe me entuziazëm, Pjetri shprehu dëshirë për të vdekur për Zotin. Ai mendoi se mund ta duronte martirizimin me fuqinë e vet. Më pas ai vdiq për Zotin, por ishte ngaqë atij iu dha fuqi e veçantë dhe kurajo nga Perëndia.

13:38 Jezusi kontrollon “zellin e tij pa njohuri” duke i thënë Pjetrit diçka që ai vetë nuk e dinte – që përpara se nata të mbaronte, ai do ta mohonte Zotin tre herë. Kështu Pjetrit iu tregua për dobësinë, frikën dhe paaftësinë për ta ndjekur Zotin qoftë edhe për disa orë me anë të fuqisë së tij.

M. Jezusi: Udha e Vërteta dhe Jeta (14:1-14)

14:1 Disa e lidhin vargun 1 me vargun e fundit të kapitullit 13 dhe mendojnë se ky varg iu tha Pjetrit. Megjithëse ai do ta mohonte Zotin, përsëri kishte një fjalë ngushëllimi për të. Por forma e shumësit në Greqisht tregon se ajo fjalë ishte për të gjithë dishepujt, kështu pra ne duhet të pushojmë pas kapitullit 13. Mendimi duket se është ky: “Unë do të largohem dhe ju nuk do të jeni në gjendje të më shihni. Por zemra juaj mos u trondittë; ju besoni në Perëndi, edhe pse nuk e shihni. Tani besoni në Mua në të njëjtën mënyrë.” Këtu ne kemi një shprehje tjetër që tregon barazinë e Tij me Perëndinë.

14:2 Shtëpia e Atit i referohet qiellit, ku ka shumë banesa. Atje ka vend për të gjithë të shpenguarit. Përndryshe, Zoti do t’u kishte thënë atyre. Ai nuk do të dëshironte që ata të ndërtonin mbi shpresa të kota. “Unë po shkoj të përgatis një vend për ju” mund të ketë dy kuptime. Zoti Jezus shkoi në Kalvar për të përgatitur një vend për të Tijtë. Është nëpërmjet vdekjes së Tij shpenguese që besimtarëve u sigurohet një vend atje. Por gjithashtu Zoti u kthye në qiell për të përgatitur një vend. Ne nuk dimë shumë për këtë vend, por ne dimë që një parapërgatitje po bëhet për çdo bir të Perëndisë – “një vend i përgatitur për një popull të përgatitur!”

14:3 Vargu 3 i referohet kohës kur Zoti do të kthehet përsëri në ajër, kur ata që kanë vdekur në besim do të ngrihen, kur të gjallët do të shndërrohen, dhe kur të gjithë ata që janë blerë me gjak do të merren në shtëpi në qiell (1 Thes. 4:13-18; 1 e Korintasve 15:51-58). Kjo është një ardhje personale e Krishtit, në kuptimin e saj të drejtpërdrejtë. Siç është e sigurt ikja e Tij, po aq e sigurt është edhe kthimi i Tij. Dëshira e Tij është për t’i patur të Tijët me vete në gjithë përjetësinë.

14:4, 5 Ai po shkonte në qiell dhe ata e dinin rrugën për në qiell, sepse Ai ua kishte thënë atyre shumë herë.

Në dukje Thomai nuk e kuptoi domethënien e fjalëve të Zotit. Ashtu si Pjetri, edhe ai mund të ishte duke menduar për ndonjë udhëtim tokësor.

14:6 Ky varg i dashur e bën të qartë që Zoti Jezus Krisht është Vetë udha për në qiell. Ai jo thjesht tregon udhën; Ai është udha. Shpëtimi është në një Person. Pranoje atë Person si tëndin dhe ti ke shpëtimin. Krishterimi është Krishti. Zoti Jezus nuk është një nga shumë rrugët e tjera. Ai është udha e vetme. Asnjë nuk vjen te Ati përveç se nëpërmjet Tij. Udha për te Perëndia nuk është me anë të Dhjetë Urdhëresave, Rregullit të Artë, riteve, anëtarësisë në një kishë – është nëpërmjet Krishtit dhe vetëm nëpërmjet Krishtit. Sot shumë thonë që nuk është e rëndësishme çfarë beson, mjafton që të jesh i sinqertë. Ata thonë se të gjitha fetë kanë diçka të mirë në vetvete dhe që të gjitha në fund të çojnë në qiell. Por Jezusi tha, “Askush nuk vjen te Ati përveçse nëpërmjet Meje.”

Zoti është e vërteta. Ai nuk është thjesht Një që mëson të vërtetën; Ai është e vërteta. Ai është mishërimi i së Vërtetës. Ata që kanë Krishtin kanë të vërtetën. E vërteta nuk gjendet në asnjë vend tjetër.

Krishti Jezus është jeta. Ai është burimi i jetës; jetës frymërore dhe të përjetshme. Ata që e pranojnë Atë kanë jetë të përjetshme sepse Ai është jeta.

14:7 Edhe njëherë Zoti shpjegoi unitetin misterioz që ekziston midis Atit dhe Vetes se Tij. Nëse dishepujt do të kishin njohur se kush ishte Jezusi në të vërtetë, ata do të kishin njohur Atin gjithashtu, sepse Zoti zbuloi Atin te njerëzit. Që nga kjo kohë dhe më pas, dhe veçanërisht pas ringjalljes së Krishtit dishepujt duhet të kuptonin që Jezusi ishte Biri. Pastaj ata duhet të kuptonin që të njihje Krishtin ishte si të njihje Atin, dhe të shikoje Zotin Jezus ishte si të shikoje Perëndinë. Ky varg nuk thotë që Perëndia dhe Zoti Jezus janë i njëjti person. Janë tre persona të veçantë në Hyjninë e Perëndisë, por është vetëm një Perëndi.

14:8 Filipi donte që Zoti t’i jepte disa zbulesa të veçanta të Atit, dhe kjo do të ishte gjithçka që ai do të kërkonte. Ai nuk e kuptoi që gjithçka që Zoti ishte, që bëri, dhe që tha ishte një zbulesë e Atit.

14:9 Jezusi e korrigjoi atë me durim. Filipi kishte qenë për një kohë të gjatë me Zotin. Ai ishte një nga të parët që u quajtën dishepuj (Gjoni 1:43). Akoma e vërteta e plotë e hyjnisë së Krishtit dhe e bashkimit të Tij me Atin nuk ishte shfaqur tek ai. Ai nuk e dinte që kur shihte Jezusin, ai ishte duke parë Atë që shfaqte në një mënyrë të përsosur Atin.

14:10,11 Fjalët “Unë jam në Atin dhe Ati në mua” përshkruajnë afërsinë e unitetit midis Atit dhe Birit. Ata janë persona të veçantë, e përsëri Ata janë një për sa i përket atributeve dhe vullnetit. Ne nuk duhet të dekurajohemi nëse nuk e kuptojmë një gjë të tillë. Asnjë mendje e vdekshme nuk mund ta kuptojë Plotësinë e Hyjnisë. Ne duhet ta falënderojmë Perëndinë që Ai na ka dhënë të njohim ato gjëra që ne kurrë nuk mund t’i njohim nga vetvetja. Nëse do ta kuptonim plotësisht Atë, ne do të ishim po aq madhështorë sa Ai! Jezusi kishte fuqi për të folur dhe për të kryer mrekulli, por Ai erdhi në botë si Shërbëtori i Jehovait dhe foli dhe veproi në bindje të plotë ndaj Atit.

Dishepujt duhet të besonin që Ai ishte një me Atin, për shkak të dëshmisë së Tij në lidhje me këtë fakt. Por nëse nuk besonin dhe nga kjo gjë, ata duhet të besonin për shkak të veprave që Ai kreu.

14:12 Zoti parashikoi që ata që besonin në Të do të bënin mrekulli ashtu si bëri Ai vetë, madje edhe më të mëdha. Në librin e Veprave të Apostujve ne lexojmë që apostujt kryen mrekulli shërimi të ngjashme me ato të Shpëtimtarit. Por ne lexojmë gjithashtu për mrekulli akoma më të mëdha – si për shembull shpëtimi i tremijë vetave në ditën e Rrëshajave. Sigurisht që Zoti me anë të shprehjes edhe më të mëdha iu referua shpalljes së ungjillit, shpëtimit të aq shumë shpirtrave dhe ndërtimit të kishës. Është diçka shumë më e madhe të shpëtosh shpirtra sesa të shërosh trupërisht. Kur Zoti u kthye në qiell, Ai u përlëvdua dhe Fryma e Shenjtë u dërguan në tokë. Ishte pikërisht me anë të fuqisë së Frymës që dishepujt kryen këto mrekulli më të mëdha.

14:13 Çfarë ngushëllimi duhet të ketë qenë për dishepujt fakti që edhe pse Zoti po largohej prej tyre, ata mund t’i luteshin Atit në emrin e Tij dhe mund të merrnin atë që kërkonin. Ky varg nuk mund të nënkuptojë që një besimtar mund të marrë gjithçka që kërkon nga Perëndia. Çelësi për të kuptuar premtimin qëndron në fjalët në emrin Tim – çfarëdo të kërkoni në emrin Tim. Të kërkosh në emër të Jezusit nuk do të thotë thjesht të shtosh emrin e Tij në fund të lutjes. Është të kërkosh në përputhje me mendjen dhe vullnetin e Tij. Është të kërkosh për ato gjëra që do ta përlëvdojnë Perëndinë, do bekojnë njerëzimin dhe do të jenë për të mirën tonë frymërore.

Që të kërkojmë në emër të Jezusit, ne duhet të jetojmë në përbashkësi të ngushtë me Të. Ndryshe ne nuk do të mund të dimë qëndrimin e Tij. Sa më afër Tij të jemi, aq më shumë dëshirat tona do të jenë si të Tijat. Ati është përlëvduar në Birin sepse Biri dëshiron vetëm ato gjëra që janë të kënaqshme në sy të Perëndisë. Kur paraqiten lutje të tilla, Perëndia përlëvdohet.

14:14 Premtimi është përsëritur për theksim dhe për inkurajim për njerëzit e Perëndisë. Jetoni në qendër të vullnetit të Tij, ecni në përbashkësi me Zotin, kërkoni çfarëdo gjëje që Zoti dëshiron, dhe lutjet e tua do të gjejnë përgjigje.

N. Premtimi i një Ngushëlluesi tjetër (14:15-26)

14:15 Zoti Jezus ishte gati për t’u larguar nga dishepujt e Tij, dhe ata do të mbusheshin me trishtim. Si do të ishin ata në gjendje t’ia shprehnin dashurinë e tyre Atij? Përgjigjja ishte duke zbatuar urdhërimet e Tij. Jo me lotë, por me bindje. Urdhërimet e Zotit janë udhëzimet që Ai na ka dhënë në Ungjijtë, si dhe në pjesën tjetër të DhR.

