Mrekullitë me fuqi dhe hir të Mesias dhe reagimet e ndryshme ndaj tyre (Mateu 8:1-9:34)

MREKULLITË ME FUQI DHE HIR TË MESIAS DHE REAGIMET E NDRYSHME NDAJ TYRE (MATEU 8:1-9:34) Në kapitujt 8-12, Zoti Jezus i paraqet dëshmi bindëse kombit të Izraelit që Ai ishte vërtet Mesia për të cilin profetët kishin shkruar. Isaia, për shembull, kishte parathënë që Mesia do të hapte sytë e të verbrit, do të zhbllokonte veshët e shurdhit, do të shëronte të çalin dhe do ta bënte memecin të këndonte (Isaia 35:5-6). Duke i përmbushur të gjitha këto profeci, Jezusi vërtetoi se Ai ishte Mesia. Duke iu referuar Shkrimeve të tij, Izraeli nuk duhej të kishte patur vështirësi në identifikimin e Krishtit tek Ai. S’ka më të verbër sesa ata që nuk duan të shikojnë. Ngjarjet e shënuara në këto kapituj janë paraqitur sipas një skeme tematike më tepër se sa në një rend të përpiktë kronologjik. Ky nuk është një përshkrim i plotë i shërbesës së Zotit, por një paraqitje e ngjarjeve të përzgjedhura nga Fryma e Shenjtë për të portretizuar disa motive nga jeta e Shpëtimtarit. Të përfshira në këtë paraqitje janë këto që vijojnë:
  1. Autoriteti absolut i Krishtit mbi sëmundjet, demonët, vdekjen dhe elementet e natyrës.
  2. Deklarimi i zotërisë absolute në jetët e atyre që do ta ndiqnin Atë.
  3. Refuzimi në rritje i Jezusit nga kombi i Izraelit, veçanërisht nga ana e udhëheqësve fetarë.
  4. Pranimi i gatshëm i Shpëtimtarit nga ana e individëve johebrenj.

A. Pushtet mbi lebrën (8:1-4)

8:1 Megjithëse mësimi i Jezusit ishte rrënjësor dhe skajor, ai kishte një pushtet tërheqës të tillë saqë turma të mëdha e ndiqnin. E vërteta është vetëvërtetuese dhe, megjithëse njerëzit mund të mos e pëlqejnë, ata s’mund ta harrojnë kurrë atë. 8:2 Një lebroz ra në gjunjë përpara Jezusit duke u lutur me dëshpërim për shërimin e tij. Ky lebroz kishte besim se Zoti mund ta shëronte atë. Besimi i vërtetë nuk të zhgënjen kurrë. Lebra është një figurë e përshtatshme për mëkatin sepse është e neveritshme, shkatërruese, infektuese dhe, në disa trajta, njerëzisht e pashërueshme{{1}}. 8:3 Lebrozët nuk duheshin prekur. Kontakti fizik me to mund të bënte që personi të infektohej. Në rastin e judenjve, ky kontakt e bënte personin të papastërt nga ana cerimoniale, që do të thotë të papërshtatshëm për të adhuruar me mbledhjen e Izraelit. Por kur Jezusi e preku lebrozin dhe i shprehu fjalët shëruese, në atë çast lebra u zhduk. Shpëtimtari ynë ka pushtet të pastrojë nga mëkati dhe ta aftësojë personin e pastruar për të qenë një adhurues. 8:4 Kjo është hera e parë në Ungjillin e Mateut ku është shënuar se Jezusi urdhëroi dikë të mos i tregohej askujt për mrekullinë e bërë për ta ose për çfarë ata kishin parë (shih gjithashtu Mateu 9:30; 12:16; 17:9; Marku 5:43; 7:36; 8:26). Kjo ka mundësi të ketë ndodhur ngaqë Ai ishte i vetëdijshëm se shumë njerëz, të interesuar vetëm për t’u çliruar nga zgjedha romake, deshën që Atë ta bënin Mbret. Por Ai e dinte se Izraeli ishte ende i papenduar, se kombi do ta refuzonte udhëheqjen e Tij dhe se më parë Ai duhej të shkonte te kryqi. Nën Ligjin e Moisiut, prifti shërbente edhe si mjek. Kur një lebroz pastrohej, ai ishte i detyruar të sillte një ofertë dhe të dilte përpara priftit që të shpallej i pastër (Levitiku 14:4-6). Ishte padyshim një ngjarje e rrallë që një lebroz të shërohej. Aq e jashtëzakonshme, në të vërtetë, saqë duhej t’i kishte tërhequr vëmendjen këtij prifti për të hetuar nëse Mesia ishte shfaqur më në fund. Por ne nuk lexojmë për një reagim të tillë. Jezusi i tha lebrozit që t’i bindej ligjit në këtë çështje. Nënkuptimet frymërore të mrekullisë janë të qarta. Mesia kishte ardhur tek Izraeli me pushtet për ta shëruar kombin nga ligësia e tij. Ai e paraqiti mrekullinë si një nga kredencialet e Tij, por kombi nuk ishte ende gati për Çlirimtarin e vet.

