Shëmbëlltyra të Mbretërisë
Kemi ardhur në një pikë kulmore tek Ungjilli nga Mateu. Zoti ka treguar se marrëdhëniet tokësore tani janë për t’u zëvendësuar nga lidhjet frymërore dhe se nuk është më një çështje e të lindurit jude, por çështje bindjeje ndaj Perëndisë At. Duke refuzuar Mbretin, skribët dhe farisenjtë kanë refuzuar detyrimisht mbretërinë. Tani, me një seri shëmbëlltyrash, Zoti Jezus jep një shikim paraprak të formës së re që mbretëria duhet të marrë gjatë periudhës midis refuzimit të Tij dhe shfaqjes së Tij përfundimtare si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve. Gjashtë nga këto shëmbëlltyra fillojnë me fjalët: «Mbretëria e qiejve i ngjan….» Në mënyrë që këto shëmbëlltyra t’i shohim në perspektivën e duhur, le ta rishikojmë mbretërinë siç është diskutuar në kapitullin 3. Mbretëria e qiejve është sfera në të cilën sundimi i Perëndisë njihet dhe pranohet. Ajo ka dy aspekte: (1) shprehjen e jashtme, duke përfshirë të gjithë ata që pretendojnë të njohin sundimin e Perëndisë; (2) realitetin e brendshëm, duke përfshirë vetëm ata që hyjnë në mbretëri përmes kthimit. Mbretërinë e shohim në pesë faza: (1) faza e DhV, ku ajo u profetizua; (2) faza në të cilën ajo ishte «afër» ose e pranishme në Personin e Mbretit; (3) faza e përkohshme, që ka të bëjë me ata që mbi tokë shpallin se janë nënshtetasit e Tij, që pason refuzimin e Mbretit dhe kthimin në Qiell; (4) shfaqja e mbretërisë gjatë Mijëvjeçarit; (5) mbretëria përfundimtare e përhershme. Çdo referim biblik i mbretërisë përshtatet në njërën nga këto faza. Është faza e tretë, e përkohshmja, ajo që kapitulli 13 diskuton. Gjatë kësaj faze, në realitetin e saj të brendshëm (besimtarë të vërtetë), mbretëria është e përbërë nga të njëjtët njerëz sikurse Kisha, që nga Pentekosti e deri në Rrëmbim. Ky është i vetmi identitet midis mbretërisë dhe Kishës. Përndryshe ato nuk janë e njëjta gjë. Me këtë sfond në mendje, le t’u hedhim një sy shëmbëlltyrave.A. Shëmbëlltyra e mbjellësit (13:1-9)
13:1 Jezusi doli nga shtëpia, ku kishte shëruar të demonizuarin dhe u ul në breg të detit të Galilesë. Shumë studiues të Biblës e shohin shtëpinë si ilustrim të kombit të Izraelit, ndërsa deti paraqet johebrenjtë. Kështu lëvizja e Zotit simbolizon një thyerje me Izraelin. Gjatë formës së saj të përkohshme, mbretëria do t’u predikohet kombeve. 13:2 Ndërsa turma të mëdha u mblodhën në breg, Ai hipi mbi një barkë dhe filloi t’i mësojë njerëzit me shëmbëlltyra. Një shëmbëlltyrë është një histori me një mësim frymëror ose moral të nënkuptuar, që jo gjithmonë është menjëherë i dukshëm. Shtatë shëmbëlltyrat që vijojnë na tregojnë se si do të jetë mbretëria gjatë kohës midis Ardhjes së Tij të Parë e të Dytë. Katër të parat iu treguan turmave; tre të fundit iu dhanë vetëm dishepujve. Zoti ua shpjegoi dy të parat dhe të shtatën dishepujve, duke i lënë ata (dhe ne) që të tjerat t’i interpretojnë me çelësat që Ai kishte dhënë tashmë. 13:3-8 Shëmbëlltyra e parë ka të bëjë me një mbjellës, që e mbolli farën e tij në katër lloje të ndryshme tokash. Siç mund të pritej, rezultatet ishin të ndryshme në secilin rast.- TOKË: Rrugë shumë e shkelur. PËRFUNDIM: Farëra të ngrëna nga zogjtë.
- TOKË: Cipë e hollë dheu mbi një shtresë shkëmbore. PËRFUNDIM: Farë e mbirë shpejt, por pa rrënjë, që u fishk dhe u tha.
- TOKË: Vend i pllakosur nga ferrat. PËRFUNDIM: Fara mbiu, por rritja ishte e pamundur për shkak të ferrave.
- TOKË: Tokë e mirë. PËRFUNDIM: Fara mbiu, u rrit dhe dha fryt; këto dhanë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish.