14:16 Fjala lutem e përdorur këtu nga Zoti nuk është e njëjta fjalë me atë që përdoret për të përshkruar një lutje inferiore ndaj dikujt tjetër që është superior, por një kërkesë ndaj dikujt që është i barabartë me të. Zoti do t’i lutej Atit për të dërguar një Ngushëllues tjetër. Fjala ngushëllues (Paraclete) do të thotë dikush që thirret për të qenë krah për krah një tjetri për ta ndihmuar. Ajo është përkthyer gjithashtu Avokat (1 Gjonit 2:1). Zoti Jezus është Avokati ose Ngushëlluesi ynë, dhe Fryma e Shenjtë është një Ngushëllues tjetër – jo i një lloji tjetër, por i së njëjtës natyrë. Fryma e Shenjtë do të qëndrojë me besimtarët përgjithmonë. Në DhV, Fryma e Shenjtë erdhi mbi njerëzit në kohë të ndryshme, por shpesh u largua prej tyre. Tani Ai do të vinte për të qëndruar përgjithmonë.

14:17 Fryma e Shenjtë është quajtur Fryma e së Vërtetës sepse mësimet e Tij janë të vërteta dhe Ai përlëvdon Krishtin që është e vërteta. Bota nuk mund ta marrë Frymën e Shenjtë sepse nuk mund ta shohë Atë. Jobesimtarët duan të shohin përpara se të besojnë – megjithëse ata besojnë tek era dhe elektriciteti, përsëri ata nuk mund t’i shohin ato. Të pashpëtuarit nuk e njohin dhe nuk e shohin Frymën e Shenjtë. Ai mund t’i bindë ata për mëkat, dhe përsëri ata nuk e dinë që është Ai. Dishepujt e njihnin Frymën e Shenjtë. Ata e kishin njohur Atë duke punuar në jetët e tyre dhe e kishin parë duke punuar përmes Zotit Jezus.

Ai qëndron me ju dhe do të jetë në ju.” Përpara Rrëshajave, Fryma e Shenjtë vinte mbi njerëzit dhe qëndronte me ta. Por që nga dita e Rrëshajave dhe më pas, kur një njeri beson në Zotin Jezus, Fryma e Shenjtë zë vendin e vet në jetën e atij njeriu përgjithmonë. Lutja e Davidit, “mos më hiq Frymën tënde të Shenjtë,” nuk do të ishte e përshtatshme sot. Fryma e Shenjtë nuk hiqet kurrë nga një besimtar, megjithëse Ai mund të trishtohet, shuhet, ose të pengohet.

14:18 Zoti nuk do t’i linte dishepujt e Tij si bonjakë apo si të izoluar. Ai do të vinte përsëri tek ata. Në një farë mënyre Ai erdhi tek ata pas ringjalljes së Tij, por në një mënyrë tjetër, Ai erdhi tek ata në Personin e Frymës së Shenjtë në ditën e Rrëshajave. Ardhja frymërore është domethënia e vërtetë këtu. “Kishte diçka përreth Rrëshajave; diçka që e bëri atë një ardhje të Jezusit.” Në një kuptim të tretë, Ai do të vijë përsëri tek ata në fund të kësaj epoke, kur Ai do të marrë të zgjedhurit e Tij në shtëpi në qiell.

14:19 Asnjë jobesimtar nuk e pa Zotin Jezus pas varrosjes së Tij. Pasi ishte ringjallur, Ai u pa vetëm nga ata që e donin. Por edhe pas Ngjitjes së Tij, besimtarët vazhduan ta shihnin me anë të besimit. Dhe pa dyshim kjo është shprehur me anë të fjalëve “por ju do të më shihni.” Pasi bota nuk do të mund ta shihte më, dishepujt e Tij do të vazhdonin ta shikonin. “Sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni.” Këtu Ai ishte duke parë drejt jetës së Tij të ringjallur. Ajo do të ishte garancia e jetës për të gjithë ata që besuan në Të. Edhe sikur të vdisnin ata do të ringjalleshin për të mos vdekur më.

14:20Atë ditë” ndoshta i referohet përsëri zbritjes së Frymës së Shenjtë. Ai do t’i udhëzonte besimtarët në të vërtetën që ashtu siç ekziston një lidhje e gjallë midis Birit dhe Atit, kështu do të kishte një unitet të mrekullueshëm jete dhe interesash midis Krishtit dhe të shenjtëve të Tij. Është e vështirë të shpjegosh se si Krishti është një besimtar, dhe se si besimtari është Krishtin në të njëjtën kohë. Ilustrimi i zakonshëm është ai i një mashe në një zjarr. Jo vetëm masha është në zjarr, por edhe zjarri është në mashë. [44] Por kjo nuk tregon çdo gjë. Krishti është në besimtarin në kuptimin që jeta e Tij i është kumtuar atij. Ai në të vërtetë banon në besimtarin nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Besimtari është në Krishtin në kuptimin që ai qëndron përpara Perëndisë me meritën e Personit dhe veprës së Krishtit.

14:21 Prova e vërtetë e dashurisë së dikujt për Zotin është bindja ndaj urdhërimeve të Tij. Nuk ia vlen të flasësh që e do Atë nëse nuk do t’i bindesh Atij. Në një farë kuptimi, Ati e do gjithë botën. Por Ai ka një dashuri të veçantë për ata që e duan Birin e Tij. Ata duhen gjithashtu nga Krishti, dhe Ai ua bën atyre të njohur Vetveten në një mënyrë të veçantë. Sa më shumë që e duam Shpëtimtarin, aq më mirë do ta njohim Atë.

14:22 Juda i përmendur këtu, kishte fatin e keq të kishte të njëjtin emër me tradhtarin. Por Fryma e Perëndisë e dallon atë me dashuri duke thënë që nuk ishte Iskarioti. Ai nuk mund ta kuptonte se si Zoti mund t’u shfaqej dishepujve pa qenë i parë nga bota. Pa dyshim që ai e mendoi ardhjen e Shpëtimtarit si ardhja e një Mbreti apo Heroi kombëtar. Ai nuk e kuptoi që Zoti do t’u dëftehej të Tijëve në një mënyrë frymërore. Ata do ta shihnin Atë me anë të besimit nëpërmjet Fjalës së Perëndisë.

Me anë të Frymës së Perëndisë ne mund ta njohim Krishtin më mirë sesa dishepujt kur Ai ishte në tokë. Kur Ai ishte këtu, ata që ishin në radhët e para të turmës ishin më afër Tij sesa ata që ndodheshin në prapavijë. Por sot, me anë të besimit, secili nga ne mund të gëzojë përbashkësi më të ngushtë me Të. Përgjigjja që Krishti i dha pyetjes së Judës, tregon që shfaqja e Tij e premtuar ndaj atyre që besojnë në Të është e lidhur ngushtë me Fjalën e Perëndisë. Bindja ndaj Fjalës rezulton në ardhjen dhe qëndrimin e Atit dhe të Birit.

14:23 Nëse një person e do me të vërtetë Zotin, ai do të ketë dëshirë për t’i zbatuar të gjitha mësimet e Tij, jo thjesht urdhëresat e caktuara. Ati i do ata që kanë dëshirë t’i binden Birit të Tij pa pyetje dhe rezerva. Si Ati ashtu edhe Biri janë veçanërisht afër zemrave që duan dhe binden.

14:24 Nga ana tjetër, ata që nuk e duan Atë nuk i zbatojnë thëniet e Tij. Dhe ata nuk refuzojnë thjesht fjalët e Krishtit, por edhe të Atit.

14:25 Kur ishte me ta, Zoti Jezus i mësoi dishepujt deri në një pikë. Ai nuk mund t’u kishte zbuluar më shumë të vërtetë sepse ata nuk do të mund ta kishin asimiluar të gjithën.

14:26 Por Fryma e Shenjtë do t’u zbulonte më shumë. Ai ishte dërguar nga Atiemër të Krishtit në ditën e Rrëshajave. Fryma erdhi në emër të Krishtit në kuptimin që Ai erdhi për të paraqitur interesat e Krishtit në tokë. Ai nuk erdhi për të përlëvduar veten, por për të tërhequr burra dhe gra te Shpëtimtari. “Ai do t’ju mësojë çdo gjë,” tha Zoti. Ai e bëri këtë para së gjithash me anë të shërbesës së folur të apostujve; më pas me anë të Fjalës së shkruar të Perëndisë të cilën ne kemi sot. Fryma e Shenjtë kujton të gjitha gjërat që Shpëtimtari pati mësuar. Në të vërtetë, Zoti Jezus duket sikur ka paraqitur në një formë të shkurtër të gjitha mësimet që janë zhvilluar nga Fryma e Shenjtë në pjesën tjetër të DhR.

O. Jezusi u lë dishepujve paqen e Tij (14:27-31)

14:27 Një person që është gati për të vdekur, zakonisht shkruan një testament në të cilin ai u lë të dashurve të tij pasurinë që ka. Këtu Zoti Jezus ishte duke bërë të njëjtën gjë. Megjithatë, Ai nuk fali gjëra materiale, por diçka që paraja nuk mund ta blejë – paqen, paqen e brendshme të një ndërgjegjeje që ngrihet nga ndjenja e faljes së mëkatit dhe e pajtimit me Perëndinë. Krishti mund ta japë atë sepse e bleu me gjakun e Tij në Kalvar. Ajo nuk jepet ashtu siç e jep bota – në mënyrë egoiste, dhe për një kohë të shkurtër. Dhurata e Tij e paqes është përgjithnjë. Atëherë përse duhet të jetë një i krishterë i frikësuar dhe i tronditur?

14:28 Jezusi tashmë u kishte thënë atyre që do të largohej, dhe që më pas do të kthehej për t’i marrë ata në qiell. Nëse e deshin Atë, kjo gjë duhet t’i gëzonte ata pa masë. Sigurisht që në një farë mënyre ata e donin Atë. Por ata nuk e kishin vlerësuar plotësisht për atë që Ai ishte, dhe kështu që dashuria e tyre nuk ishte aq e madhe sa duhet të ishte.