B. Pushtet mbi paralizën (8:5-13)

8:5-6 Besimi i një centurioni johebre është bërë i njohur në kontrast të mprehtë me papërceptueshmërinë e judenjve. Nëse Izraeli s’do të njohë Mbretin e Tij, këtë do ta bëjnë paganët e përçmuar. Centurioni ishte një zyrtar ushtarak romak që përgjigjej për rreth njëqind burra e që ishte i vendosur në Kapernaum ose afër tij. Ai shkoi te Jezusi që të kërkonte shërim për shërbëtorin e tij, i cili kishte pësuar një paralizë të dhunshme e të dhimbshme. Ky ishte një demonstrim i pazakontë dhembshurie. Shumica e zyrtarëve nuk do të kishte treguar një kujdes të tillë për një shërbëtor. 8:7-9 Kur Zoti Jezus u tregua i gatshëm të vizitonte shërbëtorin e sëmurë, centurioni shfaqi realitetin dhe thellësinë e besimit të tij. Në të vërtetë, Ai tha: «Unë nuk jam i denjë që Ti të hysh në shtëpinë time. Sidoqoftë, ajo s’është e nevojshme, sepse Ti do të mund ta shëroje me lehtësi atë duke thënë fjalën. Unë e di se si është me autoritetin. Unë marr urdhra nga eprorët e mi dhe u jap urdhra atyre që janë nën mua. Ndaj urdhërimeve të mia ka një bindje absolute. Sa pushtet më shumë kanë fjalët e Tua mbi ligësinë e shërbëtorit tim!» 8:10-12 Jezusi u mrekullua me besimin e këtij johebreu. Ky është njëri prej dy rasteve ku thuhet që Jezusi u mrekullua; hera tjetër ishte nga mosbesimi i judenjve (Marku 6:6). Një besim aq të madh Ai nuk e kishte gjeturnë mes të popullit të zgjedhur të Perëndisë, në Izrael. Kjo e çoi Atë të tregonte se në mbretërinë e Tij të ardhshme, johebrenjtë do të grumbulloheshin nga e gjithë bota për të gëzuar bashkësinë me patriarkët judenj, ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidheshin në errësirat e jashtme, ku ata do të qanin e do të kërcëllinin dhëmbët e tyre. Bijtë e mbretërisë janë ata që ishin judenj nga lindja, që deklaronin se e njihnin Perëndinë si Mbret, por që kurrë nuk ishin kthyer në të vërtetë. Parimi gjen zbatim në ditët e sotme. Shumë fëmijë, që kanë patur privilegjin të lindin e të rriten në familje të krishtera, do të humbasin në ferr sepse e refuzojnë Krishtin, ndërsa njerëz primitiv të xhunglës do të gëzojnë lavditë e përjetshme të qiellit sepse besuan në mesazhin e Ungjillit. 8:13 Jezusi i tha centurionit: «Shko dhe u bëftë ashtu si besove!» Besimi shpërblehet në përpjesëtim me konfidencën e tij në karakterin e Perëndisë. Shërbëtori …u shërua aty për aty, megjithëse Jezusi ishte në një largësi të konsiderueshme. Këtu ne mund të shohim një figurë të shërbesës së sotme të Krishtit, duke shëruar të paprivilegjuarit johebrenj nga paraliza e mëkatit, megjithëse Ai Vetë nuk është i pranishëm me trup.

C. Pushtet mbi ethet (8:14-15)

Duke hyrë në shtëpinë e Pjetrit, Jezusi gjeti vjehrrën e tij në shtrat me ethe. Ai ia preku dorën dhe ethet u zhdukën. Zakonisht ethet e lënë tepër të dobët një person, por ky shërim ishte aq i menjëhershëm dhe i plotë saqë ajo ishte në gjendje të ngrihej nga shtrati e t’i shërbente Atij, një shprehje me vend kjo e mirënjohjes për atë që Shpëtimtari kishte bërë për të. Ne duhet ta imitojmë atë, duke i shërbyer Atij me dedikim dhe vrull të ripërtërirë.