B. Qëllimi i shëmbëlltyrave (13:10-17)
13:10 Dishepujt ishin të hutuar që Zoti do t’u fliste njerëzve në gjuhën e fshehtë të shëmbëlltyrave. Kështu që ata i kërkuan Atij që t’u shpjegonte metodën e Tij. 13:11 Në përgjigjen e Tij, Jezusi bën dallimin midis turmës mosbesuese dhe dishepujve besues. Turma, një përfaqësuese e kombit, ishte duke e refuzuar në mënyrë të qartë Atë, megjithëse refuzimi i tyre nuk do të ishte i plotë deri në çastin e kryqit. Atyre nuk do t’u lejohej të njihnin të fshehtat (misteret) e mbretërisë së qiejve, ndërsa ndjekësit e Tij të vërtetë do të ndihmoheshin të kuptonin. Një mister në DhR është një fakt i panjohur më parë nga njeriu, që njeriu s’mund ta mësojë kurrë përveçse nëpërmjet zbulimit hyjnor, por që tani është zbuluar. Deri tani të fshehtat e mbretërisë janë të vërteta të panjohura që kanë të bëjnë me mbretërinë në formën e saj të përkohshme. Vetë fakti që mbretëria do të kishte një formë të përkohshme kishte qenë një sekret deri atëherë. Shëmbëlltyrat përshkruajnë disa nga veçoritë e mbretërisë gjatë kohës kur Mbreti do të mungonte. Për këtë arsye, disa këtë e quajnë «formë të fshehtë të mbretërisë,» jo sepse ka ndonjë gjë misterioze rreth saj, por thjesht ngaqë ajo nuk ishte kurrë e njohur para asaj kohe. 13:12 Mund të duket arbitrare që këto sekrete të mos i tregohen turmës e t’u zbulohen dishepujve. Por Zoti jep arsyen: «Sepse atij që ka, do t’i jepet dhe do të ketë bollëk; ndërsa atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.» Dishepujt kishin besim në Zotin Jezus, prandaj atyre do t’u jepet aftësia për më shumë. Ata e kishin pranuar dritën, prandaj ata do të merrnin më shumë dritë. Kombi jude, nga ana tjetër, e kishte refuzuar Dritën e botës, prandaj ata jo vetëm që ishin penguar për të marrë më tepër dritë, por do të humbisnin edhe atë dritë të vogël që kishin. Të refuzosh dritën do të thotë ta mohosh atë. 13:13 Matthew Henry i krahason shëmbëlltyrat me shtyllën e resë dhe të zjarrit, që e ndriçonte Izraelin, ndërsa egjiptianët i pështjellonte. Shëmbëlltyrat do t’u zbuloheshin atyre që ishin sinqerisht të interesuar, ndërsa, nga ana tjetër, do të tregonin «vetëm një irritim të atyre që ishin kundërshtarë të Jezusit.» Kështu, kjo nuk ishte një tekë nga ana e Zotit, por thjesht funksionimi i një parimi që është i fiksuar në të gjithë jetën: verbëria e qëllimshme pasohet nga verbëria gjyqësore. Ja pse Ai u foli judenjve në shëmbëlltyra. H. C. Woodring thotë kështu: «Ngaqë ata nuk kishin dashurinë për të vërtetën, ata nuk do të merrnin dritën për të vërtetën»{{1}}. Ata deklaronin se shihnin, domethënë, se e njihnin të vërtetën hyjnore, por e Vërteta e mishëruar qëndroi përpara tyre dhe ata refuzuan në mënyrë të vendosur ta shihnin Atë. Ata deklaronin se e dëgjonin Fjalën e Perëndisë, por Fjala e gjallë e Perëndisë ishte mes tyre e ata s’do t’i bindeshin Atij. Ata nuk dëshironin të kuptonin faktin e mrekullueshëm të Mishërimit, prandaj aftësia për të kuptuar u hoq prej tyre. 13:14-15 Ata ishin një përmbushje e gjallë e profecisë në Isaia 6:9-10. Zemra e Izraelit ishte mpirë, ndërsa veshët e tyre ishin të pandjeshëm ndaj zërit të Perëndisë. Me qëllim ata refuzuan të shohin me sytë e tyre. Ata e dinin se në qoftë se kishin parë, dëgjuar, kuptuar dhe do të ishin penduar, Perëndia do t’i kishte shëruar. Por në sëmundjen dhe në nevojën e tyre, ata e prapësuan ndihmën e Tij. Prandaj, ndëshkimi i tyre do të ishte ky: «Ju do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, do të vështroni, por nuk do të shikoni.» 13:16-17 Dishepujt ishin jashtëzakonisht të privilegjuar, sepse ata po shikonin çfarë askush nuk kishte parë më përpara. Profetët dhe njerëzit e drejtë të DhV kishin dëshiruar fort të ishin gjallë kur Mesia të arrinte, por dëshira e tyre nuk ishte realizuar. Dishepujt ishin të favorizuar të jetonin në atë çast kulmor në histori, të shihnin Mesian, të dëshmonin mrekullitë e Tij dhe të dëgjonin mësimin e pakrahasueshëm që dilte nga goja e Tij.C. Shpjegim i shëmbëlltyrës së mbjellësit (13:18-23)