Do të gëzoheshit sepse unë thashë: ‘Po shkoj te Ati’; sepse Ati është më i madh se unë.” Në pamje të parë ky varg duket sikur bie në kundërshtim me të gjitha ato që Jezusi kishte thënë në lidhje me barazinë e Tij me Perëndinë. Por nuk ka kundërshtim, dhe pjesa shpjegon kuptimin. Kur Jezusi ishte në tokë, Ai ishte urryer, sharrë, persekutuar dhe ndjekur. Njerëzit blasfemuan kundër Tij, u tallën dhe e pështynë. Ai duroi poshtërime të tmerrshme nga duart e krijesave të Tij.

Perëndia At kurrë nuk vuajti një trajtim të tillë të poshtër nga njerëzit. Ai banon në qiell, larg ligësisë së mëkatarëve. Kur Zoti Jezus u kthye në qiell, Ai shkoi për të qenë atje ku nuk mund të shkojnë poshtërimet. Prandaj dishepujt duhet të gëzonin kur Jezusi tha se po shkonte te Ati, sepse në këtë drejtim Ati ishte më i madh sesa Ai. Ati nuk ishte më i madh si Perëndi, por më i madh sepse Ai kurrë nuk erdhi në botë si një Njeri për t’u trajtuar në një mënyrë mizore. Për sa i përket atributeve të Perëndisë, Biri dhe Ati janë të barabartë. Por kur ne mendojmë për vendin e ulët që Jezusi mori si një Njeri këtu në tokë, ne kuptojmë që në këtë drejtim Perëndia Ati ishte më i madh sesa Ai. Ai ishte më i madh për sa i përket pozicionit, por jo Personit të Tij.

14:29 Duke qenë i interesuar në një mënyrë joegoiste për dishepujt e Tij të frikësuar, Zoti ua zbuloi atyre këto ngjarje të së ardhmes me qëllim që ata të mos ofendoheshin, të mos i lëshonte zemra, të mos frikësoheshin, por për më tepër të besonin.

14:30 Zoti e dinte që koha e tradhtimit të Tij po afrohej dhe që Ai nuk do të kishte më kohë për të folur më të Tijët. Satani edhe në atë kohë ishte duke u afruar, por Shpëtimtari e dinte që djalli nuk do të gjente asnjë shenjë mëkati në Të. Në Krishtin nuk kishte asgjë që të mund t’i përgjigjej tundimeve të djallit. Do të ishte qesharake që dikush tjetër veç Jezusit të thoshte që Satani nuk kishte asgjë në të.

14:31 Ne mund ta parafrazojmë këtë varg si më poshtë: “Koha e tradhtimit Tim është afër. Unë do të shkoj me vullnetin Tim në kryq. Ky është vullneti i Atit për mua. Unë do t’i tregoj botës sa shumë e dua Atin Tim. Prandaj Unë po shkoj pa asnjë lloj kundërshtimi.” Me këtë Zoti i ftoi dishepujt të ngriheshin dhe të shkonin me Të. Nuk është shumë i qartë fakti nëse ata lëvizën nga dhoma ku ndodheshin në këtë kohë. Ndoshta pjesa tjetër e bisedës u bë kur ata ishin duke ecur së bashku.

P. Jezusi, hardhia e vërtetë (15:1-11)

15:1DhV, kombi i Izraelit ishte pikturuar si një vreshtë e mbjellë nga Jehovai. Por ky komb provoi se ishte jo besnik dhe i pafrytshëm, kështu që Zoti Jezus tani ishte duke e paraqitur veten si hardhia e vërtetë, plotësimi i përsosur i të gjitha llojeve të tjera të hijeve. Perëndia At është vreshtari.

15:2 Ka opinione të ndryshme në lidhje me domethënien e shermendit që nuk jep fryt në Të. Disa mendojnë që ky është një besimtar i rremë. Ai pretendon se është një i krishterë, por ai kurrë nuk është bashkuar me Krishtin me anë të besimit. Të tjerë mendojnë që ai është një i krishterë i vërtetë që humb shpëtimin për shkak të dështimit të tij në dhënien e frytit. Kjo është krejtësisht e pamundur, sepse bie në kundërshtim me shumë pjesë të tjera të cilat mësojnë që besimtari ka një shpëtim të përjetshëm. Të tjerët mendojnë që ky është një i krishterë i vërtetë i cili rrëzohet në besim, dmth, ai largohet nga Zoti dhe interesohet në gjërat e botës. Ai dështon në shfaqjen e frytit të Frymës – dashurisë, gëzimit, paqes, durimit, mirëdashjes, mirësisë, besimit, zemërbutësisë, vetkontrollit.

Ajo që Zoti bën me shermendin e pafryt varet nga përkthimi i foljes Greke airo. Kjo mund të ketë kuptimin “heq” siç gjendet në versionin “Diodati i ri” (ALB) (kështu është përkthyer edhe tek Gjoni 1:29). Nëse është kështu ajo mund t’i referohet disiplinës së vdekjes fizike (1 e Korintasve 11:30). Megjithatë, e njëjta fjalë mund të ketë kuptimin “ngre” (si tek Zbu 10:5). Atëherë do të ishte shërbesa pozitive e inkurajimit për shermendin e pafryt, duke e bërë më të lehtë për të marrjen e dritës dhe ajrit, me shpresë se do të japë fryt.

Shermendi që jep fryt është i krishteri që rritet gjithmonë e më shumë si Zoti Jezus. Madje edhe degë të tilla krasiten dhe pastrohen. Ashtu si hardhia reale duhet të pastrohet nga insektet dhe pluhuri, kështu një i krishterë duhet të pastrohet nga gjërat e botës të cilat i ngjiten atij.

15:3 Agjenti që pastron është fjala e Zotit. Dishepujt në fillim ishin pastruar me anë të fjalës në kohën e kthimit të tyre. Ashtu si Shpëtimtari u kishte folur atyre, Fjala e Tij kishte një efekt pastrues në jetët e tyre. Kështu ky varg mund t’i referohet shfajësimit dhe shenjtërimit.

15:4qëndrosh do të thotë të rrish aty ku je. I krishteri është vendosur në Krishtin; ky është pozicioni i tij. Në ecjen e përditshme, ai duhet të qëndrojë në përbashkësi intime me Zotin. Një shermend qëndron në hardhi duke marrë gjithë jetën dhe ushqimin e tij prej hardhisë. Kështu ne qëndrojmë në Krishtin duke kaluar kohë në lutje, duke lexuar dhe duke iu bindur Fjalës së Tij, duke u shoqëruar me njerëzit e Tij dhe duke qenë vazhdimisht në dijeni të unitetit tonë me Të. Duke patur kontakt të vazhdueshëm me Të, ne jemi të vetëdijshëm që Ai banon në ne duke na siguruar forcë dhe burime frymërore. Shermendi mund të japë fryt vetëm duke qëndruar në hardhi. E vetmja mënyrë që besimtarët mund të japin fryt të një karakteri të ngjashëm me Krishtin, është duke jetuar në lidhje të vazhdueshme me Krishtin, çdo moment.

15:5 Krishti vetë është hardhia; besimtarët janë shermendet. Nuk është problemi që shermendi ta jetojë jetën e tij për Hardhinë, por thjesht që shermendi ta lejojë jetën e Hardhisë të rrjedhë nëpër degë. Ndonjëherë ne lutemi, “Zot më ndihmo ta jetoj jetën time për Ty.” Do të ishte më mirë të luteshim, “Zoti Jezus, jeto jetën Tënde nëpërmjet meje.” Pa Krishtin ne nuk mund të bëjmë asgjë. Një shermend ka një qëllim të madh – të japë fryt. Ai është i pavlerë për të bërë mobilje apo për të ndërtuar shtëpi. Shermendi madje nuk bën as zjarr të fortë. Por është i mirë për të mbajtur frytin – për aq kohë sa ai qëndron në hardhi.

15:6 Vargu 6 ka shkaktuar opinione të ndryshme. Disa besojnë që personi i përshkruar këtu është një besimtar që bie në mëkat dhe si pasojë është i humbur. Një interpretim i tillë bie direkt në kundërshtim me shumë vargje të Shkrimeve të cilat mësojnë që asnjë bir i vërtetë i Perëndisë nuk ka për të humbur kurrë. Të tjerët besojnë që ky person është thjesht një shpallës – një që pretendon se është një i krishterë por që nuk ka rilindur kurrë. Juda është përdorur shpesh si një shembull i kësaj.

Ne besojmë që ky person është një besimtar i vërtetë sepse kjo pjesë është e lidhur me të krishterët e vërtetë. Subjekti i pjesës nuk është shpëtimi por të qëndruarit dhe të dhënurit fryt. Por nëpërmjet pakujdesisë dhe moslutjes ky besimtar del nga kontakti që ka me Zotin. Si rezultat i kësaj, ai bie në mëkat dhe kështu dëshmia e tij rrënohet. Me anë të këtij dështimi për të qëndruar në Krishtin, ai hidhet jashtë si një shermend, jo nga Krishti, por nga njerëz të tjerë. Shermendet mblidhen dhe hidhen në zjarr dhe digjen. Nuk është Perëndia që e bën një gjë të tillë, por njerëzit. Çfarë do të thotë kjo? Kuptimi është që njerëzit tallen me besimtarët që i kanë kthyer shpinën Zotit. Ata e hedhin në baltë emrin e tij. Ata e hedhin dëshminë e tij si të krishterë në zjarr. Kjo është ilustruar shumë mirë në jetën e Davidit. Ai ishte një besimtar i vërtetë, por u bë i pakujdesshëm ndaj Zotit dhe kreu mëkatin e kurorëshkeljes dhe vrasjes. Ai i bëri armiqtë e Zotit të blasfemonin. Madje edhe sot, ateistët qeshin me emrin e Davidit (dhe të Perëndisë së Davidit). Ata e hodhën atë në zjarr.

15:7 Të qëndruarit është sekreti i një jete të suksesshme lutjesh. Sa më afër Zotit të jemi, aq më shumë do të mësojmë të mendojmë me mendjen e Tij. Sa më shumë që e njohim Atë me anë të Fjalës së Tij, aq më shumë do të kuptojmë vullnetin e Tij. Sa më shumë që vullneti ynë përputhet me të Tijin, aq më të sigurt do të jemi që lutjet tona do të gjejnë përgjigje.

15:8 Kur bijtë e Perëndisë ekspozojnë ngjashmërinë me Krishtin në këtë botë, Ati përlëvdohet. Njerëzit janë të detyruar të rrëfejnë që Ai që ka ndryshuar jetët e mëkatarëve të ligj në jetë shenjtorësh, është një Perëndi i madh. Vini re rritjen në këtë kapitull: fryt (v 2); edhe më shumë fryt (v 2); shumë fryt (v 8).