D. Pushtet mbi demonët dhe ligësitë e ndryshme (8:16-17)

Kur u ngrys, d.m.th. kur Shabati mbaroi (shih Marku 1:21-34), njerëzit u dyndën tek Ai, duke sjellë shumë viktima të pushtuara nga demonët. Këta individë për t’u dhimbsur ishin të banuar e të kontrolluar nga frymëra të liga. Shpesh ata demonstronin njohje dhe fuqi të mbinatyrshme; herë të tjera ata vuanin. Nganjëherë sjellja e tyre i ngjasonte sjelljes së personave të çmendur, por shkaqet ishin demoniake më tepër se sa fizike apo mendore. Jezusi, me fjalë, i dëboi frymërat. Gjithashtu, Ai i shëroi të gjithë të sëmurët, duke përmbushur profecinë te Isaia 53:4: «Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona». Shpesh vargu 17 përdoret nga të ashtuquajtur «shëruesit» për të treguar se shërimi përfshihet në shlyerjen [d.m.th. faljen e mëkateve] dhe se, për këtë arsye, shërimi fizik është diçka që besimtari mund ta sigurojë me anë të besimit. Por këtu Fryma e Perëndisë ia zbaton profecinë shërbesës shëruese tokësore të Zotit tonë e jo veprës së Tij në kryq. Deri tani, në këtë kapitull ne kemi parë katër mrekulli si më poshtë:
  1. Shërimi i lebrozit judeas me Krishtin të pranishëm.
  2. Shërimi i shërbëtorit të centurionit me Krishtin në largësi.
  3. Shërimi i vjehrrës së Pjetrit me Jezusin në shtëpi.
  4. Shërimi i të gjithë të pushtuarve nga demonët dhe i të sëmurëve me Jezusin të pranishëm.
Gaebelein sugjeron se këto përbëjnë 4 faza të shërbesës së Zotit tonë:
  1. Krishti në Ardhjen e Parë të Tij, duke i shërbyer popullit të Tij, Izraelit.
  2. Dispensacioni johebre [epoka e johebrenjve] pa Jezusin të pranishëm.
  3. Ardhja e Dytë e Tij kur Ai do të hyjë në shtëpi, duke rivendosur lidhjet e Tij me Izraelin dhe duke shëruar bijën e sëmurë të Sionit.
  4. Mijëvjeçari ku gjithë të pushtuarit nga demonët dhe të sëmurët do të shërohen{{2}}.
Kjo është një analizë që të ngjall kureshtjen e përparimit të mësimit te mrekullitë dhe duhet të na tërheqë vëmendjen për te thellësitë e fshehta të kuptimit në Shkrimet e Shenjta. Megjithatë ne duhet të paralajmërohemi që të mos shkojmë në ekstrem me këtë metodë, duke i sforcuar kuptimet deri në atë pikë sa të bëhen qesharake.

E. Mrekullia e refuzimit njerëzor (8:18-22)

Ne e kemi parë Krishtin të ushtrojë autoritet mbi sëmundjet dhe mbi demonët. Vetëm kur bie në kontakt me burra dhe gra, Ai ndesh në qëndresë – çudia e refuzimit njerëzor. 8:18-20 Ndërsa Jezusi përgatitej të kalonte detin e Galilesë nga Kapernaumi te ana lindore, një skrib i sigurt në vetvete i doli përpara duke u zotuar se do ta ndiqte Atë «gjatë gjithë rrugës.» Përgjigjja e Zotit e sfidoi atë që të llogariste çmimin, një jetë vetëmohimi. «Dhelprat i kanë strofkat dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështesë kokën». Në shërbesën e Tij publike, Ai nuk kishte një shtëpi të Tijën. Megjithatë, kishte shtëpi ku Ai ishte një mik i mirëpritur dhe zakonisht Ai kishte një vend për të fjetur. Forca e vërtetë e fjalëve të Tij duket se është frymërore: kjo botë s’mund t’i sigurojë Atij një prehje të vërtetë e të qëndrueshme. Ai kishte një punë për të bërë e s’mund të gjente prehje derisa ajo të kryhej. E njëjta gjë vlen edhe për ndjekësit e Tij; ky vend nuk është vendi ku ata gjejnë prehje ose të paktën s’duhet të jetë! 8:21 Një tjetër ndjekës qëllim-mirë shprehu një gatishmëri për ta ndjekur Atë, por kishte një përparësi më të lartë: «O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim». Nëse babai i tij kishte vdekur apo jo, kjo s’përbën fort ndryshim. Shqetësimi themelor ishte shprehur në fjalët kontradiktore: «O Zot, … (mua) më parë». Ai vuri veten përpara Krishtit. Ndërsa është krejtësisht me vend që të merren masat për një varrim si duhet për babain tënd, gabimi është kur një akt i tillë i denjë fiton përparësi ndaj thirrjes së Shpëtimtarit. 8:22 Jezusi, në të vërtetë, iu përgjigj: «Detyra jote nr 1 është të më ndjekësh mua. Lëri të vdekurit frymërisht të varrosin të vdekurit fizikisht. Edhe një i pashpëtuar mund ta bëjë atë punë; por është një tjetër punë që vetëm ti mund ta bësh. Jep maksimumin e jetës tënde për çfarë vërtet qëndron. Mos e harxho jetën tënde për atë që nuk ka vlerë në përjetësi». Ne nuk na thuhet se si u përgjigjën këta dy dishepuj, por ajo çfarë fuqishëm nënkuptohet këtu është se ata e lanë Krishtin për të bërë një vend të rehatshëm në botë për veten e tyre e për t’i harxhuar kot jetët e tyre duke përqafuar diçka më të ulët. Para se t’i dënojmë ata, ne duhet të vëmë në provë vetveten në lidhje me dy kushtet e dishepullimit të parashtruara nga Jezusi në këtë pasazh.