13:18 Pasi ka shpjeguar se pse Ai përdori shëmbëlltyra, tani Zoti shpjegon shëmbëlltyrën e katër tokave. Ai nuk e zbulon mbjellësin, por ne mund të jemi të sigurt se i referohet ose Vetvetes (v 37) ose atyre që predikojnë mesazhin e mbretërisë. Ai përcakton se fara është fjala e mbretërisë (v 19). Toka përfaqëson ata që dëgjojnë mesazhin. 13:19 Rruga shumë e shkelur flet për njerëz që refuzojnë ta pranojnë mesazhin. Ata e dëgjojnë Ungjillin, por nuk e kuptojnë atë, jo sepse nuk munden, por sepse nuk duan. Zogjtë janë një figurë e Satanit. Ai e rrëmben farën nga zemrat e këtyre dëgjuesve. Ai bashkëpunon me ta në jopjellorinë e tyre të vetëzgjedhur. Farisenjtë ishin dëgjues të tillë. 13:20-21 Kur Jezusi foli për tokë shkëmbore, Ai kishte ndër mend një cipë të hollë dheu që mbulonte një buzë shkëmbi. Kjo përfaqëson njerëzit që e dëgjojnë fjalën dhe përgjigjen me gëzim. Në fillim, mbjellësi mund të jetë optimist që predikimi i tij është kaq i suksesshëm, por shpejt ai mëson mësimin më të thellë, që nuk është mirë kur mesazhi pranohet me buzëqeshje dhe gaz. Në radhë të parë duhet të ketë bindje për mëkat, pikëllim dhe pendim. Është shumë më premtuese të shohësh një njeri kërkues duke qarë rrugës së tij për në Kalvar, sesa ta shohësh atë duke zbritur udhës gazmor dhe plot ngazëllim. Toka e cekët bën një rrëfim të cekët. Nuk ka thellësi për rrënjën. Kur rrëfimi i tij vihet në provë nga dielli djegës i mundimit ose i përndjekjes, ai vendos se nuk ia vlen dhe braktis çdo rrëfim nënshtrimi ndaj Krishtit. 13:22 Toka e pllakosur nga ferrat përfaqëson një klasë tjetër që e dëgjon fjalën në një mënyrë të përciptë. Nga ana e jashtme, ata duken se janë nënshtetas të vërtetë të mbretërisë, por, me kalimin e kohës, interesi i tyre pengohet nga shqetësimet e kësaj bote dhe nga kënaqësia e tyre tek pasuritë. Nuk ka fryt për Perëndinë në jetët e tyre. Lang e ilustron këtë me të birin e një babai të dashuruar pas parave, që kishte një biznes të bujshëm. Ky bir e dëgjoi Fjalën në rininë e tij, por u thëthit në biznes.Atij i duhej të zgjidhte shpejt që ose t’i pëlqente Zotit të tij ose babait të tij. Kështu ferrat ishin në tokë kur fara u mboll dhe mbiu. Shqetësimet e kësaj kohe dhe mashtrimi i pasurisë tashmë ishin afër. Ai u pajtua me dëshirat e babait të tij, ia kushtoi vetveten tërësisht biznesit, u ngrit në pozitë dhe u bë kreu i kompanisë dhe kur ishte i shtyrë në moshë iu desh të pranonte se i kishte shpërfillur gjërat hyjnore. Ai ishte gati duke dalë në pension kur shprehu se kishte ndër mend të ishte më i zellshëm në çështjet frymërore. Por me Perëndinë nuk duhet tallur. Ai doli në pension dhe vdiq papritmas brenda pak muajve. La pas 90.000 sterlina dhe një jetë të shkapërderdhur frymërisht. Ferrat e kishin mbytur fjalën duke e bërë të pafrytshme{{2}}.13:23 Toka e mirë përfaqëson një besimtar të vërtetë. Ai… e dëgjon fjalën me mprehtësi dhe e kupton atë, duke iu bindur asaj që dëgjon. Megjithëse këta besimtarë nuk prodhojnë të gjithë të njëjtën sasi frytshmërie, ata të gjithë tregojnë me anë të frytit të tyre se kanë jetë të përjetshme. Fryt këtu ka mundësi të jetë më tepër shfaqja e karakterit të krishterë sesa shpirtra të fituar për Krishtin. Kur fjala fryt është