Kështu do të jeni dishepujt e mi.” Kjo do të thotë se ne provojmë se jemi dishepujt e Tij kur qëndrojmë në Të. Të tjerët mund të shohin kështu që ne jemi dishepuj të vërtetë, që i ngjajmë Zotit tonë.

15:9 Dashuria që Shpëtimtari ka për ne është e njëjtë me dashurinë që Ati ka për Birin. Zemrat tona duhet të përkulen në adhurim kur lexojnë fjalë të tilla. Është e njëjta dashuri në cilësi dhe në madhësi. Është një dashuri “e gjerë, e gjatë, e thellë, e pamasë, që tejkalon çdo njohuri dhe që nuk mund të kuptohet tërësisht nga mendja njerëzore.” Është një “thellësi ku humbasin të gjitha mendimet tona.” “Qëndroni në dashurinë time,” tha Zoti. Kjo do të thotë që ne duhet të vazhdojmë të vëmë re dashurinë e Tij dhe të gëzohemi në të gjatë gjithë jetë sonë.

15:10 Pjesa e parë e vargut 10 na tregon se si mund të qëndrojmë në dashurinë e Tij; duke zbatuar urdhërimet e Tij. “Nuk ka asnjë rrugë tjetër për të qenë i lumtur në Krishtin, përveç se t’i besosh dhe t’i bindesh.” Pjesa e dytë e vargut vë përpara nesh Shembullin e Përsosur. Zoti Jezus i zbatoi urdhërimet e Atit të Tij. Çdo gjë që Ai bëri ishte me bindje ndaj vullnetit të Perëndisë. Ai mbeti vazhdimisht i gëzuar në dashurinë e Atit. Asnjë gjë nuk ndodhi të prishë atë përbashkësi të dashur me Të.

15:11 Jezusi e gjeti gëzimin e Tij të thellë në përbashkësinë me Perëndinë At. Ai dëshironte që dishepujt të kishin atë gëzim që vjen nga të qenurit i varur tek Ai. Ai dëshironte që gëzimi i Tij të ishte i tyre. Ideja e gëzimit që njeriu ka është të qenurit sa më i lumtur duke lënë jashtë jetës së tij Perëndinë. Zoti na mësoi që gëzimi i vërtetë vjen duke e përfshirë Perëndinë sa më shumë në jetë. “Që gëzimi juaj të jetë i plotë,” ose “i përmbushur.” Gëzimi i tyre do të përmbushej duke banuar në Krishtin dhe duke zbatuar urdhërimet e Tij. Shumë veta e kanë përdorur Gjonin 15 për të mësuar dyshime mbi sigurinë e besimtarit. Ata kanë përdorur vargjet e para për të treguar që një dele e Krishtit mund të humbasë. Por qëllimi i Zotit nuk ishte “që dyshimet tuaja të jenë të plota,” por që gëzimi juaj të jetë i plotë.

Q. Urdhërimi për të dashur njëri-tjetrin (15:12-17)

15:12 Zoti pas një kohe të shkurtër do të largohej nga dishepujt. Ata do të mbeteshin në një botë armiqësore. Ndërkohë që tensionet do të rriteshin, do të rritej rreziku i grindjeve midis njëri-tjetrit. Dhe kështu Zoti lë këtë urdhër dallues, “Ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.”

15:13 Dashuria e tyre duhet të ishte e natyrës që ata duhet të kishin dëshirën për të vdekur për njëri-tjetrin. Shembulli më i madh i vetsakrificës ishte kur një njeri vdiste për miqtë e tij. Dishepujt e Krishtit janë thirrur për një përkushtim të tillë. Disa vdesin në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës; të tjerët kalojnë gjithë jetët e tyre duke u shërbyer njerëzve të Perëndisë pa u lodhur. Zoti Jezus është Shembulli. Ai dha jetën për miqtë e Tij. Sigurisht që ata ishin armiq kur Ai vdiq për ta, por kur ata shpëtohen, bëhen miqtë e Tij. Kështu pra është e saktë të thuhet që Ai vdiq si për miqtë ashtu edhe për armiqtë e Tij.

15:14 Ne tregojmë se jemi miqtë e Tij duke bërë gjithçka që Ai na urdhëron të bëjmë. Kjo nuk është mënyra me anë të së cilës ne bëhemi miq të Tij, por për më tepër mënyra me anë të së cilës ne e shfaqim miqësinë tonë në botë.

15:15 Zoti këtu theksoi ndryshimin midis shërbëtorëve dhe miqve. Nga shërbëtorët pritet që të bëjnë punën që u është caktuar, por miqtë kanë fituar besimin e atij që i ka miq. Miqve tanë ne u zbulojmë planet që kemi për të ardhmen. Me një shok ne bisedojmë gjëra sekrete. Në një farë kuptimi, dishepujt do të vazhdonin të ishin shërbëtorë të Zotit, por ata do të ishin më shumë se kaq – ata do të ishin miq. Madje edhe tani Zoti ishte duke u zbuluar atyre gjëra të cilat i kishte dëgjuar nga Ati i Tij. Ai po u fliste atyre për nisjen e Tij, për ardhjen e Frymës së Shenjtë, për ardhjen e Tij përsëri dhe për përgjegjësinë që ata kishin ndaj Tij gjatë kësaj kohe. Dikush ka cilësuar që si degë ne marrim (v 5); si dishepuj ne ndjekim (v 8); dhe si miq ne njohim (v 15).

15:16 Që të mos kishin asnjë mundësi për t’u dekurajuar dhe për të hequr dorë, Jezusi i kujtoi ata që Ai ishte Personi që i kishte zgjedhur. Kjo ndoshta ka kuptimin që Ai i zgjodhi ata për shpëtimin e përjetshëm, për dishepullim ose për të dhënë fryt. Ai i kishte drejtuar dishepujt te puna që i priste ata. Ne duhet të shkojmë dhe të japim fryt. Fryti mund të ketë kuptimin e hireve që ka jeta e krishtere, si për shembull dashuria, gëzimi, paqja etj. Ose mund të nënkuptojë shpirtra të fituar për Zotin Jezus Krisht. Ekziston një lidhje e ngushtë midis këtyre dy gjërave. Është pikërisht atëherë kur ne shfaqim llojin e parë të frytit, që mund të jemi në gjendje të japim të dytin.

Shprehja “që fryti juaj të jetë i qëndrueshëm” na bën të mendojmë që fryti këtu ka të bëjë me shpëtimin e shpirtrave. Zoti i zgjodhi dishepujt për të shkuar dhe për të dhënë fryt të përhershëm. Atij nuk i interesonte thjesht një rrëfim besimi në Veten e Tij, por rastet e vërteta të shpëtimit. L.S. Chafer tregon që në këtë kapitull ne kemi lutje efektive (v 7), gëzim qiellor (v 11) dhe fryt të përhershëm (v 16). “Që çfarëdo që t’i kërkoni … “; sekreti i shërbesës efektive është lutja. Dishepujt ishin dërguar me garancinë që Ati do t’u siguronte atyre çdo gjë që do të kërkonin emër të Krishtit.

15:17 Zoti tani do t’i paralajmëronte dishepujt për armiqësinë e botës. Ai filloi duke u thënë atyre ta donin njëri-tjetrin dhe të qëndronin të bashkuar kundër armikut.

R. Jezusi parashikon urrejtjen e botës (15:18-16:4)

15:18, 19 Dishepujt nuk duhet të habiteshin dhe të dekurajoheshin nëse bota i urrente. (Fjala nëse nuk shpreh ndonjë dyshim që një gjë e tillë do të ndodhte apo jo; pasi kjo gjë ishte e sigurt). Bota e urreu Zotin dhe do të urrente edhe ata që i ngjanin Atij.

Njerëzit e botës duan ata që jetojnë ashtu siç jetojnë vetë ata – ata që përdorin një gjuhë të rëndë dhe që janë të zhytur në lakmitë e mishit, ose njerëz që janë të kulturuar por që jetojnë vetëm për vetveten. Të krishterët i dënojnë ata me anë të jetëve të tyre të shenjta, prandaj bota i urren ata.

15:20 Këtu fjala shërbëtor do të thotë “skllav.” Një dishepull nuk duhet të presë nga bota një trajtim më të mirë nga ai që iu bë Zotërisë së tij. Ai do të persekutohet ashtu siç u persekutua Krishti. Fjala e tij do të refuzohet ashtu siç u refuzua Shpëtimtari.

15:21 Kjo urrejtje dhe persekutim është “për shkak të emrit Tim.” Është sepse besimtari është i lidhur me Krishtin; sepse ai është ndarë nga bota me anë të Krishtit; dhe sepse ai mbart me vete emrin e Krishtit dhe ngjashmërinë me Të. Bota është e paditur për sa i përket Perëndisë. Ata nuk e dinë që Ati e dërgoi Zotin në botë për të qenë Shpëtimtari i saj. Por padituria nuk është një arsye për t’u shfajësuar.

15:22 Zoti nuk po mësonte që nëse Ai nuk do të kishte ardhur, njerëzit nuk do të kishin qenë mëkatarë. Që nga koha e Adamit të gjithë njerëzit kishin qenë dhe janë mëkatarë. Por mëkati i tyre nuk do të ishte aq i madh sa tani. Këta njerëz kishin parë Birin e Perëndisë dhe kishin dëgjuar fjalët e Tij të mrekullueshme. Ata nuk mundën të gjenin në Të asnjë faj. E përsëri e hodhën poshtë. Pikërisht kjo gjë e bënte mëkatin e tyre shumë të madh. Kështu pra ishte një çështje krahasimi. Krahasuar me mëkatin e tmerrshëm të hedhjes poshtë të Zotit të lavdisë, mëkatet e tjera nuk ishin asgjë. Tani ata nuk kishin asnjë shfajësim për mëkatin e tyre. Ata kishin kundërshtuar Dritën e botës!

15:23 Duke urryer Krishtin ata kishin urryer edhe Atin. Të Dy janë Një. Ata nuk mund të thoshin se e donin Perëndinë, sepse po ta kishin dashur Atë, ata do të kishin dashur edhe Atë që Ai pati dërguar.

15:24 Ata nuk ishin përgjegjës vetëm sepse kishin dëgjuar mësimet e Krishtit, por edhe sepse kishin parë mrekullitë e Tij. Kjo i shtohej dënimit të tyre. Ata panë vepra që askush tjetër nuk kishte bërë. Të hidhje poshtë Krishtin duke pasur përpara gjithë këto prova ishte e pafalshme. Zoti i krahasoi gjithë mëkatet e tyre të tjera me këtë mëkat dhe tha që ato nuk ishin asgjë në krahasim me këtë të fundit. Ngaqë kishin urryer Birin, ata kishin urryer edhe Atin e Tij, dhe ky ishte dënimi i tyre i tmerrshëm.