F. Pushtet mbi elementet e natyrës (8:23-27)

Deti i Galilesë është i njohur për stuhi të papritura e të forta që e rrahin atë si një shkumë tundëse. Erërat zbresin luginës së Jordanit nga veriu, duke marrë shpejtësi në grykën e ngushtë. Kur ato godasin detin, lundrimi bëhet tej mase i pasigurt. Në këtë rast, Jezusi po kalonte nga bregu perëndimor në atë lindor. Kur stuhia shpërtheu, Ai po flinte në barkë. Të terrorizuar, dishepujt e zgjuan Atë me lutje të tërbuara për ndihmë. Është në nderin e tyre që ata shkuan te Personi i duhur. Pasi i qortoi ata për besimin e tyre të dobët, Ai qortoi erërat dhe dallgët. Kur ra një bunacë e madhe, burrat u mrekulluan që edhe forcat e natyrës iu bindën Udhëtarit të përulur të tyre. Sa pak kuptuan ata që Krijuesi dhe Mbajtësi i gjithësisë ishte në anije atë ditë! Të gjithë dishepujt ndeshen me stuhi herët a vonë. Nganjëherë duket sikur do të fundosemi nga dallgët. Çfarë ngushëllimi të dimë se Jezusi është në barkë me ne! «S’ka ujë që ta fundosë anijen ku shtrihet Zotëria i oqeaneve, i tokës dhe i qiejve». Askush s’mund t’i mposhtë stuhitë e jetës si Zoti Jezus.

G. Jezusi shëron dy njerëz të pushtuar nga demonët (8:28-34)

8:28 Në bregun lindor të detit të Galilesë ishte krahina e gergesenasve{{3}}. Kur Jezusi mbërriti, Ai ndeshi dy raste jashtëzakonisht të dhunshme pushtimi demonësh. Këta të demonizuar jetonin në shpella si varre dhe ishin aq të tërbuar saqë e kishin bërë të rrezikshëm udhëtimin në atë zonë. 8:29-31 Ndërsa Jezusi u afrua, demonët filluan të bërtasin duke thënë: «Ç’është mes nesh dhe teje, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?» Ata e dinin se kush ishte Jezusi dhe që në fund Ai do t’i shkatërronte ata. Në këtë drejtim, teologjia e tyre ishte më e saktë sesa ajo e shumë liberalëve modernë. Duke e ndjerë se Jezusi do t’i dëbonte nga njerëzit, ata kërkuan që të shpërnguleshin te një tufë e madhe derrashpo kulloste aty pranë. 8:32 Mjaft e çuditshme që Jezusi e plotësoi kërkesën e atyre. Po pse Zoti Sovran duhet t’ua pranonte kërkesën demonëve? Ne duhet të kujtojmë dy fakte që të kuptojmë veprimin e Tij. Së pari, demonët i bëjnë bisht gjendjes së shkëputur nga trupi. Ata duan të banojnë në qenie njerëzore ose, nëse kjo s’është e mundur, në kafshë apo krijesa të tjera. Së dyti, qëllimi i demonëve është pa përjashtim shkatërrimi. Po qe se Jezusi thjesht do t’i kishte dëbuar ata nga maniakët, demonët do të kishin qenë një kërcënim për njerëzit e tjerë të zonës. Duke i lejuar ata që të shkojnë te derrat, Ai parandaloi hyrjen e tyre ndër burra e gra dhe e kufizoi fuqinë e tyre shkatërruese te kafshët. Nuk kishte ardhur ende koha e shkatërrimit përfundimtar të tyre nga ana e Zotit. Me të ndodhur shpërngulja, derrat u hodhën nga gremina në det dhe u mbytën. Kjo ngjarje tregon se synimi përfundimtar i demonëve është të shkatërrojnë. Gjithashtu, ajo nënvizon mundësinë e llahtarshme që dy njerëz mund të banohen nga një numër demonësh që mjaftojnë për të shkatërruar dy mijë krerë derra (Marku 5:13). 8:33-34 Barinjtë u kthyen me lajmin e asaj që kishte ndodhur. Si pasojë e kësaj ndodhi që një turmë qytetarësh të eksituar shkuan te Jezusi dhe iu lutën Atij që të largohej nga zona. Që atëherë Jezusi ka qenë kritikuar për mbytjen e panevojshme të derrave dhe i është kërkuar të largohet për faktin se jetën njerëzore Ai e vlerëson më tepër se sa kafshët. Në qoftë se këta gergesenas ishin judenj, ishte e paligjshme për ta që të rritnin derra. Por pavarësisht nëse ishin judenj apo jo, dënimi i tyre është se ata vlerësuan një tufë derrash më shumë se sa shërimin e dy të demonizuarve.