përdorur në DhR, ajo zakonisht i referohet frytit të Frymës (Galatasve 5:22-23). Çfarë synohej që kjo shëmbëlltyrë t’u thoshte turmave? Me sa duket ajo paralajmëronte në lidhje me rrezikun e të dëgjuarit pa u bindur. Ishte llogaritur gjithashtu që t’i inkurajonte personat për ta marrë Fjalën çiltërsisht, pastaj për të provuar realitetin e tyre përmes të dhënit fryt për Perëndinë. Përsa u përket dishepujve, shëmbëlltyra i përgatiti ata si dhe ndjekësit e ardhshëm të Jezusit për faktin shkurajues se, përkatësisht, pak veta nga ata që e dëgjojnë mesazhin janë vërtet të shpëtuar. Ajo i shpëton ithtarët besnik të Krishtit nga zhgënjimi se e gjithë bota do të kthehet përmes përhapjes së Ungjillit. Në këtë shëmbëlltyrë, dishepujt janë paralajmëruar edhe në lidhje me tre antagonistët e mëdhenj të Ungjillit: (1) djalli (zogjtë, i ligu); (2) mishi (dielli djegës, mundimi ose përndjekja); (3) bota (ferrat, shqetësimet e botës dhe kënaqësia te pasuritë). Në fund të fundit, dishepujve u është dhënë një vizion në lidhje me fitimet e jashtëzakonshme që vijnë nga investimi në personalitetin njerëzor. Tridhjetëfish është 3.000 përqind fitim, gjashtëdhjetëfish është 6.000 përqind fitim, ndërsa njëqindfish është 10.000 përqind fitim nga investimi. Faktikisht nuk ka asnjë mënyrë për t’i matur rezultatet e një rasti të vetëm kthimi të vërtetë. Një mësues i lënë në hije i takimit të fëmijëve investoi në jetën e Dwight L. Moody. Moody fitoi të tjerë. Ata, nga ana e tyre, fituan të tjerë. Mësuesi i takimit të fëmijëve filloi një reaksion zinxhir që s’do të ndalet kurrë.
D. Shëmbëlltyra e grurit dhe e egjrës (13:24-30)
Shëmbëlltyra paraprirëse ishte një ilustrim i gjallë i faktit se mbretëria e qiejve përfshin ata që i japin vetëm premtime boshe Mbretit si dhe ata që janë dishepujt e Tij të vërtetë. Tri tokat e para simbolizojnë mbretërinë në rrethin e saj më të gjerë, d.m.th. një rrëfim i jashtëm por s’ka realitet. Tokat e katërt përfaqëson mbretërinë si një rreth më i vogël, d.m.th. ata që janë kthyer në të vërtetë. 13:24-26 Edhe shëmbëlltyra e dytë, gruri dhe egjra, parashtron mbretërinë në këto dy aspekte. Gruri ilustron besimtarët e vërtetë, kurse egjra janë thjesht besimtarët e deklaruar. Jezusi e krahason mbretërinë me një njeri që mbolli farë të mirë në arën e vet. Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë. Unger thotë se egjra më e zakonshme, që gjendet në arat e drithit në Izrael, i përket gjinisë lolium, «një bar helmues, pothuajse i padallueshëm nga gruri, ndërsa të dy janë në fazën e nxjerrjes së gjetheve. Por kur vjen koha e kallirit, ata mund të ndahen pa vështirësi»{{3}}. 13:27-28 Kur shërbëtorët panë egjrën të përzier me grurin, ata e pyetën të zotin e shtëpisë se si ndodhi kjo. Ai menjëherë e dalloi se ajo ishte vepra e një armiku. Shërbëtorët ishin gati që ta shkulnin menjëherë barin e keq. 13:29-30 Por fermeri i urdhëroi ata që të prisnin deri në të korra. Atëherë korrësit do t’i ndanin. Gruri do të grumbullohej nëpër hambarë, ndërsa egjra do të digjej. Pse urdhëroi fermeri që ndarja të bëhej më vonë? Në natyrë, rrënjët e grurit dhe ato të egjrës janë aq të ndërthurura saqë është pothuaj e pamundur të shkulësh njërin pa shkulur tjetrin. Kjo shëmbëlltyrë është shpjeguar nga Zoti ynë në vargjet 37-43, kështu që ne do të heqim dorë nga një koment i mëtejshëm deri atëherë.E. Shëmbëlltyra e farës së sinapit (13:31-32)