15:25 Zoti kuptoi që qëndrimi i njeriut ndaj Tij ishte në përputhje të plotë me profecinë. Ishte parashikuar në Psalmin 69:4 që Krishti do të urrehej pa asnjë shkak. Tani që kjo gjë kishte ndodhur, Zoti komentoi që DhV (që këta njerëz e vlerësonin) kishte parashikuar urrejtjen e tyre të pakuptimtë ndaj Tij. Fakti që një gjë e tillë ishte profetizuar nuk do të thoshte që këta njerëz duhet ta urrenin Krishtin. Ata e urryen Atë me anë të zgjedhjes së tyre të lirë, por Perëndia e parashikoi që një gjë e tillë do të ndodhte, dhe Ai e bëri Davidin ta shkruante këtë gjë në Psalmin 69.

15:26 Pavarësisht nga hedhja poshtë e njeriut, për Krishtin do të kishte një dëshmi të vazhdueshme. Ajo do të vazhdohej nga Ngushëlluesi – Fryma e Shenjtë. Këtu Zoti tha që Ai do të dërgonte Frymën prej Atit. Në Gjoni 14:16, Ati ishte Ai që kishte dërguar Frymën. A nuk është kjo një provë tjetër e barazisë së Birit me Atin? Kush tjetër përveç Perëndisë do të dërgonte Një që është Perëndi? Fryma e së vërtetës del nga Ati. Kjo do të thotë që Ai është vazhdimisht duke u dërguar nga Perëndia, dhe ardhja e Tij në ditën e Rrëshajave ishte një moment i veçantë i kësaj. Fryma dëshmon në lidhje me Krishtin. Ky është misioni i Tij i madh. Ai nuk kërkon t’i zërë njerëzit me mendime për Veten, megjithëse Ai është një nga anëtarët e Trinitetit. Por Ai e drejton si vëmendjen e mëkatarit ashtu edhe të shenjtorit tek Zoti i lavdisë.

15:27 Fryma do të dëshmonte direkt nëpërmjet dishepujve. Ata kishin qenë me Zotin që nga fillimi i shërbesës së Tij publike dhe ishin cilësuar në mënyrë të veçantë për të treguar për Personin dhe veprën e Tij. Nëse dikush do të kishte gjetur ndonjë papërsosmëri në Zotin, ata do të ishin të parët për një gjë të tillë, sepse ata kishin qenë më shumë me Të. Por ata kurrë nuk e panë Atë të bënte ndonjë mëkat. Ata mund të dëshmonin për faktin që Ai ishte Biri i pamëkatë i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës.

16:1 Dishepujt ndoshta ushqenin shpresën që populli Jude kishte në përgjithësi – që Mesia do të vendoste mbretërinë e Tij dhe që fuqia e Romës do të thyhej. Në vend të kësaj Zoti u tha tyre që Ai po shkonte për të vdekur, për t’u ringjallur dhe për t’u kthyer përsëri në qiell. Fryma e Shenjtë do të vinte dhe dishepujt do të niseshin si dëshmitarë për Krishtin. Ata do të urreheshin dhe persekutoheshin. Zoti ua tha atyre të gjitha këto gjëra që më parë, kështu që ata të mos zhgënjeheshin, të mos skandalizoheshin dhe të mos çuditeshin.

16:2, 3 Përjashtimi nga sinagogat konsiderohej si gjëja më e keqe që mund të ndodhte ndër Judenj. Dhe kjo gjë do t’u ndodhte atyre Judenjve që do të besonin në Jezusin. Besimi i Krishterë do të urrehej aq shumë saqë ata që do të përpiqeshin ta zhduknin atë do të mendonin se po kënaqnin Perëndinë. Kjo tregon sesi një person mund të jetë shumë i sinqertë, shumë i zellshëm, dhe përsëri shumë në gabim.

Dështimi për të njohur hyjninë e Krishtit gjendet në rrënjë të problemit. Judenjtë nuk do ta pranonin Atë, dhe duke vepruar kështu, ata refuzonin të pranonin Atin.

16:4 Përsëri Zoti i paralajmëroi dishepujt që më parë me qëllim që ata të mos tronditeshin nga këto gjëra kur të ndodhnin. Ata do të kujtoheshin që Zoti kishte folur për persekutime; ata do ta dinin që e gjitha ishte pjesë e planit të Tij për jetët e tyre. Zoti nuk u kishte treguar shumë atyre për këtë gjë më parë sepse Ai ishte me ta. Nuk ishte e nevojshme t’i shqetësonte apo t’ua hiqte vëmendjen nga ato gjëra që Ai kishte për t’u mësuar atyre. Por tani që do të largohej prej tyre, Atij i duhej t’u tregonte për rrugën që i priste përpara.

S. Ardhja e Frymës së të Vërtetës (16:5-15)

16:5 Vargu 5 duket sikur shpreh një habi mbi faktin që dishepujt nuk ishin më të interesuar në atë që e priste Zotin. Megjithëse ata kishin pyetur në vija të përgjithshme se ku po shkonte, ata nuk dukeshin tepër të përfshirë në këtë çështje.

16:6 Ata ishin më tepër të interesuar për të ardhmen e tyre sesa për të ardhmen e Tij. Përpara Tij shtrihej kryqi dhe varri. Përpara tyre shtrihej persekutimi në shërbesën e tyre për Krishtin. Ata ishin të mbushur me trishtim më tepër për problemet e tyre sesa të Tijat.

16:7 Megjithatë ata nuk do të liheshin pa ndihmë dhe pa ngushëllim. Krishti do të dërgonte Frymën e Shenjtë për të qenë Ngushëlluesi i tyre. Ishte për të mirën e dishepujve që Ngushëlluesi të vinte. Ai do t’i fuqizonte ata, do t’u jepte kurajo, do t’i mësonte dhe do t’ua bënte Krishtin akoma më të vërtetë se më parë. Ngushëlluesi nuk mund të vinte nëse Zoti Jezus nuk kthehej në qiell dhe nëse nuk përlëvdohej. Sigurisht, Fryma e Shenjtë kishte qenë në botë edhe përpara kësaj, por Ai po vinte në një mënyrë të re – për ta bindur botën dhe për t’u shërbyer të shpenguarve.

16:8 Fryma e Shenjtë do ta bindte botën në lidhje me mëkatin, me drejtësinë dhe gjykimin. Në përgjithësi kuptimi i këtyre fjalëve merret i tillë që Ai krijon një dijeni të brendshme në lidhje me këto gjëra në jetën e çdo individi mëkatar. Ndërkohë që kjo është e vërtetë, nuk është pikërisht ajo që mësohet në këtë pjesë. Fryma e Shenjtë e dënon botën me anë të faktit që Ai është këtu. Ai nuk duhet të ishte këtu, sepse Zoti Jezus duhet të ishte këtu, duke mbretëruar mbi botën. Por bota e hodhi poshtë Atë, dhe Ai u kthye në qiell. Fryma e Shenjtë është këtu në vend të një Krishti të hedhur poshtë, dhe kjo tregon fajin e botës.

16:9 Fryma e bind botën për mëkat pasi ajo dështoi të besojë në Krishtin. Ai ishte i denjë për t’u besuar. Në Të nuk kishte asgjë të pamundur që ta bënte njeriun të mos besonte në Të. Por ata kundërshtuan. Dhe prania e Frymës së Shenjtë në botë është një dëshmi për krimin e tyre.

16:10 Shpëtimtari shpalli të ishte i drejtë, por njerëzit thanë se Ai kishte një demon. Perëndia tha fjalën e fundit. Ai tha në fakt, “Im bir është i drejtë dhe Unë do ta provoj këtë duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e marrë Atë përsëri në qiell.” Fryma e Shenjtë dëshmon për faktin që Krishti ishte i drejtë dhe që bota ishte në gabim.

16:11 Prania e Frymës së Shenjtë gjithashtu e bind botën për gjykimin që po vjen. Fakti që Ai është këtu do të thotë se djalli tashmë është dënuar në kryq dhe që të gjithë ata që refuzojnë Shpëtimtarin do të kenë pjesën e tyre në atë gjykim të tmerrshëm që është ende në të ardhmen.

16:12 Kishte ende edhe shumë gjëra të tjera që Zoti dëshironte t’u thoshte dishepujve, por ata nuk mund t’i merrnin ato gjëra. Ky është një parim i rëndësishëm i të mësuarit. Duhet të ketë një përparim të caktuar në mësime përpara se të merren disa të vërteta. Zoti kurrë nuk i ngarkoi jashtë mase dishepujt e Tij me mësime. Ai ua dha mësimin “fjalë për fjalë, udhëzim pas udhëzimi.”

16:13 Puna që Zoti filloi do të vazhdohej me anë të Frymës të së vërtetës. Ai do t’i printe ata në çdo të vërtetë. Në një farë mënyre çdo e vërtetë iu besua apostujve gjatë jetës së tyre. Ata, në kthim, ia besuan këto të vërteta Shkrimeve, dhe ne e kemi sot në Dhjatën tonë të Re. Kjo duke iu shtuar DhV, plotësoi gjithë zbulimin e Perëndisë dhënë njeriut. Por sigurisht që është i vërtetë fakti që Fryma e Perëndisë drejton popullin e Perëndisë në çdo të vërtetë. Ai e bën këtë me anë të Shkrimeve. Ai do të flasë vetëm gjërat që i janë dhënë nga Ati dhe Biri. “Ai do t’ju kumtojë gjërat që do të vijnë.” Sigurisht, kjo është bërë në DhR, dhe veçanërisht në librin e Zbulesës ku është zbuluar e ardhmja.

16:14 Puna e Tij kryesore do të jetë përlëvdimi i Krishtit. Me anë të kësaj ne mund të provojmë llojin e çdo mësimi apo predikimi që dëgjojmë. Nëse ajo që dëgjojmë ka si synim për të madhështuar Shpëtimtarin, atëherë është nga Fryma e Shenjtë. “Ai do të marrë prej Meje,” do të thotë që Ai do të marrë nga të vërtetat e mëdha në lidhje me Krishtin. Këto janë gjërat që Ai ua zbulon besimtarëve. Kjo temë kurrë nuk mund të gjejë lodhje të tepërt!

16:15 Të gjitha atributet e Atit i takojnë Birit. Ishte pikërisht për këto përsosmëri për të cilat Krishti po fliste në vargun 14. Fryma u zbuloi apostujve përsosmëritë e lavdishme, shërbesat, detyrat, hiret dhe plotësinë e Zotit Jezus.