H. Pushtet për të falur mëkatet (9:1-8)

9:1 I refuzuar nga gergesenasit, Shpëtimtari ripërshkoi detin e Galilesë dhe erdhi në Kapernaum, që ishte bërë qyteti i Vet mbasi njerëzit e Nazaretit ishin përpjekur që ta asgjësonin (Luka 4:29-31). Këtu Ai bëri disa nga mrekullitë më të fuqishme të Tij. 9:2 Katër burra shkuan tek Ai, duke mbartur një paralitik mbi një lloj shtrati ose rrogozi. Tregimi i Markut na thotë se, për shkak të turmës, atyre iu desh të çanin çatinë e ta ulnin njeriun në praninë e Jezusit (Marku 2:1-12). Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha paralitikut: «Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur!» Vini re që Ai pa besimin e tyre. Besimi i shtyu burrat që ta sillnin të sëmurin te Jezusi dhe besimi i të sëmurit shkoi te Jezusi për shërim. Së pari, Zoti ynë shpërbleu këtë besim duke pohuar faljen për mëkatet e tij. Mjeku i Madh hoqi shkakun para se të trajtonte simptomat. Në radhë të parë, Ai dha bekimin më të madh. Kjo ngre pyetjen nëse Krishti ka shëruar ndonjëherë ndokënd pa i dhënë edhe shpëtimin apo jo. 9:3-5 Kur disa skribë dëgjuan Jezusin të deklarojë faljen e mëkateve të këtij njeriu, ata e akuzuan në mendjen e tyre për blasfemi. Në fund të fundit, vetëm Perëndia mund të falë mëkatet dhe sigurisht që ata nuk do ta pranonin Atë si Perëndi! I gjithdijshmi Zot Jezus i lexoi mendimet e tyre, i qortoi ata për gjërat e mbrapshta në zemrat e tyre mosbesuese e pastaj u kërkoi atyre nëse ishte më e lehtë të thuhej: «Mëkatet e tua të janë falur» apo: «Çohu dhe ec?» Në të vërtetë është njëlloj e lehtë të thuash njërën sikurse tjetrën, po cila është më e lehtë për t’u bërë? Të dyja janë të pamundura nga ana njerëzore, por rezultatet e urdhërimit të parë nuk janë të dukshme, ndërsa efektet e të dytit janë menjëherë të dallueshme. 9:6-7 Për t’u demonstruar skribëve se kishte pushtet mbi tokë për t’i falur mëkatet (e prandaj duhej nderuar si Perëndi), Jezusi mori mundimin t’u jepte një mrekulli që ata të mund të shikonin. Duke iu kthyer paralitikut, Ai tha: «Çohu…, merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde9:8 Turmat, kur e panë atë të shkonte në shtëpi me shtratin e tij, ata provuan dy emocione: frikë dhe çudi. Ata ishin të frikësuar në praninë e një vizite të qartë të mbinatyrshme. Ata lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve, por humbën tërësisht domethënien e mrekullisë. Shërimi i dukshëm i paralitikut ishte planifikuar për të vërtetuar se mëkatet e njeriut ishin falur, një mrekulli e padukshme. Nga kjo ata duhej të kishin kuptuar se çfarë kishin parë nuk ishte një demonstrim i faktit që Perëndia po u jepte pushtet njerëzve, por i pranisë së Perëndisë midis tyre në Personin e Zotit Jezus Krisht. Por ata nuk e kuptuan. Sa për skribët, ne e dimë nga ngjarjet e mëvonshme se ata veçse u ngurtësuan më shumë në mosbesimin dhe urrejtjen e tyre.