Pas kësaj, Shpëtimtari e krahason mbretërinë me një kokërr sinapi, të cilën Ai e quajti më e vogla nga të gjitha farërat, që do të thotë më e vogla për përvojën e dëgjuesve të Tij. Kur një njeri mbolli një nga këto farëra, ajo u rrit dhe u bë pemë, një rritje që është e jashtëzakonshme. Normalisht, sinapi, si bimë, është më tepër si një shkurre sesa si një pemë. Pema ishte mjaft e madhe për zogjtë që të bënin fole në degët e saj. Fara simbolizon fillimin e përulur të mbretërisë. Në fillim mbretëria mbeti mjaft e vogël dhe e varfër si rrjedhojë e përndjekjes, por me patronazhin dhe me mbrojtjen e shtetit, ajo pati një rritje jonormale. Pastaj erdhën zogjtë dhe zunë vend në të. E njëjta fjalë për zogjtë është përdorur këtu sikurse në vargun 4. Jezusi shpjegoi se zogjtë kanë kuptimin e të ligut (v 19). Mbretëria u bë një vend-strehim për Satanin dhe agjentët e tij. Sot, çadra e botës së krishterë mbulon sisteme të tilla mohuese të Krishtit si Unitarianizmin, Shkencën e Krishterë, Mormonizmin, Dëshmitarët e Jehovait dhe Kishën e Unifikimit (Moonies). Pra, këtu, Zoti i paralajmëroi dishepujt se gjatë mungesës së Tij, mbretëria do të përjetonte një rritje të jashtëzakonshme. Ata nuk do të mashtroheshin dhe as nuk do ta barazonin rritjen me suksesin. Do të ishte një rritje shëndetligë. Megjithëse fara e vockël do të bëhej një pemë jonormale, madhësia e saj do të bëhej «vendbanimi i demonëve, streha e çdo fryme të ndyrë dhe streha e çdo shpendi të ndyrë e të neveritshëm» (Zbulesa 18:2).F. Shëmbëlltyra e majasë (13:33)
Pas kësaj, Zoti Jezus e krahasoi mbretërinë me majanë që e merr një grua dhe zë brumë me tri masa miell. Me sa duket mielli u mbruajt plotësisht. Një interpretim i zakonshëm është se mielli është bota, ndërsa majaja është Ungjilli që do të predikohet në mbarë botën derisa secili të shpëtohet. Sidoqoftë, kjo pikëpamje kundërshtohet nga Shkrimi, nga historia dhe nga ngjarjet në vazhdim. Në Bibël, majaja është gjithmonë një figurë e së keqes. Kur Perëndia i urdhëroi njerëzit e Tij që të hiqnin majanë nga shtëpitë e tyre (Eksodi 12:15), ata e kuptuan këtë. Nëse ndokush hëngri nga çfarë ishte e mbruajtur që nga dita e parë e deri te dita e shtatë e Festës së bukëve të ndorme, ai do të hiqej nga Izraeli. Jezusi paralajmëroi lidhur me majanë e farisenjve dhe të saducenjve (Mateu 16:6, 12) si dhe me majanë e Herodit (Marku 8:15). Tek 1 Korintasve 5:6-8, majaja është përcaktuar si e keqe dhe e ligë. Konteksti i Galatasve 5:9 tregon se atje ajo do të thotë mësim i rremë. Në përgjithësi, maja do të thotë ose doktrinë e ligë ose sjellje e ligë. Kështu, në këtë shëmbëlltyrë, Zoti paralajmëron përsa i përket fuqisë përshkuese të së ligës, që vepron në mbretërinë e qiejve. Shëmbëlltyra e farës së sinapit tregon të ligën në karakterin e jashtëm të mbretërisë. Kjo shëmbëlltyrë tregon prishjen e brendshme që do të ndodhë. Ne besojmë se në këtë shëmbëlltyrë, mielli simbolizon ushqimin e popullit të Perëndisë, që gjendet në Bibël. Majaja është doktrina e ligë. Gruaja është një profeteshë e rreme, që mëson dhe mashtron (Zbulesa 2:20). A nuk është domethënëse që gra të ndryshme kanë qenë themeluese të sa e sa kulteve të rreme? Të ndaluara nga Bibla që të mësojnë në Kishë (1 e Korintasve 14:34; 1 Timoteut 2:12), disa kanë zënë vend me mospërfillje si autoritete doktrinore dhe kanë përzier ushqimin e popullit të Perëndisë me herezi shkatërrimtare. J. H. Brookes thotë:Nëse do të ngrihej objeksioni se Krishti nuk do ta kishte krahasuar mbretërinë e qiejve me diçka që është e ligë, mjafton të përgjigjemi se Ai e krahason mbretërinë me diçka që përfshin si grurin ashtu edhe egjrën, që përfshin si peshkun e mirë ashtu edhe atë të keq, që shtrihet deri te një shërbëtor i lig (Mateu 18: 23-32), që pranon brenda një njeri që nuk ka veshur një rrobë dasme e që ishte i humbur (Mateu 22:1-13){{4}}.