T. Trishtimi i kthyer në Gëzim (16:16-22)

16:16 Korniza kohore e vargut 16 nuk është e përcaktuar. Ajo mund të nënkuptojë faktin që Zoti do të ishte larg tyre për tre ditë, dhe më pas Ai do të rishfaqej pas ringjalljes. Ose mund të nënkuptojë që Ai do të kthehej përsëri tek Ati i Tij në qiell, dhe pas një kohe të shkurtër (Epoka e tanishme), Ai do të kthehej tek ata (Ardhja e Tij e Dytë). Ose mund të nënkuptojë që për pak ata nuk do ta shihnin Atë me sytë e tyre fizikë, por pasi Fryma e Shenjtë të jepej në Ditën e Rrëshajave, ata do ta dallonin Atë me anë të besimit, në një mënyrë që kurrë më parë nuk e kishin parë.

16:17 Dishepujt e Tij ishin të ngatërruar në mendjet e tyre. Arsyeja për këtë ngatërresë ishte se në vargun 10, Shpëtimtari pati thënë, “Unë po shkoj te Ati dhe ju nuk do të më shihni më.” Tani Ai thotë, “pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni.” Ata nuk mundeshin t’i pajtonin me njëra tjetrën këto dy thënie.

16:18 Ata pyetën njëri-tjetrin për domethënien e këtyre fjalëve “pas pak.” Sa e çuditshme që edhe ne sot kemi të njëjtin problem. Ne nuk e dimë nëse i referohet tre ditëve përpara ringjalljes së Tij, dyzet ditëve përpara Rrëshajave apo më tepër se 1900 vjetëve përpara ardhjes së Tij të dytë!

16:19, 20 Duke qenë Perëndi, Zoti Jezus ishte në gjendje të lexonte mendimet e tyre. Me anë të pyetjeve të Tij, Ai zbuloi që dinte gjithçka në lidhje me vështirësinë e tyre të të kuptuarit.

Ai nuk iu përgjigj atyre në mënyrë të drejtpërdrejtë, por dha më tepër informacion në lidhje me fjalët “pas pak.” Bota do të gëzohej sepse ia kishte arritur qëllimit të saj për të kryqëzuar Zotin Jezus, por dishepujt do të qanin dhe do të mbanin zi. Por kjo do të ishte për pak kohë. Trishtimi i tyre do të kthehej në gëzim – së pari me anë të ringjalljes, dhe së dyti me anë të ardhjes së Frymës. Më pas për të gjithë dishepujt e të gjitha kohërave, trishtimi do të kthehet në gëzim kur Zoti Jezus do të kthehet përsëri.

16:21 Asgjë nuk është më e veçantë sesa shpejtësia me të cilën një nënë harron dhimbjet e lindjes sapo fëmija i saj lind. Kështu do të ishte me dishepujt. Trishtimi i tyre në lidhje me mungesën e Zotit do të harrohej kur ata ta shihnin përsëri.

16:22 Përsëri ne na duhet të shprehim paditurinë tonë në lidhje me fjalët “do t’ju shoh përsëri.” A i referohet kjo ringjalljes, dërgimit të Frymës në ditën e Rrëshajave apo Ardhjes së Tij të dytë? Në të treja rastet, rezultati është gëzim, dhe një gëzim që nuk mund të hiqet.

U. Duke iu lutur Atit në emër të Jezusit (16:23-28)

16:23 Deri tani dishepujt kishin shkuar tek Jezusi me pyetjet dhe kërkesat e tyre. Atë ditë (fillimi i një epoke të re me anë të zbritjes së Frymës së Shenjtë në Ditën e Rrëshajave), Ai nuk do të ishte më me ta fizikisht, kështu që ata nuk do të mund t’i bënin më pyetje. Por a do të thoshte kjo që ata nuk do të kishin më se ku të shkonin? Jo, atë ditë do të ishte privilegji i tyre t’i kërkonin Atit. Ai do t’u përgjigjej kërkesave të tyre për hir të Jezusit. Kërkesat do të gjenin përgjigje, jo sepse ne jemi të denjë, por sepse Zoti Jezus është i denjë.

16:24 Përpara kësaj, dishepujt nuk ishin lutur kurrë tek Perëndia At në emër të Zotit. Tani ata ishin ftuar për të kërkuar. Nëpërmjet lutjeve të përgjigjura, gëzimi i tyre do të ishte i plotë.

16:25 Domethënia e shumicës së mësimeve të Zotit nuk dukej gjithmonë në sipërfaqe. Ai përdorte shëmbëlltyra dhe një gjuhë të figurshme. Madje edhe në këtë kapitull ne nuk mund të jemi gjithmonë të vërtetë për domethënien e saktë. Me ardhjen e Frymës së Shenjtë, mësimi përreth Atit u bë më i thjeshtë dhe më i qartë. Në Veprat e apostujve dhe në Letrat, e vërteta nuk shpjegohet më me anë të shëmbëlltyrave, por me anë të thënieve të drejtpërdrejta.

16:26Atë ditë” i referohet përsëri Epokës së Frymës së Shenjtë, në të cilën ne jemi duke jetuar. Privilegji ynë është t’i lutemi Atit në emër të Zotit Jezus. “Nuk po them se unë do t’i lutem Atit për ju,” pra Ati nuk ka nevojë të nxitet nga dikush për t’iu përgjigjur lutjeve tona. Zotit nuk do t’i duhet ta lusë Atë me ngulm. Por ne nuk duhet të harrojmë që Zoti Jezus është Ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njeriut, dhe Ai ndërhyn për njerëzit e Tij përpara fronit të Perëndisë.

16:27 Ati i donte dishepujt sepse ata e kishin pranuar Krishtin, e kishin dashur Atë dhe kishin besuar në Hyjninë e Tij. Kjo është arsyeja përse Zotit nuk i duhej t’i lutej Atit. Me ardhjen e Frymës së Shenjtë , ata do të gëzonin një lloj të ri intimiteti me Atin. Ata do të ishin në gjendje t’i afroheshin Atij me besim, dhe e gjithë kjo për shkak se ata e donin Birin e Tij.

16:28 Këtu Zoti përsëriti shpalljen e Tij në lidhje me barazinë që kishte me Perëndinë At. Ai nuk tha “Unë dola nga Perëndia,” sikur të ishte thjesht një Profet i dërguar nga Perëndia, por “unë dola nga Ati.” Kjo do të thotë se Ai është Biri i përjetshëm i Atit të përjetshëm, i barabartë me Perëndinë At. Ai erdhi në botë si Një që kishte jetuar diku tjetër përpara Ardhjes së Tij. Në Ngjitjen e Tij, Ai e la botën dhe u kthye tek Ati. Kjo është një biografi e shkurtër e Zotit të lavdisë.

V. Fatkeqësi dhe Paqe (16:29-33)

16:29, 30 Dishepujt e Jezusit menduan se tani ata ishin në gjendje që për herë të parë ta kuptonin Atë. Ata thanë se Ai nuk po përdorte më shëmbëlltyra.

Ata menduan që tani hynë në misterin e Personit të Tij. Tani ata ishin të sigurt që kishin gjithë njohurinë dhe Ai kishte dalë nga Perëndia. Por Ai kishte thënë që Ai doli nga Ati. A e kishin kuptuar ata domethënien e kësaj? A e kishin kuptuar ata që Jezusi ishte një nga Personat e Hyjnisë ?

16:31 Jezusi sugjeroi me anë të kësaj pyetjeje që besimi i tyre ishte ende i papërsosur. Ai e dinte që ata e donin dhe e besonin Atë, por a e dinin ata me të vërtetë që Ai ishte Perëndia i shfaqur në mish?

16:32 Pas pak Ai do të arrestohej, rrihej dhe kryqëzohej. Dishepujt do ta braktisnin dhe do t’ia mbathnin për në shtëpitë e tyre. Por Ai nuk do të lihej i vetëm sepse Ati do të ishte me Të. Ishte ky unitet me Perëndinë At, që ata nuk e kuptonin. Kjo do të ishte ajo që do ta mbështeste Atë, kur gjithë të tjerët do të kishin ikur për të shpëtuar jetët e tyre.

16:33 Qëllimi i kësaj bisede me dishepujt ishte ata të mund të kishin paqe. Kur ata do të urreheshin, ndiqeshin, persekutoheshin, dënoheshin në mënyrë të rreme, madje edhe të torturoheshin, ata do të kishin paqe në Të. Ai e mundi botën në kryqin e Kalvarit. Pavarësisht nga fatkeqësitë e tyre, ata do të mund të pushonin të sigurt që ndodheshin në anën e fitimtarit.

Gjithashtu, me ardhjen e Frymës së Shenjtë, ata do të kishin fuqi të reja për të duruar, dhe kurajo të re për të përballuar armikun.

W. Jezusi lutet për Shërbesën e Tij (17:1-5)

Tani ne vijmë në atë që njihet si lutja e Kryepriftërore e Zotit Jezus. Në këtë lutje, Ai bëri ndërhyrje për të Tijët. Është një pikturë e shërbesë së Tij të tanishme në qiell, ku Ai lutet për njerëzit e Tij. Marcus Rainsford ka shkruar bukur:

E gjithë lutja është një ilustrim i bukur i ndërhyrjes së Zotit tonë të bekuar në të djathtë të Perëndisë. Asnjë fjalë kundër popullit të Tij; asnjë referim ndaj rënieve apo të metave të tyre … Jo. Ai flet për ta vetëm se si ata ishin në qëllimin e Atit, në lidhje me Të, dhe si marrës të plotësisë që Ai erdhi nga qielli për t’ua dhënë atyre… Të gjitha kërkesat e veçanta të Zotit për njerëzit e Tij lidhen me gjëra frymërore; të gjitha i referohen bekimeve qiellore. Zoti nuk kërkon pasuri për ta, ose nderime, ose influencë tokësore, ose gradime të larta, por Ai lutet shumë sinqerisht që ata të mund të ruhen nga i ligu, të ndahen nga bota, të kualifikohen për detyra, dhe që të çohen të sigurt në shtëpi në qiell. Mirëqenia frymërore është mirëqenia më e mirë; është indeksi i mirëqenies së vërtetë. [45]

17:1 Ora kishte ardhur. Shumë herë armiqtë e Tij nuk kishin qenë në gjendje ta kapnin sepse ora e Tij nuk kishte ardhur ende. Por tani kishte ardhur koha kur Zoti do të shkonte drejt vdekjes. “Përlëvdo Birin tënd,” u lut Shpëtimtari. Në këto momente Ai ishte duke parë drejt vdekjes së Tij në kryq. Nëse Ai do të mbetej në varr, bota do të mendonte që Ai ishte thjesht një njeri si gjithë të tjerët. Por nëse Perëndia do ta përlëvdonte duke e ringjallur prej së vdekurish, kjo do të ishte një provë e faktit që Ai ishte Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. Perëndia iu përgjigj kësaj kërkese duke e ringjallur Zotin Jezus ditën e tretë dhe më pas duke e marrë Atë përsëri në qiell dhe duke e kurorëzuar me nder dhe lavdi.