I. Jezusi thërret Mateun tagrambledhës (9:9-13)

9:9 Atmosfera e nderë e formuar gradualisht përreth Shpëtimtarit lehtësohet përkohësisht nga përshkrimi i thjeshtë dhe i përulur që Mateu i bën thirrjes së tij. Një tagrambledhës apo një punonjës dogane si dhe kolegët e tij të punës urreheshin intensivisht nga judenjtë për shkak të pandershmërisë së tyre, për shkak të taksave shtypëse që ata kërkonin e mbi të gjitha për arsye se ata u shërbenin interesave të Perandorisë Romake që sundonte mbi Izraelin. Ndërsa Jezusi kaloi zyrën e taksave, Ai i tha Mateut: «Ndiqmë!» Përgjigjja ishte e menjëhershme. Ai u çua dhe e ndoqi, duke lënë një punë tradicionalisht të pandershme për t’u bërë menjëherë një dishepull i Jezusit. Sikurse ka thënë dikush: «Ai humbi një punë të rehatshme, por gjeti një fat. Ai humbi të ardhura të mira, por gjeti nderin. Ai humbi një siguri të rehatshme, por gjeti një aventurë të cilën s’e kishte ëndërruar kurrë.» Nuk ishin ndër shpërblimet më të vogla të tij të qenurit njëri nga të dymbëdhjetët si dhe nderi për të shkruar Ungjillin që mban emrin e tij. 9:10 Gostia e përshkruar në këtë rast ishte përgatitur nga Mateu për nder të Jezusit (Luka 5:29). Ishte mënyra e tij për ta rrëfyer Krishtin publikisht dhe për t’i prezantuar shokët e tij me Shpëtimtarin. Për këtë arsye, patjetër që të ftuarit ishin tagrambledhës, ndërsa të tjerët përgjithësisht të njohur si mëkatarë! 9:11 Ishte zakon në atë kohë të hahej duke u mbështetur në divanë me fytyrën nga tryeza. Farisenjtë, kur e panë Jezusin të shoqërohej në këtë mënyrë me llumin e shoqërisë, shkuan te dishepujt e Tij dhe e akuzuan Atë «fajtor për shoqërim,» d.m.th, sigurisht që asnjë profet i vërtetë s’do të hante me mëkatarët! 9:12 Jezusit ia kapi veshi dhe u përgjigj: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.» Farisenjtë e konsideronin veten të shëndoshë dhe nuk ishin të gatshëm të rrëfenin nevojën e tyre për Jezusin. Në të vërtetë, ata ishin jashtë mase të sëmurë frymërisht dhe kishin shumë nevojë për shërim. Në kontrast me ta, tagrambledhësit dhe mëkatarët ishin më të gatshëm të pranonin gjendjen e tyre të vërtetë e të kërkonin hirin shpëtues të Krishtit. Kështu akuza ishte e vërtetë! Jezusi hëngri me mëkatarë. Po qe se Ai do të kishte ngrënë me farisenjtë, prapë se prapë akuza do të kishte qenë e vërtetë, madje ndoshta edhe më shumë! Po të mos kishte ngrënë Jezusi me mëkatarë në një botë si kjo e jona, Ai do të kishte ngrënë gjithmonë vetëm. Veçse ka rëndësi të kujtojmë se kur hëngri me mëkatarët, Ai nuk u dha kurrë pas udhëve të tyre të ndyra, kurrë nuk e komprometoi dëshminë e Tij. Ai e shfrytëzoi atë rast për t’i thirrur njerëzit tek e vërteta dhe shenjtëria. 9:13 Problemi i farisenjve ishte që, megjithëse ritet e judaizmit i ndiqnin me përpikmëri të lartë, zemrat e tyre ishin të ngurta, të ftohta e të pamëshirshme. Kështu Jezusi i liroi ata duke i sfiduar që të mësojnë domethënien e fjalëve të Jehovës: «Unë dua mëshirë dhe jo flijime» (cituar nga Osea 6:6). Megjithëse sistemin flijimor e kishte themeluar Perëndia, Ai nuk donte që ritet të bëheshin zëvendësuese të drejtësisë së brendshme. Perëndia nuk është një Ritualist. Ai nuk gjen kënaqësi në ritet e divorcuara nga perëndishmëria vetjake, pikërisht çfarë farisenjtë kishin bërë. Ata e zbatonin shkronjën e ligjit, por nuk kishin dhembshuri për ata që kishin nevojë për ndihmë frymërore. Ata shoqëroheshin vetëm me njerëz si vetvetja, që i jepnin të drejtë vetes së tyre. Në kontrast, Zoti Jezus, me ton plot nënkuptim, u tha: «Unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët.» Ai plotësoi në mënyrë të përsosur dëshirën e Perëndisë për mëshirë, por edhe për fli. Në një kuptim, nuk ka njerëz të drejtë në botë, kështu që Ai erdhi t’i thërrasë të gjithë njerëzit në pendim. Por këtu idea është se thirrja e Tij është e efektshme vetëm për ata që e pranojnë se janë mëkatarë. Ai s’mund t’u japë shërim atyre që janë krenarë, të vetëkënaqur dhe të papenduar sikurse farisenjtë.

J. Jezusi pyetet në lidhje me agjërimin (9:14-17)

9:14 Në këtë kohë, Gjon Pagëzori ka mundësi të ketë qenë në burg. Dishepujt e tij iu afruan Jezusit për një problem që kishin. Ata vetë agjëronin shpesh, ndërsa dishepujt e Jezusit jo. Pse? 9:15 Zoti u përgjigj me një ilustrim. Ai ishte dhëndri, ndërsa dishepujt e Tij dasmorët. Për sa kohë që Ai të ishte midis tyre, s’kishte arsye pse të agjërohej në shenjë pikëllimi. Por Ai do të hiqej nga mesi i tyre; atëherë do të agjëronin dishepujt e Tij. Ai ishte hequr nga mesi i tyre kur vdiq dhe u varros. Që kur është ngjitur, Ai nuk ka qenë i pranishëm trupërisht midis dishepujve të Tij. Ndërsa fjalët e Jezusit nuk e urdhërojnë agjërimin, ata sigurisht që e miratojnë atë si një ushtrim të përshtatshëm për ata që presin kthimin e Dhëndrit. 9:16 Pyetja e ngritur nga dishepujt e Gjonit e shtyu Jezusin më tej që të tregonte se Gjoni shënoi fundin e një dispensacioni, duke lajmëruar Epokën e re të Hirit. Ai tregon se parimet e tyre përkatëse s’mund të përzihen. Të përpiqesh të përziesh ligjin dhe hirin do të ishte sikur të përdorje një copë prej stofi të ri, që nuk është larë në ujë, për të arnuar një petk të vjetër. Me t’u larë, arna do të tkurret, duke u grisur nga stofi i vjetër. Riparimi do të ishte s’ka më keq. Gaebelein ankohet me të drejtë: <blockquote>Një Krishterim judaizues që, me një deklarim të Hirit dhe të Ungjillit, orvatet të zbatojë ligjin e që ushqen drejtësinë e ligjit, në sytë e Perëndisë është një neveri më e madhe se sa Izraeli deklarues në të kaluarën, që adhuronte idhuj{{4}}.[/x_blockquote] 9:17 Ose përzierja do të ishte sikur të futej vera e re në kacekë të vjetër. Trysnia e shkaktuar nga fermentimi i verës së re do t’i kishte bërë të plasin kacekët e vjetër, sepse ata kanë humbur elasticitetin e tyre. Jeta dhe liria e Ungjillit i shkatërron kacekët e ritualizmit. Hyrja e epokës së krishterë patjetër që do të shkaktonte tension. Gëzimi që Krishti solli nuk mund të mbahet brenda trajtave dhe riteve të DhV. Duhet të ekzistojë një rend krejtësisht i ri i gjërave. Pettingill e bën të qartë këtë: <blockquote>Kështu Mbreti i paralajmëron dishepujt e Tij që të mos përzihet e vjetra … dhe e reja…. E megjithatë kjo është ajo që ka ndodhur në Krishterim. Judaizmi ka qenë arnuar dhe përshtatur kudo midis kishave dhe petku i vjetër është etiketuar «Krishterim.» Si përfundim kemi një përzierje të ngatërruar, që nuk është as Judaizëm dhe as Krishterim, por një zëvendësim ritualist me vepra të vdekura i një besimi në Perëndinë e gjallë. Vera e re e shpëtimit falas është hedhur në kacekët e vjetër të legalizmit. Dhe cilat kanë qenë rrjedhojat? Ja, kacekët kanë shpërthyer e janë shkatërruar; vera është derdhur dhe shumica e lëngut të çmuar jetëdhënës ka humbur. Ligji ka humbur tmerrin e tij, sepse është përzier me hir. Edhe hiri ka humbur hijeshinë dhe karakterin e tij si hir, ngaqë është përzier me veprat e ligjit{{5}}.[/x_blockquote]