G. Përdorimi i shëmbëlltyrave përmbush profeci (13:34-35)
Jezusi ua tha katër shëmbëlltyrat e para turmave. Përdorimi i kësaj metode mësimi nga ana e Zotit përmbushi profecinë e Asafit te Psalmi 78:2 që Mesia do të fliste në shëmbëlltyra, duke shprehur gjëra të fshehura që nga themelimi i botës. Këto veçori të mbretërisë së qiejve në formën e saj të përkohshme, të fshehura deri atëherë, tani po bëheshin të njohura.H. Shpjegim i shëmbëlltyrës së egjrës (13:36-43)
13:36 Pjesa tjetër e fjalimit të Zotit iu tha dishepujve brenda në shtëpi. Këtu, dishepujt mund të përfaqësojnë mbetjen besimtare të kombit të Izraelit. Përmendja sërish e shtëpisë na kujton se Perëndia nuk e ka hedhur përgjithmonë popullin e Tij, të cilin Ai e paranjohu (Romakëve 11:2). 13:37 Në interpretimin që i bën shëmbëlltyrës së grurit dhe të egjrës, Jezusi e njëjtësoi Vetveten me mbjellësin. Ai mbolli drejtpërdrejt gjatë shërbesës së Tij tokësore dhe ka qenë duke mbjellur nëpërmjet shërbëtorëve të Tij në epokat pasardhëse. 13:38 Ara është bota. Është e rëndësishme të nënvizohet se ara është bota, jo Kisha. Fara e mirë do të thotë bijtë e mbretërisë. Mund të duket e çuditshme dhe pa vend të mendosh për qenie njerëzore të gjalla që janë mbjellur në dhe, por çështja është se këta bij të mbretërisë ishin mbjellë në botë. Gjatë viteve të shërbesës së Tij publike, Jezusi e mbolli botën me dishepuj që ishin nënshtetas besnik të mbretërisë. Egjra janë bijtë e të ligut. Satani ka një falsifikim për çdo realitet hyjnor. Ai e mbjell botën me ata që duken, që flasin dhe që, në një farë mase, ecin si dishepuj, por ata nuk janë ndjekës të vërtetë të Mbretit. 13:39 Armiku është Satani, armiku i Perëndisë dhe i të gjithë popullit të Perëndisë. Korrja është fundi i botës, fundi i epokës së mbretërisë në formën e saj të përkohshme, që do të jetë atëherë kur Jezus Krishti të kthehet në fuqi dhe në lavdi për të mbretëruar si Mbret. Zoti nuk po i referohet këtu fundit të epokës së Kishës sepse kjo të ngatërron ta vendosësh Kishën këtu. 13:40-42 Korrësit janë engjëjt (shiko Zbulesa 14:14-20). Gjatë fazës së tanishme të mbretërisë, s’është bërë asnjë ndarje me forcë e grurit nga egjra. Ata janë lejuar të rriten së bashku, por në Ardhjen e Dytë të Krishtit, engjëjt do të grumbullojnë të gjitha shkaqet e mëkatit dhe të gjithë keqbërësit e do t’i hedhin në furrën e zjarrit, ku ata do të qajnë e do të kërcëllijnë dhëmbët. 13:43 Nënshtetasit e drejtë të mbretërisë që janë në tokë gjatë Mundimit do të hyjnë në mbretërinë e Atit të tyre për të gëzuar Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit. Atje ata do të shkëlqejnë si dielli, që do të thotë se ata do të jenë të shndritshëm në lavdi. Përsëri Jezusi shton paralajmërimin lakonik: «Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!» Kjo shëmbëlltyrë nuk justifikon tolerimin e njerëzve të paperëndishëm në një kishë të krishterë lokale, siç mendojnë në mënyrë të gabuar disa. Ki parasysh se ara është bota e jo Kisha. Kishat lokale janë urdhëruar qartë që të nxjerrin nga bashkësia e tyre të gjithë ata që janë fajtorë për disa trajta ligësie (1 e Korintasve 5:9-13). Shëmbëlltyra thjesht mëson se në formën e saj misterioze, mbretëria e qiejve do të përfshijë realen dhe imitacionin, të vërtetën dhe falsifikimin. Kjo gjendje do të vazhdojë deri në fund të kësaj epoke. Atëherë lajmëtarët e Perëndisë do të ndajnë të rremin, që do të largohet tutje në gjykim, nga i vërteti, i cili do të gëzojë mbretërimin e lavdishëm të Krishtit mbi tokë.I. Shëmbëlltyra e thesarit të fshehur (13:44)
Deri tani të gjitha shëmbëlltyrat kanë mësuar se në mbretëri do të ishte e mira dhe e keqja, do të kishte nënshtetas të drejtë dhe të padrejtë. Dy shëmbëlltyrat vijuese tregojnë se do të ketë dy klasa nënshtetasish të drejtë: (1) judenj besimtarë gjatë periudhës para dhe pas Epokës së Kishës; (2) judenj dhe johebrenj besimtarë gjatë epokës së tanishme. Në shëmbëlltyrën e thesarit, Jezusi e krahason mbretërinë me thesarin e fshehur në një arë. Një njeri e gjen atë dhe e fsheh. Pastaj me gëzim shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë. Ne do të sugjeronim se njeriu është Vetë Zoti Jezus (Ai ishte njeriu te shëmbëlltyra e grurit dhe e egjrës, v 37). Thesari përfaqëson një mbetje të perëndishme besimtarësh judenj prej atyre që ekzistuan gjatë shërbesës tokësore të Jezusit dhe prej atyre që do të ekzistojnë përsëri mbas rrëmbimit të Kishës (lexo Psalmin 135:4, ku Izraeli është quajtur thesari i veçantë i Perëndisë). Ata janë të fshehur në arë, në të cilën janë të shpërndarë anë e kënd botës dhe në