Që edhe Biri yt të të përlëvdojë,” vazhdoi Zoti. Kuptimi i kësaj është shpjeguar në dy vargjet e tjera. Jezusi përlëvdon Atin duke u dhënë jetë të përjetshme atyre që besojnë në Të. Perëndisë i jepet lavdi kur burra dhe gra të paperëndishëm kthehen dhe shfaqin jetën e Zotit Jezus në këtë tokë.

17:2 Si rezultat i veprës së Tij të shpengimit në kryq, Perëndia i ka dhënë Birit të Tij pushtet mbi gjithë njerëzimin. Ky autoritet i dha të drejtë Atij për t’i dhënë jetë të përjetshme atyre që Ati ia kishte dhënë. Përsëri këtu ne kujtohemi që përpara themelimit të botës, Perëndia caktoi disa që do t’i përkisnin Krishtit. Megjithatë mbani mend që Perëndia i ofron shpëtim kujtdo që pranon Jezus Krishtin. Nuk ka ndonjë njeri që nuk mund të shpëtohen nëse beson në Shpëtimtarin.

17:3 Këtu kemi një shpjegim të thjeshtë të faktit se si merret jeta e përjetshme. Kjo ndodh duke njohur Perëndinë dhe Jezus Krishtin. I vetmi Perëndi i vërtetë është në kontrast me idhujt, të cilët nuk janë fare perëndi. Ky varg nuk do të thotë që Jezus Krishti nuk është Perëndi i vërtetë. Fakti që emri i Tij është përmendur së bashku me emrin e Perëndisë At, si burimi lidhës i jetës së përjetshme, do të thotë se Ata janë të barabartë. Këtu Zoti e quajti Veten Jezus Krisht. Krisht është njësoj me Mesia. Ky varg hedh poshtë akuzën që thotë se Jezusi kurrë nuk tha se ishte Mesia.

17:4 Ndërkohë që Zoti thoshte këto fjalë, Ai ishte duke folur sikur tashmë të kishte vdekur, të ishte varrosur dhe të ishte ringjallur. Ai e kishte përlëvduar Atin me anë të jetës së Tij të pamëkatshme, me anë të mrekullive të Tij, me anë të vuajtjeve dhe vdekjes së Tij dhe me anë të ringjalljes. Ai e kishte kryer veprën e shpëtimit që Ati i kishte dhënë për të bërë. Ashtu siç Ryle ka thënë:

Kryqëzimi i solli lavdi Atit. Ai përlëvdoi diturinë, besnikërinë, shenjtërinë dhe dashurinë e Tij. Ky kryqëzim tregoi se Ai ishte i mençur në sigurimin e një plani me anë të të cilit Ai mund të ishte i drejtë dhe përsëri të ishte shfajësuesi i të paudhëve. – Po kështu, kryqëzimi, tregoi se Ai ishte besnik në mbajtjen e premtimit që fara e gruas do të shtypte kokën e gjarprit. – Ai tregoi se Perëndia është i shenjtë duke dashur që kërkesa e ligjit të Tij të gjejë plotësim në Zëvendësin e madh. – Ai tregoi që Perëndia është i dashur, duke siguruar një Ndërmjetës të tillë, një Shpengimtar të tillë, një Mik të tillë për njeriun mëkatar, siç është Biri i Tij i përjetshëm.

Kryqëzimi i solli lavdi Birit. Ai përlëvdoi dashurinë e Tij, durimin e Tij, fuqinë e Tij. Ky kryqëzim tregoi dashurinë e Tij, në vdekjen e Tij për ne, duke vuajtur në vendin tonë, duke e lejuar Vetveten për t’u bërë mëkat dhe mallkim për ne, dhe duke blerë shpengimin tonë me çmimin e gjakut të Tij. – Ai tregoi se Biri ishte i duruar duke mos përjetuar një vdekje të zakonshme për njerëzit, por duke e nënshtruar vetveten ndaj agonive të dhimbshme që mendja njerëzore nuk mund të nxërë, kur vetëm me anë të një fjale Ai mund të kishte thirrur engjëjt e Atit të Tij dhe të ishte liruar. – Ai tregoi se Biri ishte tepër i fuqishëm, duke mbartur peshën e gjithë shkeljeve të botës, duke mposhtur Satanin, dhe duke i rrëmbyer atij prenë e vet. [46]

17:5 Përpara se Krishti të vinte në botë, Ai banonte në qiell me Atin. Kur engjëjt panë Zotin, ata panë gjithë lavdinë e Hyjnisë. Për çdo sy, Ai ishte Perëndia. Por kur Ai erdhi mes njerëzish, lavdia e Hyjnisë u mbulua me vel. Megjithëse Ai ende ishte Perëndi, kjo gjë nuk dukej në sytë e atyre që e shikonin. Ata thjesht e panë Atë si Birin e marangozit. Këtu, Shpëtimtari po lutet që shfaqja e dukshme e lavdisë së Tij në qiell të mund të rikthehej. Fjalët “më përlëvdo pranë Teje” do të thonë “më përlëvdo Mua në praninë Tënde në qiell. Gjithë lavdia që Unë kisha me Ty përpara Mishërimit Tim le të zërë përsëri vendin e saj.” Kjo tregon qartë para-ekzistencën e Krishtit.

  1. Jezusi lutet për dishepujt e Tij (17:6-19)

17:6 Jezusi ua kishte dëftuar emrin e Atit dishepujve. Fjala “emër” në Shkrime do të thotë Person, atributet dhe karakteri i Tij. Krishti e kishte shpallur në mënyrë të plotë natyrën e vërtetë të Atit. Dishepujt i ishin dhënë Birit nga bota. Ata ishin veçuar nga masa mosbesuese e njerëzimit që t’ i përkisnin Krishtit. “Ata ishin të Atit me anë të zgjedhjes përpara se bota të ishte, dhe u bënë të Krishtit me anë të dhuratës së Atit, dhe me anë të blerjes me gjak,” shkroi J.G. Bellett.

Ata e kanë zbatuar fjalën Tënde,” tha Zoti. Pavarësisht nga dështimet dhe rrëzimet, Ai i vlerëson ata si njerëz që kanë besuar dhe që i janë bindur mësimeve të Tij. “Asnjë fjalë kundër popullit të Tij,” shkruan Rainsford, “asnjë aluzion për atë që ata kishin bërë apo që ishin gati për të bërë (që ta braktisnin Atë).”

17:7, 8 Shpëtimtari e kishte paraqitur Atin e Tij në një mënyrë të përsosur. Ai u shpjegoi dishepujve që Ai nuk foli dhe nuk veproi me anë të pushtetit të Tij, por vetëm në mënyrën me të cilën Ati e kishte udhëzuar. Kështu ata besuan Ati e kishte dërguar Birin.

Për më tepër, Krishti nuk ishte Ai që filloi misionin e Vet. Ai erdhi në bindje të plotë ndaj vullnetit të Atit. Ai ishte Shërbëtori i përsosur i Jehovait.

17:9 Si Kryeprift, Ai u lut për dishepujt; Ai nuk u lut për botën. Kjo nuk duhet të merret si një sugjerim për të menduar që Krishti nuk u lut kurrë për botën. Në kryq, Ai u lut, “O At, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.”

Por këtu Ai po lutej si Dikush që prezantonte besimtarët përpara fronit të Perëndisë. Këtu lutja e Tij mund të jetë vetëm për të Tijët.

17:10 Uniteti i përsosur midis Atit dhe Birit është treguar në këtë varg. Asnjë njeri i thjeshtë nuk mund t’i thoshte me të vërtetë këto fjalë. Ne mund të jemi në gjendje t’i themi Perëndisë. “ gjitha gjërat e mia janë të tuat,” por nuk mund të themi, “të gjitha gjërat e Tua janë të miat.” Ai mund ta thoshte këtë gjë, sepse Biri është i barabartë me Atin. Në këto vargje (6-19), Jezusi paraqet tufën e Tij të varfër dhe të druajtur, dhe duke rrëmbyer çdo dele në një mantel shumëngjyrësh, deklaron, “Unë jam përlëvduar në to.”

17:11 Përsëri Zoti Jezus fut në bisedë kthimin e Tij në qiell. Ai lutet sikur të kishte shkuar. Vini re titullin Atë i shenjtë. Fjala i shenjtë flet për Dikë që është pafundësisht i lartë. Fjala Atë flet për Dikë që është thellësisht i afërt.

Lutja e Jezusit “që të jenë një” i referohet unitetit të karakterit të Krishterë. Ashtu si Ati dhe Biri janë Një në ngjashmëri morale, kështu edhe besimtarët duhet të jenë të bashkuar në këtë aspekt – që ata janë si Zoti Jezus.

17:12 Kur Ai ishte me dishepujt, Shpëtimtari i ruajti ata në emër të Atit, që do të thotë, me anë të fuqisë dhe pushtetit të Tij. “Askush nga ata nuk ka humbur,” tha Jezusi, “përveç birit të humbjes,” pra Juda. Por kjo nuk do të thotë që Juda ishte një nga ata të cilët i ishin dhënë Birit nga Ati ose që ai kishte qenë ndonjëherë besimtar i vërtetë. Fjalia ka këtë kuptim: “Ata që Ti më ke dhënë, Unë i kam ruajtur, dhe asnjë prej tyre nuk ka humbur, por biri i humbjes është i humbur, që Shkrimi të mund të përmbushej.” Titulli “bir i humbjes” do të thotë që Juda i ishte dorëzuar shkatërrimit dhe dënimit të përjetshëm. Juda nuk ishte i detyruar ta tradhëtonte Krishtin me qëllim që të përmbushte profecinë, por ai zgjodhi vetë ta tradhëtonte Shpëtimtarin dhe duke bërë këtë gjë Shkrimet u përmbushën.

17:13 Zoti shpjegoi përse po lutej në prani të dishepujve të Tij. Ishte sikur Ai t’u kishte thënë atyre: “Këto janë ndërhyrje nga të cilat unë nuk do të heq dorë kurrë për aq kohë sa jam në qiell përpara Perëndisë. Por tani i bëj ato botë para syve dhe veshëve tuaj, me qëllim që ju të kuptoni akoma më shumë se si unë do të jem i ngarkuar me punën e të siguruarit të mirëqenies tuaj, kështu që ju të mund të jeni tërësisht pjesëmarrës në gëzimin Tim.”