K. Pushtet për të shëruar të pashërueshmin e për të ngjallur të vdekurit (9:18-26)

9:18-19 Fjalimi i Jezusit mbi ndryshimin e dispensacioneve u ndërpre nga shqetësimi i njërit prej krerëve të sinagogës, vajza e të cilit sapo kishte vdekur. Ai ra në gjunjë përpara Zotit, duke i kërkuar Atij që të vinte e ta kthente atë në jetë. Ishte një rast i pazakontë që ky kryetar të kërkonte ndihmë nga Jezusi. Shumica e udhëheqësve judaik do të kishin frikë se mos do të përbuzeshin e do të përçmoheshin nga kolegët e tyre për bërjen e kësaj gjëje. Jezusi e nderoi besimin e tij duke u nisur me dishepujt e Vet drejt shtëpisë së këtij kryetari. 9:20 Një tjetër ndërprerje! Këtë herë ishte një grua që kishte vuajtur nga një hemoragji që prej dymbëdhjetë vjetësh. Jezusi nuk mërzitej kurrë nga ndërprerje të tilla. Ai ishte gjithmonë i vetëpërmbajtur, i hapur dhe i afruar. 9:21-22 Shkenca mjekësore kishte qenë e paaftë për ta ndihmuar këtë grua. Në të vërtetë, gjendja e saj ishte duke u përkeqësuar (Marku 5:26). Në gjendjen e saj kritike, ajo takoi Jezusin ose të paktën ajo e pa Atë të rrethuar nga një turmë. Duke besuar se Ai ishte i aftë dhe i gatshëm për ta shëruar, ajo lëvizi pak nga pak përmes turmës dhe preku thekët e rrobës së Tij. Besimi i vërtetë nuk kalon asnjëherë pa u vënë re prej Tij. Ai u kthye dhe deklaroi shërimin e saj. Përnjëherësh gruaja u shërua për herë të parë pas dymbëdhjetë vjetësh. 9:23-24 Tani tregimi kthehet te kryetari, vajza e të cilit kishte vdekur. Kur Jezusi mbërriti në shtëpinë e tij, përcjellësit profesionistë po vajtonin me një «pikëllim sintetik,» siç e ka quajtur dikush. Ai urdhëroi që dhoma të lirohej nga vizitorët, në të njëjtën kohë duke lajmëruar se vajza nuk kishte vdekur, por po flinte. Shumë studiues të Biblës besojnë se Zoti, në këtë rast, po e përdorte fjalën «fle» në një kuptim figurativ për vdekjen. Megjithatë disa besojnë se vajza ishte në një gjendje koma. Ky interpretim nuk e mohon se Jezusi mund ta kishte ngjallur atë po të kishte vdekur, por thekson faktin se Jezusi ishte tepër i ndershëm që të mos nderohej për ngjallje të të vdekurve kur aktualisht vajza nuk kishte vdekur. Zoti Robert Anderson kishte këtë pikëpamje. Ai vuri në dukje se babai dhe gjithë të tjerët thanë se ajo kishte vdekur, kurse Jezusi tha se ajo nuk kishte vdekur. 9:25-26 Sidoqoftë, Zoti e zuri për dore vajzën dhe mrekullia ndodhi: ajo u çua. Nuk u desh shumë që lajmi për mrekullinë të përhapej gjithandej krahinës.