një kuptim të vërtetë nuk janë të njohur nga askush veç Perëndisë. Jezusi është paraqitur duke e zbuluar këtë thesar, pastaj duke shkuar në kryq dhe duke dhënë gjithçka që kishte, në mënyrë që ta blinte botën (2 e Korintasve 5:19; 1 Gjonit 2:2), ku thesari ishte fshehur. Izraeli i shpenguar s’do të qëndrojë i fshehur, por do të zbulohet atëherë kur Çlirimtari i saj të dalë nga Sioni dhe të vendosë të shumëpriturën Mbretëri Mesianike. Nganjëherë shëmbëlltyra i zbatohet një mëkatari, që lë gjithçka në mënyrë që të gjejë Krishtin, Thesarin më të madh, por ky interpretim dhunon doktrinën e hirit, e cila ngulmon se shpëtimi është pa pagesë (Isaia 55:1; Efesianeve 2:8-9).J. Shëmbëlltyra e margaritarit të çmimit të madh (13:45-46)
Mbretëria, gjithashtu, është e krahasuar me një tregtar që shkon të kërkojë margaritarë të bukur. Kur ai gjen një margaritar me vlerë jashtëzakonisht të madhe, ai sakrifikon gjithçka ka për ta blerë atë. Në një himn që thotë: «Kam gjetur margaritarin që ka vlerën më të madhe,» gjetësi është mëkatari, ndërsa Margaritari është Shpëtimtari. Sërish ne kundërshtojmë për arsye se mëkatarit nuk i duhet të shesë gjithçka dhe nuk është se duhet ta blejë Krishtin. Më tepër ne besojmë se tregtari është Zoti Jezus. Margaritari me vlerë të madhe është Kisha. Në Kalvar, Ai shiti gjithçka që kishte për ta blerë këtë margaritar. Pikërisht sikurse një perlë është formuar brenda një guacke përmes vuajtjesh të shkaktuara nga irritimi, ashtu edhe Kisha ishte formuar nëpërmjet tejshpuarjes dhe plagosjes së trupit të Shpëtimtarit. Është interesante që, në shëmbëlltyrën e thesarit, mbretëria është krahasuar me vetë thesarin. Këtu mbretëria nuk është krahasuar me margaritarin, por me tregtarin. Pse ky ndryshim? Në shëmbëlltyrën paraprirëse, theksi është te thesari, te Izraeli i shpenguar. Mbretëria është e lidhur ngusht me kombin e Izraelit. Në fillim, ajo iu ofrua atij kombi. Në formën e saj të ardhshme, judenjtë do të jenë nënshtetasit kryesorë të saj. Siç e kemi përmendur, Kisha nuk është e njëjta gjë me mbretërinë. Të gjithë ata që janë në Kishë janë në mbretëri në formën e saj të përkohshme, por jo të gjithë ata që janë në mbretëri janë në Kishë. Kisha nuk do të jetë në mbretëri në formën e saj të ardhme, por do të mbretërojë me Krishtin mbi tokën e përtërirë. Në shëmbëlltyrën e dytë, theksi është mbi Vetë Mbretin dhe mbi çmimin e jashtëzakonshëm që Ai pagoi për të bërë për Vete dhe për të fituar një nuse, që do të ndante lavdinë me Të në ditën e shfaqjes së Tij. Sikurse margaritari del nga deti, kështu edhe Kisha, nganjëherë e quajtur nusja johebre e Krishtit, vjen kryesisht nga kombet. Kjo nuk e lë pa vënë re faktin se ka izraelitë të kthyer në të, por thjesht shpall se tipari mbisundues i Kishës është se ajo është një popull i thirrur nga kombet për Emrin e Tij. Te Veprat 15:14, Jakobi pohoi se ky ishte qëllimi i madh i Perëndisë për kohën e tanishme.K. Shëmbëlltyra e rrjetës (13:47-50)
13:47-48 Shëmbëlltyra e fundit në seri e krahason mbretërinë me një shoshë ose me një rrjetë të hedhur në det, që mbledh gjithfarë peshqish. Peshkatari e klasifikoi peshkun, duke mbajtur ç’është e mirë dhe duke hedhur ata që nuk janë të mirë. 13:49-50 Zoti ynë e interpreton shëmbëlltyrën. Koha është mbarimi i botës, që do të thotë fundi i periudhës së Mundimit. Është koha e Ardhjes së Dytë të Krishtit. Peshkatarët janë engjëjt. Peshku i mirë janë të drejtët, pra njerëz të shpëtuar si judenj ashtu dhe johebrenj. Peshku i keq janë të padrejtët, që do të thotë njerëz jobesimtarë të të gjitha racave. Bëhet një ndarje, siç pamë edhe në shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrës (v 30, 39-43). Të drejtët hyjnë në mbretërinë e Atit të tyre, ndërsa të padrejtët janë ndarë për një vend me zjarr ku ka qarje dhe kërcëllim dhëmbësh. Megjithatë ky nuk është gjykimi përfundimtar. Ky gjykim ndodh në fillim të Mijëvjeçarit. Gjykimi i fundit ndodh mbasi të kenë mbaruar një mijë vjetët (Zbulesa 20:7-15). Mbi këtë shëmbëlltyrë, Gaebelein komenton si vijon:Rrjeta është hedhur në det, i cili, siç kemi vënë re më parë, përfaqëson kombet. Shëmbëlltyra i referohet predikimit të Ungjillit të përjetshëm, që do të bëhet gjatë mundimit të madh (Zbulesa 14:6-7). Ndarja e të mirës dhe e të keqes bëhet nga engjëjt. E gjithë kjo s’mund t’i referohet as kohës së tanishme dhe as Kishës, por kohës kur mbretëria është duke filluar. Engjëjt do të përdoren, sikurse shihet qartë në librin e Zbulesës. Të ligjtë do të flaken në furrën e zjarrit, ndërsa të drejtët do të mbeten në tokë për mbretërinë mijëvjeçare{{5}}.