17:14 Zoti u dha fjalën e Perëndisë dishepujve, dhe ata e pranuan atë. Si përfundim, bota u kthye kundër tyre dhe i urreu ata. Ata kishin karakteristikat e Zotit Jezus, dhe kështu bota i urreu ata. Ata nuk përputheshin me skemën e botës.

17:15 Zoti nuk u lut që Ati t’i merrte besimtarët në shtëpi në qiell menjëherë. Ata duhet të liheshin aty për t’u rritur në hir dhe për të dëshmuar për Krishtin. Por lutja e Krishtit ishte që ata të mund të ruheshin nga i ligu. Jo të shpëtonin, por të ruheshin.

17:16 Të krishterët nuk janë nga bota, ashtu si dhe Krishti nuk ishte nga bota. Ne duhet të mbajmë mend këtë gjë kur tundohemi për t’u përfshirë në diçka të botës apo në një shoqëri ku emri i Jezusit nuk është i mirëpritur.

17:17shenjtërosh do të thotë të heqësh mënjanë. Fjala e Perëndisë ka një efekt shenjtërues mbi besimtarët. Kur ata e lexojnë dhe i binden asaj, ata veçohen si enë të përshtatshme për përdorim nga ana e Mjeshtrit. Dhe kjo është pikërisht ajo për të cilën Zoti Jezus po lutej këtu. Ai dëshironte një popull të veçuar nga bota për Perëndinë, dhe të përdorshëm  prej Tij. “Fjala jote është e vërteta,” tha Jezusi. Ai nuk tha si shumë bëjnë sot, “Fjala jote përmban të vërteta,” por “Fjala jote ËSHTË e vërteta.”

17:18 Ati e dërgoi Zotin Jezus në botë për t’i zbuluar njeriut karakterin e Perëndisë. Ndërkohë që Zoti lutej, Ai e kuptonte që së shpejti do të kthehej në qiell. Por brezat e ardhshëm do të kishin nevojë për disa dëshmi në lidhje me Perëndinë. Kjo punë duhej bërë me anë të besimtarëve, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Sigurisht, të krishterët nuk mund ta paraqesin Perëndinë në mënyrë aq të përsosur sa Krishti, sepse ata nuk mund të jenë kurrë të barabartë me Perëndinë. Por besimtarët janë këtu në të njëjtën mënyrë për t’ia paraqitur Perëndinë botës. Dhe është pikërisht për këtë arsye që Jezusi i dërgoi ata në botë.

17:19shenjtërosh nuk do të thotë me patjetër të bësh të shenjtë. Ai është i shenjtë përsa i përket karakterit të Tij personal. Mendimi është që Zoti e veçoi Vetveten për veprën për të cilën Ati e dërgoi – pra, për vdekjen e Tij sakrifikuese. Mund të nënkuptojë gjithashtu që Ai veçoi Vetveten duke marrë vendin e Tij jashtë botës dhe duke hyrë në lavdi. “Shenjtërimi i Tij është modeli dhe fuqia për shenjtërinë tonë,” thotë Vine. Ne duhet të veçohemi nga bota dhe duhet të gjejmë pjesën tonë në Të.

  1. Jezusi lutet për të gjithë besimtarët (17:20-26)

17:20 Tani Kryeprifti e shtrin lutjen e Tij përtej dishepujve. Ai u lut për breza që nuk kishin lindur ende. Në fakt, çdo besimtar duke lexuar këtë varg mund të thotë, “Jezusi u lut për mua mbi 1900 vjet më parë.”

17:21 Lutja ishte për unitet midis besimtarëve, por këtë herë ishte duke pasur parasysh shpëtimin e mëkatarëve. Uniteti për të cilin Krishti u lut nuk ishte një çështje e unitetit të jashtëm të kishës. Për më tepër ishte një unitet i bazuar mbi një ngjashmëri të përbashkët morale. Ai po lutej që besimtarët të mund të ishin një në shfaqjen e karakterit të Perëndisë dhe të Krishtit. Kjo do të ishte ajo që do e bënte botënbesonte që Perëndia e kishte dërguar Atë. Ky është uniteti që e bën botën të thotë, “unë e shoh Krishtin në këtë të krishterë ashtu si Ati shihej në Krishtin.”

17:22 Në vargun 11, Zoti u lut për unitet në përbashkësi. Në vargun 21 ishte unitet në dhënien e dëshmisë. Tani është unitet në lavdi. Kjo shikon larg drejt kohës në të cilën të shenjtët do të marrin trupat e tyre të përlëvduar. “Lavdia që më ke dhënë” është lavdia e ringjalljes dhe e ngjitjes.

Ne ende nuk e kemi këtë lavdi. Ajo na është dhënë për aq sa i përket qëllimeve të Perëndisë, por ne nuk do e marrim atë derisa Shpëtimtari të kthehet për të na marrë në qiell. Ajo do t’i shfaqet botës kur Krishti do të kthehet për të vendosur mbretërinë e Tij në tokë. Në atë kohë bota do të kuptojë unitetin e gjallë midis Atit dhe Birit, Birit dhe njerëzve të Tij dhe do të besojë (por është tepër vonë) që Jezusi ishte i Dërguari nga Perëndia.

17:23 Bota do të kuptojë jo vetëm që Jezusi ishte Perëndia Bir, por do të njohë gjithashtu që besimtarët ishin dashur nga Perëndia ashtu si Krishti ishte dashur prej Tij. Që Ai na do në një mënyrë të tillë është gati-gati e pabesueshme, por kështu është!

17:24 Biri dëshiron ta ketë popullin e Tij me Vete në lavdi. Sa herë që një besimtar vdes, është në një farë mënyre, një përgjigje ndaj lutjes së Tij. Nëse do ta kuptonim këtë gjë, do të ishte një ngushëllim i madh për ne në kohë trishtimi. Të vdesësh do të thotë të shkosh të jesh me Krishtin dhe të shohësh lavdinë e Tij. Kjo lavdi nuk është vetëm lavdia e Hyjnisë që Ai kishte me Perëndinë përpara se të fillonte bota. Është gjithashtu lavdia që Ai fitoi si Shpëtimtar dhe Shpengues. Kjo lavdi është një provë që tregon se Perëndia e deshi Krishtin përpara themelimit të botës.

17:25 Bota dështoi për të parë Perëndinë e zbuluar në Jezusin. Por pak dishepuj arritën të shihnin dhe besuan Perëndia e kishte dërguar Jezusin. Në prag të kryqëzimit të Tij kishte vetëm pak zemra besnike në gjithë njerëzimin – dhe madje edhe ato ishin gati për ta braktisur Atë!

17:26 Zoti Jezus ua kishte bërë të njohur dishepujve të Tij emrin e Atit, kur Ai ishte me ta. Kjo do të thoshte që Ai ua zbuloi Atin atyre. Fjalët dhe veprat e Tij ishin fjalët dhe veprat e Atit. Ata panë në Krishtin një shprehje të përsosur të Atit. Jezusi ka vazhduar t’ua bëjë të njohur Emrin e Atit nëpërmjet shërbesës së Frymës së Shenjtë. Që nga dita e Rrëshajëve, Fryma u ka mësuar besimtarëve për Perëndinë At. Veçanërisht me anë të Fjalës së Perëndisë, ne mund të dimë se si është Perëndia. Kur njerëzit pranojnë Atin ashtu si Ai është zbuluar me anë të Zotit Jezus, ata bëhen objekte të veçantë të dashurisë së Perëndisë. Përderisa Zoti Jezus banon në çdo besimtar, Ati mund t’i shohë dhe t’i trajtojë ata ashtu siç bën me Birin e Tij të vetëm.

Reuss shënon:

Dashuria e Perëndisë e cila, përpara krijimit të botës fizike, e gjente plotësinë e saj në personin e Birit (v 24) tani që nga krijimi i botës së re frymërore, e gjen atë në të gjithë ata që janë bashkuar me Birin.

Dhe Godet shton:

Ajo që Perëndia dëshironte kur dërgoi Birin e Tij këtu në botë ishte saktësisht që Ai të mund të formonte për Veten e Tij në mes të njerëzimit një familje bijsh si Ai. [47]

Shkaku që Perëndia mund ta dojë besimtarin siç do Krishtin, është se Zoti Jezus është në besimtarin.

Kaq i dashur, kaq i dashur për Perëndinë,

unë nuk mund të jem më shumë i dashur për Të;

Dashuria me të cilën Ai do Birin e Tij,

është dashuria me të cilën më do edhe mua Ai!

  • Catesby Paget

Kërkesat e bëra nga Krishti për njerëzit e Tij, siç thotë Rainsford,

… i referohen gjërave frymërore, bekimeve qiellore. Jo për pasuri, nder, pozitë në botë, por për çlirim nga i ligu, ndarje nga bota, kualifikim për punë dhe për një mbërritje të sigurt në qiell. [48]


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. (12:5) Ryle, John, II:309, 10. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (12:7) Teksti kritik shkruan “që ajo të mund ta ruajë” në vend të “ajo e ka ruajtur,” dhe kjo gjë duket sikur bie në kundërshtim me këtë kontekst dhe me mungesën e Marisë në varr në ditën e Pashkës në mëngjes. NIV e ka zgjidhur këtë problem me anë të parafrazimit. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (12:24) T.G. Ragland, dokumentacion i mëtejshëm. ↵ Kthehu mbrapa
  4. (13:13, 14) Sigurisht, që ka raste, sidomos në vendet e Lindjes, kur një person lan këmbët e dikujt tjetër, por ky është një shembull i një shërbese të përulur. ↵ Kthehu mbrapa
  5. (13:32) Gramatika Greke (fjali kushtore e rendit të parë plus ei me tregues) e pranon të vërtetë. ↵ Kthehu mbrapa
  6. (14:20) Ilustrime të tjera përfshijnë zogun në ajër me ajrin në zog, dhe peshkun në ujë me ujin në peshk. ↵ Kthehu mbrapa
  7. (17:1) Marcus Rainsford, Our Lord Prays for His Own, f. 173. ↵ Kthehu mbrapa
  8. (17:4) Ryle, John, III:40, 41. ↵ Kthehu mbrapa
  9. (17:26) F. L. Godet, Commentary on the Gospel of John, II:345. ↵ Kthehu mbrapa
  10. (17:26) Rainsford, Our Lord Prays, f. 173. ↵ Kthehu mbrapa