L. Pushtet për të kthyer të parit (9:27-31)

9:28-28 Ndërsa Jezusi po largohej prej shtëpisë së kryetarit, dy të verbër po e ndiqnin, duke iu lutur për dritën e syve. Ndonëse duke u munguar një pamje natyrore, këta njerëz kishin një dallim të mprehtë frymëror. Duke iu drejtuar Jezusit Bir i Davidit, ata dalluan tek Ai të shumëpriturin Mesi dhe Mbretin e ligjshëm të Izraelit. Dhe ata e dinin se kur të vinte Mesia, një nga kredencialet e Tij do të ishte se Ai do t’u kthente të parit të verbërve (Isa. 61:1). Kur Jezusi vuri në provë besimin e tyre duke u kërkuar nëse ata besonin që Ai mund ta bënte këtë gjë (t’u kthente dritën e syve), ata iu përgjigjën pa ngurrim: «Po, o Zot9:29-30 Atëherë Mjeku i Madh ua preku sytë dhe i siguroi se, për shkak të besimit të tyre, ata do të shihnin. Aty për aty, sytë e tyre u normalizuan krejtësisht. Njeriu thotë: «Shiko dhe beso.» Perëndia thotë: «Beso dhe shiko.» Jezusi i tha Martës: «A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?» (Gjoni 11:40). Shkrimtari i Letrës drejtuar Hebrenjve vërente: «Me anë të besimit ne kuptojmë…» (Hebrenjve 11:3). Apostulli Gjon shkroi: «Jua shkrova këto gjëra juve që besoni…, që të dini…» (1 Gjonit 5:13). Perëndia nuk kënaqet me llojin e besimit që kërkon një mrekulli të mëparshme. Ai do që ne t’i besojmë Atij thjesht sepse Ai është Perëndi. Pse Jezusi i paralajmëroi rreptësisht të shëruarit që të mos i tregonin askujt? Te shënimet mbi vargun 8:4, ne sugjeruam se ka mundësi që Ai të mos donte të nxiste një lëvizje të parakohshme për ta kurorëzuar Atë si Mbret. Njerëzit nuk ishin penduar ende. Ai s’mund të mbretëronte mbi ta pa qenë të lindur sërish. Gjithashtu, një kryengritje revolucionare në favor të Jezusit do të sillte masa të tmerrshme ndëshkimore mbi judenjtë nga ana e qeverisë romake. Përveç gjithë kësaj, Zoti Jezus duhej të shkonte në kryq përpara se të mbretëronte si Mbret. Çdo gjë që bllokonte shtegun e Tij për në Kalvar i binte ndesh planit të paracaktuar të Perëndisë. 9:31 Në mirënjohjen e tyre të shfrenuar për dritën e syve, këta dy burra e përhapën lajmin e mrekullisë së shërimit të tyre. Ndërsa ne mund të ishim të tunduar që ta miratonim, madje që ta admironim dëshminë e tyre plot gjallëri, fakti negativ është se ata ishin krejtësisht të pabindur dhe patjetër që bënë më tepër dëm se sa mirë, ndoshta duke nxitur më tepër një kureshtje të cekët se sa një interes të frymëzuar nga Fryma. As mirënjohja nuk është një përligjje e vlefshme për të mos u bindur.

M. Pushtet për të kthyer të folurit (9:32-34)

9:32 Së pari, Jezusi u dha jetë të vdekurve, pastaj dritën e syve të verbërve, ndërsa tani të folurën memecëve. Duket sikur ka një vazhdimësi te këto mrekulli këtu: më parë jeta, më pas kuptimi dhe pastaj dëshmia. Një frymë e ligë e kishte goditur këtë njeri duke e lënë memec. Dikush ishte mjaft i shqetësuar aq sa ta sillte të demonizuarin te Jezusi. Perëndia e bekoftë grupin bujar të anonimëve që kanë qenë vegla të Tij duke i sjellë të tjerët te Jezusi! 9:33 Sapo e dëboi demonin, memeci foli. Sigurisht, ne mund të supozojmë që ai ta ketë përdorur fuqinë e përtërirë të tij për të adhuruar dhe dëshmuar për Atë që e kishte shëruar aq hirësisht atë. Njerëzit e zakonshëm pohonin se Izraeli po përjetonte mrekulli të papara ndonjëherë. 9:34 Por farisenjtë përgjigjeshin duke thënë se Jezusi i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve. Kjo është ajo çfarë më vonë Jezusi quajti mëkat të pafalshëm (Marku 12:32). T’ia atribuoje mrekullitë që Ai kreu me anën e Frymës së Shenjtë fuqisë së Satanit ishte blasfemi kundër Frymës së Shenjtë. Ndërsa të tjerët po bekoheshin nga prekja shëruese e Krishtit, farisenjtë mbetën frymërisht të vdekur, të verbër dhe memecë. [1] Disa trajta të lebrës të përmendura në Bibël nuk janë të njëjtat me atë që quhet sëmundje e Hansenit. Për shembull, te Levitiku ajo përfshin gjendje që mund të infektojnë një shtëpi ose një veshje.[[1]] [2] Arno V. Gaebelein, The Gospel of Matthew, fq 193.[[2]] [3] Teksti NU lexon Gadarenasve. Emrat e qytetit dhe të krahinës mund të përputhen disi.[[3]] [4] Gaebelein, Matthew, fq 193.[[4]] [5] W. L. Pettingill, Simple Studies in Matthew, fq 111, 112.[[5]]
[previous][next]