L. Thesari i së vërtetës (13:51-52)
13:51 Kur Ai kishte përfunduar shëmbëlltyrat, Mësuesi mjeshtëror i pyeti dishepujt e Tij nëse kishin kuptuar. Ata u përgjigjën: «Po, Zot.» Kjo mund të na befasojë ose mund të na bëjë madje paksa xhelozë për ta. Ndoshta ne nuk mund të përgjigjemi «po» me kaq siguri. 13:52 Ngaqë kishin kuptuar, ata ishin të detyruar t’i ndanin këto gjëra me të tjerët. Dishepujt duhet të jenë kanale dhe jo stacione fundore bekimesh. Tani të dymbëdhjetët ishin skribë të stërvitur për mbretërinë e qiejve, pra mësues dhe interpretues të së vërtetës. Ata ishin si një padron shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra. Në Dhjatën e Vjetër, ata kishin një depozitë të pasur me atë që mund ta quajmë e vërteta e vjetër. Në mësimin me shëmbëlltyra të Krishtit, ata sapo kishin marrë diçka krejtësisht të re. Nga ky mal i madh dijeje, tani ata duhet t’ia japin të vërtetën e lavdishme të tjerëve.M. Jezusi refuzohet në Nazaret (13:53-58)
13:53-58 Mbasi i kishte mbaruar këto shëmbëlltyra, Jezusi la brigjet e Galilesë dhe shkoi në Nazaret për vizitën e Tij të fundit atje. Ndërsa i mësonte ata në sinagogën e tyre, njerëzit habiteshin me diturinë e Tij dhe me mrekullitë e treguara për Të. Për ta, Ai ishte vetëm biri i marangozit. Ata e njihnin nënën e Tij që quhej Mari… vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda… dhe motrat e tij. Ata jetonin akoma në Nazaret! Si mund t’i thoshte e t’i bënte gjërat njëri prej djemve të qytetit të tyre, gjërat për të cilat Ai ishte bërë aq i njohur? Kjo i çuditi ata. Për ta ishte më e lehtë të kapeshin pas paditurisë së tyre sesa të njihnin të vërtetën. 13:57-58 Dhe skandalizoheshin me të. Kjo e nxiti Jezusin të tregonte se, në përgjithësi, një profet i vërtetë çmohet më shumë larg shtëpisë. Krahina dhe të afërmit e Tij lejuan që njohja nga afër e tyre të shkaktonte përbuzje. Mosbesimi e pengoi shumë veprën e Shpëtimtarit në Nazaret. Ai shëroi atje vetëm një pakicë të sëmurësh (shih Marku 6:5). Nuk është se Ai s’mund t’i bënte veprat; ligësia e njerëzve nuk mund ta frenojë fuqinë e Perëndisë. Por Ai do të kishte qenë duke bekuar njerëz në të cilët nuk ekzistonte dëshira për t’u bekuar, duke plotësuar nevoja ku nuk kishte vetëdije për nevojën, duke shëruar njerëz që s’do të duronin t’u thuhej se ishin të sëmurë. [1] H. Chester Woodring, shënime klase të pabotuara mbi Mateun, Emmaus Bible School, 1961.[[1]] [2] G. H. Lang, The Parabolic Teaching of Scripture, fq. 68.[[2]] [3] Merill F. Unger, Unger’s Bible Dictionary, fq.1145.[[3]] [4] J. H. Brookes, I Am Coming, fq. 65.[[4]] [5] Gaebelein, Matthew, fq 302.[[5]][previous][next]